Kulturë\Letërsi

Gjokë Dabaj: Mallkimi do të bjerë kobshëm mbi njerëzimin që nuk po lexon

Në shekullin XX qe trajtuar si problem shumë i rëndësishëm lufta kundër analfabetizmit. Një shumicë e madhe njerëzish nuk dinin të lexonin dhe ky konsiderohej si shkaku i shumë të këqiave. Në vendet socialistë, fill pas triumfit të revolucioneve, qenë organizuar kurse kundër analfabetizmit, në mënyrë që edhe të rriturit e të moshuarit të mësonin lexim e shkrim, sepse përndryshe, nuk mund të ndërtohej sistemi i ri shoqëror. Krahas kurseve kundër analfabetizmit, në vendet socialistë qe vendosur shkollimi i detyrueshëm, në fillim 4-vjeçar, pastaj 8-vjeçar dhe, më në fund, qe arritur që shumica e popullsisë së re në moshë, të kryente shkollat e mesme. Edhe në vendet kapitalistë, si dhe në ato vende që quheshin vende në zhvillim, shkollimi masiv pat arritur të përfshinte shumicën e popullsisë. Dhe atje, me sa di unë, shkollimi fillor qe bërë i detyrueshëm, por edhe shkollimi i mesëm dhe ai universitar ishte dhe është i hapur për të gjithë ata që kanë mundësi financiare. Thelbi i krejt asaj lëvizjeje gjithnjerëzore ishte, që çdo njeri të dijë të lexojë dhe të skruajë, në mënyrë që secili njeri të mund ta njohë dhe ta zbatojë përvojën e brezave të vet paraardhës, si dhe përvojën gjithnjerëzore. Nëse njeriu do të dinte të lexonte e të shkruante, ai, rrjedhimisht, edhe do të lexonte e do të shkruante. Do të lexonte libra dhe do t’i shkruante gjërat që i mendonte se u duhen lënë brezave pasardhës! Përndryshe, përse do t’i kalonte nëpër shkolla 4 apo 8 apo 12 vjet?! Njerëzit, në atë mënyrë, do të bëheshin më të ditur dhe, duke qenë më të ditur, do të mund t’i zgjidhnin më mençurisht, si problemet vetjake e familjare, ashtu edhe problemet shoqërore apo kombëtare. Duke qenë të ditur, njerëzit nuk do të ishin skllevër, por zotër të situatave. Ideologët dhe organet shtetërore të atij shekulli, nxitur edhe nga idetë iluministe të shekullit XIX, patën ushqyer shpresa të mëdha pikërisht te shkollimi masiv i popullatës. Pa shkollim masiv, mendonin ata, nuk ka dhe nuk mund të ketë progres as në qeverisje, as në ekonomi e as në kulturë.

Prandaj edhe buxhetet e shteteve, një pjesë të konsiderueshme të parave e ndanin për arsimin. Askujt nuk i dhimbeshin paratë për shkollimin e brezit të ri. (Të këtij brezi, i cili tani po tregohet kaq neglizhent, sa historia nuk do t’ia falë kurrsesi!) Familjet bënin (edhe bëjnë) sakrifica të mëdha për t’i shkolluar fëmijët e vet! (Këta fëmijë që, edhe kur po rriten, nuk po dinë ose nuk po duan t‘i përdorin efektivisht, as leximin e as shkrimin! Brezat e ardhshëm nuk do t’ua falin brezave të sotëm të këtilla papërgjegjësi! Mallkim i rëndë ka për të rënë mbi krejt këtë turmë të vetëverbuar!). Cili është, më në fund, rezultati i të gjitha atyre ëndrrave e sakrificave?! Statistikat tregojnë që, në shkallë botërore, njerëzit që lexojnë libra rregullisht, mezi arrijnë në 7 për qind. Kjo do të thotë që, në 100 milionë banorë, 93 milonë i kanë mësuar kot leximin edhe skrimin. Për 93 milionët e banorëve të vet, shteti apo shtetet, i kanë shpenzuar kot paratë për arsimimin e tyre! Në këtë pikë, një numër lexuesish të këtij shkrimi (të atyre pak njerëzve që do ta lexojnë) do të gjejnë arsye për të më kundërshtuar. Ata do të thonë: Shkollimi gjithsesi është dhe mbetet dituri. Njeriu që kryen një shkollë, nuk mund të konsiderohet injorant. Ashtu është. Njeriu që i ka kryer 12 apo 16 vjet shkollë, edhe sikur vetëm me të dëgjuar t’i ketë marrë ato njohuri, nuk mund të quhet injorant. Por, unë po marr vetëm dy shembuj. Një njeriu që kryen shkollën e pilotit, qoftë edhe me rezultate të shkëlqyera dhe kurrë në jetën e vet nuk merret më me avionët, sa i vlen profesioni i pilotit atij njeriu?! Dua të them: një njeriu, i cili për 12 apo 16 vjet ka mësuar të lexojë dhe kurrë më në jetën e vet nuk lexon asnjë libër, a i vlen më atij njeriu “profesioni” i të lexuarit?! Një njeriu që, në kursin e kuzhinierëve, ka mësuar si piqet mishi dhe kurrë më në jetën e tij nuk pjek mish dhe nuk ha mish të pjekur, ç’i hyn në punë zanati i mishpjekësit atij njeriu?! Në vend që të lexojnë libra, njerëzit e sotëm, pjesën më të madhe të kohës së lirë dhe jo vetëm të kohës së lirë, po e shpenzojnë duke parë filma dhe duke u marrë me celularët. Celularët, kjo shpikje e bukur që po i shkatërron njerëzit e kohës sonë! Dikush mund të thotë: Edhe atje merret kulturë. Por, le ta analizojmë pak më kthjellët këtë pohim mjerimisht të cekët! Sa francezë të sotëm i njohin, jo sipërfaqësisht, jo thjeshtë me emra, por në gjerësi dhe në thellësi, në veprën e tyre të plotë: Volterin, Balzakun, Zolanë, Didëronë, Rusonë etj, etj?! Statistikat, siç thashë, na thonë që, në shkallë botërore, vetëm 7 për qind e njerëzve lexojnë rrregullisht libra. Por edhe këtu ka vend për diferencime. Mos vallë ky 7-përqindësh lexon vetëm romane a poezi?! Duke u shndërruar kështu edhe këta në ca somnambulë?! S’është punë e keqe të lexosh letërsi artistike, por njerëzimit i duhen: edhe filozofia, veçanërisht sociologjia si pjesë e filozofisë, edhe pedagogjia, edhe historia… Kur them njerëzimit, kam parasysh të gjithë ata banorë të këtij planeti, të cilët e kanë kryer një shkollë, qoftë edhe 4-vjeçare dhe që, rrjedhimisht, dinë të lexojnë. Përndryshe, nëse kjo masë gjithnjerëzore, e shkolluar, i lejon vetes të mbetet injorante, vjen një ditë që kësaj mase do t‘i përshatet emërtimi bagëti!

Ku po e çon veten njerëzimi, duke ditur të lexojë dhe duke mos lexuar?! Ai po vetëshndërrohet kështu në një turmë amorfe, me të cilën dikush mund të bëjë ç’t’i dojë qejfi! Sa miliona nëna (që dinë të lexojnë), lindin fëmijë dhe rritin fëmijë pa lexuar, tërë jetën, as edhe një libër pedagogjie e psikologjie?! Dhe pastaj ankohen: Pse më doli kështu djali?! Pse më doli kështu vajza?! Bota e sotme është plot me nëna që s’dinë t’i edukojnë fëmijët e vet! Sa qindra milionë zgjedhës ia japin votën njërit apo tjetrit kandidat për qeveri dhe pastaj, ose ngelin duke shfryrë inatin ndaj qeveritarëve që vetë i kanë zgjedhur, ose… heqin dorë nga votimi, duke i lënë qeveritë në duart e batakçinjve?! Këta qindra milionë zgjedhës të kohës sonë praktikisht nuk dinë asgjë mbi shtetin. Nuk dinë asgjë, sepse s’kanë lexuar asgjë, as nga historitë e shteteve, as nga sistemet juridike të shteteve të ndryshme dhe as në lidhje me shkaqet pse shumë shtete janë asgjësuar e shuar dhe pse shumë të tjerë kanë mbijetuar. Ka disa kategori njerëzish që lexojnë njëanshëm. Për shembull, katolikët lexojnë vetëm Ungjillin apo pjesë të Ungjillit dhe mendojnë se kjo është e mjaftueshme. Myslimanët lexojnë vetëm Kuranin, ose kufizohen duke dëgjuar predikimet e klerikëve dhe mendojnë se kaq është e mjaftueshme!? Kjo tendencë e çon njerëzimin në përballje të verbër njërin kundër tjetrit! Puna mund të shkojë deri në konfrontime të përgjakshme, në përmasa të pandodhura deri më sot! Sado që, në të gjitha kohët ka pasur luftëra midis feve! Njeriut të shekullit XXI nuk i lejohet të mbetet kaq i njëanshëm. Njeriu i shekullit XXI, cilido që ka mësuar të lexojë, e ka detyrim moral ndaj vetes, ndaj familjes, ndaj kombit dhe ndaj krejt njerëzimit, që të lexojë libra prej letre, jo libra interneti, e pakta 20 faqe për çdo 24 orë! Ky duhet të bëhet obligim gati shenjtëror, deri në shkallën e fanatizmit! Në çdo 100 ditë-netët 24-orëshe çdo njeri duhet të lexojë dymijë faqe libra të të gjitha llojeve dhe kështu do t’i binte që secili banor i këtij planeti, në 50 vitet e jetës së vet, të ketë lexuar 300 mijë faqe libër prej letre. Jo, të ketë dëgjuar! Jo, të ketë parë në internet! Por të ketë lexuar në libër prej letre dhe ta ketë shoqëruar leximin, detyrimisht, me vërejtje e me shënime! Mos më akuzoni për konservator! Njerëzimi ka bërë dhe do të bëjë shpikje të mrekullueshme. Por disa nga shpikjet, si për shembull libri prej letre, do të mbeten të përjetshme. Ashtu si gjilpëra, si plugu, si rrota, si anija… Vetëm në këtë mënyrë do të mund të formohet njeriu modern! Jo pjesë e një kopeje apo grigje, siç i quajnë zakonisht klerikët besimtarët e vet, por qenie e vetëdijshme për çdo gjë që ndodh, brenda tij ose rrotull tij, afër apo larg. Njeriu po bën gabim të rëndë që nuk po vazhdon të pajistet me dituri, sistematikisht, nga mbarimi i shkollimit të rregullt e deri sa të vdesë! Vetëm në këtë mënyrë kombet nuk do të shkonin, as drejt mbisundimit ndaj të tjerëvet dhe as drejt shuarjes dhe tjetërsimit, siç po ndodh me shumë kombe të vegjël. Vetëm në këtë mënyrë, kur, e pakta 50 për qind e atyre që dinë të lexojnë, të kenë lexuar e pakta 6 mijë faqe në vit dhe 60 mijë faqe në çdo 10 vjet, njerëzimi ndoshta do të mund t’i shmangej vetasgjësimit prej luftëravet të tmerrshme bërthamore.