Ka shumë data që kujtojnë lavdinë e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, por këto të fundnëntorit kanë shumëçka të veçantë. Më 28 Nëntor u lind Adem Jashari, mishëruesi i ardhshëm i idealeve të Nëntorit, të Pavarësisë e të Flamurit kombëtar, Komandanti i lavdishëm i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Ai u lind në kohë të vështira, kur Drenicës dhe gjithë Kosovës së tij po i kullonin plagët e kryengritjes së sapo mbytur në gjak. Odave drenicare djaloshi Adem Jashari edukohej me heroizmin e shekujve të luftës për liri dhe burrërohej para kohe në realitetin e hidhur e robërues të Atdheut të vet.Më 26 nëntor Ushtria Çlirimtare e Kosovës bëri pagëzimin e zjarrit në një nga grykat e Drenicës legjendare, ku trimërinë e kishin provuar edhe breza të tjerë atdhetarësh, kurse një ditë më vonë ajo paraqitet publikisht. Ushtria Çlirimtare e Kosovës po e linte djepin e rritjes në një odë Prekazi të plakut Shaban Jashari dhe përfundimisht hynte në histori me Nëntorin e dorës së mbarë, me Nëntorin e shpresave e të fitoreve shqiptare.UÇK, Shtabi i saj i Përgjithshëm dhe Adem Jashari e kuptonin që kohës i duheshin trima dhe jo azganë. Trimat e bëjnë luftën të drejtë e të pastër, jo sa për ta bërë, por për ta fituar. E fitorja u përket gjithmonë atyre që kanë vendosur të fitojnë. Luftërat çlirimtare të popujve të vegjël gjithmonë kërkojnë bashkimin dhe angazhimin e gjithë potencialeve, por historia i kishte krijuar realitetin e rëndë diferencues Atdheut të Adem Jasharit. Ky fat i keq, që kishte përcjellë breza luftëtarësh gjatë historisë, përbënte sfidë dhe sprovë serioze për komandantin e ri dhe ushtrinë e tij.Lufta kundër armikut me epërsi ushtarake mund të fitohet me epërsi morale. Mic Sokoli u hodh në grykë të topit në një moment kritik dhe kthese të betejës. Ai e bëri aktin e sakrificës, jo që ta asgjësonte me gjoks topin që po villte zjarr, por që t’ u ipte moral luftarak luftëtarëve të tij që kishin filluar të tërhiqeshin. Veprimi vetëmohues i tij u bë vendimtar për kundërsulmin e forcave shqiptare. Col Delia i Lidhjes Shqiptare të Prizrenit nuk u ndodh rastësisht përballë Maxhar Pashës në kullë, por i ndërgjegjshëm që do të mbetej aty dëshmor pasi ta kishte “çartë” Pashën. Selam Musai i Salarisë të njëjtin heroizëm bëri në Luftën Vlorës “me një mbret dyzet milionë”…Historia e gjatë e luftërave të pareshtura për liri të shqiptarëve ka shumë shembuj të tillë sakrifice e heroizmi, disa nga të cilat i bënë brezat e trimave të vendlindjes së komandantit Adem Jashari. Por, është vështirë të gjesh shembuj të tillë sakrifice domethënëse si ai i Adem Jasharit dhe familjes së tij. Ata ranë, jo pse s’mund të shpëtonin, se shembuj të ikjes e të ruajtjes kishin parë e dëgjuar mjaft, jo pse ishin zënë në befasi, se disa herë gjatë viteve ishin rrethuar, jo pse kishin iluzion t’ i përballonin një ushtrie të tërë, se i dinin forcat e veta, por ata kolektivisht e mbi të gjitha, familjarisht u sulën në grykë të topit të këtij fundshekulli për të sakrifikuar veten që të ndërgjegjësonin dhe të shpëtonin një popull të tërë. Ky ishte akti suprem i strategjisë së optimizmit të komandantit Adem Jashari.Ushtria Çlirimtare e Kosovës kishte vështirësitë e ngritjes dhe të ndërtimit. Ashtu si në baladat tona të lashta, ditën ndërtohej, kurse natën, forca të dukshme e misterioze e rrënonin. Nata e gjatë me hienat që përpinin fitoret tona…! Themelet e UÇK-së dhe të lirisë së Kosovës kërkonin therorizim, flijim, si në themelet e kalave të baladave të lashta shqiptare… Adem Jashari.Ushtria Çlirimtare e Kosovës humbi Komandantin e saj Legjendar, por fitoi besimin dhe simpatinë e botës së përparuar që po hamendej, fitoi besimin e popullit të vet të lëkundur dhe mbushi radhët me dhjetëra mijë vullnetarë, luftëtarë të lirisë. Komandanti fitoi betejën vendimtare të Ushtrisë së tij, në saje të strategjisë së ndërtuar mbi sakrificën. Optimizmi i Adem Jasharit fitoi mbi defetizmin dhe dëshpërimin e kohës. Tashti le të analizojnë politikanët, filozofët, publicistët e historianët tanë, le ta thonë poetët, cila është ditëlindja e vërtetë dhe kuptimplote e Adem Jasharit, në vjeshtë a në pranverë? Adem Jashari jeton dhe do të jetojë, por tashti si burim dhe si frymëzim i jetës së brezave të sotëm dhe të ardhshëm. Ngado ta kundrosh jetën e Adem Jasharit, të mëson ta bësh historinë e jo ta studiosh atë në mënyrë skolastike. Adem Jashari është faqja e parë e mësimit dhe e kuptimit të historisë e të politikës së çështjes shqiptare, e artit të fitoreve të luftës çlirimtare.Zëri i Adem Jasharit, ashtu si kënga e tij ditën e rënies, jehon sot si kushtrim për bashkimin e forcës së gjithë atyre që çështjen e lirisë e të atdheut e kanë mbi çdo interes. Adem Jashari dhe Ushtria e tij, në çastet kur Kosova ishte në flakë dhe duhej çliruar, i thërrisnin të gjithë shqiptarët, pa përjashtim, që t’ i dilnin zot vatanit, se ishte në rrezik. Si atëherë edhe sot, Kosova ka nevojë për forcën e bashkuar për t’ i mbrojtur fitoret e arritura me gjak dhe për ta çuar në vend amanetin e Adem Jasharit e të gjithë dëshmorëve të tjerë.
add a comment