Prof. Dr. Sabit Syla: Alternativat për zgjidhjen e çështjes së Kosovës në dhjetëvjeçarin e fundit të shekullit XX
Dekada e fundit e shekullit XX paraqet një pikë kthese në historinë e popullit shqiptar në Kosovë. Rënia e Murit të Berlinit që u shoqërua me rënien e sistemit komunist dhe shpërbërjen e Jugosllavisë, vuri popullin shqiptar të Kosovës para një udhëkryqi historik. Revokimi i autonomisë së Kosovës, më 1989, dhe uzurpimi i institucioneve dhe kompetencave legjislative e ekzekutive të shoqëruara me dhunën policore, vuri shqiptarët e Kosovës para një dileme – si të vazhdohej më tutje? Fillimisht, shqiptarët u organizuan rreth një lëvizjeje paqësore, duke e parë atë si një alternativë të vetme, kurse ndryshimi i rrethanave vuri në skenë një lëvizje të re, e cila përmes rezistencës së armatosur u bë bazament në përpjekjet sublime të popullit shqiptar për liri dhe pavarësi. Prandaj, në vazhdën e këtyre përpjekjeve dallojmë dy alternativa: paqësore dhe lufta e armatosur.
Alternativa paqësore
Me rënien e regjimeve komuniste të Evropës Juglindore dhe në momentet e shpërbërjes së Republikës Socialiste Federative të Jugosllavisë e që përkoi me braktisjen në masë të Lidhjes Komuniste Jugosllave e organizatave të tjera politike legale, skena politike në Kosovë reflektoi ndaj pluralizmit politik duke pësuar ndryshim të shpejtë e dramatik me daljen në skenë të organizimeve të ardhshme politike që do të kenë për qëllim mbrojtjen e të drejtave të ligjshme demokratike të popullit shqiptar të Kosovës dhe zgjidhjen e statusit të saj politik. Një nga alternativat që fitoi terren në Kosovë, për mbrojtjen e të drejtave e drejtimin e vendit, qe alternativa paqësore e drejtuar nga Lidhja Demokratike e Kosovës. Në krye të kësaj alternative, e cila përbënte njëherazi edhe bashkimin numerikisht më të madh unik ndër shqiptarët nën ish-Jugosllavinë e pas Luftës se Dytë Botërore, u vu inteligjenca me të cilën u solidarizua edhe masa e popullit, me gjithë kushtet e rënda të represionit shtetëror serb. Alternativa paqësore e fillimviteve ‘90, solli në pushtet ekip të ri qeverisës, të cilës i atribuohet Deklarata Kushtetuese e 2 korrikut 1990, për “Kosovën Republikë brenda kuadrit të Jugosllavisë”, Kushtetuta e Kaçanikut e shpallur, më 7 shtator 1990, si referendumi për Kosovën si Shtet të Pavarur e Sovran, i shtatorit 1991, që shënonte një avancim në kërkesat e shqiptarëve të Kosovës nga mundësia e bashkëjetesës me kombet e mbetura në Jugosllavi në opsionin e pavarësisë.
Lidhja Demokratike e Kosovës, me alternativë kruciale të rrugës paqësore, do të organizojë rezistencën gjithëpopullore për të përballuar situata tejet të vështira që ishin krijuar nga masat e dhunës e terrorit serb, si dhe me një orientim të tillë t’i jepte zgjidhje statusit politik të vendit. Lideri i LDK-së, Ibrahim Rugova, në një intervistë dhënë në gusht të vitit 1990, shpjegoi edhe strategjinë e tij: “Duhet të jetë e qartë se rruga e politikës paqësore është më e gjatë, por një zgjidhje e matur dhe e menduar mirë e këtij lloji është më e qëndrueshme… Për ne është e rëndësishme të mbrojmë popullin nga ata që duan ta provokojnë, sepse të gjithë e dimë se në situata të tjera të mëparshme vuajtëm shumë dhe patëm mjaft të vrarë për shkak të provokacioneve…, konfrontimi nëkushtet e tanishme nuk do të ishte në favorin tonë. Do tamësojmë këtë mësim, sepse kemi humbur shumë viktima gjatë historisë sonë e kemi fituar pak. Çdo sukses do të ngjante me fitoren e Pirros”. Me këtë strategji, LDK-ja do të punojë në planin demokratik kombëtar e në afirmimin dhe sensibilizimin e çështjes së Kosovës.
Në planin e brendshëm, periudha e qeverisjes paqësore pas revokimit të autonomisë u karakterizua me ndërtimin e institucioneve paralele si në nivel komunal po ashtu edhe në atë qendror. U vazhdua puna në arsim, shkencë, kulturë, sport, shëndetësi etj., me gjithë sfidën nga pushtuesi serb. Me gjithë të arriturat në këto fusha, diskriminimi, dhuna e represioni shtetëror serb vazhdoi duke keqësuar tej mase gjendjen e popullit shqiptar të Kosovës. Shqiptarët iu nënshtruan një shtypjeje të egër në të gjitha segmentet, e Kosova do të kthehet në një koloni klasike të Serbisë. Si rezultat i një politike të tillë të ndjekur, gjendja e shqiptarëve të Kosovës u keqësua tej mase (1990-1997). Ekonomia e Kosovës u vodh, u plaçkit e çdo gjë me vlerë u transferua për Serbi. Si rezultat i dhunës e represionit ekonomiko-politik, shqiptarët morën rrugën e Evropës, deri në vitin 1997 numri i të mërguarve në botë arriti rreth 700 mijë. Në këtë mënyrë, përmes dhunës e terrorit në Kosovë, zbatohej politika e spastrimit etnik e në anën tjetër vinin kolonë serbë, duke përfituar atribute e favore materiale, e shqiptarët e këtushëm ishin kthyer në qytetarë të dorës së dytë përderisa u mohoheshin të gjitha të drejtat dhe liritë themelore individuale e kolektive.Në këtë gjendje, LDK-ja ishte në stadin më të lartë të rezistencës së saj me thirrjen “durim, durim”, fitorja është e jona. Në këtë situatë të gjendjes ekzistuese populli mbahej në një qetësi e nën dhunën e presionit e terrorit serb.
Në planin ndërkombëtar, LDK-ja në një masë arriti ta sensibilizoi çështjen e Kosovës duke vendosur lidhje me parti politike dhe me mekanizma e asociacione të ndryshme evropiane e amerikane, njëherazi duke punuar në krijimin e miqve të Kosovës, si në Evropë, Shtete të Bashkuara të Amerikës (më tej: SHBA) e në vende tjera.
Padyshim, në ndërkombëtarizimin e çështjes së Kosovës një kontribut të veçantë e dha edhe Tirana zyrtare. Në sesionin e 44-të të Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara, Ministri i Jashtëm i Shqipërisë, Reis Malile, përveç se kishte vënë në dukje ngjarjet e pranverës së vitit 1989 në Kosovë, duke cituar represionin ndaj shqiptarëve, të drejtat e tyre kombëtare që ishin në kundërshtim të çdo norme të lirisë, të demokracisë e të emancipimit kulturor e shoqëror, duke dënuar vrasjet dhe burgosjet e shqiptarëve, kishte kërkuar edhe normalizimin e gjendjes në Kosovë. Në vazhdën e këtyre përpjekjeve ministri në fjalë, në shkurt 1990, i dërgoi Sekretarit të Përgjithshëm të Organizatës së Kombeve të Bashkuara (më tej: OKB), Javier Perez De Cullar, një telegram duke e njoftuar atë se pas fjalimit në sesionin e 44-të gjendja në Kosovë fatkeqësisht ishte acaruar edhe më tej dhe se një gjendje e tillë përbënte rrezik për paqen e sigurinë jo vetëm për Kosovën e Jugosllavinë, por edhe për gjithë rajonin. Më tej, ai kërkonte që OKB ta ngrinte zërin e të kërkonte dhënien fund të dhunës, terrorit policor e të vrasjeve. Ndërkohë, Bashkim Pitarka, ambasador dhe përfaqësues i përhershëm i Shqipërisë pranë OKB-së, i përcolli Sekretarit të Përgjithshëm mesazhin e ministrit të Jashtëm shqiptar, duke kërkuar që letrën dhe aneksin e saj, në përputhje me praktikën në fuqi, ta shpërndante si dokument të Asamblesë së Përgjithshme të Këshillit Ekonomik e Shoqëror dhe të Komisionit për të Drejtat e Njeriut. Për gjendjen e vështirë të krijuar në Kosovë, Lidhja Demokratike e Kosovës, më 3 korrik 1991, i kishte dërguar një Thirrje shtetit shqiptar, në të cilin ndër të tjera thuhej: “Kosova është mbushur me forca ushtarake dhe policore si dhe me civilë të mobilizuar nga Serbia, të cilët sollën me autobusë dhe makina ushtarake dhe parakalojnë nëpër Kosovë, duke kërcënuar hapur shqiptarët për masakrim. Njëkohësisht, kryhet mobilizimi me forcë i shqiptarëve të cilët dërgohen jashtë Kosovës. Duke shfrytëzuar gjendjen e luftës në Slloveni dhe Kroaci, regjimi serb dhe ushtria, dëshirojnë të shkatërrojnë shqiptarët, duke llogaritur që i gjithë aksioni do të mbetet në hije të ngjarjeve në Slloveni. Meqenëse populli shqiptar në Kosovë është plotësisht i pambrojtur dhe pa asnjë lloj institucioni të sistemit, me të drejtë kemi frikë nga masakrat e paralajmëruara dhe ju apelojmë Juve që sa më urgjentisht të arbitroni. Kërkojmë mbrojtjen Tuaj sa nuk do të jetë tepër vonë”.
Si rezultat i sensibilizimit, ku një rol të veçantë në këtë drejtim padyshim ka dhënë diaspora shqiptare, shumë delegacione nga Kosova u pranuan në institucione të ndryshme ndërkombëtare në Evropë e SHBA, si dhe u organizuan një varg tryezash të rrumbullakëta, duke u sqaruar delegacioneve të huaja gjendjen e shqiptarëve të Kosovës, si dhe parashtruan ide të ndryshme për zgjidhjen e çështjes së saj. Po ashtu, në Kosovë erdhën delegacione qeveritare e humane të dërguara prej partive e qeverive të Bashkimit Evropian (më tej: BE) e SHBA-së, të cilat u interesuan për shkeljen dhe liritë themelore të njeriut e për mundësit e zgjidhjes së çështjes së Kosovës. Pra, në fillim të viteve ‘90 me Kosovën filluan të merren, si: BE, SHBA-ja etj.
Krahas punës rreth sensibilizimit të faktorit ndërkombëtar për çështjen e shqiptarëve në Kosovë, një nga prioritetet e klasës politike shqiptare të kohës ishte edhe angazhimi për zgjidhjen e statusit politik të Kosovës. Shpallja e Republikës së Kosovës nuk kishte zënë vendin e duhur të trajtimit objektiv për një zgjidhje sa më reale e të drejtë të saj. Në radhë të parë, asnjë subjekt shtetëror në Jugosllavi nuk e njohu Republikën e Kosovës. Vetëm Kuvendi i Republikës së Shqipërisë përmes një Deklarate, më 21 tetor 1991, njohu Republikën e Kosovës, si shtet sovran e të pavarur, mbi bazën e lirisë dhe barazisë të plotë me të gjithë popujt tjerë.
Shpallja e pavarësisë së Kosovës ishte bërë në rrethana të ndërlikuara ndërkombëtare e aspak të përshtatshme për shqiptarët e Kosovës. Shpërbërja e Jugosllavisë, si një shtet i larmishëm në aspektin etnik, religjioz e kulturor dhe me një pozitë strategjike gjeopolitike paraqiti një sfidë tepër specifike për komunitetin ndërkombëtar, sidomos për BE-në dhe SHBA-të, pasi ky proces u zhvillua mu në kohën e përfundimit të Luftës së Ftohtë dhe krijimit të një sistemi të ri ndërkombëtar. Në këtë periudhë, SHBA e BE ishin në vazhdën e përcaktimit të prioriteteve të tyre në politikën e jashtme, kurse kjo e fundit kishte probleme të brendshme sikurse ishte mosuniteti i shteteve rreth orientimit të politikës së jashtme. Bashkimi i Gjermanisë nuk shihej favorshëm nga Franca e Britania e Madhe, pasi një unifikim i tillë rrezikonte pozitat e tyre dominuese në Evropë. Përplasja e interesave të tyre u reflektua edhe në rastin e Jugosllavisë, ku Gjermania mbështeti shkëputjen e Sllovenisë e Kroacisë, kurse Franca e Britania nuk favorizuan krijimin e shteteve të reja.
Në anën tjetër, SHBA-ja kishte pasur raporte të shkëlqyeshme me Jugosllavinë komuniste, duke mbështetur ekonominë dhe unitetin e përgjithshëm të këtij shteti. Por, me rënien e Murit të Berlinit filloi edhe ndryshimi gradual i qëndrimit të SHBA-ve ndaj Jugosllavisë, pasi që Jugosllavia nuk e kishte më tej rëndësinë strategjike që kishte luajtur gjatë Luftës së Ftohtë si balancë midis Lindjes e Perëndimit. Tani SHBA filloi t’i shprehë pakënaqësitë e akumuluara nga e kaluara, të cilat i kishte heshtur atëherë, lidhur me shkeljen e të drejtave të njeriut në Jugosllavi. Një faktor tjetër në formësimin e politikës së jashtme amerikane në raport me Jugosllavinë ishte edhe një raport i agjencisë amerikane të zbulimit – CIA, i nëntorit 1990, që parashikonte trazira, dhunë etnike e civile. Në bazë të këtyre rrethanave, në shkurt të vitit 1990, SHBA-ja publikoi politikën e saj të jashtme amerikane ndaj Jugosllavisë që mbështetej në: “demokraci, dialog, të drejta të njeriut, ekonomi tregu dhe unitetin”.
Në rrethana të tilla ndërkombëtare zgjidhja e statusit politik të Kosovës jo vetëm që nuk mori vëmendjen e bashkësisë ndërkombëtare, por ajo u degradua në nivel të mbrojtjes së të drejtave të njeriut. Një qëndrim i tillë dëshmohet nga rezoluta e Parlamentit Evropian, e miratuar më 15 shkurt 1990, për gjendjen në Kosovë dhe respektimin e të drejtave të njeriut, si dhe nga Rezoluta e Përbashkëte Senatit dhe Kongresit Amerikan që përmbante disa pika prej të cilave më të rëndësishmet ishin: (1) Shprehja e brengës së rëndë mbi shkeljen e të drejtave të njeriut nga Qeveria e Jugosllavisë dhe nga Qeveria e Republikës së Serbisë; (2) Inkurajimi i Qeverisë së Jugosllavisë dhe të Republikës së Serbisë për të ndalur përdorimin e forcës në Krahinën e Kosovës dhe për të mbrojtur të drejtat themelore të njeriut; (3) Inkurajimi i Qeverisë së Jugosllavisë dhe të Republikës së Serbisë që të rivendosë statusin e plotë autonom të Krahinës Socialiste të Kosovës; (4) Inkurajimi i Qeverisë së Republikës së Serbisë që të fillojë një dialog të mirëfilltë me lëvizjen e formuar Demokratike dhe me forcat tjera demokratike në Krahinën e Kosovës në interes të zgjidhjes politike dhe ekonomike…etj.
Orientimi i komunitetit ndërkombëtar për ta anashkaluar zgjidhjen e statusit politik të Kosovës dhe trajtimin e kësaj çështjeje në suaza të së drejtave të njeriut u shoqërua nga disa akte të karakterit politik dhe juridik që do ta vështirësonin edhe më tej zgjidhjen e drejtë të çështjes së Kosovës. Në vazhdën e përpjekjeve për zgjidhjen e problemeve në Jugosllavi, BE formoi më 1991, një komision arbitrazhi, i njohur si Komisioni i Badinterit, sipas emrit të udhëheqësit të këtij komisioni, juristit Robert Badinter, kryetar i Gjykatës Kushtetuese të Francës. Komisioni kishte për detyrë të lehtësonte dallimet që mund të paraqiteshin në bisedimet paqësore midis subjekteve jugosllave që së shpejti do të fillonin në Hagë, por po ashtu lëshoi edhe një numër opinionesh juridike lidhur me statusin e Jugosllavisë e të njësive të saja konstituive. Ndonëse nuk kishin karakter obligues, këto opinione kishin rëndësi specifike për Kosovën, sidomos ato që kishin të bënin me kufijtë në momentin e pavarësimit. Opinioni nr. 2 dhe nr. 3, përkujton se, pavarësisht rrethanave “e drejta e vetëvendosjes nuk duhet të përfshijë ndryshimin e kufijve ekzistues”.
Por, Kosova nuk njihej si republikë, dhe nuk trajtohej sikurse Sllovenia e Kroacia, kurse autonomia e saj me elemente të republikës sikurse kushtetuta, qeveria, banka, e drejta në presidencën jugosllave etj., ishin revokuar nga Serbia në mars të vitit 1989. Prandaj, duke tentuar të parandalojë ndonjë krizë që do të mund ta rrezikonte situatën e sigurisë në rajon, komuniteti ndërkombëtar hartoi propozime të ndryshme të cilat u shtjelluan në Konferencën e Hagës gjatë vitit 1991, sikurse “statusi special” apo një lloj autonomie e zgjeruar për banorët e minoritetit që formonin shumicën në hapësirën ku ata jetonin. Këto minoritete duhej të gëzonin të drejtat si: sistem arsimor i veçantë, organe të veçanta legjislative, strukturë administrative e gjyqësore etj.
Ishte e qartë se komuniteti ndërkombëtar dëshironte t’i avanconte disa të drejta për shqiptarët në këmbim të qetësimit të situatës, por kjo në anën tjetër nënkuptonte njohjen e juridiksionit të Serbisë mbi Kosovën. Kjo dëshmohet nga deklarimet e Lordit Oven, përfaqësues i kësaj Konference, në fjalimin për shtyp të mbajtur në Prishtinë ku iu drejtua shqiptarëve e serbëve: “Serbët duhet të pajtohen me autonominë e Kosovës, kurse shqiptarët – vazhdonte ai – duhet ta pranojnë Serbinë”. Edhe zëvendësi i ministrit të Punëve të Jashtme të Britanisë së Madhe, Dagllas Hog, me rastin e hapjes së Ambasadës britanike në Shkup, në dhjetor 1993, ndër të tjera deklaroi: “Brengosja për Kosovën është në rend të ditës dhe për të bisedohet shpesh”.Qëndrimi është ky: “Ajo është pjesë e shtetit tashëm të Serbisë. Nuk synojmë ta shkatërrojmë integritetin e Serbisë, problemi do të zgjidhet brenda saj, Serbia do të jetë e detyruar që Kosovës t’i japë të drejtat politike më të gjera deri në autonomi”. Edhe kryetari i Italisë, Luigji Skalfaro, në fjalimin e mbajtur në Parlamentin e Shqipërisë, deklaroi se Kosovës duhej t’i jepet autonomi sa më e gjerë. Ndërkaq, ministrat e punëve të jashtme, të Gjermanisë e Francës, Zhype e Kinkel, parashikuan po ashtu një autonomi të zgjeruar. Qëndrim të ngjashëm ndaj çështjes së Kosovës vazhdoi të mbante edhe administrata e Bill Klintonit, e cila për Kosovën parashikonte autonominë e gjerë nën sovranitetin e Serbisë. Pra, komuniteti ndërkombëtar, u tregua i njëanshëm dhe si rrjedhojë insistonte në ruajtjen e Federatës Jugosllave.
Për të arritur një gjë të tillë, komuniteti ndërkombëtar veproi në dy mënyra. Së pari paralajmëroi Serbinë të hiqte dorë nga dhuna. Më 24 dhjetor 1992, presidenti Bush i dërgoi një letër Sllobodan Millosheviqit, që u bë e njohur si “Paralajmërimi i Kërshëndellave”, që theksonte se: “Në rast konflikti në Kosovë të shkaktuar nga veprimet serbe, SHBA do të përgatitet ta përdor forcën ushtarake kundër serbëve në Kosovë e në Serbi”. Së dyti, komuniteti ndërkombëtar tentoi t’i bindte liderët e shqiptarëve të Kosovës të riintegroheshin në sistemin politik të Serbisë, me shpresën se do të ndikonin në ndryshimin e pushtetit e me këtë edhe të fitimit të të drejtave të tyre. Në vazhdën e këtij synimi, lideri opozitar serb Milan Paniq, ishte takuar në Londër me Ibrahim Rugovën dhe i kishte ofruar këtij të fundit rivendosjen e të drejtave të njeriut dhe të një autonomie për Kosovën nëse shqiptarët do të dilnin në zgjedhje. Por, shqiptarët e Kosovës nuk kishin marr pjesë në zgjedhjet serbe pasi që konsideronin se Republika e Kosovës nuk është pjesë përbërëse e Jugosllavisë. Në kujtimet e tij, ambasadori amerikan në Beograd vinte në pah këmbënguljen e udhëheqjes së shqiptarëve të Kosovës për të mos njohur autoritetin e Serbisë. Qëndrimi i tillë i udhëheqjes kosovare i bëri të ditur komunitetit ndërkombëtar se shqiptarët ishin të vendosur në rrugën drejt lirisë e pavarësisë dhe se nuk do të kishte kthim prapa në aspiratat kombëtare. Ky qëndrim vendosi bazën e kërkesës për pavarësi që do të parashtrohet në rrethana krejt tjera disa vite më pas.
Gjatë viteve 1992-1995 çështja e Kosovës nuk kishte prioritetin e diskutimit në arenën ndërkombëtare ngase komuniteti ndërkombëtar ishte orientuar në ndaljen e konflikteve të armatosura në Kroaci e Bosnjë-Hercegovinë. Por, derisa komuniteti ndërkombëtar kishte drejtuar vëmendjen nga shtetet e cekura më lart, autoritetet policore serbe në Kosovë kishin rritur shkallën e represionit ndaj shqiptarëve. Sipas aktivistëve për të drejtat e njeriut, të burgosurit po rriheshin e po torturoheshin. Këshilli për të Drejtat e Njeriut në Kosovë paralajmëronte për mundësinë e shpërthimit të një konflikti të gjerë nëse vazhdon vendosja e refugjatëve serbë nga Kroacia në Kosovë.
Venitja e rezistencës paqësore
Politika e rezistencës pasive ishte ndjekur me bindje nga shumica e shqiptarëve në Kosovë deri në fund të vitit 1995. Fundi i vitit 1995, respektivisht Konferenca e Dejtonit dhe ngjarjet në Shqipëri më 1997, janë dy faktorë që shënuan një pikë kthese në zhvillimet politike në Kosovë dhe rreth saj. Ndryshe nga Bushi, administrata e demokratit Bill Klinton kishte paralajmëruar një qasje proaktive në angazhimin për ndaljen e luftimeve të tmerrshme në Bosnjë-Hercegovinë. Angazhimi amerikan në këtë çështje kishte dy synime: përmes arritjes së një marrëveshjeje paqësore të pengonte përhapjen e luftës në rajon dhe përfshirjen e Turqisë, Greqisë, Shqipërisë e Maqedonisë, pra të pengonte përsëritjen e historisë së luftërave ballkanike të viteve 1912-1913, dhe të demonstronte superioritetin amerikan ndaj Evropës, e cila nuk kishte qenë në gjendje ta zgjidhte një konflikt të tillë.
Përqendrimi i komunitetit ndërkombëtar për t’i dhënë fund luftës në Bosnjë-Hercegovinë bëri që Kosova të mos përfshihet në bisedimet e Dejtonit, pasi që një përfshirje e tillë apo diskutimi i problemeve më të gjera do t’i reduktonte dukshëm gjasat për arritjen e paqes. Një argument tjetër ishte ndikimi i Millosheviqit tek serbët e Bosnjës, që shihej si figurë kyçe në arritjen e marrëveshjes, prandaj ndërkombëtarët nuk dëshironin që ta provokonin gatishmërinë e tij për arritjen e paqes.
Përkushtimi i komunitetit ndërkombëtar tek figura dhe roli i Millosheviqit për një marrëveshje paqësore mund të dëshmohet përmes shpërblimeve që komuniteti ndërkombëtar ia akordoi Republikës Federale të Jugosllavisë (më tej: RFJ), respektivisht Serbisë e Malit të Zi. Së pari, u anuluan pjesa më e madhe e sanksioneve kundër këtij shteti, kurse më pas Bashkimi Evropian njohu zyrtarisht RFJ-në, të themeluar më 1992, si pasardhëse e Jugosllavisë së vjetër me gjashtë republika.
Refuzimi i faktorit ndërkombëtar për ta trajtuar çështjen e Kosovës në Dejton shkaktoi një zhgënjim dhe pakënaqësi të përgjithshme në Kosovë. Perëndimi nuk e kishte shpërblyer punën e Ibrahim Rugovës dhe durimin e popullit, pavarësisht vlerësimeve pozitive për rezistencë paqësore. BE vazhdonte të mendonte se raportet e përmirësuara midis BE-së dhe RFJ-së mund të çonin deri tek një qasje “konstruktive” e RFJ-së në akordimin e një lloj autonomie për Kosovën. Kjo jep të kuptohet se komuniteti ndërkombëtar përsëri u shpreh për mbetjen e Kosovës në suaza të Serbisë. Një tjetër argument që e vërteton këtë konstatim është se komuniteti ndërkombëtar tani filloi të angazhohej për zgjidhjen e çështjes së arsimit në Kosovë, me shpresën se një gjë e tillë do ta qetësonte situatën e do t’i hapte rrugë dialogut të mëtejshëm midis Serbisë dhe shqiptarëve në Kosovë. Me ndërmjetësimin e komunitetit katolik Shën Exhidio u arrit marrëveshja midis Ibrahim Rugovës e Sllobodan Millosheviqit për kthimin e nxënësve dhe studentëve në objektet e tyre duke filluar nga shtatori 1996. Sigurisht, një marrëveshje e tillë nuk u zbatua, sepse ajo kishte qenë vetëm një lojë e Millosheviqit për ta hequr nga vetja presionin e komunitetit ndërkombëtar e njëkohësisht edhe për ta goditur rezistencën aktive shqiptare që kishte filluar t’i jepte shenjat e para në Kosovë. Në anën tjetër, një marrëveshje e tillë ishte e nevojshme edhe për Ibrahim Rugovën, pozitat politike të së cilit kishin filluar të veniten në Kosovë. Marrëveshja perceptohej nga LDK-ja si një hap para drejt zgjidhjes së çështjes së Kosovës. Por, kështu nuk mendonin edhe të tjerët. Përveç se e kritikonte këtë marrëveshje, Rexhep Qosja deklaronte: “nuk mund të shkohet në pavarësi me zgjedhjen hap pas hapi të problemeve”.
Qëndrimi i tillë i komunitetit ndërkombëtar ndaj Kosovës, bëri që qarqe të ndryshme politike në Kosovë të mendonin për gjetjen e formave të tjera të rezistencës kombëtare. Deri tek një pikë e tillë çonin analizat që iu bënë vendimeve të Dejtonit. Pavarësisht kostos së izolimit ndërkombëtar, dënimeve për spastrimit etnik dhe gjenocid, serbët e Bosnjës kishin përfituar më shumë se sa kishin kërkuar.
Me fjalë tjera, marrëveshja e Dejtonit bëri të ditur se marrëveshjet territoriale në baza etnike në Ballkan, gëzonin legjitimitet në sytë e Perëndimit dhe se vetëm përdorimi i forcës në tentativat për arritjen e vetëvendosjes mund ta sigurojë vëmendjen e Perëndimit. Në këtë kontekst, shumica e shqiptarëve në Kosovë tani u bindën se ishin shteruar mjetet politike dhe diplomatike për zgjidhjen e problemit, pasi komuniteti ndërkombëtar nuk e konsideronte Kosovën si problem serioz. Në anën tjetër, gjatë viteve 1997-1998 shtypja serbe vazhdonte ende më avazin e vjetër, duke privuar shqiptarët nga të drejtat e tyre më elementare, në të gjitha segmentet e jetës ekonomike, shoqërore, arsimore, kulturore e politike.
Rruga e LDK-së, duke u parë si një alternativë me një strategji e kohëzgjatje e cila do të zgjidhte çështjen e Kosovës, shumë politikanë vendas e të huaj, filluan ta quanin atë edhe me emrin gandizëm. Ndoshta nuk është e tepërt që këtu të përmendim faktin se, alternativa paqësore në Kosovë nuk qe model i formës gandiane për faktin se: duke qenë “themelore në platformën e Gandit, organizimi i masave të gjera të popullit në fushatat e “mosbindjes civile” ose të “rezistencës pasive”, si mjete të tyre Gandi shpallte kundërshtimet e demonstrimet paqësore të masave të gjera popullore kundër sundimit britanik të shprehura në: bojkotimin e institucioneve zyrtare e të shkollave britanike; mosblerjen e mallrave të huaja; refuzimin e pagesave të taksave etj. Në Kosovë edhe pse u sfiduan institucionet serbe, prapë se prapë ato jo vetëm që punonin e vepronin, por shqiptarët megjithëse jo me dashje pranë atyre institucioneve pajiseshin me dokumentacione të ndryshme, si ato të gjendjes civile, gjyqësore etj. Sa i përket mallrave, ato ishin të ardhura nga Serbia e shqiptarët i blinin ato. Po kështu, taksat jo vetëm që paguheshin, por madje dyfish. Në anën tjetër sunduesit në këto dy vende, Kosovë-Indi ishin të ndryshëm. Britania si sunduese kishte një stad më të lartë kulturor-demokratik, e në Indi manifestimet popullore ishin zinxhirë-zinxhirë, e në Kosovë u ruajt strategjia “as luftë as paqe”, përderisa “ndërmjet viteve 1992-1997, mungonin në masë të madhe edhe manifestimet”.
Alternativa paqësore në rrugën drejt çlirimit doli e paperspektivë edhe për këto arsye: së pari, alternativa drejtuese në shoqërinë demokratike nuk i përjashton alternativat e tjera, pra, përballë saj qëndrojnë një ose dy alternativa opozitare. Në Kosovë udhëheqja politike e LDK-së, përjashtonte çdo alternativë tjetër për zgjidhjen e problemit të çështjes së Kosovës dhe çlirimin e saj. Megjithatë, në vjeshtë të vitit 1991, ishte një grup i djemve të rijnë nga Kosova dhe viset tjera shqiptare që përbehej nga 43 veta, që kishin shkuar për stërvitje ushtarake në një bazë të Ushtrisë shqiptare, në Labinot, një fshat i Elbasanit. Nga ta 11 veta kishin pasur rekomandimin e përfaqësisë së Kosovës në Tiranë, e 3 prej këtyre rekomandime nga degët e LDK-së, në Kosovë. Kurse pjesa tjetër përfaqësohej nga LPRK dhe Unikombi.
Por, më 1993-1997, stërvitja ushtarake e grupeve në territorin e Shqipërisë u kufizua ndjeshëm dhe lufta çlirimtare ra ndesh me filozofinë dhe politikën e kohës, këndej dhe andej kufirit. Më vonë gjërat ndryshuan, dalja publike e UÇK-së, dhe rritja e aksioneve të saj luftarake prishen status quo-në.
Së dyti, për zgjidhjen e problemeve ekonomike, politike apo kombëtare, alternativat zëvendësojnë njëra-tjetrën, pasi jetëgjatësia e tyre varet nga arritja dhe raporti i forcave politike në planin kombëtar e ndërkombëtar. E në Kosovë, alternativa paqësore për vite me radhë as që bëri përpjekje që të ndryshonte strategjinë apo metodat për zgjidhjen e çështjes së Kosovës. Së treti, gjatë zhvillimit historik alternativat nuk janë statike, por ridimensionohen në përputhje me rrethanat. Në Kosovë alternativa paqësore këtë s’e bëri madje as me fillimin e luftës çlirimtare edhe pse në teren e në veçanti jashtë vendit kishin filluar të shfaqeshin grupacione të quajtura Forcat e Armatosura të Republikës së Kosovës (FARK). Së katërti, alternativa paqësore e parë në prizmin e strategjisë së saj, “ta fitojmë lirinë pa derdhur gjak” e mirë do të ishte, por historia ka vërtetuar të kundërtën se “liria nuk dhurohet, por fitohet”. Së pesti, kjo alternativë pasive përballë Serbisë së Millosheviqit e klanit të tij ishte e kotë për të arritur çlirimin e vendit siç dëshmoi edhe koha. Kështu që, kjo alternativë ishte e destinuar të dështonte në rrugën e çlirimit tonë, pavarësisht disa rezultateve që pati në aspektin kombëtar e ndërkombëtar.Megjithatë, duke pasur parasysh të arriturat e alternativës paqësore si në spektrin kombëtar po ashtu edhe në atë ndërkombëtar, ajo për momentin dhe kohën e atyre ndryshimeve që ndodhen në Evropën Lindore e Ballkan, qe një alternativë tejet e qëlluar, por me kalimin e kohës ajo, ishte e harxhuar dhe larg aspiratave të popullit tonë për çlirim, duke pasur parasysh regjimin e ashpër serb.
Gjithë këta faktorë ndikuan që përpjekjet kombëtare shqiptare t’i nënshtrohen një transformimi të pjesshëm, sepse një pjesë mbeti me ideologjinë e Rugovës e një pjesë tjetër filloi t’i bashkohej rrymave të reja. Filloi një lëvizje aktive që u manifestua me demonstrata në rrugë e cila shënoi edhe rënien e lëvizjes paqësore që kishte funksionuar deri atëherë. Një faktor tjetër që përshpejtoi organizimin e rezistencës aktive ishin ngjarjet e pranverës së vitit 1997 në Shqipëri. Skemat piramidale financiare që i kishte lejuar Qeveria shqiptare kishin arritur fundin e tyre të natyrshëm. Shqipëria ra në anarki. Qeveria e Sali Berishës humbi kontrollin, kurse armatimet e braktisura nga forcat e sigurisë u vodhën. Qindra mijëra armë ishin në dispozicion të qytetarëve, sidomos pushkët automatike.
Kjo ngjarje lehtësoi organizimin e rezistencës së armatosur. Një faktor tjetër që intensifikoi transformimin e rezistencës pasive në atë aktive ishte edhe Lëvizja Studentore, respektivisht demonstratat studentore të tetorit 1997. Dhuna e shfrenuar serbe kundrejt demonstruesve paqësorë bindi komunitetin ndërkombëtar për vështirësitë në demokratizimin e Serbisë, kurse ishte edhe një moment kthese, sepse ktheu vëmendjen e Perëndimit përsëri nga Kosova. Rritja e interesimit të diplomacisë së vendeve të Bashkimit Evropian dhe të SHBA-së, vërtetoi edhe njëherë se përfshirja ndërkombëtare ndodh vetëm pas eskalimit të situatës. Në aspektin e brendshëm, protesta po ashtu bindi popullatën shqiptare në Kosovë se me Serbinë është e pamundur marrëveshja në kushte paqësore, sidomos kur pas paqes në Bosnjë, Serbia i kishte duart e lira të merrej me Kosovën e në këtë mënyrë ta shtonte dhunën e represionin. Andaj, në kushtet e intensifikimit të dhunës dhe shtypjes së policisë serbe ndaj civilëve të pafajshëm, politikës së brendshme të vendit dhe indiferencës së faktorit ndërkombëtar, në Kosovë i erdhi fundi durimit dhe status quo-së.Si çdo gjë ka një fund edhe alternativa paqësore pati fundin e saj, kur në Kosovë krisi pushka habertare e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Alternativa e luftës çlirimtare
“Unë, ushtari i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, betohem se do të luftoj për çlirimin e tokave të pushtuara shqiptare dhe bashkimin e tyre. Do të jem përherë ushtar besnik, luftëtar i denjë i lirisë, vigjilent, guximtar dhe i disiplinuar, i gatshëm që në çdo kohë pa kursyer as jetën time të luftoj për t`i mbrojtur interesat e shenjta të atdheut. Nëse e shkel këtë betim, le të ndëshkohem me ligjet më të ashpra dhe nëse tradhtoj, qoftë i humbur gjaku im, betohem, betohem, betohem”. Tekstit të mësipërm i nënshtrohej çdo ushtar i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, prandaj është e qartë se alternativa e UÇK-së konsistonte në çlirimin e tokave të pushtuara, sikurse perceptoheshin tokat shqiptare jashtë Shqipërisë londineze, dhe bashkimin e tyre me shtetin amë.
Ndonëse celulat e para të organizimit ushtarak të UÇK-së i hasim qysh në pjesën e parë të viteve 1990, me kohën ato ishin strukturuar derisa në nëntor të vitit 1998 kemi një strukturë më të qartë që përbëhej nga një zonë operative e strukturuar në shtatë nënzona operative (më tej NZO): NZO e Drenicës, NZO e Pashtrikut, NZO Dukagjinit, NZO e Shalës, NZO e Llapit, NZO e Nerodimës dhe NZO e Karadakut. Por, për shkak të nevojave operative, të ngritjes dhe të komandimit, Shtabi i Përgjithshëm i UÇK-së, në mbledhjen e mbajtur më 12.11.1998, vendosi për ngritjen e këtyre nënzonave në zona operative.
Ushtria Çlirimtare e Kosovës iu kundërvu agresionit serb duke u mbështetur në të drejtën që kanë popujt për t’u mbrojtur nga dhuna e agresioni si dhe për t’i sjellë atij çlirimin kombëtar. Rruga e luftës së armatosur në formë të organizimit u pa si e vetmja alternativë për çlirimin e Kosovës dhe zgjidhjen e çështjes së saj, nga që regjimi serb i Millosheviqit vazhdonte të ishte shkaktari kryesor i përkeqësimit dhe i radikalizmit të situatës në vend. Në situatën e terrorit dhe dhunës, shqiptarët u detyruan të organizohen për vetëmbrojtje e luftë të armatosur, me qëllim që të mbrojnë vatrat e tyre, tokën, ekzistencën e për të çliruar Kosovën duke i sjellë popullit të saj lirinë. UÇK hyri në skenë në kohën e duhur, pasi ishte sosur durimi i shqiptarëve dhe ishte lëkundur besimi në politiken e kohës, për t’i sjellë vendit çlirimin.Siç dihet, ajo doli në skenë, më 28 nëntor 1997, në fshatin Llaushë të komunës së Skenderajt. Fillimisht, Drenica vazhdoi të ishte çerdhe e UÇK-së, në krye me komandantin Adem Jashari, për t’u zgjeruar më pas në gjithë vendin.
Alternativa e luftës së armatosur, preku ndjenjat e të gjithë atyre shqiptarëve që kishin vuajtur historikisht nga sundimi i Beogradit, si brenda po ashtu jashtë vendit. Po ashtu, kjo alternativë, do të ushtrojë një influencë pozitive edhe në spektrin politik shqiptar. Partitë politike filluan të lëvizin e të reflektojnë ndaj politikave të ndjekura deri tani, me qëllim që ato të përshtaten më mirë në situatën e krijuar. Në anën tjetër, shumë shqiptarë që kishin qenë të angazhuar me politikën jo të dhunshme në Kosovë apo lëvizje e shoqata të ndryshme paqësore, vendosen të bashkoheshin me UÇK-në, sepse shikonin luftën e armatosur si mjetin e vetëm mbrojtës e cila një ditë do ta buzëqeshte lirinë.
Në anën tjetër, pavarësisht konflikteve të armatosura midis UÇK-së dhe forcave policore/ushtarake serbe, sidomos kur këto të fundit po shkaktonin një dhunë të paparë ndaj civilëve të paarmatosur, komuniteti ndërkombëtar ende e konsideronte Kosovën si një çështje të brendshme të Serbisë dhe në nivel të mbrojtjes së të drejtave të njeriut dhe të sigurimit të një lloj autonomie. Robert Gelbard, emisar special i presidentit Klinton, kishte deklaruar në mars 1998, se “Rugova duhet ta dijë se pavarësia nuk është opsion”, një qëndrim që u mbështet nga zyrtarët evropianë. Po i njëjti diplomat kishte deklaruar se “Padyshim, UÇK është një organizatë terroriste” dhe se “Shtetet e Bashkuara të Amerikës i dënojnë fuqishëm aktivitetet terroriste në Kosovë”. Një deklarim i tillë i dha pretekst të qartë Millosheviqit që të fillojë serinë e parë të sulmeve të shkallës së gjerë kundër popullatës civile, duke vrarë një numër civilësh të paarmatosur në atë çfarë u përshkrua si fushatë kundër terrorizmit.
Pavarësisht deklarimeve të Gelbardit dhe të bashkëmendimtarëve të tij, UÇK ishte ushtri tipike çlirimtare, për faktin se: sulmet e UÇK-së, nuk qenë të drejtuar kundër popullsisë së pafajshme shqiptare; UÇK-ja ka goditur forcat serbe të cilat zbatonin dhunën në Kosovë, që ndiqnin, arrestonin, burgosnin, rrihnin, maltretonin e vrisnin popullsinë shqiptare; UÇK-ja ka goditur forcat ushtarake të cilat kontrollonin me forcë territorin e pushtuar, që nuk u përkiste atyre, por popullit autokton shqiptar. Pra, UÇK-ja nuk kishte të bënte me asnjë nga variantet e terrorizmit, nga që me këtë së fundi u bind edhe bashkësia ndërkombëtare se me të vërtetë është një palë serioze me mision të qartë, çlirimin e vendit të okupuar nga pushtimi serb e sjelljen e lirisë një populli të shumë përvuajtur gjatë historisë së tij.
Sidoqoftë, ka të ngjarë se prapa një deklarate të tillë qëndron papërgjegjësia apo tejkalimi i kompetencave nga Gelbardi, pasi nuk besohet se SHBA të ketë dhënë dritën jeshile për një veprim të tillë. Po ashtu, ai mund të jetë ngatërruar me ide të ndryshme brenda komunitetit ndërkombëtar që mund të shkonin deri në atë shkallë sa të mendonin për eliminimin e UÇK-së, nënshtrimin e shqiptarëve dhe arritjen e asaj çfarë kërkonte komuniteti ndërkombëtar – mosndryshimin e kufijve. Por, vendosmëria e UÇK-së dhe shkalla e paarsyeshme e dhunës etnike të autoriteteve shtetërore serbe ndaj shqiptarëve, bëri që komuniteti ndërkombëtar në pjesën e parë të vitit 1998 ta ndryshojë qëndrimin rreth Kosovës. Përfaqësuesi i BE-së kishte deklaruar se BE refuzon të pranojë se Kosova është një çështje e brendshme e Jugosllavisë.
Tanimë ishte e qartë se rezistenca dhe lufta e armatosur e UÇK-së nxiti diplomacinë euro-amerikane në hartimin e projekteve të ndryshme që për synim kishin arritjen e një marrëveshjeje paqësore në Kosovë. Më 5 mars, Organizata për Siguri e Bashkëpunim e Evropës (më tej: OSBE) kërkoi bashkëveprim me BE-në dhe me NATO-n, ndërkaq diplomatët britanikë e amerikanë e vizituan Kosovën e shumë përfaqësues tjerë diplomatikë u deklaruan rreth gjendjes në Kosovë. Kështu, me fillimin e luftës çlirimtare çështja e Kosovës vetëm gjatë periudhës 7-14 mars 1998, dominoi në gjitha forumet e larta evropiane si në: Bashkimin Evropian, Grupin e Kontaktit, Këshillin e Ministrave të Bashkimit Evropian, etj., në të cilat forume u përcaktuan disa zgjidhje për Kosovën.
Në mesin e këtyre takimeve më i rëndësishmi ishte ai i Grupit të Kontaktit i datës 9 mars 1998. Esenca e këtij takimi qëndronte në faktin se Grupi i Kontaktit po merrej për herë të parë ekskluzivisht me Kosovën. Por, në anën tjetër, ky takim qe një hap i vogël për Kosovën pasi që vendet pjesëmarrëse të Grupit të Kontaktit dolën me një projekt sipas së cilës “Kosova duhet të fitonte një autonomi të rëndësishme, që shprehet me vetadministrimin e saj përmbajtjesor, duke funksionuar si njësi më vete brenda Serbisë, por jo në kuadër të Jugosllavisë”. Nuk ka asnjë dyshim se një ofertë e tillë paradoksale ishte e papranueshme për shqiptarët.
Me vazhdimin e bisedimeve komuniteti ndërkombëtare kaloi në një nivel tjetër të propozimeve të tij. Për dallim nga qasja e mëhershme autonomiste, tani komuniteti ndërkombëtar filloi të kalkulojë projekte që parashihnin një avantazh të çështjes së Kosovës. Pasi opsioni i autonomisë kishte skaduar, në tavolinën ndërkombëtare tani u hodh karta e një republike të Kosovës në kuadër të Federatës Jugosllave. Përmes kësaj marrëveshjeje Kosova do ta kishte kushtetutën e saj, do t’i administronte çështjet e brendshme dhe do ta kishte të drejtën e vetos për çështje të rëndësishme në nivel federate. Niveli federativ do të kishte kompetenca në fushën e mbrojtjes, politikës financiare dhe të politikës së jashtme. Vëmendja ndaj kësaj ideje konsistonte në faktin se nuk kishte nevojë për ndryshimin e kufijve ndërkombëtar të Jugosllavisë, edhe pse sipas logjikës së Komisionit të Badinterit Republika e Kosovës do të ishte kandidate për njohje si një shtet i ri.
Ndonëse kundër një propozimi të tillë doli Mali i Zi, pasi që një republikë e tretë do ta zbehte ndikimin e saj në federatë, opsioni i republikës nuk ishte i pranueshëm as për serbët e as për shqiptarët. Si do të mund ta pranonin serbët shkëputjen e Kosovës kur aq shumë mite ishin thurur për të, aq shumë mund e propagandë ishte harxhuar për të, e mos të flasim për luftërat që janë bërë në emër të serbizmit që gjenezën e kishin tek miti mbi Kosovën. Po ashtu, a do të ishte e mundur që shqiptarët të jetojnë nën sigurinë e një ushtrie e cila kreu masakra, vrasje, depërtime, aq më tepër kur kauza e luftës çlirimtare i kishte themelet tek e drejta për pavarësi.
Derisa po kalkuloheshin zgjidhje kompromisi, në mesin e serbëve gjithnjë e më tepër po përkrahej opsioni radikal: ndarja e Kosovës. Shumica e serbëve e kishin kuptuar se koha po punonte për shqiptarët në aspekt demografik. Serbët llogaritnin se do të bëheshin minoritet në mesin e shekullit të ardhshëm. Deri tek ky konkluzion kishte ardhur akademiku serb Aleksandër Despiq, atëherë kryetar i Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Serbisë. Po të njëjtën ide e kishte shprehur edhe akademiku Dobrica Qosiq, ish-kryetar i Jugosllavisë, i cili kishte propozuar ndarjen në baza etnike. Duke marr shembull nga modeli i Dejtonit për Bosnjën, Qosiq kishte propozuar krijimin e dy subjekteve autonome dhe secila nga këto dy subjekte të kishte raporte speciale me shtetin amë.
Përpjekjet e komunitetit ndërkombëtar vazhduan edhe më tej, ndonëse jo në ritme intensive sikurse në pjesën e parë të marsit. Më 21 mars e 29 prill 1998, mbahen takimet e Grupit të Kontaktit në Bon e në Romë. Më 10 maj, në Prishtinë arriti delegacioni amerikan i prirë nga Richard Holbrok. Si rezultat i këtij angazhimi amerikan, më 15 dhe 22 maj 1998, pati takime midis negociatorëve shqiptarë dhe serbë të cilat përfunduan pa asnjë rezultat. Më 8 qershor, u mblodh Këshilli i Ministrave i Unionit Evropian, më 12 qershor, u mbajt takimi në nivelin më të lartë i shteteve anëtare të Paktit NATO, e po të njëjtën ditë sërish u tubua Grupi i Kontaktit. Intensitetet e tilla diplomatike vazhduan, në anën tjetër terrori, dhuna e katastrofa humanitare rritej e shtohej.
Si përmbledhje, mund të thuhet se institucione politike e diplomatike euro-amerikane në të gjitha takimet e forumet e mbajtura si zgjidhje për çështjen e Kosovës parashikuan: “Të mbrohet vija e kuqe”në Kosovë në përputhje me premtimin e administratës amerikane, gjë që është kuptuar edhe si mundësi e krijimit të një “republike konvenciale dypjesëshe” sipas skemës në Bosnjë; autonomi e zgjeruar politike administrative; autonomi rajonale, në nivelin e parashikuar në kushtetutën e vitit 1974; autonomi plus; republikë me kusht; republikë e ndërmjetme – jo aq sa ajo e Malit Zi, por jo më pak se “Srpska Republika”në konfederatën boshnjake; Republikë minus; Republikë në kuadër të ish-Jugosllavisë pas një prove transitive të vetëqeverisje së vetë suksesshme prej 3 vitesh, etj. Pra, shihet qartë se asnjë nga këto zgjidhje për Kosovën nuk ishin të kënaqshme, përderisa binin ndesh me qëllimet parimore të luftës çlirimtare të Kosovës për çlirim kombëtar. Derisa komuniteti ndërkombëtar po i diskutonte opsionet e mësipërme, numri i vullnetarëve në Ushtrinë Çlirimtare po shumëfishohej në gjitha rajonet e Kosovës. UÇK-ja do të faktorizohet në shkallën më të lartë. Kështu që asnjë zgjidhje për çështjen e Kosovës, nuk mund të merrej në konsideratë pa UÇK-në.
Në anën tjetër, paralelisht me përpjekjet diplomatike vazhdonin në terren konfrontimet ushtarake midis UÇK-së dhe forcave policore/ushtarake serbe. Fillimi i marsit 1998 shënoi betejën heroike e sublime të Jasharajve në Prekaz, kurse gjatë muajve pasues aksionet e forcave serbe u shoqëruan me vrasjen e një numri të madh civilësh. Rezistenca aktive e UÇK-së ngriti edhe më tej interesimin e diplomacisë ndërkombëtare, e cila kishte filluar ta kalkulonte edhe opsionin e faktorit UÇK. Por, nga ana e saj, edhe UÇK-ja ishte e interesuar të promovohej para faktorit vendor e ndërkombëtar dhe të merrte përgjegjësinë në zgjidhjen e çështjes së Kosovës. Në vazhdën e kësaj tendence UÇK-ja publikoi në shtypin vendor një deklaratë politike, 29 prill 1998, ku shpaloste programin e saj politik, duke kërkuar njëkohësisht edhe mbështetje në luftën e saj kundër pushtetit të instaluar serb në Kosovë.
Kështu, në pjesën e fundit të qershorit 1998 emisari special amerikan, Richard Holbrok, zhvilloi një takim me përfaqësuesit e UÇK-së në Junik. Ndonëse deklarimi i Holbrokut se “… ishte një takim jozyrtar midis përfaqësuesve amerikanë dhe atyre të UÇK-së me qëllim të identifikimit të gjendjes reale në terren … ”, megjithatë një akti i tillë mund të konsiderohet edhe si njohje e heshtur e UÇK-së nga SHBA.
Sigurisht që, paraqitja dhe pranimi në arenën ndërkombëtare e bënte UÇK-në faktor të rëndësishëm në proceset politike e ushtarake lidhur me Kosovën, duke e vendosur atë në agjendën ndërkombëtare. Pas momentit të cekur më lart, faktori ndërkombëtar gjithnjë e më tepër do të orientohet tek Shtabi i Përgjithshëm i UÇK-së, pasi që UÇK-ja ishte forcë reale në terren, e cila nuk mund të anashkalohej nga faktori ndërkombëtar e as nga Jugosllavia në përpjekjet për ndaljen e luftimeve dhe vendosjen e paqes. Një konstatim i tillë ishte bërë nga vetë Holbroku në Crans Montana pas kthimit të tij nga Kosova. Me konstatimet e Holbrokut u pajtuan dhe diplomatët si Uolfgang Petrisch dhe Christopher Hill. Petrich shprehej: “Deri në shpërthimin e kundërthënieve të armatosura midis ushtrisë ilegale shqiptare UÇK dhe njësiteve të Ministrisë së Brendshme serbe, nga ana e bashkësisë ndërkombëtare (BE dhe SHBA) çështja e Kosovës u trajtua si një çështje e brendshme e Jugosllavisë, përkatësisht Serbisë”,kurse Hill shprehej: “….mendoja se Kosova ka rëndësi thelbësore në Ballkan, por kjo çështje nuk u bë urgjente, përderisa njerëzit nuk filluan të shkrepin armët kundër njëri-tjetrit”.
Në vazhdën e konstatimeve të mësipërme të Holbrokut u vendosën kontakte midis diplomatëve ndërkombëtarë dhe përfaqësuesve të UÇK-së. Këto kontakte u intensifikuan gjatë nëntorit 1998. Duhet cekur takimet e përfaqësuesve të UÇK-së me Uolfgang Petrichin, e në veçanti edhe takimin e mbajtur në Dragobil, më 6 nëntor 1998, në të cilën UÇK e përfaqësuar nga Hashim Thaçi, Jakup Krasniqi e Ramë Buja e shtjelloi projektin e diplomatit amerikan Hill.[1] Këto takime ishin një indikacion i qartë se adresa e bisedimeve me shqiptarët tanimë ishte zhvendosur nga Prishtina në selinë e Shtabit të Përgjithshëm dhe se UÇK tanimë ishte pranuar edhe zyrtarisht si faktor vendimtar për çështjen e Kosovës.
Gjatë verës 1998, sidomos gjatë muajve qershor-korrik 1998, vërehet një intensifikim i luftimeve në terren. UÇK kishte shënuar suksese në terren dhe kishte arritur të kontrollonte rreth 40% të territorit të Kosovës, përfshirë edhe qytetin e Rahovecit. Një sukses i tillë kishte shkaktuar komplikime ndërkombëtare. Së pari qarqe të ndryshme ndërkombëtare të mendonin se një fushatë ushtarake e NATO-s kundër Beogradit do të ishte në fakt mbështetje për UÇK-në. Po ashtu, amerikanët filluan të anojnë gjithnjë e më tepër kah UÇK-ja. Një emisar amerikan deklaronte në fillim të korrikut se “…në këtë moment pala shqiptare nuk mund të flet me një zë të vetëm”. Për më tepër, një sukses i tillë kishte ngritur alarmin në Beograd. Deri në këtë moment, forcat policore serbe kishin qenë përgjegjëse për t’u ballafaquar me UÇK-në, kurse Ushtria jugosllave ishte përgjegjëse për kufijtë. Bashkërendimi i forcave policore me ato ushtarake jugosllave u shoqërua me bartjen e kompetencave operative tek Ushtria jugosllave, akt i shpallur më 25 korrik 1998. Ky akt, obligonte Ushtrinë jugosllave të vendoste rendin dhe rregullin në Kosovë, respektivisht të ballafaqohej me UÇK-në. Gjatë muajit gusht filloi ofensiva e Ushtrisë jugosllave, e cila u manifestua me djegien dhe shkatërrimin e fshatrave dhe vendbanimeve shqiptare si dhe me vrasjen dhe dëbimin e popullsisë civile nga vendbanimet e tyre. Shkalla e dhunës e zbatuar nga forcat policore/ushtarake serbe kishte qenë aq e ashpër sa nxiti reagimin e fuqishëm të komunitetit ndërkombëtar, i cili kërkoi ndalimin e sulmeve dhe tërheqjen e forcave serbe nga Kosova. Më 23 shtator, Këshilli i Sigurimit i Kombeve të Bashkuara miratoi Rezolutën nr. 1199 që kërkonte nga Beogradi që të garantojë një qasje të pakufizuar të vëzhguesve ndërkombëtarë në Kosovë dhe të bëj progres të shpejtë drejt gjetjes së një zgjidhjeje, të mundësojë kthimin e personave të zhvendosur në pronat e tyre si dhe të shmangë katastrofën humanitare.
Në vazhdën e këtyre përpjekjeve në fillim të tetorit, emisari special amerikan Richard Holbrok, zhvilloi një seri bisedimesh intensive me Sllobodan Millosheviqin të cilat përfunduan me të ashtuquajturën Marrëveshje e Tetorit, e datës 13 tetor 1998, sipas së cilës ushtria dhe policia serbe do të ktheheshin në nivelet e paraluftës. Po kjo marrëveshje parashihte: (1) vendosjen e një misioni verifikues (Misioni Verifikues në Kosovë) prej 2 000 vëzhguesve, nën mbikëqyrjen e OSBE-së në krye të së cilit u vendos diplomati amerikan Uilliam Uoker, dhe (2) fluturimet mbikëqyrëse të NATO-s mbi Jugosllavi për ta verifikuar tërheqjen e forcave jugosllave. Kjo marrëveshje u mbështet nga Këshilli i NATO-s përmes miratimit të Urdhër Aktivizimit, sipas të cilit nëse nuk zbatohej marrëveshja, bombardimi kundër Jugosllavisë do të fillonte brenda 96 orësh.
Ndonëse UÇK-ja nuk ishte pjesë e kësaj marrëveshjeje ajo deklaroi vetëpërmbajtjen, kurse ndërprerjen e mundshme të luftimeve e shfrytëzoi për konsolidimin e radhëve dhe strukturimin e organeve komanduese.
Ndonëse në Kosovë zbarkuan vëzhguesit ndërkombëtarë, sidoqoftë marrëveshja nuk u zbatua dhe pas një kohe të shkurtër rifilluan luftimet. Ushtria jugosllave filloi me zbatimin e planit ushtarak, të koduar si “Patkoi”, që për bazë e kishte ndryshimin e strukturës etnike në Kosovë, dhe destabilizimin e rajonit duke provokuar konflikte me Shqipërinë në mënyrë që konflikti të zhvendosej në suaza të konfliktit midis dy shteteve sovrane.
Gjatë periudhës janar-mars 1999 vazhdoi dhuna brutale e forcave serbe kundër civilëve. Mbi 200 000 njerëz u dëbuan nga vatrat e tyre, kurse nga Serbia gjithnjë e më tepër vinin përforcime ushtarake. Kulmi i dhunës serbe ishte masakra e Reçakut, 15 janar 1999, ku u masakruan mbi 45 civilë. Më 20 mars Misioni Verifikues u tërhoq nga Kosova.
Masakra e Reçakut dhe masakrat tjera kundër popullatës civile shqiptare, sikurse ajo në Likoshan (28 shkurt 1998), në Prekaz të Ulët (5-7 mars 1998), në Kronarb (Lubeniq) të Pejës (25 maj 1998), në Rahovec (19 shkurt 1998), në fshatrat e Qyqavicës (shtator 1998), në Shalë të Bajgorës, dhe Abri të Epërme (26 shtator 1998), në Rogovë të Gjakovës (janar 1999) e vunë komunitetin ndërkombëtar para një pozite tepër të vështirë, sidomos kur përpjekjet e tyre hasnin vazhdimisht në refuzimin dhe manovrimet diplomatike të Millosheviqit. Prandaj, bazuar në të Drejtën Humanitare Ndërkombëtare faktori ndërkombëtar u detyrua t’i jap fund luftës para se veprimet e Millosheviqit ta çonin popullin shqiptar drejt fundit të tij fizik. Kështu, më 28 janar 1998, Këshilli i Përgjithshëm i NATO-s lëshon deklaratën përmes së cilës krizën e konsideron “të rrezikshme për paqen dhe sigurinë në botë”, duke dënuar aktet serbe dhe duke premtuar mbështetje për Grupin e Kontaktit në përpjekjet për ndaljen e dhunës.
Situata ishte komplikuar edhe më tej kur Qeveria jugosllave vendosi për dëbimin e Uilliam Uokerit nga Jugosllavia dhe shpalljen e dy gjeneralëve të NATO-s, Klaus Nouman, kryesues i Komitetit Ushtarak të NATO-s dhe Uesley Clark, komandant suprem i forcave të NATO-s për Evropë, si persona të padëshiruar për Beogradin. Këto akte lehtësuan ndërtimin e konsensusit në mesin e komunitetit ndërkombëtar se qasja ndaj Beogradit duhet të mbështetet në kërcënimin dhe forcën.
Në këto rrethana filloi një seri e re e përpjekjeve diplomatike të kombinuara me kërcënimin për përdorimin e forcës. Grupi i Kontaktit hartoi, më 22 janar 1999, një plan për imponimin e një zgjidhjeje politike, përfshirë edhe përdorimin e forcës nëse ndonjëra nga palët ndërluftuese, serbët apo UÇK, do të refuzonin marrëveshjen.
Në këto rrethana në shkurt 1999 filloi Konferenca e Rambujesë që për detyrë kishte gjetjen e një zgjidhjeje paqësore për Kosovën. Bisedimet për bazë kishin projektpropozimet për të ardhmen e Kosovës, të hartuara nga Hill dhe Petrisch. Në përbërje të delegacionit të shqiptarëve të Kosovës ishin përfaqësues të UÇK-së: Hashim Thaçi, Jakup Krasniqi, Azem Syla, Xhavit Haliti dhe Ramë Buja; përfaqësues të LBD-së: Rexhep Qosja, Hydajet Hyseni, Bajram Kosumi dhe Mehmet Hajrizi; përfaqësues nga LDK-ja: Ibrahim Rugova, Bujar Bukoshi, Idriz Ajeti, Fehmi Agani dhe Edita Tahiri, kurse Veton Surroi e Blerim Shala si personalitete të pavarura. Pas mbërritjes në Rambuje, delegacionit të Kosovës i bashkëngjitet një ekip këshilltarësh ligjorë, si: Morton Abramowitz, një ish-funksionar i Departamentit Amerikan të Shtetit, Paul Uilliams, jurist i drejtësisë ndërkombëtare me qendër në Uashington, Mark Weller, specialist gjerman i së drejtës ndërkombëtare dhe Shinasi Rama, student doktorate në Universitetin e Kolumbias në Nju Jork. Delegacionit i priu kryesia e përbërë nga Hashim Thaçi, Ibrahim Rugova dhe Rexhep Qosja. Kryesues i kryesisë ishte caktuar Hashim Thaçi, kurse zëdhënës Veton Surroi.
Interesante ishte përbërja e delegacionit jugosllav, në të cilin përveç zyrtarëve të lartë jugosllavë e serbë kishte edhe nga një përfaqësues të minoriteteve që jetonin në Kosovë, si: boshnjak, turk, egjiptian, mysliman, goran, rom etj. Përbërja e një delegacioni të tillë nuk është e rastësishme apo vullnet i mirëfilltë i serbëve për t’i respektuar minoritetet. Kjo ishte në fakt një taktikë për t’i relativizuar kërkesat e shqiptarëve dhe për t’i treguan komunitetit ndërkombëtar kinse minoritetet dëshironin të jetonin në Jugosllavi.
Teksti i parë i draft marrëveshjes që iu prezantua shqiptarëve dhe serbëve kishte pesë pika: ndërprerja e menjëhershme e dhunës; tërheqja e menjëhershme e forcave policore e ushtarake jugosllave nga Kosova; stacionimi në Kosovë i një force ushtarake të udhëhequr nga NATO; rikthimi i sigurt i refugjatëve dhe personave të zhvendosur; dhe një zgjidhje politike që përbëhet nga një autonomi e zgjeruar për Kosovën. Por, propozimi nuk kishte qenë i pranueshëm për dyja palët. Jugosllavia refuzoi praninë e forcave ndërkombëtare, kurse shqiptarët opsionin e autonomisë së zgjeruar të cilin e kishin pasur edhe me Kushtetutën e vitit 1974. Kërkesa e spektrit politik shqiptar ishte pavarësia, pasi që dhuna brutale serbe prej një dekade nuk kishte lënë hapësirë për shqiptarët që të jetojnë nën ombrellën e shtetit serb.
Në ndërkohë, në mbyllje të përkohshme të punimeve, delegacioni i Kosovës në Rambuje, pas konsultimeve të grupimeve politike dhe ushtarake vendosi, më 23 shkurt 1999, për formimin e Qeverisë së Përkohshme të Kosovës, në krye të së cilit u emërua Hashim Thaçi.
Bisedimet rifilluan më 15 mars 1999, pasi që ishin ndërprerë për shkak të mospajtimeve. Teksti i ri i negociatave ofronte një autonomi të zgjeruar që përmbante një vetëqeverisje për gjitha çështjet e brendshme, si: arsimi, shëndetësia dhe ekonomia. Kosova do të kishte presidentin dhe kuvendin, gjykatën supreme, qeverinë etj. Trupat dhe zyrtarët e huaj do ta garantonin zbatimin e marrëveshjes. Autonomia e zgjeruar do të ofrohej për një periudhë prej tre vitesh. Pas tre vitesh do të mbahej një konferencë ndërkombëtare për të vendosur mbi statusin final të Kosovës. Sidoqoftë, në esencë integriteti dhe sovraniteti i Serbisë do të ruheshin. Kompetencat e RFJ në Kosovë do të ishin: (a) integriteti territorial; (b) ruajtja e tregut të përbashkët brenda RFJ; (c) politika monetare; (d) mbrojtja; (e) politika jashtme; (f) doganat; (g) sistemi tatimor federal; etj. Për më tepër, në Kosovë do të kishte tre nivele të autoriteteve të zbatimit të ligjit, kosovare, republikane dhe federale, kurse kufijtë ndërkombëtarë do të kontrolloheshin nga autoritetet jugosllave (rreth 1 500 ushtarë). Në Kosovë do të zbarkonte edhe një forcë e NATO-s si garantuese e marrëveshjes. Në fakt, oferta ndërkombëtare ishte hiç më shumë se sa autonomia që kishte Kosova me Kushtetutën e vitit 1974. Sidoqoftë, në përmbyllje të draft tekstit qëndronte dispozita që parashihte organizimin e një konference ndërkombëtare për të caktuar mekanizmat për zgjidhjen e statusit final të Kosovës bazuar në vullnetin e popullit, përpjekjeve të palëve për respektimin e marrëveshjes dhe Aktit Final të Helsinkit.
Pavarësisht se premtohej një konferencë për statusin e Kosovës, një formulim i tillë, ku theksohej ruajtja e integritetit territorial të RFJ dhe politikat e përbashkëta në sferat më të rëndësishme, ishte vështirë i pranueshëm për delegacionin shqiptar. Sekretarja amerikane e Shtetit, Madeline Albright, i dha garanci të qarta delegacionit shqiptar në Rambuje se shprehja “vullnet i popullit” nënkupton vullnetin e popullsisë në Kosovë e jo të asaj në Serbi e Mal të Zi, që do të shprehet përmes referendumit.
Delegacioni shqiptar e nënshkroi marrëveshjen, kurse serbët e refuzuan. Edhe pse marrëveshja parashihte ruajtjen e integritetit të Jugosllavisë refuzimi i Jugosllavisë mund të lidhet me dy faktorë: vendosja e forcave të NATO- në Kosovë e jo të atyre të KB-ve, si dhe lëvizja e lirë e trupave të NATO-s në gjithë Serbinë.
Sidoqoftë, ky akt u konsiderua si casus belli për të nxitur intervenimin ushtarak pas përfundimit të bisedimeve. NATO ishte e vendosur për bombardimin e Jugosllavisë, prandaj edhe nuk funksionuan manovrimet jugosllave për t’iu shmangur bombardimeve sikurse propozimi i Kuvendit të Serbisë për një autonomi të gjerë për Kosovën dhe bisedime për shkallën e një pranie të huaj ndërkombëtare në Kosovë.
Më 24 mars 1999, filloi fushata e sulmeve ajrore të NATO-s kundër caqeve policore e ushtarake jugosllave. Fushata zgjati 78 ditë. Në qershor 1999 gjeneralët e Millosheviqit u detyruan ta nënshkruanin kapitullimin e Ushtrisë jugosllave dhe brenda një kohe të shkurtër forcat serbe u detyruan të tërhiqen nga Kosova, kurse në Kosovë u vendosën Administrata e Përkohshme e Kombeve të Bashkuara (UNMIK), KFOR-i, si dhe Ushtria Çlirimtare e Kosovës.
Në tërë Kosovën periudha para dhe gjatë bombardimeve të NATO-s ishte e shoqëruar me beteja të rrepta ndërmjet forcave ushtarake, policore e paramilitare serbe dhe forcave të UÇK-së. Por, serbët u hakmorën kundër popullsisë civile. Sipas raporteve të fillimviteve të pasluftës, janë vrarë 11 840 civilë, prej tyre 1 392 fëmijë deri në moshën 18-vjeçare, 296 fëmijë deri në moshën 5-vjeçare, 1 739 femra dhe 1 882 të moshuar mbi moshën 65-vjeçare, dhe ende rreth 1 600 banorë janë të pagjetur dhe janë dhunuar 20 400 femra shqiptare.
Shpesh
diskutohet dhe spekulohet se kush në të vërtetë e çliroi Kosovën. Mirëpo,
lidhur me këtë, me të drejtë mund të konstatojmë: nga të
gjitha analizat del përfundimi se, faktori vendimtar për të gjitha të arriturat
në Kosovë ishte Lufta Çlirimtare e Kosovës, ishte UÇK-ja me dinamizmin,
pjekurinë, operacionalitetin, zhdërvjelltësinë, largpamësinë, qëndrueshmërinë,
unitetin, kompleksitetin dhe ndërveprueshmërinë. Të gjithë faktorët e tjerë
kanë qenë faktorë ndihmës dhe mbështetës. Pra, është e qartë se pa Ushtrinë
Çlirimtare të Kosovës dhe pa luftën e saj, nuk do të kishte as ndërhyrje të
NATO-s dhe as mbështetje të opinionit ndërkombëtar dhe organizmave evropiane e
botërore.