Arkiv / Ripublikim

Prof. dr. Sabit Syla & Prof. dr. Hamit Kaba: DOKUMENTE BRITANIKE PËR PRANVERËN SHQIPTARE ’81

 Prof. dr. Sabit Syla & Prof. dr. Hamit Kaba: DOKUMENTE BRITANIKE PER DEMONSTRATAT E VITIT 1981 NE KOSOVE

                                                                                            * * *

Dokumentet britanike për Demonstratat e vitit 1981 në Kosovë, sjellin para lexuesit informacione të rëndësishme për një ngjarje me shumë interes të historisë bashkëkohore të shqiptarëve. Janë afër 300 faqe dokumente të vjela nga Arkivat Britanike në Londër, të natyrës diplomatike, politike, shoqërore, ushtarake etj. Shumica e dokumenteve i përket korrespodencës së Ambasadës së Mbretërisë së Bashkuar në Beograd, me Ministrinë e Jashtme dhe të Komonuelthit (Foreign and Commonwealth Office – FCO) dhe një numër më i kufizuar informacionesh të përcjella nga Konsullata e Përgjithshme Britanike në Zagreb. Dokumentet përfshijnë edhe korrespodencën  diplomatike të ambasadave të Madhërisë së saj, në: Athinë, Ankara, Moskë, Vjenë e deri në Abu Dabi [Emiratet e Bashkuara Arabe], me Londrën. Pjesa më e rëndësishme e kësaj korrespodence i është bërë e njohur edhe Uashingtonit, me të cilin Londra konsultohej herë pas here dhe, siç dëshmojnë dokumentet, duket se ndanin edhe qëndrime të përbashkëta.

Një vend të konsiderueshëm zënë edhe artikujt e shtypit të vendeve perëndimore. Imazhet e para të qëndrimeve të diplomacive perëndimore ndaj Demonstratave të vitit 1981 në Kosovë, dhe ndaj çështjes shqiptare, u përcollën pikërisht përmes këtyre artikujve. Në të vërtetë, disa prej shkrimeve të shtypit perëndimor dhe sidomos të atij austriak e gjermano-perëndimor shprehnin më qartë përmasat reale të asaj që po ndodhte në Kosovë në Pranverën e vitit 1981, të egërsisë me të cilën u soll Jugosllavia ndaj demonstruesve dhe intelektualëve shqiptarë gjatë dhe pas demonstratave. Në ndonjë dokument specifik të këtij botimi do të pranohej e argumentohej juridikisht legjitimiteti dhe drejtësia e kërkesës kyçe “Kosova Republikë”.

Tematika e këtyre dokumenteve është e pasur dhe e larmishme, por, përmbajtja e saj mund të ravijëzohet në disa drejtime, të cilat fokusohen: tek  nacionalizmi i shqiptarëve të ish-Jugosllavisë; tek shkaqet e Demonstratave të mars-prillit të vitit 1981; tek kërkesa kryesore e tyre “Kosova Republikë”; tek roli i Shqipërisë në këto demonstrata dhe tek marrëdhëniet e saj me Jugosllavinë; tek politika zyrtare e Britanisë së Madhe ndaj Jugosllavisë dhe kërkesave të shqiptarëve; tek reagimi i organeve të larta partiake e shtetërore në  Serbi e  Federatë, gjatë dhe pas demonstratave; tek qëndrimet e dyzuara të udhëheqësve shqiptarë në Kosovë; tek analizat interesante për kushtetutshmërinë e kërkesës së demonstruesve “Kosova Republikë”; tek hamendësimet intriguese për vdekjen e papritur të kryeministrit të Shqipërisë, Mehmet Shehu etj.

Hartuesit e dokumentacionit në përgjithësi i gjejnë rrënjët e krizës brenda Jugosllavisë dhe jo jashtë saj, në kundërshtim me përpjekjet e udhëheqësve jugosllavë, që i kërkonin ato jashtë Jugosllavisë, kryesisht tek politika e shtetit shqiptar apo e Bashkimit Sovjetik. “Nacionalizmi në Kosovë, përmendet me të drejtë në një informacion të Ambasadës britanike në Beograd, është një problem endemik, të cilin as Tito nuk mundi ta zgjidhte”. Dokumentacioni hap rrugën për një analizë më realiste e më të plotë të Demonstratave të vitit 1981 në Kosovë.

Politika zyrtare britanike e vitit 1981 ishte për ruajtjen e Jugosllavisë dhe të tërësisë së saj territoriale, ndërsa kërkesa e shqiptarëve “Kosova Republikë” shihej me dyshim dhe rrezikshmëri, sepse pranimi i saj mund t’i hapte rrugë shpërbërjes së Jugosllavisë dhe hapjes së  “Kutisë së Pandorës”. Sidoqoftë, nuk do të mungonin edhe gjykimet dhe zërat e veçantë jashtë kuadrit zyrtar, të cilat e konsideronin të drejtë kërkesën e shqiptarëve për barazi brenda Federatës Jugosllave. Disa artikuj të shtypit të këtyre muajve, ndonëse furnizoheshin me “karburant” nga shtypi dhe autoritetet jugosllave, arritën në konkluzione më të drejta se vetë politikanët e shteteve të tyre, duke pranuar opsionin “Kosova Republikë”, madje edhe shkëputjen e saj nga Jugosllavia, duke sjellë si shembull historinë e disa vendeve evropiane.

Qeveria jugosllave, siç dëshmon dokumentacioni, qëllimisht e keqinterpretonte  kërkesën e demonstruesve për “Kosovën Republikë”, me shkëputjen e saj nga Jugosllavia dhe me ndryshimin e kufijve, duke e ditur se një opsion i tillë, do të prishte ekuilibrat dypolarë dhe do të kundërshtohejë nga Perëndimi. Në mënyrë jo korrekte dhe të përsëritur, disa politikanë jugosllavë i referoheshin Aktit Final të Helsinkit, për pandryshueshmërinë e kufijve evropianë të vendosur pas Luftë së Dytë Botërore, duke “harruar” të përmendnin një nga nenet e tij, i cili i hapte rrugë ndryshimit të kufijve në mënyrë paqësore. Sidoqoftë, në rrethanat e “Luftës së Ftohtë” ishte gati e pamundur të “kapërceje gardhin”. Frika dhe paragjykimi për tjetrin ishin të pranishëm kudo. Por, studentët, punëtorët dhe intelektualët e Kosovës nuk kërkuan ndryshimin e kufijve, por barazi me republikat e tjera të ish-Jugosllavisë.

Në ndonjë dokument të këtij vëllimi vihet në dukje një tipar i veçantë i nacionalizmit shqiptar – prirja drejt të drejtave kombëtare dhe jo drejt lirive individuale, sikurse ndodhte në vendet anëtare të KSBE-së, ku bënte pjesë edhe Jugosllavia. Prirja për të drejta dhe liri individuale, ishte karakteristike për vendet ish-komuniste të Evropës Qendrore e Lindore, [ndonëse edhe Jugosllavia kishte problemet e veta], por, tek shqiptarët interesat kombëtare kishin fituar prevalencë mbi liritë dhe të drejtat e njeriut, për kohën kur u hartuan këto dokumente.

Dokumentet nuk i shpëtojnë dot subjektivizmit dhe këndvështrimeve të ndryshme, jo thjesht se ato janë ushqyer nga burime zyrtare jugosllave, por kryesisht për shkak të “doganës” që vë koha. Por, kjo nuk e cenon vlerën e tyre. Publikimi i këtij korpusi dokumentar do ta pasurojë më tej njohjen tonë për Demonstratat e vitit 1981 në Kosovë, do të na ndihmojë të gjykojmë më mirë për historinë e saj, për njerëzit që morën pjesë dhe mbi të gjitha për drejtësinë e kërkesës “Kosova Republikë”. Viti 1981 shënoi një pikë kulmore të kërkesave kombëtare të shqiptarëve, por jo fundin e një rruge të gjatë, e cila do të vazhdonte dhe do të kurorëzohej vetëm në fillim të shekullit të XXI, me shpalljen e shtetit të pavarur të Kosovës.

Shpresojmë dhe besojmë se publikimi i këtij vëllimi origjinal dhe intrigues do të tërheqë vëmendjen e lexuesit të thjeshtë, studiuesve të shkencave shoqërore, e veçanërisht të historianëve. Interesi besojmë se do të jetë i shumëfishtë për njerëzit që bënë historinë në ato vite, të cilët janë ende gjallë. Dokumentacioni është përcjellë sipas kronologjisë së ngjarjeve, pa i cunguar e hequr pjesëza nga trupi i tyre.

                                                                 Prof. dr. Sabit Syla & Prof. dr. Hamit Kaba

 

                         Kronologji e ngjarjeve në Kosovë, 11 mars-31 maj 1981

11 mars

Prishtinë 

19.00        Demonstrata në Mensën e Studentëve të Universitetit. Zgjatën deri në 05.00, më 12 mars, në zonën midis konvikteve të studentëve. Gjatë demonstratave, u përdorën forcat e milicisë kundër demonstruesve. Asnjë student nuk u dëmtua rëndë, përveç dy milicëve, njëri nga një plumb pistolete dhe tjetri nga një gur në sy. 18 anëtarë të Forcave të Sigurisë u raportuan të dëmtuar lehtë.

12 mars

Prishtinë

                       Udhëheqësit e demonstratave u identifikuan nga Forcat e Sigurisë. 80 prej tyre ishin nga Kosova dhe 20 nga vende të tjera por të gjithë ishin studentë në Universitetin e Prishtinës.

                       Seancë e përbashkët e Komitetit të Përgjithshëm të LK-së së Kosovës dhe Kryesisë së Kosovës duke shtuar Kryesinë e LK-së së Kosovës.

                       Deklaratë e nxjerrë nga “Tanjug”.

16 mars

                       Zjarr misterioz në Patriarkanën e Pejës.

25 mars          Prizren

11.30              30 studentë sulmuan dhe dëmtuan Kolegjin e Trajnimit të Mësuesve.

12.30              Trazirat shpërndahen nga Forcat e Sigurisë. U konstatua se rebelët përbëheshin nga nxënës të Shkollës së Mesme në Prizren dhe nga Kolegji për Trajnimin e Mësuesve, plus nxënës nga shkolla e mesme në Suhareka. Forcat e milicisë u gjuajtën me gurë: u dëmtua një milic.

26 mars 

Podujevë         Grevë

Prishtinë         

07.00               Rreth 500 studentë u mblodhën në kampusin e Universitetit.

12.40               Rreth 300 studentë duke bërtitur me parulla dolën nëpër rrugë.

14.00              Një grup i madh studentësh iu drejtuan qytetit me qëllim që të prishnin manifestimet në Stafetën e të Rinjve.

16.30              U përdorën njësi të Ministrisë së Punëve të Brendshme të Prishtinës dhe njësi speciale kundër rebelimit nga Ministria e Federale e Punëve të Brendshme (të cilat kishin arritur në Prishtinë një ditë më parë) për të shpërndarë demonstratën. U konstatuan 32 studentë të plagosur (1 i plagosur rëndë); 12 anëtarë të Forcave të Sigurisë (1 i plagosur shumë rëndë). Pati dy të shtëna me armë revolver nga demonstruesit por nuk pati të plagosur.

17.30              Demonstrata u shpërnda; 200 demonstrues u arrestuan, 21 nga të cilët u ndaluan.

27 mars

                       U mbajt seancë e përbashkët e Komitetit Krahinor dhe Kryesisë së Kosovës ku u vendos që të përshpejtohej vlerësimi i ngjarjeve.

28 mars

                       Kryesia e Lidhjes Socialiste të Prishtinës u mblodh për të shqyrtuar “disa probleme socialo-ekonomike”.

30 mars

Obiliq

13.00          200 studentë nga Shkolla e Mesme dolën në demonstratë. Demonstrata u shpërnda nga Forcat e Sigurisë; ka të dhëna se punëtorët e Termocentralit “Kosova B” janë nxitur që të bashkohen me demonstratën.

Prishtinë

                    Studentët e fakulteteve të ekonomikut, drejtësisë dhe matematikës bojkotuan mësimin.

1 prill

Podujevë

11.00      200 studentë dolën në demonstratë. Rreth 10 demonstrues u 17.00               plagosën, 3 prej tyre rëndë; 1 milic i plagosur lehtë.

Prishtinë

13.00      Studentë nga Fakulteti Ekonomik Bujqësor i Shkollës së Mesme dolën në demonstratë.

15.00     Me demonstratën u bashkuan disa punëtorë ndërtimi dhe më vonë punëtorë nga Fabrika e Amortizatorëve-Prishtinë, nga koncerne të ndryshme ndërtimi në Prishtinë dhe nga kompania aty afër në Obiliq. Demonstruesit thërrisnin parulla që përfshinin “Kosova për kosovarët”, “Kosova Republikë” dhe “Rroftë Adem Demaçi” (shqiptar irredentist i cili aktualisht gjendej në burg në Jugosllavi). Demonstruesit numëroheshin rreth 3-4 000 veta nga të cilët autoritetet pretendonin se 2 700 ishin studentë.

21.00              Demonstrata më në fund u shtyp. 18 demonstrues të plagosur: 3 rëndë, 17 anëtarë të Forcave të Sigurisë: 2 rëndë. Nuk janë përdorur të shtëna armësh gjatë demonstratës.

“Tanjug” botoi një deklaratë të shkurtër për elementët nacionalistë armiqësorë që prishin rendin dhe për marrjen e masave përkatëse të sigurisë.

U mblodh Kryesia e Përbashkët e Kosovës me atë të LK-së së Kosovës për të vendosur për masat që duhen marrë.

2 prill

Prishtinë

06.00              Demonstratat filluan sërish. Grupe punëtorësh nga 2 organizata në Prishtinë dhe 1 organizatë në Vushtrri okupuan stacionin e autobusit dhe hodhën parulla. Demonstrata u shpërnda nga Forcat e Sigurisë. Tjetërkund në Prishtinë studentët bërtisnin me parulla nacionaliste të tilla, si: “Jemi bijtë e Skënderbeut, ushtarë të Enver Hoxhës”.

09.00              Grupe të vogla në pjesë të ndryshme të qytetit po formonin grupe të reja me studentë nga fakultete të tjera dhe punëtorë nga organizatat “Puta”, “Voça” dhe “Crepo-Ciglana”.

10.30              Formohen grupe të tjera në qytet dhe përreth tij dhe në fshatin e Devet Jugoviça. Demonstruesit, qytetarët dhe fshatarët bënë presion ndaj autoriteteve të Sigurisë. Një ngjarje e tillë e ngjashme ndodhi në një zonë afër Obiliqit.

14.00            Grupe demonstruesish, punëtorësh dhe fshatarësh bllokuan një njësi të vogël të   mbrojtjes territoriale e cila mundi të arrinte në Prishtinë vetëm në orën 16.00. Në mesin e këtyre demonstruesve kishte njerëz të armatosur me armë zjarri.

15.00            Grupe punëtorësh, disa të armatosur mbërritën në Prishtinë.

16.00              Një grup i madh demonstruesish arriti në periferi të Prishtinës duke ecur drejt qendrës së qytetit.

20.00             Demonstrata u shpërnda.

                       Komiteti për Mbrojtjen e të Gjithë Popullit dhe Vetë-Mbrojtjen Sociale të Prishtinës nënshkroi një urdhër për të rrethuar qytetin me tanke. U vendos ndalimqarkullimi në Prishtinë, Podujevë, Lipjan, Vushtrri dhe Gllogoc nga ora 20.00 deri në 05.00. Përforcime për Forcat e Sigurisë mbërritën në Prishtinë nga Republikat e tjera dhe nga Vojvodina. U ndalua grupimi i më shumë se 5 personave në vende publike.

Podujevë        Demonstratat filluan herët në mëngjes më shumë nga studentët, por në radhët e tyre kishte edhe qindra qytetarë, punëtorë dhe fshatarë. Ata u përpoqën të bllokonin rrugën për në Prishtinë për të penguar Forcat e Sigurisë që të hyjnë në Podujevë. Nga Podujeva erdhën përfundimisht njësi territoriale në ndihmë të tyre. 34 shtëpive të serbëve dhe malazezëve iu vu zjarri.

Vushtrri           12 punëtorë nga organizata “Kosova”, ishin së bashku me një turmë prej rreth 150 studentësh duke thirrur parulla.

Lipjan

15.20               Rreth 450 studentë që bërtisnin hynë me forcë në qytet dhe thyen xhamat e një pike karburanti dhe dyqaneve në përgjithësi. Demonstrata u shpërnda nga Forcat e Sigurisë rreth orës 17.00.       

Gjilani

18.00               Një grup prej rreth 30 studentësh në qytet hidhnin parulla. Demonstrata u shpërnda nga Forcat e Sigurisë.

Gllogoc

10.00               Studentë nga Shkolla e Mesme filluan të dalin në demonstratë; më vonë u bashkuan disa qytetarë, duke përmbysur makina dhe duke i vënë zjarrin atyre. Disa demonstrues qëlluan me armë, dhe një student u plagos. Në varrezat e zonës disa nga demonstruesit shkulën gurët e varrit. Demonstruesit morën një armë automatik nga një prej Forcave të Sigurisë (që më vonë u mor sërish).

Gjakovë

18.00               Një grup prej rreth 100 studentësh thërrisnin parulla; ata u shpërndanë nga Forcat e Sigurisë.

                        Seancë e Përbashkët e Kryesisë Federale dhe Presidiumit të LKJ-së ku shqyrtuan situatën politike dhe të sigurisë në Kosovë.

                        Deklarata e Xhavit Nimanit për ngjarjet në Kosovë.

                        Seancë e Kryesisë së Përbashkët të Serbisë dhe LK-së së Serbisë.

3 prill

Ferizaj

09.00               Një fabrikë druri u okupua prej rreth 200 punëtorësh.

13.00               Ata u larguan nga fabrika dhe dolën në rrugë ku me ta u bashkua një grup studentësh. Më vonë filluan të hidhnin parulla të tilla si “Çmobilizoni njësitë e mbrojtjes territoriale në fabrika”, “Nuk duam tanke në Krahinë”, “Nxirrni shokët tanë nga burgu”, “Nuk duam që fëmijët tanë të rrihen nga policë jashtë Krahinës”. Demonstruesit filluan më pas të thyejnë xhamat e dyqaneve dhe apartamenteve, të përmbysin makina, të shkatërrojnë kioska dhe të dëmtojnë rëndë Hotel Ljubotan. Gjatë demonstratës u dëgjuan të shtëna armësh.

20.00               Demonstrata dështoi për arsye të ndalimqarkullimit.

Vitia

10.00               Një grup prej 100 studentësh demonstruan duke hedhur parulla. Forcat e Sigurisë e shpërndanë demonstratën me ndihmën e një pjese të stafit mësimdhënës.

Vushtrri

10.00               Një grup studentësh dhe disa punëtorë demonstruan në rrugë duke mbajtur foto të Titos me vete, por nën parullën “Republikë me hir a me pahir”. Ata u përpoqën të hyjnë në shkollën e Punëve të Brendshme, por nuk u lejuan. Të afërmit e demonstruesve, të përkulur në dritaret e shtëpive, qëlluan me armë në drejtim të Forcave të Sigurisë dhe kështu forcat e milicisë duhej t’i përgjigjeshin edhe ata me zjarr. Demonstrata u qetësua para mbrëmjes.

Mitrovica

11.00               80 punëtorë nga fabrika të ndryshme dolën në rrugë dhe me ta u bashkuan edhe studentët. Ata mbanin një fotografi të Titos në krye të kolonës. Me ta u bashkuan edhe studentët. Ata thyen xhama në dyqane të ndryshme dhe thërrisnin parullat “Trepça punon për Serbinë” dhe “Rroftë Kosova Republikë”. Demonstrata u shpërnda pa përdorur armë zjarri.

                        Sipas statistikave zyrtare deri më 3 prill:

                        Nga demonstruesit: 8 të vdekur dhe 130 të plagosur, 55 me plagë nga armë zjarri.

Nga Forcat e Sigurisë: 1 milic i vdekur me armë zjarri, 135 të plagosur, 4 nga të cilët rëndë.

Dëmi material deri në këtë datë është vlerësuar të jetë rreth 9 milionë dinarë. Forcat e Sigurisë kanë arrestuar 956 njerëz: 219 të ndaluar dhe 45 të akuzuar.

Fadil Hoxha: fjalim në Prishtinë

4 prill

                        Dushan Dragosavac foli me redaktorë gazetash në Beograd.

                        Dobrivoje Vidiç foli në komunën Vraçar në Beograd.

                        Hapet central hidroelektrik në Kosovë.

6 prill

                        Seancë e LK-së së Kosovës. Fjalim nga Dushan Ristiç.

                        Konferencë për shtyp në Beograd për gazetarët e huaj dhënë nga Stane Dolanc, i cili u shprehë për viktimat se kishte 11 të vdekur dhe 57 të plagosur.

8 prill 

Hiqet ndalimqarkullimi në Prishtinë dhe komuna të tjera.

                        Kryeartikulli i gazetës “Zëri i Popullit” publikoi veprime sulmuese të jugosllavëve në Kosovë.

                        Gazeta “Rilindja” (Prishtinë) përgjigjet.

                        Radio Zagrebi sulmoi gazetën “Zëri i Popullit”.

10 prill

                        Gazeta “Bashkimi” (Tiranë) sulmoi Jugosllavinë për regjistrimin e përgjithshëm në Kosovë.

11 prill

                          Radio Zagrebi pretendonte se ndoshta Shqipëria kishte pretendime territoriale në Jugosllavi.

                        Mbledhja e konferencës së LK-së së Kosovës në qytetin e Prishtinës.

13 prill

Shkollat fillore në Prishtinë rifillojnë mësimin.

                        Mbledhja e Lidhjes Socialiste të Kosovës: fjalim nga Azem Vllasi. Shifrat e viktimave flasin për 9 të vdekur, 257 të plagosur: 75 demonstrues të plagosur rëndë, 55 të plagosur lehtë; 127 anëtarë të Forcave të Sigurisë të plagosur.

15 prill

                        Fjalim i Dushan Dragosavac para aktivit politik në Obiliq.

16 prill

                        Kolë Shiroka sulmon në gazetën “Bashkimi”.

17 prill

                        Bakalli tha në një konferencë për shtyp për gazetarët e huaj se 28 organizatorë të lëvizjeve ishin nën hetim. Shkollat e mesme dhe Universiteti i Prishtinës do të rihapen më 20 prill.

18 prill

                        Fjalim i Fadil Hoxhës në Prishtinë.

                        Fjalim i Bahri Oruçit në Mitrovicë.

19 prill

                        Gazeta “Pravda” sulmon komentet e Tesliç në gazetën “Borba” të datës 12 prill.

20 prill

                        Fillojnë provimet e Universitetit në Prishtinë.

                        Përfundon regjistrimi i përgjithshëm në Kosovë.

21 prill

                          Fjalim i Xhavit Nimanit në Prishtinë me rastin e 40-vjetorit të kryengritjes në Kosovë.

22 prill

                        Dr. Ivo Margan: fjalim para Kryesisë Federale.

23 prill

                        Gazeta “Rilindja” sulmon një tjetër artikull të gazetës “Zëri i Popullit”.

24 prill

                        Mbledhje e Kryesisë së Kosovës.

                        Fjalim i Enver Rexhepit ku jep detaje për ngjarjet 11 mars-4 prill.

25 prill

                        Një grup prej 20 të rinjsh dhe studentësh që mbajnë veshur kostume kombëtare shqiptare si një gjest “nacionalist” marshojnë nëpër Prishtinë.

27 prill

                        Fjalim i Fadil Hoxhës në Prishtinë.

28 prill

                        Mbledhje e përbashkët e Kryesisë së Republikës së Serbisë dhe LK-së së Serbisë. Fjalim nga Galovaç.

29 prill

                        Fjalim i Lazer Kolishevskit në një mbledhje të përbashkët të Kryesisë Federale dhe Këshillit Federal për Mbrojtjen e Rendit Kushtetues.

                        Mbledhje e Kosova SUBNOR.

                        Mbledhje e Kryesisë së LKJ-së.

30 prill

                          Broshura të shpërndara në Deçan ku bëhet thirrje për demonstrata të tjera.

Raport për një fabrikë në Vushtrri së cilës i është vënë zjarri nga nacionalistë shqiptarë (i pakonfirmuar).

Istog

                          8 njerëz të arrestuar për pjesëmarrje në demonstrata, të veshur me qeleshe të bardha shqiptare. Më vonë u liruan. Autoritetet e kuptuan më pas se kishin lënë të lirë udhëheqës të një grupi kundërrevolucionar (11 milicë dhe 2 demonstrues të plagosur).

2 maj

                          Demonstrata të ndryshme të vogla në Podujevë, Lipjan, Grabovac dhe Pejë të shënuara nga qytetarët. Demonstrata në Ferizaj ku u thyen xhamat e një kishe.

4 maj

                        Kryetari i RSFJ-së, Cvijetin Mijatoviç mbajti fjalim.

5 maj

                        Fjalim nga Ali Shukrija në mbledhjen e LK-së së Kosovës. Bakalli jep dorëheqjen dhe Veli Deva zgjedhet në vend të tij.

Kaçanik

13.45                 250-300 studentë nga Shkolla e Mesme lanë ambientet e shkollës dhe u drejtuan në rrugë duke thirrur parulla.

Dobro Selo

11.00               30-40 studentë thyen xhamat e makinave dhe gjuajtën me gurë.

6 maj

                          Mbledhje e LK të Serbisë; fjalim nga Tihomir Vlaskaliç. Zjarr në një fabrikë tekstilesh në Prishtinë.

7 maj

                        Mbledhje e KQ-së së LKJ-së: fjalim nga Llazar Mojsov.

8 maj

                          Mbledhje e Kryesisë së RSFJ-së në të cilin u diskutuan marrëdhëniet me Shqipërinë.

9 maj

                       

Fjalim i Dragoslav Markoviç në Paraçin.

10 maj

                          Mbledhje e Kryesisë së LK-së së Kosovës në të cilin u diskutua programi i veprimit të tyre.

12 maj

                          4 milicë u vranë dhe 3 u plagosën gjatë një rrethimi në një shtëpi në fshatin Prekaz i Poshtëm në Kosovë. 2 persona “të nxjerrë jashtë ligjit” u vranë. Deklaratë nga Franjo Herljeviç në Ditën e Sigurisë.

Prishtinë

22.00                 Studentët okupuan 4 konvikte studentësh në Qendrën e Studentit dhe bërtisnin e fishkëllenin. Ata hidhnin jashtë dritareve letra dhe gazeta të ndezura. Më vonë rreth 150 studentë okupuan zonën ndërmjet konvikteve, hodhën shishe dhe thërrisnin parullat “Kosova Republikë”, “Poshtë spiunët”. Demonstrata u shpërnda rreth orës 03.00, më 13 maj, pas diskutimeve midis studentëve dhe qytetarëve.

14 maj

                           Ambasadori shqiptar mori një “Aide Memoire” nga zëvendësministri i Jashtëm për “ndërhyrje në punët e brendshme të Jugosllavisë”. Ambasada shqiptare u përmend nga Kaleziç në një konferencë për shtyp.

18 maj

19.15

21.00                 Rreth 1 000 studentë demonstruan në Qendrën e Studentit në Prishtinë duke thirrur parulla. Si rezultat, u vendos që të mbyllej viti shkollor në universitet, d.m.th. 10 ditë më herët. Zëvendëskryetari Pajazit Nushi, dhe Imer Jaka, anëtar i Këshillit Ekzekutiv, përgjegjës për kulturën dhe arsimin, paraqesin dorëheqjen e tyre.

19 maj

Pejë

19.00                  20-30 studentë nga Shkolla e Lartë Tregtare kërcyen vallen “Kola” dhe kënduan këngë nacionaliste përballë konviktit. Kur po nxirreshin jashtë nga kjo zonë, ata përshëndetën me grusht duke thirrur “Duam Republikë, me mjete paqësore ose me luftë”.

20-22 maj

                             Sulm në “shtypin kryesor” nga profesorë të Universitetit të Prishtinës. Gazeta “Politika” përgjigjet.

21 maj

                             Një grup prej 6 studentësh filluan të thërrisnin parulla në stacionin e autobusit.

23 maj

                             Dy pajisje të vogla eksplozive shpërthyen jashtë ndërtesës së Ambasadës jugosllave në Tiranë.

24 maj

                             Ambasadori jugosllav në Tiranë proteston para autoriteteve shqiptare.

27 maj

                           Ambasadori shqiptar në Beograd u thirr në SFPJ – mbledhje e Kryesisë së KQ-së të LK-së së Serbisë.

28 maj

                           Kryesia e LK-së së Kosovës konfirmoi programin e saj të veprimit. Nga data 11 deri më 20 maj, u përjashtuan 440 anëtarë të LK-së së Kosovës. Culafiç, sekretar i LKJ-së, mbështeti rolin e shtypit në ngjarjet e Kosovës.

29 maj

                             Franko Herljeviç, sekretari Federativ për Punët e Brendshme, viziton Kosovën.

                             Mbledhje e Sindikatave të Kosovës.

(VAZHDON)