Portreti/intervista

Skënder Luarasi: Atdhetari dhe kapedani Spiro Bellkameni

Spiro Ballkameni qe një trim që meriton çdo nder – një trim me kuptimin më fisnik të fjalës. Këtë të vërtetë e dëshmojnë të vegjël e të mëdhenj, shqiptarë e të huaj, që kanë dije mbi ngjarjet e rrjedhura, që prej shpalljes së Hyrjetit e gjer ditën e 28 nëntorit 1912. Vetëm katë vjet veproi ky trim. Por Spiroja e bëri udhëtimin e tij shpejt dhe mirë. Shkëlqeu në qiellin e vogël të Shqipërisë si një meteor i flaktë, si vetëtimë e kryengritjes shqiptare.
Jeta e këtij djaloshi është e varfër në vite, po e begatë në vepra. Është një romancë e këndshme e cila më vonë ndryshohet në një dramë me mbarim të ngjethshëm e tragjik. E takojmë vetëm në rrëfenjat e trimat e përrallës,
Nuk ish akoma shtatëmbëdhjetë vjeç kur doli në skenën e jetës Spiro Ballkameni. Më 1904 kapedani i andartëve grekë, Vardha, u spraps para çetës bullgare të Xole Banicës. Për të shpëtuar edhe nga pusia e ushtrisë turke, ai kërkoi në Ballkamen një udhërrëfyes për në Lehovë. Spiroja i nxori të 100 andartët me siguri përmes pyjeve e skërkave të rrezikshme. Ky qe fillimi i karjerës së tij të çuditshme. Guximi e ngjiti në shkallën e një kapedani të përmendur.
Kapërxejmë shumë fakte nga historia e kapedanit t’andartëve… Heshtim për trimëritë që tregoi në luftrat e Shaçishtës, të Ellovës. Përmendim vetëm përpjekjen e Lehovës. Turqit hynë fitimtrarë në fshat. Spirua qëndroi në katund i fshehur në bodrum. I zoti i shtëpisë u shtrua në dru prej një ushtaraku anadollak. Lutjeve të tij në gjuhën shqipe, lebetitjeve të fëmijës u vajti ndihmë një ushtar me origjinë shqiptare.
Sjellja e këtij ushtari i ngjalli Spiros dashurinë e parë për kombin e tij, që nuk e kishte njohur gjer në atë çast. Fjala shqipe ia fitoi zemrën. U largua prej grekërve.
Këta, nga frika se mos i tradhëtonte, e qëlluan për ta vrarë në Follorinë më 1908. Si nuk e vranë dot, u pëpoqën ta gabojnë me lajka. Vetë kapedani Vardha, që e kishte dashuer si bir, erdhi apostafat nga Athina, që ta bindte që të mos punojë me shqiptarët. I bëri zotime. Po të kthehej në shoqërinë e parë do ta dërgonte në shkollën ushtarake të kryeqytett të Grqisë, do ta nxirte officer,, do t’i jepte komandën mbi gjithë forcat andarte në Maqedhoni.
Më kot të gjitha. Përpara fjalëve të mikut më të mirë, fuqija e idealizmës së Spiros mbeti e patundur.
Në Tetor 1908, u bashkua me Komitetin Shqiptar. Dimrin e shkoi në Aleksandri. Ndaj pranverës doli në Korfuz ku ndodhej qendra e Komitetit. Pastaj u hodh në Çamëri: aty organize çetën e tij të parë dhe u nis për në Gjirokastër tok me kapedan Muharem Hurshitin, në krye të 50 kryengritësve. Qëllimi ishte zaptimi i dëbojës së kryeqytetit të Labërisë.
Lajmi i burgimit të Themistokli Gërmenjit në Janinë i ndaloi në zbatimin e planit.
Si vendosi çetën në Shqerishtë u hodh në Dangëlli bashkë me Ibrahim Gegën dhe pesë shokë të tjerë. Të parën mbledhje e organizoi në Frashër, të dytën në Shtyllë. Aty caktuan Teqenë e Melçanit për mbledhjen e përgjithshme të kryengritësve të Jugut. Kjo do të ngjiste nga fundi i Korrikut.
Por tradhëtia i shtiri në pusi përpara kohës së duhur; dhe lufta e Orman Çifligut dhe Jeni Çifligut ngjau më 16 dhe 17 Korrik 1911. Fusha e Korçës u vadit me gjakun e gjashtë dëshmorëve shqiptarë. Ndonse u gjend papandehur përballë një rasti me kushte fort të vështira, Spiroja me çetën e vogël u dëfteu hordhive të Rexhep Pallës heroizmin e tij të zjarrtë.
Një mot më vonë, tamam prej këtij vendi të shënuar dhe heroik, çetat e armatosura shqiptare nisën hyrjen e tyre triumfuese drejt Korçës. Dhe kryetari i tyre u bë heroi i ditës.
“Luan i tërbuar”, kështu e quajti një herë dikush për qortim. Mbase ish tepër i rreptë, por vetëm kundër armiqve. Doemos, kur kish të bënte me kundërshtarë të çartur si Rexhep Pallën ose Nazmi bej Resnjën. Ligësitë e tiranit të Korçës dhe e myrtexhinjve (parti turke të asaj kohe) fanatikë, dinakëria e Mytesarifit dhe e xhemietçinjve (parti turke) të tjerë prapanike mund t’ia ndërkrenin ndërgjegjen edhe njeriut më të butë.. Qe kryelartë. “Edhe kur fle, mor Spiro, kërkon të rrish këmbë mbi këmbë”, i tha një herë një shok i tij më i vjetër, Sali Butka. Vërtet e kish pak të metën e lavdidashjes, por zemrën e kish të bardhë dhe shpirtin të butë. Një herë i shpëtoi kokën një ushtari shqiptar të zënë rob prej andartëve. Në Qarr u fali jetën shtatë asqerëve turq… Edhe vetënm këto dy fakte mjaftojnë për të pasqyruar botën e tij njerëzore.
Vetëm një herë paramendoi dhe vendosi vrasje Spiro Ballkameni: Vrasjen e Rexhep Pallës. Po edhe aty na del para syve vrasësi idealist në kundërshtim me katilin, Osman Efendinë, i cili pabesisht i dha fund jetës së kapedanit shqiptar në Neveskë, më 1 Tetor 1912. Oficeri turk bashkë me kafenë i piu gjakun dhe e rrëzoi nga kulmi i lumturisë “dhëndërin me kurorë”.
Dy ditë më parë se të martohej, Vdiq Spiro Ballkameni. Varri i zi e përfshiu kreshnikun e maleve arbërore të Jugës. Vargu i virtyteve, që ja zbukuronin karakterin posi gjerdan xhevahirësh, është mbuluar në dhé të huaj. Po idealizmi i paepur i Spiro Ballkamenit, heroizmi i zjarrtë, njerëzillëku dhe bujaria e martirit djalosh rriti dhe rrit akoma apostuj të idesë së lirisë shqiptare.
Korça, lulja e Rilindjes sonë Kombëtare, do të dijë çfarë tribute të merituar t’i paguaj kujtimit të Spiro Ballkamenit.
Gusht, 1929
(“Zëri i Korçës”, 20 Gusht 1929)