Lëvizja\UÇK

Smajl Latifi: Në kujtim të 12 majit historik

NË KUJTIM TË 12 MAJIT HISTORIK
Rruga deri më 12 maj 1998, ishte e gjatë, e mundimshme dhe e dhimbshme. Burgosje, rënie shokësh, përballje, qëndresë, veprime individuale e të organizuara ilegale e legale…
S’kishte rrugë tjetër për ta fituar lirinë!
Më 12 maj 1998, krisi fort dhe jehoi thekshëm gjithandej pushka e parë çlirimtare në Anadrini kundër pushtuesit serb; Me 12 maj 1998, me luftë i detyruam forcat pushtuese serbe të tërhiqen me humbje dhe me turp nga Stacioni në Ratkoc, e të ndiqen deri matanë Gradishit;
Më 12 maj 1998, në fushë të nderit ranë dëshmorët e parë të lirisë, MILAIM KRASNIQI nga Pastaseli dhe ELMI MORINA nga Vrajaka, u plagosën bashkëluftëtarët Osman Zyberaj, Myfterem Gashi nga Drenoci, si dhe luftëtari i orëve të para, tashmë dëshmori LULZIM SH. HOTI nga Ratkoci, i cili si pasojë e plagëve që mori, pas luftës, ndërroi jetë. Po atë ditë u vra nga forcat serbe edhe Malush Morina nga Ratkoci.
E, më 12 maj, një vit më vonë, pra më 12 maj 1999 ra si bien trimat, pishtari i lirisë, eprori i UÇK-së – heroi BEDRUSH GASHI.
“12 MAJI” është ditë e mobilizimit të liridashësve anadrinas dhe një moment i kapërcimit (nga ilegalja në legale), në një fazë të re, i luftës sonë çlirimtare;
“12 MAJI” është ditë e krenarisë, sakrificës dhe dhimbjes sonë për gjakun e derdhur;
“12 MAJI” është dita e fillimit të fundit të epokës së territ të robërisë;
“12 MAJI” është Dita e Dëshmorëve të Kombit të Brigadës 124 “Gani Paçarizi”;
“12 MAJI” është një datë historike, që s’do të harrohet asnjëherë!
Janë të gjalla kujtimet për 12 majin!
Janë të pavdekshme veprat e dëshmorëve të kombit dhe rrugëtimi luftarak e jetësor i tyre!
Nderim e mirënjohje gjithë atyre djemve e burrave, nënave, motrave e vëllezërve atdhetarë, të cilët në kohën kur jetuan dhe vepruan, vendosën një gur në kalanë e luftës për çlirimin e atdheut, duke e ndërtuar atë me mund, djersë dhe jetë, në etapa historike. Lavdi!