Histori

Organizata e Dëshmorëve: KARAKTERI JUAJ TREMBI EDHE VDEKJEN

Tri ditë të ethshme, shtatëdhjetë e dy orë luftë, ku sa për tri kështjella hyri në histori, kodra e Vrinjës në Zdrajsh të Çermenikës… Operacioni i Dimrit 1943, dhe egërsia armike luftonte për të ndryshuar faqen e historisë në favor të saj, ndërsa tradhtarët e kombit, të bashkuar me pushtuesit, kishin kartën më të fortë për luajtur kundër vendit të tyre. Tri ditë dhe tri net Çermenika u shndërrua në fushë betejën më të ashpër deri atëherë. Në këtë betejë krejt të zhdrejtë për nga numri i forcave dhe armatimi, ishin përballë forcat partizane në kërkim të lirisë, dhe forcat gjermano-balliste, që me çdo kusht, kërkonin të mposhtin heroizmin partizan.Çermenika, pothuajse po futej në darën e armiqve, të cilët, ndihmoheshin me zell të madh, nga ballistë, zogistë dhe legaliteti. Beteja ishte vërtetë e ashpër. Për armiqtë dhe tradhtarët, ky ishte një sulm për jetë a vdekje, pasi kishin në dorë rastin më të mirë për të shkatërruar Shtabin e Përgjithshëm, dhe më pas të ishin sundues, duke e ç’aktivizuar tërë LANÇ. Forcat partizane, dhe Batalioni “Çermenika”, u bënë pengesë e pa kapërcyeshme, duke siguruar kështu daljen nga rrethimi të Shtabit. Veç kësaj, në këtë krahinë ndodhej edhe baza më e madhe shtypit ilegal, si dhe spitali partizan…Liria e atdheut nuk ka çmim, nuk njeh luks, dhe nuk fitohet me kompromise robëruese. Edhe pse armatimi më i rëndë armik u derdh mbi trimat e lirisë, edhe pse dita u nxi nga tymi, dhe nata u bë ditë nga prozhektorët e armikut, qëndresa ishte dhe mbeti e pathyeshme… Çmimi i kësaj qëndrese, në themel ka jetët e luftëtarëve partizanë, Shejnaze Juka, Fehmi Kotherja dhe Bardhyl Popa, Shefqet Toska nga Shëngjergji.Shejnaze Juka lindi në vitin 1924 në Shkodër. Mësimet e para i mori në Elbasan në shkollën Plotore, sot Naim Frashëri. Edhe pse në një moshë kur dëshirat për studime, dhe ëndrrat e rinisë pështjellonin zemrat e kësaj moshe, ajo përqafoi një qëllim tjetër, më të madh nga dëshirat e saj. Gjatë qëndrimit ilegal në Elbasan, qëndronte në familjen Bajraktari, ku punonte në bazën e shtypit ilegal, dhe prej aty, me anë të trakteve dhe komunikatave, luftonte me anë të fjalës dhe fakteve, tradhtarët dhe pushtuesit, deri sa doli në mal partizane, në krahinën e Çermenikës. Edhe këtu, krahas luftës me armë, punonte edhe në këtë bazë të madhe të shtypit të LANÇ. Më datë 19 dhjetor 1943, gjatë përleshjes së ashpër jeta e saj shuhet, duke hapur një faqe të re në historinë shqiptare. Emri i saj është përjetësuar tashmë krah atyre që kanë një vend të veçantë nderi, dhe është nderuar me titullin e lartë Heroinë e Popullit.Fehmi Kotherja, i lindur në Elbasan në vitin 1925, me dëshirën për të bërë më të mirën, u rrit me idealin e përkushtimit ndaj dijes dhe arsimit. Pushtimi i Shqipërisë, ishte një revoltë shpirtërore për të riun elbasanas, dhe më 1 maj 1943, ai bashkë me të vëllanë Samiun, ishin nga 100 normalistët, që lanë bankat e shkollës, dhe dolën partizanë në Çetën e Çermenikës. Inkuadrohet në batalionin e Çermenikës, dhe më 19 dhjetor 1943, mbeti përjetësisht në shesh betejë, aty ku trimat drithërojnë edhe vdekjen. Edhe babai, Mustafa Kotherja, është Dëshmor i Atdheut, i internuar në kampet e përqendrimit, dhe u shua në Mat’hauzen.Bardhyl Popa, i lindur në një familje me ndjenja të thella atdhedashëse, i udhëhequr nga sjelljet dhe veprimet e guximshme të të atit, nuk reshti asnjë çast së punuari me vetëmohim, për çështjen e madhe të lirisë, duke u bashkuar në LANÇ. Bardhyli la studimet në Liceun e Korçës, dhe u kthye në Elbasan për t’u bashkuar energjikisht me LANÇ, me njësitet guerile të qytetit, dhe si drejtues i këtyre njësiteve. Ai ishte dhe Sekretari Organizativ i Rinisë Antifashiste të Elbsanit. E tërë familja Popa, ka qenë një nga ato familje e përfshirë e tëra në LANÇ, dhe Bardhyl Popa, është një nga Dëshmorët e Atdheut, është një nga elbasanasit që i kanë dhënë nder dhe krenari qytetit.Në Çermenikë u shuan jetë, dhe u ndezën yjet e lirisë. Në Çermenikë ideali dhe nderi u përleshën dhëmbë për dhëmbë me turpin e tradhtisë, turp të cilin e turpëruan përfundimisht, duke e dërguar në vendin që u takon tradhtarëve.Përulja nuk do të mungojë nga as një brez, për ju, atdhetarët idealistë, që vdekjen për nder dhe liri, e përqafuat si trimat e rrallë, ashtu si çdo shqiptar i ndershëm në çdo kohë. Karakteri juaj i fortë, trembi edhe vetë vdekjen.Lavdi përjetë veprës suaj!