Vështrim/Analizë

BEDRI HALIMI: KUR BEHADIN AHMETOVIQI SHKRUAN LIBËR PËR GORËN

KUR BEHADIN AHMETOVIQI SHKRUAN LIBËR PËR GORËN
   Në vitin 1999, në Beograd, nga Shtëpia Botuese “INTER JU PRESS” është botuar libri me titull “Gora i Goranci” nga autori, Behadin Ahmetoviq. Emri i Behadin Ahmetoviqit është i njohur, jo vetëm në komunën e Dragashit e trevën e Gorës. Ky emër është i njohur në tërë Kosovën për qëndrimet e tij antishqiptare dhe proserbe. Ky emër, është i njohur edhe në Serbi për lojalitetin Serb të këtij njeriu. Pas veprimeve të tij të shumta antishqiptare, dhe pas deklarimeve të tij proserbe, ky njeri tani na del edhe si “Nauçnik”, pra njeri që pretendon të merret me punë shkencore. Dhe mund të merret me mend kur një njeri i politikës serbe në Komunën e Dragashit, që ishte në disa funksione udhëheqëse deri dhe drejtor i Organizatës “Sharproizvod”, i jep vetes të drejtë të merret me shkencë, madje me shkencën e historisë, në një lëm që nuk e njeh fare. Ky autor, sikur edhe ndonjë tjetër, pranon të bëhet zëdhënës i politikës serbe në këtë hapësirë jugore të Kosovës. Por të shohim se çka përmban libri i Behadin Ahmetoviqit, për të cilin po bëjmë fjalë.
Që në fillim, ky autor, pasi përmend madhësinë gjeografike të trevës së Gorës, dëshiron të na mësojë se: “kjo trevë ka qenë e banuar me popullatë sllave”. Natyrisht pa dhënë asnjë argument, por duke ripërsëritur qëndrimet e ndonjë historiani serb, e duke deklaruar: “Këtu duhet theksuar se, asnjë nga popujt sllavë, përpos serbëve, nuk ka jetuar në këto hapësira”. Për të vazhduar pastaj me “Mbishkrimet kishtare dhe ndonjë kishë, kishëz apo mbishkrime të varreve. . . ”, dhe si argumente për këto, thërret në ndihmë emrin e diplomatit dhe konsullit rus, Ivan Stepanoviq Jastrebov, i cili në mesin e shekullit të kaluar ka shënuar se ekzistojnë gërmadha të shumë objekteve dhe vendbanimeve ortodokse. Janë të njohura qëndrimet antishkencore e antishqiptare të Jastrebovit në historiografinë shqiptare.
Pastaj, në ndihmë të qëllimit të tij, thërret edhe të kaluarën si dhe të tashmen duke potencuar se: “banorët e Gorës vërtetojnë thellë në vete, se i kanë ruajtur zakonet sllave pagane. . .”, duke përmendur kështu festat, si: Shëngjergjin, Bozhiqin, etj.. Pra, në këtë rast, çështjet e etnokulturës të popullatës së Gorës, Behadin Ahmetoviqi, i sllavizon, ose më qartë, i serbizon qëllimshëm, duke mos ditur se çështjet e kulturës pagane te shqiptarët kanë ekzistuar dhe ekzistojnë edhe sot e kësaj dite. Por Behadin Ahmetoviqi nuk ndalet me kaq. Prezencën e festave pagane në trevën e Gorës, ai e cilëson si ruajtje të traditës sllave: “duke refuzuar çdo ndryshim dhe ndikim të gjallesës josllave, i cili ka mundur që të ngulfasë frymën sllave në ta, dhe t’i fshijë përgjithmonë nga historia e goranëve si etnikum specifik sllav. Nga fshatrat e përmendura, disa janë zhdukur nga kolonizimi i shqiptarëve në periudhën turke, kështu që ndonjë nga këta e ka humbur gjuhën gorane”. . . Për të konkluduar se “Goranët nga të gjithë popujt sllavë, respektivisht sllavët e jugut, më së shumti autoktoni sllave dhe origjinalitet, gjuhë dhe zakone të kulturës i kanë ruajtur”. Është e lehtë të konkludohet për qëllime politike, por është e vështirë të arsyetohet për qëllime shkencore, qasja e Behadin Ahmetoviqit. Në këtë rast, Behadin Ahmetoviqit nuk i interesojnë ngjashmëritë e etnokulturës mes popullatës së Opojës dhe Gorës, sepse ky si “shkencëtar serb” që e quan veten, së pari nuk ka njohuri me etnokulturën gorane në veçanti, e më së paku më etnokulturën në përgjithësi. Pranimin e Islamit nga popullata e Gorës, Behadin Ahmetoviqi e interpreton sipas politikave të interesave ditore, duke potencuar se: “procesi i islamizimit ka mundësuar shpërnguljen e popullatës josllave. Në shekullin e 17-të, Gorën e përfshin procesi i islamizimit, e kësaj të keqeje iu bashkangjit edhe sëmundja e kolerës, çka mundësoi zvogëlimin e numrit të banorëve me prejardhje serbe”.
Pra, çështjen e islamizimit të banorëve, Behadin Ahmetoviqi e orienton si veprim kundër popullatës serbe, duke krijuar bindjen kështu, gjoja se, në këtë hapësirë paskëshin jetuar serbë. Madje, edhe pranimin e Islamit nga popullata e Gorës, Ahmetoviqi e arsyeton si mbrojtje ndaj të këqijave turke dhe shqiptare që i paskëshin ardhur kësaj popullate nga Gora, duke mos sjellë asnjë argument të vetëm. Më tej, Ahmetoviqi mundohet ta përgjithësojë veprimin individual të ndonjë keqbërësi, siç potencon – nga Luma, me qëllim për të ngjallur urrejtje edhe të kohës së tashme. Në jo pak raste, shumë autorë serbë, janë munduar që të bëjnë propagandën gjoja për zullumin shqiptar që i paskëshin bërë popullatës myslimane të Gorës.
Sikur gjërat që i potencon Behadin Ahmetoviqi, ose më saktë që ripërtyp konkludimet e autorëve të ndryshëm serbë, të supozojmë se janë të vërteta, atëherë lind pyetja: pse pas riokupimit të Kosovës, më: 1912 nga Serbia, nuk u bë procesi i rikthimit të popullatës gorane në ortodokse? Madje, edhe vetë Behadin Ahmetoviqi e pranon se: “kur Kosova dhe Metohija janë çliruar nga turqit, nuk janë kthyer në fenë e parë ortodokse, kur kjo gjë u është ofruar nga ana e udhëheqjes së Mbretërisë Serbe”. Këtu ekzistojnë dy arsye sipas Ahmetoviqit. E para: është se, Mbretëria Serbe qenka e detyruar që këtë gjë të mos e bëjë nga presioni i Bashkësisë Ndërkombëtare, duke theksuar se 9 fshatra gorane i janë bashkuar më 1913 shtetit Shqiptar. Dhe e dyta: sipas Ahmetoviqit qenka se: “goranët tashmë janë gjendur të rrethuar nga shqiptarët, të cilët në këto hapësira, dhunshëm kanë ardhur në kohën e sundimit Turk, të cilët e kanë pranuar Islamin”. Kujt don t’ia shetë këtë gjë të bluar kaq trashë Behadin Ahmetoviqi? Konkludime të tilla antishkencore, nuk ka bluar madje as Akademia Serbe. Nëse 9 fshatra i qenkan bashkangjitur Shqipërisë, atëherë përse banorët e 18 fshatrave në pjesën ë Gorës së Dragashit, dhe 2 fshatra në pjesën e Maqedonisë nuk janë rikthyer në ortodoksizëm? E këtij konkludimi komik, për çudi me një fjali i përgjigjet vet Behadin Ahmetoviqi, duke potencuar: “Është e njohur se goranët si ortodoksë të fundit e kanë pranuar Islamin, dhe është e çuditshme pse nuk u janë rikthyer fesë së tyre”. Çka t’i themi këtij konstatimi të vetë Behadin Ahmetoviqit?
Por Ahmetoviqi, në pamundësi për të dhënë përgjigje në gjërat që pretendon, e madje edhe për të konkluduar gjëra që janë në kundërshtim me vetë deklarimet e tij, antishqiptarizmin e tij shpirtëror, ai nuk e fsheh as në këtë të ashtuquajtur libër shkencor. Kështu ai potencon se, gjatë bisedës që paska bërë me disa qytetarë nga Gora, i paskëshin deklaruar se: “pas Luftës së Dytë Botërore disa goranëve mbiemrave të tyre u janë hequr prapashtesat – ‘iq’ dhe kjo qëllimisht është bërë në favor të politikës separatiste shqiptare, në favor të albanizimit të goranëve”. Një gjë të tillë, autori qëllimisht e politizon, duke ia veshur shqiptarëve sikur vërtet është kështu. Behadin Ahmetoviqi ose nuk e di, ose nuk don ta pranojë se edhe mbiemrave të shqiptarëve, nga Mbretëria Jugosllave, dhunshëm u është shtuar prapashtesa – “viq”. E dihet mirëfilli se si te emrat, po ashtu edhe te mbiemrat, ka ngjashmëri të madhe te popullata e Opojës dhe e Gorës. Prandaj, fatin e njëjtë të vendosjes së prapashtesave në mbiemra nga ana e shtetit serb, e kanë përjetuar edhe popullata e Gorës, deshi apo nuk deshi që ta pranojë këtë Behadin Ahmetoviqi. Është e qartë se Behadin Ahmetoviqi në këtë gjë, ndoshta është nisur nga shembulli i tij personal, ku mbiemrit të tij nga Ahmeti ia ka shtuar prapashtesën, duke e shndërruar në Ahmetoviq. Dhe këtë veprim e ka bërë në kohën e Millosheviqit. Kush ia ndaloi Behadin Ahmetoviqit që ta ndërronte mbiemrin gjatë kohës së monizmit, kur ky ka qenë i involvuar në strukturat politike dhe jo vetëm politike në kohën e monizmit? Dhe jo vetëm kaq! Përse popullata e gjerë nga Gora nuk i ndërruan mbiemrat, ashtu siç bëri Behadin Ahmetoviqi? Madje, këtë veprim ata nuk e bënë as në kohën e Millosheviqit. Por Behadin Ahmetoviqi, qëllimin e ka gjetkë, te instrumentalizimi i tij për ta bërë çdo gjë serbe në trevën e Gorës. E vërteta nuk mund të varroset kurrë nga askush, dhe më së paku nga tipat si Behadin Ahmetoviqi.
Në vazhdim Behadin Ahmetoviqi në këtë të ashtuquajtur libër, e që më shumë i ngjan një pamfleti politiko – propagandistik, shkruan për gjenezën e identitetit të goranëve. Kështu ai në funksion të qëllimit të tij, thërret në ndihmë citate të autorëve serbë, si në këtë rast, citatin nga Dr. Antonieviq, duke shkëputur një punim të tij me titull: “Identiteti i Goranëve”, botuar nga Akademia e Arteve dhe e Shkencave të Serbisë, dhe duke e lexuar në Konferencën Ndërkombëtare: “Pozita e pakicave në lidhjen e Republikave të Jugosllavisë”, Beograd, 1995, ku thotë “Goranët përbëjnë një sistem etno – demografik relativisht homogjen. . . nga rezulton si një identitet etnik i veçantë, si fillim i formimit të grupës etnike gorane”. Gjithashtu, përdor edhe citate nga Dr. Milovan Radovanoviq, Dr. Dragoslav Antonieviq, e ndonjë tjetër. Pra, ky autor, mundohet që, fillimisht të sjell ndonjë citat të përgjithësuar dhe të pranueshëm për të dalë te qëllimi i tij, për vënien e çdo gjëje në interes të Serbisë. “Nga këtu, grupa etnike gorane sipas etnitetit kulturor dhe etno – psikologjik dallon rrënjësisht nga të gjitha popullatat myslimane të tjera në vendet e ish-RSFJ-së, dhe posaçërisht nga shqiptarët myslimanë”. Pra, siç shihet, në këtë rast Behadin Ahmetoviqi i jep vetes të drejtë të gjykojë edhe në aspektin etno – psikologjik, duke potencuar gjoja dallimin e popullatës myslimane të Gorës nga popullatat e tjera myslimane në ish RSFJ dhe me theks të veçantë nga shqiptarët. Pse e bën këtë Ahmetoviqi? A ka nevojë për koment? Pra, Ahmetoviq, jo vetëm në aspektin kulturor, por edhe në atë etno – psikologjik don të gjejë dallime me popullatën myslimane të Gorës. Por çuditërisht, nuk e flet asnjë fjalë për dallime të popullatës së Gorës me popullatën serbe. Përkundrazi, mundohet çdo gjë ta relativizojë dhe ta bashkojë për ta konsideruar të njëjtë.
Prandaj, Ahmetoviq më tej deklaron: “Gora dhe grupa etnike gorane paraqesin tampon zonë mes Shqipërisë (rrethi i Lumës), Maqedonisë dhe enklavës shqiptare në Opojë. Me krenari theksojnë se ata janë mbrojtësit e kësaj pjese kufitare të Republikës së Serbisë”. Me këtë konkludim, Ahmetoviq, pa dashje e sqaron vetë çdo gjë. Madje edhe qëllimin e botimit të këtij libri. Nevoja për një tampon zonë mes shqiptarëve dhe Serbisë, i duhet Serbisë, por meqë këtë nuk e ka Serbia, ëndërron që ta përdorë për këtë qëllim popullatën myslimane të Gorës. Në funksion të këtij qëllimi, është vënë edhe Behadin Ahmetoviq përmes të gjitha formave të veprimit. Dhe sërish Ahmetoviq klith duke thënë se: “goranët sipas substratit etno – kulturor të tyre, dhe sipas etnogjenezës, në aspektin e identitetit etnik, rrënjësisht dallojnë nga shqiptarët”. Në këtë rast, edhe lexuesi i rëndomtë do të pyeste se, ku i sheh këto dallime Ahmetoviq mes myslimanëve shqiptarë dhe myslimanëve të Gorës, në aspektet për të cilat ai i jep vetes kompetencë që të flasë.
Me qëllim të vënies në funksion të shtetit serb, dhe manipulimit të popullatës së trevës së Gorës, Ahmetoviq nuk e lë të qetë këtë popullatë që të sillet në mënyrë njerëzore sipas normave të civilizimit botëror, prandaj përmes dredhisë së tijë konkludon se: “sjellja e grupës etnike gorane ka treguar një nivel të lartë të autonomisë edhe nën situatat historiko – politike shumë të papërshtatshme. Kjo ka bërë që etniteti etno – kulturor goran, definitivisht të sublimohet në kategori të veçantë të grupës etnike për të cilën dëshmon edhe deklarimi i goranëve për përkatësinë nacionale dhe gjuhën amtare gjatë regjistrimit të popullsisë më 1991”. Edhe në këtë rast shihet se Behadin Ahmetoviq ka frikë nga vet përkatësia fetare dhe deklarimi nacional i popullatës gorane më 1991. Ai do të dëshironte shumë që, deklarimin nacional ta bënin sipas interesave serbe dhe interesit personal të tij. Pra, Behadin Ahmetoviqi ëndërron dhe lufton për ta bërë serbe tërë popullatën e trevës së Gorës.
Sa i përket regjistrimit të vitit 1991, për të cilin flet, kjo dëshmon qartë se edhe përkundër ardhjes në pushtet të fashizmit serb, me në krye Millosheviqin, popullata e Gorës është detyruar që të regjistrohet, megjithatë nuk pranon që të deklarohet për përkatësi joislame, e më së paku serbe. Ky vendim i Behadin Ahmetoviqit, në fakt është ritransmetim i ideve të Akademisë Serbe. Në funksion të kësaj, Behadin Ahmetoviq, përpos përsëritjeve monotone të gjërave pa asnjë argument, sjell edhe citatin nga Dr. Milovan Radovanoviq, i cili thotë: “Goranët përbëjnë etnitet të atillë, i cili në të dhënat gjeografike dhe etno – kulturore është autonom, vetjak, i veçantë, i cili edhe krahas sfidave të rënda, nuk u bë degë e askujt, madje është shumë afër etnitetit serb dhe etnitetit serbo – mysliman të Serbisë së Vjetër, kurse në aspektin etnokulturor organizim patriarkal inkopatbil me etnitetin shqiptar. . ., për këtë edhe Gora është tampon zonë e rrethit shqiptar”.
Pra, në këtë rast kemi të bëjmë me të njëjtin mendim, afërsisht me të njejtat shprehje si dhe për të njëjtin qëllim.
E tëra kjo, sa u tha, ka të bëjë me pjesën e parë të librit në fjalë. Kurse, pjesën e dytë të këtij libri, Behadin Ahmetoviq, e nis me një shkrim: “Gora dhe Goranët”, libër që nuk i plotëson as kriteret e një shkrimi publicistik, ku brenda gjysmë faqeje libri, i përzien gjërat që nga viti 1913 e deri te UNPROFOR-i. Në vazhdim të kësaj pjese, paraqet vendbanimet e Gorës duke përdorur të dhëna të ndryshme për këto vendbanime nga literatura serbe, ku përshkruan numrin e popullsisë, vendndodhjen e vendbanimit, migrimet e ndryshme, etj..
Në pjesën e tretë, paraqet arsimin në Gorë, duke përmendur emrat e shkollave fillore në të gjitha fshatrat. Pastaj bën fjalë për kushtet kadrovike të sistemit arsimor, shëndetësor dhe mbrojtjes sociale të komunës së Gorës, për të folur pastaj për: kulturën, informimin për revistën “Glas Gore”, “Radio Gorën”; pastaj për sintagmën “Gora për Serbinë – Serbia për Gorën”, për të kaluar më tej në ekonominë e komunës së Gorës, ku përmend emrat e 86 firmave të ndryshme që kanë funksionuar deri në këtë kohë, në këtë trevë.
Në pjesën e katërt, paraqet kulturën folklorike dhe krijuseit nga Gora, ku krahas transmetimit të të dhënave të Boban Vladimirit, Milisav Lutovac, Radoslav Zlatanoviqit; ripërsërit edhe gjërat nga shkrimet e Harun Hasanit për këngët nga treva e Gorës, për të përfunduar kështu në mënyrë telegrafike me disa fjalë për: gjuhën, veshjen, dhe karakteristikat psikologjike të goranëve. E tëra kjo, përfshihet në një faqe e gjysmë.
Në vijim, Behadin Ahmetoviq, paraqet krijuesit bashkëkohor të Gorës, dhe nga Gora, duke përmendur emra të përveçëm, të cilët i paraqet edhe me biografi të veçantë. Në veçanti, përmes të dhënave biografike tregon për disa individë, për pjesmarrjen e tyre në forume e institucione të ndryshme shtetërore të Serbisë, për të vazhduar pastaj me paraqitjen e goranëve të njohur dhe të suksesshëm, ku është treguar i kujdesshëm sidomos për përkatësinë politike dhe partiake të disa individëve që prezanton.
Në pjesën e pestë, flet për sportin e Pelivanëve në Gorë; për adetet e fejesës dhe dasmës; për Shëngjergjin në Gorë, shkrim me të cilin përfundon përmbajtjen e njësive të ashtuquajtura autoriale.
Por kjo nuk është e tëra. Në pjesën e gjashtë të librit, Behadin Ahmetoviq tregon edhe arsyen e botimit të këtij libri, me të tëra pehlivanllëqet e tij, ndonëse të padeklaruara. Në këtë pjesë, Behadin Ahmetoviqi ka mbledhur shumë shkrime të disa autorëve të ndryshëm, të cilët janë të botuara në gazetat dhe revistat serbe, e që kanë të bëjnë me: mendime, opinione, polemika rreth etnogjenezës dhe prejardhjes së goranëve. Kështu ai në këtë libër prezanton shkrime nga: Dr. Ranko Petkoviq, Mitar Peshikan, Dr. Blazhe Ristovski, Ramadan Dervishi, Dr. Voja Dimitrijeviq, Mr. Vehbia Hajradini, Branko Kavkale, Azar Zuli, Lakiq K. Akoviq, Mashan Boshkoviq, Fejzo Kamberi, Zukrija Husein, Zejnel Zejneli, Haxhi Mitat, etj, e që të gjitha këto shkrime janë botuar në gazeta e revista serbe, si: “NIN”, “Jedinstvo”, “Oblezhia”, “Politika”, “Interviju”, etj..
Ndërkaq, në pjesën e fundit, në pjesën e shtatë të librit, Behadin Ahmetoviq prezanton lista me emra njerëzish, si: listën e udhëheqësve të rrethit të Gorës, të ish-komunës së Dragashit, dhe komunës së tashme të Gorës, si dhe deputetët krahinorë, republikanë dhe federativë që nga Lufta e Dytë Botërore. Të dhënat për pjesëmarrjen e banorëve të Gorës në Luftën e Dytë Botërore; listën e intelektualëve nga Gora, ku përmend emrat e 402 pjesëtarëve të të dy gjinive. Listën e punëtorëve të arsimit, ku përfshihen 142 emra. Listën e drejtorëve të shkollave fillore dhe të mesme, listën e mjekëve, doktorëve të shkencave, piktorëve, këngëtarëve, krijuesve, listën e fermerëve privatë, listën e ëmbëltorxhinjve, listën e pronarëve të traktorëve dhe makinave të tjera bujqësore, listën e xhamive, listën e hoxhallarëve, e çuditërisht, jo listën e kurbetqarëve. Sigurisht kjo listë, do t’i dilte e gjatë, dhe këto të dhëna ndoshta nuk i ka pasur. Por sikur të paraqiste listën e kurbetqarëve, kjo do të fliste për pozitën socio – ekonomike të banorëve të Gorës, për të cilën vetë Behadin Ahmetoviqi, ka kontribuar që të ndahet treva e Gorës si komunë në vete, duke e përjashtuar trevën e Opojës nga kjo komunë. E tëra kjo, është bërë për interesa politike të shtetit Serb. Për ruajten e oazës sllavofone, që të instrumentalizohen më lehtë njerëzit e kësaj treve, si dhe të frikësohen, duke i detyruar të jenë qytetarë lojalë të shtetit serb, duke i mbajtur sa më larg nga shqiptarët.
Libri ka 186 faqe, i shtypur në 1000 kopje në çirilicë. Botuesi është Mr. Pavel Xheletoviq Ivanov, lekturën e ka bërë Mr. Milena Gavriloviq, kurse korrekturën Vesna Vukojeviq.
Çuditërisht ky libër nuk përmban as recensent dhe as redaktor. Në istancën e fundit mund të thuhet se, ky libër është vetëm një tentim i Behadin Ahmetoviqit për të bërë libër. Ahmetoviqi ka tentuar që të fluturojë, por pa e kuptuar se nuk fluturohet pa pasur flatra, dhe aq më pak, të mund të fluturohet me flatra të huaja. Përpos realizimit të dëshirës për t’u bë argat i Serbisë në propagandë politike, ky libër nuk është asgjë më shumë.

Postimet e fundit !