Vështrim/Analizë

Shemsi Reçica: Vështirësitë e Kurtit në bisedimet Kosovë – Serbi

VËSHTIRËSITË E KURTIT NË BISEDIMET KOSOVË-SERBI
Qëndrimet agresive të Serbisë ndaj Kosovës; Toleranca e miqve tanë euro-amerikanë ndaj agresivitetit të Serbisë, në raport me Kosovën, dhe presioni i tyre mbi Kosovën për kompromise të vazhdueshme ndaj Serbisë; Trashëgimia e bisedimeve dhe e marrëveshjeve Kosovë-Serbi, nga paraardhësit e Kurtit; e Fajësimi i Kurtit, nga opozita e mediat në Kosovë, për mosarritjen e shpejt të marrëveshjes me Serbinë, – e kanë dobësuar pozitën e kryeministrit Kurti në bisedimet me Serbinë dhe e kanë vështirësuar arritjen e një marrëveshjeje Kosovë-Serbi, në dobi e në interes të Kosovës.
*****
Serbia, siç dihet, as zyrtarisht as publikisht, – ende s’i ka pranuar, as ka shprehur keqardhe, as ka kërkuar falje, – për krimet e saj ndaj shqiptarëve në Kosovë (!); Serbia ende s’ka hequr dorë, as zyrtarisht as publikisht, nga lufta e saj kundër shqiptarëve e kundër Kosovës(!); Serbia as nuk po e fsheh qëllimin për kthimin e saj në Kosovë dhe po punon ditë e natë, zyrtarisht dhe publikisht, për pengimin e shqiptarëve e të Kosovës në ecjen rrugës së tyre, normale e të natyrshme euro-atlantike.
Serbia, kështu, e ka vështirësuar pozitën e kryeministrit Kurti, ashtu siç e kishte vështirësuar dhe pozitën e paraardhësve të tij, – në bisedimet për Normalizimin e marrëdhënieve Kosovë-Serbi.
Pozitën e kryeministrit Kurti, sikurse dhe pozitën e paraardhëse të tij, në bisedimet për Normalizimin e marrëdhënieve Kosovë-Serbi, e ka vështirësuar edhe më shumë – Toleranca e miqve tanë euro-amerikanë, ndaj ndërhyrjeve brutale të Serbisë në punët e brendshme të Kosovës; Faktorizimi dhe lejimi, nga ana e tyre, i Serbisë për përcaktimin e Rregullimit shoqëror-politik e territorial në Kosovë; Heshtja e tyre ndaj prtendimeve të hapura territoriale të Serbisë në Kosovë; dhe Presioni i tyre mbi Kosovën, për kompromise të vazhdueshme në dobi e në interes të Serbisë.
Pozitën e kryeministrit Kurti, në bisedimet për Normalizimin e marrëdhënieve Kosovë-Serbi, e ka vështirësuar – po aq sa Ndërhyrja e Serbisë në punët e mbrendshme, në Kosovë, dhe Toleranca e miqve tanë ndërkombëtarë ndaj Serbisë (në mos edhe më shumë se ato) – edhe Trashëgimia e bisedimeve shumëvjeçare dhe marrëveshjet me Serbinë, të paraardhësve të kryeministrit Kurti.
Në ato bisedime dhe me ato marrëveshje, serbëve iu garantuan të drejta të jashtëzakonshme në Kosovë, si: Përdorimi zyrtar i gjuhës serbe dhe alfabetit qirilik, krahas gjuhës shqipe, në tërë territorin e Kosovës; Zonat përreth 40 kishave dhe manastireve, u shpallen të mbrojtura, ku shqiptarët nuk mund të vendosen, as të shëtisin, as të hyjnë brenda tyre; Krijimi i Njësisë policore speciale për sigurimin e Zonave të mbrojtura, shumica e së cilës përbëhet nga serbët dhe komandohet nga një serb; Prej katër komunave serbe, sa ishin në kohën e Millosheviqit, u krijuan edhe gjashtë komuna-katunde të tjera, me shumicë serbe, me shkallë shumë më të lartë të autonomisë sesa komunat në Serbi, e me lidhje të drejtpërdrejta me Serbinë; E drejta e nënshtetësisë së dyfishtë për serbët; Pozitat e rezervuara ministrore dhe në Kuvendin e Kosovës, për serbët, më të mëdha sesa përqindja e serbëve në Kosovë, etj.; Dhe, kulmi i të gjithave, Nënshkrimi i Marrëveshjes për Asociacionin, Ratifikimi i saj në Kuvendin e Kosovës dhe Mendimi pozitiv i Kushtetueses për Marrëveshjen e Asociacionit, përkundër shkeljeve të Kushtetutës së Kosovës, (që është baras me Planin Ahtisari PLUS dhe bazë për Republikën serbe në Kosovë).
Tash, në këtë fazë të bisedimeve, miqtë tanë ndërkombëtarë nuk po kërkojnë ASGJË MË SHUMË, – veçse zbatimin e Marrëveshjeve të nënshkruara. Kryeministri Kurti, kështu, i vënë para aktit të kryer e me duar të lidhura nga Marrëveshjet e paraardhësve të tij me Serbinë, është mbështetur për muri në bisedimet aktuale Kosovë-Serbi.
Dhe, sikur të mos mjaftonin gjithë këto vështirësi, për zvarritjen e mosarritjes së marrëveshjes Kosovë-Serbi, Opozita dhe Mediat në Kosovë po e fajësojnë, – jo Serbinë, as ndërkombëtarët, që po e favorizojnë e po e privilegjojnë Serbinë në raport me Kosovën, por kryeministrin Kurti(!). Ato nuk po reshtin, ditë as natë, me presionin e tyre mbi kryeministrin Kurti, për ta nënshkruar sa më shpejt një marrëveshje me Serbinë(!). Opozita dhe Mediat në Kosovë, kështu, po e dobësojnë pozitën e kryeministrit Kurti, në bisedimet Kosovë-Serbi dhe po e vështirësojnë arritjen e një marrëveshjeje me Serbinë, në dobi e në interes të Kosovës.