Mërgatë

Vaxhid Sejdiu: Na paska lënë ANTONIO BELUSHI, – atdhetar i përmasave kombëtare

Antonio Belushi – Atdhetari i përmasave kombëtare!
Dhe sot Arbëria, familjarët dhe bashkëveprimtarët e tij nuk kanë nevojë të derdhin lot, por të ndjehen krenar për birin e madh të Arbërisë dhe të kombit shqiptar. Dhe, sot gjithë bota shqiptare duhet ta përkujtoj njeriun, që aq shumë i dha Arbërisë dhe prej saj nuk mori asgjë.
Antonio Bellushi, udhërrëfyesi i Arbërisë dhe çështjes arbëreshe do të mbetet në majën e horizontit të kombit shqiptar sepse njerëzit e mëdhenj, ata të cilët punojnë dhe veprojnë në shërbim të gjuhës dhe kulturës kombëtare nuk vdesin por mbeten gjallë, për të bartë zërin e identitetit kombëtar ndër shekuj. Ai do të mbetet në mesin e idealistëve më të mëdhenj të kombit, të cilët atdheun e kishin mbi të gjitha. I tillë ishte dhe është At Antonio Belushi, njeriu i përmasave të mëdha kombëtare dhe intelektuale që simbolizon atdhetarin e përkushtuar të botës iliro-shqiptare, njeriu që kudo ku punoi e veproi shpalosi botën shqiptare ashtu siç ishte dhe siç është, njeriu që hodhi dritë mbi gjenealogjinë arbëreshe në Itali dhe Greqi, atdhetari që ngriti zërin për Kosovën heroike në momentet më të vështira të saj, njeriu që ngriti zërin për arbëreshët dhe shqiptarët kudo të shpërndarë në botë, duke dhënë një kontribut të çmueshëm për ta parë në të ardhmen “gjakun e shpërndarë” nën hijen e flamurit të përbashkuar. Luftëtar i nismave të mëdha kombëtare në shërbim të ruajtjes së trashëgimisë arbëreshe dhe gjithë shqiptare. Tani më ai nuk është vetëm i Frasnitës, i Ungrës, Civitës, Firmozës apo Makit, por bir i çdo pjese të Atdheut tonë të përbashkët, të trojeve shqiptare, të cilat do të mbajnë gjallë emrin dhe idealin e tij në shërbim të ruajtjes së gjuhës dhe kulturës sonë kombëtare. Flamuri i Arbërit tani më valon në mbarë botën shqiptare. E kemi thënë dhe e themi në vazhdimësi se “Gjaku i Arbërit rron”! – Lavdi e përjetshme!