Shqipëria/Aktualitet

Organizata Dëshmorëve: Kohë urgjente për mjediset e kujtesës historike

Vitet e tranzicionit në Shqipëri, si shumë shkatërrime, sollën dhe një tjetër shembje të rëndë në muret e historisë kombëtare. Me apo pa qëllim, kjo është një çështje që kërkon të tjera diskutime, por thelbi qëndron tek vazhdimësia e sotme… Kujtesa historike e një populli dhe kombi, është domethënia më e rëndësishme në jetën e tij të gjatë apo të shkurtër. Falë kujtesës së fortë të atdhetarëve shqiptarë ndër shekuj, vatrat e atdhedashurisë nuk janë shuar kurrë në këtë vend, pavarësisht se cili ka qenë pushtuesi i trojeve tona. Tridhjetë vjeçari i fundit i jetës së Shqipërisë, është një jetë si një trup pa kokë. Përqendrimi i vëmendjes në ato gjëra që nuk janë thelb, por motiv shpërqendrimi, edhe pse kanë nisur të zbehen, nuk janë ende dukuritë e rëndësishme ku duhet të përqendrojmë edukimin e brezave. Ndoshta, në këtë tragjedi, ne do të jemi më të gjykuarit nga pasardhësit tanë… Në kohët moderne, veç gojëdhënave dhe rrëfimeve, rol të rëndësishëm kundrejt historisë së një populli, ka dokumentimi i fakteve, dokumentimi i ngjarjeve, dhe për këtë, roli parësor është shfaqja e tyre në muze. Por… A jemi sot në lartësinë që kërkon koha? Fatkeqësisht jo!.. Në këtë këndvështrim, edhe pse të trishtë, në thellësi të tij, nuk mungojnë shkëndijat, vatrat dhe përpjekjet e njerëzve që vlerën e muzeut, e shohin ashtu si është domosdoshmëria dhe kujdesi për rritjen e një fëmije, dhe kjo është meritë e jashtëzakonshme. E themi e jashtëzakonshme për vendin tonë, për shkak të pa vëmendjes së duhur ndaj rëndësisë së këtij institucioni të trashëgimisë së vlerave, ndërsa bota perëndimore e ka jo vetëm të konsoliduar dhe detyrim, por e çmon edhe si shenjtëri më vete… Krahina e Sulovës në Qarkun Elbasan, ka dhe një qendër të rëndësishme banimi, që quhet Mollas. Kjo krahinë me vlera të thella atdhetare dhe kulturore, në çdo kohë historike, ka qenë sakrifikuese e vetes në interes të kombit. Vetëm gjatë LANÇ, dëshmorët e Mollasit falën rininë për lirinë, përtej kufijve shtetërorë. Ata ranë si trimat në Tetovë, Vishegrad, Prishtinë, në Kampe Përqendrimi, por dhe në Therepel, Geziq, Mirditë, Kukës, Drizë, si dhe për çlirimin e Tiranës nga të cilët kemi 4 dëshmorë, luftëtarë në Brigadën e I- Sulmuese. Ndërsa në shumë qytete, në lidhje me organizimin dhe bashkëpunimin midis Organizatave të Familjeve të Dëshmorëve të atdheut, me ato të Organizatave të Veteranëve, ka shumë gjëra për të përmirësuar, në Mollas, falë dy njerëzve fisnikë, Xhevahir Asllani si kryetar i veteranëve të zonës, dhe Beqir Sade i OFDA Dega Mollas, ne bashkëpunim me të dy kryesitë e organizatave tona në këtë zonë, është modeli i drejtuesve të përkushtuar, me ide dhe vizion të qartë për çfarë është bërë dhe çfarë duhet bërë. Kjo u ritheksua dhe u vendosën piketat e reja në punën e së ardhmes, midis kryesisë së OFDA Dega Elbasan me dy organizatat e Mollasit, gjatë një takimi shumë dashamirës dhe bashkëpunues, që u zhvillua në Selitë dhe Mollas, më 22 maj 2021, nga Kryetarja e OFDA Elbasan Xhuljeta Graceni, nënkryetari Bardhul Toda, sekretarja Rolanda Suli, anëtarët Kaliro Guxho, Eduart Shehu dhe Besim Skëndaj, me miqtë nga këto zona. Por, çfarë të veçante të bukur ka veç këtij bashkëpunimi? Në qendër të Mollasit ndodhet dhe Shkolla e Bashkuar, “Osman Gjini”, që mban emrin e një prej dëshmorëve të kësaj zone. Në këtë strehë arsimore, në katin e parë të saj, ndodhet një mjedis, që me krenari do të themi, se është mjedisi i kujtesës historike. Falë përkushtimit, kulturës dhe zellit të pa shoq të Xhevahir Asllanit, muzeu i zonës që ndodhet brenda shkollës, jo vetëm është i mirë-sistemuar, por është dhe mjaft i pasur me vlera historike kombëtare dhe krahinore. Një stendë e veçantë i kushtohet Komandantit të Batalionit të Dumresë, luftëtarit sy pa trembur, trim e guximtar në çdo betejë në përpjekje me pushtuesit, por dhe në veprimet me njësitin gueril në qytet… Vozit brenda muzeut, dhe në çdo stendë prek një histori, prek një të vërtetë nga e kaluara heroike e popullit tonë, nga legjenda kombëtare Skënderbeu, shpallja e pavarësisë, Kongresi i Lushnjës, Revolucioni i Fan Nolit, Kongresi i Përmetit, Dëshmorë të krahinës, veteranë, veprimtari përkujtimore ndër vite etj., prek dhe futesh në botën e së kaluarës, për të mbajtur gjallë frymën atdhedashëse, ku ishim, ku jemi, dhe ku duhet të jemi… Të gjithë këtë ndjesi emocionuese, na e fal brenda muzeut puna e vazhdueshme e Xhevahirit, i cili është i dhënë tërësisht pas kësaj pune, duke i kushtuar shumë kohë nga ditët e tij, dhe, më e rëndësishmja, gjithçka ka bërë, ekonomikisht është përballuar vetëm prej tij, pa asnjë mbështetje. Kjo punë sakrifice, është një nderim që vetë Xhevahiri i bën kombit të tij, është një përkushtim vlerash në shërbim të trashëgimisë historike. Me këtë zell të rrallë, Xhevahir Asllani është një shembull që duhet ndjekur nga të gjithë, nga çdo shkollë dhe Njësi Administrative, jo thjeshtë si diçka për t’u bërë, por si një detyrim që duhet zbatuar mirë dhe shpejt…

Muzeu në konceptin e përgjithshëm dhe të veçantë, është ngrehina që nuk përfaqëson thjeshtë një emër, por në thellinë e tij, është pikërisht ajo vatra e shtëpisë së një populli, që përmbledh gjithçka ai popull ka në nënshtresat e tij të gurrës së pashtershme, është ajo dhoma e miqve, që çdo familje e mban pastër dhe bukur, për të treguar kulturën e vet. Po një krahinë apo një qytet, që nuk janë kujdesur për këtë “dhomë pritje”, dhe ca më keq, që nuk e kanë fare atë, çfarë emri t’u vësh? Koha që jetojmë dhe ajo që pretendojmë të jetojmë si pjesë e bashkësisë perëndimore evropiane, a na fal më!? Urgjenca e kohës, kërkon që ky institucion siç është muzeu, të jetë një nga vëmendjet kryesore kudo, jo vetëm për rëndësinë e historisë zonale si pjesë e historisë kombëtare, por, muzeu është edhe pikë referimi e rëndësishme e turizmit në çdo stinë të vitit. Është ky institucion që nuk ka nevojë të flasë me slogane propagande se cilët jemi, por ai, me madhështinë e tij flet vetë, ashtu heshtur, por me krenarinë e një populli të tërë.

Në Mollas të Sulovës, këtë punë e ka bërë një njeri i vetëm. Nëse të gjithë brenda vetes, kemi sado pak ndjesi atdhetare, nëse brenda vetes kemi sado pak dashamirësi, mirëkuptim dhe bashkëpunim, çfarë jemi në gjendje të bëjmë të bashkuar? Shumë, shumë, shumë!…