Portreti/intervista

Organizata Dëshmorëve: Dhaskal Todri DËSHMOR i parë i gjuhës shqipe

DHASKAL TODRI DËSHMORI I PARË I GJUHËS SHQIPE
Trualli ynë me dëshmorë në çdo periudhë historike, sa është i vuajtur dhe munduar nga pushtime dhe strategji të ndryshme nga antikombëtarët, po aq është krenar për të kaluarën e tij.
Dëshmorët tanë nuk janë vetëm ata që ranë në ruajtje dhe mbrojtje të trojeve kombëtare, por, altari i shenjtë ka dhe dëshmorë të tjerë, dhe një pjesë e tyre, janë sakrifikuar për ruajtjen, mësimin dhe përhapjen e gjuhës sonë amtare.
Dëshmori i parë i këtij rrugëtimi të vështirë, është elbasanasi ynë, i madhi dhe i pa përsëritshmi, Theodhor Haxhifilipi, i njohur si Dhaskal Todri.
Theodhor Haxhi Filipi u lind në lagjen Kala të Elbasanit më 1730. Ishte i biri i Haxhi Filipit me profesion argjendar. Mësimet e para i kreu në shkollën greke në Elbasan dhe më pas i ati e dërgoi në Akademinë e Voskopojës që lulëzonte në atë kohë. Mbasi kreu me sukses atë shkollë, bëhet mësues në shkollën greke të Elbasanit. Gjatë vitit 1751- 1801 ka mbajtur Kodikun e Shën Mërisë të Kishës së Kalasë. Duke u shtyrë nga dëshira që kishin elbasanasit për të thënë uratat në gjuhën shqipe në kishë, Todri nisi përkthimin e librave të kishës ortodokse, duke hartuar edhe një alfabet të posaçëm me 52 shkronja që njihet si alfabeti i Dhaskal Todrit.
Në përpjekjet e tij, Todri punoi fort jo vetëm për mësimin e shqipes së shkruar, por me vizion të qartë për të ardhmen, ai i kushtoi rëndësi krijimit të alfabetit, drejt unifikimit të gjuhës së shkruar. Siç është e njohur, ai krijoi dhe një alfabet që njihet si alfabeti i Todhrit.
Në një nga studimet monografike, Drita Cankja shkruan: “Në kundërshtim me mësuesit voskopojarë të Akademisë së re, Todhri nuk deshi të përdorte për shqipen alfabetin grek, por shpiku një alfabet krejt të posaçëm dhe këtu qëndron rëndësia e punës, ose më mirë qëllimi i mjeshtrit elbasanas…. siç dëshmon Hahni, alfabeti në fjalë pati një farë përhapje jo vetëm në Elbasan, por nga sa duket edhe në Berat dhe në Voskopojë… Me këtë alfabet kemi ndër të tjera edhe dorëshkrimin e tregtarit elbasanas, Simon Kazanxhiu, të vitit 1825, që përmban edhe disa lista fjalësh e shprehjesh…”
Në vitin 1899, studiuesi shqiptar, Gjergj Pekmezi, nga Universiteti i Vjenës, kishte vërtetuar se ky alfabet ishte nga shekulli i XVIII. Pra Dhaskal Todri ka qenë mësues, përkthyes, dhe hartues i një alfabeti unik të gjuhës shqipe i njohur si Alfabeti i Todrit, si dhe ka përkthyer disa ungji dhe dy fabula të Ezopit. Dhaskal Todri konsiderohet dëshmori i parë i shkollës shqipe.
Pasurinë e tij Todri e vuri në shërbim të gjuhës shqipe, jo vetëm si përhapës i saj, pavarësisht presionit nga kleri i kohës që ishte krejtësisht kundër shqipes sonë, por largpamësia e tij shkonte drejt një të ardhmje dinjitoze të gjuhës amtare. Për të, gjuha duhej të shkruhej patjetër, se vetëm kështu ajo do të jetonte përjetësisht.
Ndaj, ai shkoi në Evropë ku dhe mori shkronja të derdhura në metal, për të ngritur edhe shtypshkronjën shqipe.
Gjatë kthimit për në Shqipëri, për ta ndaluar përfundimisht drejtimin e tij të pandalshëm për gjuhën, e vrasin. Diku jepet një version tjetër se vritet nga kisha greke, e cila futi njerëz për ta vrarë. E vranë në Dhiavat të Resnjës, ndërsa me 1827, veprat e tij u dogjën publikisht duke nxjerrë si shkak, murtajën që kishte rënë në qytet.
Pinjollë të familjes Todri, madje stërnipër të tij janë dhe Vilson Todri, Kristaq Todri, Jani Todri, Dëshmor i LANC, Jani Todri i II, që mban emrin e Dëshmorit dhe më të rinjtë: Shpresa Todri Bejo, Sokol Todri, Rudina Todri…. që janë antarë të Organizatës sonë…
Theodhor Todrit si mësues e veprimtar i gjuhës shqipe u bë figurë shumë e dashur e popullore dhe nisën ta thërrisnin Dhaskal Todri që ishte shkurtimi i emrit të tij. Në Elbasan u krijua një traditë e shkrimit të shqipes me alfabetin e tij, që njihet që nga shek.. XVII deri në shek.. XX.
Nga dera e madhe e Tod’hrit kanë dalë dhjetëra mësues, të cilët kanë shërbyer për 246 vjet në arsim.
“Figura e Dh. Todrit -shprehet Prof. Kujtim Bevapi, -paraqet në historinë e gjuhës dhe letërsisë shqipe një interes të veçantë, jo vetëm si lëvrues, por dhe si pararendës i Rilindjes Kombëtare. Ai me alfabetin e tij me 52 shkronja, shkroi elbasanishten e kohës, krijoi traditë të shkrimit të shqipes. Dhaskali vazhdoi traditën e Papa Totasit, priftit shpatarak, duke u përpjekur të fusë shqipen në kishë e në shkollë.” Ndërsa historiani elbasanas Shyqyri Demiri shkruan ndërmjet të tjerave : “Deri në vitin 1795 në Elbasan është shkruar me Alfabetin e Dhaskal Tod’hrit. Kisha greke e përndoqi Dh. Tod’hrin edhe pas vdekjes, duke i djegur shumicën e shkrimeve në 1827 kur ra mortaja në Elbasan dhe vrau nipat e tij.”
Në kujtim e nderim të kontributit të tij për gjuhën, shkollën e arsimin shqiptar, në vitin 1978 është xhiruar filmi artistik “Udha e shkronjave” bazuar në botimin e Dhimitër Shuteriqit, “Buka dhe thika”. Gjithashtu një nga Gjimnazet e Elbasanit mban emrin “Dhaskal Todri”.