Lëvizja\UÇK

Organizata e Dëshmorëve: Kuvendi i VII i OKDA të Republikës së Shqipërisë

KUVENDI VII I OKDA TË SHQIPËRISË
Sot në sallën UNESCO të Muzeut Historik Kombëtar në Tiranë, u mbajt Kuvendi i VII i OKDA të Shqipërisë.
Nga organizata jonë, ishin të deleguar nënkryetari Bardhul Toda, dhe sekretarja Roalnda Suli.
Në këtë konferencë u mbajt raporti i punëve të kryera nga konferenca e kaluar deri më sot, raport i mbajtur nga kryetari Dr. Gjergji Velo.
Më pas u mbajtën dhe raporte të tjera, u bënë përshëndetje dhe u diskutuan mendime të ndryshme.
Për të pasqyruar shkurtimisht punën e OKDA Elbasan, u ngarkua nënkryetari Bardhul Toda, diskutim të cilin po e pasqyrojmë më poshtë.
Të nderuar delegatë, e nderuar kryesi, të nderuar të ftuar!
Ndjehem i nderuar të jem këtu mes jush, dhe shumë më i nderuar të mbaj një raport të shkurtër, ku përmblidhet puna e OKDA Dega Elbasan.
Organizata jonë, e drejtuar me dinjitet nga Xhuljeta Graceni, gjatë periudhës midis dy konferencave, duke ndjekur me vëmendje udhëzimet e kryesisë së përgjithshme të OKDA, bazuar dhe në statutin e saj, ka qenë promotore e organizimeve të veprimtarive, kushtuar Dëshmorëve të LANÇ, dhe Dëshmorëve të tjerë të Elbasanit.
Në këtë fushë organizimi, puna kryesore dhe përkushtimi ynë, ka qenë përcjellja tek brezi i ri, ndjesia, vlera dhe rëndësia që ka nderimi i Dëshmorëve të Atdheut të çdo periudhe, si vlera dhe testamenti më i rëndësishëm i identitetit tonë kombëtar.
Në veprimtaritë tona në shkolla, vëmendje e veçantë iu kushtua përvjetorit të 75 të çlirimit të Atdheut, duke krijuar një bashkëpunim dhe mbështetje nga Bashkia Elbasan, Këshilli i [qarkut Elbasan dhe Institucioni i Prefektit të Qarkut Elbasan, pa e shkëputur këtë bashkëpunim me Zyrën vendore Arsimore dhe Qendrën Kulturore për Fëmijë Elbasan.
Në programin e hartuar në këtë kuadër, baza kryesore ishte tematika e LANÇ dhe e Dëshmorëve të kësaj lufte, duke nxitur edhe krijimet e reja artistike të vetë nxënësve, me tematikën e mësipërme.
Këtij programi në një pikë të tij, iu bashkua edhe tematika nga Lufta e Kosovës dhe figurave kryesore të saj, dhe tërësinë e këtyre veprimtarive, e organizuam në formë konkursi, për të rritur aktivizimin e nxënësve dhe përgjegjësinë e tyre.
Këto veprimtari u zhvilluan në të gjitha shkollat 9-vjeçare të qytetit, në shkolla të mesme, pa u shkëputur nga shkollat e Njësive Administrative jashtë qytetit, që mbulon Bashkia Elbasan.
Veç kësaj, puna jonë ka qenë aktive në datat përkujtimore të rënies së Dëshmorëve të LANÇ, si Xhaferr Hakani, Kozma Naska Hero i Popullit, Thoma Kalefi, Jorgji Dilo etj.
Me propozim dhe nxitje nga OKDA Elbasan, dhe veçanërisht të kryetares Xhujeta Graceni, familjeve elbasanase me nga 2 dhe 3 dëshmorë, u është dhënë vlerësimi i lartë “Mirënjohja e Qarkut Elbasan”, si familja Myzyri dhe familja Kongoli me tre dëshmorë, familja Mitarja, familja Misiri, familja Kotherja dhe familja Bajraktari, me nga dy dëshmorë, etj. Gjithashtu, po në këtë vazhdë, me të njëjtin përkushtim dhe këmbëngulje, për Dëshmorin doktor Xhaferr Kongoli, ish kryetar i KNÇL Elbasan, për dëshmorin Fetah Ekmekçiu, ish anëtar i KPNÇL, për doktor Petraq Popa anëtar i KNÇL dhe me shtëpi bazë të LANÇ, për studiuesin, përkthyesin dhe shkrimtarin Nasho Jorgaqi, si dhe për studiuesin Besim Shyti, që në vëllimet e tij Zambakët të Lirisë, u ka kushtuar vëmendje të veçantë dëshmorëve elbasanas, Këshilli i Qarkut Elbasan, u ka dhënë një tjetër vlerësim të lartë, Nderi i Qarkut Elbasan.
Një veçanti ideore nga organizata jonë është edhe organizimi i veprimtarive në shkollat e Bashkisë Elbasan, me moton: “Dëshmorët për Dëshmorët”, që ka qenë shumë e suksesshme, por që për shkak të pandemisë, është kufizuar gjatë kësaj kohe.
Në synim të rritjes, përmirësimit dhe zgjerimit të anëtarësisë, OKDA Elbasan, është e para në Shqipëri që ka hapur faqen e saj në rrjetin social facebook, të cilën tashmë të gjithë ju e dini, dhe ktu gjejmë rastin të falënderojmë të gjithë miqtë që japin pëlqime, komentojnë dhe na inkurajojnë në punën tonë. Gjithashtu OKDA Elbasan, është e para në Shqipëri që ka krijuar Forumin e Rinisë së OKDA të degës sonë.
Se çfarë kemi bërë, është pjesë e punës që i përket të shkuarës, dhe e ardhmja kërkon atë se çfarë do të bëjmë.
Në këmbënguljen për nderimin e Dëshmorëve të LANÇ dhe simboleve të saj, rreth një muaj më parë, një përfaqësi e organizatës sonë, e Komitetit të Veteranëve Elbasan, dhe e Shoqatës së Oficerëve në Lirim, Dega Elbasan, bëmë një takim të vlefshëm me kryetarin e Këshillit të Qarkut
Elbasan, të ish Prefektit dhe përfaqësues të baskisë, dërguar nga kryetari z. Llatja. Në këtë takim, parashtruam shqetësimin tonë mbi riparimin e lapidarëve dhe pllakave përkujtimore, brenda qytetit, kjo si fazë e parë, deri më 5 maj 2022. Në fazat e mëtejshme, kemi parashtruar kërkesën për riparimin r simboleve të LANÇ, të vendosura buzë rrugëve kombëtare që i përkasin qarkut të Elbasanit.
Me këmbënguljen e kryetares sonë të nderuar Xhuljeta Graceni, është miratuar sheshi, dhe është në proces vlerësimi monetar, busti i Heroit të Popullit Qemal Stafa, simbolit kryesor të LANÇ, bir i Elbasanit, dhe krenari e identitetit tonë kombëtar.
Në vazhdimësinë e punës sonë, jemi në proces bisedimesh me Bashkinë Elbasan, që ish burgu nazi-fashist brenda Kalasë së qytetit, të kthehet në Muze të LANÇ.
Të nderuar të gjithë të pranishëm, synimet dhe arritjet tona të suksesshme, pa dyshim që na kënaqin, sikundër na nxisin për vazhdimësinë për synime të reja me qëllime të qarta.
Përpjekja për rritjen e numrit të anëtarësisë dhe të abonimeve në revistën PAVDEKËSIA, janë një pjesë e synimeve, në tërësinë e punës sonë në vazhdim.
Ajo që mbetet më pas, i përket kohës të vlerësojë këtë mund dhe arritjen e synimeve të paracaktuara, në nderim të të gjithë Dëshmorëve të Atdheut.
Më pas, Kuvendi bëri zgjedhjet e reja, nga të cilat, Dr. Gjergji Velo u rizgjodh kryetar i përgjithshëm, Dalan Buxheli, sekretar i përgjithshëm, dhe nënkryetarë, Kujtim Haxhia, Spartak Braho, Bernard Zotaj dhe Shfaqir Vukaj.
Në Këshillin e Përgjithshëm të OKDA të Shqipërisë, janë edhe Xhuljeta Graceni, Kryetare e OKDA Dega Elbasan, dhe Bardhul Toda, nënkryetar i organizatës sonë. Në forumet e tjera, Xhuljeta Graceni u zgjodh këshilltare, dhe Bardhul Toda, anëtar i Kryesisë së Përgjithshme të OKDA të Shqipërisë.
LAVDI HERONJVE DHE DËSHMORËVE TANË!
KRYESIA E OKDA BASHKIA ELBASAN