Shqipëria/Aktualitet

Prend Buzhala: Poezia e burgut në demo(n)kraci

O JU GJYQE E TI SHTET, MOS I BESONI POEZISË
(Ese me shkas), 1
Poezia dhe burgu! Sa trajtesa janë bërë deri më tash (me qindra e mijëra sish) për burgosjet e shkrimtarëve nën diktaturë.
A burgoset në demokraci shkrimtari që shkruan poezi?!
Ndodh të vijë nga mërgata në pushime, boton një libër “problematik” dhe ndalohet, arrestohet e burgoset!
Sipas Klan Kosova, thuhet: “Është arrestuar poeti nga Kosova, Gjin Morina, gjatë ditës së shtunë, pas publikimit të veprës ‘Bubullimë në shpirt’. Sipas njoftimit të policisë, i njëjti akuzohet se ky përmban gjuhë të urrejtjes fetare. Me këtë rast, njësitet policore i kanë sekuestruar atij edhe disa libra, njofton Klan Kosova.”
Mund të mos pajtohemi me shkrimtarin (Gj. M.), mund të mos na pëlqejë poezia e tij, mund të kemi qëndrime të rrepta kritike për krijimtarinë e tij, por askund në botën demokratike gjyqet e burgjet nuk janë vende ku mund të vlerësohet e dënohet krijimtaria!!! Madje, Kosova, duke qenë një vend demokratik e i hapët, është në gjendje të pranojë edhe afganë “problematikë”, dhe nuk paska hapësirë për Fjalën e Lirë sado e helmët a e “pistë” të jetë ajo?!!!
1.
Më kujtohet, menjëherë pas luftës, rrugëve të Prishtinës shiteshin libra të shokut Enver Hoxha. Vërshuan ato, rrugëve të Prishtinës, siç vërshojnë sot rrugëve të afganëve të ikur, sivëllezërit e tyre me armët në krah, pasi as sovjetikët e as amerikanët nuk ia dolën me ta! Nëse duan, mund t’ia dalin vetë afganët e askush tjetër.
Dhe, në një këso situate të pasluftës, u gjenda edhe vetë: midis dy eksponentëve: një demokrati që dëshironte t’i shqyente e gjuante ato libra publikisht, t’i pengonte të mos shiteshin, dhe tjetri që me çdo kusht dëshironte t’i blinte dhe shitësi, normalisht, t’i shiste. “Demokrati” më pyet: “Profesor, a kam të drejtë që nuk dua t’i shoh me sy këto libra? I them: “Jo, nuk ke të drejtë. Sepse demokracia e lejon, dhe ai që e blen, e blen, nëse nuk të pëlqen, mos e blej e as mos e lexo. Koha vetvetiu i hedh anash, i lë aty ku e kanë vendin. Ndalimet si nën regjimet serbo-jugosllave, vetëm sa iu dhanë më shumë zë. E tash, në demokraci, as që ia vlen të shtyhemi për to.” Edhe sot në Tiranë botohet libri “Mein kampf” i Hitlerit, shitet nëpër libraritë e Prishtinës. Botohen libra për Ahmet Zogun që bashkëpunoi me Beogradin e madje edhe libra për heronjtë që Beogradi i shpalli “narodni heroji”, si Enver Hoxha apo Fadil Hoxha. Asnjëri nuk e mohoi atë titull prej “heroi” dhuruar nga Beogradi partizan, siç bëri, bie fjala, ndonjë shkrimtar a akademik yni që i ktheu mbrapshtë titujt e çmimet e larta serbe. Kurrgjë kurrkujt.
2.
Por t’i kthehemi temës. Në demokraci, në daç edhe nën diktaturë, prokuroritë e gjyqet nuk janë “kompetente” ta shqyrtojnë ironinë e shkrimtarit. Le të mësojnë, së paku, sa gjimnazistët, se ç ‘është ironia.
Le ta shfletojnë Fjalorin: në Letërsi: (sipas Fjalorit) ironia është “Figurë stilistike, me anë të së cilës shkrimtari, duke u dhënë fjalëve, shprehjeve etj. një kuptim të kundërt nga ai që kanë në të vërtetë ose duke bërë sikur pranon të kundërtën e asaj që mendon, përqesh e vë në lojë dikë a diçka. Përdor ironinë.”
Kjo do të thotë pra, që ironia shpreh KUPTIMIN E KUNDËRT. Po supozojmë, sikur t’i drejtohet një poezi E.H. dhe ironia e thotë të kundërtën e saj? Pra, poezia u pajtuaka qind për qind me gjykatësin!!!? Eh, por gjykatësi, si “kompetent letrar”, e merr në kuptimin e drejtpërdrejtë. Sepse ata nuk e kuptojnë gjuhën e figurshme. As metaforën apo ironinë.
Në fakt, ajo poezi është ironi (pra, jo sharje, por me kuptimet e kundërta), poeti i mashtron lexuesit… me anë të figurës… se poezinë dinë ta lexojnë lexuesit e jo gjyqet… Dhe thuhet në letërsi: sa lexues aq lexime e kuptime. Dhe nëse njëqind lexues kanë njëqind mendime për të kuptuarit e poezisë, atëherë cilin duhet ta marrë si “të vërtetë” prokurori a gjykata?!
Kurrkund në botën demokratike, poetët nuk thirren në gjyq. Me pasë qenë artikull gazete, është tjetër punë, por kurrsesi poezia nuk është dëshmi për gjyq.
E ku, në botën demokratike, poezia qenka dëshmi për gjyq?!
Poezia është IMAGJINATË krijuese, pra, jo DËSHMI, jo realiteti vetë. Imagjinata i takon krijimtarisë.
Poezia nuk e ka statusin e të besueshmes në gjyq, nuk e ka numrin e letërnjoftimit, as numrin e regjistrimit të Librit Amë.
Letërsia është e regjistruar te libri amë fiktiv, nuk ekziston askund, as me këta numra e as me këtë emër…ekziston vetëm si IMAGJINATË. Si libër i botuar që lexuesi e pranon ta lexojë ose nuk e pranon për lexim, ose e shikon indiferent.
Është e kotë që poeti a shkrimtari ta bindë policinë apo prokurorinë për të vërtetën, sepse asaj të vërtete letrare nuk i beson gjyqi. As kur i përshkruan zyrat e shtetit apo vizitat enigmatike nëpër hotele; as lutjet e blasfemitë nëpër tempujt fetarë. Shkrimtari futet (me imagjinatë) pa u vërejtur gjithkund: futet te dera kryesore e shtetit, nuk pyet për rojet, për sigurimin, policët dhe zyrtarët. Futet edhe nëpër planetët tjerë. Fluturon nëpër universe. Sikur fare nuk shpreh respekt për publikun. As për shtetin, as për institucionet e tij. Vetë shkrimtari thotë: shpeshherë letërsia po më del prej dore.
Letërsia është produkt imagjinate. Nuk keni se si t’i besoni!
Te një poezi imja, po shkëpus këto vargje:
(Poezia është produkt imagjinate,
mos i besoni,
E, në mungesë të identitetit të saj shtetëror,
në mungesë të regjistrimit te Zyra Civile,
në mungesë të betimit para gjyqtarit,
se do ta thotë vetëm të vërtetën
s’mund të bëjë asgjë.
E, për ironi: nuk e ka statusin e të besueshmes.)
(…)
Pash të madhin Zot,mos i besoni as kësaj poezie:
ajo përdor fjalë-maska, fjalë-figura, alegori, ritme
Ajo është maestro e maskimeve,
Edhe po i hoqi ato, mos i besoni, ajo është e pabesë.
E, nëse mashtroheni nga poezia, dijeni,
është njësoj, si të joshesh nga sirenat armike,
dhe të dërgojnë në fund të pusit a në fund të detit:
aty bëhesh ushqim për njerëzit-peshkaqen,
për kafshët e egra të administratës publike.
E, në mungesë të identitetit të saj shtetëror, në mungesë të regjistrimit të letërsisë te Zyra Civile, në mungesë të betimit para gjyqtarit, se do ta thotë vetëm të vërtetën, s’mund të bëjë asgjë.
E, për ironi: nuk e ka statusin e të besueshmes.
Të tri palët i dëgjoi shkrimtari: ne jemi roje, ne e ruajmë popullin!
Ndërkohë, të tri institucionet (shteti, hoteli dhe tempulli fetar), e regjistruan ngjarjen …
Shkrimtari vetëm mund t’i lexojë (me imagjinatë krijuese) Dosjet e Fshehta në të tri vendet…
4.
Poeti përplot ironi thotë: mos i besoni kësaj poezie, edhe nëse nuk ka metafora e semantikë. Nëse i besoni se mund të shkojë në planetët tjerë, apo se e ringjall ndonjë diktator që ka vdekur qe disa dekada, atëherë, e paçi veten në qafë. Shkrimtari ju ka mashtruar: ju jeni bërë me të, qofshi edhe armiq të tij! Mund ta dënoni poetin dhe padashtas, ju jeni të burgosurit e tij.
Ai që nuk i beson (në realitetin objektiv) fluturimit në planetët tjerë a nëse i beson ringjalljes së diktatorit (sipas ndonjë Libri të Anti-shenjtë), nuk ka nevojë të ndërmarrë as gjyqe e as dënime.