Shqipëria/Aktualitet

29 NËNTOR 2020 – 76 VJETORI I ÇLIRIMIT TË SHQIPËRISË

Organizata e Dëshmorve

76 vite më parë, në qytetin e skajit verior të vendit, në Shkodrën e bukur, largohet dhe këmba e ushtarit të fundit, pushtues të vendit. Ky çast i shumëpritur, shënon dhe çastin e parë zyrtar të lirisë së shumëpritur, të asaj lirie që erdhi nga mundi dhe sakrifica popullore atdhetare, duke u përballur njëherazi me armikun pushtues, dhe me atë bashkëpunues me pushtuesin…
Tashmë nga ai çast, bashkë me gëzimin, nis dhe përllogaritja e humbjeve, dhe, për Shqipërinë e vogël, ato ishin të jashtëzakonshme, por për më tepër nga shkatërrimet materiale, ky vend liridashës, humbi dhe mijëra jetë njerëzore…
Erdhi kjo luftë, vetëm njëzet e shtatë vite nga shpallja e pavarësisë, luftë që i kaloi pesë vite mundim, pushtim, dhe për më tepër, gjakderdhje për lirinë e vendit.
Një tregues që duhet përmendur me krenari dhe madhështi, është domethënia e vërtetësisë, se,
ky hark kohor, i jep krenarisë kombëtare fitoren e Luftës së Dytë Botërore, me një veçanti nga Evropa. Shqiptarët, duke e njohur mirë dhimbjen e pushtimit, ishin të parët që organizuan çetat partizane antifashiste, dhe kjo është Çeta e Pezës, dhe në Shqipëri shënohet Dëshmori i parë i Luftës së Dytë Botërore për Evropën Juglindore, i cili është Dëshmori i Atdheut nga Gramshi i Qarkut Elbasan, Hamit Dollani…
Në datën e shënuar të 76 vjetorit të çlirimit, u organizua ceremonia e përvitshme, në nderim të luftëtarëve të lirisë, në nderim të jetëve që u shuan me bindje për të trashëguar lirinë nga pushtuesit.
Në këtë ceremoni, të diktuar nga kushtet e shtrënguara protokollare, për shkak të Covid-19, ishin të pranishëm Kryetari i Bashkisë Elbasan, z. Gledian Llatja, Prefekti i Qarkut Elbasan, z. Klevis Xhoxhi, Kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste të Shqipërisë, dhe deputet i kësaj partie për Elbasanin, z. Taulant Balla, deputetja e Partisë Socialiste të Shqipërisë, njëherësh Ministre e Arsimit të Shqipërisë, dhe anëtare e kryesisë së OFDA Dega Elbasan, zj. Evis Kushi, Deputetët, z. Arben Kamami, z. Florenc Spaho, zj. Elena Xhina, Kryetarja e OFDA Dega Elbasan, Xhuljeta Graceni, zëvendës kryetari Bardhul Toda, përfaqësues i Policisë së Shtetit, të OKV dhe të familjeve të dëshmorëve për Elbasanin.
Nën marshet e bandës muzikore të qytetit, u vendosën kurora me lule në pllakatin me emrat e dëshmorëve të Elbasanit, krah obeliskut përkujtimor. Pas nderimit para obeliskut, në parakalim nderi, u bë paradë nderuese përgjatë vendprehjeve të Dëshmorëve të lirisë.
Gëzuar datën e çlirimit nga pushtuesit nazi-fashistë, vendi ynë liridashës, vendi me popull të sakrificave të pamata, gëzuar shqiptarë atdhetarë kudo ndodheni!