Prof. dr. Sabit Syla & Prof. dr. Hamit Kaba
DOKUMENTE BRITANIKE PER DEMONSTRAT E VITIT 1981 NE KOSOVE
* * *
Dokumentet britanike për Demonstratat e vitit 1981 në Kosovë, sjellin para lexuesit informacione të rëndësishme, për një ngjarje me shumë interes të historisë bashkëkohore të shqiptarëve. Janë afër 300 faqe dokumente të vjela nga Arkivat Britanike në Londër, të natyrës diplomatike, politike, shoqërore, ushtarake etj. Shumica e dokumenteve i përket korrespodencës së Ambasadës së Mbretërisë së Bashkuar në Beograd, me Ministrinë e Jashtme dhe të Komonuelthit (Foreign and Commonwealth Office – FCO) dhe një numër më i kufizuar informacionesh të përcjella nga Konsullata e Përgjithshme Britanike në Zagreb. Dokumentet përfshijnë edhe korrespodencën diplomatike të ambasadave të Madhërisë së saj, në: Athinë, Ankara, Moskë, Vjenë e deri në Abu Dhabi [Emiratet e Bashkuara Arabe], me Londrën. Pjesa më e rëndësishme e kësaj korrespodence i është bërë e njohur edhe Uashingtonit, me të cilin Londra konsultohej herë pas here dhe, siç dëshmojnë dokumentet, duket se ndanin edhe qëndrime të përbashkëta.
Një vend të konsiderueshëm zënë edhe artikujt e shtypit të vendeve perëndimore. Imazhet e para të qëndrimeve të diplomacive perëndimore ndaj Demonstratave të vitit 1981 në Kosovë, dhe ndaj çështjes shqiptare, u përcollën pikërisht përmes këtyre artikujve. Në të vërtetë, disa prej shkrimeve të shtypit perëndimor dhe sidomos të atij austriak e gjermano-perëndimor shprehnin më qartë përmasat reale të asaj që po ndodhte në Kosovë në pranverën e vitit 1981, të egërsisë me të cilën u soll Jugosllavia ndaj demonstruesve dhe intelektualëve shqiptarë gjatë dhe pas demonstratave. Në ndonjë dokument specifik të këtij botimi do të pranohej e argumentohej juridikisht legjitimiteti dhe drejtësia e kërkesës kyçe “Kosova Republikë”.
Tematika e këtyre dokumenteve është e pasur dhe e larmishme, por, përmbajtja e saj mund të rivijëzohet në disa drejtime, të cilat fokusohen: tek nacionalizmi i shqiptarëve të ish-Jugosllavisë; tek shkaqet e Demonstratave të mars-prillit të vitit 1981; tek kërkesa kryesore e tyre “Kosova Republikë”; tek roli i Shqipërisë në këto demonstrata dhe tek marrëdhëniet e saj me Jugosllavinë; tek politika zyrtare e Britanisë së Madhe ndaj Jugosllavisë dhe kërkesave të shqiptarëve; tek reagimi i organeve të larta partiake e shtetërore në Serbi e Federatë, gjatë dhe pas demonstratave; tek qëndrimet e dyzuara të udhëheqësve shqiptarë në Kosovë; tek analizat interesante për kushtetutshmërinë e kërkesës së demonstruesve “Kosova Republikë”; tek hamendësimet intriguese për vdekjen e papritur të kryeministrit të Shqipërisë, Mehmet Shehu etj.
Hartuesit e dokumentacionit në përgjithësi i gjejnë rrënjët e krizës brenda Jugosllavisë dhe jo jashtë saj, në kundërshtim me përpjekjet e udhëheqësve jugosllavë, që i kërkonin ato jashtë Jugosllavisë, kryesisht tek politika e shtetit shqiptar apo e Bashkimit Sovjetik. “Nacionalizmi në Kosovë, përmendet me të drejtë në një informacion të Ambasadës britanike në Beograd, është një problem endemik, të cilin as Tito nuk mundi ta zgjidhte”. Dokumentacioni hap rrugën për një analizë më realiste e më të plotë të Demonstratave të vitit 1981 në Kosovë.
Politika zyrtare britanike e vitit 1981 ishte për ruajtjen e Jugosllavisë dhe të tërësisë së saj territoriale, ndërsa kërkesa e shqiptarëve “Kosova Republikë” shihej me dyshim dhe rrezikshmëri, sepse pranimi i saj mund t’i hapte rrugë shpërbërjes së Jugosllavisë dhe hapjes së “Kutisë së Pandorës”. Sidoqoftë, nuk do të mungonin edhe gjykimet dhe zërat e veçantë jashtë kuadrit zyrtar, të cilat e konsideronin të drejtë kërkesën e shqiptarëve për barazi brenda Federatës Jugosllave. Disa artikuj të shtypit të këtyre muajve, ndonëse furnizoheshin me “karburant” nga shtypi dhe autoritetet jugosllave, arritën në konkluzione më të drejta se vetë politikanët e shteteve të tyre, duke pranuar opsionin “Kosova Republikë”, madje edhe shkëputjen e saj nga Jugosllavia, duke sjellë si shembull historinë e disa vendeve evropiane.
Qeveria jugosllave, siç dëshmon dokumentacioni, qëllimisht e keqinterpretonte kërkesën e demonstruesve për “Kosovën Republikë”, me shkëputjen e saj nga Jugosllavia dhe me ndryshimin e kufijve, duke e ditur se një opsion i tillë, do të prishte ekuilibrat dypolarë dhe do të kundërshtohej nga Perëndimi. Në mënyrë jo korrekte dhe të përsëritur, disa politikanë jugosllavë i referoheshin Aktit Final të Helsinkit, për pandryshueshmërinë e kufijve evropianë të vendosur pas Luftë së Dytë Botërore, duke “harruar” të përmendnin një nga nenet e tij, i cili i hapte rrugë ndryshimit të kufijve në mënyrë paqësore. Sidoqoftë, në rrethanat e “Luftës së Ftohtë” ishte gati e pamundur të “kapërceje gardhin”. Frika dhe paragjykimi për tjetrin ishin të pranishëm kudo. Por, studentët, punëtorët dhe intelektualët e Kosovës nuk kërkuan ndryshimin e kufijve, por barazi me republikat e tjera të ish-Jugosllavisë.
Në ndonjë dokument të këtij vëllimi vihet në dukje një tipar i veçantë i nacionalizmit shqiptar – prirja drejt të drejtave kombëtare dhe jo drejt lirive individuale, sikurse ndodhte në vendet anëtare të KSBE-së, ku bënte pjesë edhe Jugosllavia. Prirja për të drejta dhe liri individuale, ishte karakteristike për vendet ish-komuniste të Evropës Qendrore e Lindore, [ndonëse edhe Jugosllavia kishte problemet e veta], por, tek shqiptarët interesat kombëtare kishin fituar prevalencë mbi liritë dhe të drejtat e njeriut, për kohën kur u hartuan këto dokumente.
Dokumentet nuk i shpëtojnë dot subjektivizmit dhe këndvështrimeve të ndryshme, jo thjesht se ato janë ushqyer nga burime zyrtare jugosllave, por kryesisht për shkak të “doganës” që vë koha. Por, kjo nuk e cenon vlerën e tyre. Publikimi i këtij korpusi dokumentar do ta pasurojë më tej njohjen tonë për Demonstratat e vitit 1981 në Kosovë, do të na ndihmojë të gjykojmë më mirë për historinë e saj, për njerëzit që morën pjesë dhe mbi të gjitha për drejtësinë e kërkesës “Kosova Republikë”. Viti 1981 shënoi një pikë kulmore të kërkesave kombëtare të shqiptarëve, por jo fundin e një rruge të gjatë, e cila do të vazhdonte dhe do të kurorëzohej vetëm në fillim të shekullit të XXI, me shpalljen e shtetit të pavarur të Kosovës.
Shpresojmë dhe besojmë se publikimi i këtij vëllimi origjinal dhe intrigues do të tërheqë vëmendjen e lexuesit të thjeshtë, studiuesve të shkencave shoqërore, e veçanërisht të historianëve. Interesi besojmë se do të jetë i shumëfishtë për njerëzit që bënë historinë në ato vite, të cilët janë ende gjallë. Dokumentacioni është përcjellë sipas kronologjisë së ngjarjeve, pa i cunguar e hequr pjesëza nga trupi i tyre.
Prof. dr. Sabit Syla & Prof. dr. Hamit Kaba
-101-
Për përdorim të kufizuar
J C R Gray Esq Ambasada britanike
EESD Beograd
FCO 30 shtator 1981
I nderuar Charles,
Kosova: analizë politike
Që prej raporteve tona të fundit për Kosovën, kanë dalë disa çështje që vlen të përmenden:
Siguria
- Më 22 shtator Franjo Herleviq, Sekretari Federativ i Punëve të Brendshme, bëri një përmbledhje të situatës aktuale të sigurisë në Kosovë në këtë mënyrë: “numri i incidenteve ka rënë dhe jeta publike i është kthyer normalitetit, por situata e sigurisë ka mbetur e ndërlikuar. Aktiviteti armiqësor manifestohet përmes shkrimit të parullave, shpërndarjes së fletushkave; gjithashtu vazhdojnë të jenë të pranishme deklaratat verbale dhe veprimet e paligjshme. Ka pasur raste sabotimesh dhe dëmesh të qëllimshme”. Ky vlerësim i përgjithshëm është pasqyruar në raportet e shtypit në gusht dhe shtator.
Gjyqet
- Në kritikën e parë të hapur dhe në nivel të lartë kemi parë disa nga dënimet e rënda që janë dhënë në serinë e gjyqeve të nacionalistëve gjatë verës. Mitija Ribçiq, Kryetar i Aleancës Socialiste të Popullit Punëtor të Sllovenisë (ASPPS), tha në një intervistë në “Vjesnik” më 19 shtator, se Kosova ishte një “problem ekonomik, politik dhe vetë-menaxhues, jo çështje e gjykatave dhe prokurorëve … një tetëmbëdhjetë vjeçar që nuk di asgjë dhe që mendon se parulla “duam Republikë” është diçka e re, nuk duhet të dënohet me dymbëdhjetë vjet burg. Do të ishte më mirë që t’i shpjegonim disa gjëra dhe të ndikonim tek ai në mënyra të ndryshme, veçanërisht përmes arsimimit”. Ai tha se njerëzit që dënohen me periudha të gjata burgimi në këtë moshë do ta shihnin veten në mënyrë të pa shmangshme si heronj.
- Herleviç dha përgjigjen e tij ndaj kësaj kritike në fjalimin e përmendur më lart. Duke iu referuar profilit të moshës së personave të dënuar në Kosovë, ai tha hapur se 90% e tyre ishin të rritur; për të miturit gjykata kishte dhënë masa rehabilituese-arsimore. Megjithatë, një grua përfaqësuese ngriti zërin kundër shkallës së rëndë të dënimeve në Mbledhjen e Përbashkët të Kuvendit të Kosovës më 25 shtator, duke pohuar se shumë njerëz në demonstrata kishin marrë pjesë nën presion. Disa përfaqësues e mohuan këtë pikëpamje. Njëri tha se, nëse ndokush ka qenë subjekt presioni, këta ishin pikërisht serbët dhe malazezët; nuk mund të kishte falje për ata që ishin dënuar, pasi po sulmohej sistemi kushtetues i Jugosllavisë. Me një shikim të papëlqyeshëm ndaj arritjeve të demokracisë jugosllave, Kuvendi u distancua nga pikëpamjet e saj dhe i kërkoi ‘bazës përfaqësuese’ të saj që të merrte masa të përgjegjshme ndaj saj.
- Rastësisht, gazeta e sotme “Politika” raportoi se Kryesia e Kosovës kishte deklaruar dje se ishte e kënaqur me veprimin e gjykatave deri tani në trajtimin e nacionalistëve dhe sjelljes së tyre kundërrevolucionare; Kryesia shtoi se “gjykatat duhet të shqyrtojnë të gjitha rrethanat e afërta në vlerësimin e shkallës së përgjegjësisë penale”, ndoshta një aluzion i vogël ky për gjykatat që të gjejnë disa faktorë lehtësues për të pandehurit e rinj.
Presioni ndaj serbëve dhe malazezëve për t’u larguar nga Kosova
- Letrat e mia për ju të datave 17 qershor dhe 28 korrik bënin fjalë për “emigracionin” e serbëve dhe malazezëve nga Kosova. Hetimet në këtë drejtim kanë filluar të japin fryte, së paku në masën që është pranuar zyrtarisht në Kosovë se ka pasur raste të shumta kur njerëzit janë larguar pas “presionit” të ushtruar. Siç e tha gazeta NIN më 27 shtator, nëse kjo lëvizje do të vazhdojë, do të përhapet pikëpamja e përgjithshme se duhen fajësuar të gjithë shqiptarët në Kosovë dhe kjo situatë në mënyrë të pavetëdijshme do të sjellë më afër mundësinë për një “Kosovë etnikisht të pastër”. Serbëve dhe malazezëve u është bërë thirrje që të qëndrojnë. Por, siç sugjeroi një raport, nëse situata e përgjithshme politike është në vetvete një arsye e mirë që ata të largohen, atëherë progresi në këtë front të rëndësishëm do të jetë i vështirë. Më shumë fakte dhe shifra do ju dërgoj kur të përfundojnë hetimet zyrtare.
Diferencimi
- Gazeta “Komunist” më 25 shtator raportoi se rreth 600 anëtarë të LKK ishin përjashtuar, shumica për “pasivitet”. Spastrimi ka qenë veçanërisht i theksuar në Universitetin e Prishtinës ku rreth 365 studentë janë përjashtuar për “pasivitet”; 19(!) studentë janë përjashtuar për pjesëmarrje në demonstrata ose për mbështetjen e tyre. Artikulli vazhdonte se “diferencimi” nuk ishte thjesht çështje dënimesh dhe përjashtimesh (në Ferizaj ishte kufizuar rreptësisht me zbulimin e pjesëmarrësve në demonstrata). Diferencimi duhej të ishte “një betejë për besim në LKJ, për zgjerimin e ndikimit të saj dhe për realizimin e rolit pararojëtë saj”.
(Koment: cilido qoftë përkufizimi i diferencimit, nuk mendoj se kemi parë ende fundin e serisë së sanksioneve dhe përjashtimeve nga Partia në Kosovë).
I Juaji
Charles Crawford
PS Gjyqet (Rishqyrtuar)
Gjyqet e nacionalistëve në Kosovë duket se kanë përfunduar. Rreth 220 veta janë dënuar, pjesa më e madhe e të cilëve kanë marrë dënime të konsiderueshme me burgim. Megjithëse zyrtarisht është pretenduar se janë ndjekur të gjitha procedurat e rregullta ligjore, Terence Clark ka dëgjuar nga një mik avokat se, për ta thënë hapur, në shumë raste i është rënë shkurt. Do të përpiqemi të zbulojmë më shumë informacion në këtë drejtim; ndoshta Jugosllavia do të vihet në kohën e duhur nën sulmin e grupeve të tilla si ‘Amnistia’.
Për dijeni: P Rennie Esq
Departamenti i Kërkimit
FCO
-102-
Gazeta ‘The Economist’
Fitil shpërthyes në Ballkan
Një koncesion për Kosovën sot mund t’i kursejë Jugosllavisë një shpërthim më të madh nesër
2 tetor 1981
Vazhdoni të vëzhgoni Poloninë; por gjithashtu hidhini një sy të kujdesshëm një zone të quajtur Kosovë, në pjesën tjetër fundore të Evropës komuniste. Kosova është pjesë e Jugosllavisë ku jeton pakica e saj shqiptare, në skaj të Shqipërisë. Gjatë muajve të fundit rreth 300 nga këta shqiptarë (prej popullsisë së përgjithshme të Kosovës që nuk është më e madhe se ajo e Detroidit apo më e vogël se ajo e Liverpool) janë dënuar me burgim që shkon deri në 15 vjet për “aktivitet kundërrevolucionar” – një fjalë e përbërë që nënkupton çdo gjë nga vjedhja e armëve deri tek shkrimi i parullave në mure.
Qeveria jugosllave pretendon se janë planifikuar masa të rrepta për të mbrojtur Jugosllavinë nga “armiku” që bën “luftë të veçantë” nga qendrat jashtë vendit. Kjo nuk ka kuptim. Të mërguarit jugosllavë në Perëndim, të cilët nuk e pëlqejnë qeverinë e Beogradit janë shumë të dobët dhe të përçarë për të qenë një kërcënim serioz për regjimin jugosllav, dhe nuk kanë ndihmën e qeverive perëndimore. Bashkimi Sovjetik, i cili mund të ketë interes për destabilizimin e Jugosllavisë, është shumë i zënë për momentin me Poloninë dhe Afganistanin; nuk ka të dhëna se ka organizuar trazirat në Kosovë.
Qeveria jugosllave në Kosovë përballet me një kërkesë krejtësisht të zakonshme për autonomi lokale të një lloji të ngjashëm me Spanjën, Italinë, Francën dhe shumë vende të tjera. Pranverën e kaluar demonstrata të përhapura në Kosovë bënin thirrje që krahinës t’i jepej statusi i plotë i Republikës së Federatës jugosllave (aktualisht, Kosova është zyrtarisht nën/ndarje e Jugosllavisë). Qeveria federale dërgoi atje një numër të madh trupash dhe policësh për të shtypur këtë kërkesë, duke argumentuar se nëse Kosova do të bëhej Republikë, ajo do të shkëputej krejtësisht nga Jugosllavia dhe do të bashkohej me Shqipërinë. Askush nuk mund t’i kërkojë Jugosllavisë të japë sinjalin fillestar për shpërbërjen e saj. Por edhe ky pretendim është ndoshta i pakuptimtë. Shqiptarët e Kosovës nuk po kërkojnë të bashkohen me Shqipërinë; Shqipëria thotë se nuk po kërkon që t’i pranojë ata.
Pse jo?
Argumenti se Kosova duhet të jetë anëtar me të drejta të plota i Federatës jugosllave, duket mjaft bindës. Popullsia e Kosovës është pothuajse tre herë më e madhe se ajo e Malit të Zi fqinj, i cili ka statusin e plotë të Republikës. Popullsia e Kosovës është pak më e vogël se ajo e Maqedonisë apo Sllovenisë, të cilat janë gjithashtu Republika. Më shumë se tre të katërtat e popullsisë prej 1.6 milion të Kosovës janë shqiptarë etnikë (grupi tjetër më i madh, serbët, përbëjnë vetëm 13.2%). Në të kaluarën qeveria federale në Beograd dukej dashamirëse ndaj shumicës së Kosovës; gjatë dekadës së fundit, kjo zonë ka pasur diçka të afërt me statusin e Republikës. Masat e rrepta aktuale janë një ndryshim i liberalizmit të mëparshëm jugosllav.
Gjithashtu, kjo situatë nuk duket se po funksionon. Pas disa muaj gjyqesh, pushimesh nga shkolla dhe puna, si dhe spastrimesh të qeverisjes dhe Partisë komuniste në nivel lokal, përsëri shfaqen parulla në mure, qarkullojnë fletushka dhe vazhdon sabotimi. Politika e re të kritikosh tjetërkund në vend. Z. Mitja Ribiçiq, ish Kryeministër i Jugosllavisë, tha muajin e kaluar se kapja e 18-vjeçarëve i bëri ata heronj.
Jugosllavia pretendonte se ishte vendi më fleksibil dhe mendje-hapur i vendeve komuniste (deri kur sindikata Solidariteti filloi t’i ndryshonte faqen Polonisë). Për qeverinë jugosllave të thuash Jo, asnjëherë përpara një kërkese në dukje të arsyeshme të një pakice me kujtime të gjalla të shtypjes në të kaluarën, bie në kundërshtim me këtë pretendim. Italia e ka zgjidhur pak a shumë problemin e pakicës së saj veri-lindore gjermane, duke i dhënë krahinës Aldo Adige një shkallë të kënaqshme autonomie. Spanja i ka bërë një ofertë të ngjashme pakicës së saj baske. Jugosllavia ka probleme të mëdha ekonomike dhe politike, që shkojnë përtej mosmarrëveshjeve me Kosovën. Një periudhë e gjatë represioni dhe rezistence në Kosovë mund të ishte fitili që shkakton një shpërthim më të gjerë. A nuk do të ishte më mirë për Jugosllavinë që t’i lejonte kosovarët të kenë po ashtu Republikë, të cilën duket se e dëshiron shumica?
-103-
Për përdorim të kufizuar
- Gray (EESD) 8 tetor 1981
Kosova: problemet ekonomike
Letra e Z. Crawford e datës 8 shtator na kujton fuqimisht se Jugosllavia është një vend në zhvillim. Problemet e shkaktuara nga një popullsi e re, rritje e shpejtë e krahut të punës, nën-punësimi dhe papunësia, shpërnguljet rurale-urbane dhe studentët e mirarsimuar të cilët kanë perspektiva të dobëta pune, janë të gjitha raste tipike të shumë vendeve në zhvillim.
- Në njëfarë mase, këto probleme janë të prodhuara nga vetë Jugosllavia, për shembull investimi i tepërt në projekte që kërkojnë kapitale të shumta, nxitur nga norma realisht negative të interesit, si dhe investimi i tepërt në arsimin e lartë, i cili ofron trajnime të papërshtatshme për një seksion të rëndësishëm të fuqisë punëtore. Është inkurajuese të shohim se po bëhen përpjekje për të ndryshuar situatën. Alokimi i më shumë fondeve të investimeve për projektet që kërkojnë shumë fuqi punëtore do të lehtësojë pak problemet në të ardhmen. Një tjetër shenjë inkurajuese është se një numër më i madh studentësh po studiojnë lëndë që do të kenë zbatime praktike. Por, përshtypja qënjeriu fiton nga përshkrimi i Z. Crawford është se këto përpjekje janë të pamjaftueshme.
- Dyshoj se Zoti Crawford ka të drejtë. Mosgatishmëria e jugosllavëve për të trajtuar problemet e tyre makro-ekonomike në nivel federativ është pasqyruar këtu në nivel krahinor. Gjithashtu, disa nga problemet federale janë përsëritur në Kosovë, të tilla si efektet e dëmshme për alokimin e burimeve (dhe punësimit) të normave vërtet negative të interesit. Një tjetër shembull është efekti i dukshëm dekurajues i sigurisë në punë të subvencionuar. Problemet e produktivitetit janë endemike në Jugosllavi për shkak të mungesës së konkurrencës. Nga ana tjetër, kjo pasqyrohet në sektorin e eksportit ku, ashtu si në pjesën tjetër të Jugosllavisë, fitimet në valutë nga eksporti ranë dramatikisht në gjysmën e parë të vitit 1981.
- Problemet e zhvillimit të Kosovës, do të ishin të njëjtat cilido qoftë sistemi ekonomik që operojnë jugosllavët. Por rritja ekonomike dhe aftësia e ekonomisë për t’i kushtuar burime shtesë shpenzimeve të zhvillimit, nuk është promovuar as nga mosdashja e Jugosllavisë për të përdorur me efektivitet sistemin e tregut as nga mos dëshira, e as nga paaftësia e tyre për të planifikuar me efektivitet. Problemet e Kosovës ka të ngjarë të thellohen nëse nuk do të ketë një vlerësim më të gjerë të nevojës për të ndryshuar politikat ekonomike në nivel federativ dhe krahinor (dhe për t’i harmonizuar të dyja këto nivele). Natyrisht, këtu qëndron problemi. Interesat federale dhe krahinore do të ndahen me raste dhe një gjë e tillë do të pasqyrohet në këndvështrimet e autoriteteve të ndryshme. Jam shumë i interesuar për ndonjë studim që Zoti Crawford mund të bëjë mbi ndarjen e pikëpamjeve të autoriteteve federative dhe krahinore dhe mbi dallimet midis këndvështrimeve krahinore.
- Williamson
ESID
-104-
Zyra e Jashtme dhe e Komonuelthit Ambasada Britanike
Londër SW1A 2AH Beograd
- G. Crawford Esq 13 tetor 1981
I nderuar Charles,
Kosova: problemet ekonomike
Jemi të interesuar të lexojmë shkresën tuaj të datës 8 shtator drejtuar Charles Gray për problemet ekonomike që aktualisht po përballon Kosova (8 shtator).
- Përshkrimi juaj i problemeve ekonomike në nivel krahinor duket se në shumë mënyra pasqyron të njëjtat probleme të përjetuara nga Jugosllavia në nivel Federal. Këto janë probleme të rritjes së shpejtë të fuqisë punëtore, shpërnguljes rurale-urbane dhe studentëve të mirë-arsimuar, të cilët kanë perspektiva të dobëta punësimi. Shkurtimisht, këto janë probleme të një vendi në zhvillim.
- Çështja që na intereson veçanërisht është se në çfarë mase janë në harmoni autoritetet Federative dhe krahinore në politikat e tyre ekonomike dhe në çfarë mase janë në harmoni krahinat dhe republikat me njëra tjetrën. Ju vetë bëtë këto pyetje: ‘A mundet Jugosllavia që ekonomikisht të vazhdojë të përballojë mbështetjen për Kosovën? A mundet që politikisht të mos e përballojë një gjë të tillë?’ Kjo situatë sugjeron se jo larg mund të ketë tensione të mëtejshme midis Beogradit dhe Prishtinës, dhe se krahina të tjera mund të fillojnë të ndjejnë tensionin ekonomik në mënyrë më akute dhe të ndryshojnë në qasjen e tyre ndaj problemeve. Jemi shumë të interesuar për çdo gjë që do të bëni për këtë temë.
- Përmes një komenti të hollësishëm, bashkëngjitur po ju dërgoj një përkujtesë të Martin Williamson për shkresën tuaj.
I Juaji
- C. Moore
- Lejomëni të prezantohem. Jam emëruar për të zëvendësuar Jon Ward vitin tjetër dhe aktualisht po fitoj përvojë në zyrën jugosllave në EESD me Charles Gray para se të mësoj gjuhën serbo-kroate. Shpresoj se do i shkruaj Jon-it së shpejti.
-105-
Për përdorim të kufizuar
- Gray, EESD
Për dijeni: Z. Poston, ECD(I)
- Dun)
UKREP Bruksel)
- Marsden)
Protesta e Jugosllavisë për rezolutat e parlamentit evropian mbi çështjen e Kosovës
Z. Clark në Beograd telefonoi këtë pasdite për të thënë që përfaqësuesi i Komisionit është thirrur sot në Ministrinë e Punëve të Jashtme të Jugosllavisë për të marrë një protestë të fortë verbale për Rezolutat që po shqyrtohen aktualisht nga Parlamenti Evropian mbi situatën në Kosovë. Përfaqësuesi i Komisionit (M. De Lange) ishte përgjigjur se protesta të tilla duhen bërë para Kryesisë dhe jo para Komisionit. Për këtë arsye, Z. Clark kërkon udhëzime të menjëhershme në rast se Ambasada e Madhërisë së Saj do të thirret nga ana e tyre.
- I thashë Z. Clark se nëse do të thirret linja e tij, duhet të jetë (përveç marrjes së shënimeve dhe marrjes përsipër për të raportuar) si më poshtë:
- a) Qeveria e Madhërisë së Saj nuk komenton formalisht mbi Rezolutat e Parlamentit Evropian;
- b) Qeveria e Madhërisë së Saj nuk ka fuqi apo influencë mbi Parlamentin;
- c) Parlamenti është organ i pavarur që ka funksion këshillimor: ai nuk ka tagrin të diktojë politikën e Komunitetit;
- d) Jugosllavët duhet të bëjnë të njohura në mënyrë të drejtpërdrejtë pikëpamjet e tyre para Parlamentit nëse dëshirojnë të ndikojnë në shqyrtimet e tij;
- Natyrisht që do të kemi të reja të tjera në këtë çështje. Do të isha mirënjohës nëse Z. Poston do të më dërgojë sa më shpejt kopje të Rezolutave përkatëse.
- A. Dew
Komuniteti Evropian
13 tetor 1981 (Departamenti i Jashtëm)
-106-
Për përdorim të kufizuar
- E. Montgomery Esq Ambasada britanike
Departamenti Sovjetik dhe i Evropës Lindore Beograd
Zyra e Jashtme dhe e Komonuelthit 14 tetor 1981
I nderuar Alan,
Kosova: situata politike dhe e sigurisë
Charles Crawford ka bërë një pasqyrë të zhvillimeve të fundit në Kosovë në letrën e tij të datës 30 shtator. Që atëherë, Lazar Mojsov, Kryetar i Kryesisë së LKJ, dhe Tihomir Vllashkaliq, Kryetar i Komitetit Qendror Serb, vizituan krahinën më 8/9 tetor për ta parë vetë situatën.
- Vizitorët biseduan me përfaqësues të Universitetit të Prishtinës, vizituan një fabrikë në Prizren, udhëtuan në një komunë etnikisht të përzier afër Gjakovës dhe përfunduan me bisedime në Komitetin Krahinor në Prishtinë. Media i bëri një pasqyrim të plotë, por jo të spikatur udhëtimit dhe Mojsov e përdori këtë në favor të vet, veçanërisht në një intervistë në televizion, për të treguar veten e tij si një politikan i vendosur, kompetent dhe i ndjeshëm. Në të vërtetë, ky rast mund të ketë qenë një nga objektivat e tij, pasi koha e qëndrimit të tij në detyrë është gati në përfundim dhe ndoshta kjo ishte mundësia e tij e fundit që të shkëlqente para se t’i kthehej anonimitetit relativ të Kryesisë. Nëse, siç thuhet, ai ka pretendime të pasojë Vrhovecin pranverën e ardhshme, përfundimi i mandatit me përparimin e një burri shteti në Kosovë, nuk do t’i sillte asgjë të keqe atij.
- Megjithatë, objektivat e tij kryesore duket se kanë qenë të dyfishta: së pari, të ripohonte se LKJ kishte vendosmërinë dhe durimin për t’u marrë me opozitën nacionaliste; dhe, së dyti, të merrte disa përshtypje të para për “platformën” afat-gjatë mbi zhvillimin e mëtejshëm të Kosovës, për të cilën ai zbuloi se po përgatitej në Komitetin Qendror. Në pikën e parë, ai e pranonte se, megjithëse situata politike ishte stabilizuar gjithnjë e më shumë, armiku ishte ende aktiv dhe ekzistonin ende ata që “luanin në fshehtësi”. Ai u bëri thirrje njerëzve të bënin të qartë qëndrimin e tyre, me sistemin aktual apo kundër tij, në mënyrë që armiku të mund të identifikohej qartazi. Së dyti, ai tha se kishte krijuar përshtypje të leverdishme për disa ndryshime në situatën politike të Krahinës por konkludoi se LKJ-së i nevojitej të ndërmerrte një aksion më të gjerë ideo-politik, për të cilin “platforma” do të shërbente për të mobilizuar forcat subjektive socialiste aty.
- Për koincidencë, Këshilli Ekzekutiv i Kosovës pranoi më 10 tetor shqyrtimin e pritur të draftit të Planit 5-Vjeçar për Krahinën. Megjithatë, ky dokument nuk është miratuar ende, por tani do të dalë për diskutim publik. Duket sikur ky Plan nuk do të finalizohet para fundit të vitit. Sidoqoftë, Plani është në shqyrtim dhe shenjat janë se do të nxirret më me realizëm se planet pararendëse.
- Përfundimisht, ende nuk kemi dëgjuar lajmin e fundit për përgjegjësinë personale të Bakallit mbi ngjarjet në Kosovë. E përjavshmja “Komunist”, jo më pak, përmban një letër të lexuesit ku pohon se ai dhe publiku në përgjithësi, nuk e mendonin se, duke pasur parasysh një sërë mosveprimesh dhe dështimesh të renditura, të cilat komisioni i hetimit ia ngarkoi Bakallit, thjesht mjaftonte që ai të përjashtohej nga Komiteti Krahinor dhe të lihej i lirë me një paralajmërim të fundit para se të përjashtohej nga LKJ. Dyshoj nëse LKJ ishte e prirë për të çuar Bakallin në gjyq, pasi shumë të tjerë gjithashtu mund të implikoheshin, por letra mund të jetë një balonë prove për të testuar reagimin në Parti.
- Kështu, ngadalë dhe në mënyrë të pashmangshme, vazhdon procesi i grumbullimit të copëzave në Kosovë. Fakti që pas gjashtë muajsh armiku mbetet i pakapshëm dhe aktiv, tregon se sa i vështirë është problemi themelor i nacionalizmit shqiptar.
I Juaji
- J. Crark
Për dijeni: P Rennie Esq
Departamenti i Kërkimit
FCO
-107-
Zyra e Jashtme dhe e Komonuelthit Beograd
Londër SW1A 2AH 16 tetor 1981
Charles Crawford Esq I nderuar Charles,
Raportimet e fundit për Kosovën
Kemi marrë raportet e juaja më të fundit mbi situatën në Kosovë dhe do të doja t’ju falënderoj për vazhdimin e raportimit të hollësishëm dhe interesant pas ngjarjeve për këtë temë.
- Letrat e juaja drejtuar Charles Gray për Mahmut Bakallin (29 shtator) dhe aspektet e përgjithshme politike të Kosovës (30 shtator) ilustrojnë mjaft qartë faktin se demonstratat nuk shpërthyen papritmas. Shkrimet kanë qenë për një kohë të gjatë nëpër mure për udhëheqjen krahinore dhe vetëm udhëheqja qendrore mund të pretendojë sot se është befasuar nga shpërthimi i trazirave.
- Është bërë tashmë e ditur zyrtarisht përgjegjësia e Mahmut Bakallit për përpjekjet e tij që të kalojë në heshtje protestat e mëparshme të kosovarëve. Duket se pak vëmendje i është kushtuar kërkesave politike dhe motiveve të protestuesve. Kjo tendencë nuk duket se është kapërcyer plotësisht që prej trazirave kryesore. Në dritën e kësaj situate, veçanërisht interesant ishte komenti juaj për mungesën e analizës së hollësishme serioze politike të ‘Partisë Komuniste Marksiste-Leniniste të Shqiptarëve’ (PKMLSH). Thirrja e komisionit hetues për një betejë ‘të hapur’ kundër nacionalizmit pa dyshim që do të mirëpritet nga shtypi.
- Mund të dëshironi të dini se Ambasadori jugosllav në Londër është ankuar tek Lord Trefgarne në një pritje, mbi artikullin për Kosovën në gazetën ‘The Economist’ (3 tetor). Komentet se politika jugosllave është ‘marrëzi’ mund ta kenë nxehur atë, por mund të ketë qenë edhe fakti se thirrja që Kosova të bëhet Republikë, ka shkaktuar reagime. Pa dyshim ky është një shembull tjetër i shkallës së ndjeshmërisë që jugosllavët kanë për problemet e kombësisë.
I Juaji
- C. Moore
Departamenti Sovjetik & i Evropës Lindore
-108-
Konfidenciale
Zyra e Jashtme dhe e Komonuelthit Ambasada Britanike
Londër SW1A 2AH Beograd
D I Miller Esq 21 tetor 1981
I nderuar David, Jugosllavia, Bullgaria dhe Shqipëria
Jam i interesuar për të lexuar letrën tuaj të datës 14 tetor mbi simetrinë që po ruan Jugosllavia në akuzat e saj për pretendimet e supozuara shqiptare dhe bullgare ndaj territorit jugosllav – megjithëse nuk jam realisht i bindur për justifikimin e secilës akuzë.
- Referenca juaj për ndjeshmërinë ekstreme aktuale të jugosllavëve ndaj çdo forme të propagandës që mund të prekë integritetin e Federatës është ilustruar gjerësisht këtu përmes bujës që bën Stamenkoviq për kryeartikullin mbi Kosovën në gazetën ‘The Economist’ të datës 2 tetor (kopja bashkëngjitur në rast se nuk e keni lexuar atë). Kjo sugjeronte, ndër të tjera, se do të ishte më mirë që ‘Jugosllavia të lejonte kosovarët të ishin edhe ata Republikë siç duket se dëshironte shumica’. Stamenkoviq shpenzoi 25 minuta nga vizita e shkurtër prezantuese prej 30 minutash për Lordin Trefgarne javën e kaluar, duke kërkuar sigurinë që një gjë e tillë nuk pasqyronte politikën e Qeverisë së Madhërisë së Saj. Këtë ai natyrisht e shoqëroi – në mënyrë të përsëritur dhe me forcë – me sigurinë se pavarësisht sa gabim mendonim për artikuj të tillë, ne nuk kishim fuqi për të bërë ndonjë gjë për ta. Megjithatë, gjatë largimit Stamenkoviq më shprehu mendimin e tij se mund të jetë marrë shumë me këtë çështje. U përgjigja në mënyrë të paqartë, por nuk shpreha mospajtim me atë që tha.
- Një shembull tjetër u ofrua nga Komisioni i Lartë Kanadez këtu, i cili më njoftoi se gjatë vizitës së Lamontagne, Ministri i Veteranëve të Kanadasë javën e kaluar në Jugosllavi, Ljubiçiq u ankua ashpër për artikullin dhe sugjeroi se ishte frymëzuar nga Qeveria britanike. Ljubiçiq kishte pyetur më tej se ‘nëse Qeveria britanike ishte kaq e zgjuar, pse nuk e kishte zgjidhur problemin në Irlandën e Veriut?’ E kuptoj se Lamontagne ndjehej i kënaqur duke mbrojtur pavarësinë e medies Perëndimore (Ky informacion më është dhënë në konfidencë: do të isha shumë mirënjohës nëse nuk do të njoftoni Ambasadën Kanadeze në Beograd se jeni në dijeni të kësaj).
J C R Gray
Departamenti Sovjetik dhe i Evropës Lindore
Për dijeni:
Departamenti i Lajmeve
Departamenti i Kërkimit
-109-
Për përdorim të kufizuar
T Moore Esq Ambasada britanike
EESD Beograd
FCO, 21 tetor 1981
I nderuar Trevor,
Kosova: artikulli i gazetës “The Economist”
Ju falënderoj, për letrën tuaj të datës 16 tetor. Në lidhje me ankesën e Ambasadorit jugosllav drejtuar Lord Trefgarne mbi artikullin për Kosovën në gazetën “The Economist” (paragrafi 4), duhet të viheni në dijeni se Ambasadorit i është thënë nga Ambasadori kanadez se Ministri i Mbrojtjes së Jugosllavisë, Gjeneral Ljubiçiq, ia kishte përmendur artikullin Ministrit të Mbrojtjes së Kanadasë gjatë vizitës së tij të fundit këtu. Gjeneral Ljubiçiq ka thënë se kërkesa “Kosova-Republikë” ishte e papranueshme pasi nënkuptonte shpërbërjen e tri Republikave të Jugosllavisë dhe do të kishte tendencën të krijonte mungesë stabiliteti në Ballkan.
- Sidoqoftë, çështja nuk është shtruar para nesh; ndoshta kanë vendosur që vetëm të regjistrojnë një ankesë në Londër. Por kjo tregon se artikuj të tillë janë lexuar dhe analizuar në nivelet më të larta këtu.
I Juaji
Charles Crawford
Oficer Informacioni
-110-
Konfidenciale
FM Beograd ZLGR4732 23 tetor ‘81
Situata e brendshme në Jugosllavi-Kosovë
- Përmbledhje: Ngjarjet e pranverës së kaluar vazhdojnë të hedhin dritë mbi problemet e krahinës, marrëdhëniet Beograd-Kosovë dhe Jugosllavi-Shqipëri. 232 persona janë arrestuar për trazirat në Kosovë. Vazhdojnë të shfaqen parulla armiqësore dhe, po kështu, vazhdon largimi i jo-shqiptarëve nga Kosova. Ndërkohë, ende nuk është zgjidhur se si të trajtohen shkaqet themelore të problemeve dhe ky është preokupim i Partisë dhe autoriteteve Federative, atyre të Serbisë dhe Kosovës në të gjitha nivelet. Gjithsesi, qeveria Federative nuk është e përgatitur madje as që do të shqyrtojë aspiratat e Kosovës për statusin e Republikës. Shqipëria vazhdon të sulmojë Jugosllavinë për represion në Kosovë.
- 232 individë, shumica e tyre studentë dhe mësues, janë dënuar për periudha që shkojnë deri në 15 vjet në lidhje me trazirat e periudhës së marsit-majit të kaluar. Mësuesit janë akuzuar se kanë abuzuar me pozicionin e tyre për të indoktrinuar “mijëra” të rinj etnikë shqiptarë me ideologjinë nacionaliste. Akuzat për të cilat të dënuarit janë akuzuar përfshinin vënien në rrezik të sistemit socialist jugosllav, përpjekjet për të shkelur integritetin territorial të Jugosllavisë, përhapjen e propagandës armiqësore dhe nxitjen e urrejtjes kombëtare. Dy organizata krahinore, “Lëvizja për Çlirimin e Kosovës” dhe “Partia Komuniste Marksiste-Leniniste e Shqiptarëve në Jugosllavi” thuhej se kanë bashkëpunuar për organizimin e demonstratave dhe ngritjen e rrjetit të komiteteve lokale. Gjithashtu është pretenduar se në radhët e anëtarëve të këtyre organizatave janë zbuluar edhe agjentë të shërbimit të fshehtë shqiptar.
- Megjithëse situata në Kosovë duket se është stabilizuar, vazhdojnë të shfaqen parulla armiqësore. Popullsia serbe dhe ajo malazeze vazhdon të jetë ende subjekt i ngacmimeve, me sa duket me qëllim për t’i bindur që të largohen. Ata vazhdojnë të veprojnë në këtë mënyrë megjithëse, pa dyshim, një faktor më vete është gjithashtu edhe situata ekonomike.
- Dënimet e rënda përbëjnë një pranim të heshtur të masës me të cilën ndjenja nacionaliste përshkon popullsinë e Kosovës. Çështja se si do të trajtohen shkaqet kryesore të këtij problemi përbënte temën kryesore të diskutimit në mbledhjen e 21 tetorit të delegatëve nga organizatat e Lidhjes Socialiste të Serbisë, Vojvodinës dhe Kosovës, mbajtur në Gjilan të Kosovës. Gjithashtu, në mbledhjen e 20 tetorit të Kryesisë së Lidhjes së Komunistëve të Komitetit Krahinor të Kosovës u pranua se stabilizimi i situatës politike në Kosovë do të ishte çështje kryesore në zgjedhjet dhe aktivitetin tjetër organizativ që do të çonte në Konferencën e 13-të të LK të Kosovës më 2 prill.
- Jugosllavia vazhdon të fajësojë Shqipërinë si nxitëse të trazirave në Kosovë ndërkohë që Tirana vazhdon të akuzojë Jugosllavinë për “martirizimin” e personave të dënuar dhe të mbështesë kërkesën për statusin e Republikës për Kosovën. Megjithatë, Jugosllavia e pranon se “armiku” ishte në gjendje të dëmtonte rëndë, duke luajtur me dobësitë e Jugosllavisë. Kështu, ka thirrje të vazhdueshme nga autoritetet jugosllave për aksion më të drejtpërdrejtë politik në masat e gjera, për ndryshime në “të gjitha zonat e ekzistencës politiko-ekonomike”, për zhvillimin e vetë-menaxhimit, forcimin e vëllazërimit dhe bashkimin e popujve dhe kombësive, etj. Gjithsesi, ka pasur pak, nëse është bërë ndonjë, propozim konkret.
- Jugosllavët refuzuan, dhe për arsye të fortë, që të trajtonin me vendosmëri çështjen e aspiratave të Kosovës për statusin e Republikës, megjithëse kjo ishte kërkesa kryesore e demonstruesve dhe është tema kryesore e leksioneve të Tiranës (shih komentet e Ministrit të Mbrojtjes Lubiçiq për këtë çështje në telegramin tonë ZLGR4706 160CT). Jugosllavët vazhdojnë të pohojnë, së paku për konsumim publik, se qëllimi i atyre që organizuan demonstratat pranverën e kaluar, ishte shkëputja eventuale e Kosovës dhe bashkimi me Shqipërinë. Për Beogradin, shqyrtimi me seriozitet dhe, aq më pak, dhënia e statusit të Republikës do t’i shkëpuste në mënyrë të drejtpërdrejtë lidhjet historike dhe kulturore të Serbisë me Kosovën. Për më tepër, ngritja e Kosovës në statusin e Republikës mund të nxiste në mënyrë të imagjinueshme Vojvodinën që të kërkonte një trajtim të tillë të ngjashëm. Shkurtimisht, është vlerësuar politikisht e pamundur që të adresohen kërkesat për statusin e Republikës sepse, po të bëhej një gjë e tillë, do të kërcënohej ekuilibri delikat ndërmjet elementëve të mëparshëm armiqësorë që formojnë Federatën aktuale.
- Presioni ndaj qeverisë jugosllave për t’u marrë drejtpërdrejt me dilemën politike mund të lehtësohej nëse kjo qeveri do të merrte masa ekonomike për të rritur nivelin e punësimit si dhe standardin e jetesës në Kosovë, duke e ulur kështu nivelin e përgjithshëm të pakënaqësisë. Sidoqoftë, rrethanat aktuale ekonomike janë të tilla që është vështirë të gjenden fondet e kërkuara për investimet. Republikat e industrializuara të tilla si Kroacia dhe Sllovenia nuk pëlqejnë që të transferojnë të ardhurat e tyre për investime në Kosovë, dhe decentralizimi i jashtëzakonshëm aktual i menaxhimit ekonomik bën që Beogradi të imponojë politika të tilla.
- Zyrtarë të njohur të cilët pretendojnë se vështirësitë ekzistuese nuk mund kapërcehen para një a dy vjetësh mund të akuzohen gjithashtu për optimizëm të tepruar. Ka pak shanse për zgjidhje përfundimtare të problemit të Kosovës në të ardhmen e parashikueshme dhe megjithëse qeveria ndoshta do të jetë në gjendje të mbajë situatën nën kontroll, Kosova do të vazhdojë të ziejë.
CCC/088 231507Z ZLGR4732
-111-
Konfidenciale
HMA – O/R
DA – O/R 30 tetor 1981
Vizita në Kosovë (24-27 tetor)
- Kalova fundjavën dhe të hënën në Kosovë, udhëtova me tren të shtunën dhe u ktheva me avion këtë mëngjes (27 tetor). Të dielën shkova në Pejë ku qëndrova një ditë dhe një natë, e që andej kalova në Prizren të hënën, e më pas vonë në mbrëmje u ktheva në Prishtinë. Të gjitha këto udhëtime të brendshme i kam bërë me autobus.
- Situata e sigurisë. Nuk pashë ndodhi të pahijshme, megjithëse të tre qytetet ishin nën kontroll të fortë, si nga milicia dhe ushtria. Përqendrimi më i madh i pajisjeve dhe forcave të sigurisë ishte në Prishtinë, më i vogli në Prizren. Lokalizova vendin e fushimit të Ushtrisë Popullore Jugosllave (JNA), një fotografi e së cilës u botua në gazetën “Ilustrovana Politika” pak javë më parë, një pikë midis Mitrovicës dhe Vushtrrisë (që dallohet qartë nga treni). Në Prishtinë, pashë disa automjete të blinduara milicësh, të cilat ngjanin me tipin “pigs” (të lyera ngjyrë blu) dhe ishin me timon në krahun e djathtë. Këto automjete ishin të parkuara të gjitha jashtë kazermave të milicisë në qendër të qytetit dhe ruheshin nga “forcat speciale” që mbanin bereta gjatë ditës, por helmeta çeliku pasi errësohej. Pashë vetëm një autokolonë të automjeteve ushtarake në lëvizje, rreth 30 automjete jashtë Suharekës, por këto mund të ishin lëvizje normale të Ushtrisë Popullore Jugosllave.
- Kontrollet. Nuk kishte asnjë të tillë në tren (përveç kontrolleve normale të biletave që bëheshin në dalje të Kosovës). Vetëm pasi isha regjistruar në hotel në Prishtinë, më kërkuan lejekalimin të lëshuar me Protokoll të FSFA. Pas kësaj, nuk më kërkuan më që ta nxirrja megjithëse, e dorëzova vullnetarisht në hotelin në Pejë dhe përsëri kur u ktheva në hotel në Prishtinë. Asnjë nga autobusët në të cilët udhëtova, nuk u ndaluan nga policia, megjithëse një numër i madh makinash private u ndaluan. Të shtunën pasdite, policia po kontrollonte dokumentet e afërsisht një në dhjetë shoferë në rrugët kryesore të Prishtinës, e madje edhe ato që kishin makina me markën e regjistrimit të Prishtinës. Nuk pashë asnjë rast të tillë në Pejë apo Prizren.
- Kisha parashikuar që do të kishte kontrolle të dokumenteve në aeroportin e Prishtinës këtë mëngjes. Por as pasagjerët në fluturimet që vinin nga Beogradi dhe as ne që niseshim për Beograd, nuk ishim të detyruar që të identifikoheshim. Ishte pajisja e zakonshme me rreze X për kontrollin e bagazheve dhe trupit, por nuk kishte kontrolle të tjera të trupit. Nuk pashë asnjë mjet ushtarak në fushën e aviacionit, e cila ishte tërësisht e veçuar nga avioni ynë dhe një biplan i hershëm.
- Nuk vura re ndonjë gjë që dukej e pazakontë në fshat, përveç si më poshtë:
- i) Shenja (në disa gjuhë, përfshirë në gjuhën angleze) në rrugët kryesore përmes të cilave të huajt paralajmëroheshin të mos ndalonin përveç se në “zona të banuara”;
- ii) Roje të armatosura në disa pemishte ndërmjet Gjakovës dhe Prizrenit, ku po vilej prodhimi i mollëve;
iii) Patrulla jashtë shërbimit që dukeshin si trupa malore që kishin zbritur në Pejë;
- iv) Në Lutjen e mbrëmjes së Manastirit të Graçanicës, kongregacioni përbëhej nga dy ushtarë dhe unë. Njëri ushtar ishte pothuajse i përgjumur, ndërsa tjetri po shikonte mbi supin e priftit, duke u përpjekur të ndiqte litaninë sllave. Nuk pashë asnjë rojë në Patrikanën e Pejës të dielën, ku riparimet e Konakut janë në përfundim të plotë (megjithëse, sipas priftit, jo aq shpejt sa duhet; murgeshat janë kthyer përsëri, por ato ende nuk kanë ngrohje dhe ujë). Nuk kishte roje as në Deçan (Stacioni i zjarrfikësve në Pejë ka katër makina. Ky stacion nuk është më shumë se një kilometër nga Patrikana).
- Manifestime nacionaliste. Disa shtëpi në vend, një pjesë e të cilave janë ende duke u ndërtuar, kishin flamuj të mëdhenj shqiptar të dalë prej tyre. Në Pejë, pashë një që ishte zgjatur nga qepenët e çatisë. Pashë disa parulla “Kosova – Republikë”, të cilat kishin qenë gjysmë të mbuluara me bojë, por shumë prej tyre shënonin mbi to “Shoku Tito”. Të dielën, pashë një duzinë a më shumë procesione martesash në Pejë, ku të gjitha kishin flamurin shqiptar të dalë nga makina e parë drejtuese, përveç një rasti që kishte një flamur Federal të bërë në shtëpi (flamuri tre-ngjyrësh ishte bërë lëmsh dhe ylli ishte i tëri i kuq, d.m.th. pa konturën e verdhë). Nuk pashë shumë veshje demonstrative të kostumeve dhe qelesheve kombëtare, përveç një të riu që mburrej me veshjen e tij si një bej shqiptar, dhe një zonje që nuk i dallohej mosha, e cila doli në mëngjes në Pejë e veshur me një kostum të shekullit të nëntëmbëdhjetë dhe makijazhin e viteve 1980.
- Përshtypje të përgjithshme. Kjo ishte vizita ime e parë në Kosovë. Prapambetja e krahinave rurale dhe lagjet e varfra të Prizrenit më bënë përshtypje si jo më të këqija se ato në Mal të Zi. Nëse papunësia dhe varfëria janë të përhapura në Kosovë, së paku pjesërisht janë të kompensuara nga çmimet e ulëta. Biletat që merrja për autobus (për distanca rreth 80 km) kushtonin 50 dinarë. Një vakt me dy pjata, përfshirë edhe verë, në hotelin kryesor në Pejë, kushtonte 180 dinarë. Një kafe në Prizren kushtonte 13 dinarë. Të gjitha këto kushtonin dyfish në Beograd. Fola me disa studentë shqiptarë për trazirat. Ata u ankuan për papunësi, por thanë se ky ishte një fenomen universal dhe vetë atyre u vinte turp për çfarë kishte ndodhur. Asnjë prej tyre nuk tregoi simpatinë më të vogël apo dëshirën për të vizituar Shqipërinë (vetëm njëri prej atyre me të cilët fola, kishte udhëtuar jashtë Jugosllavisë, në Zvicër, ku kishte të afërmit e tij).
- Kujtime që zgjasin.
- i) Një grua shqiptare, e cila dukej të paktën 55 vjeçe, e rrethuar nga tetë fëmijë në një stacion autobusi, dhe duke i dhënë gji të nëntit.
- ii) Një burrë duke u rruar në mes të një fushe, duke e vënë pasqyrën e tij mbi një kovë.
- Të shtunën mbrëma takova shkurtimisht në Prishtinë Z. Crawford. Nxora përfundimin që përshtypjet e tij mund të ndryshojnë në mënyrë të konsiderueshme nga përshtypjet e mia, meqenëse ai po udhëtonte me makinë dhe merrte disa autostopistë, të cilët kishin gjëra më të rëndësishme për të thënë.
- I. Miller
27 tetor 1981
Për dijeni: J C R Gray Esq, EESD, FCO
-112-
Për përdorim të kufizuar
J C R Gray Esq Ambasada britanike
FCO Beograd
I dashur Charles, 2 nëntor 1981
Kosova: Mbledhja e 22-të e Komitetit Qendror të LKJ-së
Përmbledhje
- KQ i LKJ diskutoi në mbledhjen e 22-të më 17 nëntor ‘Programin e Veprimit Politik’ për Kosovën. Kjo analizë e gjerë e trazirave të pranverës tregon një zhvillim të rëndësishëm të qëndrimeve zyrtare. Në veçanti, është bërë tashmë e ditur se politikat afatgjata të ndjekura në Kosovë ishin në thelb të gabuara dhe udhëheqja e Kosovës është dënuar haptazi se ka kërkuar nacionalizmin shqiptar. Megjithatë, diskutimet e gjalla të Komitetit Qendror të LKJ treguan se brenda Partisë kishte mosmarrëveshje mbi rekomandime të caktuara. Gjatë debatit, situata e sigurisë në Kosovë u vlerësua si “e favorshme por ende jo e qëndrueshme”; Por, hidheshin mendime se mund të shqyrtoheshin në kohën e duhur disa nga dënimet e rënda të miratuara. Një delegat nga Vojvodina dënoi me ashpërsi nacionalizmin serb. Por, në përgjithësi, pak dolën informacione të reja.
Detaje
- Siç u njoftua më parë (në letrën time dërguar për ju më 9 Nëntor), KQ i LKJ në mbledhjen e 22-të të tij u mor me çështjen e Kosovës. Diskutimi u vërtit përreth një dokumenti (mesa duket 50 faqe i gjatë) të titulluar “Platformë Politike për Veprim të LKJ në zhvillimin e vetë-menaxhimit socialist, vëllazërimit, unitetit dhe komunitetit në Kosovë”, që ishte përgatitur nga një grup pune i ngritur pas Mbledhjes së 20-të të KQ të LKJ më 7 maj. Pas shqyrtimit përfundimtar, do të publikohet Platforma dhe teksti i diskutimeve tëzhvilluara në Mbledhjen e 22-të, por shtypi ka botuar tashmë ekstrakte të gjera të vetë Programit dhe debatit të KQ. Të dhënat në vijim ndalen në dëshmitë e gazetës “Politika” dhe “NIN” dhe janë përmbledhje e aspekteve ‘të brendshme’ tëMbledhjes; Orientimi Jugosllavi-Shqipëri dhe një vlerësim më i përgjithshëm i kësaj mbledhjeje të rëndësishme po raportohen më vete.
Programi i Veprimit Politik
- Ndërkohë që nuk mund të komentojmë përfundimisht mbi rekomandimet e Programit në lidhje me zhvillimin e ardhshëm ekonomik dhe politik të Kosovës deri kur të shikojmë tekstin e publikuar, konkluzionet në vijim japin shkaqet e trazirave nacionaliste në Kosovë tetë muaj më parë. Forcat nacionaliste dhe forcat e tjera reaksionare këmbëngulin ende në Jugosllavi dhe përreth saj, thuhet në Platformë, por gabimi i madh i udhëheqjes së Kosovës u dha atyre hapësirë për të vepruar duke mos arritur që të bënin një dallim të qartë midis politikave të LKJ dhe qëllimeve nacionaliste. Me të vërtetë, elementë të caktuar brenda udhëheqjes dhe Universitetit kishin qenë vetë “të mahnitur nga nacionalizmi”, ku si rezultat ishte lejuar të përhapej indoktrinimi nacionalist në radhët e studentëve dhe të rinjve. Fakti që Kosova ishte bërë në aspektin ekonomik dhe politik efektivisht e mbyllur, kishte krijuar tokë pjellore për kërkesën ‘Kosova-Republikë’, ndërkohë që vendimmarrja elitare, burokratike dhe jo-demokratike në radhët e udhëheqjes së LKJ ka penguar përpjekjet e aktivistëve të Partisë për të luftuar krijimin e ndjenjës nacionaliste. Kishte dështuar strategjia për zhvillimin intensiv të kapitalit për të parashikuar nevojat e Krahinës, veçanërisht kur bëhej fjalë për punësimin e të rinjve; në të vërtetë, udhëheqja kishte neglizhuar nevojën për të zgjeruar bashkëpunimin ekonomik me pjesët e tjera të Federatës dhe në vend të kësaj ishte përqendruar për t’i bërë gjithnjë e më jo-realiste kërkesat për ndihmë për zhvillim të plotë. Një dënim ky i mallkuar dhe gjithëpërfshirës.
- Platforma shprehet se situata aktuale në krahinë është ende jo e qëndrueshme. Vazhdojnë të shfaqen parulla dhe letra anonime me qëllim përhapjen e mosbesimit ndër-komunal dhe demoralizimin e popullit. Si ndaj serbëve dhe malazezëve po ushtrohet presion që të largohen nga Kosova dhe po kështu, edhe ndaj shqiptarëve që janë përfshirë aktivisht në demaskimin e nacionalistëve. Por armiku ka marrë një goditje të rëndë nga aktivitetet e gjera të LK të Kosovës dhe popullit punonjës të Krahinës (në debatin e KQ të LKJ u zbulua se deri më 6 nëntor 1,036 njerëz ose ishin përjashtuar nga LKK ose ‘ishin nxjerrë nga lista’ dhe 11 organizata bazë të LKK ishin shkrirë).
- Përshkrimi i Platformës mbi shkaqet e vështirësive aktuale në Kosovë vazhdon më tej në mënyrë depërtuese. Por, sugjerimet e bëra në këtë Platformë në lidhje me veprimin në të ardhmen duket se janë më të turbullta. Në thelb, Platforma bën thirrje për një aksion mjaft më të madh dhe më intensiv nga Partia në Kosovë, me përpjekje të veçanta në shkolla dhe kolegje për të kundërshtuar vitet e indoktrinimit nacionalist të frymëzuar nga inercia, dhe për zhvillimin politik dhe ekonomik dhe që ky zhvillim politik dhe ekonomik i Kosovës të bashkërendohet më ngushtë me atë të Serbisë dhe pjesës tjetër të Jugosllavisë, duke e vënë theksin në investimet për krijimin e vendeve të punës. Sidoqoftë, megjithëse këto qëllime janë të përgjithshme, diskutimi në KQ tregoi se implikimet për t’i dhënë atyre përmbajtje nuk ishin të pakundërshtueshme.
Diskutimet në KQ-së të LKJ-së
- Debati për Platformën në radhët e KQ të LKJ zgjati për dymbëdhjetë orë dhe në të morën pjesë 22 anëtarë të KQ.
Dobroslav Qullafiq, Sekretar i Kryesisë së LKJ, hapi debatin dhe diskutoi me radhë pikat e ndryshme të vëna në Platformë. Ai vuri në dukje disa shenja pozitive në Kosovë të tilla si faktin që 450,000 studentë dhe nxënës i ishin kthyer mësimit në mënyrë paqësore dhe faktin që prodhimi ekonomik po e merrte veten sërish; por ‘armiku’ ishte ende aktiv në shkrimin e parullave, dërgimin e letrave anonime dhe në forma të tjera të ndryshme ngacmimi. Kjo situatë po shkaktonte pasiguri, veçanërisht në mesin e serbëve dhe malazezëve. Duhej gjetur mënyra për të ndaluar shpërnguljen e tyre – përndryshe armiku mund të krijonte një “Kosovë etnikisht të pastër”. Qullafiq tha se për t’i dhënë të rinjve në Kosovë shanse më të mira ekonomike brenda Jugosllavisë, ata duhej të mësonin si gjuhën serbo-kroate, ashtu edhe shqipe. Lidhur me rolin e shtypit, ai tha se kishte pasur raste të raportimit apo sensacionalizmit të paekuilibruar, por sa më shumë që zyrtarët publikë ishin objektivë dhe kritikë për ngjarjet në Kosovë, aq më konstruktiv do të ishte roli i shtypit.
- Sinan Hasani tha se përveç Kryesisë së LKJ, kishte pasur një grup njerëzish në Kosovë, të cilët në mënyrë vullnetare kishin pranuar përgjegjësinë për situatën aty, por LKK kishte ngritur tashmë një grup pune për ta çuar përpara këtë proces. Autoriteteve u mungonte ende një analizë e vërtetë e problemeve të shpërnguljes: “Ne duhet të distancojmë me vendosmëri veten nga numri jo i parëndësishëm i ‘avokatëve’ dhe ‘oportunistëve’ të cilët shpërnguljen e serbëve dhe malazezëve ia ngarkojnë ekskluzivisht vetëm arsyeve ekonomike”. Nevojitej një veprim pa ekuivoke kundër të gjithë atyre që ushtrojnë presion të ashpër ose psikologjik për të rritur nivelin e shpërnguljes.
- Gjeneral Bruno Buletiq tha se anëtarët e Partisë në radhët e JNA ishin të habitur për faktin se armiku nuk ishte identifikuar ende. “Disa mendojnë se armiku është gjithashtu i pranishëm në radhët tona”. Anëtarët e JNA me detyrë në Kosovë prej disa muajsh kanë qenë subjekt i presioneve të ndryshme për t’i detyruar që të braktisin betejën. Gjithashtu, po përhapeshin gënjeshtra për lëndime të supozuara të shkaktuara me tanke ndaj fëmijëve; JNA ishte shpikur se ishte ushtri pushtimi. Por, ushtria ishte angazhuar në një shumëllojshmëri skemash të punëve publike dhe aktivitetesh komunitare me vlerë që arrijnë në disa dhjetëra milionë dinarë.
Dënimi i nacionalizmit serb
- Dushan Popoviq, nga LK e Vojvodinës bëri fjalimin më të sinqertë. Ai tërhoqi vëmendjen në dy paragrafë të Platformës ku diskutohej pozita e Kosovës si krahinë autonome brenda Serbisë dhe, në veçanti, përmendeshin interpretimet e njëanshme të karakterit të federalizmit jugosllav. Njëri prej tyre kishte gjetur shprehje në neglizhimin e zhvillimit vetë-menaxhues dhe në identifikimin mekanik të pozitës së krahinave dhe republikave. Popoviq deklaroi se, në përgjithësi, pozita e krahinave nuk mund të interpretohej në mënyrë arbitrare dhe tha se fjalët e cituara ishin të paqarta dhe të panevojshme. Më pas, në mënyrë të dukshme, ai pretendoi se për 6 muaj disa seksione të caktuara të shtypit dhe “grupe pseudo-shkencore” kishin bërë fushatë denigruese kundër krahinave. Trazirat kombëtare në republikat e tjera nuk e kishin vënë asnjëherë në dyshim statusin e tyre si republika, tha ai. Nacionalizmi serb po e përdorte parullën ‘Kosova-Republikë’ për të kërkuar likuidimin e dy krahinave autonome – kjo forcë nuk duhej nënvlerësuar. Njerëzit po mashtronin veten nëse mendonin se nacionalizmi i Serbisë së Madhe ishte mundur gjatë luftës çlirimtare apo në Plenumin e Brioneve. Platforma duhet të ndryshohet për ta bërë të qartë të gjithë këtë situatë.
- Milojko Drulloviq tha se paragrafët që kundërshtonte Popoviq, bazoheshin në deklarata të mëparshme të bëra në Mbledhjen e 22-të të KQ të LKJ më 7 maj. Nuk do të ishte me vend që të
- zgjeroheshin temat e Platformës në mënyrën që kërkonte Popoviq. KQ i LK të Serbisë ishte forumi i duhur për të diskutuar këtë çështje.
Të burgosur politikë?
- Vërejtjet e Dushan Popoviqit u drejtuan jo vetëm ndaj akuzave të nacionalizmit serb. Ai tha se shtypi botëror kishte ngritur çështjen e dënimeve politike në Kosovë, gjë që Platforma duhej ta trajtonte; po kështu, folës të tjerë tërhoqën vëmendjen në politikat për dënimet në Kosovë. Në përmbledhjen e tij, Dushan Dragosavac, kryetar i kryesisë së KQ të LKJ, vuri në dukje se ishin shprehur shqetësime, por tha se besonte që procedurat normale të Gjykatës sëApelit do të korrigjonin të gjitha gabimet e bëra. Por, padyshim, nuk mund të kishte ndërhyrje në pavarësinë e gjykatave!
Përqindja e lindjeve në Kosovë
- Dragutin Kosovac tha se LKJ besonte që përqindja e lartë e lindjeve ishte pasojë dhe jo shkak i prapambetjes, por Zvone Dragan dëshironte që Platforma të shpjegonte nevojën për një politikë afatgjatë të popullsisë që synonte reduktimin në mënyrë graduale të përqindjes së lindjeve. Megjithatë, Peko Dapçeviq dëshironte që një ide e tillë të hidhej poshtë. Ai tha se diskutimi mbi numrat e ndryshëm të serbëve apo kroatëve apo shqiptarëve në Jugosllavi ishte mjaft i turpshëm. Sidoqoftë, Dr. KoçaJonçiq tha se inkurajimi i “rritjes së ekzagjeruar” të popullsisë shqiptare nga elementët nacionalistë i shoqëruar me shpërnguljen e detyruar të serbëve dhe malazezëve çonte në një përfundim: “Një Kosovë etnikisht të pastër”. Përfundimisht, u ra dakord për një tekst, i cili fliste për “të drejtën dhe nevojën e popullit të Kosovës për të shënuar pasojat e rritjes së popullsisë në planin shoqëror dhe për rrjedhojë për të marrë masat përkatëse…” (KOMENT: Fakti që kjo temë po transmetohet në këtë mënyrë është tejet i rëndësishëm, por progresi për këtë do të kërkojë trajtimin me delikatesën më të madhe nëse nuk do të fillojnë të përhapen akuzat e dëmshme të formave më të ashpra të racizmit).
Përmbledhje
- Në një përmbledhje të kufizuar dhe pothuajse madhështore, Dushan Dragosavac tha se tablloja e përgjithshme ishte pozitive. Megjithatë, kishte ende shumë për të bërë, por gjatë viteve, Kosova kishte bërë shumë progres. Shtypi duhej inkurajuar që të shikonte anën pozitive, se mos miqtë e Jugosllavisë jashtë vendit arrinin në konkluzionin që autoritetet nuk kishin një politikë efektive (!). Kërkohej një nivel më i lartë dhe më i mprehtë i punës politike. Platforma do të ndihmonte që LKJ t’ia dilte mbanë në këtë drejtim.
I Juaji
Charles Crawford
Për dijeni: P Rennie Esq
Departamenti i Kërkimit,
P Rosling Esq
Konsulli Përgjithshëm i Madhërisë së Saj
Zagreb
-113-
Informacion mbi udhëtimin e zyrtarëve në Kosovë dhe Maqedoni, 23-24 tetor 1981
Kosova: përshtypje dhe diskutime të përgjithshme me autostopistët
Eca me makinë nga Rashka në Serbinë Jugore më 24 Tetor për në Mitrovicë e më pas në Pejë, Prizren dhe Prishtinë ku kalova natën. Të nesërmen, eca me makinë nga Kosova përmes Ferizaj për në Tetovë, ku më pas vazhdova për në Ohër dhe u ktheva sërish përmes Dibrës për në Shkup. Këtu bëra disa vëzhgime të përgjithshme.
Rrugët
- Kam udhëtuar nga Beogradi për në Rashkë në një stuhi të furishme. Megjithëse rrugët ishin mjaft të mira, shiu kishte sjellë poshtë kodrave shkëmbinj dhe gurë, disa prej të cilëve me masën e një valixheje të cilët ishin ende aty të nesërmen. Hyrjet dhe daljet për në tunele ishin veçanërisht të rrezikshme në këtë drejtim. Rruga nga Novi Pazar për në Mitrovicë ndjek lumin Ibër dhe disa nga urat mbi degë ishin në gjendje të vështirë riparimi, por ndryshe rrugët në Kosovë ishin të asfaltuara mirë dhe përreth kishte pak trafik.
Situata e sigurisë
- Policia nuk më ndaloi deri kur arrita 20 kilometër në brendësi të Kosovës, por ata ishin të sjellshëm e të përzemërt dhe, pasi kontrolluan lejen time dhe më ofruan një cigare, më lejuan të largohesha. Dukej se në Mitrovicë, Pejë dhe Prizren kishte shumë policë, por ata ishin të qetë dhe duke biseduar lirshëm me publikun; Disa prej tyre në Pejë kishin revolverë. Në Ferizaj unë pashë vetëm tre ushtarë me automatikë jashtë burgut të qytetit. Një makinë policie më ndoqi duke rënë në sy në Gjakovë deri kur arrita kufijtë e qytetit ndoshta për shkak se kishin vënë re se kisha një familje shqiptare në makinë. Megjithatë, në Prishtinë kishte shumë ushtarë të armatosur me automatikë, të cilët qëndronin në qoshe të rrugëve afër zyrave të forcave të sigurisë dhe gjetkë në pjesën kryesore të qytetit pranë Grand Hotel. Natyrisht, ata ishin në detyrë dhe nuk kishin të bënin me popullsinë lokale. Vura re se disa prej tyre kishin helmeta me ngjyrë blu prej çeliku me yll të kuq në pjesën e përparme (gjatë natës). Të nesërmen në mëngjes, kishte shumë më pak prej tyre.
- Gjatë udhëtimit mora disa autostopistë. Ata, ose nuk kishin makina ose nuk e përballonin që t’i mbanin ato dhe shërbimet e autobusëve lokalë ishin të mbushur dhe të parregullt. Biseda ime më interesante ishte me një shqiptar tipik me kapele të bardhë të cilin e mora nga Mitrovica për në Pejë. Pa ndonjë nxitje të veçantë nga ana ime (në të gjitha rastet më parë unë e kisha paraqitur veten si anëtar i Ambasadës në rast se ata nuk dëshironin që të përziheshin me mua) ai foli lirshëm. Ai tha se aktualisht punonte si shofer në Zvicër dhe se kishte punë të tjera në Evropë dhe se po kthehej në shtëpi për të bërë disa ndërtime aty. Ai kishte gjashtë (?) fëmijë dhe banonte në një shtëpi komunale me 40 veta me vëllezërit dhe motrat e tij si dhe fëmijët e tyre. Ata ia jepnin paratë e tyre kryetarit të familjes, i cili e drejtonte vendin si një biznes! Unë e pyeta se pse kosovarët kishin kaq shumë fëmijë. Ai qeshi dhe tha se djemtë dhe vajzat shpesh martoheshin në moshën 15-vjeçare. Ai tha se studentët nuk kishin kërkuar Republikë në demonstratat e tyre, por thjesht kishin kërkuar bursa më të mira – bursat e tyre aktuale ishin një e treta e bursave që merrnin studentët në Slloveni. Jugosllavia nuk kishte një sistem të vërtetë “socialist” siç sundonte në Shqipëri, ku njerëzit punonin shumë dhe çdo gjë shpërndahej në mënyrë të barabartë. Unë thashë se jugosllavët gëzonin shumë më shumë liri. Ai ra dakord se liria ishte në fund të fundit gjëja më e rëndësishme. E pyeta pse serbët dhe malazezët largoheshin nga Kosova. Ai tha se nuk kishte pasur raste presioni. Ata kishin ardhur aty dhe kishin blerë tokën “tonë” para Luftës së Dytë Botërore dhe tani që çmimet e tokave ishin rritur shumë shpejt për shkak të presionit të popullsisë, ato po nxirrnin para përmes shitjes së tyre dhe po largoheshin. E pyeta përse ata do të shqetësoheshin të bënin supozime për presion nëse në të vërtetë nuk kishin ndodhur. “Ata të gjithë po na godasin ne” tha ai. Kosova ishte pjesa më e pasur e vendit në burimet e saj natyrore, por ato të gjitha po gërmoheshin dhe po kalonin në pjesë të tjera të Federatës. Kosova po shfrytëzohej ekonomikisht dhe ajo që kërkonte, ishin vetëm të drejtat e saj kushtetuese. E lashë atë në periferi të Pejës meqenëse nuk dëshironte që të hynte me makinë në qytet nga frika se mos policia e shihte dhe e arrestonte për bashkëpunim me të huajt (Koment: Ky person e fliste shkëlqyeshëm serbishten që nuk ishte e lidhur gjerësisht me betimet. Ai dukej mjaft inteligjent dhe kishte pikëpamjet e veta të cilat mund t’i mbronte me forcë. Megjithëse kishte ide të turbullta se si ishte Shqipëria në të vërtetë, mendova se ai kishte gjetur idenë e disiplinës, punës së shumtë dhe shpërndarjes së drejtë të pasurisë së shoqërisë në kundërshtim me atë që ai shihte si qëndrimin e dobët të Jugosllavisë për këto gjëra).
- Në Pejë bëra një udhëtim prej dy orësh duke kaluar përmes rrugës malore të ashpër por spektakolare drejt Titogradit dhe u ktheva për të përcjellë tre djem të moshës 13-vjeçare. Ata ishin shqiptarë dhe nuk flisnin asnjë fjalë serbisht. Midis Pejës dhe Gjakovës përcolla një të ri shqiptar së bashku me gruan dhe fëmijën e tij. Edhe ai kishte punuar jashtë vendit. Ai u ankua për praninë e policisë në Pejë dhe tha se të rinjtë aktualisht po detyroheshin të hynin në shërbimin ushtarak para kohe, gjë që nuk kishte ndodhur para demonstratave. E pyeta për familjen e tij. Ai kishte vetëm dy fëmijë deri tani, por qeshi me kontradiktën (siç e quajti ai) ndërmjet faktit që Mali i Zi kishte një popullsi shumë më të vogël se Kosova, por ishte Republikë, ndërkohë që Kosova nuk ishte. E ndjeva se ai, dhe padyshim miqtë e tij, kishin idenë që të ecnin në rrugën e tyre përmes forcës së thjeshtë të numrave në aspektin afatgjatë.
Qytetet
- Megjithëse nga pikëpamja e sigurisë, të gjitha qytetet që unë pashë, dukeshin të qeta (nuk pashë ndonjë parullë apo pamflet), duhet të them se isha jashtëzakonisht i habitur nga prapambetja e dukshme. Kështu, në Mitrovicë e Madhe dhe në Prishtinë, cilido mund të ecte nga rrugët kryesore të asfaltuara në qendër të qytetit drejt e në rrugët të cilat në fakt ishin të pakalueshme, me gjurmë balte dhe pa trotuare. Ferizaj ishte veçanërisht një vend i zymtë dhe i lodhur. Nuk pata mundësinë të udhëtoja në ndonjë nga fshatrat që ishin larg rrugës kryesore, por padyshim situata atje është edhe më e rëndë. Sidoqoftë, isha mjaft i befasuar nga prosperiteti në Pejë. Dyqanet aty dukeshin më të gjalla dhe megjithëse me një shikim të përciptë, qyteti dukej se kishte një atmosferë mjaft ambicioze.
Charles Crawford
2 nëntor 1981
-114-
Të dhëna mbi udhëtimin e zyrtarëve në Kosovë dhe Maqedoni, 23-28 tetor 1981
Maqedoni: përshtypje të përgjithshme 2 nëntor 1981
Të përgjithshme politike
Të gjitha takimet dhe bisedat në Maqedoni më çuan në konkluzionin se popullsia aty nuk kishte aspak simpati për kërkesat ‘Kosova-Republikë’. Ekziston një shqetësim i natyrshëm se Maqedonia thjesht mund të zhduket nëse do të formohej Bullgaria e Madhe ose Shqipëria e Madhe. Maqedonasit po bëjnë përpjekje të fuqishme për të krijuar kulturën dhe identitetin e tyre etnik. Ata janë të përgatitur për të shpenzuar para që të krijojnë të gjitha mënyrat e letërsisë kulturore të shkëlqyer në një shumëllojshmëri gjuhësh të huaja. Ata duken krenarë për atë që kanë arritur që nga lufta dhe që prej tërmetit. Ata e shohin veten e tyre se u vete mbarë përmes Jugosllavisë.
Ndërtime të reja
- Sidoqoftë, kam dëgjuar ankime të shpeshta rreth papunësisë dhe paaftësisë së punonjësve malazezë dhe, megjithëse në shikim të parë vetë Shkupi duket realisht një qytet mjaft tërheqës, një shikim nga afër zbulon se shumë nga ndërtesat e reja nuk janë ndërtuar mirë. Ndërtesa e re e Universitetit që ka Fakultetet e Filozofisë dhe Gazetarisë, ishte një shembull i mirë në këtë drejtim. Ajo ka arkitekturë të ngurtë moderne (nëse pëlqeni këtë lloj), por si ndërtesë nuk ishte në funksion. Dyshemetë prej mermeri ishin thyer, çezmat nuk punonin, orët po ashtu, çatia pikonte dhe ishte vështirë që të ngroheshe aty brenda. Historia e zakonshme – ndërtesa, mesa duket, ishte krijuar në mënyrë të tillë që kërkonte shuma të mëdha “amerikane” për ta mbajtur atë siç duhet; Këto shuma nuk ishin mundësuar dhe kështu kjo ndërtesë nuk i përgjigjej kërkesave të popullsisë së shumtë studentore aty. Prapa “Grand Hotel” ka një hapësirë shumë moderne dhe të përshtatshme për blerje në disa kate. Dyqanet duket se ishin pajisur mjaft mirë, por për shembull në të njëjtin kompleks kishte disa videoteka që ofronin të njëjtat materiale me të njëjtin çmim. Pa pasur së paku njëfarë konkurrence energjike nëçmime, një treg i tillëështë i destinuar të jetë i pamjaftueshëm.
Charles Crawford
-115-
Për përdorim të kufizuar
J C R Gray Esq Ambasada britanike
Departamenti Sovjetik dhe i Evropës Lindore Beograd
Zyra e Jashtme dhe e Komonuelthit 6 nëntor 1981
I nderuar Charles,
Kosova
Një miku im avokat më tha ditën tjetër se rreth tre javë më parë studentët e Universiteteve të Beogradit, Zagrebit dhe Lubjanës organizuan një peticion në Kosovë.
- Peticioni i është dërguar Kryesisë Federative dhe vë në diskutim gjatësinë e tepruar të dënimeve të dhëna për nacionalistët në Kosovë. Peticioni është nënshkruar prej rreth 230 studentëve.
- Peticioni është pa dyshim interesant në vetvete si një shprehje e mëtejshme publike e kritikës. Sidoqoftë, po aq interesante është drita që hedh ky peticion në qëndrimin e mbajtur ndaj Kosovës nga Serbia, nga njëra anë, dhe Sllovenia dhe Kroacia, nga ana tjetër. Vetëm 30 studentë e nënshkruan peticionin në Beograd; ndërsa rreth 100 studentë e nënshkruan peticionin në Universitetet më të vogla në Lubjanë dhe Zagreb. Kjo pasqyron opinionin e shprehur para Ambasadorit në udhëtimin e tij të fundit në veri, d.m.th., që dënimet ishin shumë të rënda, si dhe pikëpamjen serbe se nacionalistët shqiptarë e merituan atë që morën.
- Duket se nuk ka të ngjarë që ky peticion do të ketë ndonjë më shumë efekt tek autoritetet sesa peticionet e mëparshme.
I Juaji
- J. Crark
Për dijeni: P Rennie Esq
Departamenti i Kërkimit
FCO
P E Rosling Esq MVC, Zagreb