Shqipëria/Aktualitet

Berat Luzha: Shtegtime nëpër Atdhe (XCI)RADACI – FSHATI I MREKULLIVE TË NATYRËS

Shtegtime nëpër Atdhe (XCI)

 Shtegtime nëpër Atdhe (XCI)RADACI – FSHATI I MREKULLIVE TË NATYRËSNjë fshat i vogël, por shumë i bukur, me emrin Radac, ndodhet rrëzë malit të Rusolisë, në pjesën verilindore të Alpeve Shqiptare dhe mes qyteteve Pejë e Burim; 11 km nga Peja në drejtim të Rozhajës, 17 km nga Burimi dhe 90 km nga Prishtina. Në malin mbi këtë fshat është burimi i madh i lumit Drini i Bardhë. Gurra mbi fshat, me kapacitet rreth 30 m3/sec, në lartësinë mbidetare 586 metra, në zbritje nga mali krijon ujëvarën spektakulare 30-metërshe. Zona e burimit, ajo e ujëvarës dhe shpella nëntokësore në afërsi është shpallur monument natyror që nga viti 1983 në sipërfaqe prej 90 hektarëve. Në grykën apo kanionin deri te burimi dhe rreth ujëvarës janë hapur shtigje për vizitorë, është rregulluar rrjeti për shfrytëzimin e ujit nga hidrocentrali, si dhe rregullimi i rezervoareve për ujësjellësin që furnizon popullsinë me ujë të pijshëm. Të theksojmë se nga ky burim furnizohet me ujë qyteti i Pejës dhe shumë fshatra të komunës së Pejës, madje shfrytëzohet edhe për prodhimin e birrës në Birrarinë e Pejës. Ndërhyrjet që janë bërë kanë ndikuar në uljen, sadopak, të sasisë së ujit në ujëvarë. Ujëvara e madhe dhe disa më të vogla krijojnë një bukuri të papërshkrueshme natyrore, një perlë të papërsëritshme turistike, e vizitueshme dendur gjatë tërë vitit. Këtë vend të mrekullueshëm e rrethojnë malet e larta me pyje mahnitëse, që krijojnë peisazhe shumë tërheqëse. Poshtë ujëvares dhe rreth lumit kanë mbirë si kërpudhat restorante të shumta, që ofrojnë ushqime të freskëta e të llojllojshme tradicionale dhe, kryesisht, gatime peshku. Drini i Bardhë është lumi më i gjatë i trojeve shqiptare (283 km), i cili përshkon Rrafshin e Dukagjinit dhe bashkohet me sivëllain e tij, Drinin e Zi në Kukës. Prej aty vazhdon rrugën me pengesat e digave drejt Detit Adriatik përmes kaskadës së Drinit; liqeneve të Fierzës, të Komanit dhe të Vaut të Dejës, për t’u derdhur, njëri krah në det, afër Lezhës dhe krahu tjetër në Bunë, pranë Shkodrës. Në Radac, pranë rrugës Pejë – Rozhajë, afër ujëvarës së Drinit të Bardhë ndodhet edhe një monument tjetër i natyrës, një objekt tërheqës turistik, Shpella e Radacit. Kjo është shpellë e burimeve, e formuar nga erozioni dhe veprimi kimik i ujërave nëntokësore të Drinit të Bardhë. Formimi i shpellës lidhet me evolucionin hidrologjik të krasit gëlqeror. Në kuadër të saj ka korridore, galeri, salla, tunele, kanale, liqene, të krijuara nga forca e ujit gjatë mileniumeve. Hyrja e shpellës ndodhet në lartësinë mbidetare prej 578 m. Është ky një objekt natyror i banimit nga periudha e paleolitit. Shpella, e mbiquajtur si “Bukuroshja e fjetur” për shkak se është zbuluar shumë vonë, tek në vitin 2016, është e gjatë rreth 2100 m. mirëpo është eksploruar dhe vizitohet vetëm në gjatësinë 300 metra. Problemi është se si Komuna, ashtu edhe Ministria e Mjedisit kanë bërë shumë pak për rregullimin e brendisë së shpellës, gjithësej 25 mijë euro investime. Fshati Radac ka edhe një objekt të rëndësishëm të trashëgimisë kulturore Mullirin 300-vjeçar të Bërdynajve. Ky objekt, nga më të njohurit e kësaj kategorie, pas renovimit të tërësishëm, më shumë shërben si objekt turistik, duke marrë parasysh se në të ka edhe hapësira për vendosje (konak) dhe restorant me ushqime tradicionale. Gjithashtu, në Radac ekziston edhe një hidrocentral i vogël, i ndërtuar në vitin 1935. Korporata Energjetike e Kosovës (KEK) në vitin 2009 e ka dhënë këtë objekt energjetik me koncesion për 20 vjet. Ky mjedis me bukuri të rralla është një vend i përshtatshëm për pushim, veçanërisht për vizita familjare dhe për grupe të organizuara vizitorësh njëditorë. Vendi përdoret edhe për ecje këmbë pyjeve e shkëmbinjve, ku të shoqëron shushurima e ujit dhe cicërimat e zogjëve të shumtë. Vizitorët s’kanë se si të mos mbesin të kënaqur, po edhe të mahnitur me bukuritë e këtij mjedisi me vlera të larta turistike.

Postimet e fundit !