Vështrim/Analizë

Shemsie Elshani: Po të mos kishte popuj a vende që “pranojnë” (durojnë) pushtimin nuk do të kishte as pushtim e pushtues

(Nuk u durova pa e bërë edhe një analizë për këtë fillimvit…)
Gjithmonë kur bëhet fjalë për raportin mes pushtuesit dhe të pushtuarit, më bije ndërmend thënia e M.Weber:
“Pushtuesi ekziston sepse ekziston dikush që lejon të pushtohet”.
Kur këtë gjendje pushtimi e legjitimon edhe dikush i tretë anash, atëherë është ferri vetë. Për pushtuesin “super”.
-Po i pushtuari?!
Eh këtë raport perfekt e ka shpjeguar Franc Fanon, të cilin unë e kam lexuar në një kohë kur pak e kam marrë vesh. Pas një kohe, duke parë si rrodhën proceset politike te ne, iu ktheva dhe njëherë Fanon- it, dhe vetëm atëherë e kuptova madhështinë e analizës së tij.
Nëse një popull krahas pushtetit okupues të instaluar, ka edhe një parapushtet të organizuar paralel (që funksionon nën pushtuesin) nuk arrin ta ndjejë robërinë, së paku jo në përmasën e saj të plotë.
A nuk ndodhi kështu në kohën e Rugovës?!
Njerëzit krijuan iluzionin që janë të lirë dhe të vetëqeverisur pa qenë fare të lirë.
Një pjesë e madhe e jona u mishëruan aq shumë me këtë gjendje sa filluam të marrim gjithçka normale, pavarësisht që aty veç normalitet nuk kishte. E konsideruam normale dëbimin nga shkollat, mbylljen e dyerve të fabrikave për pjesëtarët e popullit tonë, apo mbylljen e mediave dhe institucioneve të tjera, sepse i ngrinim sa hap e mbyll sytë këto të tjerat paralel.
Koha e dëshmoi që ky proces ishte retrogard, pa asnjë lidhje logjike me lirinë! E humbëm hapin. Në vend që ta shfrytëzonim vetëdijen që e kishte avancuar procesin në Republikë, ne e topitëm ate, dhe dalë-ngadalë u pajtuam me nënshtrimin dhe me vdekjen e ngadalshme. U pajtuam pastaj me zhveshjen tonë nga idealet dhe me qërimin e njerëzve edhe nga ato pak vlera universale njerëzore, të cilat i kishim grumbulluar përgjatë vitesh përpjekjeje për liri.
Për pasojë të kësaj letargjie u krijuan struktura krejt të reja çlirimtarësh të paafta për të bërë shtetin, sepse edhe në radhët e tyre kishte depërtuar helmi i pushtuesit.
Ky zatën ishte qëllimi i Serbisë që në krye të herës, shembja e idesë së republikës, apo më saktë, rrënimi i çdo shprese për ta bërë Republikën. Dhe si mund ta bënte këtë Serbia më mirë se duke na përdorur neve vetë?!
Fatmiresisht, gjerat nuk rrodhen sipas planit serb. Falë luftës së UÇK – së dhe sakrificës sublime të gjithë atyre që kontribuan për liri, fal miqve amerikanë, të cilët morën përsipër kompenzimin e deficitive tona organizative – institucionale, arritëm në këtë stad të organizimit shtetëror ku ndodhemi sot.
Uroj që nga kjo përvojë të vetëdijsohemi, në mënyrë që të mos biejmë si në të shkuarën pre e manipulimeve të ndryshme, që sërish të meritojmë një pushtues të ri, edhe më keq: ta zgjedhim ate vetë, duke vetëvendosur.