LASGUSHI: MENDJESHPIRTI DHE KOSOVA
(Fletëza lasgushiane, në 35-vjetorin e shkuarjes në amshim)
Lasgush Poradeci vdiq para 35 vjetësh, më 12 nëntor 1987. Edhe vetë Lasgushit i shkon thënia e tij: “Njerëzve të mëdhenj duhet t’u shënohet vetëm data e lindjes.” (Lasgush Poradeci). Ai na e la trashëgim të përgjithmonshëm thënien e bukur, TË MENÇUR; këtë thënie edhe sot ai na e vë në tryezën tonë të leximit. Në sa e sa thënie NJERIU I LETRAVE përgjërohet e përbetohet, aq njerëzishëm e aq devotshëm, aq hyjnishëm e aq shqiptarisht, e ku thënia na vjen si një betim mbi të gjitha betimet, mbi dashurinë ndaj kombit të tij.
Aty ku i gjen vatrat e përjetimit e të meditimit të thënies, aty ku ai edhe i krijon zjarret e brendshme të refleksionit te vatra e tillë shqiptare e vlerave, te shtëpia shqiptare e të vërtetës. Me këto dy postulate INTELEKTUALI I MIRËFILLTË, si Njeri i Letrave, e di që një komb ecën përpara: me vlerat që ai ia jep vetes me dinjitetin dhe me të vërtetën për t’u bërë komb gjithnjë e më i lirë…
Ti e shqipton Fjalën e Mençurisë: aty ku e përdallon dritën nga errësira, urtësinë nga marrëzia. E këto më së miri arrihen te bukuria e shpirtit të fjalës poetike…
1.
Vizioni poetik në thelbet e veta, shqiptohet si një ideal krijues, po edhe si ideal njerëzor. Përmasat e këtij vizioni shkojnë në thellës: kah qenia jonë e brendshme, kah qenia jonë etike dhe kah qenia jonë intelektuale. Shqiptohet si shpirt poetik. E ky shpirt poetik depërton edhe në thellësitë e shprehjes së qenies sonë krijuese, mbushullon vetëdijen krijuese me qenësinë e së bukurës. Lasgushi këndon:
Të lus, o Lajmës i qielluar!
O Frym’ e Zotit, vetë Zot!
Me hirin t’ënd të pashteruar
Që ka mburim përjetësije,
Hirplot, o Shpirt, nër gaze Ti-je.
Dhe nër mjerime je hirplot!
Dhe ftesa e krijimit poetik na drejtohet ne: secili prej nesh u dashka të mbështetet e ashtu të qëndrojë pa u lëkundur mbi themele parimesh e mbi themelin vetjak shpirtëror. Kësisoj qenia jonë mbushullohet e përshkohet nga një poezi baltimesh, lnga një frymë e shenjtë lirike, nga një këngë e shenjtë. Aty vrujojnë rrjedhat e dëlira të shkëlqimeve të brendshme, rrjedha drite, shprehje kënge e shprehje shpirti. E për Gjergj Fishtën shpirt e Shqipëri janë një, por edhe e bukura është konak i kësaj madhështie shpirti:
T’paçim, Orë, sa gjith kto male!
Morì e mbrûmja me voesë qiellit,
Morì, e njeshmja me gjith lilit,
Mirë shartue me rreze t’ diellit:
Qi m’ a ké sýnin si hýll,
Qi m’ açilë eqim’a mbyllë
Si ajo hâna neper pyllë:
Se mue shpirtin m’ a freskove,
Se mue zêmren m’ a balçmove
Me kto fjalë, moj, t’ u ngjatët jeta!
2.
Njerëzit e urtë shënojnë. E gjurma mbetet vetëm kur e shënon në letër, mu ashtu si thoshin latinët e urtë: “Scripta manent, verba volant”. Mu ashtu si mbeti proverbiale thënia e tij për Kosovën: “Do të vij një kohë, kur do të vemë në dasmë e do të urojmë: Mos e pifshim këtë gotë, po të mos bashkohemi me Kosovën!”. Lasgushi e deshi shumë Kosovën. Kosova është gjithçka për shkrimtarin dhe për protagonistët e saj. Ajo është trime dhe e durueshme, vend liridashës që nuk është dorëzuar kurrë. Kosovën e kanë sulmuar, e kanë bërë shpesh e shpesh rrafsh me tokë i kanë shkaktuar gjenocide, reprezalje, masakra, zhdukje të më të dashurve, dhunime, ia kanë prerë tokat etnike me kufij, duke e shkëputur nga trualli amë, shpesh ndoshta edhe e kanë rrëzuar e përgjakur për dhe, por asnjëherë ajo nuk është pajtuar me pushtues e dhunues regjimesh.
Kush është lulja në Ballkan
Që bota i ka sevdanë
Kosova që s’njeh sulltan
Plot difë e kapedanë.
Të sedrës e me shpirt krenar
S’durojnë cen a dhunë
Tregojnë gjoks në sulm e zjarr
Si shkaba në furtunë.
Kosova që bën sulm në zjarr
Posi dragoj me fletë,
Siç bënte sulm ngadhërimtar
Gjergj Kastrioti vetë
3.
Lasgushi është edhe poet i shpirtit, i shpirtmendjes, i mendjeshpirtit. Gjithçka çka na lidh me të tjerët, ndërgjegjshëm, mendërisht a emocionalisht a në forma tjera, qenka shpirt. Gjithçka çka na lidh me hyjnoren, të mbinatyrshmen, që e gjakon njeriu pafundësisht, qenka frymë. Pra jomaterialja, jofizikja qenka pjesë e qenies…. me anë të frymëzimit, psikes… Shpirti është esenca, thelbi, që ndërlidhet me jomaterialen e materialen… dhe sa beteja shpirtërore ndodhin brenda nesh, sa frymëzime, sa përkushtime, sa emocione fisnike aty e gjejnë vatrën e vet…
Poetët anglezë e përfytyronin muzën e tillë si një perëndeshë e bardhë, Naimi e përfytyronte si engjëll që këndon mirësinë, De Rada, si pëllumb të Anakreontit, Fishta si zanë dhe orë shqiptare. Lasgush Poradeci e përfytyronte si Zog i Qiejve:
Që nga bota njerëzore, ku këndoj me shpirtin plot,
Prit-e, prit! Se po t’afrohet Zog’i Qiejvet, o Zot!
Fal-i Këngëtor-finoshit Gas të Thjeshtë mun në gji:
Posi lot në rreze djalli ndrit-e në Përjetësi!
Secili poet ka muzën e tij dhe përfytyrimin personal për të. Është fytyra e muzave që, si imazh, jeton në kujtesën e në botën e brendshme të poetit. Është ndjesia e zjarrtë, një gjakim a pasion, një dëshirë si qenie e lartësuar. Qenia e lartësuar është e denjë të jetë në mbretërinë e përndritur të muzave. Muza është rruga a shtegu për të depërtuar te thellësitë, te thellësitë e botës së brendshme. Është përvoja e papërsëritshme e secilit krijues, kur hyn në atë shteg drite. A në thellësitë e psikes ose të shpirtit.
Ai ÇASTI kur ti je në kontakt me muzën, është diçka që “fluturon” a shkëputet nga ti, është pasqyra e shpirtit tënd. Carl Jung e quan “anima”. Është ai Çasti kur ti shikon diçka tmerrësisht të bukur, të frikshme, tmerrësisht e dashur si heshtje e frikshme
Po Fjala?
E, atëherë, cila gjuhë mund t’i zërë ato çaste?
Është gjuha e vërtetë poetike, thonë poeticienët. . Është pjesa më r mirë që poetët shkëpusin nga vetja.
Është frikshëm e bukur, e tmerrshme dhe e heshtur. Ju dëshironi që të flisni me dëshpërim, por fjalimi i zakonshëm duket i pamjaftueshëm. E vetmja gjuhë që mund të mendoni të përdorni është poezia, e cila është gjuha e vërtetë e shpirtit.
Për shkak të Fjalës jo pak poetë janë ndaluar, burgosur, censuruar e besa edhe pushkatuar!
Sa i papërmbajtshëm është poeti për t’u takuar sa më parë me këtë mbretëri drite e gjuhe! Shpirti yt gjen imazhin e vet te kjo muzë, te kjo dritë, te kjo gjuhë arti! Tashmë muza më nuk ka imazh as pamje, por vetëm një vagull drite, një shajni… muza lozonjarte ik diku a në drejtim të panjohur. E kotë ta zësh. Ajo shndërrohet në bukuri të papushtueshme, të pakapshme, të pazbërthyeshme. Ka strategji të fshehjes dhe kodet e saj ti nuk mund t’i zbërthesh. Kode misteresh.
E përsëri Lasgushi:
O gjuhë e shenjtëruar o mall me shpirt plot
o vetetim e qiellit që fërfëllon me flak
o djell e llaftaruar që ndrit si pik lot
Dhe Lasgushi ka një poezi të tërë kushtuar Shpirtit. Dhe përjetësisë.
4.
Poezia është një gjuhë e gjallë, sekret mbi të gjitha sekretet, simfoni e polifoni shpirti, … është një pikë vese e përndritjeve figurative, një shije lumturimi, një parfum jete, një lutje ëndrrash (mu aty ku thuhen gjërat më të bukura), është një DEHJE: “Poezia është një dehje e kthejlltë”, thoshin estetët e urtë indas, para sa e sa mileniumesh… në këtë univers ndjesish që i kanë burimet vetëm tek zemra, imazhesh të përdiellshme, polifonie figurative…
Në mes të një lumturi-gëzimi, sa bukur na flet me ligjërim engjëllor poetja… dhe sa përjetime të çiltra ëndërrimesh zgjojnë imazhet figurative… Arti i imazhit komunikon me atë të fjalës. Imazhi dhe Fjala janë shtrati i simboleve të krijueses… Ti do ta ndjesh trokëllimën e vargjeve lasgushiane nëpër poetët tjerë që na dhurojnë bukurinë e emocioneve, me ritëm të ngrohtë, me muzikalitet joshës, me kënaqësi estetike, me ndjesi butësie, të dashur e të shoqërueshme, me ëmbëlsi zëri e shikimi… deri te një kundrim vargjesh që depërtojnë tutje, me shkreptima metaforike në rrafshin metafizik:
Në vështrim të dorës s’ate ç’pat, o! balli që m’u vdar?
Ç’pat qepall’ e përlotur q’i ra pika tatëpjetë?-
Dor’e bryllt’ e vashës s’ime, dor’e paqme, dor’ e zbetë,
Vetëtiu me prush magjije e më bëri mendimtar.
Sa e pasur është bota e ëndërrimeve poetike e jetësore! Vegimi dhe ëndrra lozonjare luan të njëjtit kapituj, posi në jetën reale – me bukurinë e saj e me vizionin e saj; me ndjesinë e ngrohtë të dashurisë e me përkëdheljet e saj të parrëfyera magjishëm; me lirinë e shpirtit e me tingujt metaforikë të vallëzimit imagjinativ e jetësor; me rendjet e identifikimet e ndërmjetvetshme (reciproke) të protagonistëve e narratorëve të dashurisë… deri te kurora e shfaqjes së ëndrrës në jetë.
5.
Poezia e mirë, me anë të dritës së fjalës artistike, shpërthen ferrin.
Përgjithësisht artet, si piktura e poezia, janë dritare, nëpërmes të cilave kundron shpirti krijues. Drita, në këtë planet, identifikohet me Diellin.
Ndërsa poezia i jepet e tëra kësaj drite, magjepsjes së kësaj drite në çastet e përndritjes së shpirtit e të mrekullibërjes.
Këto drita të amshueshme dashurie, brenda qenies së poetit, klithin, shpërthejnë, si jehonë amshimi, nëpërmes intertekstit poetik (khajamian, vitmanian – këtyre dy ndjesi-ideale të shenjtëruara trazovaçe)
Do ta vërejmë te poezia e Lasgush Poradecit që figura e tillë e dritës, kaq e shtrirë në veprën e tij, simbolizon interakcionin (ndërveprimin) e shpirtërores me materialen, ndërveprimin e mikrokozmosit me makrokozmosin, mosekzistencë, hiç dhe art, krijim, harmoni e krijuar, e dhuruar…
Yjtë-e ndezur si fingjill,
Që vërtiten palë-palë,
Prej mosgjëje zunë fill
Plot me jetë-e mall të valë.
Zunë fill me dashuri
Që kur bota zu të ngjizet,
Pa sikush për shok të ti
Përvëlohet edhe ndizet.
Ndizet ças edhe për ças,
E si kurrë s’ka të shuar,
Pa pushim i vete pas
Me një sulm të llaftaruar.
Ose:
Kur del mi male yll’i ditës
e shuhet nata prapa ti,
Ti me vështrimin vetëtitës
Çkëlqen në fund të zemrës s’ime
Dh’i bën prej këngës së një grime
Një të përjetshme- harmoni.
E pra, mishëron ndërveprimin e botës së brendshme e të jashtme të qenies – të Njeriut dhe Hyjit.
Simbolika e dritës përbën një figurë thelbore e polisemike të poezi veçanërisht, e në letërsi përgjithësisht, që ndërlidhet me aq e aq shumë elemente narrative, me aq e aq përbërës të tjerë brenda strukturës tekstore.
(Rishkrime, 12 nëntor 2022)
add a comment