Histori

Prof. Asoc. Dr. Bernard Zotaj: Arti ushtarak i Gjergj Kastriotit – Skënderbeut

Arti ushtarak që ndërtoi dhe përpunoi Skënderbeu në procesin e zhvillimit të luftës, parashikonte parime, forma, metoda të një lufte të rregullt, zhvillim të betejave në fushë të hapur, si dhe parimet, format e metodat e luftës guerile. Ky karakter i artit ushtarak i ndërtuar prej Skënderbeut ishte kusht i domosdoshëm, sepse ndryshe nuk mund të arrihej fitorja kundër Perandorisë Osmane me superioritet të madh forcash e mjetesh, e që zotëronte artin ushtarak më të përparuar të kohës. Arti ushtarak i Skënderbeut përcaktoi drejt raportin ndërmjet njeriut, terrenit, fortifikimit dhe armës. Shkaku kryesor i fitores ishin luftëtarët shqiptarë, shpirti i atdhedashurisë, heroizmi masiv dhe vendosmëria e tyre për të përballuar çdo sakrifice. Ishin luftërarët siç e pohojnë vetë osmanët, si diva me natyrë çeliku kishin lindur për të mos u përulur. Ishin forca dhe trimëria e luftëtarëve të Skënderbeut, të cilët si tigra kthetër – fortë dhe luftarak luftonin edhe me retë që u kalonin sipër tyre. Edhe luftëtari me i dobët i tyre ishte nga më trimat e fushës së luftës. Duke vlerësuar rolin e faktorit njeri, si faktorin parësor që përcaktoi fitoret e mëdha të shqiptarëve, në të njëjtën kohë ne evidentojmë rolin shumë të rëndësishëm që ka luajtur terreni, malet dhe kështjellat e papushtueshme, të cilat u bënë baza të fuqishme strategjike.

Skënderbeu vlerësoi dhe e përshtati mjaft mirë terrenin malor të vendit, si një faktor objektiv të rëndësishëm për zhvillimin me sukses të luftës. Karakteristikat e terrenit të thyer malor, natyra e tij e pyllëzuar, njohja e tij e mirë dhe përdorimi i këtyre në interes të luftëtarëve shqiptarë i krijoi shumë të papritura ushtrisë osmane. Skënderbeu përdori me zgjuarsi, efikasitet, trimëri e vendosmëri kështjellat shqiptare të kohës. Ato, të vendosura gjatë vijës së kufirit dhe në thellësi, gjatë rrugëve të komunikimit u bënë hallka shumë të rëndësishme në sistemin e mbrojtjes së vendit. Kështjellat u bënë bazat e përshtatshme strategjike për strehim dhe për të ndërmarrë nga ato goditje të fuqishme kundër armikut. Kështjellat dhe zonat malore u bënë bazat kryesore të furnizimit për luftëtarët e Skënderbeut. Në këtë mënyrë masivet e larta malore u bënë për Skënderbeun jo vetëm baza të përshtatshme ushtarake nga të cilat sulmonte dhe dëmtonte armikun, por edhe baza të fuqishme ekonomike. Në kushtet e një lufte të gjatë kundër një armiku më superior në forca e mjete, Skënderbeu zgjidhi drejt çështjen e furnizimit të ushtrisë, si një nga problemet më themelore të strategjisë. Ai dhe komandantët e tij vlerësuan dhe gërshetuan në mënyrë më të drejtë burimet e rëndësishme të furnizimit të ushtrisë që ishin: ekonomia e vendit, plaçka e luftës dhe ndihma e jashtme. Këto faktorë i siguruan ushtrisë furnizim të pandërprerë gjatë gjithë kohës së luftës. Ende deri më sot nuk gjendet asnjë dokument, edhe nga historianë osman, që të thuhet se ushtria e Skënderbeut u gjend pa ushqime, pa pajisje dhe pa armatime. Ka shumë të dhëna e dokumentare të historianeve që vërtetojnë masat e mira të Skënderbeu që kishte parashikur dhe merrte për furnizimin e ushtrisë së tij.

Skënderbeu bëri beteja mësymëse masive

Luftërat shqiptaro-osmane në shek. XV, në tërësi zgjati për shumë vite. Në çdo fushatë ushtria osmane shpartallohej dhe thyhej për një kohe relativisht të shkurtër. Fushatat zgjasnin nga disa ditë deri në disa muaj. Forma më kryesore e luftës për thyerje e fushatave osmane nga Skënderbeu u konsiderua mësymja. Ajo realizohej në shkallë strategjike duke kryer beteja mësymëse masive, si në Torvioll, në Albulenë, në Fushë-Prezë etj. Por zhvillohej dhe në shkallë taktike nëpërmjet sulmeve e goditjeve të befasishme. Mbrojtja ishte pozicionale, e cila u realizua me shumë sukses në mbrojtjen e kështjellave. Deri diku dhe mbrojtja e manovruar në terren malor, si dhe shumë pak gjatë luftimeve me front të rregullt. Fushatat osmane ndërmerreshin me forca relativisht jo shumë të mëdha. Ushtria e Skënderbeut i shpartallonte në afërsi të kufirit. Ai zhvillonte beteja të rregullta fushore, sulme, pritave e goditjeve të befasishme. Ai mbështetej në kështjella që ishin në brezin kufitar dhe që mbulonin drejtimet më të rëndësishme të hyrjes së forcave osmane në territorin e Shqipërisë. Ndërsa fushatat osmane me forca të mëdha, ushtria shqiptare u detyrua ti shpartallojë në thellësi të vendit. Kundër tyre ndërmerreshin prita e goditje të befasishme si dhe zhvillonte luftë guerile në prapavijat e territoreve të pushtuara. Skënderbeu kombinoi me mjeshtëri luftimet mbrojtëse të realizuara me forca të pakta të kështjellave me luftimet mësymëse. Veprimet luftarak të forcave kryesore jashtë kështjellave bënin që të krijoheshin kushtet për të kaluar në mësymje të përgjithshme. Mësymja përfundonte me ndjekjen e armikut të rraskapitur e të dëmtuar dhe në shpartallimin e tij nga krahinat ku kishte depërtuar.

Në 25 vitet e luftës shqiptaro-osmane, të udhëhequr nga Skënderbeu, vetëm katër fushata të mëdha osmane me forca 50-150 mijë mundën të futeshin në thellësi të vendit tonë dhe të dilnin para portave të Krujës. Këto ishin fushatat e viteve 1450, 1457, 1466 e 1467. Të gjitha të tjerat Skënderbeu i shpartalloi në brezin kufitar, pa i lënë kohë osmanëve të futeshin në thellësi të vendit. Në këto kushtet ju kushtua rëndësi organizimit dhe kryerjes me sukses të manovrës në shkallë strategjike. Skënderbeu ishte i paparashikueshëm në artin e manovrimit të ushtrisë. Manovra e guximshme dhe e shpejtë u bë faktor shumë i rëndësishëm për të përballuar dhe asgjësuar forcat e mëdha të armikut, që shumë herë mësynin edhe në disa drejtime. Manovra u bë element parësor duke zbutur raportin e forcave dhe të mjeteve, e duke krijuar përshtypjen te osmanët sikur ushtria shqiptare vepronte me forca të shumta. Me anën të manovrës u arrit të krijonte balancimin në forca e mjete ose epërsi taktike. Sukses i manovrës prej ushtrisë së Skënderbeut u favorizua dhe nga kalorësia e lehtë, gjë që i dha shpejtësinë dhe lëvizshmërinë. Shpejtësia e kalorësië që arrinte deri në 80 km në ditë, krijonte lehtësi për fshehtësi, befasi në veprimi dhe për mashtrim të armikut. Kështu u bë e mundur që ushtria shqiptare të realizojë me sukses manovra të thella strategjike, ku spikat qartë në betejën e Albulenës. Kjo manovër dallohet rrënjësisht nga manovrat e kufizuara dhe të ngathëta të ushtrive të vendeve të tjera, të cilat kryesisht realizonin një manovër të shkallës taktike.

Komandant dhe strateg në fushën e artit ushtarak

Detyrë e rëndësishme e strategjisë ishte dhe krijimin e përdorimi i rezervës. Skënderbeu këtë detyrë e lidhi ngushtë me parimin e kursimit. Në zbatimin të këtij parimi ai mbajti parasysh nevojën e ruajtjes dhe të ripërtëritjes së forcave për të përballuar luftërat e pareshtura, me të cilat po ndeshej populli shqiptar. Duke vënë në themel të strategjisë së tij synimin, që me forca të pakta të mund një armik më të madh në numër, Skënderbeu formuloi parimin se fitorja nuk varet nga numri i ushtrisë. Zbatimi i këtij parimi në kushtet e vendit tonë ishte një domosdoshmëri objektive, që vinte si rrjedhim i pabarazisë së dukshme midis forcave shqiptare dhe atyre osmane. Fitoret e 25 betejave të mëdha dhe e sa e sa luftimeve të tjera deri te fushatat në Itali, e ngrenë figurën e Skënderbeun. Ai për kohën, nga mjaft studiues qëndron mbi shumë komandantë e strategë të tjerë të mëdhenj në fushën e artit ushtarak. Atë e vendosin për kohën pararendës novator. Strategjia e përdorur nga Skënderbeut bëri që të vlerësohet drejt sasia dhe cilësia e ushtrisë. Skënderbeu për këtë qëllim, rriti efektivat e ushtrisë dhe brenda mundësive që lejonin kushtet e vendit, vëmendje të veçantë i kushtoi përmirësimit të vazhdueshëm të cilësisë, si në pikëpamje të cilësive morale ashtu edhe të aftësive taktiko-profesionale. Nëpërmjet zbatimit me krijimtari të këtyre detyrave të strategjisë në fushën e luftës, Skënderbeu dhe ushtria e tij u ndeshën dhe fituan kundër dy sulltanëve më të mëdhenj të perandorisë osmane. Skënderbeu si komandant i talentuar dhe i përmasave strategjike, ishte dhe luftëtar trim, i pajisur më virtyte të larta njerëzore. Gjithmonë ai gjendej mes komandantëve dhe luftëtareve të tij, duke qenë për ta edukator, shok dhe bashkëluftëtar. Në fushën e betejës hidhej në sulm dhe luftonte si luftëtar i thjeshtë. Ishin këto cilësi që e kishin bërë Skënderbeun të dashur për luftëtarët e ushtrisë së tij dhe një shembull të lartë për të gjithë komandantët.

Zhvillimi i taktikës nga Skënderbeu u bë paralel me përsosjen e organizimit dhe të armatosjes së ushtrisë, me rritjen e përvojës së luftëtarëve të tij dhe me pikësynimin që ti kundërvihej me sukses në fushën e luftimit taktikës që përdoret armiku. Gjatë përpunimit të saj Skënderbeu ka meritën e madhe si ai në fushën e stërvitjes u shndërrua në një instruktor, duke e bërë mjeshtërinë e tij luftarake pronë të luftëtarëve. Në interes të zhvillimit të taktikës, Skënderbeu i kushtoi kujdes pajisjes së ushtrisë me armatimin e kohës, duke përfshirë dhe armët e zjarrit. Ai nuk i nënvleftësoi as mjetet e thjeshta duke qenë dhe në këtë fushë novator. Gurëhedhësi, i përdorur për herë të parë në Krujë, duke shkaktuar rrëmujë e panik në formacionet armike, ka hyrë në historinë botërore si gurëhedhësi shqiptar. Skënderbeu zotëronte tërësisht fushën e betejës, duke gjetur për çdo situate zgjidhjen më optimale e në përshtatshmëri me situatat. Urdhrat e udhëzimet e tij në momentet më të vështira të luftimit, i frymëzonin luftëtarët e tij dhe vinin në lëvizje formacione të tëra.

Parimi i asgjësimit të armikut pjesë-pjesë, ishte në themel të taktikës së Skënderbeut, si e vetmja taktikë e drejtë për të korrur fitoren kundër një ushtrie agresore, me epërsi në forca dhe mjete. Skënderbeu, për të zbatuar këtë parim në fushën e luftimit, zbatoi me mjeshtri sulmet e befasishme dhe të shpejta të reparteve të vogla e duke goditur armikun ditën dhe natën, në çdo orë e kohë. Me taktikën e larmishme synonte copëtimin e formacioneve të armikut, veprimet diversioniste brenda në kampet e tij, goditjen e karvanëve të furnizimit etj. Metoda e asgjësimit të armikut pjesë-pjesë ishte e lidhur ngushtë me përqëndrimin e forcave në drejtimet më të rëndësishme, që i jepte mundësi ushtrisë shqiptare ti godiste formacionet e armikut në pikat më të dobëta dhe tu jepte atyre një goditje fillestare të fuqishme, duke krijuar në këto drejtime epërsinë e nevojshme taktike.

Skënderbeu ishte novator

Studimi i përvojës së formacioneve të luftimit të ushtrisë shqiptare tregon për novatorizmin e madh të Skënderbeut. Ndryshe nga ushtritë e vendeve mesjetare, formacionet e luftimit të ushtrisë shqiptare nuk qenë të mbërthyera në skema fikse, të ngushta e shabllone, dhe ndryshonin nga një luftim në tjetrin. Këto dhe një tërësi parime të tjera si: manovra e forcave dhe e mjeteve me luftim, mjeshtëria në bashkërendimin e veprimeve luftarake ndërmjet këmbësorisë e kalorësisë, si dhe nëpërmjet skalioneve e grupimeve; shpejtësia, befasia dhe shpirti i nismës; tërheqja e armikut në kurthet e mashtrimit; shfrytëzimi i natës dhe i motit të keq, krijuan terren për larmi, dinamizëm, elasticitet dhe krijimtari në veprimet e shkallës taktike dhe i dhanë luftimit karakter vendimtar. Skënderbeu u tregua novator dhe në kushtet e luftimit mbrojtës. Ai nuk vepron sipas rregullave fikse e shablloneve që përdoreshin në atë kohë për mbrojtjen e kështjellave, duke i mbyllur të gjitha forcat brenda tyre. Ai brenda kështjellave vendosi forca të pakta, duke mbajtur forcat kryesore jashtë tyre, me detyrë të sulmonin armikun dhe të lehtësonin mbrojtjen e kështjellave, metodë kjo e bazuar në parimin “mbrojtje duke sulmuar”. Zbatimi me vendosmëri i këtij parimi mundësonte rraskapitjen, konsumimin e asgjësimin e forcave të rëndësishme të armikut dhe krijimin e kushteve të favorshme për të zhvilluar me sukses mësymjen e përgjithshme.

Analiza e luftërave dhe betejave të zhvilluara tregon qartë se Skënderbeu duke qenë njohës i thellë i artit ushtarak, kombinoi me mjeshtëri luftën e rregullt me luftën guerile. Gjykim realist jep për këtë çështje specialisti i fushës ushtarake, teoricien i artit ushtarak të shek. XVIII, gjenerali Anglez Xhejms Uollf. Do të ishte një punë e paçmueshme, shkruan ai, po të mund të sigurohej një përshkrim i mjaftueshëm i veprave të Skënderbeut, sepse ai shkëlqen midis të gjithë gjeneralëve, si udhëheqës i një ushtrie të vogël mbrojtëse. Teoricieni anglez, i cili ngre heroin tonë mbi të gjithë gjeneralët e kohëve të vjetra dhe të reja, ishte kryesisht i interesuar për veprat e një udhëheqësi të një lufte të rregullt se sa të një komandanti të çetave partizane. Skënderbeu ishte një mjeshtër i madh i luftës në prita, por në të njëjtën kohe ai ishte dhe një strateg po kaq i shquar i luftës së rregullt. Skënderbeu ishte strateg dhe komandant ushtarak që të gjitha aftësitë dhe energjitë e tij i vuri në shërbim të detyrës themelore të kohës, çlirimit dhe mbrojtjes së vendit nga fuqia më e madhe e kohës, Perandoria Otomane. (Gazeta “DITA”)