Botë

Viktor Malaj: Përse u mblodhën të gjithë drejtuesit e Evropës së Bashkuar në Brdo, a ia vlente gjithë ai tubim që nuk prodhoi asgjë veç deklaratave që kemi 20 vjet që i dëgjojmë?

Të gjithë udhëheqësit e vendeve të Ballkanit Perëndimor u njoftuan me urgjencë që në datën 6 tetor 2021 të udhëtonin drejt Sllovenisë për t’u takuar me gjithë elitën politike të BE-së. Kureshtje dhe padurim. Si kureshtja edhe padurimi nuk kishin të bënin me personazhet kryesore politike të 27 vendeve anëtare të Bashkimit Evropian dhe as me temat që mund të diskutoheshin, por kryesisht me vendimet që do të merreshin në atë takim historik.

Nuk është shaka që e gjithë elita politike e kontinentit të vjetër të mblidhet në një vend dhe në një ditë të caktuar dhe aty të ftohen edhe prijësit e “fshatrave” ballkanike.

Të gjithë vrapuan, madje duke harruar të merrnin edhe maska kundër-Kovid me vete, dhe mësynë drejt vendit “të shenjtë” të Sllovenisë, të quajtur Brdo Kranju. Kur mbërritën atje panë se në një lëndinë rretheqark të pyllëzuar, jo larg Ljubljanës, ndodhej një ndërtesë madhështore e shekullit të 16-të. Madhështinë e mbërritjeve dhe takimeve po e prishte pak shiu që binte, por akoma më shumë ankthi i ” kryepleqve ” të Ballkanit Perëndimor që s’e dinin ende përse po takoheshin me të gjithë drejtuesit politikë të Evropës plakë.

Autoriteti politik që u ndje më keq ishte Kryeministri slloven, z. Janez Jansa, i cili jo vetëm nuk dinte çfarë lajmi të gëzueshëm t’iu jepte ardhacakëve të Ballkanit Perëndimor, por u vu në siklet edhe nga pyetjet e gazetarëve rreth faktit se kujt i përkiste rezidenca madhështore në të cilën ai priste gjithë elitën politike evropiane.

Ai vetëm vuri në dukje se godina ishte ndërtuar në vitin 1510, kishte ndërruar disa herë pronësi dhe tani çështja e pronësisë së saj priste radhën për t’u shqyrtuar në Gjykatën e Lartë të Sllovenisë.

Ou!- mërmëritën përfaqsuesit e delegacionit shqiptar,- Edhe këta paskan probleme me pronat si ne, megjithëse janë anëtarë të BE-së?!

Mikpritësi slloven, për të larguar vëmendjen nga problemi i pronësisë dhe për t’i rritur rëndësinë vendndodhjes, shtoi se në këtë rezidencë bënte dikur pushimet mareshalli Josif Broz Tito, ndërsa para 20 vjetëve aty ishin takuar edhe Presidenti amerikan Xhorxh W. Bush me atë rus Vladimir Putin. Disa duartrokitje erdhën nga fundi i sallës ku ndodheshin delegacionet e vendeve sllave.

Pastaj kryeministri slloven Jansa pohoi se “Shumica e vendeve të BE-së kanë treguar vullnet që gjatë dekadës së ardhshme do të përqendrohen në pranimin e Ballkanit Perëndimor në këtë bashkim shtetesh dhe se reformimi i vetë unionit, reformat e brendëshme në Ballkanin Perëndimor dhe zgjidhja e çështjeve dypalëshe do të mbesin si tri prioritetet e dekadës së ardhshme”.

Një udhëheqës i Ballkanit Perëndimor, duke kruar veshin, mërmëriti me vete: Këta akoma nuk paskan reformuar veten e tyre edhe pas 70 viteve nga krijimi i unionit si marrëveshje kryesisht ekonomike midis pak vendeve evropiane, kurse ne na kërkojnë  realizimin e reformave tak-fak, ndërsa jo pak prej tyre nuk e paskan fare në hesap pranimin tonë as gjatë dekadës së ardhshme. A mos janë duke u tallur me ne dhe popujt tanë?!

Me interes pritej fjala e drejtuesve të BE-së pasi ata besohet se thonë gjëra të rëndësishme dhe të vërteta. Presidenti i Këshillit Evropian, z. Çarls Mishel tha se “Vlerat themelore, sundimi i ligjit dhe lufta kundër korrupsionit janë në ADN-në evropiane”. Në sallë pati disa duartrokitje, por shumëkujt kjo i tingëlloi si një leksion teorik universitar që të sillte bezdi pasi ishte përsëritur me mijëra herë dhe mund ta gjeje të shkruar edhe në parulla mureske kudo nëpër Evropë. Përsëri asgjë për pranimin e pak vendeve ballkanike të mbetura pas dyerve të Evropës plakë.

Pastaj, Presidentja e Komisionit Evropian, znj. Ursula von der Lajn tha se “BE nuk është i plotë pa Ballkanin Perëndimor. S’ka dyshim se qëllimi ynë është zgjerimi…”.

Ou! Në emër të kujt flet kjo zonjë e nderuar?!- pyesnin veten e tyre shumë të pranishëm nga vendet e Ballkanit. Në fjalën e zonjës Von de Lajn s’kishte asgjë të re dhe, veç kësaj, nga historia dihej se shumca e vendeve anëtare të BE-së, kur kanë pasur si qëllim zgjerimin, e kanë realizuar atë shpesh herë edhe jashtë Evropës dhe, madje, me luftë.

Tani vendet që prisnin mbas derës po luteshin të bëheshin pjesë e zgjerimit, por po iu viheshin kushte mbas kushtesh. Si mund të zgjidhet kjo mëdyshje? Dikush filloi të mendonte gabimisht se shkaku kryesor i mospranimit në zgjerim për këto vende ballkanike ishte fakti se ato nuk i sillnin pasuri ekonomike dhe as financiare unionit evropian por, përkundrazi, vetëm do t’i kërkonin atij t’iu jepte nga këto pasuri. Është më vështirë t’i hapësh derën një lypësi që vjen me çantën bosh sesa të zësh për fyti dhe të grabisësh një kalimtar me çantën plot florinj.

Kryeministri i Kosovës, z. Albin Kurti u takua me Presidentin e Serbisë, z. Aleksander Vuçiç në prani të z. E. Makron dhe znj. A. Merkel. As drejtuesit ballkanikë dhe as “kumbarët” e tyre evropianoperëndimorë nuk na sqaruan se për çfarë biseduan dhe çfarë u arrit nga takimi. Megjithatë, më i rëndësishëm mbetet fakti se i persekutuari dhe persekutuesi u takuan. Se cili ka të drejtë dhe cili duhet të bëjë lëshime, këto mbesin të parëndësishme tani për tani për politikën e BE-së. Rëndësi ka të takohen, madje sa më shpesh.

Kur u pyet për perspektivën e pranimit të vendeve të Balkanit Perëndimor në BE, Kancelarja gjermane në largim, znj Merkel pohoi se “Në të vërtetë, nuk besoj në caktimin e datave por në mbajtjen e premtimeve tona: Sapo të plotësohen kushtet do të bëhet pranimi në BE”. Se për çfarë kushtesh e kishte fjalën zonja e nderuar Merkel shumëkush nuk po e kuptonte pasi, sipas qeverisë së drejtuar prej saj dhe sipas qeverive të tjera evropiane, vendet e rajonit i kishin plotësuar kushtet e krijuara për fillimin e negociatave, por po bëhej pengesë vetoja bullgare ndaj Maqedonisë së Veriut.

Duke marrë shkas prej këtij “ngërçi”, dikush i pyeti drejtuesit e Unionit, nëse, sipas parimeve universale të demokracisë, vlerësohej ekzistenca dhe fuqia e vetos si mjet demokratik në ndërtimin dhe funksionimin e Evropës së Bashkuar?  Drejtuesit zemërmirë evropianë, të zënë ngushtë, vetëm përsëritën se ky parim ishte i kahmotshëm dhe i vendosur nga paraardhësit e tyre, se Evropa e Bashkuar iu përmbahet parimeve etj.etj.

Por nuk shpjeguan vlerësimet e tyre rreth këtij “parimi” dhe arsyet pse ai nuk ndryshohej në qoftë se vërtetë nuk pajtohet me parimin demokratik të vendimmarrjeve nga shumicat dhe jo nga pakicat, madje njësitë e vetme përbërëse.

Pasi u shty me kryeministrin holandez për të mos hyrë i pari në rezidencën “titiste” dhe pas disa bisedave “të rëndësishme” me Presidentin francez Makron, Kryeministri shqiptar z. Edi Rama u ul në sallë për të dëgjuar leximin e Deklaratës së Përbashkët BE-Ballkani Perëndimor. Deklarata të linte pa mend për saktësinë e përsëritjeve, të vjetra e të reja, dhe për kotësinë e nënshkrimit të saj.

BE riafirmonte, për të njëqindtën herë, mbështetjen e vet për perspektivën evropiane të Ballkanit Perëndimor dhe mirëpriste, po aq herë, angazhimin e partnerëve të këtij rajoni në perspektivën evropiane… Gjithashtu, BE njihte progresin e bërë nga vendet e Ballkanit Perëndimor dhe konfirmonte angazhimin e vet në procesin e zgjerimit. Megjithatë, edhe pse pohohej se këto vende ballkanike janë të përkushtuara ndaj vlerave dhe parimeve evropiane dhe realizimit të reformave të kërkuara, nuk kishte asnjë pohim rreth afateve konkrete të pranimit, madje, siç tha një zonjë ballkanike, këta ende nuk pranojnë të fillojnë bisedimet e pranimit me ne, merre me mend kur do të na i hapin dyert.

Kur drejtuesit e BE-së filluan të flasin për mbajtjen e premtimeve nga vendet ballkanike lidhur me reformat dhe luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, dikush në sallë pyeti se si ishte e mundur që, edhe pse i kanë plotësuar kushtet teknike të kërkuara, një popullsi e vogël ballkanike në Kosovë nuk lejohet të udhëtojë pa viza në vendet evropiane, edhe pse ky ishte premtim i BE-së dhe, çfarë është më diskredituese, këtë të drejtë e gëzonin dikur kur  federatën jugosllave e drejtonin diktatorë dhe kriminelë lufte. Pyetjet dhe mëdyshjet turpëruese nuk marrin kurrë përgjigje nga fajtorët e vërtetë.

Më poshtë, deklarata përmendte ndihmat e mëdha që BE iu ka dhënë dhe mendon t’iu japë vendeve të Ballkanit Perëndimor në të ardhmen si dhe përkrahjen me rastin e pandemisë së Kovid- 19.

Megjithëse “të pagdhendur”, udhëheqësit ballkanikë sollën ndërmend faktin se BE nuk iu gjend as vendit të vet anëtar, Italisë për pandeminë dhe, nga ana tjetër, pyesnin veten përse zotërinjtë evroperëndimorë nuk i shpenzojnë këto financime duke i bërë shtetet ballkanike pjesë të “familjes” së tyre por si “dhurime” kundrejt të huajve? Në fund të fundit, çfarë dëmesh konkrete do t’i sillte Evropës ky pranim, krahasuar me pranimin e Bullgarisë apo Rumanisë dhe nëse perspektiva e tyre do të jetë anëtarësimi, a nuk do të mund “të ndreqen” këta popuj e shtete më lehtë duke i pasur në “shtëpi” sesa në fqinjësi?!

Deklarata i cilëson gjithkund shtetet ballkanike si “partnerë”. Nëse këta “partnerë” kanë rënë në dashuri me Evropën dhe Evropa është “e bindur” se perspektiva e tyre është martesa me Evropën, përse ua shtyn, të paktën “fejesën”? Apo pret që “e dashura” e tyre të vdesë dhe ata të mbeten pa “martuar”?!

Aq popullsi autoktone evropiane sa kanë këto shtete vendet perëndimore i shtojnë çdo dekadë me emigrantë të ligjshëm e të paligjshëm afro-aziatikë, shumicën e të cilëve i bëjnë shtetas të BE-së dhe jo pak prej tyre iu sjellin telashe dhe probleme me terrorizmin, krimin e organizuar dhe papunësinë e, rrjedhimisht, edhe me shpenzimet marramendëse për ndihma sociale.

Deklarata iu kërkonte vendeve ballkanike “të përafrohen plotësisht me pozicionet e politikës së jashtme të BE-së”. Popujt dhe udhëheqësit ballkanikë qeshin me vete kur mendojnë se realisht nuk ekziston një politikë e jashtme unike evropiane, se jo pak prej shteteve anëtare kërkojnë të bëjnë luanin që iu imponohet anëtarëve të tjerë dhe, në fund të fundit, pyesin: Edhe sa breza duhet të presim për t’u anëtarësuar, dhe a ia vlen realisht të mbahesh “i lidhur” pas dikujt që gjen njëqind pretekste për të të refuzuar kur bota është kaq e madhe për të gjetur “nuse”?

Sepse, në fund të fundit, nuk mund ta kalosh gjithë jetën “beqar ”  duke pritur dikë që s’dihet mirë a do të ekzistojë pas një apo dy dekadash dhe çfarë “fytyre” do të ketë.

Duke mos bërë asgjë dhe duke thënë fare pak, deklarata shprehte “padurimin për samitin e vitit 2022” (?!). Nga buron ky padurim dhe çfarë pritet të sjellë ai? Padyshim që do të sjellë: angazhime, përbetime, lavdërime dhe qortime, por kurrfarë “produkti”.

Ndërsa ndiqte takimin dhe deklaratën përfundimtare, një gazetar ballkanas sillte ndërmend mospranimin e disa shteteve evropiane për t’u bërë pjesë e unionit apo pendesën dhe luftën e disa të tjerave për të dalë prej tij, mosbindjen e disa të tjerave kundrejt Brukselit, paqëndrueshmërinë e angazhimeve të unionit dhe mospajtimet e anëtarëve të tij lidhur me politikat e jashtme dhe të mbrojtjes së kontinentit. Këto e shumë të tjera e bënin gazetarin t’i përfytyronte Evropianët e Bashkuar të ditëve tona si një grup turistësh që udhëtojnë në një barkë me vela ku nuk mungon vetëm kapiteni, por edhe çdo anëtar i ekuipazhit ndjek qëllimin për të arritur në pikëmbërritjen e vet. Barka me vela duket sikur do të mbesë në mëshirën e erërave që do të fryjnë në vitet e afërt.

Duke dëgjuar deklaratën që pohonte në fund: “Përshëndesim faktin që partnerët tanë të Ballkanit Perëndimor janë dakord me pikat e mësipërme”, dhe duke e ditur se këta “partnerë” s’i kishte pyetur kush përpara përpilimit të saj, Kryeministri i Shqipërisë, z, Rama “i falënderoi” drejtuesit e BE-së që i kishin ftuar të takoheshin me ta, “megjithëse askush nuk na ka marrë mendim për deklaratën” (?!)

Pyetja e zakonshme që lind pas gjithë kësaj shfaqjeje është: përse u mblodhën të gjithë drejtuesit e Evropës së Bashkuar në Brdo dhe a ia vlente gjithë ai tubim që nuk prodhoi asgjë përveç disa pohimeve dhe deklaratave që kemi 20 vjet që i dëgjojmë?

Nuk na mbetet gjë tjetër veçse të shpresojmë që barka nuk do të mbytet dhe erërat që do të fryjnë ta çojnë në molin e portit të duhur. Duke pasur në bord edhe vendet e Ballkanit Perëndimor. (DITA)

Postimet e fundit !