Bislim Elshani
“Lost in translatio-n” (Të humbur në përkthim) – ky është titulli i një filmi hollivudian i vitit 2003 që flet për një burrë në moshë të mesme dhe për një grua të re që rasti i bashkon në një hotel të largët si dy amerikanë brenda kryeqytetit japonez. Puna e përkthimit dhe e humbjes në përkthim në fakt është diçka që rri pezull gjatë gjithë filmit në vetëdijen e shikuesit, duke nxitur reflektime. Ndonëse sekuencat e para filmike tregojnë një mospërputhje të theksuar të fondit të madh leksikor që i duhet një japonezi për të transmetuar një mesazh të shkurtër në anglisht, humbja në përkthim, në fakt, mbetet thjesht një lajtmotiv që përshkon gjithë përmbajtjen e filmit. Tashmë s’bëhet fjalë thjesht për një përkthim kumtesh gjuhësore, por për një përkthim realitetesh të ndryshme jetësore e kulturore në dy botë të ndryshme njerëzore. Si rezultat i kësaj paradigme përkthimore, e sapodiplomuara në filozofi (në film Sharlota) gjen më shumë pika të përbashkëta te një yll kinemaje (në film Bob Harris) që është ngopur me të gjitha sukseset e mundshme dhe ka nisur të filozofojë e të ketë një qasje të distancuar ironike e cinike ndaj jetës, se sa me burrin e saj të ri, një yll i ri i muzikës, sa i suksesshëm, aq dhe i cekët e meskin.
Duke përkthyer romanin e shkrimtares së re gjermano-shqiptare, Jetë Zhitia, “Weltenwandel”, vura re se ajo që ishte përpjekur të thoshte autorja, madje ato që e kishin sfilitur shpirtin e saj, kishin qenë gjithashtu probleme “përkthimore”. Ajo ishte përpjekur të përkthente botën e shenjave nga vendlindja, përplasjet brenda familjes, debatet e nxehta midis mërgimtarëve shqiptarë, protestat e tyre, tymin e duhanit nëpër salla, palltot e zeza të bashkatdhetarëve të origjinës, vetminë vetjake dhe familjare, në gjuhën e saj të re të kultivuar dhe të zhvilluar brenda hapësirës gjuhësore dhe kulturore gjermane. Odiseadën e saj drejt Itakës së qartësisë mendore dhe të thyerjes së asaj cope betoni që i kishte rënduar në kokë, ajo e shpjegon me kërkimin e “tokës nën këmbë”, duke hedhur paraprakisht idenë se gjersa të mos e shkelte këtë tokë, do të ndjehej sikur nuk po e ndjente peshën e saj reale mbi dhe, dhe as gravitacionin e tokës. Nga fundi i romanit jepet ideja sikur autorja tashmë e ka ndjerë rëndesën e saj reale mbi tokë me të njohur atdheun e origjinës, në të cilin ajo nis të gjejë veten e të shkrihet në të. Mirëpo edhe ajo si duket është e vetëdijshme se “toka nën këmbë”, në fakt, s’është veçse një iluzion, një utopi. Sepse të gjithë jemi pezull, ashtu siç është pezull gjithë planeti Tokë midis Diellit dhe planetëve të tjerë…
Karriera politike e një politikani shqiptar, kryetarit të opozitës në Tiranë, ka nisur gjithashtu me përkthimin. Dhe duket sikur ai që nga fillimi ka qenë i përhumbur në përkthim. Si një njeri i dikurshëm i përkthimit, presupozohet që ai të disponojë një fond mjaft të madh fjalësh, sa t’i zgjerojë dëshmitë e veta me shumë më tepër fraza se sa me fjali të tilla të thjeshta si “Nuk e di” dhe “Nuk e njoh”. Ai para mediave prezantohet si nip Kosove. Në gjuhën feudofisnore të një kategorie kosovarësh mjaft të zëshëm e dominues ky prezantim është më mbresëlënës e më i pranueshëm se sa “kozmopolitizmi” i presupozuar i kryeministrit aktual. E vërteta, ndërkaq, duket të jetë më e ngatërruar. Shtrohet pyetja, a mund të ketë nostalgji feudofisnore një ish-kamarier i një aeroporti ndërkombëtar, i rritur e i shkolluar në një kryeqytet? Apo mos është në lojë thjesht lufta për pushtet, për të cilën mund dhe duhet t’ua hedhësh të gjithëve, aq më parë qarqeve tribale të Kosovës? Duke hedhur poshtë me përbuzje dëshminë e një kosovari, autor të një videoje mbi njërën nder masakrat me të përbindshme serbe në Kosovë, ish-përkthyesi ynë nuk e sheh të nevojshme ta plotësojë me asnjë fjalë tjetër mohimin e tij, si psh. me fjalë si “Nuk kam qenë fare në Kukës” apo “Alibinë time mund ta dëshmojë ky ose ajo.” Jo, ai nuk futet në detaje të tilla, dhe ndonjë psikolog mund të bjerë në përfundimin e gabuar sikur ai e bën këtë për shkak narcisizmi apo sedre të sëmurë. Unë do të thosha se shkaku është dikund tjetër. Reagimi i tij është thjesht ala Al-Kapone: “Ti mund të kesh të drejtë, por nuk mund ta provosh. Prandaj është thjesht fjala jote kundër simes.”
Ai ka gjetur shesh dhe bën përshesh, mirëpo nuk është e qartë se përse kori i analistëve dhe gazetarëve ia krehin bishtin? Asnjëri syresh nuk ia shtroi këtij tipi një pyetje të thjeshtë: Si nëpunës i gjykatës së Hagës me 1998-99, përse nuk kishte kërkuar të takonte z. Bellanica dhe t’ia merrte medoemos atë kasetë të shkretë për të dëshmuar krimet serbe? Ç’po bënte vallë ai në atë gjykatë, po i ruante dhitë? Analistët tanë “përkthejnë” keq. Drejtuesi i opozitës ka disa precedentë të provuar gënjeshtrash politike kriminale. Gënjeshtra e tij për kasetën e Bellanicës është vetëm një më shumë. Deri më sot nuk kemi ndonjë dëshmi se z. Bellanica është mashtrues e manipulues i instrumentalizuar.
Një studiues i njohur shqiptar i politikës, ish-ambasador në Kosovë, e nënvizoi si diçka pozitive feudalizmin e drejtuesve të opozitës kundrejt kozmopolitizmit të deklaruar të Ramës. Në historinë e kriminalitetit në disa vende perëndimore, është dëshmuar se bandat kriminale funksionojnë më së miri kur janë të organizuar në bazë farefisnore. Njerëzit që lidhen për fiset, vështirë të lidhen për ideale që përfshijnë struktura më të gjera sociale në nivel kombëtar e ndërkombëtar. Kozmopolitizmi nuk kundërshton patriotizmin dhe angazhimet kombëtare. Gjithsesi është më kollaj të zvogëlosh fushën e luftës (për të parafrazuar M. Uellebekun), përkatësisht të angazhimeve politike, duke zbritur nga kozmopolitizmi në patriotizëm, se sa ta zgjerosh atë nga angazhimet për farefisin në angazhimet për kombin. Jo rastësisht disa nga figurat e sotme udhëheqëse politike kosovare statusin e tyre politik e financiar e ngritën me blerje pasurish të pafundme tokësore, me qindra hektarë toke, sipas stilit të ish-çifligarëve osmanë. Jo rastësisht këta drejtues kanë akomoduar rreth e rrotull vetes nëpër poste zyrtare të afërmit e farefisin. Vetëdija e tyre zor të ketë arritur akoma vetëdijen e frashërllinjve të Përmetit të shek. XIX.
Në këtë kontekst, si u “përkthyen” përplasjet Basha-Bellanica brenda hapësirës kulturore kosovare? Në mënyrën më të keqe të mundshme, pikërisht ashtu siç do të dëshironte një politikan i paskrupullt nga Tirana. Gazetarë, që nga Prishtina, deri në Zvicër, akuzuan bashkëvendësin e tyre sikur ishte instrumentalizuar nga politika për të goditur opozitën në Tiranë. Këtij kori iu bashkua madje edhe një politikan me histori të bujshme brenda radhëve të UÇK-së, por me një begraund të theksuar monarkist e feudo-fisnor.
Gabimet në përkthim
Autorë të ndryshëm, shumë herë edhe gjenialë, kanë dëshmuar gabime qesharake kur janë përpjekur të “përkthejnë” realitete të largëta në kohë e hapësirë për nevojat e bashkëvendësve dhe bashkëkohësve të tyre. Psh. një autor i shek. të IV, Lucius Septimus, kishte përkthyer gabimisht realitetin luftarak dhe politik të Luftës së Trojës, duke ua prezantuar bashkëkohësve të tij si një luftë moderne në të cilën dikush, siç ishte raportuesi Dikti nga Kreta (Dictys Cretensis), mund të mbante edhe ditar e korrespondencë diplomatike. Këtij trillimi i besoi edhe Shekspiri në dramën e tij “Troili e Kresida”, ashtu si edhe një historiane e jona që u bë qesharake me një libër “historik” të titulluar “Lufta e Trojës”. Se sa qesharakë mund të duken ndonjëherë gjenitë, dëshmon dhe ora e murit në pallatin e Jul Qesarit të Shekspirit.
Edhe puna e një kritiku të artit e të letërsisë, ashtu si dhe vetë artistëve, mund të quhet kredhje në përkthim. Kritiku i artit, psh. përpiqet t’ua mbush mendjen të tjerëve se një vepër e caktuar ka vlera apo s’ka dhe përcjell këtë mesazh dhe jo një tjetër. Siç përpiqen të na mbushin mendjen sot autorët e skulpturave tallava të Skënderbeut e Adem Jasharit të vendosura këto ditë në Prizren, që i ngrenë në qiell veprat e tyre, në kohën kur duket qartë se nuk janë thjesht vlera amatore, po edhe fyese edhe për shijen më të pakultivuar artistike.
Gabim përkthimi mund të quhet edhe ai veprim i marrë i disa qytetarëve kosovarë që dogjën para disa ditësh balonin e një miku francez të Kosovës duke ngatërruar ngjyrat e tij me ngjyrat e flamurit serb. Gabim përkthimi mund të quhet edhe kërkesa e familjarëve të të zhdukurve në Kosovë drejtuar këshillit bashkiak të Kukësit për t’ia tërhequr statusin “qytetar nderi i Kukësit” Veton Surroit, sepse ky i fundit, duke goditur Thaqin, paska goditur UÇK-në dhe rrjedhimisht, të gjitha viktimat e luftës dhe masakrave. Gabim i rëndë përkthimi mund të cilësohet edhe perceptimi idiotesk i asambleistëve të Kukësit që nuk verifikuan paraprakisht gabimin e motrave dhe vëllezërve të tyre nga Kosova.
Mirëpo gabim në përkthim unë do të quaja edhe mënyrën se si e perceptuan realitetin e ri që iu përplas në fytyrë disa ish-drejtuesve të luftës dhe drejtuesve të tanishëm të politikës kosovare. 26 vjet më parë Ukshin Hoti gjykimin serb në Prizren e perceptoi ashtu siç ishte dhe siç duhej, si një gjykim thjesht politik, të cilit iu përgjigj me të njëjtën masë, me një mbrojtje shembullore politiko-juridike. Drejtuesit tanë, përpos njërit, gjykimit iu përgjigjën qoftë me lot mllefi e zhgënjimi, qoftë me heshtje. Ndërsa më i madhi i tyre zgjodhi të flasë duke mohuar çdo përgjegjësi rreth kontrollit dhe autoritetit mbi forcat e UÇK-së në terren me 1998-1999. Pra nuk paskemi pasur një organizëm të strukturuar dhe dinjitoz ushtarak, po vetëm grupime të pakoordinuara kaçakësh! Kjo mbase mund të jetë një strategji e dobishme mbrojtjeje personale, por fyese për historinë dhe për varret e dëshmorëve. Një “përkthim” të drejtë të këtij realiteti do ta veçoja atë të dalë nga penda e atij që u nda i fyer prej asamblesë komunale të Kuksit, Veton Surroi. Ky në analizën e tij në “Koha ditore” pohon se e vetmja organizatë kriminale gjatë gjithë viteve 90, e provuar dhe e vulosur edhe nga verdiktet juridike të Gjykatës së Hagës, gjendej në Beograd.
Suharekë, 28.11.2020