Prof. dr. Sabit Syla & Prof. dr. Hamit Kaba
DOKUMENTE BRITANIKE PER DEMONSTRAT E VITIT 1981 NE KOSOVE
* * *
Dokumentet britanike për Demonstratat e vitit 1981 në Kosovë, sjellin para lexuesit informacione të rëndësishme, për një ngjarje me shumë interes të historisë bashkëkohore të shqiptarëve. Janë afër 300 faqe dokumente të vjela nga Arkivat Britanike në Londër, të natyrës diplomatike, politike, shoqërore, ushtarake etj. Shumica e dokumenteve i përket korrespodencës së Ambasadës së Mbretërisë së Bashkuar në Beograd, me Ministrinë e Jashtme dhe të Komonuelthit (Foreign and Commonwealth Office – FCO) dhe një numër më i kufizuar informacionesh të përcjella nga Konsullata e Përgjithshme Britanike në Zagreb. Dokumentet përfshijnë edhe korrespodencën diplomatike të ambasadave të Madhërisë së saj, në: Athinë, Ankara, Moskë, Vjenë e deri në Abu Dhabi [Emiratet e Bashkuara Arabe], me Londrën. Pjesa më e rëndësishme e kësaj korrespodence i është bërë e njohur edhe Uashingtonit, me të cilin Londra konsultohej herë pas here dhe, siç dëshmojnë dokumentet, duket se ndanin edhe qëndrime të përbashkëta.
Një vend të konsiderueshëm zënë edhe artikujt e shtypit të vendeve perëndimore. Imazhet e para të qëndrimeve të diplomacive perëndimore ndaj Demonstratave të vitit 1981 në Kosovë, dhe ndaj çështjes shqiptare, u përcollën pikërisht përmes këtyre artikujve. Në të vërtetë, disa prej shkrimeve të shtypit perëndimor dhe sidomos të atij austriak e gjermano-perëndimor shprehnin më qartë përmasat reale të asaj që po ndodhte në Kosovë në pranverën e vitit 1981, të egërsisë me të cilën u soll Jugosllavia ndaj demonstruesve dhe intelektualëve shqiptarë gjatë dhe pas demonstratave. Në ndonjë dokument specifik të këtij botimi do të pranohej e argumentohej juridikisht legjitimiteti dhe drejtësia e kërkesës kyçe “Kosova Republikë”.
Tematika e këtyre dokumenteve është e pasur dhe e larmishme, por, përmbajtja e saj mund të rivijëzohet në disa drejtime, të cilat fokusohen: tek nacionalizmi i shqiptarëve të ish-Jugosllavisë; tek shkaqet e Demonstratave të mars-prillit të vitit 1981; tek kërkesa kryesore e tyre “Kosova Republikë”; tek roli i Shqipërisë në këto demonstrata dhe tek marrëdhëniet e saj me Jugosllavinë; tek politika zyrtare e Britanisë së Madhe ndaj Jugosllavisë dhe kërkesave të shqiptarëve; tek reagimi i organeve të larta partiake e shtetërore në Serbi e Federatë, gjatë dhe pas demonstratave; tek qëndrimet e dyzuara të udhëheqësve shqiptarë në Kosovë; tek analizat interesante për kushtetutshmërinë e kërkesës së demonstruesve “Kosova Republikë”; tek hamendësimet intriguese për vdekjen e papritur të kryeministrit të Shqipërisë, Mehmet Shehu etj.
Hartuesit e dokumentacionit në përgjithësi i gjejnë rrënjët e krizës brenda Jugosllavisë dhe jo jashtë saj, në kundërshtim me përpjekjet e udhëheqësve jugosllavë, që i kërkonin ato jashtë Jugosllavisë, kryesisht tek politika e shtetit shqiptar apo e Bashkimit Sovjetik. “Nacionalizmi në Kosovë, përmendet me të drejtë në një informacion të Ambasadës britanike në Beograd, është një problem endemik, të cilin as Tito nuk mundi ta zgjidhte”. Dokumentacioni hap rrugën për një analizë më realiste e më të plotë të Demonstratave të vitit 1981 në Kosovë.
Politika zyrtare britanike e vitit 1981 ishte për ruajtjen e Jugosllavisë dhe të tërësisë së saj territoriale, ndërsa kërkesa e shqiptarëve “Kosova Republikë” shihej me dyshim dhe rrezikshmëri, sepse pranimi i saj mund t’i hapte rrugë shpërbërjes së Jugosllavisë dhe hapjes së “Kutisë së Pandorës”. Sidoqoftë, nuk do të mungonin edhe gjykimet dhe zërat e veçantë jashtë kuadrit zyrtar, të cilat e konsideronin të drejtë kërkesën e shqiptarëve për barazi brenda Federatës Jugosllave. Disa artikuj të shtypit të këtyre muajve, ndonëse furnizoheshin me “karburant” nga shtypi dhe autoritetet jugosllave, arritën në konkluzione më të drejta se vetë politikanët e shteteve të tyre, duke pranuar opsionin “Kosova Republikë”, madje edhe shkëputjen e saj nga Jugosllavia, duke sjellë si shembull historinë e disa vendeve evropiane.
Qeveria jugosllave, siç dëshmon dokumentacioni, qëllimisht e keqinterpretonte kërkesën e demonstruesve për “Kosovën Republikë”, me shkëputjen e saj nga Jugosllavia dhe me ndryshimin e kufijve, duke e ditur se një opsion i tillë, do të prishte ekuilibrat dypolarë dhe do të kundërshtohej nga Perëndimi. Në mënyrë jo korrekte dhe të përsëritur, disa politikanë jugosllavë i referoheshin Aktit Final të Helsinkit, për pandryshueshmërinë e kufijve evropianë të vendosur pas Luftë së Dytë Botërore, duke “harruar” të përmendnin një nga nenet e tij, i cili i hapte rrugë ndryshimit të kufijve në mënyrë paqësore. Sidoqoftë, në rrethanat e “Luftës së Ftohtë” ishte gati e pamundur të “kapërceje gardhin”. Frika dhe paragjykimi për tjetrin ishin të pranishëm kudo. Por, studentët, punëtorët dhe intelektualët e Kosovës nuk kërkuan ndryshimin e kufijve, por barazi me republikat e tjera të ish-Jugosllavisë.
Në ndonjë dokument të këtij vëllimi vihet në dukje një tipar i veçantë i nacionalizmit shqiptar – prirja drejt të drejtave kombëtare dhe jo drejt lirive individuale, sikurse ndodhte në vendet anëtare të KSBE-së, ku bënte pjesë edhe Jugosllavia. Prirja për të drejta dhe liri individuale, ishte karakteristike për vendet ish-komuniste të Evropës Qendrore e Lindore, [ndonëse edhe Jugosllavia kishte problemet e veta], por, tek shqiptarët interesat kombëtare kishin fituar prevalencë mbi liritë dhe të drejtat e njeriut, për kohën kur u hartuan këto dokumente.
Dokumentet nuk i shpëtojnë dot subjektivizmit dhe këndvështrimeve të ndryshme, jo thjesht se ato janë ushqyer nga burime zyrtare jugosllave, por kryesisht për shkak të “doganës” që vë koha. Por, kjo nuk e cenon vlerën e tyre. Publikimi i këtij korpusi dokumentar do ta pasurojë më tej njohjen tonë për Demonstratat e vitit 1981 në Kosovë, do të na ndihmojë të gjykojmë më mirë për historinë e saj, për njerëzit që morën pjesë dhe mbi të gjitha për drejtësinë e kërkesës “Kosova Republikë”. Viti 1981 shënoi një pikë kulmore të kërkesave kombëtare të shqiptarëve, por jo fundin e një rruge të gjatë, e cila do të vazhdonte dhe do të kurorëzohej vetëm në fillim të shekullit të XXI, me shpalljen e shtetit të pavarur të Kosovës.
Shpresojmë dhe besojmë se publikimi i këtij vëllimi origjinal dhe intrigues do të tërheqë vëmendjen e lexuesit të thjeshtë, studiuesve të shkencave shoqërore, e veçanërisht të historianëve. Interesi besojmë se do të jetë i shumëfishtë për njerëzit që bënë historinë në ato vite, të cilët janë ende gjallë. Dokumentacioni është përcjellë sipas kronologjisë së ngjarjeve, pa i cunguar e hequr pjesëza nga trupi i tyre.
Prof. dr. Sabit Syla & Prof. dr. Hamit Kaba
-16-
Për përdorim të kufizuar
J C R Gray Esq Ambasada britanike
Departamenti Sovjetik dhe i Evropës Lindore Beograd
Zyra e Jashtme dhe e Komonuelthit 28 prill 1981 I nderuar Alan,
Studentët
- Bashkangjitur po ju dërgoj një kopje të një promemorie të Charles Crawford ku përmblidhen disa nga zhvillimet më të fundit të jetës studentore e cila në një farë mase pasqyronte trazirat e studentëve në Kosovë. Këto zhvillime vlen të regjistrohen, meqenëse tregojnë shqetësimin e dukshëm gjithnjë në rritje të autoriteteve që pakënaqësia e studentëve për kushtet e tyre dhe perspektivat e tyre të punësimit nuk duhet të dalë jashtë kontrollit.
- Do të ishte tunduese të konkludohej se seria e artikujve ndaj të cilëve Charles Crawford është frymëzuar tërësisht nga demonstratat studentore në Kosovë. Megjithëse këto ngjarje padyshim që kanë theksuar problemet e studentëve, ato nuk janë kurrsesi ngjarje të reja. Megjithatë, këto ngjarje kanë ardhur duke u përkeqësuar ndërkohë që situata e përgjithshme ekonomike në Jugosllavi dhe më gjerë është përkeqësuar dhe është rritur qartazi presioni për të bërë diçka për to. Aksioni vazhdon në tre fronte: së pari, për të përmirësuar kushtet e punës dhe të jetesës së studentëve; së dyti, për të përmirësuar perspektivat e punës në aspektin afatgjatë duke e përshtatur më shumë arsimin e nevojat e shoqërisë; dhe së treti, “për të angazhuar” studentët në mënyrë më të plotë në jetën politike.
- Detyra e autoriteteve nuk do të jetë e lehtë meqenëse fondet janë të limituara, por ka filluar puna për përmirësimin e kushteve të studentëve. Vetë studentët duket se nuk janë të gatshëm të krijojnë trazira; në të vërtetë, një prej problemeve është se ata duken të pa interesuar për politikë të çfarëdo lloji. Aktualisht nuk ka shenja se trazirat në Prishtinë po përhapen në Universitete të tjera.
- Rosling Esq;Zagreb I Juaji,
Për dijeni: P. Rennie Esq T. J. Clark
Departamenti i Kërkimit, FCO
-17-
Për përdorim të kufizuar
Këshilltarë
Studentët
- Një pasojë që vlen të përmendet (por jo e paparashikueshme) e rolit kryesor që kanë luajtur studentët e pakënaqur në trazirat e ngjarjeve në Kosovë ka qenë një valë e madhe e interesit zyrtar dhe shtypit në çështjen e standardeve të përgjithshme të jetesës së studentëve. Vetëm në gazetën “Politika” ka pasur shtatë pjesë thelbësore që prej fundit të marsit mbi problemet financiare, të akomodimit dhe punësimit me të cilat po përballen studentët; gjithashtu gazeta “NIN” e datës 19 prill ka publikuar një intervistë me dr. Jovo Jariç, kryetar i Konferencës së Universitetit të Lidhjes së Komunistëve të Universitetit të Beogradit, në të cilën ai foli gjerësisht për të njëjtat çështje.
- Nga një koincidencë e papritur, të nesërmen e demonstratave kryesore në Prishtinë, më 1 prill, të cilat gazeta “Politika” mezi i raportoi, kjo e fundit kishte dy artikuj të gjatë mbi nevojën për të përmirësuar standardet e jetesës së studentëve. Një artikull i datës 30 mars, raportonte një propozim të bërë për rritjen prej 10% të kredisë studentore dhe ngrirje të çmimit për shpenzimet e ushqimit dhe strehimit në Universitetin e Beogradit deri në fund të vitit akademik. Artikuj të tjerë bënin fjalë për problemet e punësimit të të diplomuarve (4 prill); përmirësimet e ndihmës financiare dhe perspektivat e punësimit (9 prill); një studim të kushteve të jetesës së studentëve në Mostar (11 prill); libra më të lirë shkollorë për studentët (20 prill); dhe, në terma më ideologjike, nevojën për “unitet” ndërmjet studentëve dhe mësuesve (21 prill). Dy çështjet e gjera të standardeve të jetesës për studentët dhe perspektiva për punësimin e tyre vlejnë të shqyrtohen sepse janë shkak për shqetësime në klimën aktuale ekonomike dhe politike.
- Situata financiare dhe standardet e jetesës së studentëve. Duke folur gjerësisht, tarifa e shkollimit të një studenti jugosllav do të paguhet nga Republika por, nëse të ardhurat e përgjithshme familjare nuk janë krejt të ulëta, pritet që familja të përmbushë plotësisht shpenzimet e përditshme të jetesës. Inflacioni i kohëve të fundit ka rritur problemet me të cilat përballen familjet në këtë drejtim (Studentët mund të marrin kredi për të ndihmuar që të paguajnë shpenzimet e tyre. Nëse ecin mirë, zakonisht kreditë anulohen, dhe nëse ecin keq, ata duhet të ripaguajnë të gjithë kredinë). Për më tepër, mungesa dhe shpenzimi i akomodimit të përshtatshëm për studentët nënkuptojnë se shumë studentë në Beograd dhe pa dyshim, edhe në qytete të tjera të universiteteve, jetojnë në shtëpi: pozita e studentëve të cilët kanë ardhur nga fshati dhe nuk mund të marrin dhomën e tyre në konviktet e mbushura studentore nuk është për t’u patur zili. Studentët në konvikte kanë vepruar për të ndihmuar shokët e tyre dhe vetë xhepin e tyre duke thyer rregullat në ndarjen e dhomave të kolegjit dhe duke ndarë së bashku qiranë. Sipas gazetës “Politika” ka rreth 3,000 “ilegalë” në hollet e banimit të Universitetit të Beogradit, pa dyshim një nënvlerësim për shifrat e cituara në intervistën e paraqitur në gazetën “NIN” me dr. Jariç ku shprehet për rreth 11,000 vende në konviktet studentore për pak a shumë 100,000 studentë në “qytetin e madh Universitar” të Beogradit. Sidoqoftë, ndarja e dhomës së konviktit nuk mund të jetë diçka e rehatshme meqenëse hapësira zyrtare fiktive e sipërfaqes për studentë (e cituar në të njëjtin artikull) është çuditërisht e saktë, por, gjithsesi, me kursim prej 7.38 m2.
- Artikulli i gazetës “Politika” ku paraqiten rezultatet e një studimi të universitetit mbi standardet e jetesës së studentëve në Mostar, dha disa detaje reale. Nga 3,500 studentët e Mostarit, dy të tretat e tyre shkojnë e vijnë me makinë në Mostar, mesa duket nga shtëpia. Konvikti ofron dhoma për 225 studentë, por është duke u ndërtuar një aneks i ri. Pjesa tjetër e studentëve, ose jetojnë me prindërit e tyre në qytet, ose kanë marrë dhoma me qira, plus fjetja dhe ushqimi që shkojnë diku ndërmjet 800 dinarë (rreth 11.30£) dhe 1900 dinarë (rreth 26.80£) në muaj. Kjo shifër duket mjaft e lirë sipas standardeve tona, por, meqenëse paga mesatare është rreth 7 000 dinarë në muaj, nuk duhet të jetë e lehtë të paguash çerekun apo më shumë të rrogës për të mbajtur djalin apo vajzën student.
- Perspektivat për punë të studentëve. Siç raportoi gazeta “Politika” (14 prill), vitin e kaluar u regjistruan 5,312 studentë të Beogradit, për të kërkuar punë. Megjithëse 3,366 e të diplomuarve kishin gjetur punë, ky numër ishte pothuajse 1,000 më pak sesa numri në të njëjtën kohë në vitin paraardhës. Raporti shtonte: “Në mënyrë simptomatike, në mesin e studentëve të punësuar me diplomë universitare, ka rreth 1,340 inxhinierë të papunë”. Në diskutimin e këtij problemi në Komitetin Ekzekutiv të Kuvendit serb, më 8 prill, një delegat raportoi se çdo ditë ishin marrë kërkesa nga punonjës në vështirësi që kërkonin të çliroheshin nga detyrimet e tyre ligjore për të punësuar “praktikantë”. “Natyrisht, këto kërkesa u refuzuan”. Sidoqoftë, nëse punonjësit ndjekin shembullin e Universitetit të Beogradit, ata thjesht nuk do të marrin parasysh detyrimet e tyre. Siç e pranoi dr. Jariç në gazetën “NIN”, gjatë dy viteve të fundit nuk është marrë asnjë asistent pedagog në Universitet për arsye të mungesës së fondeve.
- Duhet shtuar se vetë procesi akademik në fakt e fsheh normën e vërtetë të papunësisë. Megjithëse kursi i zakonshëm i diplomimit normalisht zgjat katër vjet, është normale për një student në Beograd që të bëjë shtatë vjet për t’u diplomuar, pasi është e domosdoshme që të marrë provimet e fundvitit me qëllim që të kalojë në punën e kursit të vitit pasardhës; dështimi në provime nënkupton detyrimin për përsëritjen e tyre, gjë që zakonisht sjell humbjen e një viti akademik, dhe kjo nuk ndodh vetëm një herë. Në të vërtetë, duket se nuk janë të rrallë numri i studentëve 30-vjeçar, të cilët janë sjellësi të papunë për 10 vjet (!) në përpjekje prej Sizifi për t’u diplomuar. Statistikat e papunësisë janë shtrembëruar më tepër nga mos dëshira e studentëve të diplomuar për të kërkuar punë jashtë Beogradit. Kështu, ndërkohë që në zonat rurale mungojnë mjekët, në Beograd ka me tepri prej tyre.
- Duke lënë mënjanë çështjen e shtrembërimit të statistikave, zyrtarisht nuk ka shpresë për përmirësime në këtë zonë. Të dy artikujt e gazetës “Politika” dhe dr. Jariç, theksuan nevojën për të zbatuar ligjet që mbulojnë punësimin e punëtorëve të rinj, por edhe nëse punonjësit punësojnë pa dëshirë të diplomuarit, kur ata vërtetë nuk janë të nevojshëm, rezultati përfundimtar është thjesht zhvendosja e shpenzimeve të papunësisë dhe nën punësimit nga xhepat e prindërve në ndërmarrjet në vështirësi. E thënë ndryshe, të diplomuarit thjesht do të duhet të presin që ekonomia jugosllave të marrë veten sërish. Sidoqoftë, në aspektin afatgjatë do të jetë me interes të shihet nëse autoritetet do të përpiqen të reformojnë të gjithë strukturën e arsimit të lartë dhe të shtrëngojnë procedurat mjaft tolerante të hyrjes në universitete, për shkak të fondeve të pamjaftueshme për zgjerim të mjaftueshëm dhe përmes hezitimit zyrtar për të subvencionuar një numër të madh studentësh 25-vjeçar të pamotivuar dhe përbuzës. Dr. Jariç la të kuptohet ky fakt kur intervistuesi i tij tha se askush nuk kishte dëgjuar kur universitetet kishin paralajmëruar kundër zgjerimit të mëtejshëm të arsimit të lartë: “Kemi arritur një pikë kritike – decentralizimi i arsimit të lartë është natyrisht i mirëpritur, por aspektet pozitive kanë sjellë me vete një valë ambiciesh megalomanie”.
- Implikimet politike. Megjithëse shpërthimi i trazirave në Kosovë duket se paralajmëron që nuk do të lejohet përkeqësimi i mëtejshëm i standardeve të jetesës së studentëve, rëndësia e trazirave qëndron kryesisht në ndjenjën e nacionalizmit e kombinuar me vështirësitë më të mëdha sociale të shkaktuara nga një zhvillim i shpejtë në vetë krahinën e prapambetur të Kosovës, sesa në pakënaqësinë e drejtpërdrejtë të studentëve. Natyrisht që trupa studentore në Beograd duket në përgjithësi e qetë, megjithëse gazeta e saj “Studenti”, po bëhet gjithnjë e më aktive, dhe askush nuk shikon asnjë shenjë të acarimit ekstrem të krahut të majtë të atij lloji që tronditi Beogradin në vitin 1968. Një gazetar që takuam në Zagreb, kur shoqërova Judith Brown me rastin e largimit të saj në mars, nënqeshi me apatinë dhe plogështinë e studentëve aty. Disa vëzhgues më pak cinikë ia atribuonin këtë qëndrim faktit që studentët e kishin kuptuar se punët e mira është vështirë të gjendjen pa pasur diplomë të mirë dhe dosje të pastër. Në konferencën e Komitetit Qendror të LKJ-së së Serbisë që u mblodh për të diskutuar rolin e 64,000 studentëve komunistë në mes 220,000 studentëve të Serbisë, Kosovës dhe Vojvodinës (gazeta “Politika”, 21 prill), “u bë thirrje për përpjekje më të mëdha, organizim më të mirë dhe veprim shoqëror më të gjerë” të mësuesve dhe studentëve komunistë për t’ju kundërpërgjigjur “pasivitetit” dhe për të mbyllur “hendekun klasik” midis studentëve dhe mësuesve. Fakti që LKJ-ja nuk ka vend për vetëkënaqësi për përpjekjet e saj informuese, u shfaqën në vërejtjen e profesor Vladimir Bovana, i cili raportoi në gazetën “Politika” më 8 prill: “Studentët tanë (në Kosovë) nuk dinë asgjë (!) për, le të themi, planin 5-vjeçar të zhvillimit për Kosovën…”.
- Mendimi im është se situata e përgjithshme ekonomike dhe shoqërore në Jugosllavi do të përkeqësohet në mënyrë drastike para se të zhvillohen trazira sistematike të studentëve në një shkallë të rëndësishme.
I Juaji,
Charles Crawford 27 prill 1981
-18-
RFE-RL
Organizata Ndërkombëtare Radio Free Europe
Departamenti i Kërkimit
Raport i RAD i Historikut/117
(Jugosllavia) 28 prill 1981
Ngjarjet e Kosovës në perspektivë nga Patrick Moore
Përmbledhje: Ky dokument përmbledh kronologjinë dhe shkaqet kryesore të ngjarjeve të fundit në Kosovë. Dokumenti përfshin disa komente që kanë dalë në shtypin Perëndimor dhe ofron konkluzione paraprake.
Në mars dhe sidomos në fillim të prillit ndodhën një sërë trazirash në Krahinën Autonome të Kosovës në Republikën Socialiste Jugosllave të Serbisë, një krahinë e cila në pjesën më të madhe është etnikisht shqiptare. Të marra së bashku këto greva, demonstrata dhe trazira, përbëjnë jo vetëm kërcënimin më të madh për stabilitetin e brendshëm në këtë vend që pas vdekjes së Titos në maj 1980, por edhe shpërthimin më të rëndësishëm të tensionit nacionalist që prej spastrimit të organizatës së partisë kroate (dhe serbe) në vitin 1971. Megjithatë, ndryshe nga ngjarjet e ndodhura në Kroaci 10 vjet më parë, situata në Kosovë është potencialisht më shpërthyese për 2 arsye: së pari, ndërsa vështirësitë e mëparshme ishin të kufizuara kryesisht me elitat relativisht të vogla politike dhe kulturore lokale, këto të fundit kanë marrë karakter masiv; natyrisht që një numër më i madh është më i vështirë të menaxhohet. Së dyti, ndërkohë që nacionalizmi kroat shpesh merr ngjyrime separatiste, nuk ka asnjë aleat të jashtëm të dukshëm dhe nuk është irredenta e një vendi tjetër; megjithatë, shqiptarët e Kosovës (dhe të tjerë të Jugosllavisë) janë vendosur kryesisht në përqendrime të mëdha pranë shtetit të pavarur shqiptar, dhe problemet e tyre shpesh mund të shkaktojnë vështirësi në politikën e jashtme të Beogradit me Tiranën, siç edhe ka ndodhur këtë herë. Trazirat në Kosovë janë me përkufizim si vendore ashtu edhe ndërkombëtare për nga qëllimi.
Zhvillimet
Të përmbledhura shkurtimisht, ngjarjet kanë ndjekur kursin në vijim:
11-26 mars Kanë ndodhur një sërë përleshjesh të armatosura midis policisë jugosllave dhe studentëve shqiptarë në Universitetin e Prishtinës, në dukje të nxitura nga ankesat e studentëve mbi kushtet e ushqimit dhe jetesës, dhe pamjaftueshmërinë e kuotave të tyre përballë normës më të lartë të inflacionit në Evropë (rreth 40% ). Më 26 mars, shpërtheu një grevë afër Podujevës, ku morën pjesë shumë punëtorë, si rezultat i së cilës 35 veta u plagosën dhe 21 u arrestuan. Disa javë më parë një zjarr shkatërroi banesën e famullorit të një kishe ortodokse serbe në Pejë, shkaku i raportuar i të cilit ishte rrjeti i dobët elektrik, por që bëri shumë serbë të dyshonin se ishte zjarr vënie e qëllimshme për motive politike.
1-2 prill Në lokalitete të ndryshme filluan një seri demonstratash me ngjyrime nacionaliste shqiptare në dukje të organizuara, dhe shpejt shpërtheu dhuna. Megjithëse autoritetet jugosllave në fillim mohuan raportimet për vdekje, rëndimi i situatës u bë shpejt i dukshëm kur u morën një sërë masash të rrepta: në krahinë u shpall gjendja e jashtëzakonshme (e para që prej Luftës së Dytë Botërore); u shpall ndalimqarkullimi gjatë orëve 20.00-05.00 në Prishtinë, Podujevë, Lipjanë, Vushtrri dhe Gllogovc; u ndaluan tubimet prej më shumë se 5 personash; dhe Kosova u vendos jashtë kufijve të lejuar për gazetarët e huaj. Prishtina u rrethua nga një kordon tankesh, u ngritën pika të shumta kontrolli, dhe u sollën aty trupa dhe policë nga pjesë të tjera të Jugosllavisë. Disa fshatra serbe ngritën bllokada mbrojtëse kundër sulmeve të mundshme shqiptare.
2-5 prill U pezullua një ndeshje futbolli e planifikuar të zhvillohej më 5 prill në Prishtinë, por më 4 prill u inaugurua një hidrocentral që do të prodhojë 94, 600, 000 kvh në vit, në mesin e një fanfare në shtypin jugosllav për të theksuar se jeta në Kosovë i është kthyer normalitetit. Gjatë këtyre ditëve u bënë një sërë mbledhjesh partiake dhe qeveritare dhe një larmi zyrtarësh bënë deklarata për trazirat. Këto mbledhje përfshinin sekretarin e Kryesisë së KQ-së së LKJ-së, Dushan Dragosavac; përfaqësuesin e Kosovës në Kryesinë Shtetërore Federative dhe figurën udhëheqëse politike Fadil Hoxha; kryetarin e Republikës Serbe, Dobrivoje Vidic; kryetarin e Lidhjes së Komunistëve të Kosovës, Mahmut Bakalli; dhe kryetarin Rajonal të Kosovës, Xhavit Nimani. E përditshmja “Rilindja” e Prishtinës dhe disa gazeta të tjera jugosllave, gjithashtu e adresuan çështjen në fjalë. Kështu, vija e përgjithshme që doli, ishte se një grup i vogël ekstremistësh nacionalistë të mirë organizuar të krahut të djathtë dhe “Informbyro” [Kominternit] të krahut të majtë me përkrahje nga jashtë kanë orkestruar të gjithë çështjen, duke manipuluar në mënyrë të paturpshme disa qytetarë të mirë.
6 prill Organizata e partisë së Kosovës nga ana e saj e dënoi “punën e organizuar dhe brutale” të “kundërrevolucionarëve” dhe “irredentistëve”, të cilët, gjithsesi, u kundërshtuan nga “shumica dërrmuese” e Kosovarëve. Në të njëjtën ditë, anëtari i Kryesisë së KQ-së së LK-së, Stane Dolanc, mbajti një konferencë për shtyp për rreth 200 gazetarë të huaj dhe jugosllavë ku bëri prononcimin më autoritar deri në atë ditë mbi trazirat. Megjithatë, sipas versionit të paraqitur të nesërmen në gazetën Vjesnik, ai ndoqi një vijë të ngjashme, duke bërë të ditur se 11 persona ishin vrarë dhe 57 ishin plagosur dhe mesa duket duke u rrekur shumë për të thënë se forcat e sigurisë ishin sjellë mirë dhe se ato lokale përbëheshin kryesisht nga shqiptarë. Ai i mohoi raportet se Tirana kishte paraqitur një notë proteste pranë Beogradit për incidentin, iu shmang fajësimit (apo shprehimisht shfajësimit) të qeverisë shqiptare për trazirat, por ndërkohë që fajin e vinte kryesisht në derë të “armiqve” të jashtëm me qëllim për të “destabilizuar Jugosllavinë”, ai shtoi se “do të ishim qorr dhe të shurdhër politikisht nëse çdo gjë do ta reduktonim tek faktorët e jashtëm”. Dolanc vuri në dukje se irredentizmi në Kosovë nuk erdhi si befasi, por e kundërta ndodhi me “brutalitetin” e protestuesve. Shkurtimisht, për pjesën më të madhe Dolanc vetëm sa amplifikoi vërejtjet e mëparshme të bëra nga zyrtarë të tjerë. Gazetarët perëndimorë dukeshin se kishin dijeni të plotë për dobësinë që kishte Jugosllavia zyrtare për t’ia faturuar shqetësimet e brendshme elementëve të jashtëm dhe për t’u përpjekur për t’i shmangur problemet, duke filluar sulmet kundër kërcënimeve të jashtme të supozuara. Në vend të kësaj, gazetarët theksuan në artikujt e tyre problemet e ndërlikuara etnike, sociale dhe ekonomike dhe duket se nuk u bindën nga vija jugosllave. Duke gjykuar nga trajtimi i tyre, që u përqendrua pothuaj plotësisht në rrënjët e brendshme të pakënaqësisë, pjesa më e madhe nisur ndoshta, së paku kundër dëshirës, do të bashkoheshin me vërejtjen e mëvonshme të gazetës “Zëri i Popullit” se shpjegimi jugosllav tregoi “mungesë të plotë të çdo analize realiste”.
8 prill Në të njëjtën ditë që u hoq ndalimqarkullimi në Kosovë, e përditshmja e palës shqiptare “Zëri i Popullit” i dha trazirave një dimension krejt të ri duke e sulmuar qëndrimin jugosllav me ashpërsi, me agresivitet dhe në një stil polemizues. Gazeta e Tiranës mbështeti me pasion demonstruesit, duke përfshirë kërkesën e tyre për ta bërë Kosovën republikë federale jugosllave të pavarur nga Serbia. Përmbajtja e artikullit, i cili duket se jep të dhëna të stilit të vetë kryeministrit, Mehmet Shehu, ishte qartazi antiserb (megjithatë, pa sulmuar udhëheqjen lokale shqiptare apo Titon), përfshinte një pretendim me sa duket irredentist se “Traktati i Londrës, Traktati i Versajës, apo çdo traktat tjetër imperialist, nuk mund të imponohen më në kurriz të popullit shqiptar”, dhe i përshkruante shqiptarët e Shqipërisë dhe ato të Kosovës si “një popull dhe një komb”. (Rëndësia e editorialit nënvizohet nga fakti se është përkthyer menjëherë në gjuhën angleze në formën e broshurës). Po atë mbrëmje, komentatori i njohur i Radio Zagrebit, Milika Sundic, foli qartë, duke e përshkruar artikullin shqiptar si mbështetës të përpjekjeve për të minuar vetë ekzistencën e Jugosllavisë.
9 prill Të nesërmen në mëngjes, edhe gazeta “Rilindja” iu përgjigj Tiranës. Përveç se akuzoi ZP-në për “ndërhyrje flagrante” në çështjet e brendshme të Jugosllavisë, për tradhti të interesave reale të popullsisë shqiptare të Kosovës dhe hodhi dyshime mbi pretendimin e Tiranës se dëshironte marrëdhënie të mira me Jugosllavinë, “Rilindja” vuri në dukje se për Shqipërinë që të kundërshtonte integritetin e fqinjit të saj, ishte që “t’i hynte një aventure politike e cila mund të çonte në vetëvrasje”. Ajo që nënkuptonte gazeta e Prishtinës me sa duket është se siguria e secilit prej vendeve të pavarura komuniste të Ballkanit (d.m.th., duke përfshirë Rumaninë) karshi Moskës, është e lidhur ngushtë me atë të vendeve të tjera; kështu, dobësimi i njërit vend nënkupton në një kontekst gjeopolitik, kërcënim për të gjithë. Tirana nga ana e saj e ka ngritur këtë çështje më parë, gjë që e bën edhe më të papritur ashpërsinë e sulmit të ZP-së. Në përfundim, gazeta “Rilindja” përsëriti pozitën jugosllave se shumica dërrmuese e kosovarëve janë besnikë të Jugosllavisë socialiste, dhe krahasoi qëndrimin e tyre me nacionalizmin e ulët dhe reaksionar të Tiranës.
10 prill Në një tjetër batare nga kryeqyteti shqiptar, e përditshmja “Bashkimi”, akuzoi autoritetet jugosllave se direkt apo indirekt janë përpjekur të zbukurojnë censusin jugosllav në dëm të pozitës shqiptare, duke pasqyruar dyshimin e shprehur herë pas here nga pakicat kombëtare për statistikat e popullsisë, dhe jo vetëm në Jugosllavi.
11 prill Sundic u shpreh se Shqipëria ndoshta kishte plane territoriale kundër Jugosllavisë.
13 prill Rinisi mësimi në shkollat fillore në Prishtinë. Tanjug përmbante një përmbledhje të sulmeve të përditshme të Jugosllavisë ndaj Tiranës.
14 prill Azem Vllasi, anëtar i shoqatës rajonale të Aleancës Socialiste të Popullit Punëtor të Kosovës, i rregulloi shifrat zyrtare jugosllave në 9 të vdekur dhe 261 të plagosur. Gazeta “Bashkimi” pretendonte për 308 të vdekur, dhe po këto ditë zyrtarë shqiptarë jashtë vendit përcollën ngjarje sensacionale tek gazetarët Perëndimorë.
17 prill Tanjug përmbante një deklaratë të Bakallit se 28 “organizatorë” të trazirave ishin “nën hetim” dhe se shkollat e mesme dhe Universiteti i Prishtinës do të rihapeshin më 20 prill. Ai refuzoi të negocionte për kërkesat e demonstruesve dhe, në një përgjigje ndaj ZP-së dhe ndaj studentëve deklaroi se “kërkesa që Kosova të bëhet Republikë është në kundërshtim me arritjet e revolucionit dhe me kushtetutën jugosllave”.
E përjavshmja e Beogradit gazeta “NIN” vuri në dukje se demonstruesit ishin organizuar, “duke lëvizur në mënyrë të tillë sikur dikush po i drejtonte ata me radio marrëse-dhënëse”. Artikulli tregonte parullën e protestuesve “Jemi bijë të Skënderbeut, jemi armata e Enver Hoxhës”, që pasqyronte një qasje “romantiko-borgjeze për historinë e tyre” dhe një keqkuptim të plotë të “modelit të fundit të fosilizuar stalinist”. Përsëri duke nxitur vijën e komplotit armiqësor, gazeta “NIN” pretendonte se “armiku e kuptoi që shumë njerëz nuk do të” shihnin përtej kësaj parulle të zgjuar.
18 prill Radio Beogradi raportoi një fjalim të mbajtur nga Fadil Hoxha në Prishtinë përpara një grupi anëtarësh partie që punojnë në fushën e kulturës dhe shkencës. Ai iu referua artikullit të “ZP” të datës 8 prill dhe shprehu “çudi”, meqenëse “destabilizimi i Jugosllavisë nënkupton gjithashtu destabilizimin e vetë Shqipërisë”. Hoxha duket se ka thënë atë që ishte e nevojshme pa ushqyer polemikë, duke adoptuar një vijë më agresive.
19 prill Gazeta “Pravda” akuzoi një artikull të kohëve të fundit të gazetës “Borba” për “analizë jorealistike dhe provokative të politikave të Komonuelthit socialist … duke i hedhur ato në mënyrë arbitrare në një thes të madhe” me ato të Perëndimit, dhe për trajtimin e të dyja “fuqive të bllokut” si ekspansioniste. Ndoshta i gjithë diskursi jugosllav i “informbyroistit” të jashtëm dhe kërcënimeve se pas trazirave të Kosovës qëndronin Fuqitë e Mëdha, nxiti sovjetikët që së paku të tregonin anën e tyre, por temat ofensive të cituara në gazetën “Pravda” kanë qenë për një kohë të gjatë pjesë e arsenalit ideologjik jugosllav. Kushdo pyet veten pse Moska e ndjen vërtetë të nevojshme që të përfshihet në këtë ngatërresë të fundit Ballkanike.
Dy periodikët drejtues serbë, e përjavshmja “NIN” dhe e përditshmja “Politika”, sulmuan trajtimin nga autoritetet jugosllave të eksesit të medies në Kosovë. “NIN” tha se publiku ishte mbajtur qëllimisht “i painformuar”, ndërkohë që gazeta e përditshme tha: “Kush vendos çfarë është e përshtatshme dhe çfarë është e papërshtatshme”, duke pretenduar se interesat e “grupit me influencë” mbizotërojnë mbi “të drejtën e publikut për të ditur”, duke e mbajtur shtypin “në periferi të ngjarjeve” kur nevojitej pikërisht e kundërta.
Historiku
Pasione të tilla, dhuna, nervoziteti dhe shqetësimi natyrisht që nuk janë diçka që shfaqen thjesht menjëherë. Me të vërtetë, çështja e Kosovës ka dy rrënjë kryesore, një rrënjë të gjatë dhe të thellë që vazhdon prej shekujsh në rivalitetin dhe armiqësinë serbo-shqiptare, dhe një rrënjë relativisht më të re, por gjithsesi të guximshme në zhvillimet socio-ekonomike në Kosovë në Jugosllavinë e pasluftës.
- Faktorët historikë dhe emotivë. Është e pamundur që të kuptohen ngjarjet e Kosovës pa hyrë në grupet komplekse të perceptimeve, imazheve dhe miteve të ngritura nga serbët dhe shqiptarët për Kosovën, për veten e tyre dhe për njëri-tjetrin. Për serbët, Kosova ka rëndësi të pallogaritshme historike dhe emotive për dy arsye. Së pari, Kosova ishte pjesë e djepit të shtetit mesjetar serb dhe ende përmban disa nga monumentet e mëdha të trashëgimisë kulturore të këtij populli, konkretisht kisha dhe manastire. Patriarkana mesjetare serbe e kishte selinë e saj në Pejë. Së dyti, brenda krahinës është Fushë Kosova, ku në vitin 1389, serbët humbën një betejë vendimtare me ushtritë otomane, duke shënuar kështu fillimin e fundit të shtetit të tyre mesjetar. Nga kjo ka lindur “miti i Kosovës” dytehësh si për të marrë hakun e humbjes ashtu edhe si një vend lavdie ku serbët zgjodhën që praktikisht të përballen me humbjen me armë në dorë dhe jo të dridheshin nga frika përpara turqve. Rëndësia e këtij elementi brenda vetimazhit më të gjerë popullor e kombëtar serb vështirë se mund të nënvlerësohet.
Sidoqoftë, në shekujt e mëvonshëm, për arsye komplekse politike dhe demografike, qendra e serbizmit u zhvendos gradualisht drejt veriut në Beograd dhe përtej territorit të Habsburgut. Në Kosovë (ashtu si në krahinat e Malit të Zi dhe Maqedonisë), vendi i sllavëve ortodoksë ishte marrë kryesisht nga shqiptarët myslimanë, kështu që popullsia e krahinës sot është diçka mbi 75% shqiptarë dhe nën 20% serbë, ku shqiptarët gjithnjë e më shumë gëzojnë përqindjen më të lartë të lindjeve në Evropë, pra në masën 26.0 për 1,000, dhe ku për më tepër serbët vazhdojnë të largohen nga krahina. Këto zhvillime marrin rëndësi më të madhe kur vërehet se, meqenëse popullsia shqiptare në Kosovë është rreth 1,300,000 dhe se vetë Shqipëria është vetëm 2,700,000, afërsisht një e treta deri një e dyta e të gjithë shqiptarëve në Evropë jetojnë në Kosovë e cila, meqenëse është pranë Shqipërisë, përbën proporcionalisht irridentën më të madhe të kontinentit. Prandaj, nëse serbët mund të pretendojnë Kosovën për arsye historike, shqiptarët mund të argumentojnë se e kanë këtë të drejtë mbi bazën e kombësisë së shumicës së popullsisë. Për më tepër, as shqiptarët nuk janë pa argumentet e tyre historike, meqenëse pjesa më e madhe e zgjimit kombëtar shqiptar në fund të shekullit XIX dhe fillim të shekullit XX është përqendruar në qytetet kosovare si Prizreni dhe Prishtina. Grupi i parë mbarëshqiptar politik kombëtar ishte Lidhja e Prizrenit e vitit 1878; gjithashtu, një lëvizje me qendër në Prishtinë arriti të fitonte autonominë nga autoritetet otomane në vitin 1912.
Gjithsesi, serbët duke pasur shtet, ushtri dhe diplomaci më të fuqishme, mbizotëruan dhe përveç një intervali të shkurtër në Luftën e Dytë Botërore, kur Musolini ia aneksoi krahinën “Shqipërisë së Madhe” të tij, Kosova i është nënshtruar Beogradit që në vitin 1913. Në Jugosllavinë mbretërore të paraluftës, shqiptarët janë trajtuar si një popull i nënshtruar dhe madje as nuk janë lejuar të hapin shkolla në gjuhën e tyre. Megjithatë, Mbreti Zog i Shqipërisë mori titullin irredentist “Mbreti i shqiptarëve” (d.m.th. jo vetëm i Shqipërisë), një çështje që nuk qëndronte mirë për Beogradin. Pas luftës kontrolli serb vazhdoi të jetë i lartë dhe i vendosur deri kur në vitin 1965 u spastrua Ministri i Punëve të Brendshme, Aleksandër Rankoviç, i cili ishte serb. Në vitin 1968, Kosova u ngrit pas një sërë trazirash në statusin e krahinës autonome e cila kishte pothuajse të gjitha prerogativat praktike të një republike. Zgjidhja i qetësoi serbët, meqenëse teknikisht Kosova mbeti pjesë e Republikës serbe, ndërkohë që shqiptarët mund të gëzonin një rol gjithnjë në rritje me shpejtësi në udhëheqjen politike, burokraci, dhe establishmentin arsimor dhe kulturor; gjithashtu, krahina “e tyre” mori një fluks masiv parash nga zona më të zhvilluara të Jugosllavisë, duke përfshirë vetë Serbinë.
Para se t’i kthehemi Kutisë së Pandorës socio-ekonomike që këto përpjekje për zhvillim provuan se janë, duhet të thuhen pak fjalë mbi pikëpamjet e serbëve dhe shqiptarëve për veten e tyre dhe njëri-tjetrin. Serbët e shihnin veten e tyre si populli (së bashku me kushërinjtë e tyre malazezë) i cili luftoi në të dyja luftërat botërore, për të mirën e të gjithë jugosllavëve, vënë theksin në traditat e tyre të tjera të shtetformimit dhe diplomacisë dhe vënë në dukje pozitën e tyre si grupi kombëtar i vetëm më i madh nga ana numerike në Jugosllavi. Ata e krahasojnë këtë me atë që e shohin si rol ndërhyrës në udhëheqjen e vendit (në të vërtetë, që pas dështimit të Rankoviçit, asnjë nga figurat reale kryesore nuk ishte serbe), me dobësimin demografik dhe ndonjë dobësim tjetër të pozitës së tyre jo vetëm në Kosovë, por edhe në Bosnje, si dhe me mungesën e mbizotërimit të tyre kulturor, si diçka të simbolizuar nga tendenca e alfabetit latin për të nxjerrë nga përdorimi shkronjat e tyre cirilike. Shkurtimisht, ata ndjehen të hidhëruar dhe të mashtruar.
Megjithatë, shqiptarët njësoj si myslimanët e Bosnje e Hercegovinës besojnë se më në fund erdhi ora e tyre pas së paku dekadash të shtypjes, diskriminimit dhe fyerjeve nga serbët. Serbët nga ana e tyre, i shohin shqiptarët si agresivë, furacakë inferiorë nga pikëpamja kulturore, të cilët si myslimanë janë pjesë e “armikut historik turk”. Për më tepër, nacionalizmi shqiptar është i ri, burrëror, kokëfortë që njësoj si nacionalizmi i hershëm rinor serb i vitit 1914 është i prirur për të renditur të parin unitetin kombëtar dhe konsideratat e tjera më pas (shih më poshtë).
- Probleme sociale dhe ekonomike. Këto vështirësi komplekse janë analizuar gjerësisht në këtë seri, ndërkohë që konkluzionet e gjera në vijim duhet të mjaftojnë për këtëstudim.
a. Një sasi e mahnitshme parash ka vërshuar në Kosovë, por kjo sasi ka tentuar të shkojë në industritë e sofistikuara moderne (të cilat nuk punësojnë një numër të madh punëtorësh me kualifikim të dobët), administratë (e cila është e kushtueshme dhe krijon një klasë joproduktive, por të privilegjuar), dhe projekte të tjera nga të cilat nuk përfiton shumica dërrmuese e popullsisë. Të ardhurat e tyre për frymë janë ende më të ulëtat në vend dhe shumë shqiptarë dyshojnë se Kosova, në fakt po shfrytëzohet. Kjo krahinë ka gjithashtu normën më të lartë të papunësisë në Jugosllavi. - Zgjerimi masiv i arsimit duke përfshirë kalimin e Universitetit të Prishtinës në universitetin e tretë më të madh të Jugosllavisë, ka prodhuar një proletariat akademik me shpresa të rritura, por me mundësi të vogla për punë në Kosovë dhe kualifikimet e të cilit (veçanërisht vështirësitë e gjuhës) shpesh nuk njihen tjetërkund në Jugosllavi. Fakti që shumë prej tyre vijnë nga familje të varfra dhe janë dëmtuar rëndë nga norma e lartë e inflacionit në Jugosllavi, e shton hidhërimin e tyre. Duhet të kujtojmë se studentët e universitetit, të pashpresë dhe të papunë, përbënin pjesën më të madhe të fuqisë së gjallë për grupe ekstreme majtiste dhe radikale të djathta në të gjithë Evropën Lindore në vitet e paraluftës: universitetet “ishin inkubatorë të vërtetë të burokratëve, politikanëve dhe demagogëve me tepricë”. Nga e Majta, Milovan Gjilas dhe Enver Hoxha, midis të tjerëve, janë të përshtatshëm për këtë model social.
- Këto tensione të ndryshme u pasqyruan në parullat e përsëritura pa pushim apo të shkruara nga demonstruesit, të raportuara në shtypin perëndimor. Hidhërimi i studentëve të varfër të zemëruar nga “klasa e re” e privilegjuar pasqyrohet në parullat: “Poshtë revizionizmi! Rroftë marksizëm-leninizmi!” (një miratim i dukshëm i ortodoksisë egalitariane spartane e Enver Hoxhës ndaj sistemit jugosllav), “Nuk Duam kapitalizmin, kuam socializmin”, dhe “Rroftë Enver Hoxha”. Nacionalizmi shqiptar shfaqet në parullat: “Jemi shqiptarë, jo jugosllavë”, dhe “Duam një Shqipëri të bashkuar”, ndërkohë që ndjenja e shfrytëzimit mund të perceptohet në parullën: “Kosova punon dhe Beogradi ndërton”.
Shtypi Perëndimor. Gazetat në shumë vende perëndimore përmbajnë komente të matura për Kosovën gjatë javëve të fundit, shpesh duke u përqendruar në temën e një “bombe me sahat” sociale në “strehën vorfënore” të Jugosllavisë. Një pjesë e përzgjedhur mund të përfshijë:
“Le Monde”, 6 prill 1981: “Njeriu nuk duhet të minimizojë ngjarjet që janë zhvilluar … Universiteti ka jo më pak se 37,000 studentë, por ekonomia rajonale nuk mund të marrë kaq shumë të diplomuar, e madje edhe ata që janë bilingualë flasin gjuhën e tyre amtare, shqipen, shumë më mirë se serbishten… Zhgënjimet e thella … u shndërruan menjëherë në nacionalizëm … nacionalizëm i ri që është veçanërisht virulent … Një pakicë aktive nuk do të kufizonte veten në kërkimin e statusit të Republikës brenda Jugosllavisë … dhe do të kërkonte t’i kthehej Shqipërisë, … një kërkesë shpërthyese tërësisht e papranueshme për udhëheqjen e Beogradit meqenëse në fund të fundit, do të nënkuptonte shpërbërjen e Federatës”.
“Die Welt”, 6 prill 1981, trajtoi kërkesën e Shqipërisë së Hoxhës drejtuar studentëve kosovarë, duke theksuar se “në anën tjetër të kufirit duket se mbizotëron rendi, disiplina dhe, megjithëse në varfëri, edhe një barazi e sigurt sociale”.
“Süddeutsche Zeitung”, 6 prill 1981, komentoi mbi rrënjët sociale të pakënaqësisë së studentëve duke theksuar se “ajo që është krijuar nuk janë specialistë të rinj për zhvillimin e krahinës por më tepër një proletariat akademik revolucionar shqiptar … Një numër gjithnjë në rritje i studentëve shpesh duhet të jetojë në konvikte të mjerueshme me shumë veta në një dhomë dhe nganjëherë dy veta në një krevat. Rritja e qirave në konvikte (siç e ka pranuar Tanjug indirekt kohët e fundit) duhet të ketë shërbyer si katalizator i trazirave … Shqetësimi social shfaqet jashtë qelizave të subversionit politik”.
“Stuttgarter Zeitung”, 6 prill 1981, paraqiti një tablo të kobshme. “A do t’i duhet Jugosllavisë në të ardhmen të jetojë me “vendit e vet Bask”? … Gjatë ditëve të fundit specialistë të shumtë serbë dhe malazezë në industri dhe ndërtim janë larguar nga Kosova për sigurinë e tyre. Duhet të ketë pasur eksese ndaj serbëve dhe malazezëve në Kosovë”.
“Handelsblatt”, 6 prill 1981, tha: “Kjo situatë e vajtueshme ekonomike dhe sociale buron, mbi të gjitha, nga dy shkaqe. I pari është ndjekja e një politike të gabuar nga partia dhe autoritetet në lidhje me procesin e industrializimit. Metoda të shumta … janë investuar në projekte industrial që as nuk sigurojnë punë të mjaftueshme dhe as nuk i vendosin punëtorët e Kosovës në një pozitë të tillë që të përdorin plotësisht fabrikat e tyre industriale për shkak të teknologjisë moderne tepër të ndërlikuar. Për më tepër, depopullimi i fshatit ka marrë përmasa të mëdha. Megjithatë, shumë të rinj dëshirojnë që në vend që të bëhen punëtorë, të bëhen së paku akademikë, në mos zyrtarë”.
“AP”, 7 prill 1981, citoi disa nga vëzhguesit perëndimorë në Beograd për “”frustrimet” e shtresës së inteligjencës”, por shtoi se “nuk është e habitshme se diçka e tillë do të ndodhte. Ajo që të habit është se demonstruesit ndërmorën një fokus të mprehtë politik”.
“The Times”, 7 prill 1981, trajtoi implikimet e situatës për Federatën jugosllave në tërësi, duke vënë në dukje se “testi kritik për pasuesit e Titos mund të arrijë deri në atë pikë ku… ambiciet nacionaliste dhe presionet ekonomike përkojnë me… Liberale megjithëse kuadri jugosllav tashmë është i tillë, gjithsesi sunduesit komunistë kudo që janë, e kanë të vështirë të përshtaten me çdo gjë që duket se sfidon monopolin e tyre të pushtetit brenda sistemit një-partiak”.
“Die Welt”, 8 prill 1981, paraqiti një situatë në dukje të pashpresë, duke thënë se “udhëheqja jugosllave po përballet me një dilemë pothuajse të pazgjidhshme. Nëse ajo i jep shqiptarëve të gjitha të drejtat me qëllim që të rivendosë qetësinë, duke përfshirë vetëvendosjen, (të cilën Jugosllavia e deklaron për çdo popull në Afrikë) kjo gjë do të ishte fundi i integritetit”.
“Frankfurter Aullgemeine Zeitung”, 9 prill 1981, vuri në dukje disa nga dështimet kryesore, njësoj si të Polonisë për udhëheqjen e Beogradit, duke theksuar se “regjimi zhvillon një miniluftë permanente kundër fshatarëve privatë, të cilët ende përbëjnë rreth 70% të gjithë popullsisë së Kosovës… Nuk ekziston marrëdhënie mirëbesimi midis popullsisë shqiptare dhe udhëheqjes aktuale në Prishtinë”.
“Süddeutsche Zeitung”, 9 prill 1981, veçoi disa nga implikimet e kërkesës për Republikë federale shqiptare më vete, duke thënë se “regjimi jugosllav është i pazoti kundër kësaj… Siç pyeti edhe Dolanc në mënyrë retorike në konferencën e tij për shtyp “A dëshironi dy Kore? A dëshironi dy Gjermani?”… Atë që Dolanc nuk e tha por që gjithsesi e nënkuptoi, është kjo: popujt e ndarë kërkojnë ribashkimin e tyre”.
“Neue Zürcher Zeitung”, 10 prill 1981, e përqendroi gjithashtu vëmendjen e saj në çështjet politike, duke besuar se “gama më e madhe e problemeve janë padyshim marrëdhëniet e ndërlikuara serbo-shqiptare… Cilido duhet që në çdo rast të supozojë se do të ketë spastrime të gjithanshme në organizatën e partisë krahinore”.
“The Washington Post”, 19 prill 1981, komentoi mbi irredentizmin shqiptar, duke theksuar se, përveç kërkesave për statusin e Republikës, “kishte më shumë parulla nacionaliste që bënin thirrje për “Shqipërinë e Madhe”, e cila do të përfshinte pakicat shqiptare, jo vetëm në Kosovë por edhe në Mal të Zi dhe në Maqedoni”. Duke iu kthyer çështjes themelore, autori Dusko Doder pyeti: “Për sa kohë mund të mbeten politikisht të ndarë këto dy komunitete të mëdha të të njëjtit popull? Fakti që Jugosllavia i ofron popullsisë së saj shqiptare një standard shumë më të lartë jetese dhe liri më të madhe politike dhe individuale sesa vetë Shqipëria, nuk i përjashton tendencat separatiste në radhët e shqiptarëve të arsimuar të Kosovës”.
“The New York Times”, 20 prill 1981, raportoi për një udhëtim të veçantë “të udhëzuar” për gazetarët në pjesën jashtë kufijve të caktuar për Kosovën, gjatë të cilit autoritetet vazhduan të përsërisnin akuzat e tyre të paqarta për “armikun”. Artikulli citoi gjithashtu disa serbë lokalë për ndjenjat e tyre të tilla si: “Nuk e kuptojmë çfarë kërkojnë shqiptarët, sepse ata kanë më shumë të drejta sesa ne, preferenca në strehim, punë, e madje edhe në konviktet e studentëve”. Një tjetër artikull, mesa duket për të plotësuar një farë shfaqjeje me rezervë tha: “Ne serbët nuk ndjehemi rehat me nacionalizmin shqiptar”.
Disa perspektiva. Në të vërtetë ka shumë pika që duken shqetësuese për skenën e Kosovës. Nëse sjellja në të kaluarën ofron ndonjë shenjë, ka të ngjarë që të ketë fjalime dhe spastrime në horizont por në të vërtetë ato nuk do të jenë të dobishme për problemet reale të Kosovës. Në fakt nuk duket se ka zgjidhje për këto vështirësi, të paktën për të ardhmen e parashikueshme, për shkak të madhësisë së tyre absolute.
Megjithatë, nëse duhen bërë përpjekje, gjëja e parë është që udhëheqja jugosllave të përballojë problemet në mënyrë të sinqertë dhe të hapur dhe të lërë mënjanë fshehtësinë dhe qasjen e moskomunikimit me njerëzit për vështirësitë e brendshme duke i fajësuar ata, ose duke shpërqendruar vëmendjen e tyre, përmes mjeteve të huaja. Ruajtja e kredibilitetit përpara një publiku politikisht të sofistikuar është shumë më e rëndësishme sot se në të kaluarën, meqenëse figura e Titos nuk është më e pranishme me autoritetin e tij politik dhe moral për të vepruar si arbitri vendimtar. Ngjarjet në Poloni nënvizuan rolin kryesor të kredibilitetit dhe besimit dhe komentet më të fundit të “NIN” dhe “Politika”, tregojnë se këto probleme kanë lidhje edhe me Jugosllavinë.
Fusha e dytë e analizës është shoqëria dhe ekonomia në Kosovë. Është e vështirë që këto probleme të zgjidhen menjëherë, por të paktën mund të fillohet me zgjidhjen e tyre duke i kushtuar më shumë vëmendje fshatarit privat, industrive të gjera në zhvillim për të tërhequr krahun e punës dhe për të gjetur mjetet për të punësuar proletariatin e madh akademik, ndërkohë që duhen bërë përpjekje për të mos lejuar që numri i këtij proletariati të bëhet kaq i lartë përsëri në të ardhmen.
Kjo ka lidhje me një fushë të tretë, duke reduktuar thirrjen ideologjike të komunizmit egalitarian të Hoxhës, ose mbase edhe modelin sovjetik, duke treguar se sistemi jugosllav mund të ofrojë jetesë të denjë për popullsinë e vet. Modeli shqiptar ndoshta do të ketë gjithmonë njëfarë tërheqjeje për shqiptarët e Jugosllavisë sepse ky model përfshin një numër vlerash tradicionale shqiptare. Megjithatë, përballë pabarazive të dukshme sociale në të cilat duket se të pasurit bëhen më të pasur dhe të varfëritë më të varfër, sistemi jugosllav do të duhet të provojë vlerën e vet nëse, jo vetëm socializmi i Hoxhës, por në mënyrë më kërcënuese edhe modeli sovjetik do të duhet që të humbin së paku thirrjen e tyre të mundshme ndaj zonave të pazhvilluara të Jugosllavisë. Vëzhguesit që njohin jo vetëm Kosovën por edhe Bosnje e Hercegovinën dhe zona të tjera më pak të pasura, kanë vënë re për një kohë të gjatë një zemërim të thellë ndaj pabarazive në dukje josocialiste që sistemi jugosllav jo vetëm i toleron, por duket se edhe i ushqen gjithashtu; disa njerëz, veçanërisht studentët, i kanë parë modelet ortodokse, përfshirë atë sovjetik më shumë si përgjigje. Kombinoni këto ndjenja me irredentizmin shqiptar, ose me ndjenjat serbe (dhe, në një farë mase malazeze) të frustrimit dhe rusofilinë romantike dhe në të vërtetë çdokush do të ketë një dehje marramendëse.
Problemi i katërt, ndoshta plotësisht i pazgjidhshëm brenda Federatës Jugosllave, është nacionalizmi shqiptar. Ashtu si kolegu i tij ndaj Monarkisë Habsburge në vitin 1914, dhe në kontrast me pjekurinë politike të hungarezëve të Vojvodinës së sotme, të cilët duken se janë mjaft mirënjohës për lirinë dhe prosperitetin në Jugosllavi në krahasim me Hungarinë, nacionalizmi shqiptar është agresiv dhe i fortë dhe tenton të vërë bashkimin kombëtar përpara çështjeve të lirisë personale apo të mirëqenies materiale dhe kulturore. Në një shtet emri i të cilit do të thotë “toka e sllavëve të Jugut”, shqiptarët janë ndoshta me përkufizim të jashtëm, dhe duke pasur parasysh vështirësitë e tjera të pranishme politike, sociale dhe ekonomike, mund të ketë gjithnjë rritje të ndjenjave në mesin e shqiptarëve të Jugosllavisë se e ardhmja e tyre qëndron në Tiranë.
Kjo pikë na çon në fushën e pestë, qëndrimi i serbëve ndaj Kosovës dhe përgatitja e tyre për shkëputjen e mundshme të saj nga Republika serbe. Edhe popujve të tjerë në shekullin XX u është dashur të përballen me humbje të tilla të ngjashme që ata i shikonin si pjesë të pandashme të trashëgimisë së tyre kombëtare; grekët në Azinë e Vogël dhe gjermanët në Evropën Lindore, janë ndoshta shembujt më të dukshëm. Megjithatë, këto territore janë humbur si rezultat i dobësive ushtarake dhe politike të cilat nuk mund të thuhet se gjejnë zbatim për serbët e sotshëm, me gjithë vetëperceptimin e tyre se janë mashtruar. Sidoqoftë, për arsye të kuptueshme duket se ata janë të vendosur të mbajnë fort Kosovën dhe thuhet se shumë prej tyre iu përgjigjën revoltave me thëniet: “Kjo nuk do të kishte ndodhur nëse Rankoviç do të ishte ende këtu”. Duhet të kujtojmë se emri i Rankoviç është shoqëruar me shtypjen e ashpër të shqiptarëve, një qasje që gjithsesi ka provuar të jetë vetëshkatërruese në analizën përfundimtare për trajtimin e pakicave kombëtare në Evropën Lindore moderne.
Në këtë situatë, shumë varet nga balanca e zgjidhjes për problemin e Kosovës, duke përfshirë ekuilibrin brenda sistemit federal të Jugosllavisë dhe stabilitetin politik të Ballkanit në tërësi, ose duke dobësuar Jugosllavinë si një element kyç ose thjesht duke ofruar më shumë ujëra të turbullta ku të peshkojnë sovjetikët. Sidoqoftë, duke pasur parasysh dimensionin e faktorëve të përfshirë, duket se zgjidhja nuk është aspak e lehtë.
-19-
Për përdorim të kufizuar
- E. Montgomery Esq Ambasada britanike
EESD Beograd
FCO 29 prill 1981
I nderuar Alan,
Jugosllavia/Shqipëria
- Ka pasur një kthesë në rritje në spiralen e polemikës së rihapur ndërmjet Jugosllavisë dhe Shqipërisë mbi ngjarjet në Kosovë. Pa dyshim nuk duhet ta keni parë kryeartikullin e gazetës “Zëri i Popullit”, i datës 23 prill, i cili prirej të bënte thirrje që Jugosllavia të reagonte. Shtypi parashikonte një përgjigje të fortë e cila për herë të parë erdhi më 27 prill në formën e një fjalimi të mbajtur nga Fadil Hoxha, anëtar i Kryesisë Federale të Kosovës para një grupimi aktivistësh të Partisë në Prishtinë. Së pari, ai trajtoi statusin e Kosovës brenda Federatës; së dyti trajtoi kritikën e Tiranës për prapambetjen ekonomike të Kosovës, dhe së treti, trajtoi marrëdhëniet Jugosllavi/Shqipëri. Më pas gazeta “Politika” ndërmori një kundërsulm përmes një artikulli të fuqishëm më 29 prill në vija të njëjta.
Statusi i Kosovës
- Hoxha bëri një shpjegim shumë mbrojtës të statusit të Kosovës ku pasqyrohej e gjithë palogjikshmëria e pozitës Federative. Ai pohoi se forcimi dhe jo shpërbërja e Jugosllavisë kishte rëndësi i jetësore për shqiptarët e Kosovës që të arrinin barazinë e tyre të plotë kombëtare. Kjo ishte shkaktuar përmes statusit kushtetues të Kosovës si element përbërës i Federatës Jugosllave dhe pjesë integrale e Serbisë. Në realitetin e ndërlikuar të Ballkanit, që rezulton nga zhvillimet historike, parullat që bënin thirrje për kalimin e Kosovës në Republikë në fakt u drejtuan drejt shkatërrimit të Jugosllavisë, realizimit të qëllimeve irredentiste të liga dhe rihapjes së çështjes së kufijve, e cila në Aktin Final të Helsinkit ishte vlerësuar si rrezik i madh për paqen në Evropë dhe në botë. Hoxha tha se ishte thellësisht i bindur se kjo nuk ishte në interesin e shqiptarëve të Kosovës, të cilët e dinin mirë se e kishin arritur lirinë dhe zhvillimin e tyre të plotë kombëtar dhe mund t’i pasuronin më tej ato, jo përmes konfrontimit me kombin serb dhe kombet e tjera të Jugosllavisë, por përmes bashkëpunimit dhe unitetit. Nëse duhej nxitur nacionalizmi për Shqipërinë e Madhe, kjo do t’i jepte shkas thirrjes për Serbinë e Madhe, Bullgarinë e Madhe, Greqinë e Madhe dhe çdo lloj tjetër nacionalizmi në Ballkan, që lehtësisht do të bëhej bazë për forcat agresive në botë, për ta kthyer Ballkanin në një fuqi baruti.
- Duke e justifikuar statusin e Kosovës si Krahinë Autonome, Hoxha tha se çdokush e dinte se ky status kishte ardhur si rezultat i “dëshirës së të gjitha kombeve dhe kombësive tona përmes vendimeve të marra nga Krahina, Republikat dhe Federata në vitet 1945 dhe 1946, pra përmes vendimeve të lira mbi bazën e dëshirës së shprehur të popullit të Kosovës si dhe kombit dhe kombësive të Serbisë që ne duhet të shoqërohemi së bashku në Serbi brenda Federatës”. Krahina ishte tërësisht e barabartë dhe përgjegjëse për zhvillimin e saj, ndërkohë që i arrinte të drejtat e veta sovrane brenda Serbisë. “Prandaj”, ai tha “as ne dhe askush tjetër në Jugosllavi nuk sheh ndonjë nevojë për ndryshime në organizimin themelor të vendit tonë”. Hoxha la jashtë rrëfimit të tij aspiratat e nacionalistëve shqiptarë, të cilët shohin vërtetë nevojën për ndryshim dhe të cilët do të kenë në mendje, siç e theksoi me mjeshtëri gazeta “Zëri i Popullit”, se ajo që është e mirë për maqedonasit duhet të jetë e mirë për shqiptarët.
Prapambetja e Kosovës
- Hoxha kaloi më pas në një argument më të sigurt për të hedhur poshtë thumbimet e Tiranës lidhur me zhvillimin ekonomik të Kosovës. Ai pyeti me ironi: “Nëse serbët supozohet se janë përgjegjës për prapambetjen e Kosovës, kush është përgjegjës për prapambetjen e Shqipërisë?”. Ai theksoi se zhvillimi ekonomik i Shqipërisë ishte më i ulëti në Evropë; se vetëm Prishtina kishte më shumë automjete, pajisje shtëpiake elektrike, televizorë dhe radio sesa Shqipëria; dhe se Kosova kishte dyfishin e studentëve të një popullsie që përbënte gjysmën e asaj të Shqipërisë.
- Në një përpjekje të dukshme për t’ia kthyer Tiranës pretendimin e saj mbi të drejtën për t’u shqetësuar për shqiptarët e Kosovës, Hoxha tha se nëse duhej të ishte kështu, shqiptarët e Jugosllavisë duhet të kishin të njëjtën të drejtë të ishin të shqetësuar për vështirësitë dhe ngarkesat që mbartnin bashkëqytetarët e tyre në Shqipëri, veçanërisht mungesën e lirisë së udhëtimit të këtyre të fundit, qoftë brenda apo jashtë vendit të tyre.
Marrëdhëniet Jugosllavi-Shqipëri
- Hoxha e shprehu të gjithë këtë më shumë me dhimbje sesa me zemërim. Ai vazhdimisht i referohej keqardhjes së Jugosllavisë për situatën në Shqipëri, veçanërisht që populli në Shqipëri ishte aq i izoluar dhe i indoktrinuar për të pasur frikë nga fqinjët e vet. Ai e siguroi Shqipërinë se Jugosllavia nuk përbënte rrezik për të; se qëllimi i saj ishte që marrëdhëniet ndërmjet këtyre dy vendeve të ishin sa më të mira; dhe që Kosova duhej të ishte një faktor miqësie. Jugosllavia ishte e përgatitur të kalonte mbështetjen pak a shumë të hapur ose të fshehtë të Shqipërisë për nacionalizmin e Shqipërisë së Madhe. Megjithatë ai bëri të qartë se ishte e papranueshme vënia në dyshim nga ana e Shqipërisë e kufijve që rezultonin nga Traktati i Londrës dhe Traktati i Versajës: Jugosllavia nuk do të lejonte askënd të kërcënojë kufijtë e saj. Ai i kujtoi Shqipërisë se Jugosllavia ende besonte në deklaratat e udhëheqësve shqiptarë se çdo sulm ndaj Jugosllavisë do të konsiderohej sulm ndaj vetë Shqipërisë! Megjithëse lëvizjet e fundit të Tiranës hedhin një hije të madhe dyshimi dhe pasigurie në marrëdhëniet midis tyre, Jugosllavia nuk do ta ndryshonte politikën e saj të fqinjësisë së mirë. Ai përfundoi duke bërë thirrje për vigjilencë ndaj çdo armiku dhe pohoi me vendosmëri se Jugosllavia nuk do të lejonte askënd që të luante me fatin e saj.
Komente
- Fakti që Fadil Hoxha, arma më e madhe e Kosovës, është përdorur për t’iu përgjigjur gazetës “Zëri i Popullit” tregon seriozitetin me të cilin Jugosllavia shikon kritikën e Shqipërisë. Megjithëse deklarata e tij e rastit për Kosovën që të mbetet Krahinë Autonome në Federatë është e mbushur me mospërputhje, udhëheqja e ndjeu qartazi se duhej të thoshte diçka më shumë se deklaratat monotone të Dolanc dhe Dragosovac mbi pandryshueshmërinë e politikës. Sidoqoftë, vlen të përmendet se Hoxha e kaloi në heshtje atë që Tito i kishte thënë Enver Hoxhës në vitin 1946 se “Kosova dhe zona të tjera të banuara nga shqiptarët i përkasin Shqipërisë dhe ne do t’ju a kthejmë ato por jo tani pasi reagimi për Serbinë e Madhe nuk do ta pranonte një gjë të tillë”. Nëse kjo është e vërtetë, dyshoj se jugosllavët do të preferojnë që ta ruajnë këtë të fshehtë sesa të hapin diskutim për marrëveshjet e arritura në atë kohë nga Tito për oportunizëm të qartë politik.
I Juaji, T. J. Clark
Për dijeni: P. Rennie Esq
Departamenti i Kërkimit, FCO
(VAZHDON)