Arkiv / Ripublikim

Xh. Bislimi: E vërteta e madhe për themelimin e Gjykatës Speciale Antishqiptare

E VËRTETA E MADHE (Ribotim)
Prishtinë, më 14 nëntor 2020
Dhomat e specializuara (Gjykata speciale!) janë themeluar me votën e deputetëve të Kuvendit të Republikës së Kosovës. Pra, themelues i vetëm i Gjykatës speciale është Kuvendi i Republikës së Kosovës!! Gjykata është themeluar nga Kuvendi i Republikës së Kosovës nën “presionin” e një raporti dhe rezolute jodetyruese të Këshillit të Evropës!! Hetimi për “trafik organesh” ishte inicuar nga deputeti rus, Kosaçev, kurse raporti ishte hartuar nga një deputet mercenar zviceran, Dik Marti! Pas miratimit të raportit nga Këshilli i Evropës, me 166 vota «për»(!!), 8 vota «kundër» dhe 9 «abstenime», Këshilli i Evropës (nuk duhet ngatërruar me Këshillin e BE-së!) miratoi një rezolutë, e cila nuk ishte obligative. Me këtë rezolutë “autorizohejë” EULEX-i që të bënte hetime për punën e “trafikut me organe” dhe të “krimeve” tjera të UÇK-së!! UNMIK-EULEX-i kishte “pushtetin” me të gjitha kompetencat dhe fuqitë ekzekutive, të njohura dhe “garantuara” nga Kuvendi i Republikës dhe shteti sovran i Kosovës!! Pushteti i UNMIK-EULEX-it nuk njihte kufizime në shtetin e pavarurr e sovran të Kosovës!! Ky mision, UNMIK-EULEX-si (UNMIK-u i transformuar në EULEX!), kishte hetuar, kishte persekutuar, arrestuar e dënuar dhjetra komandantë e luftëtarë të UÇK-së për vite të tëra!! Pas çdo bastisje, arrestimi (ndalimi), aktakuze ose dënimi të komandantëve dhe luftëtarëve të UÇK-së pasonte deklarata e shkurtër e partive politike të “dalura nga Lufta” dhe e krerëve të institucioneve (“të dalur nga Lufta”!?), që ishte bër refren: “ASKUSH MBI LIGJIN” ose “PËRSHËNDESIM AKSIONIN E UNMIK-EULEX-it”!! Kaq ishte reagimi i tyre, kurse klasa e vjetër politike, e dalur nga Lidhja Komuniste e Jugoserbisë, fërkonte duart dhe ngazëllehejë me këto “fitore” të UNMIK-EULEX-it.
Thonë që “oreksi rritet duke ngrënë”! Kështu ndodhi edhe me UNMIK-EULEX-in dhe me qarqet e vendet që kishin kundërshtuar dhe ishin armike të lirisë dhe pavarësisë së Kosovës nga Serbia… Reagimet kaq të qullta të partive të “dalura nga Lufta” dhe të krerëve të tyre e trimëruan UNMIK-EULEX-in, që kishte përkrahjen dhe bashkëpunimin e plotë të Serbisë dhe të aleatëve të saj, për të ecur më tej me projektin e tyre antishqiptar… Pas krijimit të komunave “serbe”, ndarjes së qytetit shqiptar, Mitrovicës e të Veriut dhe koncesioneve tjera të shumëta edhe në Bruksel, UNMIK-EULEX-i, dhe vendet e qarqet tjera antishqiptare nisën fushatën për krijimin-themelimin e Gjykatës speciale. Pse jo?! Çdo fazë e projektit për ta mbajtur Kosovën shqiptare të lidhur pas qerres serbe u kishte ecur pa gjetur asnjë kundërshtim nga institucionet e shtetit të pavarur e sovran të Kosovës!! Prandaj, Kuvendi i shtetit të pavarur e sovran të Kosovës, themeloi Gjykatë speciale për hetimin dhe dënimin e Luftës së UÇK-së dhe të kombit shqiptar për çlirimin e Kosovës, me qëllim të fundit minimin-rrënimin e Pavarësisë së Kosovës!!! Askujt nuk i hynte më në punë fakti që kjo Luftë e UÇK-së dhe e kombit shqiptar kishte fituar simpatinë dhe mbështetjen politike dhe ushtarake të vendeve më të fuqishme të globit dhe të vetë NATO-s!! Simpatinë dhe mbështetjen e fituar gjatë Luftës Çlirimtare, klasa e re politike, në aleancë të ngushtë me klasën e vjetër kolaboracioniste, e “konsumuan” me politikat dhe qeverisjen e tyre sharlatane!! Askujt më nuk i hynin në punë faktet dhe e vërteta e krimeve të tmerrshme dhe gjenocidit që kishte kryer Serbia me forcat e saj ndaj popullit shqiptar në Kosovë!! Askujt, madje as deputetëve e qeveritarëve tanë, të rinj e të vjetër, nuk u “kujtohejë” fakti që Serbia vetëm gjatë viteve 1998 – 2000 kishte dënuar 1 874 shqiptarë për arsye “politike”!! Mirë që i “harruan” ata 750 000 shqiptarë, që kishin kaluar nëpër “dhëmbëzorët” e sistemit të hetuesisë e të (anti)drejtësisë Jugoserbe gjatë viteve 1981 – 1989, po si ka mundësi t’i “harronin” shqiptarët e dënuar të viteve 1998 – 2000?!! I “harruan” edhe këta!? Ua piu sorra mendtë! Po, si ka mundësi që i “harruan” aq shpejt ata qindra komandantë e luftëtarë të UÇK-së, që UNMIK-EULEX-i, edhe Gjykata Ndërkombëtare e Hagës, i persekutoi, i keqtrajtoi, i poshtëroi dhe i dënoi në bashkëpunim të ngushtë me Serbinë dhe për hatrin e saj? A nuk u shkoi qoftë edhe njëherë të vetme mendja për këtë persekutim e këto dënime drakoniane kur e ngritën dorën dhe votuan “PËR” krijimin edhe të një Gjykate speciale, unike në botë, për dënimin e Luftës Çlirimtare?!!
Prandaj, të vjen keq, si qytetar e mbi të gjitha si shqiptar, kur lexon me qindra e mijëra reagime, komente e shkrime në rrjetet sociale e në media që vjellin vrerë, shajnë e mallokjnë Evropën, Serbinë, Rusinë, Dik Martin, etj., por “harrojnë” dhe nuk u bënë zemra të ndalen një çast e të mendojnë: “Po shqiptarët, klasa e tyre politike e shtetërore, në cilën anë ishin e çfarë bënë”?!! Gati të gjithë këta të vijës atdhetare thonë se “kjo Gjykatë po i shërben Serbisë”, se “u krijua mbi bazën e dosjeve të Serbisë”, se “është dorë e zgjatur e Serbisë”, se “Evropa ka qenë gjithmonë kundër nesh”, se “Gjykata speciale ka dalur nga mandati i saj”, se “ajo ishte krijuar për hetimin e krimeve individuale, por jo për kriminalizimin e Luftës Çlirimtare, siç e quajti: “ndërmarrje e përbashkët kriminale” Luftën tonë”, etj.! Të gjitha këto, sidomos për Serbinë, Rusinë e miqtë e saj, qëndrojnë. Ashtu është. Serbia neofashiste nuk mendon mirë për Kosovën e për shqiptarët! Ky nuk është “zbulim” dhe as argument për të vajtuar e për t’i mbuluar përgjegjësit tona! Kur ke parasysh që në këtë “grackë” kanë rënë edhe veprimtarë të dikurshëm politikë e luftëtarë lirie keqardhja bëhet edhe më e madhe! Nuk bëhet shteti e kombi duke i fshehur dhe arsyetuar gjithmonë gabimet e fajet tona prapa armiqëve tanë!? Ne jemi për të bërë atë që na takon neve, të tjerët sigurisht që kanë interesat e tyre dhe do të përpiqen e po përpiqen me të gjitha mënyrat e mjetet që t’i realizojnë në kurriz-dëm të tokave dhe interesave tona… Dashuria, përkushtimi, përpjekja, puna (edhe lufta) për Atdheun e për Popullin nuk e ka me dy-tri ditë, dy-tre muaj, dy-tre vjet dhe as me dhjetëra vjet, por me gjithë jetën. Vetëm ata, që ranë në altarin e Atdheut, e kanë përmbushur detyrën e Tyre ndaj Popullit e ndaj Atdheut. Ata që u nxorën me duar lidhur para Gjykatës speciale ishin: kryetar Kuvendi, Kryetar shteti, Kryeministër, Deputet, Kryetar Partie…, kurse dikur ishin anëtarë të Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së, anëtarë, veprimtarë e drejtuesë të LPK-së e të burgosur politikë. Secili shqiptar ka pritur që, ata, në momentin që kanë lexuar në aktakuzën e tyre kualifikimin kriminal për UÇK-në si “ndarmarrje e përbashkët kriminale” do të përcaktoheshin qartë dhe pa ekuivoke (të paktën): “Nuk e njohim dhe nuk bashkëpunojmë me këtë Gjyaktë deri sa të hiqet ky kualifikim kriminal për Luftën tonë Çlirimtare nga aktakuza dhe nga çdo letër e kësaj Gjykate”, PIKË! Edhe kaq gjë nuk e bënë?!! Kundërshtimi nuk bëhet me “lirinë” që na kanë krijuar rrjetet sociale për të mallkaur e sharë të tjerët sa për të “harruar” veten e “mëkatet” tona që s’i lanë Vardari!! Edhe këtu në Prishtinë e Kosovë ka reagime të jashtëzakonshme, me vend e pa vend dhe nga njerëzit që s’kanë asnjë përgjegjësi e ndikim për t’i frenuar këto zhvillime antishqiptare. Popullin shqiptar po e terrorizojnë me llapjet e tyre edhe “analistët” e paguar nga para e fonde të dyshimta! Dhe, mirë bëjnë!? Sepse, partitë politike dhe institucionet shtetërore vazhdojnë të heshtin si mumjet ose, edhe kur thonë ndonjë fjalë i bien rretherrotull dhe nuk thonë asgjë për kualifikimin e rëndë, kriminal dhe poshtërues e me pasoja për vetë lirinë e pavarësinë e Kosovës: “Ndërmarrje e përbashkët kriminale”!!?? Partitë “e dalura nga Lufta” dhe të “vendosura” për vetëvendosje, në vend se të shkojnë në Kuvend (deputetët e tyre) të bëjnë propozim e presion që të miratohet, të paktën një rezolutë e Kuvendit, që dënon këtë formulim e cilësim kriminal për Luftën tonë Çlirimtare, pezullojnë pjesëmarrjen në Kuvend, ikin e shkojnë të kërkojnë “ilaq” në Tiranë, etj., kurse disa të tjerë, të “dalur nga lufta”, vazhdojnë t’ia mbajnë çadrën politikës së vjetër, në vend se të bëhen bashkë e të krijojnë kushte për një unitet të gjerë në këto kohë të vështira, duke krijuar Qeveri të shpëtimit kombëtar e duke reformuar e riorganizuar gjithë sistemin e korruptuar e të kalbur të këtij shteti me “themele” të UNMIK-EULEX-it…
E vërteta tjetër e madhe është UÇK-ja dhe krijimi i saj… Përditë dëgjojmë të thuhet e shohim të shkruhet se filani a fisteku ishte “një nga themeluesit e UÇK-së”! Këtu nuk ka kompromis, sepse, si edhe në rastin e themelimit të Gjykatës, nuk ka dy të vërteta. Ushtria Çlirimtare nuk ka pikur nga qielli, siç lënë të kuptohet nganjëherë! Ajo nuk është as vepër e ndonjë individi apo disa individëve dhe as rezultat i një dite, muaji a viti… Ushtria Çlirimtare, si edhe vetë Lëvizja Popullore e Kosovës, ishte rezultat i përpjekjeve për liri që nga pushtimi i tokave të Shqipërisë (rreth 30 000 km katrore) nga Serbia e Mali i Zi, më vonë Jugoserbia.
Bashkimi i organizatave dhe grupeve atdhetare në një organizatë të vetme, që më vonë u quajt, Lëvizja Popullore e Kosovës, i dha shtytje të re Lëvizjes Kombëtare për çlirimin e Kosovës dhe të viseve të saj të pushtuara. Megjithë ndjekjen dhe represionin e organizuar dhe sistematik shtetëror, ajo ia doli të qëndronte në këmbë. Goditjet ishin të shpeshta dhe herë-herë dërrmuese, por ajo, LPK-ja, mbijetonte dhe konsolidohejë si feniksi nga hiri i tij. Ekzistenca dhe veprimtaria e saj e pathyeshme në përpjekje dhe luftë me Jugoserbinë e mbajti të gjallë shpresën e popullit se një ditë do të agonte liria edhe për Kosovën e robëruar dhe për viset e saj. Kjo shpresë dalngadalë po shndërrohejë në guxim, jo vetëm për të vepruar me mjete politike, por edhe për t’i rrokur armët kundër pushtuesit. Anëtarët më të vendosur të saj, me porosi e “orientime” të organeve drejtuese, nisën të armatosen… Kjo veprimtari ishte intensifikuar me Rexhep Malën e Nuhi Berishën, pastaj me Afrimin e Fahriun, me Besim Ndrecën e me të tjerë anëtarë të LPK-së, që nuk po dorëzoheshin më pa luftuar…
Rruga e shtruar prej këtyre Dëshmorëve të Lëvizjes po ndiqejë e po “zgjerohejë” nga organizata. Këshillat e LPK-së, sipas qëndrimeve të udhëheqjes së organizatës, nisën të ndaheshin në krah politik dhe krah ushtarak. Kështu lindën njësitë e armatosura të LPK-së, që afronin rreth vetes dhe i angazhonin të gjithë atdhetarët e gatshëm për Luftë Çlirimtare. Me këto njësi të armatosura Lëvizja Popullore e Kosovës po përgatiste anëtarët dhe simpatizantët e saj për luftë dhe po “testonte” mbështetjen dhe gatishmërinë e popullit për Luftë të Përgjithshme Çlirimtare. Shtypja dhe represioni i egër i pushtuesit serb ishte bër i padurueshëm. Mohimi dhe shtypja brutale e çdo të drejte i kishte bashkuar shqiptarët edhe më shumë dhe kishte prishur “iluzionet” e çlirimit dhe të pavarësisë nga Serbia pa Luftë të Armatosur. Numri i luftëtarve të lirisë dhe gatishmëria për luftë po rritej dita-ditës. Njësitë e armatosura të LPK-së po bëheshin formacione të mirëfillta ushtarake. Mbledhja e Katërtë e Përgjithshme e LPK-së, e mbajtur në Prishtinë, në fund të korrikut 1993, “formalizoi” Luftën e Armatosur Çlirimtare si opcion i domosdoshëm. Ky ishte vendim historik për Kosovën dhe për kombin shqiptar. Katër muaj pas kësaj Mbledhjeje, LPK-ja, themeloi Fondin “Vendlindja Thërret” për mbështetjen dhe financimin e Luftës së Armatosur. Një vit më vonë, më 17 Nëntor 1994, Kryesia e LPK-së i emërton formacionet e saj luftarake në Kosovë me emrin: USHTRIA ÇLIRIMTARE E KOSOVËS. Pra, ishte një strukturë politike, e konsoliduar mire, në organizatën që quhej Lëvizja Popullore e Kosovës, që kishte organizuar dhe drejtuar Luftën e Armatosur dhe që e kishte krijuar me shumë mund, përpjekje, sakrifica e Dëshmorë, për shumë vite, UÇK-në… Të vërtetë tjetër as ka patur dhe as nuk ka për UÇK-në…
I thashë këto dy të vërteta, jo se nuk dihen, por për ta thënë edhe të vërtetën e tretë: GJENDJA NË KOSOVË DHE NË GJITHË SHOQËRINË SHQIPTARE NUK ËSHTË E MIRË. Pozita e kombit shqiptar, pas atij “hopi”, që bëri me çlirimin e Kosovës, po merr goditje të ulëta… Prandaj edhe pyetja: Çfarë duhet të bëjnë shqiptarët për lirinë, pavarësinë dhe bashkimin e tyre, që do të sillte qetësi, paqe, harmoni, stabilitet dhe prosperitet edhe për popujt fqinj?