Shqipëria/Aktualitet

Organizata Dëshmorëve – Elbasan: Lindja e rilindjes së Heroit të Popullit Qemal Stafa

LINDJA E RILINDJES SË HEROIT TË POPULLIT QEMAL STAFA
(80 vite nga data e rënies)
5 maj 2022. Data që prej dekadash është nderimi për të rënët në LANÇ, data që na përul me nderim para thjeshtësisë së heshtjes së Dëshmorëve të Atdheut, heshtje që flet me zë të fortë përtej gjëmimit të maleve.
Në orën 10.30, përfaqësues të kryesisë së OKDA Dega Elbasan, nën drejtimin e Xhuljeta Gracenit, përfaqësues të KKV Dega Elbasan, me kryetar Asim Elezin, familjarë të Familjes Naska, banorë të Elbasanit dhe nxënës nga shkolla të ndryshme, bënë homazhe para bustit të Heroit të Popullit Kozma Naska.
Në fjalën e rastit, kryetarja OKDA Xhujeta Graceni, mes emocionesh, ndër të tjera tha, se ky 5 maj, është i pari me mungesën fizike të mikut tonë të përbashkët Viktor Naska, vëllait të Heroit Kozma Naska. Prania e familjes Naska para këtij busti, flet qartë për gjenezën atdhetare të kësaj familje, duke treguar besnikëri ndaj vlerave të larta të paraardhësve të tyre, paraardhës që i përkasin edhe Elbasanit, edhe Shqipërisë.
Më pas, në emër të familjes falenderoi nipi i Heroit, z. Teodor Naska, i cili theksoi vazhdimësinë e traditës së trashëguar nga familja ku ai ka rrënjët, për nderimin ndaj Dëshmorëve të Atdheut, si detyrim familjar, shoqëror dhe kombëtar…
Në orën 11.00, të gjithë bashkë, u drejtuam për në Varrezat e Dëshmorëve të Elbasanit, për të bërë nderimin e merituar ndaj Dëshmorëve tanë.
Në një mjedis të dendur nga të pranishmit, familjarë dhe pasardhës të Dëshmorëve, banorë të shumtë të qytetit dhe zonave të ndryshme të Qarkut tonë, në ceremoni ishin të pranishëm Kryetari i Bashkisë Elbasan, z. Gledian Llatja, Prefektja e Qarkut Elbasan, zj. Majlinda Perriu (Peza), Kryetari i Këshillit të Qarkut Elbasan, z. Bukurosh Stafa, deputetët e Partisë Socialiste të Shqipërisë për Elbasanin, zj. Evis Kushi, Ministre e Arsimit Rinisë dhe Sporteve, dhe anëtare e kryesisë së OKDA Elbasan, zj. Desantila Tahiraj, z. Klevis Xhoxhi, z. Florenc Spaho, si dhe Sekretari Politik i Partisë Socialiste të Shqipërisë për Elbasanin, z. Damian Gjiknuri, pa munguar dhe funksionarë të Pushtetit Vendor Elbasan.
Nën marshet funebër ekzekutuar nga Banda Muzikore Afërdita e qytetit, pranë pllakatës me emrat e Dëshmorëve të Elbasanit krah obeliskut të nderit, u vendosën kurora me lulet më të bukura të stinës. Në emër të OKDA Elbasan, kurora u vendos nga kryetarja Xhuljeta Graceni, nënkryetari Bardhul Toda, të shoqëruar nga nipi i Heroit të Popullit Qemal Stafa, z. Veli Stafa.
Më pas u kalua në paradë nderi para vendprehjeve të Dëshmorëve, duke përshëndetur familjarët e shumtë që ndodheshin në shenjë nderimi tek paraadhësit e tyre.
Varrezat e Dëshmorëve të Elbasanit, sot kishin një hijeshi jo vetëm nga ditët e bukura të majit, por dhe nga kujdesi që ka treguar Bashkia Elbasan, në pastrimin dhe mirëmbajtjen e tyre. Edhe muzeu sot ishte i freskët në pamje, pas ndërhyrjeve restauruese që ka bërë me përkushtim ASHP, e Bashkisë së qytetit.
Kjo ditë, pas homazheve në Varrezat e Dëshmorëve, do të vazhdonte me një tjetër bekim dhe nderim të historisë sonë, duke i shtuar krenarinë legjitime Elbasanit, djepit atdhedashës, djepit të trimërisë, arsimit dhe kulturës.
Data 5 maj, data që përulemi dhe nderojmë të rënët në LANÇ, dhe Dëshmorët e të gjitha kohërave, e ka datëlindjen më 5 maj 1942, datën që u shua jeta e Heroit të Popullit Qemal Stafa, datë në të cilën lindi dhe përjetësia e tij.
Pikërisht sot, OKDA Elbasan, me mbështetjen e Këshillit të Qarkut Elbasan, drejtuar nga z. Bukurosh Stafa, mbështetur nga Bashkia Elbasan, drejtuar nga i riu me vizion dhe ideale të pastra ndaj vlerave të Elbasanit dhe historisë, z. Gledian Llatja, me mbështetjen e Institucionit të Prefektit Elbasan, drejtuar nga zj. Majlinda Perriu (Peza), përmbushëm një nga objektivat më të rëndësishëm të misionit tonë, atë të ngritjes së monumentit të Heroit të Popullit Qemal Stafa, në një nga lulishtet më të bukura në Elbasan.
Sheshi ku do të përurohej ky monument me vlera simbol të idealizmit njerëzor, me vlera historike për Elbasanin dhe Shqipërinë, ishte i mbushur nga prania e dhjetëra qytetarëve, por, nuk mungonin artistë të fushave të ndryshme krijuese, klerikë dhe përfaqësues të të gjitha strukturave të pushtetit vendor Elbasan, mësues e nxënës shkollash.
Gjithashtu, të pranishëm ishin edhe familjarë të familjes Stafa, dhe nipi i Heroit, z. Veli Stafa.
Para bustit monumental, fjalën e mori kryetari i Këshillit të Qarkut Elbasan, z. Bukurosh Stafa, një nga mbështetësit kryesorë në arritjen përfundimtare të kësaj vepre, i cili ndër të tjera vuri theksin në domosdoshmërinë e ruajtjes dhe ngritjes së vlerave të heronjve dhe dëshmorëve të Atdheut.
Në emër të familjes Stafa, përshëndeti i emocionuar z. Veli Stafa, nipi i heroit, i cili me shumë respekt falenderoi të gjithë ideatorët dhe mbështetësit e realizimit të kësaj skulputure të gjallë, që përfaqëson një njeri, emri dhe vepra e të cilit, frymëzuan dhe ngritën në këmbë një popull kundër pushtuesve, për arritjen e lirisë.
Pas tij, fjalën e mori kryetarja e OKDA Xhujeta Graceni, e cila theksoi rëndësinë dhe domosdoshmërinë që ka për LANÇ, për historinë e Elbasanit dhe historinë e Shqipërisë, ky bust monumental i Heroit të Popullit Qemal Stafa. Vlera historike e veprës heroike dhe idealizmit të lartë të këtij heroi, janë dhe do të mbeten orientim për çdo brez, dhe për më tepër tek të rinjtë që janë e ardhmja drejt më të bukurës së vendit, drejt botës së civilizuar që i nderon me dinjitet heronjtë dhe dëshmorët e saj.
Në emër të Kryesisë së Përgjithshme të OKDA të Shqipërisë, ajo i dorëzoi skulptorit të veprës, z. Vladimir Caridha, titullin më të lartë të OKDA, “Nderi i Organizatës Kombëtare për Dëshmorët e LANÇ dhe Dëshmorët e Tjerë të Atdheut”.
Sot, para bustit monumental të Heroit Qemal Stafa, Forumi Rinor i OKDA Elbasan, i pari deri sot në Shqipëri, u pagëzua me emrin Qemal Stafa. Përshëndetjen e rastit nga ky forum, e bëri nënkryetari i këtij Forumi, maturant në shkollën e mesme “Luigj Gurakuqi”, Fatmir Latifi, që trashëgon emrin e xhaxhait të tij, Dëshmori i Policisë së Shtetit. Si brez i ri, është detyrë e jona të vazhdojmë rrugën e nderimit të të gjithë Dëshmorëve të Atdheut, sepse ata janë krenaria më e madhe që ka kombi ynë, theksoi ndër të tjera Fatmiri.
Më pas, fjalën e mori kryetari i Bashkisë Elbasan z. Gledian Llatja, i cili falenderoi të gjithë nismëtarët dhe mbështetësit e realizimit të këtij busti monument, duke shprehur kënaqësinë, që kjo ndodhi gjatë këtij mandati të drejtimit të Bashkisë prej tij. Çdo brez e ka detyrim të ruajë dhe të lartësojë vlerat e çdo heroi dhe dëshmori të Atdheut, ndërsa Qemal Stafa, është një simbol që përfaqëson vlera të veçanta trimërie, guximi dhe intelektualizmi, aq më tepër, të gjitha në harkun kohor të 22 viteve që jetoi.
Në fjalën e tij, z. Damian Gjiknuri, nuk e fshehu kënaqësinë të kishte fatin të ishte i pranishëm në Elbasan, në përurimin e kësaj vepre që përmbledh idealizmin, historinë dhe artin bashkë. Nderimi për Heronjtë dhe Dëshmorët është një nga detyrimet dhe objektivat që ka Partia Socialiste e Shqipërisë, sepse ata kanë një vend nderi të përhershëm në historinë tonë, histori e shkruar me gjak dhe sakrifica.
Me këto ngjarje të veçanta u përmbyll sot në Elbasan data 5 maj 2022, datë që shënoi 80-vjetorin e rënies së Heroit të Popullit Qemal Stafa, datë që shënoi një tjetër rilindje të këtij heroi të rrallë. Kjo është lindja e rilindjes së tij!
OKDA ELBASAN

Postimet e fundit !