Prof. dr. Sabit Syla & Prof. dr. Hamit Kaba
DOKUMENTE BRITANIKE PER DEMONSTRAT E VITIT 1981 NE KOSOVE
* * *
Dokumentet britanike për Demonstratat e vitit 1981 në Kosovë, sjellin para lexuesit informacione të rëndësishme, për një ngjarje me shumë interes të historisë bashkëkohore të shqiptarëve. Janë afër 300 faqe dokumente të vjela nga Arkivat Britanike në Londër, të natyrës diplomatike, politike, shoqërore, ushtarake etj. Shumica e dokumenteve i përket korrespodencës së Ambasadës së Mbretërisë së Bashkuar në Beograd, me Ministrinë e Jashtme dhe të Komonuelthit (Foreign and Commonwealth Office – FCO) dhe një numër më i kufizuar informacionesh të përcjella nga Konsullata e Përgjithshme Britanike në Zagreb. Dokumentet përfshijnë edhe korrespodencën diplomatike të ambasadave të Madhërisë së saj, në: Athinë, Ankara, Moskë, Vjenë e deri në Abu Dhabi [Emiratet e Bashkuara Arabe], me Londrën. Pjesa më e rëndësishme e kësaj korrespodence i është bërë e njohur edhe Uashingtonit, me të cilin Londra konsultohej herë pas here dhe, siç dëshmojnë dokumentet, duket se ndanin edhe qëndrime të përbashkëta.
Një vend të konsiderueshëm zënë edhe artikujt e shtypit të vendeve perëndimore. Imazhet e para të qëndrimeve të diplomacive perëndimore ndaj Demonstratave të vitit 1981 në Kosovë, dhe ndaj çështjes shqiptare, u përcollën pikërisht përmes këtyre artikujve. Në të vërtetë, disa prej shkrimeve të shtypit perëndimor dhe sidomos të atij austriak e gjermano-perëndimor shprehnin më qartë përmasat reale të asaj që po ndodhte në Kosovë në pranverën e vitit 1981, të egërsisë me të cilën u soll Jugosllavia ndaj demonstruesve dhe intelektualëve shqiptarë gjatë dhe pas demonstratave. Në ndonjë dokument specifik të këtij botimi do të pranohej e argumentohej juridikisht legjitimiteti dhe drejtësia e kërkesës kyçe “Kosova Republikë”.
Tematika e këtyre dokumenteve është e pasur dhe e larmishme, por, përmbajtja e saj mund të rivijëzohet në disa drejtime, të cilat fokusohen: tek nacionalizmi i shqiptarëve të ish-Jugosllavisë; tek shkaqet e Demonstratave të mars-prillit të vitit 1981; tek kërkesa kryesore e tyre “Kosova Republikë”; tek roli i Shqipërisë në këto demonstrata dhe tek marrëdhëniet e saj me Jugosllavinë; tek politika zyrtare e Britanisë së Madhe ndaj Jugosllavisë dhe kërkesave të shqiptarëve; tek reagimi i organeve të larta partiake e shtetërore në Serbi e Federatë, gjatë dhe pas demonstratave; tek qëndrimet e dyzuara të udhëheqësve shqiptarë në Kosovë; tek analizat interesante për kushtetutshmërinë e kërkesës së demonstruesve “Kosova Republikë”; tek hamendësimet intriguese për vdekjen e papritur të kryeministrit të Shqipërisë, Mehmet Shehu etj.
Hartuesit e dokumentacionit në përgjithësi i gjejnë rrënjët e krizës brenda Jugosllavisë dhe jo jashtë saj, në kundërshtim me përpjekjet e udhëheqësve jugosllavë, që i kërkonin ato jashtë Jugosllavisë, kryesisht tek politika e shtetit shqiptar apo e Bashkimit Sovjetik. “Nacionalizmi në Kosovë, përmendet me të drejtë në një informacion të Ambasadës britanike në Beograd, është një problem endemik, të cilin as Tito nuk mundi ta zgjidhte”. Dokumentacioni hap rrugën për një analizë më realiste e më të plotë të Demonstratave të vitit 1981 në Kosovë.
Politika zyrtare britanike e vitit 1981 ishte për ruajtjen e Jugosllavisë dhe të tërësisë së saj territoriale, ndërsa kërkesa e shqiptarëve “Kosova Republikë” shihej me dyshim dhe rrezikshmëri, sepse pranimi i saj mund t’i hapte rrugë shpërbërjes së Jugosllavisë dhe hapjes së “Kutisë së Pandorës”. Sidoqoftë, nuk do të mungonin edhe gjykimet dhe zërat e veçantë jashtë kuadrit zyrtar, të cilat e konsideronin të drejtë kërkesën e shqiptarëve për barazi brenda Federatës Jugosllave. Disa artikuj të shtypit të këtyre muajve, ndonëse furnizoheshin me “karburant” nga shtypi dhe autoritetet jugosllave, arritën në konkluzione më të drejta se vetë politikanët e shteteve të tyre, duke pranuar opsionin “Kosova Republikë”, madje edhe shkëputjen e saj nga Jugosllavia, duke sjellë si shembull historinë e disa vendeve evropiane.
Qeveria jugosllave, siç dëshmon dokumentacioni, qëllimisht e keqinterpretonte kërkesën e demonstruesve për “Kosovën Republikë”, me shkëputjen e saj nga Jugosllavia dhe me ndryshimin e kufijve, duke e ditur se një opsion i tillë, do të prishte ekuilibrat dypolarë dhe do të kundërshtohej nga Perëndimi. Në mënyrë jo korrekte dhe të përsëritur, disa politikanë jugosllavë i referoheshin Aktit Final të Helsinkit, për pandryshueshmërinë e kufijve evropianë të vendosur pas Luftë së Dytë Botërore, duke “harruar” të përmendnin një nga nenet e tij, i cili i hapte rrugë ndryshimit të kufijve në mënyrë paqësore. Sidoqoftë, në rrethanat e “Luftës së Ftohtë” ishte gati e pamundur të “kapërceje gardhin”. Frika dhe paragjykimi për tjetrin ishin të pranishëm kudo. Por, studentët, punëtorët dhe intelektualët e Kosovës nuk kërkuan ndryshimin e kufijve, por barazi me republikat e tjera të ish-Jugosllavisë.
Në ndonjë dokument të këtij vëllimi vihet në dukje një tipar i veçantë i nacionalizmit shqiptar – prirja drejt të drejtave kombëtare dhe jo drejt lirive individuale, sikurse ndodhte në vendet anëtare të KSBE-së, ku bënte pjesë edhe Jugosllavia. Prirja për të drejta dhe liri individuale, ishte karakteristike për vendet ish-komuniste të Evropës Qendrore e Lindore, [ndonëse edhe Jugosllavia kishte problemet e veta], por, tek shqiptarët interesat kombëtare kishin fituar prevalencë mbi liritë dhe të drejtat e njeriut, për kohën kur u hartuan këto dokumente.
Dokumentet nuk i shpëtojnë dot subjektivizmit dhe këndvështrimeve të ndryshme, jo thjesht se ato janë ushqyer nga burime zyrtare jugosllave, por kryesisht për shkak të “doganës” që vë koha. Por, kjo nuk e cenon vlerën e tyre. Publikimi i këtij korpusi dokumentar do ta pasurojë më tej njohjen tonë për Demonstratat e vitit 1981 në Kosovë, do të na ndihmojë të gjykojmë më mirë për historinë e saj, për njerëzit që morën pjesë dhe mbi të gjitha për drejtësinë e kërkesës “Kosova Republikë”. Viti 1981 shënoi një pikë kulmore të kërkesave kombëtare të shqiptarëve, por jo fundin e një rruge të gjatë, e cila do të vazhdonte dhe do të kurorëzohej vetëm në fillim të shekullit të XXI, me shpalljen e shtetit të pavarur të Kosovës.
Shpresojmë dhe besojmë se publikimi i këtij vëllimi origjinal dhe intrigues do të tërheqë vëmendjen e lexuesit të thjeshtë, studiuesve të shkencave shoqërore, e veçanërisht të historianëve. Interesi besojmë se do të jetë i shumëfishtë për njerëzit që bënë historinë në ato vite, të cilët janë ende gjallë. Dokumentacioni është përcjellë sipas kronologjisë së ngjarjeve, pa i cunguar e hequr pjesëza nga trupi i tyre.
Prof. dr. Sabit Syla & Prof. dr. Hamit Kaba
-31-
Deskby 141015Z
Fm Beograd 140808z, maj
Direkt për FCO Kopje origjinale
Nr. tel. 065, datë 14 maj 81
Prioritet për Moduk Washington
Telegrami im, nr. 62
Kosova
- Sot janë publikuar konkluzionet e mbledhjes së Komitetit Qendror të Partisë, më 7 maj.
- U tha se qëllimi i forcave armiqësore dhe kundërrevolucionare ishte që të kërcënonin integritetin dhe sovranitetin e Federatës Jugosllave dhe sistemin e saj socio-politik. Ata janë mbështetur nga forcat reaksionare jashtë Jugosllavisë.
- Ishte e nevojshme që këto trazira të trajtoheshin efektivisht duke marrë masat aktive në vijim:
- a) forcimi dhe spastrimi i lidhjes së komunistëve dhe organizatave të tjera socio-politike në të gjitha nivelet;
- b) përdorim i të gjitha këtyre organizatave sociale dhe politike duke përfshirë aleancën socialiste, sindikatat dhe organizatat e rinisë;
- c) luftimi i të gjitha formave të nacionalizmit: nuk do të tolerohet asnjë sulm nga grupe të tjera kombëtare kundër shqiptarëve;
- d) Kosovës nuk do t’i jepet statusi i Republikës, por do të shqyrtohet me kujdes zbatimi i dispozitave ekzistuese kushtetuese për krahinën e Kosovës në kuadrin e Republikës së Serbisë;
- e) do të vazhdohet të ndërmerren të gjitha hapat për të ndihmuar Kosovën ekonomikisht si pjesë e pazhvilluar e Jugosllavisë;
- f) nisur nga përvoja dhe ngjarjet në Kosovë, Partia dhe publiku duhet të informohen plotësisht dhe në kohë;
- g) duhet të përmirësohet sistemi arsimor, veçanërisht në universitet dhe shkollat e mesme, stafet mësimdhënëse dhe librat shkollorë;
- h) duhet të forcohet sistemi i brendshëm i sigurisë me çdo ndryshim të nevojshëm të personelit, organizimit dhe pajisjeve.
- Shtypi i sotëm ka publikuar gjithashtu një raport të një revolte tjetër studentësh në Universitetin e Prishtinës (i përshkruar si “fortesa e nacionalizmit”) gjatë natës së 12 majit kundër masave të marra në ditën e mëparshme për spastrimin e administratës dhe organizatave të studentëve në Universitet. Kuvendi federal është informuar dje se situata në Kosovë ka mbetur shumë e vështirë.
Bolland
-32-
Konfidenciale
- E. Montgomery Esq Ambasada britanike
Departamenti Sovjetik dhe i Evropës Lindore Beograd
Zyra e Jashtme dhe e Komonuelthit, 18 maj 1981
I nderuar Alan,
Kosova: pozita kushtetuese
Në telegramin tonë nr. 60 të datës 8 maj, ku përmblidhet rezultati i mbledhjeve të Komitetit Qendror të Lidhjes së Komunistëve të Jugosllavisë dhe Serbisë, përmendëm vendosmërinë për të ruajtur pozitën kushtetuese të Kosovës brenda Serbisë. Kjo, siç raportohet në telegramin tonë nr. 65 të datës 14 maj, është pasqyruar në Konkluzionet e KQ-së së LKJ-së, ku ndër të tjera thuhej se KQ i LKJ-së e konsideronte të nevojshme që “të shqyrtonte praktikën dhe problemet e arritjes së unitetit mbi bazën e ndërtimit të marrëdhënieve socialiste vetëmenaxhuese dhe nga këndvështrimi i funksioneve kushtetuese të Federatës, Serbia si Republikë dhe provincat autonome, të cilat janë pjesë përbërëse e Serbisë dhe elementë kushtetues të Federatës”. Kështu, siç parashikohet në paragrafin 14 të njoftimit të ambasadorit të datës 24 prill, ekspertët kanë sot detyrë që të rishqyrtojnë marrëdhëniet midis vetë Serbisë dhe Kosovës. Është e qartë gjithashtu nga debati publik, i cili sapo ka filluar, se kjo marrëdhënie nuk ka një përkufizim dhe se, me gjithë përpjekjet e mëparshme, askush nuk është i përgatitur për të sqaruar paqartësitë nga frika se mos hapen probleme.
- Problemi i kthehet pikërisht themelimit të Jugosllavisë. Sipas një libri të historisë jugosllave për këtë periudhë, Organizata Nacionalçlirimtare e Kosovës dhe Metohisë miratoi një rezolutë në konferencën e saj, më 31 dhjetor 1943 dhe 1 dhe 2 janar 1944, ku në parim u mbajt qëndrimi për vetëvendosje dhe u përcoll mendimi se ky parim mund të realizohej përmes bashkimit me Shqipërinë. Një gjë e tillë u kundërshtua nga Komiteti Qendror i Partisë Komuniste Jugosllave, pikëpamja e të cilit natyrisht që mbizotëroi. Në një mbledhje të Organizatës Nacionalçlirimtare Krahinore të Kosovës dhe Metohisë, më 8-10 maj 1945, ishte vendosur që kjo Krahinë duhej të bashkohej me Serbinë me status autonom. Ajo që nuk është e qartë është se çfarë i ndryshoi mendjet e kosovarëve, por një lloj marrëveshjeje me sa duket ishte arritur. Ka një aluzion për këtë në një vërejtje që gazeta “Zëri i Popullit” në një artikull të saj, të datës 23 prill, i bëri Titos në bisedimet e tij me Hoxhën në vitin 1946: “Kosova dhe zonat e tjera ku banojnë shqiptarë i përkasin Shqipërisë dhe do t’ua kthejmë ato por jo tani sepse reagimi i Serbisë së Madhe nuk do të pranonte gjëra të tilla”. Politikanët jugosllavë dhe shtypi nuk e kanë komentuar këtë citim të pretenduar, i cili në vetvete është interesant.
- Profesor Najdan Pashiç, kryetar i Gjykatës Kushtetuese të Serbisë, nuk hodhi asnjë dritë në një intervistë së fundmi me “NIN”. Ai tha se “ekzistenca e krahinave autonome … ishte pjesë e zgjidhjes revolucionare të çështjes kombëtare në Jugosllavi … një zgjidhje që ishte pasojë logjike e vetë mënyrës marksiste të zgjidhjes së çështjes kombëtare në këtë vend … për ruajtjen e integritetit territorial të Jugosllavisë, që ishte një nga vendimet revolucionare të Mbledhjes së Dytë të AVNOJ – Këshilli Antifashist Nacionalçlirimtar i Jugosllavisë [më 29 nëntor 1943]”. Fatkeqësisht, mbledhja e AVNOJ-së nuk e trajtoi në mënyrë specifike statusin e Kosovës por përmendi vetëm në terma të përgjithshme se i garantonte të gjitha pakicave kombëtare të gjitha të drejtat e tyre kombëtare. Pashiç vazhdoi të thoshte: “Duke pranuar parimin e barazisë kombëtare dhe të drejtën për vetëvendosje të popujve të Jugosllavisë, Jugosllavia është themeluar si një Federatë që përbëhej nga gjashtë Republika si shtete dhe dy njësi autonome, të cilat janë element përbërës i federalizmit jugosllav me të gjitha të drejtat që kjo nënkupton por janë pjesë e një Republike – Serbisë”. Ai nuk e mori parasysh pyetjen se çfarë ndodhi me të drejtën e shqiptarëve të Kosovës për vetëvendosje! Por ai përjashtoi çdo mundësi të tillë duke thënë: “Meqenëse Jugosllavia është krijuar mbi parimin e vetëvendosjes kombëtare, nuk mund të ketë territor jashtë numrit të Republikave ekzistuese si shtet i popujve të Jugosllavisë”. Ai refuzoi madje të pranonte se ka pasur ndonjëherë ndonjë mendim për të cilin, ai tha, kishte “arsye dhe justifikime historike, kombëtare dhe të tjera të tilla”.
- Që prej vitit 1943, ka pasur një sërë kushtetutash federale. Kushtetuta e fundit, ajo e vitit 1974, e përcaktoi Republikën si një shtet socialist dhe Krahinën si një komunitet socialist autonom social-politik në të cilin populli punonjës arrin të drejtat e tij, përveç atyre që arrihen në Republikë. Kushtetuta e Serbisë rregullon marrëdhënien e kësaj të fundit, por Pashiç tha se pjesa përkatëse e saj nuk është përpunuar ende si duhet në detaj. Sipas Pashiçit, vështirësia ishte se sapo dikush të thoshte ndonjë gjë në këtë drejtim, do të gjendej menjëherë para rrezikut që mund të etiketohej si dikush që dëshironte të vinte në dyshim të drejtat kushtetuese të dikujt tjetër. Kështu, megjithëse neni 301 i Kushtetutës serbe thotë se Republika mund të fusë ligje që mbulojnë të gjithë Republikën, me kusht që të arrihen marrëveshje me Krahinat, mungesa e marrëveshjes për kompetencat e Republikës ka nënkuptuar se vetë Serbia e të gjitha republikave, nuk ka qenë në gjendje të fusë një ligj për mbrojtjen e të gjithë njerëzve, apo planin social dhe nuk ka instrumentet e nevojshme të një sistemi të bashkuar të sigurisë, statistikave dhe kombësisë. Pashiç, tha se sovraniteti i udhëheqjeve të Krahinave dhe i Republikës kanë “paralizuar procesin”.
- Janë bërë përpjekje për ta trajtuar këtë çështje me guxim, ku rasti i fundit i përket vitit 1977. Ivan Stamboliç, kryetar i Këshillit Ekzekutiv të Serbisë, tha në një mbledhje të kohëve të fundit të Komitetit Qendror të Serbisë se diskutimet në vitin 1977 kishin shkuar keq dhe nuk ishin në gjendje të jepnin një përgjigje të qartë – “Krahinat socialiste autonome nuk janë dhe nuk mund të jenë komunitete shtetërore”. Pashiç tha për këto bisedime se ishin ndërprerë menjëherë: “ato kapitulluan në një lloj oportunizmi politik. Frika e konfrontimeve të hapura politike bëri që kjo temë të hiqej nga axhenda; çdo gjë u lejua të vazhdonte siç ishte”. Konkluzionet e këtyre diskutimeve nuk janë publikuar asnjëherë.
- Nëse tema është mbajtur fshehur si shumë e vështirë në vitin 1977, ndërkohë që Tito ishte ende gjallë, pse sot politikanët thonë se kjo temë duhet të vendoset në axhendë, siç u shpreh Millosh Miniç në mbledhjen e fundit të KQ-së të LKJ-së “për të parë thelbin e saj dhe për të ndërmarrë zgjidhjet e saj”? Është e qartë se ata e kanë nxjerrë konkluzionin nga ngjarjet në Kosovë që mos-qartësimi i kompetencave të Krahinës është një nga shkaqet e trazirave të sotme. Në të vërtetë, në mbledhjen e fundit të KQ të LKJ u tha se “praktika e kthimit të Krahinës pothuajse ekskluzivisht në Federatë dhe shpërfillja e komunikimit me Serbinë krijuan probleme politike”. David Miller është duke shkruar më vete për problemet e mëtejshme qe rrjedhin nga negociatat e pavarura të Kosovës për marrëveshje kulturore me Shqipërinë.
- Megjithatë, është e vështirë të shohim nëse diskutimi i vështirë për këtë temë mund të jetë më i suksesshëm sot sesa më parë, duke marrë parasysh dallimin e gjerë midis vendosmërisë së Serbisë që Krahinat duhet të pranojnë statusin e tyre aktual kushtetues dhe së njëjtës vendosmëri (më konkretisht të Kosovës) për t’u mbajtur fort pas pavarësisë së vërtetë që ata kanë fituar në praktikë. Duhet të shtoj se Vojvodina nuk po kërkon asnjë lloj ballafaqimi në këtë çështje, por pozita e Kosovës natyrisht që është ndryshe. Në të vërtetë, nëse udhëheqja e saj do të pasqyronte pikëpamje nacionaliste-lokale, ajo do të kërkonte pavarësi edhe më të madhe. Pashiç, bëri të qartë që një diskutim i tillë nuk duhet të lejohet, duke thënë se ishte e nevojshme të lihej mënjanë çdo dyshim që nënkuptonte kërkesën për rishikimin e Kushtetutës. Një gjë e tillë do të çonte në “rraskapitje dhe destabilizim”. Ai tha se çështja më tepër këtu kishte të bënte me vendosjen në axhendë të dobësive për plotësimin e kushtetutës, dhe jo vetë kushtetutën. Ai besonte se duhej bërë çdo gjë për të zbatuar kushtetutën saktësisht siç ishte shkruar – as më shumë, as më pak. Nëse, siç mund të parashikohet, udhëheqja e Kosovës pajtohet me këtë, marrëdhënia kushtetuese midis Kosovës dhe Serbisë mund të përfundojë në një përcaktim më të saktë të saj, por sipas mendimit tim, kjo nuk do të zhdukte aspiratën e kosovarëve për vetëvendosje në mënyrë më përfundimtare sesa mjetet e përdorura për shtypjen e saj në përfundim të Luftës. Ka qartazi njëfarë objektivi për të rregulluar dhe zbatuar dispozitat aktuale të kushtetutës së Serbisë dhe asaj të Kosovës qoftë edhe vetëm për të zgjidhur çështjet e bllokuara, por ekziston rreziku që gjatë procesit mund të dalin një numër çështjesh të vështira politike mbi bazën e marrëdhënies aktuale. Për këtë arsye, ekspertët kushtetues duhet të zgjedhin një rrugë shumë të vështirë midis zonave të minuara nacionaliste.
- Unë dhe ambasadori do t’i bëjmë një vizitë të shkurtër Pashiçit, më 21 maj, dhe do të përpiqemi ta nxisim atë flasë për këtë temë të ndërlikuar dhe delikate. I Juaji, T. J. Clark
Për dijeni: P. Rennie Esq
Departamenti i Kërkimit
-33-
Konfidenciale
- E. Montgomery Esq Ambasada britanike
Departamenti Sovjetik dhe i Evropës Lindore Beograd
Zyra e Jashtme dhe e Komonuelthit, 18 maj 1981
I nderuar Alan,
Kosova: situata e sigurisë
Çdo vit 13 maji festohet këtu si “Dita e Sigurisë”, ku forcat e sigurisë nën Sekretariatin Federativ të Punëve të Brendshme nderohen zakonisht se kanë mbrojtur me sukses sigurinë e brendshme të kombit gjatë vitit të kaluar. Me këtë rast këtë vit, Franjo Herljeviç dha një intervistë për “Tanjug”, ku hodhi më shumë dritë mbi ngjarjet në Kosovë.
- Ai filloi të theksonte faktin se udhëheqja në Federatë, Republikat dhe Krahinat kishin dhënë vlerësime “kompetente” për situatën e sigurisë në vend. Së paku në lidhje me Kosovën, kjo deklaratë u besua nga dëshmia e tij e mëvonshme e detajuar mbi një seri incidentesh që çuan në ngjarjet e fundit, ku udhëheqja e Kosovës qartazi nuk e vlerësoi situatën “me kompetencë”.
- Herljeviç pohoi se që nga mesi i vitit 1980, d.m.th. periudha post-Tito, armiku ishte bërë gjithnjë e më agresiv dhe më i rrezikshëm. Ai renditi grupe të ndryshme armiqësore aktivitetet e të cilave ishin zbuluar gjatë viteve të fundit, të tilla si: “nacionalistët, një pjesë reaksionare e klerit, dhe patronët e liberalizmit dhe anarko-liberalizmit”, të cilët kërkonin një lloj “shoqërie borgjeze, multi-partiake”, dhe të cilët janë angazhuar në shpërndarjen e broshurave dhe fletushkave, kanë organizuar tubime të ndryshme, kanë publikuar intervista dhe artikuj me karakter armiqësor në shtypin e huaj dhe atë të emigrantëve; “informbyroistët” që veprojnë nga pozita “burokratike-dogmatike”; “organizatat fashiste të emigrantëve”, të cilat kanë rritur veprimtarinë e tyre antijugosllave, veçanërisht në lidhje me Kosovën, ku një numër i caktuar elementësh “proustashë, proçetnikë, ballistë, zogistë dhe irredentistë” janë përfshirë në vend; si dhe “Partia e re Komuniste e Jugosllavisë”, udhëheqja e së cilës ishte “shkatërruar”. Ai theksoi se në disa vende perëndimore ishin marrë masa policore kundër organizatave fashiste e terroriste të emigrantëve. Megjithatë, ai shtoi një pikë që duhet mbajtur mend për vizitën e Vrhovec: “ne presim me të drejtë nga këto vende më shumë efikasitet në këtë level, që është detyrimi i tyre ndërkombëtar në luftën kundër terrorizmit ndërkombëtar dhe të gjitha formave të dhunës”.
- Sidoqoftë, pjesa kryesore e intervistës iu kushtua Kosovës. Ajo ishte e jashtëzakonshme në dy aspekte. Së pari, Herljeviç nuk iu referua vetëm një herë organizatorëve kryesorë të të ashtuquajturit kundërrevolucion të quajtur nga Mojsov në mbledhjen e fundit të KQ-së së LKJ-së – “Partia Komuniste Marksiste-Leniniste e Shqiptarëve në Jugosllavi”. Së dyti, efektivisht ai ka hedhur poshtë argumentin se kosovarët ishin zënë në befasi nga ngjarjet duke dhënë detaje të aksionit të sigurisë kundër elementëve armiqësor në Kosovë gjatë muajve të mëparshëm, dhe, në të vërtetë, gjatë viteve të mëparshme.
- Herljeviç tha se gjatë viteve të fundit ishte rritur aktiviteti në mbështetje të nacionalizmit dhe irredentizmit shqiptar dhe Partisë së Punës së Shqipërisë (PPSH). Pas demonstratave të vitit 1968, fushatat e para të mëdha të propagandës u zhvilluan në vitin 1973 dhe 1974. Me rastin e 100-vjetorit të Lidhjes së Prizrenit në vitin 1978, u shpërndanë fletushka në Prishtinë dhe vende të tjera të Kosovës në mbështetje të PPSH-së dhe iu bë thirrje shqiptarëve “të luftojnë për liri dhe të bashkohen me Shqipërinë”. Në vitin 1979, një aktivitet të tillë të ngjashëm ka pasur në shtatë qytete të Kosovës. Në vitin 1980, ishin regjistruar disa raste të parullave irredentiste të shkruara në vende publike; gjithashtu ishte asgjësuar një fushatë në shkallë të gjerë propagandistike nga forcat e sigurisë në nëntor, të cilat kishin kapur disa mijëra fletushka, mbi 1,000 gazeta dhe qindra libra të futura nga anëtarë të organizatës proshqiptare “Fronti i Kuq”. Së fundi, në fund të shkurtit 1981, ishin shkruar parulla përsëri në vende të ndryshme të Kosovës. Në kundërpërgjigje, forcat e sigurisë kishin marrë masat e duhura. Për shembull, Heljeviç citoi se në vitin 1974 ishte zbuluar një grup irredentist dhe në vitin pasardhës ishte zbuluar aktiviteti i një organizate tjetër. Në vitin 1979 dhe 1980 ishin zbuluar pesë grupe në Prishtinë dhe Ferizaj. Në fund të vitit 1980 dhe në fillim të vitit 1981 ishte zbuluar një grup tjetër që i përkiste “Frontit të Kuq”. Gjithashtu, në periudhën midis viteve 1978 dhe 1980 ishin shkatërruar dy grupe në Maqedoni; njëri grup ishte i lidhur me Kosovën dhe grupi tjetër me Shërbimin e Fshehtë Shqiptar dhe emigrantët fashistë shqiptarë (ai nuk e përmendi, por shtypi raportoi më 14 maj se pesë shqiptarë do të gjykohen në Shkup për aktivitet armiqësor në periudhën midis qershorit 1979 dhe shkurtit 1981 në Tetovë, Gostivar dhe zonat përreth, përfshirë organizimin e Partisë Kombëtare të Punës). Kështu, në periudhën midis 1974-1981 forcat e sigurisë në Kosovë kishin identifikuar mbi 600 veta si persona që kanë vepruar në një mënyrë pak a shumë të organizuar në mbështetje të pozitave nacionaliste/irredentiste nga të cilët 89 persona ishin dënuar për vepra penale dhe 40 të tillë për vepra të vogla; dhe një numër tjetër prej 503 vetash ishin akuzuar se kishin mbështetur publikisht nacionalizmin/irredentizmin.
- Herljeviç u ndal më tej në çështjen e “Frontit të Kuq”, duke e bërë të qartë me lejen e Mojsov, se ky front ishte një nga organizatorët më aktivë të aktivitetit armiqësor në Kosovë. (Nëse ka vlerë të thuhet, kolegu im rumun më tha se një anëtar i Sekretariatit të Heljeviç i kishte thënë atij që nuk kishte dëgjuar asnjëherë për PKMLSHJ!). Ai tha se kjo organizatë operonte nga disa vende perëndimore dhe mbështeste PPSH-në. Ajo përfshinte “disa dhjetëra nga qytetarët tanë me origjinë shqiptare të cilët janë duke punuar përkohësisht jashtë vendit”. Disa anëtarë ishin të lidhur me Shërbimin e Fshehtë Shqiptar dhe vepronin sipas udhëzimeve nga Shqipëria të cilat, së bashku me materialet propagandistike, ata i merrnin përmes kanaleve diplomatike/konsullore shqiptare dhe zyrave të tjera përfaqësuese, të ashtuquajturat grupe marksiste-leniniste dhe kanale të tjera. Qendrat kryesore të organizatës “Fronti i Kuq” ishin të njohura; dhe kjo organizatë ishte e lidhur me emigrantët fashistë shqiptarë në Evropën Perëndimore dhe gjetkë (mund të shtoj se kolegu im zviceran më tha në konfidencë se qytetari zviceran i cili paraqiti kërkesën për demonstratën e fundit në Cyrih njihej se punonte për Shqipërinë).
- Herljeviç u pyet më pas nëse në këtë situatë forcat e sigurisë ishin zënë në befasi. Ai e kuptoi që informacioni i mëparshëm tregonte se ata kishin “dijeni të sigurt dhe kishin marrë masat kundër njerëzve në fjalë”. Megjithatë, ai shtoi: “fatkeqësisht, individët në Kosovë nuk nxorën konkluzionet e duhura dhe nuk morën masat e nevojshme. Për më tepër, ka pasur amulli në forcimin dhe përgatitjen e vetë-mbrojtjes sociale, duke përfshirë forcat e sigurisë në Kosovë” (ishte zbuluar në mbledhjen e KQ-së së LKJ-së nga sekretari kosovar i Punëve të Brendshme, se milicia kishte forca të pamjaftueshme me vetëm një milic për 789 qytetarë, krahasuar me raportin 1:545 që ishte mesatarja në shkallë kombëtare).
- Herljeviç e mbylli me pak fjalë duke folur për maturinë me të cilin ishin pritur të vepronin forcat e sigurisë (duke harruar trajtimin e ashpër të demonstruesve më 26 mars). Ai pohoi se shumicës së njerëzve të përfshirë në incidentet e mëparshme thjesht u ishte folur për t’u thënë se ishin në rrugë të gabuar. Në vetë ngjarjet, forcat e sigurisë kishin vepruar “në mënyrë humane dhe të disiplinuar dhe nuk kishin përdorur forcën me përjashtim të rasteve ekstreme”. Ai tha se kjo konfirmohej nga numri i të plagosurve që pësuan forcat e sigurisë. Ai përmendi gjithashtu se forcat e sigurisë vinin nga e gjithë Jugosllavia dhe nuk ishin vetëm “milicë serbë”, siç pretendonin disa, dhe se nuk ishte përdorur asnjë ushtar i vetëm për rivendosjen e rendit.
Komente
- Kjo ishte deklarata më e hollësishme që mbaj mend nga Herljeviç apo ndokush tjetër e cila është bërë në lidhje me çështje të sigurisë dhe për këtë arsye është një shembull tjetër se si autoritetet po përkulen para presionit për t’i ofruar publikut më shumë informacion në dispozion. Megjithatë, një tablo e plotë e ngjarjeve në Kosovë mbetet e paplotë. Kjo situatë të lë përshtypjen akoma më të fortë të naivitetit, vetëkënaqësisë ose të marrëveshjes së fshehtë nga ana e autoriteteve politike në Kosovë për të shpjeguar dështimin e tyre për t’iu përgjigjur shenjave paralajmëruese të pranishme prej kohësh të trazirave të pashmangshme. Po kështu, është e qartë se autoritetet qendrore të sigurisë duhen fajësuar njësoj që nuk nxorën konkluzionet e duhura për krijimin e aktivitetit nacionalist shqiptar gjatë viteve të fundit. Ose, ndoshta këtë e bënë dhe autoritetet politike qendrore refuzuan që të vepronin nga frika se mos trazonin kosovarët dhe akuzoheshin për ndërhyrje, siç edhe ndodhi në kontekstin më të gjerë të marrëdhënieve midis Federatës, Serbisë dhe Kosovës. Më shumë të dhëna në këtë drejtim mund të zbulohen ende në të ardhmen.
- Sidoqoftë, një gjë po bëhet akoma më e qartë: askush deri më sot nuk e ka mbështetur pretendimin e Mojsov se PKMLSHJ-ja ishte përgjegjëse për organizimin e demonstratave. Hamendja ime është se ky emër mund të jetë përdorur në fletushkat që kanë qarkulluar në Kosovë dhe se, në lidhje me organizimin e ngjarjeve, ka më shumë të ngjarë që të jetë përfshirë “Fronti i Kuq”.
I Juaji,
- C. Clark
Për dijeni: P. Rennie Esq; P. Rosling Esq
Departamenti i Kërkimit, Zagreb
-34-
Konfidenciale
GRS 320 Kopje origjinale
Fm Beograd 181400Z, maj ‘81
Drejtuar direkt FCO
Tel. nr. 69, i datës 18 maj ‘81 ENU 015/3
Deskby 191000Z
RFI UKDEL, NATO, MODUK
Ruhet për Washington
Telegrami im, nr. 66
Kosova
- Që prej publikimit të konkluzioneve të mbledhjes së Komitetit Qendror, më 14 maj, Lidhja e Komunistëve ka zhvilluar një fushatë të fuqishme në Kosovë për të spastruar radhët e saj nga të gjithë ata elementë të cilët ose morën pjesë në demonstrata ose u simpatizuan me to. Rreth 200 anëtarë partie janë përjashtuar deri më sot dhe të tjerë janë pushuar nga Universiteti i Prishtinës, disa shkolla të mesme, shtëpia botuese e gazetës kryesore, televizioni dhe radioja si dhe institucione të ndryshme kulturore. Asnjë figurë tjetër politike drejtuese nuk ka dhënë dorëheqjen, megjithëse disa janë kritikuar publikisht ose kanë bërë autokritikë publikisht. Anëtarët e Partisë në Universitet po tregohen të ngadaltë për të shprehur pozicionin e tyre. Është shpallur gjykimi për disa shqiptarë në Maqedoni të akuzuar për organizimin e aktiviteteve politike armiqësore atje.
- Shtypi vazhdon të përshkruajë situatën e përgjithshme politike të sigurisë si shumë të vështirë, por gjatë ditëve të fundit nuk janë raportuar incidente. Nga Tirana pretendohet se një aksion i milicisë më 13 maj, kundër një shqiptari vendas të kërkuar për krime të ndryshme që nuk kanë lidhje me ngjarjet e fundit, i cili rezultoi me katër milicë të vrarë dhe tre të plagosur përveç personit të kërkuar dhe babait të tij që u vranë, ka qenë një sulm nga “milicia ndëshkuese serbe” ndaj një fshati të pafajshëm shqiptar.
- Më 14 maj, ambasadori shqiptar këtu është thirrur pranë Sekretariatit për Punët e Jashtme për t’i paraqitur një protestë të fortë për “ndërhyrje të ashpër” nga ana e Shqipërisë në punët e brendshme të Jugosllavisë. Më vonë ai u kritikua personalisht nga zëdhënësi zyrtar për rolin e tij dhe të Ambasadës së tij. Gjer tani Plaka nuk është thirrur më, por zëdhënësi tha se qeveria shqiptare duhet ta marrë “seriozisht në konsideratë” këtë.
FCO ju lutemi të ruhet kopje për Uashington
Bolland
[Përsëritet sipas kërkesës]
-35-
Konfidenciale
GRS 360 Kopje origjinale
Fm Beograd 201030Z, maj ‘81
Drejtuar direkt FCO
Telegram nr. 070, i datës 20 maj ‘81
Prioritet për UKDEL, NATO, MODUK
Dhe ruajtur për Washington
Telegrami im nr. 069
Kosova
- Është njoftuar më 19 maj, se qeveria e Kosovës kishte vendosur të mbyllte menjëherë Universitetin e Prishtinës, konviktet e studentëve dhe mensat, d.m.th. para përfundimit të zakonshëm të semestrit. Kjo situatë vijoi me një vlerësim të komitetit lokal për mbrojtjen e të gjithë njerëzve dhe vetëmbrojtjen sociale se gjatë ditëve të fundit situata në universitet ishte bërë “e vështirë”. Shtypi raportonte se gjatë dy netëve të mëparshme me qindra studentë ishin mbledhur në kampus dhe kishin kënduar këngë nacionaliste dhe kishin hedhur parulla armiqësore. Autoriteteve të Universitetit u ishte kërkuar që të shikojnë mundësinë për të zhvilluar provimet e rregullta në qershor.
- Kjo masë e ngutshme nga autoritetet kosovare konfirmon se ata nuk janë në gjendje të kontrollojnë nacionalistët në Universitet dhe për rrjedhojë u është dashur të marrin këtë masë administrative për të shmangur çdo shqetësim të mëtejshëm. Me sa duket ata kanë supozuar se nacionalistët do të kontrollohen më lehtësisht në grupe të vogla në shtëpitë e tyre. Sidoqoftë, kjo mund të ketë edhe efektin e kundërt në përhapjen e trazirave.
- Në konfirmim të telekonf. nga Clark/Gray, njoftoj se një zëvendëskryetar i Këshillit Ekzekutiv për Arsimin dhe Kulturën dhe sekretari për Arsimin dhe Kulturën dhanë dorëheqjen, më 18 maj. Në të njëjtën ditë filloi në Shkup gjykimi i pesë shqiptarëve vendas të akuzuar për aktivitet armiqësor në Maqedoni. Sipas deklaratave të këtyre të fundit, ata kanë marrë mbështetje nga Shqipëria.
- Artikulli i gazetës “Zëri i Popullit” i datës 17 maj që bënte fjalë për statusin e Republikës së Kosovës është hedhur poshtë sot përmes një deklarate në “Tanjug” si një dëshmi tjetër e mbështetjes nga Tirana për kundërrevolucionarët në Kosovë. Megjithatë, kjo deklaratë nuk hyri në rastin historik të argumentuar me zgjuarsi nga Shqipëria për pavarësinë e Kosovës nga Serbia, përveç se përsëriti shpjegimet e aktit final të Helsinkit mbi nevojën për të respektuar pandryshueshmërinë e kufijve të trashëguar nga Lufta e Dytë Botërore.
Bolland