Lëvizja\UÇK

Qemal Aliu: Familje e idealeve dhe sakrificave të mëdha – në 40 – vjetorin e Pranverës Shqiptare ’81

Ismajl Haradinaj, Hero i Kosovës, kryetar i Komitetit të LNÇKVSHJ-së të Deçanit, ish-i burgosur politik, pos vetes, në vitet e tetëdhjeta, inkuadroi në Lëvizjen tonë kombëtare edhe gati tërë familjen e tij.

——————————————————————————————————-

Ismail Haradinaj (1943-2009) nga Gllogjani i Deçanit, ishte njëri prej ideologëve dhe organizatorëve të shquar të Lëvizjes sonë kombëtare të viteve ’70-’80-të, bashkëveprimtar i Metush Krasniqit, Adem Demaçit, Jusuf Gërvallës, Kadri Zekës, etj., kryetar i Komitetit të Vendit të Lëvizjes Nacionalçlirimtare të Kosovës dhe Viseve të tjera Shqiptare nën ish-Jugosllavi në Deçan dhe për një periudhë edhe kryetar i të gjitha Komiteteve të Rretheve të LNÇKVSHJ-së, që vepronin brenda në Kosovë.I arrestuar në prill dhe i dënuar në gusht të vitit 1981, me 14 vjet burg të rëndë, për veprimtari atdhetare, është njëri prej të burgosurve politikë më të torturuar e më të keqtrajtuar në burgjet jugosllave pas Luftës së Dytë Botërore, por njëherësh është edhe njëri ndër të burgosurit politikë më të pathyeshëm. Ishte i burgosuri i fundit politik nën ish-Jugosllavi, që është liruar pas amnistisë së vitit 1991.Në veprimtarinë ilegale të kohës ai e aktivizoi edhe tërë familjen e tij: djemtë, Naimin, Nasimin e Agronin dhe vajzat,Shqipen e Naimen, të cilët kush më pak e kush më shumë u burgosën e u persekutuan nga regjimi i kohës. Kësisoj, tërë familja e tij u shndërrua në një ikonë të atdhetarisë, në një vatër të idealeve dhe sakrificave të mëdha.Mësuesi Ismajl Haradinaj, deri sa ishte gjallë, me shembullin e tij, edukoi dhe frymëzoi breza të tërë se si duhet qëndruar e luftuar për atdhe. S’ishte e rastësishme, prandaj, edhe lufta e UÇK-së, që solli çlirimin përfundimtar të Kosovës nga pushtuesi shekullor, kurse djemtë e tij, Nasimi e Agroni, të jenë luftëtarë të denjë të saj, sikurse edhe kusherinjtë e tij: Luan, Shkëlzen, Ramush e Daut Haradinaj, por edhe qindra e mijëra luftëtarë të tjerë të lirisë, anembanë Kosovës.Fatkeqësisht, edhe sot, djali i tij, Nasimi, po përballet me gjykata në mbrojtje të këtij ideali më sublim për kombin, me bindjen se luftëtarët e UÇK-së po akuzohen pa të drejtë në Hagë.Në këtë 40-vjetor të burgosjes së Ismajl Haradinajt dhe gati të gjithë familjarëve të tij, si edhe të anëtarëve të tjerë të Komitetit të LNÇKVSHJ-së të Deçanit, këtu po e sjellim fjalën e rastit të Nasim Haradinajt, ish-i burgosur politik, luftëtar I UÇK-së dhe djalë i Ismajl Haradinajt, të mbajtur në Akademinë solemne, në Deçan, në 30-vjetorin e Demonstratave ’81. Në te shpaloset në detaje veprimtaria e Ismajl Haradinajt dhe Komitetit të LNÇKVSHJ-së të Deçanit në vitet ’80.“ Paraqitja e drejtë dhe reale e luftës shekullore të popullit shqiptar të Kosovës nuk mund të kalohet pa i trajtuar ngjarjet historike të vitit 1981, ngjarje këto që i dridhën dhe i shembën themelet e ish-Jugosllavisë.Këto ngjarje ishin proceset e para masive pas vitit 1945 që unisuan dhe bashkuan popullin shqiptar në luftë për liri dhe pavarësi. Dhuna, terrori, burgimet, diferencimet, largimet masive nga puna e shantazhimet tjera të pushtetit të atëhershëm e unisuan popullin shqiptar si kurrë më parë për t’i bërë ballë gjithë asaj katrahure që Serbia bënte mbi popullin shqiptar.Në demonstratat e vitit 1981 morën pjesë shqiptarë nga të gjitha trojet etnike shqiptare: nga Kosova, Maqedonia, Kosova Lindore, Mali i Zi e diaspora. Këto demonstrata unisuan emigracionin shqiptar anekënd rruzullit tokësor, nën moton: Një komb, një gjuhë, një flamur.Në këto demonstrata të përgjakshme, u theksua pjesëmarrja e femrës shqiptare, si faktor aktiv përkrah vëllezërve, shokëve, burrave, e djemve të tyre.Parullat dhe afishet e asaj kohe kishin një vizion të qartë, kishin një synim dhe një kërkesë që ishte domosdoshmëri e kohës: “Poshtë shovenizmi jugosllav”, “Duam Republikë, “Rroftë Lëvizja Çlirimtare e Kosovës”, “Duam bashkimin e trojeve shqiptare”, “Trepça punon – Beogradi ndërton”, “Duam bashkimin e viseve shqiptare”, “Duam shokët të lirohen nga burgu”, “Trepça është e jona”, “Rrnoftë Adem Demaçi”, “Milici, larg duart nga Kosova”, “Shovenizmit jugosllav po i vie fundi, por edhe ju bashkëpunëtorë të tyre i keni ditët e numëruara” e qindra parulla tjera që u bënë themel dhe platformë e organizatave dhe grupeve tjera ilegale që do të pasojnë pas vitit 1981.Demonstratat studentore e gjithëpopullore të vitit 1981 arritën ta demaskojnë demagogjinë titiste që ishte ndër më të rafineruarat e kohës. Drejtuesit e këtyre demonstratave u bënë ideologë të lëvizjeve që pasuan pas këtyre demonstratave, të cilat u shndërruan në një forcë goditëse ndaj sistemit robërues të ish-Jugosllavisë, duke krijuar një vetëdije kombëtare të cilën më vonë e shndërruan në një frymë të unitetit gjithëkombëtar.Parulla e asaj pranvere të vitit 1981, “Republikë, kushtetutë ja me hatër ja me luftë!” ishte një dëshmi tjetër, qysh atëherë ishte një sinjalizim pararendës i një bërthame të kësaj force që më emrin USHTRIA ÇLIRIMTARE E KOSOVËS, u shfaq në momentin më të duhur historik, për mbrojtjen e popullit dhe tokave shqiptare, që ishte përpjekje dhe dëshirë brezash të gjakosur shekuj me radhë.Shkëndijat e organizimit të demonstratave të vitit 1981, dukeshin më herët. Në vjeshtën e 1979-ës, Titoja, e vizitoi Kosovën, ndërkaq LNÇKVSHJ kësaj vizite iu përgjigj me shpërndarje të trakteve e pamflete anekënd Kosovës. Në rajonin tonë, ky aksion pasoi me arrestimin Hysen Gërvallës dhe të Malë Morinës, që të dy veprimtarë të kësaj organizate, ndërsa disa nga shokët e tyre, atëherë nxënës gjimnazi, si: Isa Mahmutaj, Haxhi Berisha, Isuf Ukëhaxhaj e Ahmet Mahmutaj, me të cilët kishin vepruar, nuk u prekën. Hyseni u dënua me 3 vjet burgim, Malë Morina lirohet nga paraburgimi (për t’u vrarë disa vite më vonë në rrethana të pasqaruara). Në anën tjetër, Jusuf Gërvalla arriti të largohet nga Kosova dhe u vendos në Gjermani.Në periudhën 1979-1981, pas rënies në burg të shokëve, Ismajl Haradinaj arriti të riorganizojë radhët e ilegales. Ishte kryetar i të gjitha Komiteteve të Rretheve të LNÇKVSHJ-së që vepronin brenda në Kosovë, dhe njëkohësisht kryetar i Komitetit të Vendit të LNÇKVSHJ-së në Deçan, i themeluar më 28 qershor 1980. Në këtë periudhë kishte themeluar Komitetet e Rretheve të LNÇKVSHJ-së në Drenicë (në krye me Bajram Gashin), në Mitrovicë (në krye me Bislim Bajramin), në Llap (në krye me Beqir Hajrizin), në Gjakovë (në krye me Muhamet Rugovën), pastaj në Gjilan, në Shkup, Shtutgard dhe në Stamboll, si dhe celula të tjera të themeluara e në themelin e sipër.Organizata LNÇKVSHJ, në programin e saj parësore kishte luftën e armatosur për çlirimin e viseve shqiptare të mbetura nën ish-Jugosllavi dhe bashkimin e natyrshëm me shtetin amë – Shqipërinë.Lidhjet e para dhe kryesore në mes Jusuf Gërvallës dhe Komitetit të Rrethit të Deçanit, selia e të cilit ishte në Gllogjan, i ka mbajtur Naim Haradinaj, djali i Ismajl Haradinajt. Naimi ka mbajtur lidhje të vazhdueshme me Jusufin dhe ka qëndruar një kohë të gjatë tek Jusufi në Gjermani. Në gusht të vitit 1980, Naimi e ka sjellë nga Gjermania numrin e parë të “Lajmëtarit të Lirisë”, i cili është shpërndarë në mbarë Kosovën. Ai i kishte sjellë edhe dy radiolidhje gjashtë-kanalëshe, të cilat funksiononin në largësi 12 kilometra vijë ajrore. Radiolidhjet kanë qenë të vendosura në shtëpinë e Ismajl Haradinajt dhe janë përdorur për nevoja të organizatës. Pos këtyre, Naimi kishte sjellë në Kosovë edhe pjesë të projekt-statutit të LNÇKVSHJ-së që ishte në punim e sipër.Pos Naim Haradinajt, me Jusuf Gërvallën ka mbajtur lidhje edhe Nazmi Selmanaj, anëtar i Komitetit të Vendit në Deçan, të cilin e kishte ngarkuar me detyrë Smajl Haradinaj në Gjermani, në prill të vitit 1980. Nazmiu atje qëndroi disa muaj. Prej andej kishte sjellë porosi dhe rekomandime me gojë që vinin nga diaspora, gjegjësisht Jusuf Gërvalla me shokë, të cilët e përfaqësonin këtë grup në diasporë. Nazmiu gjatë qëndrimit në Gjermani tek Jusufi kishte mbajtur lidhje me anëtarët e Komitetit të Vendit dhe ia kishte mbajtur Jusufit disa lidhje në Prishtinë.Naim Haradinaj në bashkëpunim me Haxhi Berishën e Prapaçanit dhe shokët tjerë ishin të ngarkuar nga Këshilli i Përgjithshëm i Komitetit për Diasporë që të mbledhin fonde dhe të blejnë shtypshkronjën për ta shtypur “Lajmëtarin e Lirisë”. Ishin të ngarkuar edhe me detyra tjera të çështjeve organizative në diasporë. Të dy ekskluzivisht ishin në dispozicion të Jusufit.Ndërkaq, statusin e organizatës ilegale të Komitetit të Vendit nga Gjermania në Gllogjan e ka sjellë Misin Mavraj.Në gusht të vitit 1980, Ismajli qëndroi disa ditë në Gjermani, për t’u konsultuar me Jusuf Gërvallën, të cilin e njoftoi me veprimtarinë që po zhvillohej në Kosovë. Ata i kishin diskutuar dhe harmonizuar të gjitha çështjet që kishin të bënin me veprimtarinë e ardhshme të Komitetit të Vendit.Në shtator të vitit 1980, Komiteti i Vendit, mbajti një mbledhje në periferi të Gjakovës, në të cilën, Ismajl Haradinaj, i njoftoi anëtarët me udhëzimet që kishte marrë nga Jusufi për veprimtarinë e ardhshme, duke përfshirë këtu edhe specifikimin e detyrave. Kështu, Ismajl Haradinaj, zgjedhet kryetar i Komitetit, Hasan Ukëhaxhaj – sekretar dhe Avdullah Hasanmetaj – arkatar.Këso kohe, Gllogjani, Deçani, Gjimnazi “Vëllezërit Frashëri” ishin bërë burimi kryesor i takimit të pjesëtarëve të kësaj organizate, por edhe bazë ku bëhej shkëmbimi i informacioneve dhe i materialeve ilegale që vinin nga diaspora dhe Shqipëria.Aktiviteti i këtij grupi kishte shënuar progres në aspektin organizativ, ishin krijuar celula të reja dhe treshe, sipas rregullave konspirative të grupit. Jashar Salihu mbante kontakte me Xhavit Hoxhën, Ismajl Haradinaj me Ali Dervishajn dhe Nimon Mustafajn, bashkëpunoi edhe me Bajram Gashin, veprimtaria e të cilit zhvillohej në Drenas. Rreth Bajram Gashit bashkohen ndër të tjerë Ismet Sopi, Alush Thaqi, Halil Kuliqi, Naim Bujupi, Qerkin Sopi, Nuhi Sopi, pas të cilëve qëndronin edhe veprimtarë të tjerë.Veprimtaria e tyre ishte mjaft e begatshme. Ajo kulmoi me organizimin e demonstratave në pranverën e vitit 1981 në Drenas. E njëjta mund të thuhet edhe për grupin e Mitrovicës, të cilin e formoi Bislim Bajrami me veprimtarët Jakup Shytin, Bajram Latifin, Smajl Smakiqin, Nebi Sejdiun, Zeqir Muratin e ndonjë tjetër. Demonstratat në qytetin e Minatorëve dhe në Vushtrri ishin kryesisht vepër e tyre. Ndërkaq, i përzgjedhuri i Xhavit Hoxhës, Beqë Hajrizi, e formoi grupin me këta veprimtarë: Zahir Fetahu, Gani Osmani, Arif Maloku, Bedri Avdullahu, Xhafer Hoti, Hilmi Zejnullahu e ndonjë tjetër. Edhe ky grup e zhvilloi një aktivitet të dendur në prag dhe gjatë zhvillimit të demonstratave në Besianë (ish-Podujevë).Në aspektin organizativ, Hasan Ukëhaxhaj bashkëpunoi me Muhamet Haklaj etj., ndërsa Avdullah Hasanmetaj e angazhoi Bislim Bajramin nga rrethi i Mitrovicës dhe Zade Kuqin, kurse Dinë Ahmetaj punoi me Emrush Lokaj dhe Sylë Gjaferaj nga Raushiqi; Drita Kuqi me Hidajete Shabanin nga Gjilani dhe Haxhi Haxhiun nga Botusha. Ndërkaq Xhavit Hoxha e angazhoi Beqë Hajrizin nga rrethina e Besianës dhe e mbante lidhjen edhe me grupin e Gjakovës që drejtohej nga Muhamet Rogova.Në kuadër të Komitetit të Vendit të LNÇKVSHJ-së vepronte edhe grupi i të rinjve me emrin Shqiponja. Bërthamën e këtij grupi e përbënin Nasim Haradinaj (kryetar), Mustafë Bajramaj, Rasim Selmanaj, Sokol Mustafaj, Rexhë Mehmetaj, etj., të cilët kishin edhe pseudonimet e tyre. Këtyre të rinjve u bashkëngjiten edhe shumë të tjerë dhe zhvilluan një veprimtari shumë të të dendur dhe të pazëvendësueshme, shkrimin dhe shpërndarjen e trakteve dhe një varg aktivitetesh tjera që ishin në përputhshmëri programore me politikën e Komitetit të Vendit, si: Dukagjin Gërvalla, Naim Mustafaj, Islam Mustafaj, Ramë Hasanmetaj, Faton Mehmetaj, Bajram R. Mehmetaj nga Gllogjani, Shaqë Qerimaj, Isa Hasanaj, Bajram Mazrekaj, Ibrahim Çekaj, Sadik N. Çekaj, Sokol Gjoci, Malë Lokaj, Fatime Lokaj, Isa Jasiqi, Ismet Neziraj, Saim Tahiraj, Haxhë Çestaj, Zejnije Lokaj, Selim Bozhdaraj, Ali Selmanaj etj.Grupi “Shqiponja” ishte mjaft aktiv edhe gjatë vitit 1981.Ata arritën të grabitin shaptilografin në Gjimnazin “Vëllezërit Frashëri”, siguruan makinën e shkrimit, shkruan dhe shpërndanë mijëra parulla atdhetare, i hoqën tabelat treguese të rrugëve, të vendosura me qëllim të sllavizmit të vendit, etj. Edhe pse vendi ishte në zjarr, i shtypën dhe i shpërndanë traktet në fshatrat e komunës së Deçanit, përmes të cilave populli thirrej në demonstratë, ndonëse territori ishte mbushur përplot me polici dhe ushtri jugosllave.Pas një veprimtarie të gjatë dhe të bujshme të Komitetit të Vendit të LNÇKVSHJ-së në Deçan, pjesëtarët e këtij grupi arrestohen më 3 prill 1981, e më 6 gusht të të njëjtit vit, Gjykata e Qarkut në Pejë, ua shqiptoi dënimet prej 3 deri në 14 vjet burgim. Kryetari i grupit, Ismajl Haradinaj, u dënua me 14 vjet burgim të rëndë; Hasan Ukëhaxhaj (11 vjet burg), Avdullah Hasanmetaj (9 vjet), Jashar Salihu (7 vjet), Drita Kuqi (6 vjet), Nazmi Selmanaj (5 vjet), Xhavit Hoxha (4 vjet), Ali Dervishaj (4 vjet), Muhamet Haklaj (3 vjet), Dinë Ahmetaj (3 vjet) dhe Nimon Mustafaj (3 vjet).Po ashtu dënime të rënda iu shqiptuan edhe pjesëtarëve të grupit të të rinjve. Nga grupi i të rinjve prej 1 deri në 7 vjet u dënuan 11 veprimtarë: Bajram Mehmetaj, Shaqë Qerimaj, Isa Zhel Hasanaj, Islam Mustafaj, Ali Selmanaj, Nasim Haradinaj, Haxhë Çestaj, Sokol Mustafaj, Selim Bozhdaraj, Mustafë Bajramaj, Ramë Hasanmetaj. Ndërkaq, për kundërvajtje u dënuan: Hatmone Haradinaj, Ibrahim Çekaj, Rasim Selmanaj, Ismet Neziraj, Shqipe Haradinaj, Sadik Çekaj, Florie Haklaj, Dukagjin Gërvalla, Naim Mustafaj, Time Mehmetaj, Dervish Krasniqi, Ismet Mehmetaj, Isa Jasiqi, Emine Mehmetaj, Xhevat Ibërhysaj, Gjejlone Gjikokaj-Haradinaj, Rexhep Mushkolaj, Kumrie Haklaj etj. Shumica prej tyre ishin nxënës të Gjimnazit ”Vëllezërit Frashëri” e ndonjë prej tyre sapo i kishte lënë bankat e kësaj vatre arsimore për t’u ulur në ato të Universitetit. Gjatë vitit 1981 janë larguar nga procesi mësimor profesorët: Hajdar Salihu, Nezir Hasanmetaj, Musa Jasiqi, Halil Berisha, Binak Kuqi, Miftar Hasanmetaj, Bajram Mehmetaj me të vëllanë Ahmet Pozhari, Emrush Lokaj, Jusuf Selmanaj etj.As burgosjet e një plejade të atdhetarëve të komunës së Deçanit me rrethinë por as rënia e mëvonshme heroike e Jusufit me të vëllanë Bardhoshin dhe Kadri Zekën nuk i frikësoi as nuk i ligështoi veprimtarët tjerë që mbetën jashtë grilave. Kështu, në vitin 1982 u dënuan Adem Çekaj, Fadil Bufaj, Adem Agaj, Selmon Fetaj, Avdi Qerimaj, Agron Haradinaj. Ndërsa për kundërvajtje u dënuan nxënësit: Shkëlzen Mahmutaj, Zejnie Lokaj, Cenë Aliçkaj, Faik Ukëhaxhaj, Isuf Hasanmetaj, Selvie Gashi, Bajram Mulaj etj. Ndërkaq, Zenun Gjocaj e Tahir Geci u dënuan me grupet tjera ilegale në Prishtinë, të cilët për vite me radhë e kishin dhënë kontributin e tyre në gjimnazin ”Vëllezërit Frashëri”. Në gjykatën ushtarake të Nishit qe dënuar Musa Berisha, ndërsa në atë të Lubjanës Faton Mehmetaj. Ndërkaq me veprimtarë të tjerë qenë dënuar Isa Hasanmetaj, Zenel Kadrijaj, Musa Hasanaj, Rrustem Mehmetaj, Salih Ahmeti, Selmon Mulaj, etj.Që nga ajo kohë e deri në fillimin e luftës frontale të UÇK-së asnjëherë nuk ka pushuar aktiviteti i grupeve ilegale në këtë komunë. Si vazhdimësi e këtij zinxhiri që s’u shkëput kurrë, në fillim të vitit 1997, u burgosën dhe u dënuan me dënime të rënda, Agron Tolaj, Arif Vokshi, Agim Hulaj, Selim Lokaj, etj.I gjithë ky gjerdan i atdhetarëve të devotshëm të çështjes kombëtare të vitit 1981, i takojnë një brezi të sakrificës, të cilët tërë veprimtarinë jetësore ia përkushtuan lirisë së atdheut, duke dhënë një kontribut të jashtëzakonshëm në luftë për liri e çlirim. Ata ishin dhe mbetën frymëzim i brezave, ideal i pathyeshëm ndër kohëra dhe shembull i brezit të vet. Ata përfaqësojnë brezin e kompletuar të atdhetarëve, të cilët kurrë nuk ditën të përkulen as të ligështohen para vështirësive të kohës.Jeta dhe veprimtaria e tyre, siç tregoi edhe koha, mori përmasa shumë dimensionale. Tek ata gërshetohet një brez i tërë që përfaqëson një spektër ngjarjesh me karakter historik. Ata ishin bërë mësues shpirtëror të gjeneratave të reja, ishin bërë ushqim shpirtëror, idol i luftës dhe qëndresës.Pasuesit e tyre, u bënë flakadanë që ndritën rrugën e lirisë, për ta çuar deri në fund misionin e çlirimit të atdheut. Veprimtarët e vitit 1981 dhe familjet e tyre ishin vazhdimësi e qëndresës dhe luftërave për çlirim sepse aty kishin gjetur frymëzimin dhe edukimin për t’i shtyrë proceset përpara.Të edukuar dhe frymëzuar nga Ismajl Haradinaj, heronjtë kombëtarë Luan e Shkëlzen Haradinaj, u bënë shtylla vertebrale e luftës çlirimtare në Kosovë. Nën ndikimin dhe edukimin e Xhavit Hoxhës, i vëllai i tij më i ri, Edmond Hoxha, po ashtu ishte njëri ndër prijësit e UÇK-së. Traditën familjare atdhetare e ndoqën edhe dëshmorët tjerë si: Shefqet Mustafaj, Arben Qerimaj, Artan Hasanaj, Burim Mustafaj, Faik Ukëhaxhaj, Agim Selmanaj, Luan Qerimaj etj., duke luftuar e rënë heroikisht në ballë të luftës.Demonstratat e vitit 1981, përjetësisht mbetën një gurthemel i rëndësishëm në Monumentin e Lirisë.Nderim për të gjithë veprimtarët e çështjes kombëtare!Lavdi dëshmorëve të brezit ’81!Lavdi të gjithë dëshmorëve të kombit!”