Histori

Prof. Dr. Irakli Koçollari: Historia e patreguar e shqiptarit që i hapi rrugën e lirisë Akropolit dhe Athinës

NDËRSA AFROHESHIN ORËT E  FITORES

Revolucioni grek për pavarësi zgjati disa vite dhe sigurisht kronikat e tij janë të mbushura me akte dhe sakrifica të panumurta, të përgjakshme  dhe heroike të atij populli, gjer në orët e fundit të betejave, që shpunë në shpalljen e pavarësisë. Natyrisht, askush nuk mund të mohojë dot se arvanitët por edhe shqiptarë, si pjesë e atij realiteti, dhanë kontribute të pacmuara në atë epope të madhe dhe të lavdishme për liri. Pa dashur të përmëndim këtu herojtë e njohur të atij revolucioni dhe bëmat e tyre, do të flasim këtu vetëm për një prej kontributorëve të vecantë, në ato luftime që shpunë fitoren përfundimtare dhe pavarësinë e Greqisë, betejën për marrjen e Akropolit.

Mbas disa vite luftimesh, në verën e 1827, betejat e kryengritësve kishin mbritur në qytetin e Athinës, madje rreth mureve të  Akropolit, ku ishte vendosur shtabi ushtarak i trupave osmane. Luftimet ishin të përgjakshme dhe rrezistenca e reparteve turke për disa javë ishte pothuaj e pashyeshme dhe nga radhët e kryengritësve kishte jo pak humbje.

Pikërisht, në këto momente kritike, qëndronte reshtuar pranë komandantëve të forcave kryengritëse një luftëtar, që kishte vite në frontet dhe betejat e përgjakshme. Ishte një burrë i heshtur dhe me pak fjalë. Në ato orë të vështira ai i kishte propozuar shtabit të kryengritësve për një rrugë tjetër përballjesh me forcat osmane, që qëndronin me vendosmëri mbi kështjellën e Akropolit.

****

Luftëtari, me fare pak fjalë, ishte një shqiptar.

Quhej Kosta Dalara!

Ishte nga fshati Hormovë i Tepelenës.

****

Nga ato të dhëna të pakta që gjenden për kohën e rinisë së tij, mësohet se Kosta Dalara kishte lindur dhe ishte rritur në Hormovë të Tepelenës, një fshat apo qytezë me një histori të hershme dhe të pasur qytetërimi. Një e dhënë tjetër njofton se origjina e tij ishte nga Lekli, një fshat fqinj dhe fare afër Hormovës. Për shumë vite kishte shërbyer së bashku me vëllanë e tij Dhimitër Dalarën tek Ali Pasha, si njerëz besnikë të tij me detyrën e xhenjerit, apo sic thirrej në gjuhën e popullit aso kohe, “llagëmxhi”. (“Llagëmi” – një kanal i nëndheshëm per të hyrë në një vend të fshehtëapo për tu mbrojtur nga ndonjë kërcënim. Kanale, apo tunele të tillë të ngushtë kanë pasur shtëpi, apo edhe qytetet. “Lagëmi ka edhe kuptimin e një tuneli të ngushtë që bëhet nëndhe apo në shkëmb, që mbushet më lënde plasëse për të hedhur në erë një vend, terren të caktuar. “Llagëmxhiu” ishte një mjeshtër që dinte se ku mund të hapeshin tunele, apo vendstrehime të nëndheshme …, apo në kuptimin ushtarak njeriu që dinte të përdorte tritolin apo barutin për të carë, hedhur në erë fortifikimet, fortesa apo transhe, ku ishte pozicionuar kundërshtari. IK)

Punoi si i tillë, “llagëmxhi”, në shumë ndërtime me karakter mbrojtës apo me karakter urban që investoi Ali Pashë Tepelena, në shumë zona dhe krahina të pashallëkut. Këtë xhenjer, “llagëmxhiun”, Ali Pasha e përdori edhe në operacione ushtarake që ai ndërmori për të nënshtruar apo thyer rrezistencën e kundërshtarëve të tij, të pozicionuar në fortesa apo fortifikime të ndryshme natyrore.

XHENJERI  QË TRONDISTE DHENË

Informacione indirekte na rrëfejnë se “Hormoviti” apo “Llagëmxhiu” ka qënë drejtues punimesh në hapjen e tunelit të ujësjellësit të Bencës dhe në ndërtimin e akuaduktit që përcillte ujin nga ky tunel drejt qëndrës së Kalasë të Tepelenës, ku pashai kishte ndërtuar një shatërvan (fontanë), mjaft të bukur të punuar në mermer.

Por, ky mjeshtër qëndroi pranë pashait tepelenas dhe në mjaft operacione luftarake që ai ndërmori. Kur vlerësohej e nevojshëme, ai dinte të identifikonte pikat më nevralgjike, ku mund dhe duhej goditur kundërshtari, duke penetruar përmes “llagëmeve” (tuneleve nantoksorë) të fshehtë, që vec ai dinte si dhe ku ti hapte. Si një xhenjer i vërtetë ai ishte mjeshtër në përdorimin e  lëndëve plasëse, tritolit apo barutit për ti dhënë goditje, aty ku nuk e priste kundërshtari.

Nga fondi i dokumenteve të “Arkivit të Ali Pashës” ruhen disa informacione që bëjnë fjalë për “llagëmxhiun” dhe operacionet e tij në disa fronte luftimesh. Në një prej dokumeneteve, ai i muajit Korrik të vitit 1808, kohë në të cilën i biri i Ali Pashës, Veliu ishte pasha i Moresë, na bën me dije për një operacion ushtarak mbi një fortesë në Manastirin e Gortinias. Në letrën informuese Veli Pasha duke shkruar për Llagëmxhiun, informon të atin: “… Kisha menduar se llagëmi (tuneli) që kishte hapur Llagëmxhiu, ishte shumë larg kullës ku ishte pozicionuar rebeli Ali Farmaqi dhe për pasojë goditja nuk do të kishte asnjë efekt. Por, Llagëmxhiu kishte vendosur nëntëqind e pesëdhjet okë barut brenda llagëmit. Shpërthimi ishte aq i fuqishëm sa u trondit tërë vendi dhe muret e kullës ku qëndronte Farmaqi u hapën në të katër anët dhe u rrëzuan… … duket që shpërthimi kishte bërë një dëm shumë të madh dhe kishte shkatërruar edhe rezervuarin e ujit të tyre …. në këto kushte rebelet, pas asaj dualën me një shami të bardhë në duar … dhe kërkuan të dorëzohen…” (1)

Por, pa u zgjatur me këto ngjarje, ne do të qëndrojmë në kontributet e tij në betejat antiosmane dhe revolucionin grek që shpunë në pavarësinë e këtij vendi.

Për të shkruan Komandatë të njohur të kryengritjes greke për pavarësi, Gjenerali Makrijani, Komandant i kryengritës Karaiskua, Surmeliu, etj., të cilët kishin pasur rastin ta njohnin nga afër në fushbetejat më të rëndesishme antiosmane, si dhe ato për clirimin e Athinës.

Kasomuli, një luftëtar dhe shkrimtar i dëgjuar, i revolu1cionit grek të vitit 1821, shkruan për “Llagëmxhiun”: “Heroi i pavdekshëm dhe krenar  Kosta Dalara, që shpesh i thërrisnin me mbiemrin “Llagëmxhiu”, nga shumë llagëme, kanale apo tunele nëntoksorë që ai hapi përgjatë rrethimit të Mesollongjit dhe në Akropol, për ti gjetur dhe goditur në befasi turqit, ishte një luftëtar i rallë….”.

Në Mesolongji ai luftoi  në krah edhe të luftëtarëve të tjerë kryengritës heroikisht. Sic shkruan Karaiskua dhe Dhimitër Fotiadhi, “ai bëri akte dhe mrekulli të verteta heroike …”

Mbas rënies së Mesollongjit të rrethuarit, luftëtarët që ishin përballur për muaj të tërë me urinë e gjatë, mundën të cajnë rrethimin dhe të dalin prej aty përmes zjarrit të batareve dhe vringëllimës së shpatave osmane…, në atë dalje që njihet me emrin  “Eksodho Mesolongjiu”, ku u vra dhe heroi i revolucionit, sulioti trim Marko Bocari. Mes luftëtarëve që canë me shpatë në dorë rrethimin ishte edhe Kosta Dalara. Por, prej këtu ai vazhdoi edhe më tej rrugën e luftrave për liri kundër pushtimit Osman. Rruga që ai mori së bashku me kryengritësit e tjerë ishte Athina, e cila ishte në duart e turqve. Nga Hormova, fshati i Llagumxhiut,  kishte edhe 50 luftëtarë të tjerë që reshtoheshin në krah të kryengritësve.

BETEJA PËR MARRJEN E AKROPOLIT DHE ATHINËS

Në kujtimet e tij Gjeneral Makrijani, duke folur për betejat e përgjakshme për të marë Akropolin, ku ishin përqëndruar trupat osmane dhe shtabi i saj i luftës, shkruan: ”Ne iu afruam mureve të kalasë, së Akropolit, dhe luftonim nga ajo anë ku është mëhalla e Plakës, pikërisht atje ku është porta e arvanitëve, një nga gjashtë hyrjet që kishin muret që rrethonin qytetin e Athinës dhe Akropolin, që tani gjendet pranë teatrit Dhionisios. Aso kohe atje jetonin arvanitë. Nga poshtë deri tek shtëpitë ishte një kishë. Pikërisht atje i pavdekshmi, i famshmi Kosta Lagëmxhiu, një atdhetar  trim dhe i ndershëm me aftësitë e tij të ralla dhe pushkë në dorë luftoi si luan për atdheun tonë dhe lirinë e tij…..Edhe në Mesolongji ky trim pati bërë sakrifica, heroizma të ralla, prandaj Atdheu ynë i detyrohet shumë këtij luftëtari!”

Duke vazhduar shkrimin e tij, Makrijani kujton: “Kosta Llagëmxhiu dhe unë ishim të ngarkuar që të punonim natë e ditë që ai të hapnim llagëme me anë të të cilave të mund të shkonim gjer pranë apo brenda vijës së trasheve që ishin në duart e turqve, përmes të cilave ata vinin gjer afër nesh dhe na shkaktonin dëme të mëdha… Në njërin prej tyre që hapëm ne të dy, erdhën pas nesh bashkuftëtarët tanë Gurra, Papakosta dhe patrioti i vërtetë Thoma Gjirokastriti. Pak brenda vijës së frontit, Kosta kishte vënë re tre vrima nëntoksore që të shpinin diku tej, ndoshta në thellësi të territorit që kontrollohej nga turqit.

Pa humbur kohë, pasi i kqyri me kujdes tre kalimet e errëta nëntoksore, ai hyri menjëherë në njërën prej llagëmeve të turqve. Mandej u kthye dhe me shpejtësi të madhe filloi të punojë për të lidhur njërën vrimë nëntoksore, me llagimin që kishte hapur ai, e cili vinte afër me atë të armikut.

Kur u kishte përfunduar këtë, ai u fut i vetëm në vrimën e fshehtë në anën e frontit turk. Mbas disa orësh ai u kthye prej andej dhe na tregoi se ai kalim i fshehtë nëntokësor të shpinte mjaft larg dhe dilte në një shesh ku mblidheshin tërë ushtarakët e lartë turq për të pirë kafe dhe për të biseduar mes tyre. Me një kurajë të rallë dhe në fshehtësi të plotë, Kosta Hormovit filloi të marrë njëra pas tjetrës disa ngarkesa baruti. Futej fshehtas në këtë kalim nëntoksor dhe i shpinte ato, në fund të kalimit, pikërisht nën sheshin ku mblidheshin ushtarakët turq. Askush nga ata nuk arriti të kuptojë lëvizjet e fshehta të tij dhe as faktin se ai kishte mbushur me barut tërë gropën që ndodhej poshtë sheshpushimit, ku ushtarakët takoheshin dhe flisnin për planet e luftimeve.

Por, Hormoviti do të duhej të hynte dhe të qëndronte i fshehur në anën e frontit turk, në momentin që i duhej vënë zjarri eksplozivit të shumtë, që kishte stivosur në fund të vrimës së fshehtë. Ai shkoi dhe për një kohë ai u zhduk atje, brenda kampit turk. Për gati gjysëm dite nuk dihej fati i tij.

Pritej casti i shpërthimit dhe menjëherë pas tij kryengritësit do të sulmonin me të gjitha forcat frontin Osman, duke shfrytëzuar goditjen e rëndë dhe coroditjen që do të merrte nga brënda shtabi turk.

Në këto caste të rënda, pritmënie dhe ankthi, Komandanti Makrijani,  duke iu drejtuar luftëtarëve të tij, u tha:  “Vëllezër! Edhe brenda Akropolit nëse ne arrijmë të hyjmë, por edhe jashtë nëse ne mbesim, në të dyja rastet ne do të jemi të humbur nëse ne nuk godasim me tërë fuqitë tona turqit, për të mbështetur dhe hapur rrugën e kthimit dhe të lirisë Kosta Hormovitit, që është brenda frontit turk…

Nëse ne nuk mbështesim me zjarrin e armëve dhe fuqitë e shpatave tona daljen e “Llagëmxhiut”, nëse ai na mbetet rob në duart e turqve, edhe Akropolin do ta kemi të humbur edhe ne të gjithë të humbur do të jemi bashkë me të!”

Por, mbas pak, një shpërthim i tmershëm kishte tronditur vëndin dhe kishte hedhur në erë tërë shtabin e ushtarakëve turq. Një ankth i madh kishte shoqëruar atë sinjal të madh për sulmin e fitores.

Ndërsa pritej me padurim urdhëri i sulmit, papritur kryengritësit panë të vinte heshtur nga një shteg i fshehtë “Llagëmxhiu”.

Duke iu referuar kujtimeve të Komandantit Makrijani, për këto ngjarje mjaft emocionuese, ai shkruan:

“Ai, Hormoviti më pa dhe u drejtua tek unë. Ato caste isha plagosur dhe mbuluar në gjak. Kur më pa në atë gjendje, më tha:

  • Ti rri këtu, të vijë doktori të të lidhë menjëherë plagët! Unë do të kthehem përsëri dhe do të ngjitem mureve të kalasë bashkë me luftëtarët e tjerë!
  • Jo! i thashë. Ti qëndro këtu! Nëse vdes unë kështjellën bashkë me Akropolin ne nuk e humbasim. Por, nëse vdes ti ne humbasi, pra nuk e fitojmë Akropolin!”

Por, luftëtari trim nuk u bind dhe bashkë me kryengritësit e tjerë u ndesh me forcat turke, të goditura në zëmër nga ai shpërthim i fuqishëm, dhe vazhdoi përleshjet gjer në castet e fitores së madhe.

MERAKU I FUNDIT I HORMOVITIT

Kurajua, aftësitë dhe trimëritë e shqiptarit hormovit, prej kohësh ishin bërë të njohura edhe në radhët forcave turke. Vetë pashai turk Qutahu, me të cilin kryengritësit ishin ndeshur në shumë beteja, kishte propozuar që Llagumxhiu ose të tërhiqej nga luftimet, ose të kalonte në anën e tij, pasi do të kishte si shpërblim një sasi floriri  të barabartë me peshën e trupit të tij.

Por, përpara interesaveë të lirisë Hormoviti – Dalara përcmoi gjithcka…..

Kosta Dalara (Hormoviti apo Llagëmxhiu) vdiq në Athinë në vitin 1851. I pyetur, në moshën e thyer të pleqërisë, nëse i kishte mbetur ndonjë brengë në jetën e tij?, ai ishte përgjigjur:

– Po! Kam një brengë të madhe! Atë që Atheu im është ende i robëruar!

Në nder dhe kujtim të kontributeve të tij, në luftrat për pavarësinë e Greqisë, sot në Athinë një prej rrugëve kryesore mban emrin e tij “Llagumxhiu”.