Lëvizja\UÇK

Adem Gashi: Bisedë me Ibrahim Kelmendin – një nga tre themeluesit e LPK – së

SHKRIMTARI ADEM GASHI – BISEDË ME IBRAHIM KELMENDIN
Këtyre ditëve e netëve të dimrit surrogat, më rastisi ta takoja njeriun, për të cilin kisha dëgjuar të flitej qëkur, por e kisha njohur më vonë, në verën e vitit 1990, në një qytet të Zvicrës. Ibrahim Kelmendi më vinte kështu me dy portrete: me atë që ia bënin të tjerët (një figurë që lëvizte ndërmjet Trockit dhe Bakuninit/anarkistit) dhe me pamjen e vet të natyrshme (të njeriut që ishte i gatshëm të të ofronte shërbim pa u hamendur, sidomos për punët që lidheshin me kauzën e atdheut e të lirisë), por që asnjëherë nuk e shfaqte autoportretin, nuk e shpalonte CV-në e vet, siç po thuhet tashti. S’i kam shpëtuar as vetë tundimit dhe dilemës: Është modesti e këtij njeriu, apo zonat e errëta janë terrene që e joshin për mistifikim!? Sidoqoftë, në të gjitha variantet, portreti i tij, në profil, shfaqet me një vurratë.
ADEM GASHI: Ibrahim Kelmendi, Jemi goxha burra tashti dhe besoj nuk ma merr për keq. Ç’është kjo shenja në faqe?
KELMENDI: Këtë e kam dhuratë nga Zoti, do thoshin besimtarët, që janë të prirur ta ngarkojnë Atë padrejtësisht. Saktësisht duhet ta kem nga gjallëria dhe kureshtja. Në moshën fëmijërore prej shtatëmbëdhjetë muajsh, duhet t’më ketë bërë përshtypje oxhaku i madh i familjes sonë të madhe, gjegjësisht zjarri i madh në atë oxhak dhe kazani gjithashtu i madh, i mbushur me fi dhe i varur për të zier rrobat që do i lante Nëna. Në atë zjarr tërheqës jam futur dhe jam bërë grill, gjegjësisht hell. Ka qenë dhjetori i dimrit të rëndë të vitit 1956. Babën atë ditë e kishin lidhur për kumbulle në oborrin e stacionit të policisë në Kliçinë. Pas dyzetë e një viteve, kur Adrian Krasniqi, vëllai im, Qerimi, bashkë me bashkëluftëtarë, e sulmuan këtë stacion famëkeq, m’u bë sikur e sulmuan për të marrë hak për Babën tim, për shumë baballarë dhe për mua, pasi ditën e djegies sime, duhet të më ketë munguar Baba, që të më dërgonte menjëherë në spital.
ADEM GASHI: Mos doni të më thoni se edhe adoleshenca juaj i nënshtrohet trysnisë së pushtetit të pushtuesit?
KELMENDI: Me tepri, do thosha. Baba shpesh rrëfente për angazhimet e tij kundër pushtuesit dhe vuajtjet e tij po nga pushtuesit, pas ripushtimit të Kosovës. Rrëfimin e fillonte nga i pari i tij në Vuthaj të Gucisë, kur pushtuesit malazez e kishin ther, bashkë me 300 burra të përzgjedhur të fshatit. Barbare në atë rrëfim ishte, se 300 burrat i kanë lidhur dorë për dorë, i kanë detyruar t’i hapin varret e tyre, i kanë ther me singia, i kanë hedhur në varre, i kanë mbuluar me dhe pa ju dalë shpirti. Në vitet e 50-ta e 60-ta përndiqej djali i axhës, Imeri, i vetmi në rrethinën tonë që studionte historinë. Në fëmijëri atë e kisha si idol. Që në klasën e parë të shkollës së mesme të mësuesisë në Pejë, si 14-vjeçar, më rastisi të ballafaqohem me peripeci, për shkak të rolit tim spontan në demonstratën e 28 nëntorit të ’68-tës, që u nis në oborrin e kësaj shkolle. Më 1972 më rastisë të më arrestojnë në Rahovec, duke qenë në vitin e 3-të të Gjimnazit të atyshëm.
ADEM GASHI: Ditët studentore doemos jua hapin terrenin për njohje të reja me shokë, miq e bashkëmendimtarë. Kë kujtoni nga ajo kohë? Cilët kishit idole, frymëzues shpirtëror që donit t’u shëmbëllenit?
KELMENDI: Tri vite isha studentë në Prishtinë, dega e fizikës. Qysh në vitin e parë u gjeta në rreth të mirë të shokëve, meqë isha ilegal (banues jo legjitim) në dhomën nr. 5, të konviktit nr. 1, ku legalisht banonin vëllai Zeneli dhe kolegu i tij, Tahir Reci, absolventë të juridikut. Ata i kishim si kujdestarë të rreptë për ngritjen tonë intelektuale. Edhe Fetah Kajtazi ishte cimer, ilegal si unë. Kishim shumë shokë dhe vazhdimisht diskutonim, si të organizohemi dhe çfarë mund të bënim. Jusuf Bruçaj na “indoktrinonte” pa pra, por vdiq nga rrjedhojat e burgut. Atëherë bënim gjëra të vogla, për të cilat në vitin 1976 m’u desh të arratisem. Veprimtaria e fshehtë e Grupit Revolucionar, veprimet e të cilit patën jehonë, na dhanë forcë morale dhe na provokuan që edhe rrethi ynë i shokëve të angazhohej, deri sa të gjenim kontakt me atë Grup, por nuk e gjetëm.
ADEM GASHI: Kur ndodh angazhimi juaj politik i një shkalle më të ndërgjegjshme? Ku dhe si aderoni fillimisht? Ç’ kuptim ka dalja juaj jashtë vendit?
KELMENDI: Në Gjermani në vitin 1977 regjistrova gjermanistikën dhe filozofinë, në Ruhr-Universitet në Bochum. Sapo gjeta veten, fillova të botoj ndonjë trakt të thjeshtë, që ua shpërndaja emigrantëve tanë, që mezi dinin t’i lexonin. Pastaj avancova në botim të një pamfletit, që e pata titulluar: “Rron or rron, dhe nuk vdes shqiptari” dhe në botim të një si gazete, me emër “Bashkimi”, Organ i Frontit të Kuq Popullor. Këtë e themeluam në vitin 1978. Ishte faza e revolucionaritetit adoleshent, në kuptimin ideo-politik e organizativ. Por, vështirësia ishte se nuk kisha shokë, me të cilët do organizonim veprimtarinë botuese; emigrantët tanë ekonomikë ishin gjysmanalfabetë dhe njëherësh frikësoheshin për t’u angazhuar.
ADEM GASHI: Si dhe sa e njihje në atë kohë veprimtarinë atdhetare ilegale?
KELMENDI: Fillimisht fare pak, asgjë konkrete, pothuajse vetëm nga disa bisedime me përmbajtje të një patriotizmi romantik. Djali i axhës, Imeri, i cili përndiqej e survejohej si i dyshuar për veprimtari ilegale, nuk na fliste konkretisht. Te ne, në kullën tonë të famshme, vinin personalitete, si Ramadan Shala, Murteza Nura, Nezir Gashi dhe të tjerë. Prania e tyre në odën e miqve na bënte krenarë. Më pastaj, gjatë studimeve në Prishtinë, diskutonim shumë për organizimet e fshehta, por nuk i kontaktonim dot. Do thoja, në atë kohë gati sa nuk ndjehej nevoja për veprimtari të fshehtë patriotike, meqë shumë veprimtari mund të ushtroheshin hapur. Kishte ndodhur një ndërgjegjësim i gjerë patriotik dhe strukturat e pushtetit të KSA të Kosovës mbyllnin njërin sy, bëheshin sikur nuk po vërenin. Pra, Kosova po frymonte më lirshëm. Por, në këtë kohë po formohej një borgjezi e kuqe, titiste, që kishte mundësi të bënte më shumë për zhvillim të përshpejtuar të Kosovës, por humbiste kohën me pasurim të pamerituar vetanak, humbiste kohën në kafehane, pas degjenerimit, etj. Sapo u arratisa, m’u dha mundësia të informohem më shumë.
ADEM GASHI: Duke njohur shumësinë e profilimeve politike të veprimtarëve atdhetarë, mund të na jepni një sinopsis të atyre rrymimeve?
KELMENDI: Përgjithësisht, organizimet e fshehta në Kosovë ishin të majta, komuniste e revolucionare, meqë ndikoheshin nga propaganda e fuqishme e Tiranës dhe të angazhuarit vinin kryesisht nga shtresat e varfra. Ndonjë organizim i djathtë në vitet e 60-ta e 70-ta nuk duhet të ketë ekzistuar, për sa kam qenë unë i informuar. Në Perëndim, në dy vitet e para, dëgjoja për ca organizime nacionaliste, i kërkoja ato në Bruksel e gjetiu, por kur vija në kontakt, dëshpërohesha, pasi ato organizime nuk kishin përmbajtje kombëtare dhe aty e tutje i quaja pseudonacionaliste. Ishin ca organizime formale, të vogla, pa peshë e ndikim, që vetëm përflisnin, se si do ta çlironin Shqipërinë nga diktatura komuniste, ndërsa trojet e pushtuara, Kosovën me vise, nuk e përmendnin fare. Këto organizime i udhëhiqnin kryesisht njerëz që dikur i kishin shërbyer UDB-së, pasi ishin arratisur nga Republika e Shqipërisë në RSFJ-në, gjithashtu komuniste. Ata nuk i kishte penguar terrori komunist i serbomadhit Aleksandër Rankoviç mbi shqiptarët e pushtuar, meqë e kishin pasur atë si një lloj punëdhënësi. Të njëjtin zhgënjim përjetova në vitin 1978, kur njoha më për së afërmi Besëlidhjen Kombëtare Shqiptare, të cilën e udhëhiqte Emin Fazlia, alias Emil Kastrioti. Edhe kjo pseudo-organizatë, në dukje nacionaliste, 7-8 anëtarë të të cilës ishin nga Kosova, në dukje preokupim kryesor kishte çlirimin e Shqipërisë nga diktatura komuniste e Enver Hoxhës dhe jo çlirimin e Kosovës nga pushtimi jugosllav. Kjo njohje nuk më përvetësoj që t’ju bashkëngjitem atyre, prandaj u ndjeva i detyruar të themelojmë, bashkë me ca bashkatdhetarë, organizatën Fronti i Kuq Popullor. Përkrahjen fillestare e gjeta te bashkatdhetarët në Düsseldorf me rrethinë dhe nga emigracioni i vjetër nacionalist në Bruksel, rreth veteranëve të famshëm Gjelë e Hysen Gjelil Kalishta, që veten e dinin për ballistë. Për të na u kundërvënë, pas nesh Riza Salihu sajon Grupin Komunist “Zëri i Kosovës”, në Stuttgart. Në fund të vitit 1979 në Gjermani arratiset Jusuf Gërvalla. Në të njëjtën ditë informohem nga vëllai i tij, Bardhoshi, me të cilin isha njohur dhe ishim bërë miq që në vitin 1978. Ardhjen e Jusufit e përjetuam si ndihmesë të madhe morale dhe intelektuale. Po në këtë kohë, në Zvicër gjendeshin Kadri Zeka dhe Hydajet Hyseni, kuadro drejtues të OMLK-së, por angazhimi dhe ndikimi i tyre nuk shihej gjëkundi, pasi ishin futur në ilegalitet, shtatë pashë nën tokë. Meqë Jusufi i përkiste Lëvizjes Nacional-Çlirimtare të Kosovës dhe Viseve tjera Shqiptare në Jugosllavi (LNÇKVSHJ), vendosëm që veprimtarinë e organizuar të Frontit ta ngrimë, siç po thuhet, deri sa të ndodhte bashkimi.
ADEM GASHI: Pas ngjarjeve të të tetëdhjetave (e kam fjalën për demonstratat e 1981- së), cili ishte roli i veprimtarëve shqiptarë në Perëndim? Format e organizimit dhe shtypi?
KELMENDI: Angazhimi ynë më i suksesshëm, në janar të vitit 1981, ishte përgatitja e gazetës “Bashkimi”, futja dhe shpërndarja e tij e fshehtë në Kosovë dhe më pastaj shpërndarja në Perëndim. Në kryeartikull, me titull “Bashkimi bënë fuqinë”, të shkruar nga Jusufi dhe unë, kishim përpiluar platformën ideopolitike të kohës dhe kishim shtjelluar formën e organizimit në Kosovë e në emigracion.
Platforma ideopolitike dhe forma e organizimit, të trajtuar në këtë kryeartikull, kishin karakter pluralist. Protesta sociale e studentëve më 11 mars 1981, demonstrata politike më 25 mars, ku u lansua për herë të parë kërkesa për Statut të Republikës, dhe revolta popullore e 1 e 2 prillit na befasuan, meqë ne kishim bërë parashikime të përgjithësuara, se shpërthimet sociale e nacionale do të ndodhnin, por nuk i kishim parashikuar aq të shpejta. Menjëherë, Jusufi, Kadriu dhe unë, morëm vendim për të bërë demonstrata çdo fundjavë në metropolet kryesore të Zvicrës dhe të Evropës Perëndimore, të cilat kishin ndikim të kufizuar jashtë, por moralizonin popullin në Kosovë. Kjo 3-she, edhe pse u përkisnim organizatave të veçanta, pothuajse gjatë gjithë vitit 1981 e organizonte veprimtarinë, sikur t’i përkisnim një organizate të vetme. Fillimisht Jusufi, bashkë me Kadriun (prill-shtator), u angazhuan edhe në redaktimin dhe botimin e Organit të OMLK-së, “Liria”, meqë gazetën “Bashkimi” dhe revistën “Lajmëtari i lirisë” i kishim “ngrirë”, duke pritur bashkimin. Gjatë muajit korrik-gusht, fillimisht Jusufi, Kadriu dhe unë, pastaj edhe bashkëveprimtarë të tjerë, diskutuam platformën e bashkimit, duke u bazuar në tezat e Frontit Popullor për Republikën e Kosovës. Ato i kishte përpiluar OMLK-ja në maj të ’81-shit në Kosovë, por bashkimi në Kosovë u pengua nga burgosjet e shumta. Prandaj u ndjemë të thirrur që bisedimet t’i vazhdojmë ne dhe të realizojmë bashkimin. Në parim u dakorduam për platformë dhe për formë të organizimit. Jusufi shprehu dëshirën, që bashkimin ta shpallte veterani Sabri Novosella, të cilin ai e dinte si njërin nga udhëheqësit e Organizatës se tij, LNÇKVSHJ. Në tetor 1981, në takimin e Stambollit, Sabri Novosella bllokon përkohësisht bashkimin, për të cilin ishim marrë vesh qysh në gusht. Si rrjedhojë, Jusufi dhe Kadriu ndërprenë bashkëpunimin deri më 2 janar 1982, me përjashtim të pjesëmarrjes se përbashkët në festën e 28 Nëntorit, ku bashkërisht ishin në podium të atij manifestimi të madh. Gjatë këtyre dy muajve Jusufi nis botimin e gazetës “Zëri i Kosovës”, si organ të LNÇKVSHJ, kurse Kadriu përgatit një numër të “Lirisë”. Më 2 janar 1982, në dasmën e Kadri Zekës dhe Saime Jusufit, gjendet mirëkuptimi i pezulluar në mes të Jusufit e Kadriut. Më 16 janar, me ftesë të Jusufit, takohemi për të bërë bashkimin. Në agun e 17 Janarit 1982, vendosim bashkimin e tri organizatave tona. Në mbrëmjen e kësaj dite të kobshme, UDB-ja ekzekuton Jusufin, Kadriun e Bardhoshin dhe plagos rëndë vendimin tonë për bashkim…
JA PSE E SHKROVA ROMANIN «ATENTATET»
Zgjodha zhanrin e romanit historik e politik për ta kompletuar sa më shumë tabloidin e veprimtarisë, jetës dhe të atentateve, sidomos ato që nuk dukeshin. Njëherësh, zgjodha romanin, për ta paraqitur edhe figurën e kryedorasit të mundshëm, për të cilin unë vazhdoj të jem i bindur se e ka bërë këtë krim të rëndë.
Një çerek shekulli heshta, me mendimin se heshtja ime është konstruktive…
ADEM GASHI: Me Bardhosh Gërvallën njiheshit më herët, po me Jusufin, Kadri Zekën?
KELMENDI: Në këtë pyetje duhet të jem përgjigjur paraprakisht. Konkretisht, me Bardhoshin jam njohur e miqësuar në vitin 1978, me Jusufin sapo ka arritur në Gjermani, në fund të vitit 1979, kurse me Kadriun në fillim të prillit të vitit 1981.
ADEM GASHI: Itinerari gjeografik i veprimtarisë sate shtrihet gjithandej Evropës e kontinenteve të tjera. Jam kurioz të di në ç’gjendje ishte mërgata jonë në kontinentin e largët, në Amerikë? Kam parasysh gjithnjë traditën e ndritur të Nolit e të Konicës.
KELMENDI: Pas atentateve na u imponuan “përfaqësuesit” e LNÇKVSHJ-së (Sabri Novosella), PKSHMLJ-së (Avdullah Prapashtica) dhe OMLK-së (Xhafer Shatri). Ata nuk deshën të dinë për bashkimin e 17 Janarit, por bën një “bashkim” të tyre, për t’u përçarë në mes tyre, pa u tharë ngjyra e firmave nën marrëveshje. Nga qershori deri në dhjetor 1982 shkova në Amerikë për ta shtrirë ndikimin e Lëvizjes sonë atje, dhe për t’u arratisur nga zullumi që më bënin “trashëgimtarët” politik të Jusufit e Kadriut, të cilët uzurpuan (ç)udhëheqjen e Lëvizjes sonë.
Në aspektin e organizimit patriotik e politik komuniteti shqiptar në Amerikë ishte për faqe të zezë. Vatrën e Nolit e kishte pushtuar UDB-ja, kryesisht nëpërmjet krerëve të Legalitetit. Disa vatranë, nga pakënaqësia, në Boston ishin organizuar në shoqatën dhe rreth gazetës “Liria”. Mërgata politike ishte e copëtuar në shumë partiza e organizata, të cilat pos zhurmës në rrethe të ngushta, kishin numër të vogël të anëtarëve e simpatizantëve. Ndikimi i tyre ishte simbolik. Edhe ato zhurmonin për çlirimin e Shqipërisë nga diktatura komuniste e Enver Hoxhës, kurse Kosova e pushtuar u interesonte vetëm sa për të vjelë ndonjë ndihmë financiare nga shqiptarët e trojeve të pushtuara. Kjo mërgatë në vitin 1981 shante e fyente studentët dhe rininë e Kosovës, me etiketime e përfolje, si “kuçaloshët e Enverit” e ngjashëm. Sa për të bërë një formalitet, në prill 1981, kjo mërgatë organizoi një protestë para Selisë së OKB-së në Nju Jork, por nuk morën pjesë as 300 veta, të ardhur edhe nga Detroidi, Çikago e qytete të tjera, në kohën kur vetëm në Nju Jork duheshin të ishin rreth 50 mijë shqiptarë. Emigracioni i ri nga Kosova, nga Maqedonia, nga Mali i Zi, që ishte i interesuar të angazhohej për statut të Republikës për Kosovën, pengohej e kërcënohej nga emigracioni i vjetër pseudonacionalist, i cili, pothuajse tërësisht kontrollohej nga UDB-ja.
ADEM GASHI: Këtyre ditëve në faqet e shtypit është dukur një kërkesë për mbështetje rreth botimit të një romani tuaj. Me pak rreshta përvijohet tematika që jo rrallë ka trazuar shpirtrat e shqiptarëve. Është fjala për atentatin ndaj vëllezërve Gërvalla dhe Kadri Zekës. Unë njoh disa fusha të vokacionit tuaj si komentin, vështrimin, shkrimin dokumentar (kam lexuar edhe librin tuaj për ngjarjet e 97-së në Shqipëri). Përse këtë herë zgjodhët pikërisht gjininë e romanit? Mendoni se zbardhja do të jetë më e thellë dhe më totale?
KELMENDI: Një çerek shekulli heshta, me mendimin se heshtja ime është konstruktive, në interes të veprimtarisë sonë çlirimtare. Individëve dashamirës, por më shumë individëve naivë, iu interesonin emrat e dorasve. Disa syresh shpërdoronin vëllezërit Avdyl e Hysen Gërvalla, për të më terrorizuar, duke shfaqur banalisht naivitetin e tyre, sikur vetëm ata, si vëllezër, po interesoheshin për t’i zbuluar vrasësit. Atyre nuk u mjaftonte prononcimi i Jusufit, me plumba vdekjeprurës në trup, se “atentatin politik na e ka bërë UDB-ja”, të tillëve nuk u mjaftoi as porosia (amaneti) i tij: “Nëse dorasit janë shqiptarë, mos u zbulofshin kurrë!”. Kërkonin gjithsesi emrat e dorasve, jo vetëm nga kureshtja.
Zgjodha zhanrin e romanit historik e politik për ta kompletuar sa më shumë tabloidin e veprimtarisë, jetës dhe të atentateve, sidomos ato që nuk dukeshin. Njëherësh, zgjodha romanin, për ta paraqitur edhe figurën e kryedorasit të mundshëm, për të cilin unë vazhdoj të jem i bindur se e ka bërë këtë krim të rëndë.
Adme Gashi: Janë bërë disa libra për UÇK-në. Dihen raportet dhe roli i LPK-së. Pastaj lufta në Kosovë, në Luginë të Preshevës, në Maqedoni. Ku ishte Ibrahim Kelmendi?
KELMENDI: Aty ku mendonte se ishte i nevojshëm dhe ku e ngarkonin me detyrë, pa bërë zhurmë e vetëreklamim, siç bënin disa zhurmë për t’u afirmuar, që bënin sherr e pengonin luftërat.
ADEM GASHI: Pastaj erdhën partitë e reja, partitë e ish-luftëtarëve. Njëherë u dukët në PDK. Më vonë u botua një shkrim juaji tepër kritik për teorinë e Moratoriumit të liderit të PDK-së, Hashim Thaçi. Ishte mospajtim konceptual apo frymë e demokracisë së brendshme?
KELMENDI: Në Kuvendin e fundit të LPK-së, të mbajtur në Prizren në vitin 1999, u prononcova: “Fillimisht nuk do angazhohem në asnjë parti politike, pasi më duhet kohë për t’u integruar në Kosovë, pas gati 25 viteve në ekzil. Nëse ka qenë i mbarë kontributi im deri tani, ka qenë i mjaftueshëm, nëse ka qenë i mbrapshtë, ka qenë i tepërt…”.
Në PDK asnjëherë nuk kam qenë anëtar. Në mbledhjen themeluese dhe në Kongresin e Parë kam marrë pjesë si qytetar i lirë. Më ka interesuar vëzhgimi i drejtpërdrejtë, nëse po themelonin parti vërtet demokratike. Gjithashtu isha i interesuar të jap ndonjë sugjerim profesional, nëse do më kërkohej, ose do ta jepja vetë, nëse e gjykoja të arsyeshëm. U ndjeva i zhgënjyer, sidomos nga mënyra e imponimit dhe e autoritarizmit të Hashim Thaçit.
Me Hashim Thaçin jemi bashkëveprimtarë e miq të vjetër. Miqësinë dhe respektin vazhdoj ta ruaj për të, pavarësisht kritikave të herëpashershme. Besoj se edhe ai ruan për mua miqësi e respekt reciprok. Jo vetëm një herë jemi “konfrontuar” në media dhe kam ndërmend të “konfrontohem” sa herë që do ta gjykoj se “konfrontimi” im është në të mirë të Kosovës, të zhvillimit të demokracisë në PDK dhe në të mirë të vetë Hashim Thaçit. Nuk besoj se kjo do prish miqësinë tonë, pasi kemi jetuar mjaft gjatë në Perëndim, për të mësuar diç nga kultura e atjeshme demokratike. Jam i prirur t’i kritikoj e kundërshtoj miqtë, që ata të bëhen më të mirë. Ata që i konsideroj se janë destruktivë dhe që i vlerësoj të jenë në “grixhën” e Beogradit e në “grixhat” e shërbimeve të huaja, kryesisht i lë të qetë, për të mos thënë i injoroj.
ADEM GASHI: Po tani? Tani? Unë njoh tash e gjashtëmbëdhjetë vjet Ibrahim Kelmendin. E di se është martuar me të hyrë të nëntëdhjetave me Mimoza Cikën, që tashti punon si gazetare e redaktore në radion Deutsche Welle (Dojçe Velle) në Këln, e di që ka një djalë, e di që duket sa në Gjermani, sa në Prishtinë, sa në Tetovë, sa në Tiranë, ndoshta rastësisht (!) edhe në Vuthaj. Po, çfarë nuk di? Ku është ai tani dhe ç’bën?
KELMENDI: Për momentin jam këtu dhe vazhdoj të jem Ibrahim Kelmendi. Gjendem gjithandej, kudo më duket e nevojshme dhe ku ndjej kënaqësi të gjendem. Po përpiqem t’i kompletoj e t’i sistemoj shënimet për të kaluarën. Jam marrë intensivisht me grumbullim të bashkëbisedimeve (kam të incizuara rreth 300 orë) me shumë veprimtarë të emigracionit, të të gjitha rrymave e organizimeve, duke përgatitur të paktën nga një libër për çdo shtet. Profesionalistet më kanë këshilluar se botimi i tyre duhet të shtyhet për më vonë, sepse tani është çekuilibruar sistemi i vlerave. Pra, kam të gatshme një mori botimesh dhe do t’i botoj kur do të gjykoj se e kanë kohën.
Hidhërohem ndaj disa bashkëveprimtarëve dhe miqve të dikurshëm, që bëjnë vila e pallate…
ADEM GASHI: Zërat e skajshëm që më vijnë ma bëjnë portretin tënd të ngjashëm me personazhin Durmish Dur Aliu të Kadaresë, që, herë shfaqet e herë humbet. Kanë ardhur këta zëra tek ti ndonjëherë dhe ç’mbresa keni pasur? Si i gjykoni, më në fund?
KELMENDI: Nuk më kujtohet fare ky personazh. Kam gjykuar se veprimtarisë sonë politike dhe çlirimtare i duhet edhe njeriu i “padukshëm”, në operativë, siç thuhet në gjuhën profesionale. Këtë rol të rëndësishëm nuk mund ta ushtrojnë ata që vazhdimisht dëshirojnë të duken, të imponohen e të vetëreklamohen, nuk mund ta ushtrojnë as ata, që edhe kur pjerdhin, mendojnë se kanë bërë bombë atomike. Këtë rol nuk mund ta luajnë as ata që përpiqen të përvetësojnë meritat e të tjerëve, meqë dinë se vetë janë të pamerita. Mua tani po më brengos, se disa të pamerituar i janë imponuar skenës politike e partiake në Kosovë, kurse nuk po më brengos pse unë kam ngelur në “hije”. Vazhdoj ta jap kontributin tim, pa pritur që të paguhem, të dekorohem e të bëhem personalitet mediatik. Hidhërohem ndaj disa bashkëveprimtarëve dhe miqve të dikurshëm, që bëjnë vila e pallate, shpenzojnë barbarisht mjetet e pamerituara, por nuk hidhërohem pse atyre nuk iu intereson për Ibrahim Kelmendin, që ende nuk ka banesë e të ardhura të rregullta për jetesë, por po varet nga ndihma e individëve vullnetmirë dhe shpirtmirë. Për këtë gjendje sociale nuk ndjehem i penduar, por krenar, meqë kam përballuar tundimin e parasë (edhe kur kam kaluar miliona DM nëpër dorë) dhe të tjera tundime, që sprovojnë ndershmërinë e burrit, siç thuhej nga pleqtë. E çmoj si jonjerëzore, për të mos thënë armiqësore, kur mësoj se disa individ shpërdorojnë mundësitë, që të përvetësojnë ato që nuk i meritojnë, në këtë fazë kaq vendimtare, e cila kërkon vetëpërmbajtje e sakrifica, kërkon kontribut konstruktiv. Në kohë të përshtatshme, këta keqbërës mbase do jenë personazh të ndonjë romani, siç i kam paraqitur disa në romanin “Atentatet”, për t’i përjetësuar si të tillë. Keqbërësit e sotëm po i “survejojë” nëpërmjet syrit të popullit. Jam i vetëdijshëm, se keqbërësit nuk do skuqen e marrohen, edhe kur do përjetësohen në romane, si shpërdorues tenderësh edhe të ilaçeve, si shpërdorues të besimit politik e partiak, si autoritarë absolutist në parti, në poste ekzekutive e gjetiu. Nuk do skuqen as pseudotrimat, që populli i quan trima pas beteje, nëse do t’i përjetësojë si të tillë, nëse po i keqtrajtojnë bashkëqytetarët tanë joshqiptarë, për interesa të tyre personale ose si mercenarë të Beogradit, nëse i keqtrajtojnë për teka e frustrime të tyre, jo vetëm për të kompromentuar Kosovën, por edhe duke rënë në nivel të bishave… Kur shumë keqbërës e kriminelë mendojnë se unë jam zhdukur dhe prandaj mund të livadhisin lirshëm, pikërisht në këtë kohë unë mbledh e përpunojë investigimin që ua bënë syri i popullit. Kur të gjejë mënyrën e momentin e përshtatshëm, do t’i përjetësojë në letra, si të tillë. Shpresoj se edhe krijues të tjerë do kenë kurajë që ta trajtojnë këtë tematikë, sado që ndjehen të kërcënuar e të pafuqishëm.
ADEM GASHI: Tok me falënderimin për bashkëbisedimin, Ju dhe familjes suaj u dëshiroj shëndet!
KELMENDI: Edhe unë ju falënderoj dhe ju uroj ato që ia dëshironi vetes suaj.
***
Publikuar në gazetën “Epoka e re” (7 janar 2007).