2 shkurt 1943 – 80 vjet – 2 shkurt 2023
Çeta “Çamëria” u bë e dashur për popullin falë aksioneve kundër armikut pushtues
Ishte 2 Shkurt 1943 ku në fshatin Markat të bashkisë Konispol, u formua çeta ”Çameria”, çeta e parë partizane jo vetëm në krahinën e Konispolit, por dhe në Xarrë-Mursi-Delvinë-Bregdet-Sarandë. Ishin 36 burra, emrat e të cilëve janë gdhendur tek lapidari i ngritur në vendin e formimit të çetës, kushtuar kësaj ngjarjeje të madhe historike, të cilët në një natë dimri u mblodhën në Markat tek një luginë dhe formuan çetën “Çameria”. Në krijimin e saj ndikuan ndjenjat e traditat patriotike, karakteristikë e kësaj zone ku kanë dalë figura të shquara patriotike që kanë luftuar për liri dhe pavarësi. Gjithashtu ndikuan vendimet e Konferencës së Pezës, vendimet e Qarkorit Gjirokastër etj. Në Komandën e çetës u zgjodhën: Komandant Haki Rushiti, Zv/Komandant Muharem Demi, Komisar Taho Sejko, Zv/Komisar Sami Murati, Komandant Prapavije Ramadan Zejno.
Brenda një periudhe të shkurtër radhët e çetës u shumëfishuan me partizanë trima nga krahina e Çamërisë, ku midis tyre 90 ishin nga fshati Markat. Roli i çetës ishte i madh në propagandimin e LANÇ, për të përkrahur luftën për liri. Partizanet e çetës, kudo ku shkonin, priteshin me ngrohtësi nga populli, e si rrjedhim ajo luajti rol të rendësishëm në ngritjen e Këshillave ANÇl, në sqarimin e popullit së kush ishte pushteti i vjetër dhe rëndësinë e pushtetit të ri që i përkiste, si dhe në demaskimin e Ballit Kombëtar dhe bashkëpunëtoreve të armikut. Çeta fitoi një reputacion në popull dhe pati një veprimtari luftarake shumë të gjerë si: Në shkurt 1943 hapi depot e drithit të të dhjetave në Ninat, Markat, Vagalat dhe drithin e shpërndau tek fshataret; goditi Postën e karabinierisë në Sopik, atë të Zminecit, Leshnicës, dhe me ndihmën e çetës “Hajredin Tremishti”, në shkurt 1943, goditi dhe shpartalloi një kompani milicie me 65 milicë në Qafën e Dishatit. Aksione të tjera luftarake të çetës janë: Më 11 Prill 1943 hodhi në erë 5 ura në rrugën Bistricë-Bogaz, në Konispol preu furnizimin me ujë të forcave fashiste, shkatërroi një kolonë fashiste në Pecë dhe në fillim të muajit Qershor goditi forcat fashiste në Dhrovjan. Çeta “Çameria” u bë bazë për formimin e batalionit partizan “Çameria” me 18 Qershor 1943 me 220 partizanë si dhe për krijimin e batalioneve të tjera si batalioni “Lefter Talo”, “Mateoti”, “Pandeli Boçari”, “Telo Plaku”, Grupi i IV partizan që u formua në 5 Dhjetor 1943 në Cerkovicë si dhe brigada e 19-të S në 30 Gusht 1944 në Theollogo, e cila për nga roli që luajti dhe rëndësia që pati u quajt brigadë e Vllazërimit midis popullit shqiptar me atë minoritar grek në Shqipëri.
Në një lendinë të vogël e të bukur në fshatin Markat ngrihet një lapidar madhështor, simbol i asaj ngjarje historike që u tregon brezave se si në një natë të ftohtë dhe acar u mblodhën një grup atdhetarësh, ju përgjigjën thirrjes “Atdheu në rrezik” për t’u organizuar në luftë kundër pushtuesit fashist. Në këtë datë të shënuar historike me mirënjohje ju drejtohemi e përulemi 24- dëshmorëve të Qendrës Administrative Markat, emrat e të cilëve janë gdhendur në lapidarin në qendër të fshatit Markat. Kjo ngjarje historike përbën një krenari jo vetëm për fshatin Markat, për krahinën e Konispolit, por për të gjithë ne, e cila do të rrezatojë në breza lavdinë partizane dhe të dëshmoreve. Bijtë e tyre, nipër, mbesa bëjnë homazhe në kujtim të atij brezi të lavdishëm të cilët, duke ndjerë zërin e Atdheut të shkelur nga çizmja fashiste, u ngritën, dhanë kontributin e tyre për çlirimin e vendit, ndërtuan vendin e shkatërruar nga lufta duke mos kursyer as jetën e tyre. Ata u radhiten në krahun e fitimtarëve, progresisteve ku ishin rreshtuar gjithë popujt përparimtarë të botës.
Neriman Gjivogli
Kryetare e komitetit të veteranëve e pasardhësve të LANÇ, bashkia Sarandë
add a comment