Lëvizja\UÇK

Besarta Jashari: Për Qëndresën, Luftën, Heroizmin dhe Rënien e Familjes Jashari

Betejën e 5, 6 dhe 7 Marsit e nisën Fitimi e Besimi, duke ndezë flakën e lirisë, e cila ndriçoi rrugën e UÇK-së deri në liri… Plumbin e fundit e shtiu në forcat serbe vet Kushtrimi… edhe Kushtrimi i balit Adem më la. NGELA VETËM APO JO?! Isha e rrethuar me zjarr e tym, më shoqëronin motrat e çikat e axhallarëve – por ato nuk flisnin, as nana nuk më fliste… dikur tymi u largua… dhe e pashë dhe u binda se NGELA VETËM. As Blerina nuk ishte me mua më… si asnjëherë më parë kisha nevojë të zgjohesha nga ëndrra, por ajo nuk ishte ëndërr… së paku kisha nevojë, për një njeri që t’më gënjente ëmbël… e kotë! NGELA VETËM! Pa asnjë frikë, krenare me Jasharët e mi ecja rrugës nga shtëpia drejtë fabrikës së municionit, që dikur ishte rruga ime për në shkollë… i pashë serbët, ishin të trishtuar, si duket plumbi i babës Shaban, balit Adem e babushit kishin shpaguar breza e breza. Dhe kështu, ishte ajo ditë që zjarri i Kullës tonë u bë zjarrë për pushtuesin dhe shkëndi lirie për ne. ÇDO GJË FILLOI TË KISHTE KUPTIM. Besimi e Fitimi e nisën, sepse besonim të fitonim, ndërsa Kushtrimi e mbylli betejën e u bë kushtrim gjithëkombëtar për liri. Atëherë, edhe pushoi kënga “për mëmëdheun” e nisi “marshi i UÇK-së”. SOT nuk jam vetëm, e kam mixhën Rifat, vëllaun Bekimin dhe të tjerët, që kanë bërë që Kulla jonë të qëndrojë edhe më e fortë. Kam Valonin, Dylin e Nolin që plotësojnë jetën time. Ju kemi edhe juve popull anë e mbanë trojeve etnike shqiptare, që çdo herë kemi qenë bashkë. Urime festën e lavdisë kombëtare! Gëzuar Epopeja e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës! E juaja, Besarta.

Sot, në 20 vjetorin e Epopesë së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, unë vajza e Heroit të Kombit, Hamëz Jashari, e mbijetuara e betejës historike të 5,6 dhe 7 Marsit, do të sjell kujtime në këtë përvjetor – datë kjo që më ngjallë dhimbje, krenari dhe dashuri për vendin tim. Një ditë para betejës së lavdishme ishte çdo gjë zakonshme në jetën time… Nuk e dija që ajo natë do të ndryshonte çdo gjë – ndoshta ishte më mire, sepse në vend se ta përqafoja përfundimisht nënën Feride e babën Hamëz dhe krejt familjarët e mi, unë si zakonisht me fëmijët e familjes shkuamë në dhomën e gjumit për të fjetur si çdo natë tjetër. Nuk e dija…Sinqerisht, nuk e dija që ajo ishte nata e fundit që do të luaja me Blerinën e vogël, nuk e dija që ajo ishte nata e fundit që nëna Feride do më puthte ballin para gjumit. Nuk e dija, se isha fëmijë. E lindur dhe e rritur në kullën mësuesit të parë shqiptar në atë anë, më kishte krijuar bindjen se përpjekja e babës Shaban, babushit Hamëz dhe balit Adem për çlirimin e vendit ishte veçse obligim. Ne, si fëmijë të Familjes Jashari, ishim mësuar t’i shohim burrat tonë të armatosur dhe të përndjekur, ishim mësuar edhe me represionin e pushtetit të atëhershëm serb mbi shqiptarët e asaj ane – me theks të veçantë mbi familjen tonë. Për këtë na kishte fol babushi e bali Adem, se pushtuesi duhet të largohet nga vendi jonë – për çdo çmim, ndërsa baba Shaban na tregonte historitë që ishin frymëzim për kombin. Andaj, besoj që ne të gjithë fëmijët e Jasharëve ishim të përgatitur për betejën që po na priste. Por, nuk e dija që mizoria e pushtuesit serb nuk do të kursente asgjë…. Para agimit, u zgjuamë nga zhurmët e makinerisë së pushtuesit serb që kishin rrethuar kullën e babës Shaban, edhe atëherë nuk e dija se çfarë po na priste. Derisa nëna më porositi të marr dru për zjarr, takova babushin, i cili pranë odës ishte duke tymosur duhan me armë në brez e në krah – si asnjë herë më parë ndjeva dashurinë për babushin, si asnjë herë më parë pash bukurinë e tij. E pyeta: “Babush, çka po bohet? Çka është kjo zhurmë?” I buzëqeshur më tha: “Kurgjo, qika jem. Po nihen dikun shkijet, po nuk jon t’u ardh te na”. Nuk e di pse, sa herë që fliste babushi ma qetësonte shpirtin. Ajo ishte hera e fundit që e pashë të gjallë, por zërin ia kam dëgjuar deri në rënien e tij – duke kënduar këngën e mëmëdheut:

Për mëmëdhenë, për mëmëdhenë

vraponi burra se s’ka me prit

Të vdesim sot ne, me Besa Besë

pranë flamurit të kuq q’u ngrit…

Krahas babushit, e këndova edhe vet… e këndoj edhe sot, kënga që përbën mesazh për bashkëluftëtar, mesazh për bashkim, mesazh për obligimin që kemi para shqiponjës. Nuk zgjati edhe shumë. Zhurma e makinerisë së forcave serbe po afrohej, që në mëngjes po dëgjohej larg. Natyrshëm u mobilizuam të gjithë anëtarët e familjes, këngës së babushit iu përgjigjëm me radhë…… Betejës që u bë shkëndi e luftës çlirimtare, po i afrohej fundi… epilogu ishte i rëndë dhe i dhimbshëm për mua – babushi që më tha: “Kurgjo, qika jem” nuk e kishte pas njëmend, as nëna që më shtrëngonte e më thoshte: ‘Mos u tut, qika jem” nuk e kishte pas njëmend… Njëmend, paska qenë vendosmëria e Familjes time për çlirimin e atëdheut. E gjitha që kishte ndodhë në betejën e Familjes Jashari, është në zemrën dhe mendjen time… do të mundohem që këtë përjetim dhe ngjarje ta ndajë me kombin tim – atëherë kur mundem. Po e përmbylli këtë përkujtim për 20 vjetorin e Epopesë së UÇK-së me mesazhin e njëjtë si të babushit “Për mëmëdhenë”, duke ftuar për bashkim dhe dashuri për Kosovën. Lavdi!

28 Nëntori, Ditë e veçantë për mbarë kombin… Kjo festë nuk është veç e flamurit apo e pavarësisë, por është datë e krenarisë, sakrificës, shpresës dhe dashurisë kombëtare. Kësaj radhe, populli jonë në mes dhimbjes për tragjedinë në Durrës, dëshmoi se 28 Nëntori është i veçantë. Dashuria dhe solidariteti mbarkombëtar këto ditë – do t’i bënte krenarë të gjithë brezat e heronjve. Andaj, duke ju uruar këtë festë të veçantë – falënderoj Komunën e Drenasit për ngritjen e shtatoreve të Babës Shaban, Babushit dhe Balit Adem.