Këtë e vërtetojnë mbetjet e ndërtesave të lashta prej druri të analizuara në hulumtimin e udhëhequr nga Universiteti holandez i Groningenit dhe i botuar në revistën “Nature”.
Për herë të parë është treguar një datë e saktë, 1021, e pranisë së vikingëve në Amerikë, saktësisht 1 000 vjet më parë.
Prej disa vitesh dihet se evropianët e parë, të cilët arritën në brigjet amerikane, ishin pothuajse me siguri vikingët, një popull i madh lundërtarësh, të cilët, në fund të mijëvjeçarit, ishin protagonistët e ekspeditave në kufijtë e gjithë botës së njohur të epokës: nga Mesdheu në Detin Kaspik, deri në brigjet më të largëta të Evropës Veriore dhe Groenlandës.
Udhëtime që rrëfehen në sagat e shumta të letërsisë norvegjeze dhe që i referohen, gjithashtu, eksplorimit të rajoneve në perëndim të Groenlandës.
Duke analizuar një seri mbetjesh druri të punuara pa mëdyshje nga popujt që përdornin hekur (një material i panjohur për amerikanët vendas), studiuesit holandezë tani kanë arritur të datojnë me saktësi koloninë që vërteton praninë e Vikingëve të paktën në vitin 1021.
Nuk është ende e qartë, tani për tani, se sa ekspedita kanë mbërritur në brigjet amerikane, vendi i Anse aux Meadows është deri më sot e vetmja mbetje e sigurt e një kolonie vikinge, por besohet se qëndrimi i evropianëve ishte jetëshkurtër, ndoshta disa vite.
Në çdo rast, zbulimi është absolutisht një nga provat e para të sigurta të pranisë së vikingëve dhe konfirmon vërtetësinë e shumë elementëve të pranishëm në sagat norvegjeze në këto udhëtime, që tregojnë gjithashtu për marrëdhëniet e vështira me vendasit, për shkëmbimet tregtare mes dy popujve dhe, së fundi, për faktin se këto zbarkime iu treguan edhe figurave të shquara të kontinentit evropian./ /ervo/