Recension nga Rovena Vata – Mokeli: Bedri Halimi shpalosës vlerash të mirëfillta njerëzore dhe intelektuale
Bedri Halimi, së fundi i vjen lexuesit me librin më të ri, botim i vitit 2021 me titull: “Vlerësime dhe Interpretime Letrare dhe Historike”. Studiuesi Halimi si gjithmonë nxjerr nga arkiva e memories së tij, vepra, autorë, personazhe, dokumente, fakte dhe ngjarje, duke i jetësuar ato, përmes letrës dhe botimeve. Në këtë botim të radhës bie në sy jo vetëm shumëllojshmëria e interpretimeve dhe vlerësimeve, por edhe qëndrimi i tij, duke e treguar haptas mendimin e vet për figura të rëndësishme historike, siç është rasti i Ymer Prizrenit. Ky libër është i ndarë sipas autorit në tri pjesë. Pjesa hyrëse e këtij libri jo pa qëllim fillon me figurën e Ymer Prizrenit, një figurë sa historike, po aq edhe legjendare. Ymer Prizreni një personalitet i shquar i historisë së kombit shqiptar, duke lënë gjurmë frymëzimi, modeli dhe udhëheqësi, i cili meriton të njihet në çdo detaj, që lidhet me emrin, jetën dhe veprimtarinë e tij atdhetare dhe historike. Në vlerësimin e tij për monografinë e autorit Qemal Mataj, me titull: “Ymer Prizreni 1820-1887”, Halimi nxjerr në pah vlerat, që sjell kjo monografi, sidomos për studiuesit e historisë së Shqipërisë, por nuk ua kursen edhe ‘borxhin’, që ia kanë institucionet shkencore shtetërore për mos nxjerr në pah, ashtu siç duhet figurës historike të këtij kalibri. Përsëri vijohet me studimin e figurës së Ymer Prizrenit, ku është vënë në dukje, kontributi, që ky njeri i la vendit amë, nën titullin: “Personalitet i shquar i Lëvizjes Kombëtare”. Autori Halimi nuk lë jashtë vëmendjes akademikë dhe studiues të historisë pa përmendur, të cilët shkruan për jetën dhe veprimtarinë e këtij atdhetari të shquar, duke filluar nga Akad. Kristaq Prifti, e deri te piktori i mirënjohur me origjinë gjakovare Kujtim Buza. Historianët më shumë u referuan sipas arkivave ndërkombëtare, siç janë ato osmane, më vonë arkivat turke, arkivat austro-hungareze etj. Kurse piktori nga Kosova (Dardania) Kujtim Buza foli në këtë panel për figurën e Prizrenit në artet pamore, çka do të thotë se emri dhe vendi i merituar Ymer Prizrenit, akoma nuk ka shkuar në majën e historisë së popullit shqiptar. Një plagë e hapur sot e kësaj ditë është fakti kur përmendet termi: “Shqipni Etnike”, ku një ndër përkrahësit e kësaj ideje, i cili edhe ka planëzuar projektet, që të realizohet një hap i shumëkërkuar ka qenë, Haxhi Ymer Prizreni. Autori Halimi, e përmend te ky libër, librin e pjesëmarrjes në konferencën shkencore në vitin 2002, në Institutin Albanologjik, dega e Historisë në Prishtinë, ku botimi i kësaj tryeze mban titullin tepër tingëllues: “Dritë e re për kryetarin e parë të Shqipërisë Etnike”. Apo studimi tjetër që mban përsëri një titull shpresëdhënës për kombin tonë andej dhe këtej kufirit: “Ora, Zemra dhe Shpirti i Lidhjes Shqiptare”, studim nga dr. Muhamet Pirraku. Personaliteti i Ymer Prizrenit si një ndër figurat më emblematike të kombit shqiptar, paraqitet në veprën e vetë autorit Halimi, me titull: “Haxhi Ymer Prizreni”, i cili jep detaje të rëndësishme rreth figurës së personalitetit të Haxhi Ymer Prizrenit. Të humbësh identitetin do të thotë të humbësh veten, por ta fshehësh të vërtetën në lidhje me identitetin tënd, do të thotë të mos e duash atë. E kjo ka ndodh sipas autorit Halimi, në jo pak raste, madje edhe nga institucione përgjegjëse për nxjerrjen në dritë të faktologjisë në lidhje me luftën e Kosovës, rolin e UÇK-së dhe zbardhjen e ‘msymjve’ të njëpasnjëshme të ushtrisë serbe ndaj shqiptarëve të Dardanisë. Kjo sot del në pah, përmes librit të Bardhyl Mahmutit me titullin: “Mashtrimi i madh”, i cili jo vetëm sjell realitetin e atyre viteve, përmes këtij botimi, por mbi të gjitha duhet të përgëzohet edhe për guximin, që pati në zhveshjen e mashtrimeve dhe nxjerrjen e së vërtetës lakuriq, ashtu siç ka ndodh, pa më të voglin zbukurim. Sipas autorit Halimi është detyrë urgjente, që ky libër të jetë pjesë e gjuhëve të huaja, qoftë për njohjen e së vërtetës historike, sesi është vepruar në kurriz të një populli fatkeq, qoftë në nevojën e ballafaqimit apo edhe në bindjen e atyre vendeve, të cilat akoma edhe sot, duke ardhur viti 2022, nuk e kanë njohur Kosovën si shtet. Në fokusin e studimeve të autorit ka qenë trevat, si: Opoja, Gora, që e përbëjnë komunën e Sharrit (Dragashit), e po të njëjtin fakt e gjejmë edhe në këtë libër, ku i janë kushtuar jo pak hapësirë vlerësimeve të librave, të cilat kanë shkruar për këto treva, qoftë për nga shtrirja gjeografike, faktologjitë historike, antropologjinë e jetës, e deri tek flora dhe fauna. Më konkretisht Halimi është ndaluar te vepra: “Opoja dhe Gora”-vështrim gjeografik, i autorit Hajriz Meleqi. Më pas autori Halimi ndalet edhe të studimi: “Të dhëna interesante për vendbanimet e Komunës së Sharrit”, ku bën fjalë për monografinë për Sharrin, të autorit Jusuf Osmani, si dhe libri i autorit Muharrem Qafleshi me titull: “Opoja dhe Gora ndër shekuj”. Në aspektin e mjekësisë popullore dhe ndjekjen e ritualeve të saj, autori sjell në vëmendje librin e botuar me titull: “Sistemi shëndetësor i Kosovës”, me bashkautorësi të Xhevat Hasanit dhe Tone Berisha, ku jepen në mënyrë të detajuar receta dhe kura mjekësorë, për të shëruar sëmundje nga më të ndryshmet, por edhe kura për qetësim psikologjik, pra lloje të ndryshme terapish për sëmundjet psiko-mendore. Në aspektin e religjioneve autori Halimi ndalet te botimi i historianit Nuridin Ahmeti, i cili ka sjellë në formë monografie tezën e doktoratës së tij, me titull: “Krerët fetarë në Lëvizjen Kombëtare Shqiptare”, ku atdhetarë dhe patriotë kanë ndikuar dhe ndihmuar në çështjet kombëtare, duke mos bërë dallime në lidhje me fenë, por duke u bashkuar së bashku nën idealin, që kishte edhe kleriku At Gjergj Fishta, për Fé dhe Atdhe. Duke mos harruar të jetë pjesë e këtij botimi edhe Yrjet Berisha, një ndër studiuesit e mirëfilltë të letërsisë shqipe, e në veçanti të jetës dhe veprës së Martin Camajt. Jashtë këtij libri me vlerësime autori Halimi nuk ka lënë edhe personalitetin e fshatit Zapod të Gorës, Mulla Rasim Zapodin, me autor Qemal Mataj, ku Halimi thekson, rolin e tij në bashkëpunim me krerët më të dalluar të çështjes kombëtare, siç ishin Haxhi Ymer Prizreni e deri te Ismail Qemali. Emrin e tij e gjejmë të shkruar në dokumente të rëndësishme shtetërore dhe ndërshtetërore për rolin e Zapodit në çështjen kombëtare dhe jo vetëm. Një tjetër personalitet që i bashkëngjitet këtij libri të autorit Halimi është edhe figura e Naser Hanit, me autor Xhevat Hasanin, i titulluar: “Një jetë në shërbim të lirisë”. Naser Hani shquhet për nxjerrjen në pah të dukurive më të shëmtuara, që janë zhvilluar ndaj shqiptarëve të Maqedonisë, i cili ka luftuar për të drejtat e tyre, deri sa dha edhe jetën e tij, ku agjentët sekret të shtetit maqedonas, realizuan një atentat të fshehtë, vetëm e vetëm pse luftoi për rifitimin e identitetit dhe të drejtat e vëllezërve të tij, që jetonin në tokën maqedonase. Një tjetër dëshmor lirie i përmendur në këtë botim është edhe Xhevat Berisha, i njohur ndryshe me pseudonimin si ‘Legjenda e Vërrinit’, me autor Gëzim Ajgeraj. ‘Legjenda e Vërrinit’, dëshmorit Xhevat Berisha nuk i ka mjaftuar vetëm lufta me pushkë e barut, por ka punuar fort edhe përmes forcës së mendjes, duke lexuar dhe duke ndarë edhe literaturë të ndaluar, për të zhvilluar intelektin e tij dhe të shqiptarëve njëherësh. ‘Legjenda e Vërrinit’ besonte se ‘lufta për dijen’ të çon në rrugën drejt lirisë, pavarësisë dhe zhvillimit. Pesha e viteve të luftës së Kosovës vjen, përmes ndriçimit të ngjarjeve jetësore të ndodhura ndërmjet kufijve, atij të përtej Morinit dhe këtej Morinit, ku vagonët e tërë vinin me shqiptarët e Kosovës dhe zbardhonin fillimisht në qytetin e Kukësit, për të pritur një urdhër të qeverisë shqiptare të asaj kohe, për të vijuar rrugëtimin e tyre të shpresës dhe të mbijetesës në qytetet e tjera të Shqipërisë dhe më pas, drejt qyteteve të tjera evropiane dhe atyre botërore. Pasqyra e ngjarjeve e atyre viteve e sjell si kronikë të kohës në librin me titull: “Përmasat e mbijetesës” profesori i letërsisë, kuksiani dhe patrioti Besim Cengu. Në fushën e arsimit autori sjell rastin e gjimnazit të Dragashit, “Në rrugën e diturisë”, me autor Esat Krasniqin, ku Halimi mban një qëndrim kritik dhe krejt racional, qoftë në lidhje me emra individësh, qoftë me metodën e përdorur në studimin shkencor. Në dramaturgji risillet përsëri figura e Ymer Prizrenit, me titull “një dramë që duhet ripunuar”, me autor Xhevat Jashari, ku shqetësimi i Halimit ishte për faktin se nuk ka dalë i plotë personaliteti i Prizrenit. Shqetësimi i vërtetë i autorit ndjehet në studimet letrare dhe veçanërisht në sprovat, që janë bërë për të krijuar një antologji, ku flitet për një të tillë, por siç duket nuk janë plotësuar as në mënyrë minimale atë çfarë antologjia mbart si term. I njëjti shqetësim qëndron edhe në sjelljen e poezive dhe poetëve më të njohur botërorë, ku në shumë raste lënë për të dëshiruar dhe në raste të tjera, shteti nuk përfaqësohet me temat dhe poetët, që vetë shteti njeh si më të dalluar. Letërsia për fëmijë e sjellë me titullin: “Abetaka” me autor Demir Reshiti, është një kontribut i shtuar, pasi autori vjen me këtë libër, përmes një qasje të re, duke përdorur metodën praktike të të mësuarit të alfabetit, përmes fillimit të germave, duke përdorur për çdo germe një emër kafshe. Analizimi i poezisë në vetvete qëndron në qendër të recensave të Bedri Halimit, ku shpalos mesazhet kombëtare dhe universale për njeriun, pa harruar edhe ato mesazhe filozofike që shoqërojnë zakonisht poezitë e Lola Shehit. Libri me poezi: “Dhimbja e shkruar” e poetes Shpresa Zurnaci, ishte jo pa qëllim si pranëvënie me poeten Lola Shehi, pasi që të dyja janë poete të shpirtit të trazuar, poete të dhimbjes, poete të shpresës, poete te paqes, e më pas atë dhimbje shpirtërore, e derdhin në vargun më të bukur, të krijuar prej tyre. E shëmtuara kur merr formë letrare ngjan më e bukur se vetë e bukura, ky është stili letrar i të shkruarit poezi nga poetja Aleksandra Syrantoni, në librin e saj me poezi: “Ishulli i shpirtit”, ku ironinë e sheh si një armë artistike në luftë kundër të keqes njerëzore. Vargu i poezive të Sandrës mbart energji dhe ritëm. Kurse lëvrimi i romanit si zhanër në vetvete është përmes recensionit të romanit” Zonja misterioze”, ku Lola Shehi sprovoi veten më së miri, ku sjell para lexuesit jo thjesht një roman, ku tema e trajtuar është më shumë se e guximshme. Romani i autorit Gëzim Ajgeraj me titull: “Rrëfimet e Doktorit”, ku mbijetesa e personazhit të këtij romani, është në vetvete mbijetesa e vetë popullit, që i takonte edhe doktori vetë. Romani: “Eskadronët e vdekjes” me autor Bardhyl Mahmuti, sjell të letrarizuara masakrat dhe tmerrin nga lufta e Kosovës. Pjesa e tretë e këtij libri vjen përmes zërave të mëdhenj, si: Qemal Mataj, Faik Beqiraj, Yrjet Berisha etj. Kurse lidhur me lojën në konkurset letrare, autori Halimi, kujton se në takimet letrare apo manifestimet e ndryshme ndër shqiptari, që vlerat duhet të mbesin vlera, e jo antivlerat të marrin çmime për vlera. Si përfundim, mund të themi se, Bedri Halimi, në këtë libër ka realizuar një mozaik të shumëfishtë në disa fusha dhe në shumë aspekte, duke filluar me historinë, letërsinë, antropologjinë, publicistikën, marrëdhëniet kombëtare dhe ato ndërkombëtare, fushën e mjekësisë popullore, në fushën e medies, aspektin e religjioneve etj. Halimi shpalos vlera të mirëfillta njerëzore dhe intelektuale, në librat që ka marrë në shqyrtim. Në këtë libër si asnjëherë tjetër autori Bedri Halimi, është tepër racional, ku përmes faktologjisë nuk ‘lë asnjë të gabojë’. Botimi i këtij libri i jep mundësi secilit prej autorëve të përmendur, të gjejnë të promovuara vlerat e veprave të tyre.