Gjatë Luftës së Ftohtë ka pasur tri momente, të cilat i dëshmuan opinionit publik ndërkombëtar, se raportet sociale, nacionale dhe ndërshtetërore në dhe mes shteteve të Bllokut të Lindjes, përkatësisht shteteve socialiste, nuk ishin të drejta. Dy nga këto momente i ka identifikuar si të tilla teoria politike bashkëkohore ndërkombëtare:
- Pranverën e Pragës të vitit 1968, e cila vlen si dëshmi se raportet në mes të shteteve të Bllokut Lindor ishin paternaliste, përkatësisht Ushtria Sovjetike vepronte si ushtri pushtuese;
- Lëvizja e Solidarnoshçit e vitit 1980, e cila vlen si dëshmi se problemi social në shtetet e ish Bllokut Lindor nuk ishte zgjidhur siç proklamohej; dhe
- Demonstratat e Studentëve të Universitetit të Prishtinës në vitin 1981, të cilat vlejnë si dëshmi se çështja nacionale nuk ishte zgjidhur në shtetet ish-socialiste.
Momentin e tretë nuk e ka identifikuar si të tillë shkenca politike bashkëkohore, me gjithë faktin se ky ishte një shenjë e parë e një lëvizjeje për liri të shumë kombeve nga ish-RSFJ dhe ish-Bashkimi Sovjetik. Në përfundim të këtij procesi lirie u krijuan një numër i konsiderueshëm shtetesh të reja.
Demonstratat e vitit 1981 në Kosovë paraqesin një nga momentet më të rëndësishme në historinë tonë të re. Viti 1981 prandaj për botën shqiptare mund të konsiderohet si vit me histori, ose edhe më qartë: vit i kthesës historike. Në literaturën shkencore politikologjike si momente të kthesës historike konsiderohen ato ngjarje, të cilat ravijëzojnë një ndryshim rrënjësor të sistemit politiko-shoqëror më të përparuar se sa ai i mëparmi. Ngjarje të tilla cilësohen ndryshe edhe si revolucione shoqërore.
Nuk ka pothuajse asnjë libër të sotëm të historisë, në gjuhën shqipe ose në gjuhë të tjera, i cili nuk e nënvizon rëndësinë e demonstratve të vitit 1981 si kthesë historike. Shprehjet „Kthesë historike“ ose „Revolucion paqësor“ duhet kuptuar në kontekst të perspektivës që këto ngjarje hapën në rrafshin historik për Kosovën dhe qytetarët e saj. Sigurisht që një kthesë e tillë historike mund të mos arrinte këto përmasa pa reflektimin indirekt të atyre zhvillimive politike dhe shndrrimeve historike në Evropën e Lindjes që ndodhën në fund të viteve 1980. Pika kulmore të këtyre zhvillimeve ishin rënia e Murit të Berlinit, bashkimi i Gjermanisë, shpërbërja e BRSS dhe RSFJ, shpërndarja e Paktit të Varshavës, rënia e sistemit socialist e komunist në pothuajse të gjitha vendet e Evropës së Lindjes.
Nga këndvështrimi politik shkencor mund të konstatojmë se demonstratat e vitit 1981 lëkundën rendin shtetëror jugosllav. Ato shfaqën hapur paaftësinë e sistemit të LKJ për reforma, mungesën e legjitimitetit tw saj dhe kompremetuan moralin e këtij rendi. Vlerat dhe bindjet politike që propagndoheshin nga LKJ u thyen në dhunën kundër qytetarëve që kërkonin një të drejtë; lëvizja studentore në pak ditë u shfaq në një lëvizje popullore me kërkesa të qarta politike, shoqërore, ekonomike dhe kulturore. Në mendjet e njerëzve u konstruktua një rend i ri që synon barazinë e shqiptarëve në Jugosllavi: Republika e Kosovës. Në pak javë dhe muaj dolën në pah dhe e delegjitimuan veten para qytetarëve të Kosovës strukturat partiake të Lidhjes Komuniste të Kosovës. Vlerat, idetë dhe kultura e tyre u demaskuan. Ra në moçalin moral elita politike e Kosovës. Këto zhvillime hapën rrugë për lëvizjen paqësore, pajtimin e pwrgjithshwm kombwtar dhe për luftën çlirimtare që do ta pasonte atë.
Lëvizja e vitit 1981 në rrafshin filozofiko-politik ishte Lëvizje për Liri, Lëvizje për Republikë dhe Lëvizje për Pavarësi. Për cilën liri luftonin studentët e 1981? Ata luftonin për lirinë e kombit shqiptar në Jugosllavi. Ata ishin nxënës të Adem Demaçit, i cili nëpër decenie kishte dëshmuar shkallën më të lartë të mundshme të altruizmit: sakrifimin e lirisë së tij individuale për lirinë e përgjithshme. Studentët luftuan që Kosova të bëhej republikë. Republikanizmin ata e kuptonin si kundërshtim të aristokracisë, oligarkisë dhe diktaturës së Lidhjes Komuniste të Kosovës. Ne pjesëmarrësit e demonstratave synonim një sistem politik që mbron lirinë, duke e përjetësuar sundimin e së drejtës, kushtetutshmërinë, kufizimin e mandateve qeverisëse, ndarjen e pushteteve (ekzekutive, legjislative dhe judikative), garantimin e barazisë në mes të qytetarëve duke kundërshtuar shtypjen, shfrytëzimin, pabarazinë sociale dhe keqpërdorimin e pushtetit për qëllime personale. Pra, përmes Republikës së Kosovës si hap i parë ne synonim shporrjen e sistemit shoqëror të Lidhjes Komuniste të Jugosllavisë dhe Lidhjes Komuniste të Kosovës, të një sistemi absolutist dhe anakronik dhe krijimin e një sistemi të drejtë, legal dhe legjitim. Republikën e Kosovës do ta konceptonim si një hap, si një hecje në rrugë, drejt pavarësisë.
Studentët demonstrues të vitit 1981 mendonin se bazë e pavarësisë dhe sovranitetit është qytetari. Prandaj burimin e pavarësisë dhe sovranitetit të Kosovës e shihnin tek qytetarët. Nocioni i pavarësisë sipas tyre ka një lidhshmëri organike me nocionet e lirisë dhe të drejtës për vetëvendosje dhe shkëputje. Popujt kanë të drejtë të vendosin vetë të shkëputen. Pra, shumica e qytetarëve ka të drejtë të vendosë. Dhe qytetarët e Kosovës përmes studentëve të tyre po e shprehnin këtë vullnet politik: vullnetin për Republikën e Kosovës, e cila konsiderohej si hap i parë drejt pavarësisë së Republikës së Kosovës.
Prandaj Lëvizja studentore e vitit 1981 do të punonte për pavarësinë e vendit tonë, të vetëdijshëm se ky ishte synim i shumicës absolute të qytetarëve të Kosovës. Pavarësia jo vetëm e përgjithshme kombëtare, por edhe ajo individuale do të bëheshin normat e veprimit të saj. Dhe studentët dëshmuan një shkallë të lartë sakrifice për realizimin e projektit të Republikës së Kosovës.
Me demonstratat e vititi 1981 në Kosovë u krijua një moment i ri politik e shoqëror, një frymë lirie, frymë republike, frymë pavarësie – Fryma e Adem Demaçit. Ajo frymë do të vente në Lëvizje mijëra vajza dhe djem të rinjë, intelektualë e veprimtarë që do të punonin dhe sakrifikonin pa u ndalur deri në realizimin e Lirisë dhe Republikës.
Viti 1981 prandaj paraqet fillimin e fundit të Jugosllavisë Federative. Tri ishin shkaqet që e shkaktuan rënien e saj: pabarazitë nacionale, kriza ekonomike dhe deformimi moral dhe politik i Lidhjes Komuniste të Jugosllavisë. Shqiptarët në Kosovë e ruajtën egzistencën e tyre biologjike dhe prezencën e tyre shoqërore brenda një sistemi të pabarabartë dhe të padrejtë jugosllav. Instinkti i mbijetësës, i ushtruar nëpër shekuj nga perandori shumë më të mëdha se Jugosllavia, do të vinte në shprehje edhe në 40 vite të egzistencës së Jugosllavisë Federative. Ndiesia e të qenit i pushtuar, i pabarabartë dhe i shfrytëzuar, do të ruante vazhdimisht sensin e mospajtimit, reagimit dhe rezistencës. Dhe demonstratat e vitit 1981 paraqesin shpërthimin e këtij instinkti të rezistencës nga padrejtësia. Ato shpërthyen spontanisht më 11. Mars 1981 në Menzën e Studentëve, por morën formë dhe përmbajtje të mirëfilltë politike në rrjedhën e tyre më 1. dhe 2. Prill 1981. Ato tundën në themel Jugosllavinë Federative dhe Lidhjen Komuniste të Jugosllavisë. Ato nxorën në pah para opinionit publik jugosllav dhe atij ndërkombëtar një fakt të thjeshtë: statusin e pabarabartë të shqiptarëve në Jugosllavi.
Reagimi në panik i Qeverisë Federale paraqet më së miri hendekun në të cilën e kishte quar vendin Lidhja Komuniste e Jugosllavisë. Duke i aprovuar vlerësimet për kundërrevolucion, nacionalizëm e iredentizëm, veprimtari armiqësore dhe kualifikime të tilla për demonstruesit si “plehu i Kosovës” dhe kërcënuar se “bira e minit do të jetë për ta 300 grosh” udhëheqësit e Lidhjes Komuniste të Kosovës dhe përfaqësuesit e saj në Federatë do të dëshmonin shkallën më nënshtruese të mundshme, duke u shndrruar në vegla të luftës kundër qytetarëve dhe bashkëkombësve të vet. Këtu do të fillonte edhe fundi i tyre dhe sistemit të tyre.
Shkakun e shpërthimit të demonstratave dhe mbështetjes masive që ato patën duhet parë në vetëdijën në ngritje të qytetarëve të Kosovës për statusin e padrejtë të shqiptarëve në Jugosllavi dhe nivelin e guximit të arritur nga rinia për të shprehur hapur këtë ndjenjë. Qytetarët e Kosovës synonin një status të barabartë me popujt tjerë të Jugosllavisë: serbët, kroatët, sllovenët, maqedonët, boshnjakët dhe malazezët. Kjo barazi do të realizohej me statusin e Republikës së Kosovës. Parulla për Republikë prandaj do të ishte motori shtytës i lëvizjes popullore.
Qëllimi i demonstruesve ishte paqësor. Synohej një revolucion paqësor. Synohej të dëshmohej vullneti i popullit. Sikur Jugosllavia të ishte një vend demokratik, Qeveria do të ftonte në dialog demonstruesit. Do të ulej dhe do të zhvillonte debat me ta. Shqiptarët pledonin për status të barabartë me kombet tjera në Federatë përmes statusit të Republikës së Kosovës, kurse ndryshimi i sistemit të diktaturës së LKJ në sistem demokratik ishte bërë domosdoshmëri. As Kosova dhe as Jugosllavia nuk do të mund të vazhdonin tutje pa këtë reformim rrënjësor të sistemit.
Sikur LKJ dhe sidomos Lidhja Komuniste e Kosovës do të karakterizohej më një shkallë më të lartë përgjegjësie dhe transparence në organet partiake dhe shtetërore, sikur ato të lejonin më shumë liri për mediet dhe shprehjen e lirë, sikur ato të mos synonin të impononin politikën e tyre të dhunës, revolucioni paqësor i studentëve i filluar në vitin 1981 do të përshpejtonte lëvizje identike edhe në vendet e Evropës Lindore. Në vend të kësaj, elita politike jugosllave dhe ajo krahinore filluan të operojnë me nocione armiqësore e diskualifikuese, duke mos lënë farë hapësire për debat racional.
Lëvizja për Liri dhe Republikë e vitit 1981 ka rëndësi në mënyrë të veçantë për ngritjen e vetëdijes kombëtare te shqiptarët. LKJ operonte me parullën për “Vëllazërim-Bashkimin e kombeve dhe kombësive të Jugosllavisë Federative.” Prapa kësaj parulle shfaqej ideja e krijimit artificialisht të kombit jugosllav, si një produkt i variantit jugosllav të socializmit. Ngjajshëm me idenë e krijimit të kombit sovjetik në BRSS dhe kombit socialist në Republikën Demokratike të Gjermanisë, komunistët jugosllavë synonin të çvleftësonin sa të jetë e mundur identitetin kombëtar. Rezultat i një platofrme të tillë do të ishte krjimi i një distance identitare të shqiptarëve në Kosovë nga ata në Shqipëri. Konstrukte të tilla ahistorike ishin intensifikuar shumë sidomos në Gjermaninë Lindore, duke u munduar të projektonin një komb të ri artificial, të quajtur kombi socialist.[1]
Gjenerata e demonstruesve të vitit 1981 ka dalë e fituar politikisht, moralisht dhe ndërkombëtarisht. Platforma e tyre politike për Republikën e Kosovës është realizuar dhe është mbështetur nga shumica e shteteve të botës. Lufta për liri dhe Republikë i ka rreshtuar qytetarët e Kosovës dhe përgjithësisht shqiptarët në radhën e vendeve demokratike në Evropë dhe në botë.
Fryma e kohës, që i vuri në lëvizje studentët e vititi 1981 ishte e drejtë. Pas shekuj ndalesash, qytetarët e Kosovës e fituan të drejtën e shprehjes, lirinë dhe shtetin e tyre të pavarur. Parulla „Kosova Republikë!“, njësoj si ajo në Gjermaninë Lindore „Ne jemi populli!“ (gjerm. „Wir sind das Volk!“), paraqesin thirrjet kyçe ne momentet e kthesave historike. Dhuna e përdorur kundër demonstruesve që thërrisnin këto parulla paraqet anën e kundër të historisë, pjesën antihistorike të veprimit të njeriut kundër njeriut, të shtypësit kundër të shtypurit.
Kthesa historike e vitit 1981 në të vërtetë i vuri bazat e dy shndrrimeve themelore historike-shoqërore: ajo u shfaqë si revolucin demokratik dhe si lëvizje për çlirim kombëtar. Parakushtet për një lëvizje që do të qonte drejt revolucionit demokratik plotësohen me shndrrimin politik dhe shoqëror të të gjithë rendit shoqëror duke shpënë në koshin e historisë monopolin e Lidhjes Komuniste. Sociologu gjerman Ralf Dahrendorf ka shkruar se „Revolucionet arrijnë sukses në rast se e arrijnë të zhdukin përfundimisht regjimin e vjetër.[2]
Por, kthesa historike e vitit 1981 përfshin edhe një dimension tjetër: ajo është kthesë morale dhe shpirtërore. Njerëzit filluan të lidhen emocionalisht për një kërkesë të drejtë politike. Ata e bënë kërkesë të tyre kërkesën për Republikën e Kosovës. Ata u solidarizuan me studentët edhe kur vriteshin, edhe kur burgoseshin dhe dënoheshin me dënime të rënda. Sa më shumë që regjimi i Lidhjes Komuniste përdorte dhunën shtetërore përmes burgosjes së të rinjëve dhe atë politike përmes procesit të diferencimit ideopolitik, aq më shumë rritej solidariteti mes njerëzve dhe gatishmëria për të rezistuar kundër regjimit.
Akademik Rexhep Qosjes në ditarin e tij të botuar kohët e fundit me titullin “Dëshmitar në kohë historike” përshkruan në mënyrë të jashtëzakonshme mënyrën se si është sjellë elita politike dhe elita intelektuale pas Demonstratave të vitit 1981. Qëndrimi i elitës politike ndaj kërkesës për Republikën e Kosovës dhe ndaj studentëve demonstrues ishte ahistorik. Sjellja e një pjesë të intelegjencies së Kosovës përgjatë procesit të diferencimit ideopolitik ishte rrënqethëse. E kam përjetuar edhe vetë në vitin 1981 në kurrizin tim të njomë këtë proces ahistorik dhe jonjerëzor.
Natyra e demonstratave si kthesë historike ka të bëjë edhe me atë se protestat kanë ndodhur jo “nga lart”, por “nga poshtë”, nga studentët. Dhe kjo kthesë është bërë sinonim i një shndrrimi shoqëror, që rezultoi me çlirimin e Kosovës. Me këtë, historia e re e Kosovës është ndarë natyrshëm në periudhën para demonstratave të vitit 1981 dhe pas tyre. Rezultatet e demonstratave të vitit 1981 janë: rënia e diktaturës së Lidhjes Komuniste, vendosja e sistemit pluralist në Kosovë, çlirimi i Kosovës dhe pavërësia e Republikës së Kosovës.
Demonstratat e vitit 1981 paraqesin një lëvizje popullore në demonstratë, të disciplinuar, të pakënaqur me gjendjen e shqiptarëve, të shpërndarë gjithanshëm në të gjitha viset shqiptare në Jugosllavi dhe të mbështetur edhe në Shqipëri dhe jashtë vendit, e cila mori në dorë fatin e vet. Përkundër tentimeve të LKJ dhe LKK për të thyer, dëshpruar dhe shtypur me dhunë këtë lëvizje popullore, ajo mbeti e fortë, u rifreskua nëpër vite dhe arriti të përdorte të gjitha mjetet e mundshme për çlirimin e Kosovës. Ajo ishte një lëvizje kombëtare e demokratike, një lloj revolucioni demokratik, me të cilin identifikohej shumica absolute e qytetarëve të Kosovës, dhe e cila stimuloi në mënyrë direkte ose indirekte krijimin e një sistemi të bashkuar të grupeve ilegale në një organizatë politike, në Lëvizjen Popullore të Kosovës, e cila do të forcohej, rritej dhe organizohej në përdorimin e të gjitha mjeteve, përfshirë edhe ato çlirimtare (duke krijuar UÇK), për realizimin e Republikës së Kosovës dhe sistemit demokratik, pluralist e parlamentar në Kosovë./dritare.net
[1] Alfred Kosing: „Theoretische Probleme der Entëicklung der sozialistischen Nation in der DDR“, Berlin 1975, f. 21 dhe 47.
[2] Ralf Dahrendorf: “Müssen Revolutionen scheitern? In: Ëiederbeginn der Geschichte. Vom Fall der Mauer bis zum Krieg im Irak. Reden und Aufsätze”. München 2004, f. 23; zit. n. Neubert 2008, f. 16