Histori

Organizata Dëshmorëve: “Zëri i Popullit” muzeu, dëshmitari dhe arkiva e gjallë e LANÇ

“Zërit i Popullit” muzeu, dëshmitari dhe arshiva e gjallë e LANÇ
Lufta NAÇL, që këtë vit ka jubileun e saj të 75-të të fitores mbi nazi-fashizmin, është dhe ngjarja më e madhe botërore, e shekullit të kaluar. Këtë luftë, shqiptarët atdhedashës për nga baza materiale, e nisën nga hiçi, por e mbyllën me sukses, me shumë arritje, deri në fitoren e madhe të saj.
Edhe kjo luftë e egër, dhe shumë e përgjakshme, në thelbin e saj pati udhërrëfimin e kahershëm të ardhur së paku që nga Rilindja Kombëtare, që armiku nuk luftohet vetëm me armë, por edhe me pendë.
Në këtë kuadër, forcave çlirimtare shqiptare, veç detyrës luftarake në frontin e zjarrit me armikun, iu kushtuan edhe grumbullimit të bazës materiale të shtypit, për të informuar popullin për gjithçka ndodhte me luftën e përgjithshme, si brenda në qytete, në fshatra dhe krahina të ndryshme të vendit, ashtu edhe në frontin e përgjakshëm të vijës së zjarrit.
Në këto kushte lindi dhe u rrit shtypi ilegal, në këto kushte lindi dhe doli në qarkullim gazeta “Zëri i Popullit”. Në një shtëpi të thjeshtë tiranase të atdhetareve Sefer dhe Emine Shijaku, nisi të “ndihej” zëri i protestuesve dhe i popullit liridashës. “Dëgjohej krisma e pushkëve dhe aksioneve të guerilasve, zëri i rinisë dhe gruas antifashiste, zëri i intelektualëve atdhetarë e demokratë…..”.
“Zëri i Popullit” gjatë LANÇ u bë shpejt një armë e fuqishme për edukimin politik dhe ushtarak të partizanëve, si dhe tërë masës së gjerë popullore, që kishte mbështetur me bindje qëndresën kundër pushtuesve. Kjo gazetë shërbeu si një tribunë për demaskimin e planeve te pushtuesve dhe tradhtarëve, duke ngjallur tek populli urrejtjen e pakufishme për armiqtë e vërtetë të vendit.
Pikërisht më 25 gusht 1942, kjo gazetë doli në qarkullim, si organ i vetëm i forcave përparimtare çlirimtare, i vetmi organ që pasqyronte dhe tregonte me vërtetësi se çfarë ndodhte në të gjithë vendin, gjatë asaj trazire mbarëkombëtare.
Lufta me penë sikurse lufta me armë, luajti rol shumë të rëndësishëm për bashkimin politik të popullit rreth Frontit Nacional Çlirimtar, rriti besimin në fitore, ngriti popullin peshë në luftën e përgjithshme të armatosur. “Zëri i Popullit” ishte therës për armiqtë dhe tradhtarët, dhe njëherazi ishte frymëzues dhe nxitës për popullin. Zërit të kësaj gazete, të lindur në zjarrin e luftës iu bashkuan thirrjet e militantëve të lirisë. Dalja e saj në qarkullim, u “brohorit” dhe u “duartrokit” dhe jehoi me krismat e armëve, me zërin e luftëtarëve të çetave të para partizane, të guerilasve me aksionet e tyre të guximshme, të demonstruesve… Koleksionet e “Zërit të Popullit” janë muzeu, dëshmitarët dhe arshiva e gjallë e asaj lufte të egër, por të lavdishme.
Mjafton të shfletosh “Zëri…..” dhe mëson mbajtjen e Konferencës së Pezës, Konferencën e Parë të Vendit, formimin e Shtabit të Përgjithshëm të UNÇSH, e shumë ngjarje të tjera. Faqet e para të kësaj gazete, dhe faqe të tjera deri në çlirimin e vendit, janë të mbushura me trimëri, sakrificë, vetëmohim, kanë qenë të mbushura me idealin e shenjtë të lirisë, me emrat e dëshmorëve të rënë për lirinë e vendit, kanë qenë të mbushura me mundin e pa kursyer të një populli të tërë, ku çdo germë është e shkruar me gjak dhe heroizëm…
Brenda këtyre faqeve, ku përshkruhej ndikimi i drejtpërdrejtë i luftës çlirimtare, nga dhimbja për humbjen e shokëve, dhe frymëzimi i fitoreve të lirisë, lindi një letërsi e re politike dhe artistike, me tipare të reja, me ndjesi dhe ëndërrime ndryshe nga e kaluara që po linin pas.
Artikujt publicistikë në këtë gazetë, dhe më vonë edhe në gazeta të tjera si “Bashkimi”, “Kushtrimi i Lirisë” etj., janë modeli i kësaj letërsie, që në thelb, nuk pati studimet e mirëfillta akademike profesionale, por në thelb ajo kishte pasionin e luftëtarëve të lirisë, kishte prirjet e tyre, prirje që më vonë do të sillnin në jetën e re të pas luftës, zërat akademikë elbasanas, si Dhimitër Shuteriqi e Mahir Domi, të cilët mësimet e para, i morën pikërisht në akademinë e luftës për liri.
Prej tyre në këtë luftë, përveç të tjerave ishin edhe këngët partizane, himnet dhe marshet luftarake, vjershat patriotike, poezitë dhe këngët e krijuara menjëherë pas rënies së dëshmorëve, ishte shpirti i një rinie të tërë që luftonte dhe përballej në çdo hap me vdekjen.
Vitet kalonin, lufta mbaroi, fitorja erdhi, dhe zëri i popullit vazhdoi të flasë e të shkruajë, me pasionin e rinisë fitimtare…
Jeta ecën, por Shqipëria sot është në një tjetër luftë. Vërtetë sot nuk kemi shesh beteja dhe fusha të përgjakshme lufte, por nuk mungon “dyluftimi” historik. Në njërën anë të llogores janë veteranët ish partizanë që përbëjnë shumicën, ndërsa ne anën tjetër kemi një grusht pseudopatriotësh… Këta të fundit, sot nuk e kanë mundësinë të vrasin si dikur me armë zjarri një partizan, një ilegal a militant, nuk internojnë një antifashist, nuk djegin një shtëpi, një fshat a një krahinë të tërë… Sot këta pseudopatriotë orvaten të dalin të fituar në fushën e historisë, duke pasur dhe mbështetje të pseudo-historianëve të oborreve politike, apo të një politikani keqdashës apo dhe të paditur… Kësisoj, ata jo vetëm njollosin vlerat e LANÇ, por cenojnë lavdinë e atdheut dhe fyejnë dinjitetin e popullit që mori pjesë në LANÇ, dhe nuk u bë palë me ata sahanlëpirës që shitën atdheun. Edhe pse këta “atdhedashës”, vazhdojnë të mundohen për të fikur ndriçimin e lavdisë së madhe mbarë popullore të arritur në LANÇ, përsërisin dhe trashin gabime të së shkuarës së tyre të errët. Janë një pjesë e tyre që duke sharë, duke fyer historinë e vendit ku janë lindur dhe rritur, pretendojnë se do të jenë promotorët për ta futur Shqipërinë në BE. Në fakt kjo është dëshirë mbarëkombëtare, dhe më shumë se kurrë, është detyrë kombëtare. Por, u kujtojmë “atdhetarëve tanë”, cili vend i BE, qoftë anëtar i ri apo i vjetër, mohoi historinë e tij kombëtare? Cili nga të gjithë vendet e BE sot, ka mohuar luftën çlirimtare të kombit të tij? Cili vend anëtar i BE sot, i kërkon Shqipërisë fshirjen e historisë së saj kombëtare, si kusht për t’u pranuar në BE?
Të nderuar “atdhetarë”, përgjigjja është e qartë dhe e prerë: asnjë, dhe asnjëherë!
Ajo që miqësisht u themi si vëllezër të një gjaku, të një ideali të madh kombëtar sot, siç është anëtarësimi në BE, nuk na nderojnë fyerjet që i bëjmë historisë dhe kombit, nuk na nderon përçarja, nuk na nderon deformimi i historisë, vetëm e vetëm të pastrojmë ato figura, të cilat lerosën vetveten dikur.
Le t’ia lëmë historianëve dhe historisë, të flasë me gjuhën e fakteve, me gjuhën e kohës, me gjuhën e vlerave dhe të arritjeve kombëtare.
Zëri i luftës dhe i historisë së saj fitimtare, do të jetojë në çdo brez pasardhës, sepse aty kemi një pjesë të madhe të identitetit, sikundër periudha e Rilindjes Kombëtare, shpallja e Pavarësisë, e të tjera ngjarje të mëdha. Atë punë të nisur dikur në vitet barutit, e pasqyron Revista jonë e OKDA “Pavdekësia”, dhe gazeta e OKVL, “Kushtrim Brezash”, të cilat vazhdojnë rrugën e dikurshme të gazetës “Zëri i Popullit”. Por qarku i Elbasanit, ka dhe një tjetër organ të fuqishëm, që pasqyron me shumë atdhetarizëm gjithçka ka pozitive nga vlerat e kombit tonë, ku përfshihet edhe LANÇ. Ky organ shtypi, është revista “Çermenika”, e organizatës Atdhetare-Kulturore Çermenika, organizatë me të cilën, siç e kemi bërë të njohur prej kohësh, OFDA Elbasan, është binjakëzuar. Në faqet e tyre si dikur në fushëbeteja, shikojmë të luftojnë me mençuri dhe me guxim veteranët, në pasardhësit e familjeve të dëshmorëve dhe të veteranëve e invalidëve të LANÇ, ne që vazhdojmë të mbajmë lart vlerat e vërteta të LANÇ.
Ndaj le të na shërbejë kjo ditë sot, e 77 vjetorit të daljes së numrit të parë të gazetës “Zëri i Popullit”, që të shkruajmë e të pasqyrojmë zërin e vërtetë të LANÇ në organet tona e në rrjetet sociale…
Organizata e Familjeve të Dëshmorëve të Atdheut, Dega Elbasan