Komenti

Dr Sadri Ramabaja: Brezi i vitit 1981 pjesë e homopolitikusit modern

Demonstratat e 81-it, si për nga plotënia e formës, ashtu edhe për nga përmbajtja, ishin një kryevepër e mendimit politik shqiptar. Ato, prandaj, shënojnë epokë.

Prishtinë 11 mars – Në këtë përvjetor jubilar – të dyzetin, të revolucionit të vonuar antikolonial të Kosovës, rikthimi tek pesha historike e tij, për studjuesit e shkencave humane, është diçka e natyrshme. Ky vështrim është përkushtim këti brezi dhe një lloj mirënjohjeje për rolin e tij në historinë moderne politike të Kosovës. 

Në kushtetutat moderne gjithandej në Europën e viteve ’80-të dhe ’90-të, dinjiteti i qytetarit po fillonte të garantohej jo vetëm në rrafshin ligjor, por edhe në atë social. Shteti i mirëqenies e shndërronte qytetarin në qenie sipërore, në kuptimin e mirëfilltë të fjalës. Dinjiteti i tij duhet të garantohet dhe të jetë i pacenueshëm në punën dhe jetën e përditshme.
Brezi ynë i ri, ai që do të hynte në histori me emrin “Brezi i Republikës” (1981), këtë frymë të shtetit të mirëqenies ekonomike e sociale ëndërronte e angazhohej politikisht që ta përvetësonte dhe ta aplikonte edhe në hapësirën shqiptare.

Nuk është e rastësishme, që në shumicën e bashkësive shqiptare janë ruajtur brez pas brezi vlerat cilësore që prodhon jeta e dinjitetshme dhe fryma e solidaritetit, duke mos e përjashtuar në këtë kuadër edhe përmasën socio-estetike të jetës. Prindërit mund të jenë analfabetë, por dëshira dhe këmbëngulja e tyre për t’i arsimuar fëmijët, ajo ndjesi e iluminizmit autentik, e ka burimin pikërisht te kulti për Dijen dhe Dinjitetin.
Lidhja e qytetarëve të Prishtinës me kauzën e studentëve ngjitet në përmasat e revolucionit më 1 e 2 prill 1981. Ndërkaq, kërkimi i rrugëve nga prindër-qytetarë në kuptimin e mirëfilltë të fjalës, për t’i regjistruar e arsimuar fëmijët edhe në universitetet më prestigjioze në botën perëndimore sot, qoftë edhe me çmimin kapital të shitjes së shtëpive të tyre, është në përputhje me vetëdijesimin sipëror për rolin e dijes në shoqërinë moderne. Për këtë, gjykimi për të vërtetën historike fiton peshë jo vetëm në rrafshin shkencor, por edhe në atë praktik, në jetën e përditshme, në funksion të formimit e maturimit si qytetar.

Bashkekzistenca e konceptit sipëror mbi vlerat dhe të vërtetën historike, ndërkohë pret të përballet me të vërtetën plebiane (i imponuar në masë të madhe nga ai i Zadrugës sllave, jo rrallë edhe i ambalazhuar me petkun e vulën e Akademisë!
Mundësinë për vendosjen në vend të dinjitetit dhe rishkrimin e historisë në përmasat e saj reale, bazuar në metodologji të rreptë shkencore, na e kanë hapur pikërisht demonstratat e vitit 1981. Ato ishin gurthemeli i kryeveprës politike të organizatave klandestine, që do të kurorëzohej me themelimin e UÇK-së.

Demonstratat e 81-it, si për nga plotënia e formës, ashtu edhe për nga përmbajtja, ishin një kryevepër e mendimit politik shqiptar. Ato, prandaj, shënojnë epokë. Demonstratat e pranverës së vitit 1981 e shndërruan Kosovën gradualisht në një Armegadon biblik, ku kulmoi ballafaqimi i së keqes me të mirën. Një fjalë e urtë malazeze thotë: “Nuk bie bora për të mbuluar bregun, por për të zbuluar bishën”.
Në Kosovë më 1981, bashkë me zbulimin e bishës ranë edhe maskat e kolaboratorëve.

Demonstratat e vitit 1981 ishin me këtë përmasë historike, meqë në thelb kishin vrullin e ndjeshëm dhe energjik, që filozofët realë do t’i krahasonin me kryeveprat e mendimit klasik grek, që kombinonin imagjinatën rinore me burrërinë e logjikës.
Unë i cilësoj demonstratat e 1981-it dhe atë brez të rinisë, si manifestim historik par exelence, duke e identifikuar atë me frymën e vitit 1968 që ka dominuar Europën, dhe që e shndërroi brezin në pjesë të homopolitikusit modern.

Kolaboratorët shqipfolës kishin përvetësuar shumëçka nga filozofia politike e Bizantit, prandaj ata edhe sot potencojnë formën e Autonomisë, duke e lënë nën hije përmbajtjen. Këtë fenomen e kishte vënë re mirë Arbën Xhaferi, kur shkruan: “Demonstratat e vitit 1981 në Kosovë shpërthyen, ngaqë autonomia ishte formale, e dedikuar për nomenklaturën politike, për oligarkinë komuniste dhe nuk kishte shtet të vërtetë”. [A. Xhaferi, vepra 1, f. 36]

Në gjuhën frënge ekziston një togfjalësh i veçantë, që kam dëshirë ta ndërlidh me brezin e vitit 1981: “noblesse obligo”. Duket se historia ia kishte ngarkuar rinisë fisnike të 1981-it atë barrë të madhe, që ajo e kreu me sukses: ndarjen e epokës, shënimin e kthesës së madhe historike, prej nga nuk kishte më kthim prapa. Ky ishte kufiri që ndante politikat kolaboracioniste të Kosovës me një filozofi tjetër të të menduarit e të vepruarit, për të rezultuar pastaj në një formë shumë konkrete të rezistencës, që prodhoi Ushtrinë e lavdishme Çlirimtare të Kosovës.
Ky brez dhe ai që do të pasojë, do të jenë bartësit e aktivitetit politik të organizatave klandestine, që u kurorëzua me themelimin e LPRK-së, dhe më pas të UÇK-së – këtë binom politiko-ushtarak, që do t’i sjellë tok me NATO-n, edhe lirinë e gjakuar kësaj pjese të atdheut tonë, duke imponuar zgjidhjen politike të Republikës së dytë shqiptare në truallin dardan si hap drejt bashkimit në trajtën e Federatës shqiptare.

Europianeizimi i Kosovës është proces i pandalshëm: ai do të bëhet, para së gjithash, në planin formalo-juridik, çka nënkupton se do të fillojë funksionimi i shtetit të së drejtës. Rrjedhimisht, përfitues do të jenë të gjithë qytetarët e Republikës, natyrisht edhe ish- kolaboratorët dhe familjet e tyre, meqë në Kosovë do të promovohen gjithnjë e më shumë vlerat e qytetërimit europian, pjesë e së cilës jemi si Komb.

Në prag të këti përvjetori jubilar, më 14 shkurt, Kosova riktheu dinjitetin e qytetarit në themelet e mendimit politik dhe politikbërjes. Ky rikthim i politikës tek etika dhe dinjiteti, është i ndërlidhur gjithësesi edhe me frymën e “Brezit të Republikës” – atë të 1981-ës.

Postimet e fundit !