Arkiv / Ripublikim

Prof. dr. Sabit Syla & Prof. dr. Hamit Kaba DOKUMENTE BRITANIKE PER DEMONSTRAT E VITIT 1981 NE KOSOVE

Prof. dr. Sabit Syla & Prof. dr. Hamit Kaba
DOKUMENTE BRITANIKE PER DEMONSTRAT E VITIT 1981 NE KOSOVE

* * *

Dokumentet britanike për Demonstratat e vitit 1981 në Kosovë, sjellin para lexuesit
informacione të rëndësishme, për një ngjarje me shumë interes të historisë bashkëkohore të
shqiptarëve. Janë afër 300 faqe dokumente të vjela nga Arkivat Britanike në Londër, të
natyrës diplomatike, politike, shoqërore, ushtarake etj. Shumica e dokumenteve i përket
korrespodencës së Ambasadës së Mbretërisë së Bashkuar në Beograd, me Ministrinë e
Jashtme dhe të Komonuelthit (Foreign and Commonwealth Office – FCO) dhe një numër më
i kufizuar informacionesh të përcjella nga Konsullata e Përgjithshme Britanike në Zagreb.
Dokumentet përfshijnë edhe korrespodencën diplomatike të ambasadave të Madhërisë së saj,
në: Athinë, Ankara, Moskë, Vjenë e deri në Abu Dhabi [Emiratet e Bashkuara Arabe], me
Londrën. Pjesa më e rëndësishme e kësaj korrespodence i është bërë e njohur edhe
Uashingtonit, me të cilin Londra konsultohej herë pas here dhe, siç dëshmojnë dokumentet,
duket se ndanin edhe qëndrime të përbashkëta.
Një vend të konsiderueshëm zënë edhe artikujt e shtypit të vendeve perëndimore.
Imazhet e para të qëndrimeve të diplomacive perëndimore ndaj Demonstratave të vitit 1981
në Kosovë, dhe ndaj çështjes shqiptare, u përcollën pikërisht përmes këtyre artikujve. Në të
vërtetë, disa prej shkrimeve të shtypit perëndimor dhe sidomos të atij austriak e gjermano-
perëndimor shprehnin më qartë përmasat reale të asaj që po ndodhte në Kosovë në pranverën
e vitit 1981, të egërsisë me të cilën u soll Jugosllavia ndaj demonstruesve dhe intelektualëve
shqiptarë gjatë dhe pas demonstratave. Në ndonjë dokument specifik të këtij botimi do të
pranohej e argumentohej juridikisht legjitimiteti dhe drejtësia e kërkesës kyçe “Kosova
Republikë”.
Tematika e këtyre dokumenteve është e pasur dhe e larmishme, por, përmbajtja e saj
mund të rivijëzohet në disa drejtime, të cilat fokusohen: tek nacionalizmi i shqiptarëve të
ish-Jugosllavisë; tek shkaqet e Demonstratave të mars-prillit të vitit 1981; tek kërkesa
kryesore e tyre “Kosova Republikë”; tek roli i Shqipërisë në këto demonstrata dhe tek
marrëdhëniet e saj me Jugosllavinë; tek politika zyrtare e Britanisë së Madhe ndaj
Jugosllavisë dhe kërkesave të shqiptarëve; tek reagimi i organeve të larta partiake e
shtetërore në Serbi e Federatë, gjatë dhe pas demonstratave; tek qëndrimet e dyzuara të
udhëheqësve shqiptarë në Kosovë; tek analizat interesante për kushtetutshmërinë e kërkesës

2
së demonstruesve “Kosova Republikë”; tek hamendësimet intriguese për vdekjen e papritur
të kryeministrit të Shqipërisë, Mehmet Shehu etj.
Hartuesit e dokumentacionit në përgjithësi i gjejnë rrënjët e krizës brenda
Jugosllavisë dhe jo jashtë saj, në kundërshtim me përpjekjet e udhëheqësve jugosllavë, që i
kërkonin ato jashtë Jugosllavisë, kryesisht tek politika e shtetit shqiptar apo e Bashkimit
Sovjetik. “Nacionalizmi në Kosovë, përmendet me të drejtë në një informacion të Ambasadës
britanike në Beograd, është një problem endemik, të cilin as Tito nuk mundi ta zgjidhte”.
Dokumentacioni hap rrugën për një analizë më realiste e më të plotë të Demonstratave të vitit
1981 në Kosovë.
Politika zyrtare britanike e vitit 1981 ishte për ruajtjen e Jugosllavisë dhe të tërësisë
së saj territoriale, ndërsa kërkesa e shqiptarëve “Kosova Republikë” shihej me dyshim dhe
rrezikshmëri, sepse pranimi i saj mund t’i hapte rrugë shpërbërjes së Jugosllavisë dhe hapjes
së “Kutisë së Pandorës”. Sidoqoftë, nuk do të mungonin edhe gjykimet dhe zërat e veçantë
jashtë kuadrit zyrtar, të cilat e konsideronin të drejtë kërkesën e shqiptarëve për barazi brenda
Federatës Jugosllave. Disa artikuj të shtypit të këtyre muajve, ndonëse furnizoheshin me
“karburant” nga shtypi dhe autoritetet jugosllave, arritën në konkluzione më të drejta se vetë
politikanët e shteteve të tyre, duke pranuar opsionin “Kosova Republikë”, madje edhe
shkëputjen e saj nga Jugosllavia, duke sjellë si shembull historinë e disa vendeve evropiane.
Qeveria jugosllave, siç dëshmon dokumentacioni, qëllimisht e keqinterpretonte
kërkesën e demonstruesve për “Kosovën Republikë”, me shkëputjen e saj nga Jugosllavia
dhe me ndryshimin e kufijve, duke e ditur se një opsion i tillë, do të prishte ekuilibrat
dypolarë dhe do të kundërshtohej nga Perëndimi. Në mënyrë jo korrekte dhe të përsëritur,
disa politikanë jugosllavë i referoheshin Aktit Final të Helsinkit, për pandryshueshmërinë e
kufijve evropianë të vendosur pas Luftë së Dytë Botërore, duke “harruar” të përmendnin një
nga nenet e tij, i cili i hapte rrugë ndryshimit të kufijve në mënyrë paqësore. Sidoqoftë, në
rrethanat e “Luftës së Ftohtë” ishte gati e pamundur të “kapërceje gardhin”. Frika dhe
paragjykimi për tjetrin ishin të pranishëm kudo. Por, studentët, punëtorët dhe intelektualët e
Kosovës nuk kërkuan ndryshimin e kufijve, por barazi me republikat e tjera të ish-
Jugosllavisë.
Në ndonjë dokument të këtij vëllimi vihet në dukje një tipar i veçantë i nacionalizmit
shqiptar – prirja drejt të drejtave kombëtare dhe jo drejt lirive individuale, sikurse ndodhte në
vendet anëtare të KSBE-së, ku bënte pjesë edhe Jugosllavia. Prirja për të drejta dhe liri
individuale, ishte karakteristike për vendet ish-komuniste të Evropës Qendrore e Lindore,
[ndonëse edhe Jugosllavia kishte problemet e veta], por, tek shqiptarët interesat kombëtare
kishin fituar prevalencë mbi liritë dhe të drejtat e njeriut, për kohën kur u hartuan këto
dokumente.
Dokumentet nuk i shpëtojnë dot subjektivizmit dhe këndvështrimeve të ndryshme, jo
thjesht se ato janë ushqyer nga burime zyrtare jugosllave, por kryesisht për shkak të
“doganës” që vë koha. Por, kjo nuk e cenon vlerën e tyre. Publikimi i këtij korpusi
dokumentar do ta pasurojë më tej njohjen tonë për Demonstratat e vitit 1981 në Kosovë, do

3
të na ndihmojë të gjykojmë më mirë për historinë e saj, për njerëzit që morën pjesë dhe mbi
të gjitha për drejtësinë e kërkesës “Kosova Republikë”. Viti 1981 shënoi një pikë kulmore të
kërkesave kombëtare të shqiptarëve, por jo fundin e një rruge të gjatë, e cila do të vazhdonte
dhe do të kurorëzohej vetëm në fillim të shekullit të XXI, me shpalljen e shtetit të pavarur të
Kosovës.
Shpresojmë dhe besojmë se publikimi i këtij vëllimi origjinal dhe intrigues do të
tërheqë vëmendjen e lexuesit të thjeshtë, studiuesve të shkencave shoqërore, e veçanërisht të
historianëve. Interesi besojmë se do të jetë i shumëfishtë për njerëzit që bënë historinë në ato
vite, të cilët janë ende gjallë. Dokumentacioni është përcjellë sipas kronologjisë së ngjarjeve,
pa i cunguar e hequr pjesëza nga trupi i tyre.

Prof. dr. Sabit Syla & Prof. dr. Hamit Kaba

 

-2-
Konfidenciale

GR 561
Fm Beograd 031151Z, prill ‘81
Direkt për FCO Kopje origjinale
Nr. tel. 041, datë 03 prill ‘81
Informacion për UKDEL NATO
Kopje për Washington (FCO PSE PASS)
Telegrami im, nr. 039

Demonstratat në Kosovë

1. Demonstratat e 1 prillit ishin qartazi më serioze se ato të 11 dhe 26 marsit dhe, cilado
qofshin shkaqet fillestare, ato kishin karakter të pastër politik.
2. Kur takova Rotar këtë mëngjes, sekretar për Tregtinë dhe e pyeta për situatën aty, ai
më tha se nuk duhet të lejojmë që çështja të ekzagjerohet. Numri i njerëzve të përfshirë është,
tha ai, mbase më i vogël se 20% e popullsisë së përgjithshme. Nuk ishte e qartë nëse ai
nënkuptonte popullsinë e Prishtinës apo të Kosovës në tërësi, por në secilin rast numrat janë
shumë më të lartë sesa na bëjnë të besojmë deklaratat zyrtare të deritanishme. Sipas
gazetarëve perëndimorë të bazuar në burimet lokale, numri i demonstruesve më 1 prill ishte i
madh dhe përfshinte si studentët dhe punëtorët që marshonin pas fëmijëve të shkollave.
Referenca në deklaratën e Nimanit mbi përdorimin e armëve e rrit seriozitetin e situatës.
3. Autoritetet kanë vënë me të madhe theksin në përfshirjen e elementëve armiqësorë si
brenda Kosovës dhe jashtë vendit. Rotar, tha se ishte e sigurt që kishte pasur provokime nga
jashtë Jugosllavisë. Nuk ishte koincidencë që shqiptarët në Nju Jork kishin zhvilluar një
demonstratë po atë ditë. Kolegu im nga Belgjika më tregoi se një sulm i fundit ndaj zyrave të
jashtëm në Bruksel, besohej se ishte bërë prej punëtorëve shqiptarë nga Kosova të cilët
kërkonin pavarësinë. Kreu i Departamentit për Lindjen e Mesme, SFPJ, i tha Këshilltarit tim
se njerëz nga jashtë kishin dërguar ndihmë për elementët armiqësorë në Kosovë.
4. Autoritetet nuk kanë bërë të qartë se çfarë masash janë duke marrë për të ripohuar
kontrollin e tyre por është e qartë, dhe Rotar e konfirmoi këtë, se qeveria është e vendosur
për të vepruar me vendosmëri për ruajtjen e rendit dhe stabilitetit dhe për të penguar çdo
prishje të mëtejshme të jetës normale në Kosovë. Burimet zyrtare kanë thënë se masat për
kufizimin e tubimeve publike janë ngritur në nivelin e gjendjes së jashtëzakonshme dhe sapo
është shpallur ndalimqarkullimi për periudhën nga 8 pm deri në 5 am, për disa bashki.
Dëshmitarët kanë raportuar se Prishtina është rrethuar nga trupat, dhe policia speciale është
nëpër rrugë. Gazetarët janë urdhëruar që të mos lejohen të hyjnë në Prishtinë.
5. Rotar shtoi, se qeveria e dinte se ishte e nevojshme që problemi të zgjidhej në terma
politike. Ai tërhoqi vëmendjen në normën e shpejtë të progresit të arritur në Kosovë dhe ishte
i bindur se shumica e popullsisë e vlerësonte këtë dhe e pranonte pjesëmarrjen e plotë të
Kosovës në çdo aspekt të procesit vendimmarrës në Jugosllavi. Ai parashikonte se situata do
të qetësohej sepse populli do ta pranonte që zhvillimi i tij i plotë mund të arrihej vetëm
brenda Jugosllavisë dhe nën sistemin e saj. Mesazhe mbështetjeje po vërshojnë në Kosovë
dhe parashikoi se autoritetet do të bëjnë të pamundurën për normalizimin me shpejtësi të
situatës.

6. Atasheu im i mbrojtjes do të përpiqet që të bëjë një vizitë në këtë zonë fundjavën e
ardhshme dhe kreu im i zyrës së Kancelarit ka planifikuar që të jetë me pushime në Kosovë
javën e ardhshme.
Bolland [Përsëritet sipas kërkesës]

Ky telegram nuk është përcjellë.

-3-
Konfidenciale

GR 500
Fm Beograd 061115Z, prill
Direkt për FCO Kopje origjinale
Nr. tel. 043, datë 6 prill ‘81
Informacion me prioritet për UKDEL NATO
Kopje për Washington (FCO PSE PASS)
Telegrami im, nr. 42

Kosova

1. Kur takova Gërliçkov, aktualisht anëtar i Kryesisë së Lidhjes Komuniste, ai më dha
informacionet e mëposhtme në përgjigje të pyetjeve të mia.
2. Gërliçkov, tha se demonstratat lindën së pari nga kushtet sociale dhe ekonomike të
cilat u shfaqën në një formë shumë më të mprehtë në Kosovë se tjetërkund. Megjithatë,
situata kishte në vetvete një element të madh frymëzimi të jashtëm i cili ishte kryesisht
irredentist. Demonstruesit kishin kërkuar Republikën e cila duhej të përfshinte pjesë të tjera
fqinje të Jugosllavisë me pakicat shqiptare. Kjo ishte vetëm një fazë kalimtare. Faza tjetër,
ndoshta mund të ishte bashkimi i Kosovës me Shqipërinë.
3. Ata ende nuk e dinë me saktësi se kush i ka nxitur këto zhvillime nga jashtë vendit.
Natyrisht që do ta zbulojnë këtë. Aktualisht nuk ka pasur fakte që të bëjnë fjalë për frymëzim
nga ana e sovjetikëve. Gjuha e përdorur në fletushka në Prishtinë ishte në frymën e konform-
byroistit. Ata e dinin se udhëheqësi shqiptar Enver Hoxha ishte në gjendje të dobët
shëndetësore dhe se vuante nga vështirësi të brendshme dhe do të mirëpriste shumë një
diversion të huaj.
4. Autoritet mendonin se iniciativa kishte kaluar tashmë në anën e tyre dhe po
përpiqeshin të izolonin forcat irredentiste dhe të kthenin shumicën e popullsisë kundër këtyre
forcave. Autoritetet kishin pikërisht avantazhin se vetëm nacionalizmi në Shqipërinë
staliniste ishte tërheqës për punëtorët, fshatarët ose inteligjencën e Kosovës. Sidoqoftë,
nacionalizmi ishte i verbër dhe ata prisnin që të kishte më shumë trazira para se situata të
ndryshonte plotësisht. Sidoqoftë, ngjarje të tilla do të ishin shumë të vogla dhe nuk do të
kishin mundësi suksesi.
5. Ata e kishin përdorur kaq shumë forcën, përfshirë ushtrinë dhe milicinë, me qëllim që
t’i tregonin inspiruesve të huaj se çfarë ishte në gjendje të bënte Jugosllavia për të mbrojtur
pavarësinë dhe integritetin e saj. Brenda në Prishtinë ishin përdorur trupa me qëllim që të
mbroheshin objektet më të rëndësishme. Të gjitha forcat e rendit kishin udhëzime të rrepta që
të përdornin armë vetëm për vetëmbrojtje.
6. Deri tani, tre anëtarë rezultonin të vrarë nga milicia, dhe shtatë të tillë nga
demonstruesit. Dy nga këta të fundit nuk ishin vrarë nga forcat e rendit por, ata besonin, nga
forcat armiqësore që donin gjakderdhje.
7. Autoritetet do të publikonin të gjitha informacionet kur të ishte e vlefshme. Gërliçkov
tha se mund të më siguronte që këto ngjarje nuk do të vijonin me shtrëngimin e kontrollit
qendror dhe nuk do të lejoheshin që të pengonin procesin gradual të demokratizimit.
Bolland Ky telegram nuk është përcjellë.
[Përcillet sipas kërkesës]

-4-

GR 800
Fm Beograd 060821Z, prill ‘81
Prioritet për FCO Kopje origjinale
Nr. tel. 042, datë 6 prill ‘81
Informacion për UKDEL NATO
Kopje për Washington (FCO PSE PASS)
Telegrami im, nr. 41

Demonstratat në Kosovë

1. Kryesia Federale dhe Kryesia e Partisë, u mblodhën në një sesion të përbashkët në
mbrëmjen e 2 prillit për të diskutuar situatën politike dhe të sigurisë në Kosovë. Në një
deklaratë të publikuar vetëm 24 orë më vonë, ata deklaruan marrëveshjen e tyre me
vlerësimet e bëra tashmë nga autoritetet e tjera që ishin mbledhur më parë atë ditë.
2. Sidoqoftë, deklarata kishte disa dallime për sa i përket pikave kryesore. Ajo theksonte
se aktivitetet përçarëse të cilat kërcënonin paqen dhe rendin dhe prosperitetin publik ishin
organizuar nga elementët irredentistë të cilët kohët e fundit ishin bërë pjesë integrale e rritjes
së aksionit të organizuar nga armiku i brendshëm dhe i jashtëm për të shkaktuar destabilizim
dhe për të rrezikuar integritetin territorial të Jugosllavisë. Këto aktivitete bazoheshin në
konfrontimin e popullit shqiptar me popujt dhe kombet e tjera në Kosovë dhe në Jugosllavi.
Aktivitetet kanë filluar me parulla sociale dhe demagogjike, të cilat kanë mashtruar një
numër të caktuar të rinjsh, dhe përfunduan në parulla haptazi armiqësore për irredentizmin
shqiptar, duke kërkuar shpërbërjen e Federatës. Autoritetet përgjegjëse patën sukses që të
lokalizonin dhe kufizonin trazirat me gjithë grupet e vogla të provokatorëve në radhët e
elementëve turbullues të cilët u përpoqën të krijonin incidente dhe përplasje me agresivitetin e tyre dhe veprimet brutale. Dy kryesitë miratuan masat e marra si të nevojshme dhe të
justifikuara për t’i kthyer Kosovës normalitetin.
3. Fadil Hoxha, anëtar shqiptar i Kryesisë Federale dhe Kryesisë së Partisë, shkoi në
Prishtinë më 3 prill dhe dha një fjalim para aktivistëve të Partisë, i cili u transmetua në
televizion. Ai konfirmoi se ngjarjet e kohëve të fundit kishin ndodhur jo vetëm në Prishtinë,
por edhe në pjesë të tjera të Kosovës. Ai i përshkroi ato si kundërrevolucionare. Demonstratat
studentore ishin vetëm një pretekst për sulm nga armiqtë e Jugosllavisë. Ai e vuri këtë situatë
në një kontekst më të gjerë, duke thënë se në një kohë kur situata ndërkombëtare po
përkeqësohej dhe ndërhyrja në vendet e tjera po rritej “ishte e qartë se nuk ishte në interesin e
disave që Jugosllavia të jetë e qëndrueshme. Përmes trazirave dhe aktiviteteve nacionaliste,
ata përpiqen ta bëjnë Kosovën një lidhje të dobët në Jugosllavi dhe të krijojnë kështu një
krizë dhe pakënaqësi jo vetëm në Kosovë, por në të gjithë Jugosllavinë, duke pasur si
objektiv shkatërrimin e sistemit politik. Për rrjedhojë, në situatën gjithnjë e më të rrezikshme
ndërkombëtare shohim që gishtërinjtë e kundërrevolucionit manipulojnë përsëri në
Jugosllavi, Kosovë dhe me gjerë, me qëllim që të krijojnë sërish pasiguri dhe një zonë të re
konflikti për interesa të huaja”. Ai shtoi: “ne e dimë se duart e kujt po ndërhyjnë”. Më vonë,
ai aludoi se kush ishin këta, duke thënë: “Është interesante se nacionalizmi dhe shovinizmi
shfaqen në Kosovë aktualisht në frymën e disa koncepteve majtiste dogmatike të cilat nuk
ndryshojnë aspak nga parullat armiqësore të periudhës së euforisë informbyroiste.
Pavarësisht se çfarë fshihet pas parullave të ndryshme pothuajse marksiste, këto janë veprime
të shërbëtorëve dhe agjentëve më të urryer të qendrave dhe agjencive të ndryshme të
spiunazhit”. Ai bëri të qartë se do të dënoheshin rëndë të gjithë ata që janë përgjegjës për
trazirat aktuale dhe çdo përpjekje të mëtejshme.
4. Hoxha vazhdoi të mbronte gjerësisht progresin e arritur nga Kosova në kuadrin e
Federatës dhe zhvillimin e saj nga feudalizmi dhe prapambetja në barazi me popujt e tjerë të
Jugosllavisë dhe të përshkruante perspektivën dhe trajtimin e saj të veçantë në Planin e ri 5-
vjeçar. Ai përfundoi me një thirrje për vëllazërim dhe bashkim dhe për të gjithë të rinjtë,
studentët dhe nxënësit të cilët për çfarëdo arsyeje ishin përfshirë në këtë ngjarje, t’i
ktheheshin studimeve dhe punës së tyre. Deklaratat e mëvonshme kanë pranuar se ekzistonte
një problem real në ofrimin e punës për studentë që braktisnin shkollat dhe të diplomuarit,
problem i cili duhej trajtuar me urgjencë.
5. Që atëherë, media ka nisur një fushatë për të treguar se jeta po i kthehet normalitetit
në Prishtinë, megjithëse po e bën këtë duke pranuar se është ende e nevojshme që të
studiohen pasojat e këtyre trazirave. Vazhdojnë të vërshojnë mesazhe mbështetjeje nga
organizatat socio-politike në të gjithë vendin dhe tashmë nga punëtorët jashtë vendit.
Megjithatë, diplomatët dhe gazetarët e huaj nuk janë lejuar që të vizitojnë Krahinën. Dolanc
do të japë sot në mesditë një konferencë për shtyp ku do të shpjegojë situatën për gazetarë të
huaj.
Bolland [Ky telegram nuk është përcjellë]

(VAZHDON)