Portreti/intervista

Murat Blaku: Një jetë së bashku

Në njëvjetorin e ikjes nga kjo jetë e vëllait, prof. dr. Rifat Blaku, profesor ordinar i Fakultetit të ekonomisë të Universitetit të PrishtinësKujtime që nuk harrohenKishin kaluar pak vite nga përfundimi i luftës së dytë botërore, kur unë kisha marrë ftesën për t’u paraqitur në shkollë (1950). Dita e parë e shkollës i ka mbresat e veta të pashlyeshme. Për mua, ajo kishte një të veçantë, për arsye se në shkollë më kishte çuar Bali (kështu e quanin babain në Llap dhe disa rajone të tjera të Kosovës) me një biçikletë, të cilën e kishte blerë nga një oficer gjerman. Paraqitja me të në shkollë kishte tërhequr vëmendjen e të gjithëve, ishte gati senzacion. E them këtë për të treguar nivelin, në përgjithësi të ulët, të kulturës teknike të nxënësve. Kjo, pasi që ata, pothuajse shumica, s’kishin parë dhe nuk e dinin se ç’ishte biçikleta. Në fakt, në Llap biçikletën asokohe e quanin “vilispic” (nga gjuha frënge, vélocipède). Për pritjen që e kishte organizuar mësuesja, të cilën e quanin Hidajete (mbiemri s’më kujtohet) dhe që ishte nga Peja, sot nuk mund të thuhet shumëçka, meqë është distancë e madhe kohe. Një gjë, megjithatë, s’do lënë anash: ishte pikërisht ajo që, duke i parë relacionet në mes meje dhe Rifatit dhe duke qenë dashamirëse e marrëdhënieve ndërmjet vëllezërve, bëri që Rifati dy vjet para kohe të regjistrohej në klasën e parë së bashku me mua. Kështu ne u lidhëm, si i thonë një fjale, “si mishi me thuan.” Një gjë që i binte në sy gjithkujt ishte skamja e madhe në popull. Për veten e Rifatin s’mund të ankohem, sepse nuk qëndronim keq. Babai ishte nëpunës dhe s’na linte të hiqnim. Mirëpo, pjesa më e madhe e nxënësve detyroheshin që lapsat dhe fletoret t’i ndanin përgjysmë. Ishte pra në përgjithësi një varfëri e përgjithshme. Bashkënxënës të një klase kishim edhe Agim Çavdarbashën dhe Jahja Sefën. I pari, më vonë do të bëhej skulptor shumë i njohur, por vdekja e hershme e ia ndau punët përgjysmë, ndërsa i dyti ishte nxënës i shkëlqyeshëm, me të cilin shpesh bënim “konkurrencë” se cili po del më i mirë në mësime. Nga klasa e 2-të e deri në të 4-tën, mësues e kishim Riza Çavdarbashën, ish-oficer i Ahmet Zogut. Në punën e tij vërehej animi nga shkencat historike. Kështu për shembull, në një konferencë të arsimtarëve të rrethit të Llapit më 1953, ai kishte propozuar që shkruesi i këtyre rreshtave të mbante një “ligjëratë” për marrëdhëniet pronësore të mesjetës. Dhe, për çudi, ajo u prit mjaft mirë nga dëgjuesit. Më kujtohet që orët e punëdores dhe të bukurshkrimit ai shpesh i zëvendësonte me histori e gjeografi. Kështu i fuqizonte mësimet që ai i konsideronte si më me rëndësi për formimin tonë si nxënës. Në orët e edukatës fizike, ai ndjehej disi më i relaksuar, ngase i kishte mbetur “si rremb” marshimi nga dy: një, dy, një, dy, mbaje hapin si Murati, një, dy, një, dy!Me Rifatin puna qëndronte pak më ndryshe. Ai s’e kishte synimin të bëhej i parë, por parapëlqente të ishte “në mesin e artë.” Pra, as më i miri e as më i dobëti. Rëndësi më të madhe i kushtonte futbollit. Asokohe topat i bënim nga copat që tepronin nga produkte tjera, siç ishin, ta zëmë, çorapet e grave, por jo nga goma. Topat e gomës do të vinin shumë më vonë, sepse konsideroheshin si diçka luksoze. Mjaftonte që diçka të kishte formën e rrumbullakët, dhe o burra! Për vijimësinë e mëtejme deri në përfundim të tetëvjeçares, ka çfarë të thuhet. Tashti arsimtarët i kishin lëndët e veta dhe përpiqeshin secili të behej më interesant. Lëndën e Gjuhës shqipe na e jepte Hasan Shala, i cili ishte i ndjekur nga Peja si “informbyroist.” Kështu i quante propaganda zyrtare të gjithë ata që nuk pajtoheshin me konceptet e Tito-Kardelit për organizimin e shoqërisë. Vinte gjithnjë i përgatitur dhe vërtetë linte përshtypjen e një pedagogu për lakmi. I pëlqente sidomos tekstet që kishin të bënin me Luftën Nacional Çlirimtare. Matematikën dhe Fizikën na e jepte Abdyl Sokoli, një tjetër pedagog, model i arsimtarit të ndërgjegjshëm në punë. Ishte i rreptë dhe kërkonte shumë. Gjuhën frënge na e mbante Mira Brkiç, një arsimtare e përkushtuar dhe që përkthimet na ipte në gjuhën shqipe. Referuesi i juaj ishte në gjendje që pas klasës së 8-të, të zhvillonte me të konverzacion të lirshëm në këtë gjuhë.Ç’është e vërteta, edhe arsimtarët e lëndëve të tjera nuk kurseheshin për përhapjen e njohurive deri atëherë të panjohura. Por, çfarë kishte ndodhur në vitin e fundit të Luftës së Dytë Botërore?* * * Në mbledhjen e dytë të Avnojit (29/11/1943), ku ishin vënë themelet e Jugosllavisë së Dytë, Kosova përmendej vetëm si provincë e Malit të Zi. Një muaj më vonë (31 dhjetor dhe 1 e 2 janar 1944), si përgjigje ndaj vendimeve të mbledhjes së dytë të Avnojit, në praninë e 49 delegatëve dhe të majorit Baily, shtabi i përgjithshëm i aradhave partizane të Kosovës mbajti mbledhjen e njohur të Bujanit. Aty merrnin pjesë edhe përfaqësuesit e serbëve e malazezëve (Pavle Joviçeviç, Milan Zeçar), si dhe intelektualët e njohur të kohës (Xheladin Hana, Hajdar Dushi, Zekeria Rexha dhe Ali Shukriu). Këta të fundit hartuan rezolutën, me të cilën përmirësoheshin deri diku padrejtësitë e mëdha historike të gllabërimit të tokave shqiptare dhe bashkimi i tyre me Shqipërinë.U pa ndërkohë, se këto zgjidhje nuk u shkonin për shtat kokave të shovinizmit shtetomadh antishqiptar, të personifikuara përmes Tito, Tempo dhe Gjillas. Në Shtator të vitit 1944 Fadil Hoxha, komandant i aradhave partizane, përmes një puçi shkarkohet nga ky post dhe në vend të tij vjen Savo Drleviç. Ky ndërrim i Fadil Hoxhës me shokë nuk është bërë deri më sot objekt i paanshëm i studimeve historike. Por dihet që kalimi me pikë të zorit në anën e më të fortit, me qëllime tashmë krejt agresive, nuk është për t’u mburrur as për t’u lavdëruar. Ky është moment me rëndësi, ngase këtu e tutje po fillonte zezona e madhe me efekte largvajtëse anti-shqiptare. U hodh poshtë rezoluta e Bujanit, do të vijnë edhe ngjarje të tjera që do të kenë reperkusione fatale për historinë e shqiptarëve të Kosovës. Do të organizohen në Prizren mbledhje që do ta vulosin fatin e kosovarëve të lidhur me Serbinë. S’do harruar se në momentin e shkarkimit të Fadil Hoxhës, aradhat partizane kishin rreth 50,000 luftëtarë.Ditë të zeza po vinin sidomos për rininë shqiptare, e cila e rekrutuar me dhunë po dërgohej në frontet e luftës që ende s’kishte përfunduar. Në fazat e fundit të saj, Josip Broz Tito i kishte amnistuar çetnikët. Kjo ngase ai, në cilësinë e “ambasadorit”, e mbante Randolph Churchill-in, të birin e Winston Churchill-it në shtabin e tij. Çetnikët, me afshin e urrejtjes së tmerrshme ndaj shqiptarëve, po hidheshin në veprim. “Kokardat” e tyre ata i ndërruan me yllin pesëcepësh partizan të përgjakur në Tivarin e mallkuar. Atje, shqiptarët e paarmatosur, me mijëra, po shërbenin si mish për top. Kësaj mund t’i gëzohej vetëm ndonjë shqiptarofob, siç ishte Milovan Gjillas, babai i të cilit i lau hesapet në Drenicë. Ndërsa bota demokratike po bënte sehir, pati edhe ndonjë deklaratë si ajo e teneqexhiut, sllavo-maqedonasit Koçi Xoxe, se shqiptarët e Kosovës janë reaksionarë, prandaj le ta pësojnë. Ashtu sikur e mësonte mentori i tij Svetozar Vukmanovic-Tempo. Viti i mbrapshtë 1945 nuk do të kalonte pa vrragë të tmerrshme edhe në viset e tjera. Një pjesë e madhe e Kosovës po digjej flakë. Drenica u doli kapuç me mëngë, tregoi edhe një herë se nuk ka lojë me të. E pagoi shtrenjtë qëndresën burrnore të burrave: duke filluar nga Shaban Polluzha e deri te luftëtari më i thjeshtë. Përtej pragut të shtëpisë s’ke se ku vete. Sipas shënimeve të Agjencisë së Inteligjencës Amerikane (CIA-s), shtypja disaditore e kryengritjes i kushtoi regjimit 2500 viktima. * * *Ishte një dimër me acar të fortë, që edhe thiu pëlciste. Nuk kishin kaluar as 10-11 vjet nga hataja e Drenicës, kur UDB-ja famëkeqe, sikur ta dinte çfarë dimri do të merrte, kishte organizuar mbledhjen e armëve në Kosovë. Mbani mend: armët u mblodhën vetëm në Kosovë! Me mijëra njerëz u nënshtroheshin metodave më çnjerëzore të mbajtjes në temperatura ekstremisht të papërballueshme. Ata që patën fatin t’i shpëtonin kësaj golgote, zakonisht duke u mbështjellë me lëkuren e berreve të posatherrura, ishin shumë të pakët. Kjo shkaktoi trauma të përgjithshme. Njerëzit ishin në mes të dilemave hamletiane. Në ndërkohë, filloi për faqen e zezë diferencimi i spiunëve, atyre që e shisnin veten për pesë pare. Pati në këtë shërbim megjithatë, edhe ndonjë kuadër të pakompromituar, zakonisht pjesëmarrës të luftës, që kujtonin se do të realizohej gjithë çka është e mira e popullit. I tillë ishte edhe Misin Saneja që në ato dite kritike, pasi që ai e dorëzoi një pushkë, i tha Balit (Rexhep Blakut): shko në shtëpi! Po kështu veproi edhe me Met Podjevën, i cili mezi mbante të gjallë familjen. Gjithashtu, ai e shpërndau turmën e njerëzve që prisnin t’i nënshtroheshin dajakut në stacionin e policisë, dhe u tha të shkonin të gjithë nëpër shtëpia. Në këtë katrahurë të përgjithshme një rrugë mbetej për ta: rruga e Anadollit. Pas shumë e shumë dilemash, në odën e Sherif Blakut (Sherif Latifit), ku i dëgjonin lajmet nga një radio, u vendos që mixha Sherif dhe Bali të shkonin në Stamboll te një mik, me të cilin mbante korrespondencë Bali. Ata shkuan në fund të Dhjetorit, 1957, dhe qëndruan 1 muaj. Gjatë qëndrimjt atje, pushteti lejonte që të ardhurit nga vendet e tjera t’i kolonizonin viset në kufi me ish-Bashkimin Sovjetik. Atje ku për ta pjekur bukën, nevojitej që të thaje jashtëqitjen e bagëtisë për të bërë zjarr. Mbasi u kthyen, erdhi Met Podjeva me Bahtirin (kusheri i tij) dhe me shumë kureshtje i pyetën mixhën Sherif dhe Balin. Si sot më kujtohet që mixha Sherë i tha Metit: “Një jetë e kemi, si këtu, si atje. Nuk i marr në qafë djemtë dhe nipat që t’i çoj te “shopat” e Turkisë, sepse kjo po i bjen që i çuan si cjapi te kasapi.” Me kaq mori fund ideja për të shkuar në Turqi. Me vetë faktin që paria e Podujevës nuk lëvizi, gjithçka përfundoi në mbarë Llapin. Këtë e them me shumë bindje. * * *Gjashtëmujori i parë i vitit 1958 shënonte përfundimin e tetëvjeçares. Në muajin e fundit në shkollë vinin sidomos ekspertët ose inxhinierët e shkollave të bujqësisë. Ata, me sens të veçantë, e me fotografi plotë gjallëri, ia dilnin të na joshnin të regjistroheshim në këto shkolla. E dinim që mësimi zhvillohej në serbisht dhe kjo për disa nga ne nuk përbënte problem, sepse këtë gjuhë e njihnim shumë mirë. Probleme kishte me nxënësit që vinin nga ambientet e fshatit, ku nuk kishte serbë. Kështu ishte pjesa më e madhe e zonave të Drenicës dhe mbarë Kosovës.Pasi u morëm vesh me Jahja Sefën dhe Rifatin, ne iu shtruam provimit të pranimit (provim i thënçin, sepse nuk e kthenin askënd). Kështu nisëm shkollën e mesme. Problemet filluan që në start, duke nisur nga orari, nga që nuk e dinim se ç’ishte pauza, e deri te lëndët më serioze. Jahja Sefa e mbante një valixhe ku i kishte gjërat themelore higjienike dhe ndonjë tekst për mësim. Kështu vazhduam dy javët e para, kur vendosëm që të paraqiteshim në gjimnaz, duke menduar se aty ka edhe ndonjë mësim në gjuhën shqipe. U paraqitëm në drejtori, ku na priti sekretari. Jahjai kishte me vete edhe valixhen. Sekretari, duke e parë se ne ishim pak më komod se sa duhej, u nevrikos dhe m’u drejtua mua, ngase unë flisja shqip “shta je to tetëvjeçare, tetëvjeçare, govori mi ljudski” (“ç’është kjo tetëvjeçare, tetëvjeçare, folmë si duhet”). Arrogancë e shovinizëm par excellence. Ndërkohë Jahja Sefa, duke e parë dialogun mes nesh, e kishte marrë valixhen dhe iu kishte afruar derës, ku po trokiste për të dalë. Kështu ne mbetëm përfundimisht në shkollën e bujqësisë. Kjo shkollë, për nga vetë natyra e kërkimeve, kishte specifikat e veta. Lëndët si Kimia, Agrokimia, Makinat Bujqësore, Mbrojtja e Bimëve, etj., kishin prioritetet e veta dhe studioheshin më në imtësi. Në vitin e parë ishim bashkë me serbë e malazez, dhe lëndën e Kimisë na e jepte Xhevdet Pula. Simpatia e tij për disa nga ne shihej në vetë faktin që për çdo orë na pyeste. Natyrisht, në gjuhen serbo-kroate. Kështu ne mbaruam vitin e parë. Në vitin e dytë, drejtoria e shkollës e pa të arsyeshme të hapte një paralele me nxënës shqiptarë, dhe mësimi të zhvillohej në këtë gjuhë aty ku ishte e mundur. Ne kishim asokohe informacione se kishte arsimtarë që mund të zhvillonin mësimin në gjuhën shqipe, por kjo nuk i shkonte në favor drejtorisë së shkollës. Asokohe, kryetar i Kuvendit të Kosovës ishte Fadil Hoxha, ndërsa i besuar i arsimit ishte Ismet Shaqiri. Për të kërkuar ndihmën e tyre për hapjen eventuale edhe të ndonjë lënde në gjuhën shqipe, ne u morëm vesh që unë dhe Jahja Sefa të shkonim te Fadil Hoxha, ndërsa Rifati me Muhamet Vuçitërnën te Ismet Shaqiri. Mua dhe Jahja Sefës na u tha se Fadil Hoxha nuk ishte aty, ndërsa Rifatin dhe Muhamet Vuçitërnën i kishte pritur Ismet Shaqiri. Siç më thoshte Rifati, pritja qe korrekte. Dialogu mes tyre vazhdoi me paraqitjen e problemeve të vitit të dytë. Ai mori në shënim gjithçka i duhej dhe në fund, shtroi edhe çështje që s’ishin aq të nevojshme, si për shembull çështja e garderobave tona. Ç’është e vërteta, ne merrnim bursa, dhe nuk ishim aq keq materialisht. Ne ishim kthyer në shkollë, kur pamë njoftimin për mbledhjen urgjente të kuadrit të komitetit krahinor Nebi Gashi. Në stilin e një “hoxhe të mirë”, ai na e tërhoqi vërejtjen, por edhe kërcënimin se çdo shmangie ndaj kërkesave do të sillte pasoja përkatëse. Kështu vazhduam edhe dy vite, ngase në vitin e katërt, drejtoria na bashkoi prapë me serbë e malazez. Rifati e kishte humbur vitin e tretë për shkak të marrjes enorme me futboll. Në ndërkohë, ne kishim hequr të zitë e ullirit sidomos nga punët praktike, ngase nevojitej që pas çdo viti shkollor të kryhej puna praktike që zgjaste një muaj. Megjithëkëtë, unë e Jahjai ia dolëm që më në fund t’i mbronim punimet e diplomës, dhe t’i merrnim diplomat. Me këto diploma mund të gjenim punë në çdo kooperativë bujqësore. Do thënë se në vitin e dytë, të tretë dhe të katërt ne udhëtonim me tren dhe, shpesh, ndodhte që Rifati me Jahjain të ngrepacoheshin me njeri-tjetrin. Kështu, në një prej ditëve, pasi që hipëm në tren, Rifati me Jahjanë u ulën shpinë-për-shpinë. Rifati e priti momentin e hyrjes në tunel dhe i ra shpullë Jahjasë, u ngrit nga vendi dhe u shmang. Në atë moment, në errësirë, një serb u ul në vend të tij, ndërsa Jahjai mezi priste të dilte nga tuneli për t’u revanshuar. Pa dalë mirë nga tuneli, ai i ra shpullë serbit, dhe ky, pa ditur fare se ç’ndodhi, iu drejtua Jahjasë: ç’pate ore njeri, ç’të gjeti?! Më fal, se kujtova që je Rifati, iu pergjigj Jahjai në serbisht.* * *Vitet 1962-63 janë vite të studimeve universitare. Puna e parë që bëmë ishte braktisja e agronomisë dhe orientimi drejt fushave të arsimit. Jahjai kishte zgjedhur Biologjinë, unë Albanologjinë, ndërsa Rifati Gjeografinë. Të tre në tri fusha të ndryshme kërkimesh. Të tre me droën se nuk e kishim përgatitjen e nevojshme për drejtimet që i kishim zgjedhur. Kjo u pa në provimin e Letërsisë së vjetër të profesor Anton Çetta. Duke kujtuar se edhe në këtë provim jepeshin tri tema si në matematikë, unë i zhvillova të trijat. Dhe paradoksi ishte ky, sepse zakonisht jepej një temë. Profesor Antoni kishte pasur mirësinë dhe i kishte lexuar tri temat dhe i kishte vlerësuar me notën 9. Me Jahjain tash shiheshim më rrallë. Rifatin e kisha në shtëpi dhe për çdo gjë konsultoheshim. Pas semestrit të parë kisha marrë vesh se Jahjai gëzonte simpatinë e profesor Dervish Rozhajës me mundësinë që në perspektivë ta kishte si asistent. Ky ishte njohur me një vajzë të Vushtrrisë me të cilën do ta lidhte fatin. Ai kaloi të jetonte në këtë qytet. Me sa di unë ai nuk ia doli t’i mbaronte studimet, ngase vuante nga një sëmundje e zemrës. Rifati asnjëherë nuk u nda prej futbollit. Gjatë gjithë kohës së studimeve merrej me të. Një kohë luante bashkë me babain e legjendës së futbollit kosovar Fadil Vokrri – Abdullah Vokrri.* * *Rifati kish marrë pjesë në demonstratat e Podujevës, të cilat ishin zhvilluar nga ora 1 deri në 2 pasditen e 27 Nëntorit, 1968. Ishte në krye të demonstratave. Pasi përfunduan në Podujevë, pritej që të shpërthenin me gjithë vrullin e pandalshëm në Prishtinë. Poashtu edhe në Ferizaj e Gjilan. Demonstratat e Prishtinës e bindën popullin se pushteti ishte i brishtë dhe se çdo kërkesë mbare popullore mund të shprehej botërisht. Do thënë qartë, e përsëritur edhe njëherë, se demonstratat shqiptare të vitit 1968 s’kishin asgjë të përbashkët me ato të Evropës dhe të Beogradit, as ideore as konceptuale. Ato ishin tërësisht autoktone, origjinale dhe me karakter të theksuar kombëtar. Erdhën si rezultat i pakënaqësive të grumbulluara që po zienin në kokat e njerëzve dekada me radhë. Pas tri-katër ditëve, Rifati detyrohej të paraqitej në ushtri. Kjo në njëfarë mënyre e shpëtoi atë nga procesi i stërzgjatur i diferencimeve ideo-politike. Në Katedrën e gjuhës dhe letërsisë shqipe vinte për javë të tëra Kolë Shiroka, kuadër i Komitetit krahinor. Ai kërkonte eventualisht ndonjë viktimë për situatën e krijuar. Gjendja ishte e acaruar për shume kohë dhe duhej përshtatur këtyre rrethanave. Qarqet politike ishin të interesuara sidomos për asistentët e rinj, për të cilët e dinin se ishin më të afërt me studentët. Mirëpo, kjo nuk solli ndonjë rezultat të dukshëm. * * *Ndërkohë Rifati kishte kryer ushtrinë dhe kishte filluar punën në gjimnazin “Sami Frashëri”, atëherë “Ivo Lolla Ribar”. Pas disa kohësh, Fakulteti ekonomik kishte shpallur konkurs për një asistent të lëndës Gjeografia ekonomike, ligjëratat e së cilës i mbante profesor Mark Krasniqi. Pas mbylljes së konkursit, Rifati doli fitues. Në fillim, profesor Marku e udhëzonte me literaturën e nevojshme, si dhe shumë shpejt ia dorëzoi lëndën. Me një entuziazëm të dukshëm, Rifati mori përsipër çështjen e mësimeve dhe të ushtrimeve. * * *Kështu filloi një periudhë e konsoliduar e punës në universitet. Në të gjitha drejtimet e tij, në vitet në vijim, diplomat i morën me qindra mijëra studentë të drejtimeve të ndryshme studimore. Natyrisht që kjo i pengonte forcat regresive ende të pranishme edhe në universitet, për të dalë haptas pas ndryshimeve kushtetuese, me të cilat Kosovës i merreshin atributet e shtetësisë. Ja se ç’shkruaja atëherë (“Koha Ditore”, 22 Shtator 2006): “Kur njeriut i mungojnë faktet apo argumentet për një qëllim a tezë të caktuar, ai përdor fjalë të mëdha për të krijuar perde tymi. Kryepopi i Kosovës, Artemije, që tash disa vjet dezinformon e gënjen kundër pavarësisë së Kosovës nëpër kancelaritë e Amerikës e të Evropës, para pak ditësh tha: Kosova s’mund të bëhet shtet, sepse shqiptarët gjatë Luftës së Dytë Botërore paskan qenë me Hitlerin. Hirësia e tij, me siguri e di po s’do ta pranojë botërisht, se do të sikletisej, se për sa u takon lajkave ndaj fyrerit dhe qëndrimit servil prej poltroni ndaj tij, me serbët apo qeverinë e tyre gjatë luftës pakkush në Evropë mund të matet. Beogradi asokohe i kishte “Aushvicët” e vet: kampet e përqendrimit në Batajnicë, Koshutnjak, Sajmishte, etj. Qeveria serbe e kohës mburrej se e para kishte zbuluar kamionë me gaz helmues brenda, të cilët shërbenin për transportimin e çifutëve në këto “koncllogore”. Me mburrje delirante Qeveria serbe njoftonte Berlinin më 1942 se Beogradi ishte qyteti i parë i Evropës i deçifutizuar totalisht. Pra, në kryeqytetin serb çifutët ishin shfarosur. Në Kosovë shqiptarët e as Qeveria e tyre kuislinge madje, jo që s’e vranë e as e denoncuan asnjë çifut, po organizuan kalimin e tyre fshehtas në Shqipëri. Hirësi, tërthorazi edhe një detaj sa për informin: Shqipëria (ku asokohe përfshihej edhe pjesa më e madhe e Kosovës) ishte i vetmi vend i Evropës ku numri i çifutëve pas Luftës së Dytë Botërore ishte më i madh sesa para saj. Këtë e theksojnë vetë çifutet. Faktet janë kryeneçe, ndërsa blofet e propagandës që i keni me bollëk, për rastet si ky së paku, s’vlejnë as pesë groshë. Megjithëkëtë, kontributi i institucionit tuaj në propagandën shurdhuese antikosovare përbën një nga shtyllat kryesore. Spektrit të ngjyrave të ndryshme politike të saj, qoftë të proveniencës së zezë apo të kuqe, ose të koalicionit të tyre me ndonjë të bardhë fals, ju i vini kapakun me temjanin tuaj mesjetar neveritës. Edhe më e keqe se yshtja dhe ndërsimi i saj është angazhimi juaj skandaloz, direkt e i programuar ne vazhdimësi për involvimin në punë laikë të kësobotshme, në kundërshtim flagrant me misionin Tuaj parësor ungjillor të fisnikërimit të shpirtrave të njerëzve, si një nga synimet kryesore të krishtërimit. Është thënë nga shumëkush se veprimtaria Juaj në fushën e formësimit të opinionit publik të shoqërisë Suaj mbështetet mbi baza kleronacionaliste e klerofashiste. Nuk ju mjaftoi përkrahja e zjarrtë dhe nxitja për regjimin kriminal të Millosheviçit po pjesëtarë të hierarkisë Suaj të lartë nuk hezituan të stoliseshin edhe me grada ushtarake të larta natyrisht. Barinjtë e Krishtit u bënë kolonelë. Dëshirojmë të besojmë se kjo është vetëm çështje e errësimit të mendjes së individëve të caktuar. As bekimi i eskadronëve të vdekjes para nisjes në misionet e tyre fatale në Bosnjë e gjetiu, s’ishte vetëm një ritual fetar i pa të keq. Ju jeni tharmi i mitit të kobshëm serb për Kosovën. Atë e shndërruat në opium nacionalist agresiv për popullin Tuaj, ndërsa elita juaj intelektuale e politike e bëri atë ikonë të aspiratave ekspansioniste të saj ndaj trojeve shqiptare të këtyre anëve. Tashti që pretendimeve të historiografisë suaj të manipuluar me synim gjithnjë posesivitetin politiko-territorial të Kosovës po u vjen fundi, Ju ziheni në djersën e segëlltisë suaj. Këtë circulus viciosus e gatuat vetë the vërtet e keni vështirë për të dalë prej tij. Edhe një Trocki qysh më 1913 tërhiqte vërejtjen se me pushtimin e Kosovës, Serbia po e merrte mbi supet e saj një barrë shumë të rëndë, e cila kurrë nuk do ta linte atë të zhvillohej e as të demokratizohej. Shtërzimet e korit tuaj propagandues pushtetor, laik e kishtar antikosovar, qoftë që vijnë si përpjekje për të ndikuar te faktori ndërkombëtar, qoftë si justifikim para opinionit publik të brendshëm, kanë të përbashkët kundërvënien paradoksale ndaj objektivitetit dialektik të zhvillimit të proceseve historike dhe injorimin edhe më absurd të realitetit të ri në Kosovë e jashtë saj, si pasojë e këtyre proceseve. Shpërbërja e ish-federatave të BRSS-së, Çekosllovakisë e Jugosllavisë, ishte një nga këto procese objektive historike në Evropë, ndërsa pavarësia e Kosovës përbën aktin final më normal të përfundimit të shpërbërjes së ish-RSFJ-së. Çdo interpretim tjetër është farsë. Ju e dini fort mirë këtë, po me arrogancën e prepotencën që ju shquan, thua se i fituat e jo i humbët katër luftëra, përpiqeni t’i bishtnonin me makinacione nga më të ndryshmet, shantazhe e kërcënime madje. I mbani leksione botës se po u pavarësua Kosova do të shkeleshin parime themelore të së drejtës ndërkombëtare, ndërsa dihet fort mirë se si i sanksionon kjo e fundit shkaktarët e luftërave agresive dhe sidomos humbësit e tyre; shantazhoni me shembuj të tjerë të gjeografisë politike të Evropës e jashtë saj, duke harruar se këto krahasime janë shumë atipike dhe krejt non sens; kërcenoni me serbët e Bosnjës, me rrezikimin e paqes në rajon e më gjerë e me absurde të tjera, që më s’pinë ujë. Në raport me Kosovën e me obstruksionet që bëni, përpiqeni ta minoni realitetin e ri. Me një katalog të tërë temash tendencioze që shtroni edhe duke i shpikur ato, synoni të ndalni procese që s’mund të ndalen: jo pasiguria e lëvizjes, jo decentralizimi, jo privatizimi, etj. * * *Latinët thoshin “Medice cura te ipsum” (mjek, shëroje vetveten). Kjo vlen në radhë të parë për fqinjët tanë të veriut, ata që “gënjeshtrën e kanë virtyt” (D. Çosiç). * * *Arsimi në përgjithësi, por univerziteti në veçanti, u sulmuan pa mëshirë. Shumica e arsimtarëve të ndjekur nga procesi mësimor vazhduan të punonin në shtëpitë-shkolla. Shumë shpejt, universiteti faktikisht kaloi në to. Rifati bashkë me kolegët e tjerë, përveç obligimeve në katedrën e vet angazhoheshin edhe për mësim në degë të tjera. Kështu ai kontribuonte edhe në degë simotra të gjeografisë. Më kujtohet kur doli UÇK-ja se ai, në marrëveshje me eprorë të caktuar, mbante ligjërata për orientimin gjatë natës, për gjuajtjen në shenjë e shkathtësi të tjera të nevojshme për ushtrinë. Ai i furnizonte me harta topografike eprorët e saj. Ndërkohë pushteti lejonte pluralizmin politik. Përveç LDK-së, vepronte edhe Partia Parlamentare e Kosovës. Rifati ishte nënkryetar i saj. Më kujtohen shumë polemika për fatin e Kosovës të zhvilluara me Vuk Drashkoviçin e me autorë të tjerë kundërshtarë të tezave për emancipimin e Kosovës. Ky i fundit, si pjesëtar i “popullit hyjnor”, ishte kategorikisht kundër. * * *Në këtë cilësi me 17 qershor 1998, ai zhvilloi një vizitë në Uashington DC, i ftuar nga Instituti i Paqes të fliste për temën “Kriza në Kosovë.” Po në këtë ditë, në mbrëmje, ai ishte i ftuar në emisionin “Studio e hapur” të Zërit të Amerikës, programi në gjuhën serbe. Duke folur për sulmet gjithnjë e më të fuqishme të UÇK-së mbi forcat serbe, ai me të drejtë e fajësonte pushtetin serb, i cili kishte sjellë forca enorme kundër Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Nga do kalonte policia, ushtria, paramilitarët (vrasës me pagesë), thënë kushtimisht, aty nuk dilte bar më. Kishin vrarë e prerë fëmijë, plaka e pleq. Pyetjes së gazetarit se si do të vepronte UÇK-ja nëse Millosheviçi i tërheqë forcat nga Kosova, Rifati iu përgjigj me maturi. Ai deklaronte se me këtë rast strukturat drejtuese të UÇK-së do të merrnin vendimet përkatëse. Gazetari po e pyeste se ditëve të fundit vazhdimisht po përdoreshin minahedhësit, dhe kjo flet për komplikimin e mëtejshëm të situatës. Aty ai shfrytëzoi rastin për t’i njohur dëgjuesit gjerë e gjatë për ekspanzionizmin serb në jug e më tej dhe për zgjerimin e Malit të Zi. Piroti, Nishi, Aleksinci, Prokupja, Kurshumlia, Leskovci, e deri te Vranja, gjithsej 520 vendbanime shqiptare (Toplicën serbët e quanin “Topliçki Arnautlluk”), Serbia i mori pa ndonjë sakrificë të madhe. Pretendimet e udhëheqjes serbe shkonin edhe më tej. Pas luftave ballkanike, kur aleatët e Ballkanit i ndanë trofetë e luftës, Kosova, Maqedonia Perëndimore mbetën nën sundimin serb. Kjo shkaktoi lëvizje të mëdha të popullatës, shpërngulje në Turqi, më pak në Shqipëri, por pjesa më e madhe e popullit mbeti nën sundimin serb. Natyrisht që kjo u pagua shtrenjte edhe nga vetë ushtarët serbë: me qindra e mijëra i paguan me kokë synimet pushtuese serbë. Rifati ia bënte me dije dëgjuesve se Serbia i kishte organizuar pesë valë shpërnguljesh: e para më 1878, e dyta pas luftave ballkanike, e treta dhe e katërta nën sundimin e krajlëve të Serbisë dhe atë të Tito-Rankoviçit. Valën e pestë të shpërnguljeve e organizonte Millosheviç, i cili i kishte rreth 400,000 vetë jashtë vendit. Fatmirësisht nuk ia doli t’a realizojë atë me sukses, falë Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe aleatëve të saj.Emisioni përfundonte dhe gazetarët e falënderuan Rifatin për gjithë këto informata. Deri sa po qëndronte me ta, i thanë se po e thërriste dikush në telefon. Ishte Adem Demaçi, i cili Rifatit i tha: “Vëllaçko, të lumtë, se më mirë nuk kisha folë as unë. E the edhe më tepër se ç’duhej.” Kështu ai e përgëzoi për gjithë guximin që pati. Nyja e kësaj paraqitje është kjo: https://www.facebook.com/rifat.blaku/videos/350957128642243/E kisha hallin e madh se si do t’ia bënte Rifati në të kthyer. Për çudi, ai zbriti në Beograd, dhe erdhi pa therrë në këmbë në shtëpi. Si duket pushteti nuk e kishte hallin më se kush çfarë po bën, por kush me çfarë po merret. * * *Në fillim të vitit 1999, përfunduan negociatat në Rambuillet, Francë. Situata po acarohej dita ditës. Filloi edhe ndërhyrja e domosdoshme ushtarake e NATO-s. Kjo vetëm se e tërboi pushtetin serb, i cili intensifikoi shfryrjen e saj ndaj civilëve të pambrojtur. Që të mos i binim në dorë policisë, duhej të fshiheshim që mos të na zbulonte askush. Kaluan katër pesë ditë, dhe Rifati fshihej tek baxhanaku i vet, ndërsa unë shkova te motra në Breg të Diellit. Situata vinte duke u shtrënguar dhe më në fund mua dhe familjen time, bashkë me Nënën, na detyruan ti hipnim trenit dhe të dilnim në Maqedoni. * * *Atje shkuam ne Reçicë të Vogël, në periferi të Tetovës, te ish studentët e mi Fatime dhe Vehbi Bexheti, të cilët na pritën sa s’ka më mirë. Një pritje poashtu të përzemërt na kishte organizuar edhe shoku i ushtrisë, Abdylselam Arsllani. Të nesërmen Fatimja na sistemoi në një shtëpi që qëndronte e zbrazët deri sa shkuam ne. Njoftime nga Rifati nuk kishim, dhe kështu kaluan 1 muaj. Kaluan shumë netë pa gjumë. Kanalet prej frontit thoshin se s’ka nevojë të brengosemi meqë ai është në vend të sigurtë.* * *Më në fund na erdhi lajmi që Rifati, i maskuar, e kishte kaluar kufirin dhe ishte bashkuar me të shoqen Lulen, dhe fëmijët Albulenën dhe Mentarin. Ishin vendosur te një i afërm. Qëndresa karikaturale e Serbisë ndaj fuqisë më të madhe të botës dilte si e një klouni pa shpresë dhe ishte çështje e pritjes për një kapitullim të shpejtë. Pala Kosovare e bisedimeve në Rambuje kishte formuar qeverinë e vet. Aty figuronte edhe emri i Rifatit. Ajo madje e zgjodhi edhe për herën e dytë pas meritave që i kishte në mbrojtjen e statusit të Kosovës dhe sidomos pas emisionit të njohur në “Zërin e Amerikës.” * * *Jeta ka ndarje, por edhe ribashkim. Pas një muaji e gjysmë qëndrimi në Maqedoni, neve na doli leja e ribashkimit familjarë me dy djemtë në Amerikë, Dardanin dhe Bardhin, te cilët nuk i kishim parë me vite të tëra. Ishte shumë mbresëlënës takimi me ta. Për këtë shkroi edhe gazeta “Newsday” e Nju Jorkut. Më kujtohet se të nesërmen erdhën gazetarët për të na vizituar dhe sikur shprehën habinë kur na panë neve duke ngrënë drekën, të cilën e kishte përgatitur me shumë përkushtim e shije bashkëshortja ime Zejnija – si një Nënë që shihte familjen e saj të bashkuar për herën e parë pas 9 vitesh ndarjeje të imponuar nga regjimi serb. Ata sikur prisnin që ne të hanim bukë ndryshe.Në ndërkohë, pas kapitullimit përfundimtar të Serbisë dhe çlirimit të Kosovës, Rifati ishte kthyer në Kosovë dhe kishte marrë detyrat e ngarkuara nga qeveria. * * *Nuk e quaj punë të kryer si duhet në këto kujtime, pa i vënë në spikamë edhe tre-katër elemente thelbësore për fatin e shqiptarëve të Kosovës:1. Shkarkimi i Fadil Hoxhës dhe shpërndarja e njësive partizane, mohimi i Bujanit do të thoshte mohim i të drejtës për vetëvendosje deri në shkëputje dhe koncesion i pafund ndaj udhëheqjes së Serbisë.2. Mosdhënia e pëlqimit për ndryshimet kushtetuese për kushtetutën e vitit 1974 ishte një goditje tjetër e madhe antishqiptare e Josip Broz Titos.3. Lejen për ndryshimet kushtetuese e nënshkroi kryetari i qeverisë, Mika Shpilak.4. Monstra e quajtur Josip Broz Tito, në mbledhjen e mbajtur në Karagjorgjevë me oficerët në vitin 1979, po mendonte shumë seriozisht kthimin e Kosovës në regjimin e vitit 1945. Kishte përkrahjen e gardës së vjetër në krye me Svetozar Vukmanovic – Tempo. Ishin rrethanat favorizuese brenda Jugosllavisë dhe jashtë saj, që i kundërshtonin pikëpamjet e tilla. * * *Ditën e parë të shtruarjes së Rifatit në spital, mjekët i bënin analizat paraprake dhe prognozat ishin dëshpëruese. Ditët e tjera, ato u thelluan dhe mjekët erdhën në përfundim që duhej o t’i shtrohej një operacioni, ose të rrezikonte përshkallëzim të skajshëm të sëmundjes. Pasi morën mendimin e të birit, Mentarit, mjekët vendosën të bëjnë një ndërhyerje kirurgjikale. Ajo, pas një infarkti të dytë, për fat të keq përfundoi me fatalitet. Dhe kështu ne mbetëm përgjithmonë pa të. Pa buzëqeshjet karakteristike dhe humorin e mprehtë të tij. Populli ynë mbeti pa një mendimtar dhe vizionar të shquar. Kështu qenka kjo jetë. * * *Visari, im bir, më tregonte se gjatë qëndrimit në spital, kur ishte me humor të mirë, ai i recitonte me shumë pasion vargjet e “Gardës Krutane” të Kolë Jakovës:“Dashka nuse mbret sulltani,Vashën Sutë dhënë te Galani,Krushka e parë vetë BallabaniHarroi pasha të parët tanë,Që zakon na e patën lanë,Pa shkue gjaku gurra-gurra,Mos me i dhanë vashës dy burraNuk u ngop për shpi që dogji,Gra e fëmijë që gjallë i poqi,S’i mjaftuan fushat shkretnu’,Trimat tonë posa mbulu’Ende bari për pa u mbiNa kërkoka sot krushqiNë pleh tuj hedhë, nder e zakonaTë ngrejë gjerdek mbi varret tona.Jo sulltan, gabim e ke,S’është Turqi vendi ku je!Në harem tënd, s’luan ti me neKëtu i thonë Arbëri e kuqe,Vend i ashpër e njerëz me huqe,Po s’e dite, pyt t’yt Atë,Që tek ne i la kockat thatë.”I jap vetes të drejtën të propozoj që, për shkak të marrjes një kohë të gjatë me problematikën e të shpërngulurve, ama e të mërguarve të mbajë emrin e tij: “Ama e të mërguarve, prof. dr. Rifat Blaku.”Në fund e falënderoj pa masë bijën time, Zanën, që mori kurajon për ta shtypur dhe për ta plotësuar aty ku duhej ky referat.