Arkiv / Ripublikim

Prof. dr. Sabit Syla & Prof. dr. Hamit Kaba: Dokumente britanike për Pranverën Shqiptare ’81

             Prof. dr. Sabit Syla & Prof. dr. Hamit Kaba

 DOKUMENTE BRITANIKE PER DEMONSTRAT E VITIT 1981 NE KOSOVE

                                                                                       * * *

Dokumentet britanike për Demonstratat e vitit 1981 në Kosovë, sjellin para lexuesit informacione të rëndësishme, për një ngjarje me shumë interes të historisë bashkëkohore të shqiptarëve. Janë afër 300 faqe dokumente të vjela nga Arkivat Britanike në Londër, të natyrës diplomatike, politike, shoqërore, ushtarake etj. Shumica e dokumenteve i përket korrespodencës së Ambasadës së Mbretërisë së Bashkuar në Beograd, me Ministrinë e Jashtme dhe të Komonuelthit (Foreign and Commonwealth Office – FCO) dhe një numër më i kufizuar informacionesh të përcjella nga Konsullata e Përgjithshme Britanike në Zagreb. Dokumentet përfshijnë edhe korrespodencën  diplomatike të ambasadave të Madhërisë së saj, në: Athinë, Ankara, Moskë, Vjenë e deri në Abu Dhabi [Emiratet e Bashkuara Arabe], me Londrën. Pjesa më e rëndësishme e kësaj korrespodence i është bërë e njohur edhe Uashingtonit, me të cilin Londra konsultohej herë pas here dhe, siç dëshmojnë dokumentet, duket se ndanin edhe qëndrime të përbashkëta.

Një vend të konsiderueshëm zënë edhe artikujt e shtypit të vendeve perëndimore. Imazhet e para të qëndrimeve të diplomacive perëndimore ndaj Demonstratave të vitit 1981 në Kosovë, dhe ndaj çështjes shqiptare, u përcollën pikërisht përmes këtyre artikujve. Në të vërtetë, disa prej shkrimeve të shtypit perëndimor dhe sidomos të atij austriak e gjermano-perëndimor shprehnin më qartë përmasat reale të asaj që po ndodhte në Kosovë në pranverën e vitit 1981, të egërsisë me të cilën u soll Jugosllavia ndaj demonstruesve dhe intelektualëve shqiptarë gjatë dhe pas demonstratave. Në ndonjë dokument specifik të këtij botimi do të pranohej e argumentohej juridikisht legjitimiteti dhe drejtësia e kërkesës kyçe “Kosova Republikë”.

Tematika e këtyre dokumenteve është e pasur dhe e larmishme, por, përmbajtja e saj mund të rivijëzohet në disa drejtime, të cilat fokusohen: tek  nacionalizmi i shqiptarëve të ish-Jugosllavisë; tek shkaqet e Demonstratave të mars-prillit të vitit 1981; tek kërkesa kryesore e tyre “Kosova Republikë”; tek roli i Shqipërisë në këto demonstrata dhe tek marrëdhëniet e saj me Jugosllavinë; tek politika zyrtare e Britanisë së Madhe ndaj Jugosllavisë dhe kërkesave të shqiptarëve; tek reagimi i organeve të larta partiake e shtetërore në  Serbi e  Federatë, gjatë dhe pas demonstratave; tek qëndrimet e dyzuara të udhëheqësve shqiptarë në Kosovë; tek analizat interesante për kushtetutshmërinë e kërkesës së demonstruesve “Kosova Republikë”; tek hamendësimet intriguese për vdekjen e papritur të kryeministrit të Shqipërisë, Mehmet Shehu etj.

Hartuesit e dokumentacionit në përgjithësi i gjejnë rrënjët e krizës brenda Jugosllavisë dhe jo jashtë saj, në kundërshtim me përpjekjet e udhëheqësve jugosllavë, që i kërkonin ato jashtë Jugosllavisë, kryesisht tek politika e shtetit shqiptar apo e Bashkimit Sovjetik. “Nacionalizmi në Kosovë, përmendet me të drejtë në një informacion të Ambasadës britanike në Beograd, është një problem endemik, të cilin as Tito nuk mundi ta zgjidhte”. Dokumentacioni hap rrugën për një analizë më realiste e më të plotë të Demonstratave të vitit 1981 në Kosovë.

Politika zyrtare britanike e vitit 1981 ishte për ruajtjen e Jugosllavisë dhe të tërësisë së saj territoriale, ndërsa kërkesa e shqiptarëve “Kosova Republikë” shihej me dyshim dhe rrezikshmëri, sepse pranimi i saj mund t’i hapte rrugë shpërbërjes së Jugosllavisë dhe hapjes së  “Kutisë së Pandorës”. Sidoqoftë, nuk do të mungonin edhe gjykimet dhe zërat e veçantë jashtë kuadrit zyrtar, të cilat e konsideronin të drejtë kërkesën e shqiptarëve për barazi brenda Federatës Jugosllave. Disa artikuj të shtypit të këtyre muajve, ndonëse furnizoheshin me “karburant” nga shtypi dhe autoritetet jugosllave, arritën në konkluzione më të drejta se vetë politikanët e shteteve të tyre, duke pranuar opsionin “Kosova Republikë”, madje edhe shkëputjen e saj nga Jugosllavia, duke sjellë si shembull historinë e disa vendeve evropiane.

Qeveria jugosllave, siç dëshmon dokumentacioni, qëllimisht e keqinterpretonte  kërkesën e demonstruesve për “Kosovën Republikë”, me shkëputjen e saj nga Jugosllavia dhe me ndryshimin e kufijve, duke e ditur se një opsion i tillë, do të prishte ekuilibrat dypolarë dhe do të kundërshtohej nga Perëndimi. Në mënyrë jo korrekte dhe të përsëritur, disa politikanë jugosllavë i referoheshin Aktit Final të Helsinkit, për pandryshueshmërinë e kufijve evropianë të vendosur pas Luftë së Dytë Botërore, duke “harruar” të përmendnin një nga nenet e tij, i cili i hapte rrugë ndryshimit të kufijve në mënyrë paqësore. Sidoqoftë, në rrethanat e “Luftës së Ftohtë” ishte gati e pamundur të “kapërceje gardhin”. Frika dhe paragjykimi për tjetrin ishin të pranishëm kudo. Por, studentët, punëtorët dhe intelektualët e Kosovës nuk kërkuan ndryshimin e kufijve, por barazi me republikat e tjera të ish-Jugosllavisë.

Në ndonjë dokument të këtij vëllimi vihet në dukje një tipar i veçantë i nacionalizmit shqiptar – prirja drejt të drejtave kombëtare dhe jo drejt lirive individuale, sikurse ndodhte në vendet anëtare të KSBE-së, ku bënte pjesë edhe Jugosllavia. Prirja për të drejta dhe liri individuale, ishte karakteristike për vendet ish-komuniste të Evropës Qendrore e Lindore, [ndonëse edhe Jugosllavia kishte problemet e veta], por, tek shqiptarët interesat kombëtare kishin fituar prevalencë mbi liritë dhe të drejtat e njeriut, për kohën kur u hartuan këto dokumente.

Dokumentet nuk i shpëtojnë dot subjektivizmit dhe këndvështrimeve të ndryshme, jo thjesht se ato janë ushqyer nga burime zyrtare jugosllave, por kryesisht për shkak të “doganës” që vë koha. Por, kjo nuk e cenon vlerën e tyre. Publikimi i këtij korpusi dokumentar do ta pasurojë më tej njohjen tonë për Demonstratat e vitit 1981 në Kosovë, do të na ndihmojë të gjykojmë më mirë për historinë e saj, për njerëzit që morën pjesë dhe mbi të gjitha për drejtësinë e kërkesës “Kosova Republikë”. Viti 1981 shënoi një pikë kulmore të kërkesave kombëtare të shqiptarëve, por jo fundin e një rruge të gjatë, e cila do të vazhdonte dhe do të kurorëzohej vetëm në fillim të shekullit të XXI, me shpalljen e shtetit të pavarur të Kosovës.

Shpresojmë dhe besojmë se publikimi i këtij vëllimi origjinal dhe intrigues do të tërheqë vëmendjen e lexuesit të thjeshtë, studiuesve të shkencave shoqërore, e veçanërisht të historianëve. Interesi besojmë se do të jetë i shumëfishtë për njerëzit që bënë historinë në ato vite, të cilët janë ende gjallë. Dokumentacioni është përcjellë sipas kronologjisë së ngjarjeve, pa i cunguar e hequr pjesëza nga trupi i tyre.

                                                      Prof. dr. Sabit Syla & Prof. dr. Hamit Kaba

                                                                 

                                                                               -116-

J C R Gray Esq                                                                                        Ambasada britanike

EESD                                                                                                                        Beograd

FCO                                                                                                                  9 nëntor 1981

I nderuar Charles,

                                                                     Kosova: situata politike

 Komiteti Qendror i LKJ do të zhvillojë një mbledhje më 17 nëntor në të cilën do të shqyrtohet ‘programi i veprimit’ të Partisë për Kosovën. Ndërkohë, vlen të përmenden tri pika.

Situata e sigurisë në Universitetin e Prishtinës

  1. Më 4 nëntor u raportuan disa trazira në Qendrën Studentore në Prishtinë kur një grup studentësh filluan të bërtasin dhe të fishkëllejnë në orën 10.30 të natës. Zhurma vazhdoi për pesë deri në shtatë minuta. Gazeta Politika raportoi më 7 nëntor se përgjegjësit e këtyre ngjarjeve ishin identifikuar dhe se ndaj tyre do të merreshin ‘masa’ (Koment: Kjo është e vetmja shenjë e trazirave në Universitet.
  2. Universitet që kemi parë që kur mësimi rifilloi në tetor dhe duket se ka qenë një incident i vogël, megjithëse duke pasur parasysh masat paraprake të rënda të sigurisë ende të dukshme në Universitet dhe dënimet e dhëna gjatë verës, mund të thuhet se është e çuditshme që ky incident ndodhi).

Shpërngulja e serbëve dhe malazezëve

4          Ka pasur shumë të dhëna (shih letrën time dërguar për ju më 30 shtator, paragrafi 6) në ‘shtypin e Beogradit’ gjatë javëve të fundit për problemin e rëndësishëm të shpërnguljes së serbëve dhe malazezëve nga Kosova, por do të presim një vlerësim zyrtar tëtabllosë së përgjithshme për Krahinën. Megjithatë, raportet e shumta të shtypit sugjerojnë se procesi po vazhdon; gazeta “Politika” e 8 nëntorit raportoi ekzistencën e mentalitetit “ikni sa keni mundësi”, i nxitur nga zërat armiqësore se shpërngulja nga Kosova do të ndalohej së shpejti.

Vahide Dushku

  1. Letra ime përmendte gjithashtu (paragrafi 4) delegaten femër, Vahide Dushku, e cila foli kundër dënimeve të rënda në Kosovë në Mbledhjen e Kuvendit të Kosovës më 25 shtator. Gazeta “Borba” raportoi më 1 nëntor se ajo ishte dëbuar nga Partia se kishte shprehur solidaritet me nacionalizmin dhe irredentizmin. Gjithashtu thuhej se kishte filluar procesi për rikthimin e saj si delegate.

I Juaji

Charles Crawford

Për dijeni: P Rennie Esq

Departamenti i Kërkimit, FCO

                                                                                       -117-

                                                   Kongresi i Partisë së Shqipërisë

 Kongresi i 8-të i Partisë së Punës së Shqipërisë u mbajt më 1-7 nëntor, pesë vjet që nga Kongresi i fundit dhe dyzet vjet që kur u themelua Partia. Në fjalimet e tyre, Sekretari i Parë Enver Hoxha dhe Kryeministri Mehmet Shehu analizuan me një gamë mbresëlënëse përqindjesh në rritje periudhën që prej vitit 1976 gjatë së cilës thuhej se ekonomia ishte mbështetur me sukses në burimet e veta material pa ndonjë përfitim të ndihmës së huaj apo huaje që prej prishjes me Kinën në vitin 1978, kur 50% e tregtisë së huaj shqiptare që zhvillohej me një vend të vetëm, duhej të kalonte menjëherë tek vendet e tjera. Sipas shifrave shqiptare, 41% e tregtisë së saj bëhet me vendet e Evropës Lindore dhe 59% me vendet Perëndimore përfshirë Jugosllavinë, e cila aktualisht është partneri i saj kryesor tregtar. Sukseset e një politike të vetëmbështetjes ekonomike ishin të dukshme në ekonomi, ku për herë të parë importet dhe eksportet pretendohej se ishin në balancë, si dhe në bujqësi, e cila tashmë plotëson nevojat e vendit me grurë dhe artikuj ushqimorë dhe siguron tepricë për eksport. Vendi është i pavarur nga importet e naftës dhe është në gjendje t’i eksportojë Jugosllavisë disa nën-produkte të naftës dhe energji elektrike nga një rrjet i gjerë hidroelektrik. Kjo politikë duhet të vazhdojë gjatë Planit të 7-të Pesëvjeçar (1981-1985), ku do të parashikohet që 46% e investimeve të shkojë për industrinë, veçanërisht atë metalurgjike dhe nxjerrjen e naftës dhe mineraleve. Bujqësia do të marrë 29% të instrumenteve që do t’i kushtohen rritjes së prodhimit të artikujve ushqimorë për të furnizuar nevojat e brendshme si dhe për të parashikuar eksportin e produkteve të përpunuara dhe të papërpunuara. Fermat kooperativë duhet të zhvillohen më tej dhe disa prej tyre duhet të shndërrohen në ferma më të mëdha shtetërore ndërkohë që tokat private do të kufizohen. Duhet të zgjerohet sistemi hekurudhor që u krijua pas luftës dhe të ndërtohet një linjë deri në kufi, e cila do ta lidhë Shqipërinë eventualisht me rrjetin jugosllav. Asnjë folës nuk përmendi asnjë problem nga i cili me siguri,ekonomia duhet të jetë duke vuajtur.

  1. Nuk ka asnjë ndryshim në politikën e jashtme, dhe qëndrimet armiqësore të mbajtura për një kohë të gjatë ndaj bashkimit Sovjetik dhe Shteteve të Bashkuara do të mbeten të njëjta pa asnjë perspektivë të menjëhershme për ndonjë rikthim të marrëdhënieve diplomatike. Kthimi i arit shqiptar i periudhës së para luftës që ruhet nga një komision tre-palësh dhe ndaj të cilit Britania ka pretendimin e saj, mbetet ende një kusht paraprak për çdo rikthim të marrëdhënieve me Mbretërinë e Bashkuar. Shqipëria ka sot marrëdhënie diplomatike me 85 vende, një rritje prej 21 që prej Kongresit të fundit. Marrëdhëniet me fqinjët e saj të Ballkanit janë të mira megjithëse marrëdhëniet me Jugosllavinë janë ndikuar negativisht nga mbështetja e saj duke bërë thirrje për t’i dhënë Kosovës statusin e Republikës në atë vend. Megjithatë, Hoxha tha se nuk kishte pretendime territoriale ndaj Jugosllavisë dhe as ndonjë kërkesë për rregullimin e kufijve. Ai bëri thirrje për paqe dhe stabilitet në Ballkan pa ndërhyrjen e superfuqive, por nuk shkoi deri aty sa të mbështeste propozimet e fundit të Bullgarisë për një zonë pa lëndë bërthamore në rajon. Kjo shmangie e angazhimeve multilaterale, përveç anëtarësimit në Organizatën e Kombeve të Bashkuara dhe disa organe të tjera ndërkombëtare, ishte po ashtu e dukshme në vërejtjet e tij të ashpra për deklaratën “farsë” të Helsinkit dhe planet ‘imperialiste’ të mos-angazhimit dhe rendit të ri ekonomik ndërkombëtar.
  2. Vendi është bashkuar rreth Partisë, e cila do të vazhdojë t’i përmbahet me rreptësi interpretimit të saj të Marksizëm-Leninizmit, duke hedhur poshtë çdo ndryshim të parimeve bazë dhe duke dënuar politikat e pretenduara revizioniste të partive të tjera komuniste. E vetmja parti sunduese që dërgoi një delegat në Kongres, ishte Partia vietnameze, ku të ftuarit e tjerë ishin nga grupe fraksioniste Marksiste-Leniniste përfshirë Sekretarin e Përgjithshëm të Partisë Revolucionare Komuniste të Britanisë së Madhe (Marksiste-Leniniste), Z. David Williams. Anëtarësimi në Parti tani qëndronte në 122,000 ose 4.5% të popullsisë (2,700,000). Tetëdhjetë e një anëtarë u zgjodhën në Komitetin Qendror, ku mosha mesatare ishte 49 vjeç dhe për herë të parë ka në përbërje përfaqësues nga shkenca dhe artet. Hoxha foli për nevojën për të sjellë gjak të ri në udhëheqje dhe kjo solli futjen e anëtarëve të rinj në Byronë Politike, e cila aktualisht ka 13 anëtarë. Por shumica, përfshirë Hoxhën dhe Shehun, respektivisht 73 dhe 68 vjeç, ishin të rizgjedhur.

                                                                                         -118-

Citime nga raporti i Enver Hoxhës paraqitur në Kongresin e 8-të të Partisë së Punës së Shqipërisë mbajtur nga data 1-7 nëntor 1981

 Ndërhyrja në punët e brendshme të RSF të Jugosllavisë:

“Ne prisnim që përmes fitores në Luftën e Dytë Botërore, popujt e të dy vendeve do të korrigjonin gabimet tragjike të së kaluarës”.

“Trajtimi i gabuar në zgjidhjen e çështjeve kombëtare në Jugosllavi daton që në Mbledhjen e Dytë të Këshillit Antifashist (AVNOJ), mbajtur në Jajcë në nëntor 1943. Në këtë mbledhje zonat ku banonin shqiptarët në Jugosllavi, u përdorën si mjet për të rregulluar shkëmbimet territoriale të popullsisë ndërmjet Republikave dhe Federatës, veçanërisht ndërmjet Serbisë, Maqedonisë dhe Malit të Zi”.

Pjesa më e madhe e Kosovës i është dhënë Serbisë dhe pjesa e mbetur është ndarë midis Maqedonisë dhe Malit të Zi.

“Republika e Kosovës do të kishte sjellë përqendrimin territorial të popullsisë shqiptare në Jugosllavi, gjë që do të kishte shkaktuar shkëputjen e disa zonave të populluara nga shqiptarët prej Serbisë, Malit të Zi dhe Maqedonisë dhe përfshirjen e tyre në territoret shqiptare”.

  1. Pretendimet territoriale të Republikës Popullore Socialiste të Shqipërisë në drejtim të RSF të Jugosllavisë:

“Gjatë bisedës time me Titon në vitin 1946, unë shpreha mendimin e palës shqiptare se Kosova dhe pjesë të tjera të populluara nga shqiptarët, i përkisnin Shqipërisë dhe se ato duhet t’i ktheheshin asaj. Shqiptarët luftuan për lirinë dhe sovranitetin e Shqipërisë në të cilën duhet të përfshihen pjesët e tjera shqiptare në Jugosllavi”.

“Parimet themelore të Federatës jugosllave përmbajnë padrejtësi në drejtim të popullsisë shqiptare: shqiptarët nuk mund të mbajnë më barrën e kombinimeve, që u krijuan dikur në kurriz të tyre”.

  1. Kushtëzimi i marrëdhënieve dhe nxitja e armiqve në Jugosllavi

“Shqipëria dëshiron që marrëdhëniet shtetërore dhe të tjera me Jugosllavinë të ndiqen në mënyrë normale, por kjo do të varet nga qëndrimi i Jugosllavisë ndaj Shqipërisë socialiste, si dhe nga trajtimi i shqiptarëve në Kosovë dhe në pjesë të tjera të Jugosllavisë”.

“Nëse udhëheqja aktuale jugosllave dëshiron të ndjekë rrugën tashmë të zgjedhur, kundërshtimi nga ana e shqiptarëve do të vazhdojë dhe do të intensifikohet akoma më tej”.

                                                                                   -119-

Për përdorim të kufizuar

J C R Gray Esq                                                                                             Ambasada britanike

Departamenti Sovjetik dhe i Evropës Lindore                                                               Beograd

Zyra e Jashtme dhe e Komonuelthit                                                                    17 nëntor 1981

I nderuar Charles,

                                                             Kosova: situata e sigurisë

 Charles Crawford ka shkruar javën e kaluar se trazirat kanë filluar sërish në Universitetin e Prishtinës. Ky fakt është thjesht një tregues i rritjes së aktivitetit armiqësor në Krahinë gjatë një apo dy javëve të fundit.

  1. Në mbledhjet e mbajtura në Prishtinë javën e kaluar nga Lidhja Socialiste, Subnor dhe Kuvendi i Prishtinës, u shqyrtua situata e sigurisë dhe u vlerësua “ende e ndërlikuar megjithëse në tërësi ishte në shkallë të konsiderueshme më e mirë sesa disa muaj më parë”. Sidoqoftë, më 15 nëntor, shtypi vazhdoi të raportonte se “gjatë ditëve të fundit ishte bërë e dukshme se situata po bëhej gjithnjë e më e ndërlikuar”. Duket se shpërndarja e pamfleteve është forma më e shpeshtë e aktivitetit armiqësor dhe në Dubroshevc dhe Gllogovc janë zbuluar shtypshkronja të paligjshme që nxjerrin gazetën “Bashkimi”. Gjithashtu ka pasur raportime për parulla me gjatësi 80-100 m të shkruara në rrugë. Një pjesë e aktivitetit duket se ka marrë formë më të dhunshme në faktin që, sipas një raporti të shtypit më 17 nëntor, forcat e sigurisë së Prishtinës kanë shënuar sulme ndaj individëve dhe rrëmbime personash.
  2. Mund të ketë të dhëna të tjera për këtë mbledhje të sotme të Komitetit Qendror mbi platformën e re politike për Kosovën. Megjithatë, duket se të gjitha masat e marra deri më tani nuk janë duke pasur sukses në shtypjen e nacionalistëve.

I Juaji

  1. J. Crark

Për dijeni: P Rennie Esq

Departamenti i Kërkimit, FCO

-120-

Konfidenciale

N H R A Broomfield Esq                                                                    Ambasada britanike

Departamenti Sovjetik dhe i Evropës Lindore                                               Beograd

Zyra e Jashtme dhe e Komonuelthit                                                         23 nëntor 1981

I nderuar Nigel,

                                            Vizitat për të hyrë e dalë nga Jugosllavia

 Letra juaj për Curtis Keeble e datës 30 tetor mbërriti pasi isha larguar për në Londër. Siç do t’ju kujtohet, kemi biseduar për këtë çështje dhe e kam diskutuar edhe me Charles Gray. Mbase do të ishte e dobishme që të hidhja në letër këndvështrimin tim për këtë pikë.

Vlerësime të përgjithshme

  1. Tre faktorët që duhet të kemi parasysh vitin e ardhshëm, janë:

(a) Do të mbahen zgjedhjet e reja nga mesi i prillit deri në formimin e Qeverisë së re afërsisht

në mesin e majit.

(b) Kongresi i 12-të i Partisë do të mbahet në qershor: datat e sakta nuk janë shpallur ende.

(c) Unë do të largohem më e shumta më 19 tetor dhe mendoj se do të bëj gati valixhet rreth 1

tetorit. Pasuesi im duket se nuk do të arrijë deri pas pak kohësh në nëntor.

Sekretari i Shtetit

  1. Jam i kënaqur që Sekretari i Shtetit ka vendosur t’i kthejë kaq shpejt vizitën Vrhovecit. Kjo do t’i japë mundësinë që të takojë Ministrin e Jashtëm jugosllav në fillim të ushtrimit të detyrës së tij. Më keni njoftuar se ai do të vijë në korrik ose në vjeshtë. Nëse është fjala për vjeshtën, shpresoj që të ndodhë në shtator, megjithëse mbledhja e UNGA mund të shkaktojë probleme. Nëse bëhet fjalë për korrikun, në gjysmën e parë të muajit do të ishte më mirë se të dytën, d.m.th. para se të fillojë sezoni i pushimeve lokale. Por jam i sigurt se, edhe nëse është i vlefshëm vetëm opsioni i dytë, jugosllavët përsëri do të pranonin.
  2. Keni ngritur me mua problemin e Bullgarisë, duke thënë se, nëse isha kundër kombinimit të vizitave në të dyja vendet, rrezikonim që të humbnim atë të Beogradit. Unë thashë se, nëse ishte kështu, le ta zhvillojmë vizitën këtu që përbën një faktor më të rëndësishëm dhe të sigurojmë shpjegimet e nevojshme lokale. Mendoj se jeni dakord që Sekretari i Shteti të kalojë tre ditë këtu dhe të vijë në Beograd përpara Sofjes.

Lord Trefgarne

  1. Nëse e kujtoj saktë, ramë dakord që Lord Trefgarne mund të alternonte vizitën me Lordin Carrington. Nëse ky i fundit vjen në vjeshtë, tjetri mund të vijë më herët, p.sh. në korrik. Do të bëjmë të pamundurën për të siguruar që të vizitojnë Republika të ndryshme. Mbi të gjitha, duhet të shmangim vizitën e Lord Carrington në Maqedoni. Mund të sugjeroj Bosnjën/Hercegovinën. Lord Trefgarne mund të shkojë në Mal të Zi ose Maqedoni (ose nëse është e hapur për ftesa zyrtare, edhe në Kosovë), megjithëse vitin e kaluar Kryeministri vizitoi Shkupin dhe Z. Parkinson Titogradin. Fjala e fundit i takon mikpritësve jugosllavë, pasi duhet të ruajnë një model barazie në vizitat e dy të huajve të rëndësishëm në Republika.
  2. Nott
  3. Mendoj se ishte Charles që më tha se Z. Nott po planifikonte të vinte këtu për vizitë për Pashkë ose për Ditën e Rrëshajave. Pengesa për Pashkë është se mikpritësi, Gjeneral Ljubiçiq, nuk do të jetë më Ministër i Mbrojtjes që nga mesi i majit. Kështu, nëse do të vijë atëherë, Z. Nott nuk do të krijojë marrëdhënie personale me personin e ngarkuar së paku për katër vitet e ardhshme. Dita e Rrëshajave, 31 maji, do të ishte mirë nga ky këndvështrim, e po ashtu edhe qershori, me kusht që Z. Nott të shmangë javën e Kongresit. Por, nëse mundësia e vetme mbetet vetëm dita e Pashkëve, sugjeroj që ta pranojmë këtë pasi edhe nëse Z. Nott nuk arrin të takojë Ministrin e ri, ai do të na ndihmojë në përmirësimin e marrëdhënieve me Ministrin e Mbrojtjes dhe Forcat e Armatosura.

Markoviq

  1. Siç e dini, jemi ende në pritje që të sqarohet çdo gjë për këtë vizitë të brendshme. Sa më shumë që të vonohemi, aq më pak ka të ngjarë që ta realizojmë para zgjedhjeve në mesin e prillit; e kuptoj që, meqenëse Lord Trefgarne është mikpritësi i propozuar, lidhja përmes Parlamentit do të reduktohet. Sidoqoftë, ende mendoj se kjo lidhje është e rëndësishme. Kuvendi Federal po luan një rol gjithnjë e më të rëndësishëm këtu.

Krijimi i PUS

  1. Jam vënë në dijeni se Anthony Acland do të vijë kryesisht për të takuar stafin. Në të njëjtën kohë, nëse deri atëherë është emëruar një “PUS” jugosllav, do të bëj përpjekje për të rregulluar një takim. Jam informuar nga Anthony se do të ndryshojë pak datat, pra do të vijë diku rreth datave 14/15 janar, gjë që është e përshtatshme për ne.

Bullard

  1. Siç e kam përmendur, për të rregulluar vizitat, Julian mund të mendojë të vijë në shkurt. Por e di që ai nuk mund të vendosë deri në fund të vitit.

Kryeministri i Jugosllavisë

  1. Znj. Thatcher ka ftuar Kryeministrin për të kthyer vizitën në Mbretërinë e Bashkuar. Gjuranoviq, titullari në detyrë do të zëvendësohet në maj. Sugjeroj që ta lëmë vizitën e kthimit për pasuesin e tij në vitin 1983.

Sekretari i Shtetit për Departamentin e Punëve të Brendshme

  1. SFPJ i Jugosllavisë na ka njoftuar se po shqyrtojnë mundësinë që të ftojnë Sekretarin e Shtetit për Departamentin e Punëve të Brendshme për të vizituar Jugosllavinë. Mendoj se kjo nuk do të mirëpritet në Londër kryesisht për faktin se jugosllavët do ta shihnin si një rast për të ngritur çështje të pakëndshme për emigrantët e tyre në Mbretërinë e Bashkuar. Nga ana tjetër, mund të ishte me vlerë që t’i përgjigjeshim përmes një Ministri pasi kjo do të na jepte mundësinë të diskutojmë çështje të tilla si lënda narkotike, Interpoli, etj.

I Juaji

  1. Bolland

                                                                                          -121-

Referencë

  1. Gray 1 dhjetor 1981

EESD

                                                                  Dënimet në Kosovë

 Mund të keni parë në gazetën “The Times” të datës 1 dhjetor një letër të Z. Harry Hodgkinson ku komenton për dënimet me burg të vendosura për shqiptarët në Kosovë.

  1. Ai është Kryetar i Shoqatës anglo-shqiptare, anëtarësia e së cilës përbëhet nga të mërguar në këtë vend dhe një numër britanikësh që kanë interes për Shqipërinë. Natyrisht ai e ka bazuar letrën e tij në një njoftim për shtyp të nxjerrë për këtë temë nga Komiteti Demokratik Kombëtar për një Shqipëri të Lirë (referuar në përkujtesën time të datës 20 nëntor). Përfaqësuesi i Komitetit të Mbretërisë së Bashkuar, Z. Skënder Dume, është gjithashtu anëtar i Shoqatës.
  2. Rennie

Seksioni i Evropës Lindore

Departamenti i Kërkimit

G  61/3 233 3371

                                                                                       -122-

Për përdorim të kufizuar

J C R Gray Esq                                                                                 Ambasada britanike

FCO                                                                                                            Beograd

1 dhjetor 1981                                                                                                                I nderuar Charles,

               Kosova: kryesia serbe diskuton shpërnguljen e serbëve dhe malazezëve

 Më 25 nëntor, gazeta “Politika” raportoi mbledhjen e ditës së djeshme të kryesisë serbe, e cila i kushtoi vëmendjen kryesore problemit të shpërnguljes së serbëve dhe malazezëve nga Kosova. Por, në këtë mbledhje dolën gjithashtu edhe disa pika të tjera interesante.

Shpërngulja e serbëve dhe malazezëve

  1. Duke shqyrtuar këtë çështje si pjesë e vlerësimit të saj të përgjithshëm të ngjarjeve kundërrevolucionare në Kosovë, kryesia arriti në një konkluzion të hapur: Shkaqet e shpërnguljes duhej të gjendeshin “kryesisht në klimën sociale dhe politike të një situate që ishte zhvilluar prej një kohe të gjatë në Kosovë, në forma të ndryshme të presionit të drejtpërdrejtë dhe të tërthortë dhe në arsyet ekonomiko-sociale, të cilat kishin lënë ndjenja pasigurie në mesin e serbëve dhe malazezëve të Kosovës”. Megjithëse, aktualisht po merreshin masa zyrtare, rezultatet nuk ishin të kënaqshme – shpërngulja vazhdonte. Tashmë ishte e nevojshme që të bëhej “progres radikal”. Duhej të përshpejtohej aksioni politik dhe organet përgjegjëse në të gjitha nivelet duhej të dënonin ata që ushtronin presion dhe të zbatonin ligjin me rreptësi. Autoritetet e Kosovës, por në veçanti departamentet për çështjet e brendshme, mbanin përgjegjësi të veçantë në këto detyra. Kryesia deklaroi se nëse ishin marrë hapat e duhura, familjet që ishin dëbuar nga presioni duhej bërë e mundur që të ktheheshin; sidoqoftë, duhej të ndiqeshin mundësitë që të kompensoheshin njerëzit, të cilët ishin detyruar të shisnin pronat e tyre shumë lirë kur janë detyruar të largohen. Gjithashtu, ndryshimet në politikën për regjistrimin në shkolla dhe për emërimet politike duhej të ndihmonin në rikthimin e një fryme të përgjithshme të barazisë ndër-komunale.

Vulat zyrtare të Serbisë dhe çështje të tjera

  1. Gazeta “Politika” shkruan se Kryesia shqyrtoi gjithashtu bashkëpunimin ekonomik midis Kosovës dhe Shqipërisë, aktivitetet e RTV, Prishtinës dhe gazetës “Rilindja” (Gazeta e shqiptarëve të Kosovës) në kohën e aktivitetit kundërrevolucionar si dhe sjelljen e disa organeve të shëndetit publik gjatë demonstratave. Kryesia dënoi keqpërdorimin e stampave dhe vulave zyrtare të Serbisë në Kosovë dhe arriti në konkluzionin se duhej rregulluar menjëherë pozicioni në lidhje me përdorimin e tyre. Në përfundim, Kryesia dha falje për një numër të caktuar të dënuarish me burg (megjithëse është e çuditshme pasi këto falje duhet të njoftohen në një mbledhje që organizohet ekskluzivisht për Kosovën, nuk kemi qenë në gjendje të zbulojmë nëse këto falje zbatohen për kriminelë ‘ordinerë’ – disa falje janë njoftuar tradicionalisht çdo vit në Ditën e Republikës më 29 nëntor – apo për disa nga demonstruesit e dënuar gjatë verës. Nëse bëhet fjala për këta të fundit, padyshim që do të ishte një zhvillim i rëndësishëm).
  2. Siç edhe ndodhi, Kryesia e Kosovës trajtoi menjëherë së paku çështjen e vulave zyrtare të Serbisë më 26 nëntor. Është bërë e njohur se që prej vitit 1973, organet e ndryshme të Kosovës, duke përfshirë Gjykatën e Lartë të Kosovës (!) kanë stampuar dokumente zyrtare në mënyrë të paligjshme me vula ku ishte hequr përmendja e Serbisë. Kryesia e dënoi këtë praktikë dhe vendosi të përgatiste legjislacionin e ri për parandalimin e saj.

Komente

  1. Në përpjekje për të shprehur ide, është me vlerë të ritheksoj faktin se çështja e shpërnguljes së serbëve dhe malazezëve nga Kosova është fshehur qëllimisht prej vitesh (shih për shembull letrën time të datës 29 shtator për Bakallin, paragrafi 7). Fakti që Kryesia serbe është duke folur tani haptazi për këtëçështje me terma të drejtpërdrejta, tregon se shqetësimi për këtë problem ka arritur në nivelet më të larta këtu. Dhe kjo jo pa arsye. Një “Kosovë e pastër etnikisht” nuk është pjellë e imagjinatës së Enver Hoxhës, por një realitet i zhvilluar gradualisht ndërkohë që rritet numri i shqiptarëve dhe serbët largohen. Sidoqoftë, nuk ka një politikë të qartë për të ndaluar këtë proces dhe hapat e sugjeruara deri më tani (të tilla si një skemë e mundshme kompensimi përmendur më lart) duken ose jo-praktike ose pa vend. ‘Shtypi i Beogradit’ vazhdon t’i japë rëndësi të plotë aspekteve të ndryshme të historisë sëshpërnguljes – por çdokush pyet se mos përpjekjet e tyre mund të kenë ardhur dhjetë vite me vonesë.

I Juaji

Charles Crawford

Oficer Informacioni

Për dijeni: P Rosling Esq

Zagreb

  1. Rennie Esq

Departament i Kërkimit, FCO

                                                                                     -123-

J C R Gray Esq                                                                                             Ambasada britanike

Departamenti Sovjetik dhe i Evropës Lindore                                                    Beograd

Zyra e Jashtme dhe e Komonuelthit                                                                 2 dhjetor 1981                I nderuar Charles,

                                                                                    Kosova

 Nuk jam i sigurt nëse e keni marrë Përmbledhjen e Çështjeve Ndërkombëtare. Nëse jo, bashkëngjitur po ju dërgoj një kopje të përgjigjes së dhënë nga Dr. Ranko Petkoviq të titulluar “Teza të gabuara” të artikullit në gazetën ‘The Economist’ disa javë më parë, i cili për jugosllavët rezultoi i kundërshtueshëm.

  1. Artikulli paraqet zgjidhjen jugosllave të problemit kombëtar që është përpunuar më tej në Platformën për Kosovën.
  2. Mendoj që një kopje e artikullit i është dërguar Chris Cviiç, por mund t’ia përmendni në rast se ende nuk e ka marrë.

I Juaji,

  1. J. Crark

                                                                               Teza të gabuara

– Kush dëshiron që Kosova të jetë Republikë dhe pse? –

Dr. Ranko Petkoviq

Në një nga botimet e fundit gazeta e Londrës me influence “The Economist”, i sugjeron lexuesve të saj të vazhdojnë të ndjekin ngjarjet në Poloni, por të mos harrojnë as ngjarjet në Kosovë, duke nënkuptuar se nuk shihte asnjë arsye përse Kosova nuk mund të ishte Republikë!

Po të mos bëhej fjalë për një gazetë kaq serioze sa ç’është “The Economist” kushdo do të thoshte se nuk është as hera e parë dhe as e fundit që një gazetë nuk arrin të bëjë dallimin e nevojshëm midis së drejtës për të shprehur opinionin e vet mbi çfarë është duke ndodhur në botë dhe detyrës për ta bërë këtë pa ndërhyrë në mënyrën se si i trajton punët e brendshme një shtet sovran.

Për çfarë bëhet fjalë?

Fakt është se nuk ka arsye që të ngrihet ndonjë kundërshtim ndaj “The Economist” apo ndokujt tjetër për faktin se ka treguar interes për rrethanat në të cilat jeton kombësia shqiptare në Jugosllavi, në rast se kjo kombësi apo ndonjë tjetër në Jugosllavi nuk gëzon të gjitha të drejtat që i përkasin pakicave kombëtare sipas standardeve kombëtare dhe ndërkombëtare në sistemin ligjor dhe politik të Kombeve të Bashkuara (dhe në rastin e Jugosllavisë shumë të drejta të tjera që rrjedhin nga zbatimi i vazhdueshëm i parimit të barazisë së kombeve dhe kombësive dhe nga sistemi i vetë-menaxhimit socialist). Në këtë rast, si gazeta e Londrës ‘The Economist’ dhe kushdo tjetër do të etiketoheshin moralisht dhe politikisht se nxisin respektimin e të drejtave të pakicave të kombësisë shqiptare apo çdo kombësie tjetër në Jugosllavi, njësoj si ne në Jugosllavi mbrojmë respektimin e të drejtave të popujve dhe pakicave kombëtare në vendet ku këto të drejta janë pakësuar për çfarëdo arsye.

Por ky nuk është rasti.

Për të gjithë ata që kanë njohuri mbi rendin kushtetues të Jugosllavisë, dhe veçanërisht ata që mund të kenë mundësinë të vijnë në Jugosllavi dhe të marrin informacione të dorës së parë për statusin real dhe të drejtat e gëzuara nga popujt dhe kombësitë që përbëjnë komunitetin jugosllav, do të jetë e qartë se kombësia shqiptare në Krahinën Socialiste Autonome të Kosovës gëzon një shkallë autonomie, të cilën mund të thuhet me siguri se nuk e gëzon asnjë kombësi tjetër në ndonjë vend tjetër.

Kështu, ‘The Economist’ dhe gazeta të tjera që kanë folur hapur në mënyrë të ngjashme, dhe nuk kanë seli qendrore në Tiranë, kanë vepruar në këtë mënyrë prej rreth një gjysmë shekulli. Konkretisht, shqetësimi i tyre për kombësinë shqiptare në Mbretërinë e atëhershme të Jugosllavisë në të cilën kjo kombësi nuk kishte të drejta kombëtare njësoj si shumë nga vetë popujt e tjerë jugosllavë, do të kishte qenë tërësisht legjitim, demokratik dhe progresiv dhe në përputhje të plotë me atë që vetë Partia Komuniste e Jugosllavisë e kishte nxitur vazhdimisht në atë kohë: Liri dhe barazi për të gjithë popujt dhe kombësitë e Jugosllavisë.

Por sot, kur si rezultat i arritjeve të Luftës Nacionalçlirimtare dhe revolucionit socialist, kombësia shqiptare si dhe të gjithë kombësitë e tjera në Jugosllavi jeton në një komunitet të popujve të lirë dhe të barabartë shqetësimi i padëshiruar për statusin dhe të drejtat e saj ka ndodhur ose për shkak të injorancës së plotë ose neglizhencës së fakteve të vërteta ose është motivuar nga interesa të veçanta, ose ndryshe, është pjesë e planit për të destabilizuar Jugosllavinë dhe rajonin e Ballkanit në tërësi. Pra, çështja nuk është se kombësia shqiptare në Kosovë nuk ka të drejta të mjaftueshme, por më tepër është se një rrymë nacionaliste irredentiste, e cila e ka fituar fuqinë kryesisht si rezultat i sjelljes oportuniste të udhëheqjes politike lokale, është e prirë për të zbatuar një plan për të dëmtuar sovranitetin kombëtar dhe integritetin territorial të tri Republikave përbërëse të Jugosllavisë, d.m.th., tre shtetet sovrane – Serbia, Maqedonia dhe Mali i Zi, në fazën e parë në të cilën do të krijohej një “Republikë” e cila do të përfshinte “të gjithë shqiptarët” në Jugosllavi;gjithashtu, për të shkelur sovranitetit kombëtar dhe integritetin territorial të Republikës Socialiste Federative të Jugosllavisë në fazën e dytë në të cilën në një mënyrë a tjetër do të bashkohej me Republikën Popullore Socialiste të Shqipërisë.

Në përgjithësi, janë të njohura mënyrat në të cilat shtetet kombëtare janë formuar në Evropë mbi bazën e parimit një komb – një shtet. Si shumë popuj të tjerë evropianë, po kështu edhe sllavët e Jugut bënë një luftë të gjatë për çlirimin e tyre kombëtar, si ata që ishin nën sundimin turk ashtu edhe ata që ishin nën administrimin Austro-Hungarez. Lidhja e tyre etnike dhe ndërgjegjësimi se, duke u bashkuar në një shtet të përbashkët, ata do të ishin në gjendje të ruanin identitetin e tyre kombëtar, çoi në rrethana specifike historike në formimin e Jugosllavisë. Duke pasur një sistem shoqëror borgjez që shtypte liritë shoqërore dhe kombëtare, shteti u copëtua përpara raprezaljeve të ushtrive të Hitlerit, Musolinit, Hortit, Borisit, ballistëve dhe ushtrive të tjera fashiste. Gjatë Luftës Nacionalçlirimtare dhe revolucionit socialist u hodhën themelet e Jugosllavisë së re – një komunitet i përbërë prej popujsh të lirë dhe të barabartë, brenda të cilit janë krijuar republikat ose shtetet e popujve individualë jugosllavë. Të gjitha kombësitë, të cilat në rrethana historike e gjeten veten e tyre brenda kufijve të Jugosllavisë dhe anëtarët e së cilës në mënyrë të ngjashme kanë luftuar për lirinë dhe integritetin territorial të Jugosllavisë – shqiptarë, hungarezë, italianë, sllovakë, çekë, rusë, dhe të tjerë, fituan të gjitha të drejtat socio-politike, ekonomike, kulturore dhe të drejta të tjera që gëzoheshin nga popujt e Jugosllavisë, d.m.th. nga të gjithë qytetarët dhe populli punonjës i sistemit të vetë-menaxhimit socialist – pa dallim. Për shkak të forcës numerike, kombësia shqiptare mori masën më të madhe të autonomisë brenda shtetit të Serbisë përmes formimit të Krahinës Autonome të Kosovës dhe Metohisë dhe më vonë Krahinës Socialiste Autonome të Kosovës.

Për këtë arsye, kërkesa që Kosova të bëhet Republikë nuk është kërkesë as për “të drejta të tjera” apo “autonomi shtesë”. Në fakt, bëhet fjalë për një program nacionalist, irredentist, i cili është i papranueshëm jo vetëm sepse është kërkesë absurde nga pikëpamja e historisë, të drejtës ndërkombëtare dhe të drejtave të tjera për të pasur shtete paralele të popujve sllavë fqinj të krijuar brenda kufijve të Jugosllavisë, duke kundërshtuar kështu rrugët e historisë dhe themelet e rendit aktual ndërkombëtar, por mbi të gjitha për faktin se është llogaritur qartë që të dëmtohet sovraniteti kombëtar dhe integriteti territorial i Republikës Socialiste Federative të Jugosllavisë.

Kështu, pyetja nuk është pse Kosova nuk mund të jetë Republikë, por kush dëshiron që Kosova të jetë Republikë dhe pse.

Popujt, territoret kombëtare të të cilëve janë përshtatur nga të tjerët herë pas here kohët e fundit dhe në periudha më të largëta për të përshtatur interesat e tyre dhe të cilët derdhin gjak pafund për të qenë në gjendje që së fundi të jetojnë në komunitetin e shtetit të tyre aktual të popujve dhe kombësive të barabarta, janë të prirë që të jenë të ndjeshëm kur rrezikohet liria, pavarësia, sovraniteti kombëtar dhe integriteti i tyre territorial.

                                                                                          -124-

Konfidenciale

Ambasada britanike

Beograd

7 dhjetor 1981

                                                                                          Kosova

Përmbledhje

  1. Vlerësim i Platformës së re politike të Komitetit Qendror Jugosllav për të arritur marrëveshje me Krahinën ende të trazuar të Kosovës. Me gjithë përgatitjen intensive, marrëveshja u ra dakord vetëm pas debateve të mprehta, duke treguar se ishte në rrezik jo vetëm e ardhmja e Kosovës por më shumë se kaq (paragrafët 1-4).

Platforma

  1. Faji kryesor për shpërthimin e nacionalizmit shqiptar qëndron drejtpërdrejt në udhëheqjen e Kosovës, e cila ka ndjekur një politikë të gabuar prej vitesh. Duke ritheksuar me kujdes politikën e ndriçuar të Jugosllavisë në drejtim të popujve të saj të ndryshëm, Platforma pohonte se nuk kishte arsye legjitime që Kosovarët të kërkonin një afirmim më të madh ndërkombëtar nga sa kishin aktualisht. Koncepti i një Republike të pavarur ishte i papranueshëm. Megjithëse Kosova kishte bërë përparime të mëdha ekonomike dhe shoqërore, zhvillimi i vendit ishte drejtuar keq. Megjithë dallimet reale ideologjike dhe armiqësinë e vazhdueshme të udhëheqjes shqiptare, Jugosllavia vazhdonte të kërkonte marrëdhënie të balancuar me Shqipërinë (paragrafët 5-9).
  2. Platforma përcaktonte udhëzimet për forcimin e sistemit të mbrojtjes lokale dhe ngritjen e punës ideo-politike në mesin e njerëzve; promovimin e zhvillimit përmes investimit më racional, integrimit më të madh me ekonominë jugosllave, krijimin e vendeve të punës dhe përmirësimin e bujqësisë; forcimin e vetë-menaxhimit; inkurajimin e ideve jugosllave në arsim dhe kulturë; si dhe zhvillimin e bashkësisë në mes shqiptarëve dhe popujve të tjerë (paragrafi 10).

Perspektivat

  1. Autoritetet politike në të gjitha nivelet janë aktualisht të prira për të zbatuar këtë politikë integrimi, por Platforma ka lënë pa zgjidhur disa çështje të rëndësishme. A është Partia në Kosovë në gjendje që të zbatojë politikën e saj në një shoqëri klanore, në të cilën përgjegjësia për gabimet e kaluara politike praktikisht nuk është dënuar? A mundet Partia të ndalojë zhvillimin e një Kosove të pastër etnikisht? Si duhet të zgjidhet marrëdhënia kushtetuese midis Serbisë dhe Kosovës? (paragrafët 11-16).

Përmbledhje

  1. Çiltërsia e debatit mund të ketë shënuar një hap tjetër përpara në evolucionin demokratik të Jugosllavisë. Politika arrin në ripohimin e vetë-menaxhimit si zgjidhje e çështjes kombëtare. Në aspektin afatshkurtër, masat pozitive të propozuara do të inkurajojnë integrimin dhe Partia dhe Forcat e Armatosura duhet të jenë në gjendje që të mbajnë situatën nën kontroll. Në aspektin afatgjatë, mbetet çështje e hapur nëse nacionalizmi shqiptar do të mund të frenohet dhe shmanget me sukses (paragrafët 17-18).

                                                                                            -125-

Konfidenciale

  1. Hon Lordi Carrington KCMG MC Ambasada britanike

Zyra e Jashtme dhe e Komonuelthit                                                             Beograd

Londër S W                                                                                             17 dhjetor 1981

Shkëlqesia Juaj,

                                                                                Çështja e Kosovës

 Në njoftimet e mia të datës 24 prill dhe 1 korrik, kam shqyrtuar trazirat në Kosovë në pranverë dhe përpjekjet e autoriteteve për të vënë situatën nën kontroll. Gjithashtu kam vlerësuar implikimet e këtyre ngjarjeve për Jugosllavinë në përgjithësi. Megjithëse rivendosjen e rendit, problemi themelor i nacionalizmit shqiptar ende qëndron. Komiteti Qendror i Lidhjes së Komunistëve të Jugosllavisë (KQ LKJ) u mblodh më 17 nëntor për të arritur një marrëveshje mbi politikën që duhej ndjekur për trajtimin e problemit dhe më pas botoi një Platformë e cila aktualisht përshkruhet si historike. Më poshtë vlerësoj këtë Platformë dhe perspektivat për arritjen e qëllimeve që ajo ka përcaktuar.

Historiku

  1. Muajt e verës ishin një periudhë aktiviteti të pazakonshëm në Kosovë dhe Beograd. Nën presion të vazhdueshëm nga Federata, autoritetet në Kosovë ishin të shtrënguara të merrnin masa në tre fronte kryesore: të spastronin udhëheqësit/zyrtarët, akademikët, studentët dhe gazetarët përgjegjës, të cilët ishin identifikuar me nacionalizmin shqiptar; të dënonin shpesh me dënime jashtëzakonisht të rënda ata që ishin përfshirë drejtpërdrejt në trazira; të ndërmerrnin një shqyrtim të plotë të zhvillimit politik, shoqëror dhe ekonomik të Krahinës. Lajmet mbi ecurinë e kësaj pune janë theksuar në mënyrë të vazhdueshme nga raportet e shtypit mbi aktivitetin nacionalist në forma të ndryshme: letra anonime, parulla armiqësore, kërcënime, dëmtimi i pasurisë, sabotimi dhe dhuna fizike. Ndërkohë, megjithë përpjekjet zyrtare për kontrollin e eksodit, ky eksod i sllavëve etnikë d.m.th. serbëve dhe malazezëve vazhdoi pa ndërprerje. Ndërkohë, Shqipëria vazhdoi presionin psikologjik drejtpërdrejt përmes propagandës së saj, që arriti kulmin në mbështetjen e fortë të Enver Hoxhës për kauzën e shqiptarëve të Kosovës në Kongresin e Partisë Shqiptare në nëntor, dhe indirekt përmes veprimeve të emigrantëve shqiptarë kundër institucioneve jugosllave dhe zyrtarëve në Evropë.
  2. Ky aktivitet u pasqyrua në Beograd, ku autoritetet federale dhe serbe u ndeshën me aspektet më të gjera të problemit. Ndërkohë që këto të fundit punojnë për të ripohuar autoritetin e tyre kushtetues mbi të gjithë krahinën e Serbisë, d,m,th., duke përfshirë dy Krahinat Autonome, Federata u angazhua në nivel ndërkombëtar për të luftuar irredentizmin shqiptar dhe në nivel vendor për të rivlerësuar të ardhmen e Kosovës.
  3. Siç më tregoi një prej anëtarëve të saj, Komiteti Special i ngritur nga KQ i LKJ kishte punuar në mënyrë intensive prej muajsh për të përgatitur projekt-Platformën që iu paraqit Komitetit Qendror më 17 nëntor. Pas pesë shqyrtimeve, rezultati ishte padyshim një dokument i përpunuar në mënyrë të detajuar. Për këtë arsye është edhe më e çuditshme që Mbledhja e mbajtur për të dhënë miratimin formal shkaktoi një debat kaq të nxehtë saqë Komiteti ishte i detyruar të hartonte përsëri disa pjesë të këtij dokumenti. Megjithëse, një pjesë e debatit u shfaq në mënyrë të pazakontë në televizion dhe u publikua në shtyp, ne nuk mund të dallojmë sesa pjesë të versionit origjinal pësuan ndryshime, por argumentet nga baza treguan se rrezikohej më shumë se thjesht e ardhmja e Kosovës.

Platforma të përgjithshme

  1. Pas shqyrtimit me hollësi të faktorëve përkatës ndërkombëtare dhe të brendshëm, platforma bëri pyetjen thelbësore sesi mund të kenë ndodhur ngjarjet në Kosovë. Ajo dha pesë përgjigje. Së pari, forcat gjithnjë të pranishme nacionaliste në Jugosllavi ishin inkurajuar nga vështirësitë ekonomike të vendit dhe vdekja e Titos. Së dyti, udhëheqja e Kosovës, e motivuar nga ambicie jo realiste për zhvillimin e Kosovës përmes kërkesave të tepërta për burimet e pjesës tjetër të vendit, nxiti pakënaqësi në radhët e popullit dhe i dha nacionalistëve hapësirë për të manovruar. Së treti, ndryshimet e shpejta shoqërore dhe zgjerimi i arsimit, duke sjellë pakënaqësi dhe papunësi serioze veçanërisht në mesin e të rinjve, ishin vlerësuar gabimisht nga udhëheqja e Kosovës, pjesërisht për arsye se vetë ajo ishte molepsur nga ndjenja e nacionalizmit. Së katërti, izolacionizmi ekonomik dhe politik i Kosovës nga Serbia dhe Jugosllavia në përgjithësi inkurajuan konceptin “Kosova – Republikë”. Dhe, së pesti, udhëheqja e Kosovës veproi në mënyrë autarkike, duke shpërfillur parimet e vetë-menaxhimit dhe duke lejuar vlerësimin e nepotizmit. Shkurtimisht, Komiteti Qendror e vuri fajin kryesor ndaj udhëheqjes së Kosovës me argumentin se kishte ndjekur një politikë të gabuar prej vitesh, megjithëse e pranoi por vetëm në mënyrë kalimtare se udhëheqja e Lidhjes së Komunistëve të Serbisë dhe Jugosllavisë ishte gjithashtu gabim pasi kishte dështuar për të kuptuar më herët atë që po ndodhte.

Çështja kombëtare

  1. Platforma bëri të ditur se nacionalizmi ishte thelbi i problemit të Kosovës. Ai filloi nga pozita komuniste ortodokse se çdo komb ka të drejtën e vetëvendosjes, duke përfshirë të drejtën për t’u shkëputur ose (kontradiktore dhe sipas teorisë komuniste, eprore) të drejtën për t’u bashkuar me Kombet e tjera. Platforma më tej vazhdoi me përshtatjen e teorisë për kushtet Jugosllave, forcimin e elementit të kësaj të fundit, duke deklaruar se guri i dytë i themelit për Jugosllavinë e re ishte parimi i unitetit politik, pavarësia dhe integriteti territorial i Shtetit Federal jugosllav. Njerëz të ndryshëm në Kosovë kishin zgjedhur lirisht që të jetonin në Serbi dhe Jugosllavi, por duke pasur parasysh disa karakteristika historike, kulturore dhe gjuhësore, për ta ishte krijuar një krahinë autonome. Asnjëherë nuk ishte shtruar çështja për të pranuar një republikë shqiptare brenda federatës sepse teoria jugosllave ishte, siç ishte ritheksuar në Platformë, që shqiptarët në Kosovë ishin vetëm një “kombësi” (d.m.th. pakicë kombëtare) dhe për rrjedhojë nuk cilësoheshin ashtu si “kombet” për statusin e Republikës. Megjithatë, zhvillimi i vetë-menaxhimit socialist në Jugosllavi kishte forcuar më tej barazinë kombëtare: të gjitha komunitetet kombëtare, duke qenë në gjendje të dispononin “të ardhura kombëtare nga puna e tyre”, kishin fituar të drejtën për të vendosur vetë kushtetutat, ligjet dhe institucionet në Krahinat e Republikat e tyre dhe në nivel federal. Platforma pretendonte se kjo shkallë e barazisë kombëtare, “përfaqësonte arritjen më të lartë të praktikës shoqërore dhe garancive ligjore kushtetuese të njohura në botë sot”! Kështu, në të vërtetë, Platforma pohoi se meqenëse vetë-menaxhimi po zbatohej gjithnjë e më shumë, shqiptarët në Kosovë gëzonin masën më të plotë të mundshme të vetëvendosjes. Një trajtim i tillë e mundësonte Platformën që të dënonte “nacionalizmin” shqiptar dhe të pohonte se “afirmimi kombëtar”, i cili ishte i pranueshëm, mund të shprehej brenda formave aktuale kushtetuese, ekonomike dhe shoqërore. Në të vërtetë sipas Platformës, nuk kishte arsye legjitime që shqiptarët në Kosovë të kërkonin me shumë.
  2. Sidoqoftë, Platforma pranoi se ishte lejuar që në Kosovë të zhvillohej një praktikë politike, e cila e pengonte Serbinë së bashku me organizatat federative socio-politike që të ushtronte përgjegjësinë e saj për “tërë zhvillimin shoqëror, ekonomik, politik dhe kulturor të Republikës në tërësi dhe të të gjitha pjesëve të saj, duke përfshirë Kosovën”. Brenda kësaj tendence drejt izolacionizmit, ishte krijuar koncepti “Kosova – Republikë”, i inkurajuar nga personalitetet e larta në Kosovë, me qëllim ngritjen e një shteti më vete stalinist dhe të pastër etnikisht. Një gjë e tillë do të kërcënonte sistemin e vetë-menaxhimit dhe integritetit territorial të Jugosllavisë në shkelje të parimeve të paprekshmërisë territoriale të mishëruar në Kartën e Kombeve të Bashkuara dhe Aktin Final të Helsinkit.

Zhvillimi shoqëror dhe ekonomik

  1. Platforma i përshkroi përparimet e mëdha shoqërore dhe ekonomike të bëra në Kosovë kryesisht me ndihmën e fondeve federale dhe perspektivat për ndihmë edhe më të madhe në Planin aktual 5-vjeçar. Problemi qëndronte në vetë konceptin e zhvillimit, i cili kishte qenë: “i njëanshëm”, duke u përqendruar në disa projekte nxjerrëse, në shkallë të gjerë dhe që kërkonin investimin e një kapitali të madh; “i pamjaftueshëm”, duke neglizhuar bujqësinë dhe industrinë përpunuese; dhe “i paorganizuar”, duke ofruar shumë pak punë për një numër të madh të rinjsh, të papërgatitur nga sistemi arsimor për punë brenda ose jashtë Krahinës. Tani kërkohej një riorientim i plotë.

Marrëdhëniet me Shqipërinë

  1. Duke shprehur me forcë se Jugosllavia nuk kishte pretendime ekstra-territoriale dhe kishte ndjekur vazhdimisht një politikë të fqinjësisë së mirë, megjithë dallimet reale ideologjike me Shqipërinë, Platforma shënoi armiqësinë e pandërprerë të udhëheqjes shqiptare dhe ndërhyrjen në punët e brendshme të Jugosllavisë, evidentuar nga mbështetja e hapur për nacionalistët në pranverë. Megjithatë, Jugosllavia vazhdoi të favorizonte bashkëpunimin e arsyeshëm dhe të ekuilibruar me Shqipërinë, pavarësisht nga dallimet, për të cilin kushtet minimale ishin respektimi korrekt për bashkëpunim të barabartë, për sovranitetin dhe kufijtë e Jugosllavisë dhe për t’i dhënë fund ndërhyrjes në punët e brendshme të saj. Ballkani nuk duhet lejuar që të bëhet një zonë konfliktesh për shkak të “planeve irredentiste megalomane të udhëheqjes shqiptare”, por, nëse është e nevojshme, Jugosllavia do të mbrojë çdo pëllëmbë të territorit të saj. Platforma theksoi rolin negativ të Enver Hoxhës, duke i dhënë shpresë kështu pasuesve eventualë të tij mbi perspektivën e përmirësimit të marrëdhënieve nëse ata do të braktisnin pretendimet e tij të “Shqipërisë së Madhe”.

Udhëzime

  1. Në seksionin përmbyllës, Platforma renditi një seri udhëzimesh të politikave për të ardhmen:

(a) Situata politike dhe e sigurisë kërkonte forcimin e sistemit të mbrojtjes së të gjithë njerëzve dhe vetë-mbrojtjen shoqërore si dhe përmirësimin e besimit reciprok dhe bashkësisë midis popullit dhe Forcave të Armatosura, që nacionalistët po përpiqeshin t’i shkelnin. Nevojitej që Lidhja e Komunistëve dhe organizatat e tjera socio-politike të organizonin punë të gjerë politike dhe ideologjike, veçanërisht në radhët e të rinjve dhe inteligjencës për të eliminuar nacionalizmin.

(b) Zhvillimi ekonomik kërkonte një plan afat-gjatë, në të cilin Serbia, Republikat e tjera dhe Vojvodina do të shqyrtonin me Kosovën investimin e fondeve që ato dhe Federata ishin zotuar të jepnin (llogaritur në vlerën 2,000 milion £ për periudhën 1981-5). Në kundërshtim me praktikën e kaluar ku 90 % e fondeve për investim vinin nga Federata dhe kreditë e jashtme drejtoheshin për qeverinë e Kosovës u propozua që në të ardhmen firmat jashtë Kosovës të shoqëroheshin me firmat lokale, për të siguruar 50 % të kapitalit vetë ndërkohë që gjysma tjetër do të kontribuohej nga Federata. Perspektivat e punësimit do të rriteshin sepse shumë nga projektet e mëparshme të zhvillimit po i afroheshin tashmë përfundimit por nevojiteshin industri të reja që kërkonin shumë krahë pune dhe një politikë e tillë arsimore që do t’i bënte të rinjtë të lëviznin më shumë. Bujqësia duhej të modernizohej dhe të bëhej më produktive duke i lidhur fermerët privatë me sektorin social.

(c) Vetë-menaxhimi nevojitet që të zhvillohej për të parandaluar abuzimin e pushtetit personal dhe për të lehtësuar pjesëmarrje më të madhe të shqiptarëve dhe popujve të tjerë të Kosovë në vendimmarrje në të gjitha nivelet brenda Krahinës, Republikës dhe Federatës, gjë që do të garantonte rritjen e shkallës së cilësisë së tyre me të gjithë popujt e tjerë të Jugosllavisë.

(d) Arsimi, kultura, shkenca dhe informacioni nevojitej që të analizoheshin dhe të bëheshin ndryshime për të penguar indoktrinimin nacionalist të të rinjve. U shtua një notë jugosllave me thirrjen që të gjithë punëtorët të ushqenin jo vetëm karakteristika kombëtare por edhe idetë e përbashkëta që ekzistonin në të gjithë Federatën.

(e) Afirmimi i kombësisë shqiptare nuk duhet të lejohet që të abuzohet nga nacionalistët. Nuk do të arrihej ndonjë gjë e madhe duke denoncuar nacionalizmin: ajo që nevojitej ishte mirëkuptimi i vërtetë, simpatia dhe barazia, bashkësia dhe shprehja e të drejtave dhe aspiratave të individëve dhe komuniteteve nacionale. Duhej goditur nacionalizmi i çdo lloji nëse duhej të zgjidhej situata në Kosovë.

Perspektivat

  1. Sipas parimit të centralizmit demokratik, kjo deklaratë politike bëhet tashmë e detyrueshme për të gjithë komunistët. Komiteti krahinor i Kosovës do të mblidhet nga mesi i dhjetorit për të shqyrtuar zbatimin e kësaj deklarate brenda Krahinës, por ka shenja se aksioni ka filluar. Për këtë arsye, mund të parashikojmë se do të vazhdojnë përpjekje të vendosura nga autoritetet në të gjitha nivelet përmes politikës së kulaçit dhe kërbaçit, duke inkurajuar zhvillimin ekonomik me ndihma bujare dhe duke u marrë pa kompromis me aktivitete nacionaliste, me qëllim përshpejtimin e integrimit të Kosovës në komunitetin e gjerë jugosllav. Bazuar në një platformë të tillë, perspektivat mund të vlerësohen se janë më të mira se asnjëherë. Por, platforma lë pa përgjigje një numër të rëndësishëm çështjesh të cilat, nëse nuk zgjidhen do të jepnin një panoramë më pak optimiste. Disa nga këto çështje u paraqitën nga baza në një debat për platformën.
  2. Në platformë nuk gjendet asnjë fjalë kritike mbi rolin e popullit punonjës në Kosovë. Faji i është vënë udhëheqjes lokale, intelektualëve, studentëve dhe fëmijëve të shkollave. Por, e dimë se disa punëtorë fabrikash janë përfshirë në demonstrata dhe dimë gjithashtu faktin e thjeshtë se nacionalistët vazhdojnë të veprojnë në fshatra, të cilat ofrojnë një shkallë bashkëpunimi, nëse jo mbështetje të menjëhershme nga punëtorët e fermave. Platforma parashikon një fushatë të gjerë “për të fituar mbështetje të plotë” por Partia përballet hapur me një detyrë të madhe për të cilën do të nevojitet kohë. Kjo situatë ngre dy pyetje të tjera – sa e fortë është Partia dhe sa kohë ka ajo?
  3. Siç tregon Platforma dhe ngjarjet e muajve të fundit, Kosova është drejtuar nga një numër i vogël klanesh të lidhura ngushtë, që vepronin në mënyrë arbitrare jashtë politikës partiake. Spastrimi i bërë largoi shumë nga anëtarët e tyre, por duke pasur parasysh mungesën e entuziazmit të treguar në ndjekjen e tyre ka të ngjarë që influenca e tyre ende vazhdon. Për më tepër, Partia ka synuar të jetë më së shumti urbane në një krahinë kryesisht rurale dhe komunistët e brezit të parë të përkushtuar ishin kryesisht serbë dhe malazezë, të cilët aktualisht përbëjnë një pjesë të pakësuar të popullsisë.
  4. Sidoqoftë, vihet në dyshim nëse koha është në avantazhin e autoriteteve. Faktorët e kombinuar të normës së lartë të lindjeve në mesin e shqiptarëve dhe migrimi i sllavëve drejtuar në pjesë të tjera të Jugosllavisë ndoshta do të rezultojë në një enklavë etnikisht të pastër në Serbi në të ardhmen e parashikueshme, duke bërë që statusi i Kosovës të duket gjithnjë e më shumë i palogjikshëm. Vlen të përmendet se u braktis me nxitim përpjekja e bërë nga baza për të përfshirë kontrollin e lindjeve në platformë si diçka diskriminuese dhe se Platforma është po ashtu e heshtur lidhur me faktin se si të ndalohet eksodi, përveç nëpërmjet inkurajimit të bashkimit.
  5. Platforma shmangu gjithashtu përcaktimin e limiteve të përgjegjësisë për atë që ka ndodhur. Ajo ia vuri fajin kryesor udhëheqjes së Kosovës, megjithëse nënkuptonte se Lidhja e Komunistëve në tërësi ka gjithashtu pjesën e vet të fajit, pasi nuk ndërhyri më shpejt. Sidoqoftë, autoritetet qendrore nuk janë ende të gatshme për këtë lloj kritike, megjithëse të paktën një folës në debat aludoi hapur për këtë dhe zëdhënësi i Ushtrisë tha para Komitetit Qendror haptazi se autoritet politike në të gjitha nivelet kishin qenë jokompetente dhe joefikase në trajtimin e pasojave të situatës në Kosovë.
  6. Për më tepër, Platforma nuk arriti të hidhte dritë mbi pyetjen e vështirë të marrëdhënies kushtetuese midis Serbisë dhe krahinave autonome, gjë të cilën e kam përsëritur në njoftimin tim të dërguar më 24 prill. Platforma nuk lëshon pe nga qëndrimi zyrtar se populli i Kosovës ka zgjedhur lirisht të jetojë brenda Serbisë; se, me zhvillimin më të plotë të vetë-menaxhimit, ata do të arrijnë “një shkallë më të madhe komuniteti” brenda krahinës, Republikës, dhe si pjesë e Federatës; dhe se Kosova duhet të mbetet brenda kuadrit kushtetues të Serbisë dhe Federatës. Platforma është tejet këmbëngulëse për respektimin e duhur të të drejtave të Serbisë dhe siç tregoi një ndërhyrje e fuqishme nga baza, kjo situatë ka alarmuar Krahinën tjetër të Vojvodinës, e cila është e shqetësuar që të mos humbasë pavarësinë e saj të fituar me qetësi për shkak të vrullit të Kosovarëve. Është e qartë gjithashtu nga treguesit në forumet e tjera se Vojvodina po ndjek një politikë jo-bashkëpunuese, ku nga Serbia po bëhen përpjekje për të shpallur të drejtat e saj kushtetuese. Kështu, ndërkohë që Serbia për momentin mund të shtrëngojë sundimin e saj ndaj Kosovës, do t’i duhet që të ecë me kujdes për të shmangur tjetërsimin e Vojvodinës se mos spektri i nacionalizmit serb mund të bëhet shqetësues për të gjithë.

Përmbledhje

  1. Platforma u debatua në Komitetin Qendror në një atmosferë të pashembullt diskutimi të sinqertë, pjesa më e madhe e të cilit siç kam vënë në dukje i është përcjellë publikut të gjerë. Në vetvete ky aspekt është inkurajues për ngjarjet në Kosovë, që mund të shënojnë një hap tjetër përpara drejt zhvillimit të Jugosllavisë për një shoqëri më shumë demokratike.
  2. Megjithatë, vizioni i Platformës për të ardhmen e Kosovës tregon se ka limite për një zhvillim të tillë. Kjo sepse nga sistemi i vetë-menaxhimit socialist të Jugosllavisë (i cili mbulon politikën dhe ekonominë dhe mirëpret ndryshimet) duket se rezulton që, nëse Kosova e dëshiron një gjë të tillë, duhet t’i jepet statusi i Republikës; Sidoqoftë, Platforma përsërit me forcë se Kosova duhet të mbetet Krahinë brenda Republikës së Serbisë. Në mënyrë të ngjashme, Partia vazhdon të besojë se zhvillimi i vetë-menaxhimit dhe kapërcimi i barrierave të gjuhës, zakoneve, prapambetjes shoqërore dhe ekonomike do të bëjë të mundur që të integrohet një Kosovë e kënaqur në komunitetin e popujve jugosllavë. Padyshim, në aspektin afatshkurtër, këto masa pozitive do të inkurajojnë rritjen e bashkëpunimit dhe ripohimin aktual të kontrollit qendror të Partisë;gjithashtu përdorimi i forcave të mjaftueshme të sigurisë në Krahinë duhet të pengojë zhvillimin e trazirave të tjera serioze. Por, në aspektin afatgjatë, unë mund të bie dakord me vetë platformën kur shpreh:

“Ngjarjet në Kosovë përbëjnë një paralajmërim tjetër për LKJ se nacionalizmi gjithmonë mohon revolucionin socialist dhe e rrezikon atë”.

Lufta për të përmbajtur dhe shmangur nacionalizmin shqiptar në Kosovë do të jetë e gjatë dhe jo domosdoshmërish e suksesshme. Mund të ndodhë që vetëmenaxhimi të mos jetë zgjidhja e duhur.

19        Bashkangjitur po ju dërgoj një kopje të këtij njoftimi për Përfaqësuesit e Madhërisë së Saj në Athinë, Bon, Bukuresht, Budapest, Moskë, Paris, Romë, Sofie, Uashington, Përfaqësuesin e Përhershëm të Britanisë së Madhe pranë Këshillit të Atlantikut të Veriut dhe Konsullin e Përgjithshëm të Madhërisë së saj në Zagreb.

 

Mbetem i Juaji Besnikërisht

  1. Bolland

                                                                                           -126-

Konfidenciale

Zyra e Jashtme dhe e Komonuelthit                                                            Ambasada Britanike

Londër SW1A 2AH                                                                                          Beograd

H E Z. E Bolland KCMG                                                                            7 dhjetor 1981

                            Vizita e profesor Radogan Vukadinoviq në Mbretërinë e Bashkuar

 Meqenëse Nigel Broomfield ishte i angazhuar tjetërkund, unë ftova Vukadinoviqin për të drekuar të Premten në Athenaeum. Fatkeqësisht dreka jonë ishte shumë më e shkurtër sesa e dëshironim të dy meqenëse unë kisha një takim në spital atë pasdite. Por meqenëse Vukadinoviq ishte i lirë atë mbrëmje, e ftova në shtëpi për darkë. Ai dëshmoi se ishte një i ftuar mirënjohës dhe bashkëbisedues interesant.

  1. Siç mund ta dini, Vukadinoviq po punon mbi zhvillimet në marrëdhëniet Lindje-Perëndim për periudhën midis fundit të Luftës së Ftohtë dhe ‘detantës’. Ai tha se të dhënat e vëna në dispozicion nga IISS e kishin ndihmuar shumë.
  2. Vukadinoviq dëshironte gjithashtu për të folur rreth gjendjes aktuale të marrëdhënieve Lindje-Perëndim. Mjaftonte ta nxisje shumë pak që ai të fliste mbi zhvillimet në Jugosllavi. Bashkëngjitur po ju dërgoj një njoftim për pikat kryesore që ai diskutoi, ku shpjegoi se ishte në gjendje të ndiqte hap pas hapi zhvillimet në Kosovë, megjithëse studentët shqiptarë nga Kosova që ndjekin kurse pasuniversitare janë në fakultetin e tij.
  3. Vukadinoviq foli me entuziazëm për vizitën tuaj të fundit në Zagreb (ai tregoi me kënaqësi se si një koleg nga Beogradi ishte habitur për faktin që ai nuk ishte ndjerë i detyruar të kërkonte certifikatë sigurie për vizitën tuaj në fakultetin e tij). Gjithashtu, ishte e qartë se ai pëlqen dhe vlerëson lidhjet e tij me Peter Rosling në Zagreb.
  4. Kur po flisnim për ndikimin e problemeve ekonomike të Jugosllavisë në Universitetin e tij, Vukadinoviq tha se një problem madhor përbënte shkurtimi i fondeve për vizitat e punës jashtë vendit. Doli se nevoja e tij kryesore është për ftesa që mbulojnë jetesën e tij jashtë vendit. Fluturimet për JAT mund të paguhen në dinarë, dhe ky fakt përbën problemin më të vogël.
  5. Vukadinoviq pret që të kthehet këtu në mars. Ai tha se do të donte të takohej përsëri me mua deri atëherë. Jam mirënjohës nëse Peter do të më njoftonte për datat e vizitës së tij në kohën e duhur.

G S Barrass

Stafi i Planifikimit

K 115

Për dijeni: P E Rosling Esq, Zagreb

  1. Broomfield, EESD

                                                                                             -127-

                                                            Centralizmi kundrejt decentralizmit

 Për njëfarë kohe, nuk ka shumë shpresë që të shohim një udhëheqje më të fortë. Ndërkohë, perspektivat për përpjekje bashkëpunimi të tilla si Komisioni i Kraiger, nuk janë të mira.

  1. Periudha parazgjedhore për zgjedhjet Shtetërore dhe Partiake vitin e ardhshëm ka vështirësuar marrjen e vendimeve dhe zgjidhjen e problemeve. Por edhe pas zgjedhjeve nuk ka gjasa të ekzistojë një ndjenjë e mjaftueshme urgjence për të zgjidhur disa prej çështjeve të rëndësishme të kontrollit në nivel republikan kundrejt kontrollit qendror.
  2. Pjesa më e madhe e pjesëmarrësve në konferencën e ekonomistëve jugosllavë në Opatia (16/17 nëntor) ishin tepër pesimistë për perspektivat ekonomike të Jugosllavisë dhe barrën e borxhit të Jugosllavisë. Sidoqoftë, nuk dukej ende se politikanët dëshironin apo ishin në gjendje të merrnin vendimet e nevojshme.
  3. Një prej çështjeve qendrore që duhet zgjidhur është baza mbi të cilën do të përdoret monedha e fortë dhe limitet e monedhës së fortë që do të huazohet nga republikat individuale. Sistemi aktual është qesharak (për shembull, është në interesin e Sllovenisë që t’i shesë letër dhe energji Austrisë dhe jo Kroacisë, megjithëse Kroacisë i duhet të blejë letër dhe energji sërish nga Austria me një çmim më të lartë në monedhën e fortë).
  4. Me gjithë problemet ekonomike, nuk ka të ngjarë që të shfaqet versioni jugosllav i sindikatës Solidariteti. Punëtorët e një republike nuk kanë ndonjë simpati për ato të një republike tjetër. Më e rëndësishmja, sistemi i vetë-menaxhimit ka bërë që kategoritë e ndryshme të punëtorëve në fabrika të kenë pak simpati për njëra-tjetrën. Deri më sot janë zhvilluar disa greva në Kroaci, por në asnjërën prej tyre nuk kanë marrë pjesë më shumë se një grup punëtorësh. Asnjë nga fabrikat nuk ka ndërprerë punën plotësisht.
  5. Një kërcënim më serioz për partinë vjen nga klasa e mesme. Rritja ekonomike dhe udhëtimet jashtë vendit e kanë mbajtur atë në gjendje të fjetur. Partia do të bënte një gabim të rëndë nëse do të përpiqej përmes kontrollit të valutës dhe kontrolleve të tjera të kufizonte më tej udhëtimet e tyre jashtë vendit (apo udhëtimet e ndokujt tjetër). Jo çdokush udhëtonte jashtë vendit, por njerëzit besonin se e drejta për ta bërë këtë ishte e rëndësishme për ta.
  6. Problemet ekonomike të Jugosllavisë kanë inkurajuar disa studentë Universiteti që të ekzagjerojnë avantazhet e socializmit të Evropës Lindore. Pretendimet për punësim të plotë dhe vizitat e shkurtra në Hungari me kurse të favorshme këmbimi, prej tyre ose miqve të tyre, i kishte bërë ata të mendonin se jeta në vendet socialiste kishte vërtetë diçka për ta lavdëruar. Gjithsesi, jo shumë njerëz mendonin në këtë mënyrë. Por të rinjtë në Jugosllavi nuk e kishin pasur një opinion të tillë prej dekadash.
  7. Bashkimi Sovjetik nuk po përpiqej që të impononte ritmin e marrëdhënieve të tij me Jugosllavinë (pjesërisht për faktin se perspektivat për marrëdhënie me Shqipërinë dukeshin më të mira – shih më poshtë). Megjithatë, pritet së shpejti një vizitë në Beograd e një udhëheqësi sovjetik, me gjasa Tikhonov.

Kosova

  1. Situata në Kosovë është e keqe. Për shumë vite që do të vijnë Kosova do të jetë “Provincë e Jugosllavisë” (Ulster).
  2. Në Serbi dhe Maqedoni (në Bosnje dhe Mal të Zi gjithashtu) ekzistonte një mosbesim i thellë për nacionalizmin shqiptar. Kishte pikëpamje që ndryshonin lidhur me faktin nëse Kosova do të ishte forca shtytëse për një Shqipëri të re dhe të madhe (si Piemont në krijimin e Italisë), apo nëse do të kërkonte integrimin e saj me Shqipërinë aktuale. Sidoqoftë, një gjë është e qartë – shqiptarët e Kosovës janë “jo-jugosllavë për nga botëkuptimi”. Nuk ekzistonte perspektiva që statusi i Kosovës brenda Serbisë të mund të ndryshohej për një kohë të gjatë në të ardhmen.
  3. Për të ardhmen e parashikueshme nuk ka perspektivë se shqiptarët e Kosovës do të ofrojnë një udhëheqje efektive partiake në krahinë. Vetëm pak njerëz ishin të gatshëm t’i shërbenin Partisë “në interes të Jugosllavisë”. Vetëm një grup i vogël shqiptarësh i Partisë së Kosovës shprehte gjëra që mund të citoheshin në shtyp. Pjesa tjetër e partisë ndiqnin një politikë të rezistencës pasive.
  4. Aktualisht vetëm 200,000 njerëz (prej popullsisë 1.5 milionë) ishin të punësuar rregullisht; 300,000 njerëz ishin të papunë dhe 450,000 ishin në shkollë dhe Universitet. Në të kaluarën udhëheqja e Partisë së Kosovës kishte qenë në gjendje të ruante pamjen e kontrollit përmes lëvrimit të shumave të konsiderueshme të financave federale. Klasa e mesme kishte përfituar shumë nga përmirësimi i lehtësirave kulturore/arsimore dhe nga përfitimet që rridhnin prej projekteve të ndërtimit.
  5. Rëniet dhe uljet aktuale në investimet në Kosovë kishin vënë nacionalizmin shqiptar në plan të parë në Kosovë. Në fillim të viteve 1970, klasa e mesme kroate kishte preferuar të kufizonte ndjenjat e saj nacionaliste dhe jo të përballej me rrëmuja politike që kërcënonin mirëqenien e tyre. Situata në Kosovë është ndryshe. Nacionalizmi është më i fortë dhe madje edhe në rrethana të vështira klasa e mesme mjaft e vogël në numër mund ta përballojë mjaft mirë situatën.
  6. Vështirësitë aktuale u shoqëruan me eksodin e serbëve dhe “jugosllavëve” të tjerë nga Kosova. Ka shumë pak shpresë që të vërshojë rritja e ndihmës ekonomike në Kosovë, megjithëse disa nga fondet mund të investohen në mënyrë më produktive. Kontrolli do të duhet të ushtrohet nga policia dhe ushtria dhe jo me mjete politike.

Shqipëria

  1. Karakteristika kryesore e politikës së jashtme të Shqipërisë është se ajo ka preferuar të jetë miqësore me ato vende me të cilat Jugosllavia ka marrëdhënie të dobëta. Shqipëria ka qenë shumë e afërt me Kinën deri kur u përmirësuan marrëdhëniet mes Kinës dhe Jugosllavisë.
  2. Ky faktor si dhe struktura dhe traditat e Partisë Komuniste Shqiptare theksuan afrimin e Shqipërisë me Bashkimin Sovjetik, nëse jo më parë, atëherë pas vdekjes së Hoxhës.
  3. Zyrtarët e MPJ të Jugosllavisë pretendojnë se janë në dijeni që Bashkimi Sovjetik i ka thënë aleatëve të saj të Paktit të Varshavës që të bëjnë përpjekje të veçanta për të plotësuar kërkesat shqiptare për pjesë këmbimi industriale/ushtarake dhe këtë ta bënin me çmime favorizuese. Bashkimi Sovjetik do të paguante diferencën. Tregtia e Shqipërisë me Hungarinë dhe disa vende të tjera të Evropës Lindore është rritur në mënyrë të qëndrueshme gjatë dy viteve të fundit apo më shumë.

                                                                                            -128-

Konfidenciale

  1. Montgomery
  2. Broomfield                           11 dhjetor 1981

                                                     Politika e jashtme e Shqipërisë

 Keni kërkuar komente mbi vlerësimin e Profesor Vukadinoviqit për politikën e jashtme shqiptare siç raportohet në paragrafët 15-17 të përkujtesës së Z. Barrass.

Paragrafi 15

  1. Mendoj se ka shumë për të thënë në këtë drejtim. Politika e jashtme e Shqipërisë që në vitin 1948, është bazuar në nevojën për të shmangur dominimin jugosllav. Mjeti më i mirë për të sigurua këtë ka qenë patronazhi i një fuqie të madhe (në mënyrë të njëpasnjëshme BRSS dhe Kina) që ka marrëdhënie të dobëta me Jugosllavinë(meqë ra fjala, jam mjaft i sigurt se dyshimi që shqiptarët mund të mos jenë në gjendje të qëndrojnë pa një patron, mund të jetë frika që theksojnë pohimet e përsëritura, por, mesa di unë, të pabazuara të jugosllavëve për një bosht bullgaro-shqiptar). Por kjo politikë ka përfunduar gjithmonë me faktin e një rëndësie më të madhe strategjike dhe politike të Jugosllavisë. Secili nga patronët e Shqipërisë kanë qenë të detyruar nga ana e tyre që të ndreqin kufijtë e saj me Jugosllavinë dhe kjo gjë në mendjen e shqiptarëve ka krijuar perspektivën se një ditë patronët e tyre mund të jenë të përgatitur për t’i shitur ata me qëllim që të kultivojnë jugosllavët. Ky ka qenë një faktor kyç në përçarjet e njëpasnjëshme shqiptaro-sovjetike dhe shqiptaro-kineze.

Paragrafi 16

  1. Por nuk jam i bindur se një gjë e tillë vë theksin domosdoshmërisht në një rivendosje të hershme të marrëdhënieve miqësore shqiptaro-sovjetike. Për momentin, shqiptarët po përqendrohen qartazi në Evropën Perëndimore dhe Botën e Tretë. Në aspektin afatgjatë mbrojtja ruse mund të duket vërtet për shqiptarët e vetmja mburojë kundër Jugosllavisë. Por nuk ka garanci se rusët do t’i përgjigjeshin përçapjeve shqiptare për afrim. Për momentin, ata e shohin Jugosllavinë qartazi si një çmim më i lartë sesa Shqipëria dhe, për pasojë, mendoj se ata nuk do të cenojnë marrëdhëniet e tyre me Jugosllavinë, duke kultivuar haptazi marrëdhëniet me shqiptarët. Megjithatë, nëse rusët do ta ndjenin se nuk po arrijnë ndonjë gjë me jugosllavët, lidhjet e tyre më të ngushta me Shqipërinë do të përbënin një mënyrë të mirë për t’i bërë presion Jugosllavisë. Gjithashtu, Shqipëria do të ofronte bazën ideale nga e cila do të nxiteshin trazira në Kosovë, Mal të Zi apo Maqedoni.

Paragrafi 17

  1. Nuk e kam dëgjuar këtë sugjerim më parë megjithëse, së paku, fjalia e parë është bindëse. Siç thotë Profesor Vukadinoviq, tregtia e Shqipërisë me anëtarët e Kominternit të Evropës Lindore është rritur me shpejtësi që prej prishjes me Kinën. Por, po kjo e vërtetë qëndron edhe për tregtinë e Shqipërisë me Evropën Perëndimore (madje edhe me ne). Unë mendoj se kjo i atribuohet kryesisht nevojës së shqiptarëve për t’u shkëputur nga kinezët, të cilët deri në vitin 1978, përfaqësonin më shumë se gjysmën e tregtisë së përgjithshme të Shqipërisë.
  2. C. R. Gray

                                                                                         -129-

Për përdorim të kufizuar

J C R Gray Esq                                                                                       Ambasada britanike

EESD                                                                                                                Beograd

FCO                                                                                                           15 dhjetor 1981

I nderuar Charles,

                                          Kosova: situata politike dhe e sigurisë

Përmbledhje

  1. Ka pasur dy incidente të tjera që kanë bërë bujë në Universitetin e Prishtinës dhe incidente nacionaliste në Mitrovicën e Titos dhe në Pejë. Nacionalizmi shqiptar është shfaqur gjithashtu në Mal të Zi afër kufirit me Shqipërinë. Janë raportuar humbje të panumërta ekonomike të shkaktuara nga pakujdesia dhe papërgjegjshmëria në punë. Në një vizitë në Kosovë, Kryeministri Gjuranoviq e vlerësoi situatën politike dhe të sigurisë si “ende të ndërlikuar”.

Detaje

Universiteti i Prishtinës

  1. Ka pasur dy ‘provokime’ të tjera në Universitetin e Prishtinës (shih shkresën time dërguar për ju më 9 nëntor). Në kohën e drekës, më 10 dhjetor, një numër prej 90 vetash, shumica e tyre studentë, vërshuan në një mensë studentësh dhe i detyruan njerëzit që po shërbenin ushqimin që t’i jepnin atyre një drekë falas. Këta elementë turbullues u shpërndanë përpara profesorëve dhe mësuesve për t’i dalluar që kishin mbërritur. Gazeta “Borba” e datës 13 dhjetor tha se ky rast ishte haptazi një incident i mirorganizuar meqenëse në radhët e tyre ishte edhe një grup punëtorësh ndërtimi nga Vushtrria, të cilët kishin qenë në grevë pak ditë më parë. Rasti në fjalë u vlerësua zyrtarisht se ishte një provokim i frymëzuar nacionalist. Në incidentin e dytë, më 12 dhjetor në orën 23:00, rreth 300 studentë krijuan një trazirë tjetër të ndezur, duke hedhur karrige përreth dhe duke vrapuar nëpër rrugë pasi panë në TV heroin lokal të boksit nga Prishtina, i cili kishte mundur kundërshtarin e tij në një ndeshje boksi ndërmjet Jugosllavisë dhe SHBA.
  2. Një zëdhënës zyrtar për Qendrën Studentore në Prishtinë konfirmoi se forcat armiqësore ishin ende aktive në Universitet. Çdo ditë shfaqeshin parulla në konvikte, u shpreh ai, ku në disa thuhej “Poshtë Titizmi” dhe “Patriotët shqiptarë nuk shkruajnë në mure – dalin në rrugë”. Por, pjesa më e madhe e studentëve që shkaktonin trazira në konvikte dhe përreth tyre, nuk ishin banorë në konvikte; në të vërtetë, kur një banor konvikti kishte pyetur recepsionistin e konviktit që të pranonte një person ‘të jashtëm’ për atë natë dhe kjo kërkesë ishte refuzuar, një grup studentësh e kishin rrahur recepsionistin.

Mitrovica e Titos dhe Peja

  1. Më 23 nëntor, Komuna e Mitrovicës, qyteti i kompleksit minerar të Trepçës e ndryshoi emrin në Mitrovica e Titos, dhe Drvar në Bosnje-Hercegovinë u bë të nesërmen Drvar i Titos për nder të Presidentit Tito. Këto ndryshime u raportuan se u pritën me gëzim nga banorët e të dyja qyteteve. Megjithatë, disa jugosllavë u shprehën privatisht se ndryshimi i emrit të komunës së Mitrovicës në rrethanat aktuale shkaktoi një provokim të panevojshëm; me të vërtetë, më 26 nëntor, një tabelë e re rrugore që mbante shënimin ‘Mitrovica e Titos’ u zhduk nga periferitë e qytetit ndërkohë që hajdutët përfituan nga mjegulla e dendur! Ky veprim u denoncua menjëherë si një akt armiqësor, por autorët nuk u kapën dhe as tabela rrugore nuk u rivendos. Kryetari lokal tha se situata politike dhe e sigurisë në këtë zonë ishte ende “e ndërlikuar”, por se kishte pasur përmirësime kohët e fundit në faktin që parullat fyese nuk shfaqeshin më në muret e fabrikave.
  2. Më 12 dhjetor, Gazeta “Politika” raportonte se 31 njerëz ishin përjashtuar nga LKJ në Pejë. Ata ishin anëtarë të organizatave të ndryshme punëtore dhe të shkollave në të cilat mbisundonin “dobësitë, oportunizmi dhe marrëdhëniet e dobëta ndër-komunale”. Për më tepër, Organizata e Veteranëve të Pejës, më 11 dhjetor shprehu shqetësimin për sigurinë e banorëve të Pejës nga sulmet e frymëzuara nga nacionalistët; Disa serbë dhe malazezë ishin dëmtuar rëndë gjatë sulmeve dy ditë më parë. Gazeta e sotme “Politika” kishte intervista të shkurtra me 3 nga viktimat e këtyre ngjarjeve dhe komentoi se ky ishte “padyshim një rast i një bande të mirë-organizuar rrugaçësh të prirë për të përhapur trazira në komunitetin serb dhe atë malazez”.

Nacionalizmi shqiptar në Mal të Zi

  1. Nacionalizmi shqiptar është shfaqur në forma të ndryshme edhe në Ulqin në Mal të Zi pranë kufirit jugosllavo-shqiptar. Më 9 dhjetor, situata u vlerësua nga LKJ e Obstinës si “më e rëndë se asnjëherë tjetër gjatë tre dekadave të fundit”. Kongresi i Partisë në Shqipëri, veçanërisht kishte nxitur rritjen e aktivitetit nacionalist. Këngët nacionaliste gjëmonin nga altoparlantët e vendosur në fshatin Sukobin në kufi; folësve jo-shqiptarë u ishte refuzuar shërbimi në markete dhe ishin bërë kërkesa që faturinot e autobusëve për rrugë të caktuara të ishin shqiptarë. Një seminar i punonjësve të arsimit në shtator ishte kthyer në forum për çështje dhe ankesa nacionaliste. LKJ në Ulqin shpërndau Organizatën e Partisë në Sukobin, përjashtoi 10 anëtarë Partie dhe rekomandoi shkarkimin nga puna të 9 personave në arsim.

Dëmet ekonomike dhe industriale të Kosovës

  1. Më 14 dhjetor, Kryesia e Lidhjes Socialiste të Kosovës vlerësoi me trishtim ekonominë e Kosovës. Rritja ekonomike nuk po materializohej, produktiviteti po binte dhe ndërkohë që pagat vazhdonin të rriteshin, po kështu rriteshin edhe humbjet, të cilat në nëntë muajt e parë të këtij viti arritën në 1.85 miliard dinarë. Gazeta “Politika”, më 14 dhjetor raportonte pasojat shkatërrimtare të papërgjegjshmërisë dhe neglizhencës së përhapur në fabrikat e Kosovës (shih shkresën time dërguar për ju më 8 shtator, paragrafi 13). Gjatë dy muajve të fundit, dëmet e shkaktuara vetëm nga zjarret e vëna arrinin në 68 milionë dollarë, por kishte edhe mijëra raste mashtrimi apo kriminaliteti tjetër. “Shkaku kryesor i këtyre rasteve duhet të kërkohet kryesisht në marrëdhëniet e pazhvilluara vetë-menaxhuese, në plogështinë dhe papërgjegjshmërinë”, siç e përmblodhi një mbledhje e kohëve të fundit të Vetë-Mbrojtjes Sociale të Kosovës.

Gjuranoviq viziton Kosovën

  1. Më 11 dhe 12 dhjetor, Kryeministri Federal Veselin Djuranoviq vizitoi Kosovën i shoqëruar nga Ivan Stamboliq. Ata ndaluan në fabrika të ndryshme për të diskutuar problemet lokale me punëtorët dhe menaxherët. Raporti i mbledhjes së tyre me udhëheqësit kryesorë të Kosovës thoshte se proceset e përmirësimit dhe konsolidimit ishin tashmë në proces, “por situata politike dhe e sigurisë në Kosovë është ende shumë e ndërlikuar dhe e rrethuar me probleme”. Duhej zbatuar politika e Platformës Politike të KQ të LKJ si dhe nevojitej që deri në fund të vitit të bihej dakord për Planin Social të Kosovës (Komiteti Krahinor i LKK do të mblidhet më 21 dhjetor për të diskutuar zbatimin në praktikë të Platformës).

Komente

  1. Siç përmendet në njoftimin e tretë të ambasadorit për Kosovën (paragrafi 12), Platforma Politike e KQ të LKJ e ka hequr përmendjen e përfshirjes së punëtorëve në trazira në Kosovë dhe rreth saj. Sidoqoftë, incidentet e fundit të përshkruara më lart sugjerojnë se trazirat nacionaliste të formave të ndryshme janë gjithsesi të pranishme në fabrika, shkolla dhe vende të tjera pune. Gjithashtu, megjithëse autoritetet qendrore janë duke minimizuar incidentet e fundit në Universitetin e Prishtinës, përsëri është e habitshme se jo pak studentë aty janë ende të patrembur për të rrezikuar dënime të rënda duke i përfshirë në lojëra të rënda nacionaliste.

I Juaji

Charles Crawford

Për dijeni: P Rosling Esq, Zagreb

P Rennie Esq, Departamenti i Kërkimit, FCO

                                                                                        -130-

Konfidenciale

                                            Kërkesë e ambasadorit jugosllav për Z. Bullard,

23 dhjetor 1981

  1. Kërkesa e Z. Stamenkoviqit bëhej për të konfirmuar pozitën e Qeverisë së Madhërisë së Saj mbi pretendimet e qarta shqiptare për territorin jugosllav dhe për të bërë të qartë pozitën e Jugosllavisë. Duke iu referuar Notës që i është dorëzuar ambasadorit shqiptar në Beograd më 4 dhjetor (bashkangjitur), Z. Stamenkoviq tha se Jugosllavia dëshironte të mbante marrëdhënie të mira me Shqipërinë, por i duhej që të reagonte ndaj disa veprimeve të papranueshme. Shqiptarët dëshironin që të ndryshonte pozita e Kosovës, duke e shndërruar atë në Republikë brenda Jugosllavisë. Kjo ishte ndërhyrje në punët e brendshme të Jugosllavisë. Hapi tjetër ndoshta do të ishte përpjekja për të përfshirë Kosovën brenda Shqipërisë. Hoxha kishte thënë disa vite më parë se qëllimi i tij ishte që të bashkonte të gjithë shqiptarët në një shtet. Jugosllavia kishte frikë se shqiptarët, të cilët ishin përpjekur të fitonin mbështetje në Perëndim për idetë e tyre, po përpiqeshin të destabilizonin të gjithë rajonin.
  2. Z. Bullard shpjegoi se meqenëse Britania nuk kishte marrëdhënie diplomatike me Shqipërinë, njohuritë tona mbi zhvillimet e atij vendi ishin të limituara. Ne nuk e dinim nëse incidenti i Kosovës ishte provokuar nga shqiptarët, megjithëse padyshim ata e kishin shfrytëzuar atë. Britania e konsideronte integritetin dhe pavarësinë e Jugosllavisë si shumë të rëndësishme dhe do t’i vinte keq për çdo gjë që mund ta dëmtonte këtë fakt.
  3. Megjithëse Z. Stamenkoviq pa një mundësi të Bashkimit Sovjetik që të kenë ndërhyrë tek shqiptarët, ai tha se nuk kishte tregues që incidenti i Kosovës të jetë provokuar nga shqiptarët në përgjigje të vlerësimit të kërkesës së Spanjës për të hyrë në NATO.
  4. Pas disa vërejtjeve të përgjithshme për Poloninë, Z. Stamenkoviq iu kthye çështjes së rrezikut të destabilizimit në rajon dhe veçanërisht në Jugosllavi. Ai theksoi se Jugosllavia po bënte përpjekje reale për të kapërcyer vështirësitë e saj ekonomike. Ajo synonte të zgjeronte tregtinë e saj në Perëndim, ndoshta për shkak se në të kaluarën ishte përqendruar shumë nëtregtinë me Lindjen. Njerëzit ishin të gatshëm të bënin sakrifica. Ata kishin pranuar një rënie prej 7% në nivelin e jetesës si në vitin e kaluar, dhe në atë aktual.

 

Departamenti Sovjetik & i Evropës Lindore                                                      24 dhjetor 1981
Shpërndarë për:
Z. Bullard
Z. Broomfield, EESD
Z. Gray, EESD

Zyra e Kancelarit, Beograd.

                                                                                           -131-

Konfidenciale

FM Beograd ZIGR 5028

                                                 Situata e brendshme në Jugosllavi-Kosovë

  1. Situata në Kosovë ka ndryshuar që prej përshkrimit në telegramin e përmendur. Herë pas here vazhdojnë të zhvillohen demonstrata sporadike në shkallë të vogël si dhe akte të tjera proteste, por duket se autoritetet tani janë në gjendje të mbajnë situatën nën kontroll pa përdorimin e tepruar të forcës (megjithëse ende jo normale/jo plotësisht normale, situata në Kosovë duket se është normalizuar).
    2. Gjyqet në lidhje me demonstratat e pranverës së kaluar, duket se kanë mbaruar. Rasti i fundit që mori vëmendjen tonë ishte ai i shqiptarit etnik në Bosnje akuzuar se ka mbështetur statusin e Republikës për Kosovën. Ky rast sjell numrin e personave të gjykuar në 233. Në të ardhmen mund të ketë gjyqe të tjera në lidhje me protestat e kohëve të fundit: gjatë javëve të fundit ka pasur dy demonstrata të vogla në Universitetin e Prishtinës, disa shkarravitje të parullave dhe heqje të tabelave të qarkullimit jashtë qytetit të posa riemëruar të Mitrovicës së Titos. Shtypi vazhdon të pasqyrojë ngjarje të tilla në detaje.
    3.         Komiteti Qendror i LKJ ka miratuar kohët e fundit “Platformën Politike”, e cila përmban një analizë të pakursyer të dështimit për të miratuar dhe zbatuar politika, të cilat autorët e raporteve besojnë se do të kishin parandaluar zhvillimin e nacionalizmit radikal në Kosovë. Rekomandimet e raporteve përfshijnë rritjen e mëtejshme të ndihmës ekonomike për Kosovën, masa për të siguruar se ndihma është kanalizuar në ndërmarrjet që krijojnë vende pune, dhe një gamë të gjerë masash të planifikuara për të forcuar lidhjet politike, ekonomike, sociale dhe kulturore të Kosovës me pjesën tjetër të vendit. Një analizë me e detajuar do të dërgohet dorazi.
    4.         Polemikat jugosllavo-shqiptare mbi çështjen e Kosovës vazhdojnë, ku asnjëra palë nuk tregon ndonjë gatishmëri për të ulur klimën politike, por marrëdhëniet ekonomike nuk janë cenuar. Më 10 dhjetor media jugosllave publikoi tekstin e një note proteste që i është paraqitur ambasadorit shqiptar këtu (më pas ai e ktheu përsëri) dhe në të njëjtën ditë njoftoi se në Tiranë ishte nënshkruar Protokolli i Tregtisë për vitin 1982. Tregtia midis Jugosllavisë dhe Shqipërisë parashikohet të arrijë në 130 milionë dollarë amerikanë në vitin 1982.
    5.         Në lidhje me përgjigjen ndaj shkresës së Crosbie (telegrami juaj i përmendur) besojmë se do të ishte me vend të jepej një përgjigje minimale, pasi kjo është çështje me ndjeshmëri tejet ekstreme këtu. Jugosllavët kanë reaguar me shumë ashpërsi ndaj prezantimit të “përfitimit për viktimat e Kosovës”, dhe çdo koment tjetër, nëse bëhet publik, mund të nxjerrë përgjigje të tillë të ngjashme. Do t’ju ishim shumë mirënjohës nëse do të kishit mundësinë të komentonit mbi hartimin e ndonjë përgjigjeje të mirëfilltë.

CCC/088 280800ZZLGR5028

                                                                                                  -132-

Zyra e Jashtme dhe e Komonuelthit                                                          Londër SW1A 2 AH
Shkëlqesisë së Tij                                                                                               24 dhjetor
Z. Edwin Bolland KCMG
Beograd
I nderuar Edwin,

                                                                                         Çështja e Kosovës

  1. Ju falënderoj për telegramin tuaj të datës 7 dhjetor mbi vazhdimin e tensionit në Kosovë. E kemi dërguar për qarkullim nëdepartamentet përkatëse dhe do ta paraqesim dhe qarkullojmë për komente nga departamentet e interesuara. Nëse del ndonjë gjë me rëndësi të veçantë, do t’ju shkruaj përsëri.
  2. Siç keni bërë të qartë, Kosova e paraqet Federatën jugosllave me një problem thelbësor për të cilin nuk mund të ketë zgjidhje të lehtë. Siç e dimë shumë mirë në Mbretërinë e Bashkuar, çështjet e minoriteteve nuk zhduken dhe zhvendosja e përgjithshme etnografike brenda krahinës për të cilën keni tërhequr vëmendjen në paragrafin 14, ka të ngjarë që më shumë t’i acarojë sesa t’i lehtësojë vështirësitë.
  3. Sidoqoftë, ka tre aspekte të reagimit të autoriteteve jugosllave të cilat unë i shoh inkurajuese. Në radhë të parë, më duket se ato janë përballur me natyrën e problemit në mënyrë më të drejtpërdrejtë sesa ç’mund të ndodhte në shumë vende të tjera megjithëse mund të kenë bërë përpjekje që disa vështirësi t’i veshin me shkëlqimin e tyre ideologjik. Nuk ka përpjekje për t’i shpëtuar problemit duke e paraqitura të si thjesht një pasqyrim i përkohshëm i qeverisjes së keqe ose i disavantazheve sociale dhe ekonomike. Ka një pranim të qartë se thelbi i problemit qëndron në nacionalizmin e Kosovës (paragrafi 6).
  4. Së dyti, jugosllavët duket se kanë reaguar ndaj një goditjeje të papritur me forcë dhe realizëm. ‘Platforma’ përfaqëson një përpjekje pozitive praktike për trajtimin e problemit dhe megjithëse ne nuk i pëlqejmë disa nga aspektet ideologjike, kjo platformë është brenda kuadrit të sistemit jugosllav si përpjekje konstruktive për të vënë situatën nën kontroll.
  5. Së treti, ka një pikë më të gjerë ndaj së cilës ju keni tërhequr vëmendjen në paragrafin tuaj 17 sipas të cilit sinqeriteti i debatit si në shtyp dhe në Komitetin Qendror pasqyron një hap të rëndësishëm përpara drejt demokratizimit.
  6. Ne do të vëzhgojmë me interes hapat e mëtejshëm për t’u angazhuar në këtë problem me sigurinë se të paktën jugosllavët duket se do të vazhdojnë me një diagnozë të shëndetshme edhe nëse trajtimi mund të dalë më i vështirë nga sa ata e kanë parashikuar.

I Juaji,
N H R A Broomfield
Departamenti Sovjetik & i Evropës Lindore

(FUND)