Shqipëria/Aktualitet

Sylejman Krasniqi: Si po prishet gjuha shqipe

Autori i këij shkrimi me të drejtë ka ngritur fenomenin e prishjes së gjuhës shqipe dhe lënien e gjuhës më të vjetër në mëshirën e individëve, qarqeve dhe institucioneve shkencore e arsimore të papërgjegjshme dhe të “disponuara”, të ndikuara e të financuara nga vende e qeveri që nuk e kanë dashur, nuk e duan dhe nuk do ta donin kurrë gjuhën shqipe të njësuar, të folur e të shkruar me alfabet e drejtëshkrim unik e të normuar. Autori edhe vet e pohon se nuk është specialist i kësaj fushe (nuk është as gjuhëtar), por se shpreh shqetësimin e tij dhe të një populli me gjuhë të pambrojtur nga dy shtetet e Shqipërisë (R. e Shqipërisë dhe R. e Kosovës) po edhe nga Maqedonia jonë shqiptare! Autori i kupton drejt përpjekjet dhe angazhimet e armiqve të kombit e të Shqipërisë kundër gjuhës shqipe! Ai i kupton edhe përpjekjet dhe angazhimet e nihilistëve të gjuhës sonë kombëtare dhe synimet e tyre të sponzorizuara për ta çarë e copëzuar shqipen tonë, siç kanë çarë e copëzuar tokën e Shqipërisë shtetet fqinje shoviniste dhe aleatët e tyre! Por, autori (me të drejtë) dhe shqiptarët nuk mund ta kuptojnë dhe s’kanë si ta kuptojnë moskokëçarjen e dy shteteve tona shqiptare dhe të institucioneve të tyre!! Prandaj, edhe shkrimi përfundon me një si trokitje dhe thirrje për dy shtetet tona kryesisht, dhe për shqiptarët përgjithësisht, që ta mbrojnë vlerën themelore të kombit, Gjuhën e Bukur Shqipe! (Redaksia)

E mora këtë titull nga vjersha e poetit tonë të Rilindjes, Filip Shiroka, e botuar 116 vjet më parë por që edhe tani nuk i ka humbur aktualiteti. Për të bërë këtë shkrim më nxiti një shoku i im, i cili është gjuhëtar me profesion, bile edhe me titull të lartë shkencor në njërën nga lëmitë e gjuhës shqipe. Para dy a tri vjete u takuam në qytet. Pas përshëndetjeve të zakonshme më tronditi me një lajm ndjellakeq! Si duket brengosjen e vet deshi ta ndante edhe me shokë në mënyrë që disi këtë ta coptonte në pjesëza të vogla e dikur, ndoshta, dikush prej shokëve edhe do t’ia hidhte poshtë si të pabazë po edhe ai vet do të lirohej nga ky ankth.

Më tha se ka lexuar diku në internet nga disa shkencëtarë hungarezë se gjuha shqipe do të zhdukej për disa dhjetëvjeçarë. Më bëri përshtypje se pse ma tha mua këtë lajm kur e ka ditur se unë nuk merrem me gjuhësi dhe se nuk kam as më të voglën mundësi ta kurajoj se kjo nuk do të ndodhë. Por ky lajm mua më bëri të mendoj për një kohë të gjatë. I ka përballuar shqipja mijëvjeçarët, mendoja , e nuk u zhduk. Iu vërsulën barbarë të ndryshëm që nga romakët, bizantët, turqit, serbët, grekët, bullgarët dhe dreqi vet po shqipja të gjitha i përballoi me sukses dhe ngeli gjuha bazë e të gjitha gjuhëve të Europës. Të gjithë këta barbarë shqipen e ndaluan të shkruhej dhe të flitej, por ajo u përvodhë deri në ditët e sotit. E çuditshme më duket që sot, kur në trojet tona u krijuan dy shtete të shqipes-ilire-pellazge të mendoj ose të ketë drojë dikush nga ne se do të pësoj gjuha jonë! Nga kush rrezikohet shqipja e jonë tani? Cilët janë ata që mund t’i dalin para kësaj gjuhe që është bërthama e gjuhëve indoeuropjane? Shqipja u rezistoi mijëvjeçarëve me të shkruar e pa të shkruar, me alfabet e pa alfabet deri në ditët e sotit. Kur në Manastir u miratua Alfabeti i shqipes, tash e 100 vjet më parë në variantin më të mire të mundshëm, bota menduan se shqipja prapë u bë me ABC-në e moçme. Ka supozime nga shkencëtarët se shqipja apo ilire –pellazgjishtja e ka pas alfabetin e vet dhe se latinishtja e ka marrë alfabetin e shqipes diku në mijëvjeçarët e kaluar e tash dihet si alfabeti latin. Do të ishte shumë brengosëse nëse Komisia e Kongresit të Manastirit do ta kishte miratuar një alfabet arab, grek apo cirilik, siç kemi dëgjuar se ka pas propozime. Dhe me këtë ABC shqipja iu kthye prap vetes së vet. Mendojeni sa largpamës paskan qenë pjesëmarrësit e Kongresit të Manastirit. Mendojeni vetëm për një çast po të ishte miratuar në Manastir alfabeti arab, grek ose cirilik ku do të ishim ne sot. Sot ne do të ishim në humnerë pa fund dhe pa kurrfar identiteti. Do të na kryqonin si do të donin të gjithë fqinjët tanë dhe me bekimin edhe të Europës. Shqipja do të mbetej një gjuhë shumë e vjetër dhe me vlerë, por për te do të flitej si për një gjuhë të vdekur! Sikurse që flitet sot për latinishten dhe greqishten e vjetër. Shqipja do të mbetej thesar i europës por pa pronar… Prandaj, mendoj se puna e bërë në Kongresin e Manastirit vlenë, së paku sa një luftë çlirimtare.

Brenga dhe frika e shoku tim për zhdukjen e gjuhës shqipe pas Manastirit më duket e pavend dhe lajm i kobshëm njëkohësisht. Edhepse ky alfabet nuk u prit mirë nga qarqet shoveniste turko-greko-serbe ai i mbijetoi kohës. Para dhe pas Manastirit u pengua shumë nga kleri turko-greko-serb dhe e pësuan Petro Nini Luarasi, Papa Kristo Negovani, Shtjefën Gjeqovi etj., që u bënë Dëshmorë të saj, por shqipja nuk u ndal. Shqipja u zbërthye shkencërisht si gjuhë e zhvilluar dhe shumë e vjetër nga shkencëtarë të huaj dhe së voni edhe nga vet shqiptarët.

Zhvillimin dhe studimin e hovshëm e arriti në gjysmën e dytë të shekullit të njëzet kur shkenca shqiptare e mori në duart e veta kujdesin për albanologjinë në përgjithësi. Kur Tirana u bë qendra për studime albanologjike në përgjithësi dhe për gjuhën shqipe në veçanti, atëherë gjuha shqipe njohu zhvillimin më të madh në histori dhe iu vu baza e një gjuhe shumë të përparuar në botë. Kulmi i këtij zhvillimi u arrit me Kongresin e Drejtshkrimit të vitit 1972 të mbajtur në Tiranë dhe të përkrahur fuqishëm edhe nga gjuhëtarët shqiptarë nga Kosova dhe të gjitha trevat shqiptare në ish-Jugosllavi, të cilët dhanë kontribut shumë të çmuar në gjuhën standarde. Me këtë akt gjuha shqipe hyri në radhën e gjuhëve më të standardizuara të botës moderne. Unifikimi dhe standardizimi i gjuhës shqipe të arritur në vitin 1972 çmohej baraz me fitoren e një lufte çlirimtare. Me vendosjen e shqipes standarde mendohej se u krye një punë, e cila do t’u rezistojë edhe shumë e shumë shekujve të ardhshëm. Ashtu mendohej sepse kishin parasysh se çfarë peripetishë kishte patur ajo edhe pas miratimit të Alfabetit më 1908-në. Shqipja standarde filloi të shkruhej dhe flitej edhe në Kosovën, atëherë, të robëruar. Shqipja standarde nuk i pati pengesat që i pat Alfabeti, sepse tani ishin rrethanat krejt më të favorshme se sa në fillim të shekullit njëzet. Tani shqipja filloi të lulëzoj, sepse institucione të tëra shkencore e përdorën pa hamendje. U përpiluan fjalorë dhe enciklopedi të shumta për një kohë të shkurtër. Shqipja standarde përdorej në të gjithë hapsirën shqiptare dhe në botë…

Një fjalë e urtë e popullit thot: “ Lisin e çanë vetëm pyka e vet”. Çuditërisht, pas viteve të nëntëdhjeta të shekullit të kaluar, atëherë kur më së paku është pritë, nga brenda filloi të grryhet gjuha e njësuar dhe standarde shqipe. Ngjau sikur shtrigat kishin fjetur e nuk kishin ngordhur. E gjetën momentin dhe u shfaqën përsëri e filluan të gërmojnë gjerë e gjatë në përqarjen e popullit, por edhe të gjuhës njëkohësisht. Sigurisht që armiqtë tanë shekullor ortodoks greko-serbë, nëpërmjet besnikëve të tyre tradicional e të paditur dhe të strukur mirë për më se 45 vjet, e aktivizuan artilerinë e tyre të rëndë kundër shqiptarëve, duke investua së pari në përçarjen e dialekteve të shqipes e pastaj edhe në copëzimin e saj në krahinarizma! Këto mbeturina filluan të godasin aty ku ishte gjëja më e shtrenjtë e jona: në prishjen e gjuhës së unifikuar letrare, duke shpifur edhe gjëra të paqena, se “gjuha u unifikua me dhunë”, se “tani në gjuhë sundon toskërishtja”, se “gegërishtja duhet të jetë gjuha bazë e shqipes” dhe trillime e rrena të tjera të paqena e antishqiptare. Edhe çështja e gjuhës u ngrit në problem politik dhe u ideologjizua sa që njerëzit e pandërgjegjshëm villnin tug e vrerë vetëm e vetëm ta prishnin frytin e mbjellur më 1908 dhe të standardizuar në vitin 1972. Gjëja më e shenjtë e një etnikumi po goditet rëndë por nuk mund rrënohet.

Për fat të keq edhe disa qarqe dhe institucione shkencore (edhe arsimore) në Tiranë e Prishtinë u politizuan dhe u paralizuan njëkohësisht e nuk po e luajn më rolin e tyre shkencor dhe studiues, por janë vënë në shërbim të politikave ditore të klaneve politike e provinciale!! Ato më nuk merren me studime gjuhësore dhe albanologjike, por vetëm me vënien e pykave në mes të folmeve dialektore dhe nëndialektore! Shikuar në këtë këndvështrim tani më bëhet brengosëse thënia e atij shokut për zhdukjen e gjuhës shqipe në një të ardhme jo fort të largët. E për këtë nuk kemi kujt t’ia lëmë fajin pos vetes tonë. Po shërbehem prap me një thënie tjetër popullore: ”Nëse të lidhë dikush gjithmonë gjindet dikush tjetër që do të të zgjidhë, por nëse lidhesh vet, atëherë nuk ka kush të të zgjidh më”. Kësaj të keqeje tani iu ka bashkangjitë edhe një dukuri tjetër. Me të madhe po përdoren fjalët e huaja në vend të fjalës shqipe në jetën e përditëshme, në shkrime, në shkresa dhe raporte zyrtare e sidomos në gazetari dhe në mjete të informimit. Gjuhët mes veti gjithmonë kanë marrë dhe kanë dhënë fjalë dhe shprehje. Ndikime ndërgjuhësore ka patur që nga mijëvjeçarët. Asnjë gjuhë nuk i ka shpëtuar huazimeve nga gjuhët tjera. Dhe kjo është më se normale në tërë historinë njerëzore. Shumë fjalë dhe shprehje të huaja kanë zënë vend dhe janë sistemuar e familjarizuar edhe në fjalorin tone. Dhe këtu nuk ka asgjë të keqe. Gjuhët e ndryshme ia plotësojnë leksikun njëra – tjetrës. Edhe shqipja ka në leksikun e saj fjalë dhe shprehje turke, arabe, persishte, latine, sllave e greke, etj., por trungu ka mbetë shqipja e lashtë iliro-pellazge. Edhe të gjitha gjuhët e popujve të mëdhenj e kanë të njejtin fat. Por kjo çka po ndodhë tani me përdorimin e fjalëve dhe të shprehjeve të huaja në shkrimet dhe fjalimet tona më duket se është shumë brengosëse dhe tejet e panevojshme. Shqipja nuk është gjuhë e varfër për të marrë e huazuar çkado dhe pa kriter nga gjuhët tjera. Nëse merren emërtimet e teknikës dhe teknologjisë së re nuk dëmtohet shqipja por vetëm pasurohet. Por të përjashtohet leksiku ynë i pasur dhe shumë i vjetër e të zëvendsohet me shprehje të reja e “moderne” të gjuhëve të tjera është papërgjegjësi e pafalshme e gjuhëtarëve, gazetarëve dhe sidomos e pushtetarëve që e lejojnë këtë masakrim të shqipes në pikë të ditës!

Në vazhdim po i jap disa fjalë dhe shprehje të cilat po futen në fjalorin tonë të përditshëm e mua më duket se janë të panevojshme sepse i kemi tonat tradicionale dhe me me shumë vlera dhe kuptime : abstenim – shmangie, i përmbajtur, aprovim – miratim, asamble – mbledhje e përfaqsuesëve, kuvend, bachelor – i përgjigjet shkolla e lartë, kampanjë – fushatë, kurikula – planprogram i arsimit (ndoshta?), kampus – nuk ia dij kuptimin në shqip, kontra – kundër, korsi – shirit (rrugë), mesazh – porosi, parlament – kuvend, prezantim – paraqitje, shfaqje, pasqyrim, prezent, prezencë – prani, i pranishëm, prioritet – përparësi, promovim – përurim, pro – për, ok – po, ani, mirë, bën, në rregull, etj.. Fjalë tonat sa të duamë. Paraqita këta shembuj të rinj, të cilët tani vonë janë në përdorim, por me të madhe, dhe druej se do të lëshojnë rrënjë tek ne. Të gjithë jemi në dijeni se shqipja i ka të gjitha këto kuptime në fjalorin e vet, bile edhe me nga disa sinonime të cilat e bëjnë shqipen që të dallohet nga gjuhët tjera sado të mëdha dhe të rëndësishme qofshin ato. Po i marr vetëm disa shembuj me të cilët më duket se jemi duke e përbuzur shqipen e bukur të Naimi Frashërit, Jeronim De Radës, Konstantin Kristoforithit, Shtjefën Gjeqovit, Eqrem Çabejt, Aleksandër Xhuvanit, Androklli Kostallarit, Esad Mekulit , Adem Demaçit, Dritëro Agollin e të shumë e shumë lëvruesëve dhe studiuesve shqiptarë dhe të huaj, të cilët me mund të madh dhe përkushtim e ngritën gjuhën shqipe dhe shkencën e albanologjisë në nivelin e gjuhëve e të shkencave respektuara të botës moderne.

Parlament (nga latinishtja, frengjishtja). Si do të “ndjehej” gjuha shqipe sikur tani e tutje të thoshim: “Parlamenti i Lezhës”, “Parlamenti i Arbërit”, “Parlamenti i Junikut”, “Parlameni i Bujanit”, “Parlamenti i Prizrenit” e të tjera marifetllëqe si këto. Ky mund të jetë ofendimi më i rëndë që mund t’i bëhet gjuhës shqipe. Dhe, për të qenë habia edhe më e madhe, nuk ka deputet në kuvend e as ministër dhe kryeministër në Tiranë, në Prishtinë a në Shkup që të thotë ”kuvend”, por të gjithë (me ndonjë përjashtim) i thonë, pa iu trembur syri, vetëm “parlament”! Prezentim ose prezantim (nga latinishtja) apo si t’i teket dikujt me e “kryqu” fjalën e huaj, e cila e ka domethënien e paraqitjes, shfaqjes, pasqyrimit të diçkaje apo të ndonjë plani, po përdoret fjala e huaj me qëllim që autori të paraqitet në një nivel më të “lartë” shoqëror se sa rrethi i tij e nuk e di i gjori që fjala e panjohur mund të përdoret edhe pa vend dhe ndoshta del edhe qesharak. Në gjuhën shqipe ka shumë sinonime të cilave u gjindet vendi në çdo fjali dhe për çdo kuptim. Kampanjë (nga frengjishtja). Fjalë e cila tek ne përdoret më rrallë dhe e ka kuptimin e fushatës. Kjo fjalë përdoret vetëm në kohën e korrjeve dhe të shirjeve, por unë kam frikë se do të përdoret edhe në kohë fushatash zgjedhore. Disa gazetarë, por bashkë me ta edhe disa “politikanë”,e përdorin edhe në kohën zgjedhjeve. Fjalën “kurikula” (nuk e gjeta në fjalor të shqipes, por as në fjalorin e “Fjalëve dhe shprehjeve të huaja”). Nuk ia di kuptimin dhe as nga cila gjuhë është marrë, por e di se është fjalë e panevojshme, të cilën tani me të madhe e përdorin ministrat tanë (edhe arsimtarët!) shumë të”emancipuar”(sepse ashtu paraqiten pasi i përdorin fjalët e huaja se tonat nuk po ua plotësojnë kërkesat e tyre të “larta”)! Kampus (nëpër fjalorë nuk e gjeta prejardhjen e kësaj fjale). Por nuk është me rëndësi prejardhja e fjalës kampus. Për herë të parë e lexova në hyrje të oborrit të Fakultetit Filozofik në Prishtinë. Nuk munda me i dhënë shpjegim shqip kësaj fjale. Dhe i bëra pyetje vetes time se ky, mbishkrim në hyrje të këtij fakulteti, a është bërë për qytetarë dhe studentë të Kosovës apo ndoshta për mysafirë të ardhur nga Mozambiku apo Tanzania?! Tani më vjen keq se pse unë e kam mbarua fakultetin në vitet e tetëdhjeta dhe kam mbetë mangut nga fjalori. Mesazh (frengjisht) tani tek ne përdoret shumë dhe e ka kuptimin e porosisë. Fjalë shumë e mire dhe e kuptueshme për çdo nivel. Ndoshta mu për këtë një grup njerëzish e përdorin vetëm për ta paraqitë veten nga një klasë tjetër shoqërore! Mirëpo, për fat të “mire” tonin tani edhe karrocieri e ka mësu këtë fjalor modern e të çoroditur njëkohësisht. Bachelor (nëpër fjalorë nuk e hasa këtë fjalë). Ndoshta është fjalë e shpikur nga ministrat tanë të gjithëdijshëm. Nga disa studentë mësova se bachelor e kishte kuptimin e shkollës së lartë 2-3 vjeçare. E pse e përdorin këtë fjalë nuk munda ta kuptoj. Ndoshta për të kursyer shkronja, sepse po shihet se janë kursimtarë të mëdhenj këta “intelektualët “ e kohëve moderne.

Po lexoj nëpër gazeta ditore, por edhe po dëgjohen në televizionet tona, pjesë nga transmetimet e mbledhjeve të qeverisë. Dëgjohen aty fjalë dhe shprehje të hauja të cilat nuk mund t’i dëgjosh mes njerëzve të zakonshëm. Çka është edhe më brengosëse nga goja e ministrave, zavendësministrave dhe të ndonjërit nga zavendëskryeministrat! Flitej aty për kurrikula, bachelora e për paçurka sikur të ishe në ndonjë treg shumëkombësh e jo në qeveri të Kosovës!! Është për të ardhur keq kur këtë fjalor e përdorin segmente të qeverisë anëtarët e të cilës, si duket, janë në garë se cili e ka fjalorin më të “pasur” me fjalë të huaja sepse ,ndoshta edhe nga papastërtia e gjuhës marrin poena më shumë dhe kualifikohen për poste edhe më të larta. Në vend se të ndodhëte e kundërta. Tani Universiteti i Prishtinës u pagëzua me emrin e Hasan Prishtinës. Emrim ky shumë i qëlluar. Sepse çka bëri Hasan Prishtina për arsimimin e masa dhe për ngritjen e kulturës tek ne askush deri tani nuk bëri. Ai e shkriu pasurin e vetë për ta emancipua popullin në gjuhë amëtare e jo për tjetërsim të gjuhës. A e mendoni ju ministra se po e ofendojmë dhe po e turpërojmë njëkohësisht personalitetin e Hasan Prishtinës me këto kurrikula, kampusa, Bachelora e paçurka. Mendoj se ka ardhur koha që qeveritarët, profesorët dhe gjithë inteligjencia duhet të emancipohen njëherë e mirë që ta çmojnë dhe ta duan të veten. Shteti ka edhe mundësi t’i gjejë mekanizmat për edukim të qytetarëve… Varet vetëm nga vullneti i mirë i qevertarëve për këtë edukim. Për këtë qëllim nuk duhet të kursehen mjetet, qofshin ato edhe jo fort të dëshiruara. Shembull konkret mund të shërbej polici në komunikacion. Nëse për një gabim të vogël dënohet shoferi ai atë gabim më nuk do ta përsëris. Po e jap edhe një shembull me të cilin njeriu bindet se kur e ka dëshirën dhe qëllimin e mire mund t’i arrij synimet që ka. Menjëherë pas luftës së UÇK-së udhëheqja dhe punëtorët e një miniere të qymyrit në KEK vendosën që ai njeri që përdor në biseda mes veti ndonjë fjalë të huaj të dënohej menjëherë me nga 10 marka. Ndodhën nja 5-6 gjobitje dhe u hoqën fjalët e huaja nga fajlori i krejt koletivit.

Kam dëgju se diku në fillet e marrjes me përkthime Vedat Kokona haste në vështirësi në përkthim të një teksti apo libri nga frengjishtja në shqip. Bile gati kishte hequr dorë nga përkthimet në gjuhën shqipe, duke menduar në fillim se shqipja ka fjalor të mangët për të përkthyer nga gjuhët e “mëdha”. Këtë bindje e kishte, sepse ai nuk kishte në fillim njohuri të mjaftueshme nga gjuha shqipe. Kur e mësoi dhe e studioi mirë gjuhën shqipe u bind se shqipja mundet me lehtësi t’i përballoj të gjitha gjuhët, sepse kishte leksik shumë të pasur dhe kishte aq shumë sinonime të një fjale sa edhe vetë mbeti i mahnitur. Tani, pas këtyre dukurive që i shtrova, ndjehem edhe vetë i brengosur për fatin e gjuhës shqipe sikurse ai shoku që kishte lexu në internet nga shkencëtarët hungarezë. Lehtë dhe pahetueshëm mund të vjen një ditë dhe një moment kur fjalori i gjuhës shqipe do të ngulfatet – mbytet me fjalë dhe shprehje të huaja. Dhe vetë gjuhëtarët do të kenë telashe me e përcaktu se a e ka gjuha shqipe bazën nga iliro-pellazgjishte apo është ndonjë kombinim artificial i gjuhëve të mëdha të Europës!? Atëherë do të na mallkonte Konstandin Kristoforidhi për mundin që e bëri për brezat toanë, duke vjelë sa mundi nektarin e gjuhës edhe nëpër pazare të Korçës dhe qyteteve dhe fshatrave të Shqipërisë, duke ua thye krojshet ( shportat) me vezë plakave vetëm e vetëm për ta ruajt dhe pasuruar gjuhën e pastër shqipe. Ai pagoi edhe lekë për vjeljen e fjalëve të rralla shqipe kurse ne marrim euro për ta shkatërrua atë që e bëri Kristoforidhi me shokë. Kam frikë se pas disa dhjetëvjeçarësh gjuha shqipe do të kalojë në taborrin e gjuhëve të vdekura e do të flitet për te sikur për latinishten, greqishten e vjetër, persishten e disa të tjera. E nëse gjuha është elementi kryesor që e karakterizon kombin, atëherë në cilën lagje të etnive do të mbesin ne?!

Këto re që po na sillen neve, në kohën kur kemi një armatë të tërë të shkolluar dhe të arsimuar por aspak të emancipuar, nuk janë aq ndjellamira. Me shkolla dhe institucione shkencore e arsimore jemi disa qinda herë para Rilindasëve tanë, por me emancipim, si po duket ,jemi shumë mbrapa tyre! Një shok i imi (tani i ndjer) thoshte se shkencën nuk e çojnë përpara titujt akademik por vetëm puna. Rilindasit tanë e kanë paguar me jetën e tyre çdo ecje përpara, kurse ne me euro e dollarë po e blejmë zhdukjen e gjuhës dhe të etnikumit tonë! Një fije shprse lindi kur qeveria e re në Shqipëri tha se do të angazhojë disa dhjetëra redaktorë të gjuhës në institucionet e shtetit në mënyrë që shkrimet zyrtare që dalin nga këto institucione të jenë të nivelit. Uroj që kjo nismë të jetësohet dhe të shpërndahet edhe në Kosovë. Nga kjo situatë mund të dilet vetëm nëse angazhohen të dyja qeveritë për mbrojtjen e gjuhës dhe i detyrojnë edhe institucionet arsimore dhe shkencore të sillen në përputhje të plotë me interesin e kombit dhe të gjuhës.