Botë

Rama në Forumin e Bledit: Mbështetje financiare dhe akses i Ballkanit Perëndimor në tregun e përbashkët

TIRANË, 28 gusht/ATSH-Maela Marini/ Kryeministri Edi Rama nënvizoi sot domosdoshmërinë e mbështetjes konsistente të Bashkimit Europian ndaj Ballkanit Perëndimor, jo vetëm nga pikëpamja financiare por edhe nga pikëpamja e aksesit të këtyre vendeve në tregun e përbashkët.

Në fjalën e mbajtur në panelin e liderëve në Forumin Strategjik të Bledit, kryeministri Edi Rama u shpreh se është “tragjikisht shumë optimist” për të ardhmen e Ballkanit Perëndimor.

Në fillim të fjalës së tij, Kryeministri Rama falënderoi homologun slloven, Robert Golob dhe Presidentin e Këshillit Europian, Charles Michel për mikpritjen në këtë forum.

“Dua të falënderoj Robert dhe Charles jo sepse e di si të jem një diplomat i mirë, sepse nuk jam, por sepse patëm një mikpritje shumë të ngrohtë, shumë të hapur, do të thoja me biseda të zemrës mbrëmjen e kaluar. Dhe jam shumë i lumtur që një lider, një politikan të flasë njëlloj si në një darkë ashtu edhe në një forum. Faleminderit Charles më në fund se ishte fantastike kjo gjë”, tha Rama.

Kryeministri theksoi se do të ishte shumë mirë nëse do të realizoheshin disa hapa progresivë në drejtim të planit të ri të financimit të Ballkanit Perëndimor.

“Është momenti për të thënë se nëse ajo gjë që Charles tha sot do të materializohej, për sa i përket disa hapave progresivë, jo sepse besoj se në 2030 ne do të jemi në BE me thënë të drejtën, por të paktën në disa prej hapave, kjo do të ishte shumë e mirë. Sepse teksa  ne po flasim për konvegjencën me BE-në, të gjithë duhet ta kuptojnë se boshllëku i kontributeve për frymë i BE-së drejt këtij rajoni dhe sheteve të Ballkanit Perëndimor është diçka si 130 e ca euro për 6 prej nesh këtu dhe më shumë se 4 mijë euro për dy prej nesh këtu dhe të tjerë”, tha Rama.

Kryeministri theksoi se kjo duhet kuptuar dhe duhet zgjidhur me disa hapa konkretë.

“Kjo duhet kuptuar dhe duhet zgjidhur me disa hapa konkretë duke konsideruar që kjo nuk duhet ë jetë asgjë ose të gjitha që nga momenti që të gjitha këto vende hyjnë në rrugën drejt BE-së deri momenti që bëhen anëtarë, duhet të jenë pikërisht këto gjëra në mes të procesit jo vetëm parime ,vlera dhe mësime të nxjerra që janë absolutisht të nevojshme, jo thjesht vetëm reforma dhe kritika që janë absolutisht të nevojshme, por edhe mbështetje sa më konsistente. Nuk po them vetëm nga pikëpamja financiare por edhe nga pikëpamja e aksesit të vendeve tona në tregun e përbashkët dhe të hapësirave më të mëdha edhe për ndërmarrjet tona”, tha Rama.

“Të gjithë duhet ta kenë parasysh që ajo çfarë po ndodh për gjithë këto vite në këto vende, është se nga njëra anë nëpërmjet Procesit të Berlinit ne folëm për konektivitetin dhe infrastrukturën dhe sa i përket projekteve dhe se si t’i financonim këto. Nga ana tjetër merreni me mend se kush po e ndërton infrastrukturën; amerikanët, kinezët, arabët, që unë e di që nuk kanë Acquis për të përmbushur në momentin që vijnë, por kjo duhet marrë parasysh”, shtoi ai.

“Dhe pika e fundit është që gjithmonë kam menduar që të punosh falas 50 vite përkundër perëndimit, Enver Hoxha na bëri më proamerikanë dhe proevropianë se kushdo tjetër, por do na duhen edhe 50 vjet të tjera pas rënies së komunizmit deri sa ne të mos jemi pakushtmërisht proamerikanë dhe proeuropianë, pra kemi edhe 20 vite eurooptimizëm dhe shpresojmë që deri atëherë të keni përmbushur premtimin tuaj, Charles”, përfundoi Rama.

Forumi Strategjik i Bledit është një platformë globale gjithëpërfshirëse për gjenerimin e ideve dhe shkëmbimin e pikëpamjeve mbi shoqërinë bashkëkohore dhe të ardhmen e saj, duke ofruar pikëpamje dhe zgjidhje strategjike për çështjet më urgjente të së sotmes dhe të së nesërmes, të cilat promovohen përmes eventeve të ndryshme, diskutimeve, tryezave të rrumbullakëta, projekteve, analizave dhe publikimeve.

Ngjarja e saj qendrore vjetore – konferenca ndërkombëtare e Forumit Strategjik të Bledit – është konferenca kryesore në Evropën Qendrore dhe Juglindore, e cila këtë vit ka si temë “Solidaritet për Sigurinë Globale”.

Kryeministri Rama mori pjesë sot në Panelin e Liderëve, së bashku me Kryeministrin e Kosovës, Kryeministrin e Malit të Zi, Kryeministren e Serbisë, Kryeministrin e Bullgarisë, Kryeministrin e Maqedonisë së Veriut, Presidenten e Këshillit të Ministrave të Bosnje, Hercegovinës, si dhe Kryeministrin e Kroacisë. Paneli u moderua nga gazetari dhe prezantuesi i programeve televizive Ali Aslan.