Prend BUZHALA:
MIGJENI: MËSUESI DHE POETI
(Fletëza migjeniane), 2
Migjeni ishte mësues.
Mësuesi ishte edhe poet.
Cili është rrëfimi më i njohur i Mësuesit shqiptar?
1.
Unë po e veçoj rrëfimin e Migjenit mësues për Lulin e Vocërr:
“Askush s’e njef Lulin. As shokët e tij, që përpara tij lozin, nuk e njofin. Ma mire me thanë se e njofin, por ata lozin për hesap të vet e Luli i shikon për hesap te vet. Sot gjithkush ka punet dhe telashet e veta, ashtu dhe fëmijtë, ashtu dhe Luli. More Lul! Shumë heret ke fillue me shikue punën tande!
Kur Luli hyn n’oborr të shkollës, buza i qeshet nga pak, por askuj, asnji fjalë s’i thotë. Ecë ngadale, tue shikue djathtas e majtas, po gjithnji tue ecë deri sa të mbrrijë në cak të vet. Aty, te dera e rruginës shkollore, shumë i pëlqen të qëndrojë. Aty asht caku i tij, i praruem me rrezet e ngrofta të diellit në këto ditët e vjeshtës. Mbështetet Luli për mur, grushtat e vogjël i shtje ndër xhepa, hundën picrroke të kuqun nga të ftoftit e mëngjesit ja sjell diellit dhe…shikon. Gjaja që ma tepër tërhjek vëmendjen janë çizmet që i kanë të veshun disa shokë të tij. Sa te bukura janë! Si shkëlqejnë! – mendon Luli dhe pa dashtje i shkojnë sytë ndër tullumbat e veta, nëpër të cilat shifen fare mirë të pesë gishtat e kambëve të zbathuna. Nga kurreshta i afrohet nji shokut që ka çizmet ma të reja. Ulet dhe shef në lustrin e çizmes kambët e veta të zbathuna – aq shumë shkëlqejshin çizmet!!! Mbasi shoku me çizme fluturoi, Luli ngadalë shkoi te caku i vet, në diell, t’i ngrohi kambët. – Por kur s’ka diell, si ia ban i shkreti Lul? Ndoshta ia bajnë hallin apostujt e mëshirës dhe të dashunis… Noshta, ndoshta…
Nganjiher i afrohet mësuesi Lulit. Dhe kur Luli e ka ftyrën e dlirë dhe pa puça, mësuesi ia ledhaton faqet, gushën, e Luli i afrohet, ja merr dorën, e shikon me sy pëllumbi, dhe kishte me dashtë t’i falë diçka mësuesit. Por vjollca nuk ka. Veç në i faltë tollumbat e veta, që kanë hapun gojën si me dashtë me e hanger mësuesin. Po, po, tollumbat e Lulit të vocërr kanë me e hangër mësuesin.”
A thua, a i ishte i vetëdijshëm Migjeni se me këtë rrëfim ai do t’i frymëzonte nxënësit e tij, brezat që erdhën më pas?
2.
Se cilat do të kenë qenë betejat e ankthit me mjerimin, me dyshimin e me peshën e rëndë të socialitetit, ai e strukturoi këtë të vërtetë nëpër krejt shkrimet e tij.
Dhe, duke e shqiptuar këtë të vërtetë, ai u bë pjesë e breznive shqiptare. Mësuesi u bë pjesa më e rëndësishme e jetës së nxënësve të tij.
Dikur edhe profetët quheshin mësues. Mësuesit e mirë janë profetë të së ardhmes.
Le ta kujtojmë edhe Guximin e Mësuesve Shqiptarë të Kosovës në gjysmëshekullit që e lamë pas: guximi i brezave të republikëbërjes që krijoi një Epokë, epokën e Lindjes së Republikës së Kosovës dhe liribërjes.
Te ky tregim i shkurtër, i shndërruar në libër-lexim tonin nacional; do ta vërejmë dashurinë e pafund të poetit-mësues për nxënësin e tij që “nuk e njeh askush”! nxënësin e pavërejtur, të cilit nuk ia lëshon sytë askush, përpos mësuesit të tij që e sheh me kujdes, e dallon në mesin e asaj turme nxënësish, tregon vëmendje e kujdes për të. E mandej nxjerr përfundime, rrëfen, shqyrton, përsiat, sintetizon… Shkruan për atë që është më i tërhequri, më i mënjanuari, mbase, më i papërfillshmi. A nuk është, ky fenomen, kaq i përhapur edhe sot: të mos i hedhim sytë nga Njeriu Ynë, nga I Riu Ynë, aq shpirtmirë?!
E po, kur do të ketë udhëtuar me biçikletën e ti nëpër territore të vështira, do ta ketë tërhequr ky ideal për arsimin dhe shkollën. Tregim-paradigmë për qasjet ndaj mësimdhënies, në përputhje me ndjeshmërinë e artit dhe të pasionit për mësimdhënie, një vetëreflektim kritik mbi marrëdhëniet mes shkollës dhe nxënësit, shoqërisë dhe fëmijës. Sa të përhapura i kemi edhe sot përpjekjet me anë trajnimesh, seminaresh, sistemesh të tëra arsimore, kujdesin ndaj shkollës e nxënësve të vegjël, dhe, si metastazë, përhapet moskujdesi ynë mizor; për të “kujdesen” që t’ia formojnë, sipas modelit të vet, edhe institucionet fetare, edhe ato ideologjike, edhe familjet. Dhe, për çudi, të gjithë heqin dorë nga fëmija i tyre: heq dorë shkolla, heq dorë familja, heq dorë shteti! Krijohet vakum: atë mund ta marrë “në dorë” rruga, shkolla “e krimit”, për ta shndërruar atë në qenie asociale.
“Por kur s’ka diell, si ia ban i shkreti Lul? Ndoshta ia bajnë hallin apostujt e mëshirës dhe të dashunis… Ndoshta, ndoshta…” Kjo “ndoshta… ndoshta…” me interpunksionin e pikave të heshtjes, është zemërplasja e mësuesit poet… retiçenca e revoltës së heshtur, të plasur së brendshmi.
3.
Kur e lexojmë RRËFIMIN e një mësuesi, në fund do ta kuptojmë të vërtetën e madhe: ai nuk e ka lëndë të mësimdhënies së tij vetëm mësimin në klasë; ai mëson gjatë tërë jetës së tij; ai ruan në thesarin e tij të përvojës rrëfime sa krenare, aq edhe domethënëse, udhëzuese për jetë, një themel për një të ardhme më të mirë. Kjo mësimdhënie e jetës është dhe mësimdhënie e vetëdijes emocionale, e nxitur nëpërmes rrëfimit të jetës: si të bëhesh qenie njerëzore më e mirë. “Përgatitu të dështosh që të mësosh”, thotë një proverb. I vetëdijshëm se, kur rrëfen, ai nuk i mëson vetëm nxënësit e tashëm por edhe të brezave që vijnë, ai e mban ndezur atë flakë mësimi e përvoje. Ai e dhuron veten për të tjerët. Dhuratë mbi të gjitha dhuratat është kjo.
Ne na mungojnë rrëfimet e mësuesve.
Do të ishin rrëfime të së vërtetës sonë të madhe e të historibërjes sonë…
E, Migjeni, për një kohë aq të shkurtër jete e pune, e dha shembullin e tij dhe tregimin e tij, i cili lexohet përtej një rrëfimi letrar, lexohet edhe si pedagogji e kohës së sotme.
Është ajo që pedagogu i njohur brazilian Paulo Freire e quante pedagogji e të shtypurve:
“Personi më radikal është ai ose ajo, që hyn në brendinë e realitetit me bindjen se mund ta transformojë atë. Ky individ nuk ka frikë të përballet, të dëgjojë, apo ta shohë botën të zbuluar. Ky person nuk ka frikë të takohet e t’i njohë njerëzit apo të hyjë në dialog me ta. Ky person nuk e konsideron veten pronar të historisë ose të të gjithë njerëzve, ose liberator çlirimtar) të të shtypurve; por ai angazhohet vetë në histori, për të luftuar në anën e tyre… Askush nuk lind i formuar plotësisht: përmes përvojës vetjake në botë ne bëhemi ajo që jemi… Vetëm përmes komunikimit jeta njerëzore mund të ketë kuptim.”
(Nga: Paulo Freire, Paulo Freire, Pedagogy of the Oppressed – Pedagogjia e të shtypurve).
4.
Porse përmasa migjeniane e Lulit të Vocërr kapërcen dimensionin epokal: “askush s’e njeh Lulin”! dhe një Lul ndodh që përmes vuajtjes së tij, nesër të shndërrohet në emër shkencëtari. Migjeni do ta ketë pasur parasysh gishtin e tij qortues: hej, ju të shtetit, kujdesuni për të varfrit, që janë edhe gjeni të njerëzimit!
Ne sot lexojmë se si fëmijët e biznesmenëve apo të politikanëve shkojnë në shkolla të zgjedhura private, por askund nuk lexojmë se në ato shkolla dërgohen nxënës të varfër e të talentuar. I dërgojnë edhe jashtë shtetit, por nuk lexojmë që jashtë shtetit dërgohet nxënësi i talentuar, që vjen nga një familje e varfër.
Varfëria qenka një mallkim për dijen!
Në rrugë do ta dallojmë fëmijën me çanta të kushtueshme, por ndodh ta shohim edhe fëmijën me qese najloni që i bart librat për në shkollë.
Do ta vërejmë fëmijën me rroba e këpucë të kushtueshme, por edhe fëmijën me rroba të lira pazari e me këpucë të shqyera.
Prandaj, për hir të dijes, shkollimi, që nga fillorja e deri në mbarim të Universitetit, duhet të jetë një arsim falas.
Socialiteti i rëndë i Lulit migjenian na është shndërruar në kompleks nacional e në fatalitet social. Ishte Migjeni ai që e quante lypësinë si gjymtim moral të shoqërisë e jo si vlerë social-etike! Madje, kur ai reflektonte me pezëm për kumbonaret e minaret që shpojnë qiellin, e dinte që as ato nuk e zgjidhin problemin social.
Kur i shpjegoja, këto, dikur gjatë viteve ’70, si pedagog në gjimnaz; realiteti ishte i prekshëm edhe në kushtet e atëhershme social politike e nacionale: Kosova ishte më e shtypura e më e varfra nën ish-Jugosllavi. Më e shfrytëzuara.
Dhe sot, kur duam të rrënojmë gjithçka të arritur, e identifikojmë këtë kohë, padrejtësisht, me atë të Lulit migjenian.
Por Luli nuk ishte lypës, ai kishte ndërgjegjen e tij sociale.
Lypësia nuk është as zakon e as shprehi jona kombëtare; ajo erdh me Perandorinë osmane, me religjionin e saj e me komunitetet nomade…
Problematika e socialitetit të rëndë që e preokupon sidomos rininë, sigurisht që përbën një shqetësim të drejtë njerëzor. Dhe shoqëror. Moralisti i (vetë)proklamuar (besimtar apo migjenian ateist) mund ta ushqejë me një darkë a drekë një “të varfër”, por kjo nuk është zgjidhja. Zgjidhjet nuk janë te një mëshirë e çastit… Prandaj ato do kërkuar te zgjidhjet shoqërore, të përbashkëta, shtetërore… Në Perëndim, bie fjala, nuk gjen lypës, (veprojnë Caritas-et, që i ushqejnë të pastrehët apo të varfrit, por vepron edhe politika sociale shtetërore që i zgjidh këto probleme)… Dhe ata mandej i strehojnë, i integrojnë në shoqëri dhe u gjejnë punë… duke bërë dhe një milion zgjidhje të tjera sociale në dobi të shtetit e kombit të tyre…
Sigurisht që kombi ynë nuk është “në atë deregje” sa të mendojë vetëm për barkun e jo edhe për bukën e shpirtit… Jemi komb që e kemi kapërcyer realitetin e rëndë të mbijetesës (mbijetesa sociale është kategoria më e ulët e socialitetit), përtej kësaj mbijetese të një realiteti banal social, krijohen vlera të tjera, që e lartësojnë potencialin krijues të një kombi, apo potencialet tjera të prirjeve (shkencore, arsimore, zhvillimore… shtetërore)… dhe sa më shumë që zhvillohen këto prirje, sa më shumë që harmonizohen mekanizmat shoqërore, kolektivë, organizativë etj, aq më mirë zgjidhen edhe problemet sociale… gjithsesi, pa e harruar dhe EDUKIMIN qytetar, solidarizues, njerëzor…
(Rishkrime, 14 tetor 2021)
add a comment