Dëshiroj të sjell ne vëmendje, jo pa qellim, një kujtim nga i paharruari Kahreman Ylli, një personalitet i rrallë i arsimit e kulturës kombëtare, rektorit që si askush la gjurmë në drejtimin e universitetit dhe në përgjithësi në zhvillimin e arsimit. Unë dhe të tjerë, miq të mi, para e pas meje, kemi qenë me fat që kemi punuar ca kohë afër tij, në komunikime të shpeshta për shkak të detyrës që kishim. Si kujtim më ka mbetur një shënim mbi një material që i kisha dhënë ta lexonte, përgatitur për një aktiv kombëtar për punën me studentët, që përkoi dhe me lëvizjet e studentëve në Francë, që tronditën shoqërinë franceze dhe patën jehonë të gjerë, duke rritur shqetësimin dhe në udhëheqjen e vendit këtu, që për këtë arsye do të ndiqej si asnjëherë dhe përgatitja e aktivitetit. Në shënim ndër të tjera Kahreman Ylli shkruante: “Kam shënuar dy-tri gjera anash dhe shikoji vetë. E më tej vazhdon: “Mendimi shtyn mendimin, sidomos në rastet kur materiali mbi të cilin gjykon, të lejon e të nxit të lëvizësh që ai të shkojë atje ku duhet”. Në këto pak fjalë shprehej gjithçka, edhe vlerësimi, por dhe kërkesa për të vijuar punën që mendimi të shkojë atje ku duhet.

Pa dashur të bëj analogji që s’shkojnë me atë kohë e sidomos me një personalitet si ai, e solla në vëmendje këte për të theksuar që në krye se shkrimet e Milos janë të tilla, një qasje interesante e problemeve të marra në shqyrtim, që të ngacmojnë e të nxitin për të shtyre më tej mendimin mbi to. Milo është ndër të pakët historianë, që mund të përballojë e harmonizojë arritjet e deritanishme në fushën e historisë me kërkesat që shtrohen e objektivat që synohen në projektin e Akademisë së Shkencave, sidomos për Luftën dhe periudhën pas saj, dy periudha të ndërlikuara e të debatuara vazhdimisht e që për këtë arsye kërkojnë dhe një trajtim e kujdes të veçantë.

Në artikuj, Milo sjell disa nga risitë e punimit në dy vëllime mbi luftën. Në to, krahas pjesëve interesante dhe vërtetë të arrira, ku do të veçoja sidomos analizën që u bëhet takimeve e pazareve të Mit’hat Frashërit me Zervën, në dëm të interesave kombëtare, për të koordinuar veprimet për të mos lejuar fitoren e lëvizjeve çlirimtare dhe ardhjen e tyre në pushtet në të dy vendet, pas largimit të trupave gjermane, vihet re dhe një preokupim disi i tepërt, i sforcuar për të zbutur, për të mos thënë zbukuruar atmosferën e atyre viteve, nisur ndoshta nga dëshira për të transmetuar frymën e mesazhet për të cilat ka sot nevojë vendi dhe shoqëria shqiptare. Por, në raste të tilla duhet bërë kujdes që të ruhet masa e gjërave dhe të arrihet harmonizimi i duhur, përndryshe, si pa kuptuar mund t’i hyjmë në hak historisë, për të kënaqur e plotësuar kërkesat e shtypit apo dhe të politikës.

Historia është histori e jo letërsi dhe trillim politik. Ajo mund të mos jetë gjithnjë e këndshme, por është e domosdoshme për të njohur veten, vendin tënd, rrënjët e tua, për të fituar dije e kulturë që të duhen për të përballuar sfidat e jetës. Dhe kësaj i arrihet duke pasqyruar realisht ngjarjet me të cilat u përballën shqiptarët gjatë historisë së tyre, përfshi dhe Luftën Nacionalçlirimtare, pasi në to mishërohet një përvojë jetësore me shumë interes, për të kuptuar se rruga e përshkuar nga të paret tanë nuk ka qenë e lehtë dhe ndryshimi nuk na ka ardhur as nga qielli dhe as duke qëndruar duarlidhur, por me punë e përpjekje vetëmohuese për të shikuar dhe ecur përpara. Prandaj dhe kuadri i tyre, sidomos i luftës, për të cilën ndjeshmëritë janë ende në kuota të larta, çdo rast duhet të mbetet i pa cenuar, i pa prekur, që rryma mos të na çojë në zbutje apo zbukurim të realitetit, pa qenë nevoja. Realiteti duhet të sillet siç ka qenë në atë kohë e jo si i duam apo si i do sot klima që ndryshon vazhdimisht. Nga mënyra se si përshkruhen në artikuj disa takime apo përpjekje për takime në mes përfaqësuesve të Ballit e të Frontit, në bllok, njëra pas tjetrës, me një kërshëri e hera herës dhe eufori, mund të krijohet një përfytyrim jo i drejtë, jo i saktë i vetë kuadrit të luftës dhe raporteve në mes forcave politike në këtë periudhë të ndërlikuar, e kështu të dalim të tërë në një rrugë, me të njëjtat preokupime, angazhime e pse jo dhe ndryshime. Situata nuk ka qenë aq rozë, pasi nuk kanë qenë të gjithë të interesuar e të gatshëm që të hidhen menjëherë në luftë, e ky realitet e gradualitet i procesit nuk ka përse të anashkalohet. Predispozicioni për takime e marrëveshje, siç do të shihet më poshtë, nuk më duket se ka qenë preokupim i vazhdueshëm e aq më shume i sinqertë i të dy palëve.

Milo flet dhe për një takim që qenka bërë mes Enver Hoxhës dhe Safet Butkës, në korrik ‘43 dhe shton se aty kanë biseduar si miq të vjetër që i lidhte kultura e përbashkët franceze dhe puna e përbashkët si pedagogë në gjimnazin e Korçës dhe në një atmosferë të tillë kanë konsumuar së bashku dhe një drekë. Kur ke parasysh klimën që sundonte në vend, është pak e vështirë të besohet se një takim i tillë ka ndodhur, po edhe sikur ta marrim të mirëqenë këtë fakt, nuk besoj se takimi ka qenë aq miqësor, pasi me fillimin e luftës raportet shoqërore, përfshi dhe ato në mes miqsh, nëse vërtetë ishin të tilla, qenë tronditur, duke humbur peshën e ndikimin që kishin patur. Nuk duhet harruar se ndarja e pozicionimi në polë të kundërt ndodhi shpejt dhe ishte aq e thellë, sa që mund të thuhet pa frikë se ato do të kondiciononin sjelljet e qëndrimet e udhëheqësive të dy organizatave, siç thuhet në artikuj, por dhe të njerëzve të thjeshtë që kishin aderuar në to. Dhe kjo do të reflektohej dhe në marrëdhëniet njerëzore familjare, shoqërore, përfshi dhe krushqitë e miqësitë. Lufta i ndryshoi, për të mos thënë i rrënoi ato. Gjykimi mbi to do të lidhej e do t’i nënshtrohej një elementi të ri, pushtimit të vendit, gjendjes nën pushtim, pozicionit e qëndrimit ndaj okupatorit. Kështu ndodhi jo vetëm tek ne, por në të gjitha vendet e përfshira në luftë. Bota ishte ndarë në dy kampe dhe kjo ndarje ndodhi dhe tek ne, më shpejt se sa mendohej e në mënyrë më të thellë, për të mos thënë dhe më të ashpër, duke u shtrirë në jo pak raste biles dhe në familje sidomos kur pjesëtarë të saj, inkuadroheshin në forca kundërshtare. Për rrjedhojë s’bëhej fjalë më për biseda pranë gotës së rakisë apo në mes miqsh, pasi i gjithë ambienti ishte politizuar e diferencuar deri në ekstrem. Ky është realiteti, kuadri i luftës, që në asnjë rrethanë nuk mund e nuk duhet hezituar për ta paraqitur siç ka qenë, pa e dramatizuar, por dhe pa e injoruar.

Nëse i qëndrojmë korrekt atij do të kuptojmë që iniciativat për t’u takuar e biseduar mbi mundësitë e bashkëpunimit nuk vinin gjithnjë nga krerët e Ballit, siç thuhet në artikuj. E kundërta ka qenë prezente. Të majtët ishin më të çliruar e më të emancipuar, pasionet e paragjykimet mbaheshin në kontroll, siç e kërkonte situata dhe prona e privilegje që i kishte krahu tjeter, ata nuk i kishin, që të hezitonin të hidheshin në luftë nga frika se mos i humbisnin. Këto rrethana e bënin të majtën më të çliruar e më të predispozuar për afrim e bashkëpunim me të djathtën apo dhe me të paangazhuarit. Që të kuptohet kjo mjafton të sjellim në vëmendje Konferencën e Pezës, 16 shtator 1942, ndërmarrjen e parë serioze në drejtimin e duhur në ato vite. Iniciativa për thirrjen e saj nuk erdhi nga e djathta, nga “baballarët e kombit” që pretendonin monopolin mbi politikën, që sipas tyre e kishin trashëgim denbabaden dhe dinin ta luanin në majë të gishtave. Mirëpo realiteti rezultoje ndryshe. Megjithëse me një barrë mend, ata zgjodhën rrugën më të keqe të mundshme. Nuk e shihnin, nuk e kuptonin apo shtyheshin nga interesat pasurore, privilegjet, nga frika se mos i humbisnin? Ishte një luftë e madhe, e njëherësh dhe provë e madhe kjo që do të niste, në radhë të parë me veten, për të kuptuar momentin historik që kalonte vendi, për të zenë vendin që të takonte e pastaj me të tjerët, me të huajt që kishin shkelur pavarësinë e atdheut. Pushtimi ua hoqi aureolën që mbanin, më shpejt nga sa mund të mendohej dhe opinioni i pa me pamjen e vertetë. Për të përligjur e justifikuar qëndrimin pritës që adoptuan, i bënë thirrje popullit që për momentin lufta, angazhimi në luftë kundër dy fuqive më të mëdha agresore të kohës do të ishte vetëvrasje, që do të çonte në shkatërrimin e vendit dhe asgjësimin e rinisë, të ardhmes së kombit.

Prof. Kristo Frasheri shkruan në kujtime se ditën e agresionit të fashistëve italianë, S. Butka, profesori ynë i respektuar hyri në klasë i përlotur e i dërrmuar nga kjo ngjarje dhe na porositi që të bëni kujdes e të ruani veten, prandaj mos shkoni në grumbullime e demonstrata se do t’u goditin e do t’u vrasin. Mirëpo, pikerisht në rrethanat kur mendohej se pikëpamje të tilla do t’i shtynin e vononin lëvizjet e proceset që i duheshin vendit, në arenën e historisë shqiptare do të lindte një force e re, Fronti Antifashist Nacionalçlirimtar, i krijuar me iniciativen e PK, që do të shpaloste një kredo tjetër filozofike, që në themel kishte jo premtimin se do të hani me lugë floriri, siç është shprehur ndonjë që s’e njeh e s’e imagjinon dot si ishte ajo kohë, kur shumica e shqiptarëve nuk kishin as lugë druri, dhe as qëndrimin soditës, për të pritur kohë më të mira, por veprimin aktiv, pa marrë parasysh sakrificat që kërkoheshin. Dhe të rinjtë e të rejat që mbushën radhët e Frontit e të Lëvizjes, me aktet e njëpasnjëshme të heroizmit e të sakrificës në ballafaqim me forcat okupatore, do të rrëzonin e thirrjet e mentalitetet që përcillnin demagogët e regjimit, por dhe meraqet e profesorëve të ndershëm, njëri prej të cilëve ishte dhe Safeti. Ka qenë me rëndësi të madhe fakti që PK e kuptoi se e vetme nuk do të arrinte të kryente misionin që kish marrë përsipër, të nxirrte vendin nga gjendja në të cilën ndodhej, prandaj duheshin bërë përpjekje për t’u afruar e bashkuar dhe me forcat e tjera patriotike, përndryshe kauza e saj, që mishëronte e shprehte aspiratat e dëshirat e popullit kishte rrezik të dështonte pa u njohur e kuptuar ende nga shtresat e gjera shoqërore.

Me këtë preokupim e predispozicion, jo të stisur por të mishëruar e të kthyer në bindje, ajo pati kurajo të komunikojë e t’u shtrijë dorën e bashkëpunimit e pse jo dhe të bashkimit në interes të vendit figurave të njohura e me autoritet në zona e religjione të ndryshme, pa dallim e paragjykim. Kësisoj u arrit të fitohej besimi e të sigurohej dhe pjesëmarrja e tyre në Konferencën e Pezës, që pati rëndësi vendimtare për suksesin e saj. Nuk ka qenë e lehtë të sigurohej ardhja e A. Kupit, e Bajraktarit të Lumës akoma më shumë, pasi ç’thoshte e premtonte sot i mohonte nesër dhe të tjereve; ulja në një tryezë me delegatët komunistë. Jeta, përvoja, lufta i kishte bindur dy palët, komunistët e nacionalistët patriotë se vetëm të bashkuar, duke lënë mënjanë dallimet ekzistuese, do të mund të ndryshonin rrjedhën e historisë, të çlironin e të shpëtonin vendin, që lëngonte nën një pushtim të egër nazifashist. Me këtë shpresë e besim, shumica e atyre me të cilët u kontaktua e u bisedua me durim, morën rrugën drejt Pezës, për t’u takuar e biseduar dhe me patriotë të tjerë, iniciatorë apo pjesëmarrës në këtë eveniment historik të papërsëritshëm.

Vendimi i parë që mori konferenca ishte pikerisht krijimi i Frontit Antifashist Nacionalçlirimtar, që do të bashkonte shqiptarët pa dallim dhe do t`i mobilizonte e udhëhiqte ata në luftën për dëbimin e okupatorit dhe rivendosjen e pavarësisë. Kësisoj, Konferenca dhe Fronti do të shiheshin e pranoheshin shpejt nga shumica e shqiptarëve si organizime pluraliste që mishëronin interesat e shtresave të gjera shoqërore, çka u jepte dhe të drejtën që të vendosnin për fatet e vendit. E merita për këtë i takonte të gjithë pjesëmarrësve pa të cilët do të ishte e pamundur të arrihej njohja e afirmimi i Frontit si organizatore e udhëheqëse e Luftës, që do t’i kthente vendit pavarësinë e nëpërkëmbur e të mohuar nga nazifashistët.

Kurse A. Lalaj thotë se Fronti nuk u krijua më 1942, por në vitin 1944, kur lufta po shkonte drejt fundit, duke iu referuar mesa duket një vendimi të marrë më 22 tetor 44 në Mbledhjen e Dytë të Këshillit Antifashist, të cilën duket qartë që nuk e njeh, prandaj dhe e keqinterpreton në mënyrë sempliste, duke asgjësuar gjithçka. Aty funksionet e Frontit ndahen nga ato të pushtetit, që deri atëherë qenë kryer nga këshillat nacionalçlirimtare, por këtej e tutje do të kryheshin nga organizmat e shtetit të themeluar në Kongresin e Përmetit, Këshilli i Përgjithshëm Antifashist dhe Komiteti Antifashist, deri në zgjedhjet e para të lira që do të organizoheshin pas çlirimit.

(Vijon