DY POETË NË MES TË EVROPËS SË SHEKULLIT XXI – ROB LUFTE TË SERBISË
(Fjalë e mbajtur në manifestimin protestues në Cyrih, më 2 shkurt 2002)
***
Po e postoj një shkrim që e kam lexuar si fjalim para mërgimtarëve, në një manifestim në Cyrih (Zvicër), para më shumë se 20 vitesh, kur u zhvillua një protesë për lirimin nga burgu të Besim Zymberit e Nait Hasanit dhe të gjitha pengjeve shqiptare të luftës që Serbia i mbante në burgje.
Botohet për të parën herë.
***
TË BURGOSURIT SHQIPTARË – NDËRGJEGJIA E PRANGOSUR E KOMBIT
Ky manifestim është më i veçantë nga manifestimet e tjera që ka mbajtur disapora për lirinë e Kosovës. Por, nuk e kam pasur leht të vij e të flas këtu para jush për dy poetë që janë ende të burgosur nga Serbia.
Të flasish për kolegët e tu poetë që janë në burgje, e ti nuk ke se si t’u ndihmosh më shumë se sa të flasësh për ta, më duket një absurd. Dhe mendoj se është krijuar një absurd i vërtetë dhe i rrallë. Si e tillë ky u ngjizë, diku në zallahinë e katrahurën e pranverëverës së vitit 1999, u ngjiz në brufullimin dehëse të stinës së përzishme të fundshekullit të kaluar, me lot vajagzimi të asaj stine që do të quhet dhe do të hyjë në histori: Liria e Kosovës 1999! Dhe kjo ndodhi atëherë kur kapitulloi Serbia nga pushkët e UÇK dhe bombardimet e aleatës së saj NATO-s, në krye me SHBA-në. Në nguti e sipër nga politika kombëtare dhe diplomacia ndërkombëtare e cila anashkaloi rregullat elementare mbi kapitullimin e ushtrisë humbëse, u krijua një absurd. Fitimtarët në marrëveshjen e Kumanovës harruan pengjet e luftës! Kjo harresë nuk duhej të bëhej, nuk guxonte të ndodhte! Në raste kapitullimesh në radhë të parë shkëmbehen pengjet e luftës dhe krijohen marrëveshje të veçanta për pengjet e saj! Këtë harresë, Kosova, qe tri vjet, po e paguan si një tagër shumë të rëndë! Dhe, fatkeqësisht, kjo do të vazhdojë!
Përveq që Serbia, gjatë kësaj lufte, vrau poetët tanë para shtëpive të tyre siç janë Ymer Elshanin e Latif Berisha, ajo mori edhe pengje lufte! Në mesin e pengjeve e të dënuarve janë edhe dy poetët: Nait Hasanin dhe Besim Zymberin.I pari i dënuar me 20 vjetë burg, i dyti me 14 vjet burg. Besim Zymberi për fatin e tij, për fatin tonë dhe të gjithë Kosovës, më 24 janar të këtij viti (2002), u lirua nga burgu. Atij i dëshirojmë shëndet e frymëmarrje të lirë në Kosovën e lirë!
Por unë ende e kam të vështirë të flasë për Besimin sepse ende e konsideroj të burgosur deri sa i kanë mbetur shokët e burgosur, deri sa ka mbetur Nait Hasani i burgosur e i sakatosur.
Unë e ndiej absurdin rëndë mbi vete, sepse e kuptoj se kundër absurditetit nuk mund të luftohet me fjalë, sepse fjala nuk e shkatërron absurdin dhe pozicionin e tij. Ajo duhej, dhe, edhe sot duhet të shkatërrohet me presione, kushtëzime, me goditje, me forcë. Në radhë të parë mënyra dhe forma e veprimit kundër këtij pozicioni, ka qenë dashur të drejtohen nga vetë shqiptarët, nga ato pak institucione dhe politikanë të Kosovës, në bashkëpunim me aleatët tanë kryesorë, që të përmirësohet gabimi i Kumanovës. Kjo nuk ndodhi e nuk po ndodhë ende. Nuk dua të akuzoj askend, aq më pak çlirimtarët. Por në këtë rast transparenca duhej patjetër nga të gjithë ata që udhëheqin sot Kosovën. Së paku të thuhet prej tyre, se ja ku janë pengesat, ja cilat janë kushtëzimet, ja si luhet dhe bëhet llogari me pengjet e luftës!
Serbia, vetvetiu, kurrë nuk ka pranuar që ndaj shqiptarëve të lëshoj pé. Kurrë nuk ka pranuar dhe as që do të pranojë diçka që u shkon në të mirë shqiptarëve, ardhmërisë së tyre, përpspektivës së tyre. Serbia e Koshtunicës, që tani, ka ndërtuar strukturat e veta legale në Kosovë, madje deri brenda Parlamentit që po ndërtohet në Prishtinë, me qëllim shumë të qartë e të thjeshtë: Kosovën ta kthejë, sa më urgjentisht në një obllast ekonomik dhe kulturor të zgjeruar të Beogradit. Në këtë rast ajo po e përdorë shkelqyeshëm karrigën që Kofi Annan ia siguroi në Kombet e Bashkuara, formulën 1244 dhe ekzekutoren e saj UNMIK-un si dhe Kornizën famëkeqe Kushtetuese. Pengjet shqiptare të luftës Serbia po i përdorë për kusuritje, negociata, presione ndaj Kosovës, ndaj bashkësisë ndërkombëtare e sidomos ndaj TMK-së dhe, së fundi, edhe ndaj Parlamentit të Kosovës që ai të mos ndërtohet e të mos funksionojë.
Jo rastësisht Serbia ka dënuar dhe mbajtur, dhe mbanë, në burgje edhe gjatë kësaj kohe, poetët, intelektualët, politikanët e rinjë të kombit tonë. Kështu bëri me poeteshën dhe humanisten Flora Brovina, kështu bëri me Albin Kurtin, politikanin e ri të Kosovës, kështu bëri me publicistin dhe poetin Halil Matoshin, kështu bëri me poetin dhe luftëtarin e UÇK-së, Ardian Haxhajn, kështu bëri me poetin e nënhijeborës së Sharit, Besim Zymberin, e sa e sa të tjerë. Serbia nuk jep kurrëfarë llogarie dhe përgjigje për politikanin dhe folozofin tonë të shquar me përmasa evropiane, Ukshin Hotin, Xhavit Hazirin etj. Serbia vazhdon të bëjë kështu sot me Nait Hasanin, njërin ndër përfaqësuesit më tipik të politikanëve të rinj të Kosovës.
Serbia është humbëse në luftërat pushtuese që i zhvilloi në hapësirat Ballkanike. Ajo është humbëse edhe në luftën e Kosovës. Si humbëse ajo nuk duhet të ketë asnjë privilegje në Kosovë. Ata që po e privilegjojnë duke krijuar me te negociata, bashkëpunime, koalicione, marrëveshje, grupe punuese etj., pavarësisht se kush janë ata, shqiptarët apo të huajt, jam i bindur se për Kosovën nuk do ta zgjidhin problemin kryesor – pavarësinë dhe ndërtimin e shtetit. E, kjo, mund të ndodhë vetëm nëse bisedimet i udhëheq drejtpërdrejtë SHBA-ja, siç ndodhi deri sa përfundoi lufta për çlirimin e Kosovës.
Bga larg shihen veprime të rënda politike e diplomatike për të shtyrë përpara eksperimentin e madh të quajtur KOSOVO, dhe, dasht e padasht, shkohet kah ndryshimi i thelbit të luftës për liri të popullit shqiptar, të cilën, me sukses mahnitës, e udhëhoqi deri në fitore Ushtria Çlirimtare e Kosovës. Po bëhen përpjekje për t’i rrënuar e shpërbërë vlerat e kësaj lufte të drejtë çlirimtare; për ta vënë Kosovën në atë pozitë që dëshiron Beogradi dhe aleatët e tij tradicionalë.
Në këtë kuptim, e në këtë drejtim, nga Serbia e Koshtunicës u përdorën pengjet e luftës si dhe të zhdukurit. Ata për Kosovën janë dhembja më e madhe pas lufte, janë brenga shpirtërore që Kosovën e mban në ankth, në tension të vazhdueshëm, në destabilizim të përhershëm.
Ne tash nuk jemi në luftë të drejtëpërdrejt me Serbinë. Por precendenca është e krijuar dhe mbahet peng: Serbia ende mban pengjet dhe të pagjeturit nëpër varret masive të vrarë e groposur nga duart e saj. Kështu ajo thotë hapur para nesh dhe para botës, se nëse shqiptarët e konsiderojnë vetveten jashtë llogoreve të luftës, ne e konsiderojmë vetveten në gjendje lufte! Dëshmi i kemi pengjet e gjalla shqiptare në një anë, dhe në anën tjetër Ligjin Penal të Jugosllavisë së Zhablakut, që vepron për çdo ditë në Kosovë duke i arrestuar dhe dënuar shqiptarët në pikë natës e në pikë të ditës.
Është e vërtetë se në Kosovë është KFOR-i, dhe interesat reale të aleatëve realë të Kosovës, që tash për tash, përbëjnë një garanci për Kosovën. Por, kjo, shqiptarët kurrë nuk duhet t’i hutojë. Aleatët realë në Kosovë dëshirojnë që edhe shqiptarët të jenë partnerë realë dhe të denjë, për t’i mbështetur drejt pavarësisë, drejt krijimit të shtetit të Kosovës.
Unë, këtu nuk kam ndërmend të jap zgjidhje dhe leksion se çfarë duhet të bëhet kundër Serbisë dhe bashkëpunëtorëve të saj. Tashmë, rrugën për të luftuar pushtuesin, shqiptarëve ua ka mësuar shumë mirë pushka e UÇK-së.
Poetët, krijuesit e burgosur pengje të luftës, të kombit tonë, janë burgosja e ndërgjegjes së tij. Por jo vetëm kaq. Liria nuk mund të vjen pa lirinë e ndërgjegjies. Kushti i parë për lirinë nuk është pasja për të ngrënë, për të pirë apo për ta veshur një këmishë të bardhë. Kushti i parë i lirisë është ndërgjegjia e lirë e kombit, që do të thotë ngadhënjimi mbi të keqen. Kjo do të arrihej në rastin e Kosovës, jo kur të arrihet pavarësia, por kur të dihet varri i secilit që ka rënë për lirinë dhe pavarësinë e saj; kur të dihen plagët dhe dhembjet e secilit që ka marrë dhe vuajtur për lirinë dhe pavarësinë e saj; kur të pranohen botërisht bartësit, çlirimtarët dhe ndërtuesit e lirisë dhe pavarësisë së saj.
DY POETË E LUFTËTARË LIRIE NË MES TË EVROPËS SË SHEKULLIT XXI – ROB LUFTE TË SERBISË
Dy nga ata, çlirimtarët dhe ndërtuesit e lirisë dhe pavarësisë së Kosovës janë edhe Besim Zymberi dhe Nait Hasani. Këta dy të rinj, poetë e politikanë, pjesëtarë të gjeneratës së epokës së Ushtrisë së Çlirimtare të Kosovës, janë ata të cilët u ndeshën ballëpërballë me egërsinë shtazarake të pushtuesit. Mënyrat e torturave, format fashiste dhe metodat barbare të përdorura kundër tyre nga ana e Serbisë, janë të pashembullta. Por këta ishin të vetëdijshëm se armiku është armik dhe ai nuk ka detyrë tjetër ndaj të pushtuarit, përveç asaj që të torturojë, të vrasë, të plaçkisë, të djeg dhe të çnderojë – të mbajë të pushtuar. Prandaj, rruga e vetme ishte që ndaj pushtuesit të përdoret forca, arma çlirimtare.
BESIM ZYMBERI është nga fshati Varosh, Komuna e Ferizajit, i cili është fqinj i fshatit tim Komogllavës. Atyre përmbi u rrinë Shari plak me një kapuç bore mbi kokë, pothuajse dimër e verë. Unë nuk e kam njohur Besimin, sepse ai është i moshës së re. Por për të kam dëgjuar kur xhaxhai i tij, miku im i shtrenjtë Isak Zymberi, gazetari dhe intelektuali i përkushtuar i Kosovës, i cili mjerisht nuk është më në këtë jetë, kur bashkë me Besimin përpilonin monografinë e veteranit të luftës Sadik Tafarshikut. Natyrisht, pasi ka vdekur Isaku dhe është burgosur Besimi, fati i kësaj monografie është vënë në pikëpyetje. Madje edhe personazhi kryesor i saj ka vdekur kaherë, e bashkë me të gjëra të shtrenjta dhe të rralla të historisë sonë.
Në burgjet e rënda serbe, Besim Zymberi nuk u thye, por krijoi rrugën dhe lirinë e vet përmes krijimit të poezive. Krijimi i ka dhënë jetë, shpirt, durim dhe kurajo. Sepse deri sa krijon ai jeton! Krijimi në çdo kohë ka paraqitur pjesën më të vështirë të njerëzimit. Besimi është i vetëdijshëm për këtë. Por është edhe i vetëdishëm se pa krijuar edhe vet ai nuk është i lirë. Nuk mund ta ndiej veten të lirë për të menduar dhe jetuar për lirinë. Ai krijoi dy libra, dy krijesa artistike me vargje „Perëndia qanë nën Shqipërinë“ dhe „Në prehrin e orëve të bardha“. Besim Zymberi u bë i njohur me letërkëmbimin, në nivel shumë të lartë intelektual, që e bëri me Ismail Kadarenë, në lidhje me pengjet shqiptare të luftës dhe fatin e tyre tragjik.
Vallë edhe një herë konstatohet maksima e njohur se dhembjet e mëdha shpirtërore krijojnë vepra artistike!? Të krijosh në burg nuk është aspak privilegj. Madje është torturë. Sepse çdo lindje e një vargu duhet të jetë një klithje e cila të kërkon ta lësh të lirë për të fluturuar në ajri, ku ka njerëz që ta lexojnë e dëgjojnë. Besimi, pak kishte shpresa se vargjet e tij do ta përjetojnë këtë fat. Megjithatë, mrekullitë ndodhin! Vargjet e tij, që dikur klithnin posa lindnin në qelitë e burgjeve, e panë lirinë më përpara se sa vet krijuesi i tyre. Librat e botuar nën kujdesin e Dritëro Agollit dhe Shaban Sinanit, Besimi Zymberi, i pa vetëm më 24 janar të vitit 2002, kur erdhi në Kosovën e tij të lirë e të varur pengë nga ndërkombëtarët!
NAIT HASANI është i lindur dhe i rritur në anën tjetër të Sharit plak, në fshatin Qëndresë të komunës së Prizrenit. Ai është i gatshëm që të vuaj për Kosovën edhe 101 vjet për pikëpamjet dhe veprimtarinë e tij për lirinë e Kosovës. U dallua si njëri ndër politikanët më të spikatur të luftës dhe organizimit e luftës së armatosur për liri kombëtare në dhjetëvjetëshin e fundit të shekullit që shkoi. Është njëri ndër personalitet që u dënua me më së shumti burg nga Serbia. Ajo ia shqiptoi 30 vjet burg në katër procese gjyqësore. Në gjykimin e katër Serbia e dënoi me 20 vjet burg si njërin ndër organizatorët kryesor të radhëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Por tash Nait Hasani është edhe njëri nga pengjet më tragjike shqiptare në burgjet serbe. Me prirje të theksuar intelektuale për politikën, organizimin e luftës për liri dhe me prirje të veçanta për krijimin e poezisë, si shprehje dhe formë më e lartë shpirtërore. Nait Hasani u bë i njohur dhe një simbol i kohës në gjithë Kosovën. Njeri i qetë dhe këmbëngulës në veprimtarinë e tij të përkushtuar për liri e krijimtari, ai na del një figurë model i intelektualit tonë kombëtar. Libri i tij titulluar „Ende jam gjallë“, i botuar kohëve të fundit, nën kujdesin e profesorit dhe poetit Agim Vinca, doli natyrshëm dhe bukur në sipërfaqen e letërsisë sonë kombëtare. Nait Hasani, krijoi një libër poetik që klithë fort e del thekshëm nga gjiri i pengjeve të luftës. Libri është vetë liria e Nait Hasanit dhe e shokëve të tij. Ai është ende në burg dhe është pengë, është rob lufte. Por poezitë e tij, libri i tij tashmë është i lirë dhe një vlerë e Kosovës, një motiv, një këngë pengu që vazhdimisht jehon dhe troket në ndërgjegjen e kombit. Libri „Ende jam gjallë“ është një britmë që nuk kërkon mëshirë, por të drejtë, të drejtën e njeriut që të jetoj i lirë, pa pranga as në duar, as në ndërgjegjie.
Sot, Kosova, mbahet varë e pengë nga Serbia e ambalazhuar me emërtimin Jugosllavi dhe formula 1244 e shekullit të kaluar. Litari i këtij pengu janë pengjet shqiptare të luftës. Aktualisht, pengë ideal është personaliteti i shquar i Kosovës Nait Hasani, i cili deklaroi me qartësi në gjyqin që i bëhej nga pushtuesit serbë se „Mund të më dënoni edhe me 101 vjet burg, por nuk mund ta ndaloni procesin e pavarësisë së Kosovës!“.
Cyrih, më 2 shkurt 2002
add a comment