Njerëzit që nga shpirtligësia e mendjeligësia e tyre ekstreme arrijnë deri aty sa që të bëjnë angazhime publike për denigrimin e cilësdo figurë politike meritore të shoqërisë së tyre kombëtare (siç ka ndodhur këto ditët e fundit me anagzhimin e dy publicistëve, të Berat Buzhalës dhe të Valon Sylës, për denigrimin e figurës politiko-atdhetare të Adem Demaçit), në fakt nuk janë as për t`u urryer e as për t`u sharë, por janë për t`i vajtuar e për t`i qarë me lotë, për batakun mendor e shpirtëror ku kanë rënë. Adem Demaçi, që realisht ka bërë 28 vite burg në burgjet e Serbisë e të ish-Jugosllavisë, për shkak të krijimit të «Organizatës Revolucionare për Bashkimin e Shqiptarëve -ORBSH», por që sipas dy publicistëve të lartpërmendur, ai nuk ka bërë qoftë edhe një ditë të vetme burgu për çështjen kombëtare shqiptare e për bashkimin e shqiptarëve në një shtet të vetëm kombëtar, por ka bërë burg për shkak të bindjeve të tij ideologjike, duke qenë ai sipas tyre, një marksist e leninist, të cilit nuk i paska interesuar aspak çështja kombëtare!?
Se Adem Demaçi (si edhe shumë figura tjera kombëtare të atyre kohëve) ka pasur ide marksiste e leniniste, këtë Adem Demaçi e ka pohuar vet në disa nga intervistat e tij dhe atë pa pasur ndonjë drojë nga këta dy publicistët tonë, por është absurd i absurdit të pohosh se ai bëri 28 vite burg ngase u akuzua të ishte markësist apo leninist, në një kohë kur në ish-Jugosllavi as figura e Marksit e as ajo e Leninit nuk kanë qenë të anatemura për të qenë i akuzuar si përkrahës i tyre, sepse vet Jugosllavia duke qenë një vend socialist, edhe ajo në mënyrën e saj është thirrur në emrin e Marksit e të Leninit. A e di Berat Buzhala dhe Valon Syla se ide të tilla marksiste e leninste të majta ka pasur edhe Mendela i Afrkës së Jugut, aq më tepër ide të tilla ka pasur ai – për vet fakin se ai është angazhuar për barazi klasore e qytetare në mes të zinjëve dhe të bardhëve. Por idetë e tilla nuk e kanë zbehur aspak luftën e Mandeles për liri e barazi në mes të popullatës shumicë me ngjyrë dhe popullatës pakicë të bardhë. Mendela idetë e tilla të majta i ka venë në shërbim të vendosjes së barazisë në mes të popullatës me ngjyrë dhe popullatës së bardhë. Të njëjtën gjë e ka bërë edhe Adem Demaçi; edhe ai idetë e tij të majta i ka vënë në shërbim të lirisë e të barazisë së popullit të tij shqiptar me popujt tjerë të Jugosllavisë dhe bile edhe për më shumë se kaq: edhe për bashkimin e Kosovës me Shqipërinë. Tani më ka dekada të tëra që dihet botërisht se Adem Demaçi edhe pse ka pasur ide të majta, ai nga regjimi serbo-jugosllav nuk është dënuar qoftë edhe me një orë të vetme burgu për ide të tilla, por është dënuar me 28 vjet burg fund e krye pse ai ishte angazhuar për bashkimin e shqiptarëve në një shtet të vetëm kombëtar, dhe këtë fakt e dinë «edhe zogjtë e malit». Por, nëse këta dy publicistët tonë nuk u besojnë për këtë «zogjëve të malit», atëherë le t’i lexojnë tri aktvendimet e dënimeve të plotfuqishme me shumë vite burg të Adem Demaçit, ku e zeza mbi të bardhën tregon se ai është akuzuar dhe dënuar për veprimtarinë e tij politike në të mirë të bashkimit kombëtar të shqiptarëve, kuptohet në kundërshtim frontal me politikat shoviniste dhe aneksioniste serbe e jugosllave. Në të vërtet, te dy këta publicistë dhe dy individë të tjerë të cilët e kanë marr guximin që ta quanin Adem Demaçin deri edhe «spiun i Serbisë», e dinë fare mirë se Adem Demaçi aspak nuk është akuzuar e dënuar për shkaqe idelogjike, por është akuzuar e dënuar pikërisht për angazhime të rëndësishme kombëtare. Por, ja që këtyre katër-pesë shqiptarëve ua do ligësia e tyre shpirtrore e mendore, që ata të shpërndajnë sadopak mjegull e hi lidhur me pastërtinë e figurës së Adem Demaçit, duke u përpjekur kësisoji, që siç thuhet edhe në popull, ta «futin minarën në thes!», gjë që s`bëhet. Edhe unë dhe mijëra shqiptarë të tjerë që i njohin vlerat kombëtare të Adem Demaçit, do të hidhnim dyshime shumë kohë para Beratit e Valonit mbi pastërtinë e figurës së Adem Demaçit, nëse ai psh. do ta cilësonte UÇK-në si «dorë të zgjatur të Serbisë», ose nëse ai derisa NATO-ja po i bombardonte caçet ushtrake serbe në pranverën e vitit 1999 në dobi të çlirimit të Kosovës nga Serbia, do të bënte thirrje ndërkombëtare që ajo (NATO-ja) t`i ndërpriste bombardimet e saj mbi caqet ushtarake serbe, sepse ai (Demaçi) çështjen e Kosovës do ta zgjidhte me rrugë e mjete paqësore, dhe atë pas një pritje prej 7-8 vitesh që ai ta zgjidhte çështjen e Kosovës me rrugë paqësore, por jo vetëm që nuk e kishte zgjidhur, por edhe e kishte zbythur prapa drejt moszgjidhjes. Por ja që Adem Demaçi gjëra të tilla s`ka bërë, dhe për këtë ai së pakut e meriton një fjalë e një vlerësim të mirë e jo shpifje, gënjeshtra e fyerje. Por me sa duket pikërisht këtu te angazhimi i Adem Demaçit për bashkimin kombëtar të shqiptarëve, te përkrahja e tij dhënë UÇK-së dhe të bërja e tij zëdhënës kryesor i UÇK-së në mes të Prishtinës, e kanë hallin këta dy publicistët tonë, Berat Buzhala dhe Valon Syla dhe ata dy të tjerët, që para ca vitesh e quajten Adem Demaçin spiun i Serbisë! E shkreta mendje sa shumë i mashtron ajo të zotët e saj: na qenkan dy kokrra zallë apo dy kokërra bullgur, që u qenka mbushur mendja të matën me majat e bjeshkëve e të malëve! Dhe e shkreta gjuhë është nga tuli e flet gjithçka…! Por ku e ka hilen shpirtligësia dhe mendjeligësia e këtyre dy publicistëve tonë, që ata të përpiqen kaq shumë për ta denigruar post mortum figurën emblematike të Adem Demçit, duke lëshuar dezinformata e gënjeshtra në adresë të tij në televizionin TV-7. Shpresoj që shpirtligësia e mendjeligësia e këtyre dy publicistëve tanë ta ketë strofkën e saj brenda e jo jashtë Kosovës. Brenda Kosovës, p.sh., te shpirtërat dhe mendjet e tyre të stërkequra, ose te individë të caktuar të ndonjë partie politike, të cilët derisa Kosova është para zgjedhjeve të 14 shkurtit, këta dy publicistë i ka marr me qesim për të folur ata keq për Adem Demaçin! Shtrohet pyetja pse u dashka që individë të caktuar të ndonjë partie t`i marrin me qesim Beratin dhe Valonin për të folur keq për Adem Demaçin? Për asgjë tjetër veçse me qëllim që partitë të cilat pak a shumë e kanë të kultivuar frymën politike të Adem Demaçit, siç janë Vetëvendosja, PDK-ja, AAK-ja e ndonjë tjetër, në zgjedhjet e 14 shkurtit të këtij viti të fitojnë sa më pak vota dhe për rrjedhojë edhe sa më pak pushtet, kurse LDK-ja e Ibrahim Rugovës, të cilin këta dy publicistët tonë e ngrenë pak përmbi qiell, të marr sa më shumë vota dhe rrjedhimisht edhe sa më shumë pushtet. Kështu mendoj se qendron puna nëse shpirtligësia e mendjeligësia e këtyre publicistëve e ka strofkën brenda Kosovës. Por nëse ajo e ka strofkën jashtë Kosovës, atëherë fjala është për diçka tjetër… Por jo: nuk besoj që t`u vlej aq shumë lëkura. Dhe së fundi ta shtrojmë edhe pyetjen se çka do të bëjmë me Beratin dhe Valonin, me këta dy vëllëzerit tonë, siç do t`u drejtohej atyre Adem Demaçi po të ishte gjallë. E po ja duke e shtruar këtë pyetje, veç rrëshqita si thiu n`akull! Ja e përmenda fjalën “vëllezër”… E Adem Demaçi siç e dimë, të gjithë popujt e botës dhe të gjithë popujt e ish-Jugosllavisë, përfshi këtu edhe popullin serb i quante popuj vëllezër. Dhe ja tani duke i quajtuar Beratin e Valonin vëllezër, ua hapa gojën pikërisht atyre, që ata tani Adem Demaçin ta kritikojnë edhe pse ai popullin serb e ka quajtur popull vëlla. Kësaj i thonë: hyn fjalë kah ke dal, u bubu goja ç`më tha! U bubu goja m`u thaftë! E fjala si fjala, po të doli nga goja ajo merr dhenë… S`kemi ç`u bëjmë Beratit e Valonit. Po ti marrim me të keq ata do ta denigrojnë edhe më shumë e edhe më keq Adem Demaçin; do t`ia çojnë atij dëm hiq më pak se 28 vite burg! Hë, ”luaje macë kryet buallit”, thonë. Pastaj dhuna si mjet edukimi as që vjen në shprehje. Zoti mos e bëftë! Në fund të fundit dhuna jo vetëm se nuk i qetëson e edukon delikuentët, por përkundrazi, ajo i përkeqëson e i bën ata edhe më deikuent seç janë. Shihni psh. Valonin: thonë se para disa kohësh ai edhe pse patriot i madh, i paska quajtuar mërgimtarët shqiptarë “gërnaqa”, dhe se për këtë një mërgimtar e paska “lauruar” me një shpullë goxha të nxehtë. Por, çka u arrit me këtë? Valoni u hallakat edhe më shumë. I la mërgimtarët dhe iu turr për së vdekuri Adem Demaçit. Sikur mos ta kishte ngrënë atë shpullën e atij mërgimtarit, që thjesht ishte një mjet i keq edukimi, Valoni mbase do të vetkorigjohej e s`do të gabonte më, duke iu turrur së fundi edhe Adem Demaçit. Shihet qartë se Valoni nuk është fajtor që po i turret Adem Demaçit. Fajin për këtë e ka ai mërgimtari që po flitet se e kish pasur dorën goxha të rëndë. Mirë se e gjetëm fajtorin e Valonit. Po ku do ta gjejmë fajtorin e Beratit. Kush është fajtor për turrjen e tij post mortem ndaj Adem Demaçit. Me sa dimë ai nuk e ka ngrenë ndonjë shpullë të nxehtë nga dora e rëndë e ndonjë mërgimtari apo vendori, që atij shpullë-rëndit t`ia hedhim fajin. Dhe Zoti mos e bëftë t`i ndodhi kjo Beratit se do të hallakatej fare. E po u hallakat Berati vaj medet për vendin e për kuvendin. Berati si lë vend më as vendit e as kuvendit. Nuk është lehtë të zihesh me Beratin. Ai të dinigron e të bën tokë. Po u zure me të, mos prit, ik, kërko azil jashtë vendit, dhe kujdes e të mos kthehesh pastaj në Kosovës si ai mërgimtai me shpullë- rëndë që na e “lauroi” keqas Valon djalin. U bubu sërish rrëshqita si thiu n`akull, duke e përmendur atë mërgimtarin që na e kishe “lauruar” Valon djalin e jo Beratin me atë shpullën e tij goxha të nxehtë. Berati tani do të na akuzoj se duke e përmendur “shpullën magjike” te atij mërgimtarit, ne po e kërcënojmë atë deri edhe fizikisht, që t`ia ndalojmë atij fjalën e lirë prej gazetari dhe atë shumë profesionist. Dhe mbase edhe na hedh në gjyq e mbase edhe e hamë ndonjë vjet burg, ashtu pa e prekur Beratin as me friskun e dorës. Berati e ka sherrin e madh. E ka sherrin kudër. E po nuk thuhet kot: «çka ta bën goja jote s`ta bën askush”. U bubu goja ç`më tha! U bubu goja m`u thaftë! U bubu na falë Berat! Jo, jo edhe Berati s`ka faj. Për sjelljet e tij të tilla ndaj vlerave madhore kombëtare, faijn e kanë ata që Berat djalin me një gisht e ngritën përpjet e me te dy duart s`munden ta ulin në vend. Berati na u bë deputet, na u bë gazetar e jo fort pak edhe vizionar. Në këto tri-katër vitet e fundit Berat djali në çarshinë politike të Kosovës goxha ka vra e ka kthjellë. Thonë, «mos ta m`syftë Berati, mos ta preftë udhën Berati!” Se si u rrit kaq shumë ky far Berat djali, ashtu për pa e dhënë për Kosovën as edhe një metelik, as edhe një një fije floku, e as edhe një pikë djersë, se një pikë gjak jo se jo, këtë një Zot e di. Ka që thonë se ai “të gjitha këto i ka mbërri me mend shoqo!” Të tjerë thonë se “Berati nuk është aq i pamençur me bë 28 vjet burg për Kosovën si Adem Demaçi!. Ai nuk i bjen kot murit me kokë. Ai posedon strategji e taktika njëra më e sofistikuar se tjera. Ai armiqt e Kosovës nuk i lufton primtivisht, por i lufton me strategji e me taktikë shoqo, i lufton me mend, me mend shoqo, ai i zë armiqtë e Kosovës me kerr shoqo e pastaj di se ç`u bën!» I tillë është Berati. Ska faj, të tillë e ka krijuar natyra, Zoti. Po ti gjej vreshtat pa rojtar, Berati ato i bën maf! Po ti gjej misernikët pa rojtar, Berati shkretëron ato si të ishte një vjedullak. Psikologji vjedullaku ka Berati. Më kujtohet kur njëherë e zura një vjedullak në misernikën time, kur unë iu mata atij për ta goditur me shtagë në kokë, e kur ai ashtu me atë kokën e tij rrubulluake i zgurdulloi sytë dhe bëri ca grimasa, si duke mu lutur që mos ta goditja, që ta falja. Më erdhi keq për atë vjedullak. M`u prenë duart e nuk i rash. Thash me vete: Ndashtë, s`ka faj, të tillë e ka krijuar natyra, Zoti. Edhe pse zullumçar le të jetoj. Asgjë të tepërt, thash, nuk ka në ketë botë. Po mos të ishin keqbërësit nuk do të ishin as mirëbërësit. Këta të fundit bëhën mirëbërës, duke i parë keqbërjet e keqbërësve. Prandaj edhe Berati le të vazhdoj me llapjet e tij kundër Adem Demaçit. Adem Demaçi nuk është një fije kallami që ta shkelin aq lehtë më këmbë Berati e Valoni.