KADRI OSMANI PERSONALITET I VEPRIMIT ÇLIRIMTAR DHE I SAKRIFICËS
Fjalë në përvjetorin e dhjetë të shuarjes së veprimtarit Kadri Osmani
Prishtinë, më 11 tetor 2022
E dashur familje Osmani
Të nderuar të pranishëm
Zonja dhe zotërinj
Veprimtari i shquar Kadri Osmani, i lindur më 23 janar të vitit 1937 në Makresh të Artanës, u nda nga jeta më 9 tetor 2012 në Prishtinë.
Kadriu ishte pinjoll i një familjeje të ndershme, arsimdashëse e patriotike. Vëllai i tij, Ramizi dhe kushërinjtë, Shefkiu e Nuhiu, më 1949 u dënuan me burg të rëndë nga 8-20 vjet, si pjesëtarë të NDSH-së të Mulla Idrizit, Gjon Serreqit, Haki Efendisë e të Rexhep Dajkovcit. Vëllai më i ri, Begzadi ka qenë i dënuar më 1975 me 12 vjet burg dhe i izoluar tri herë nga dy muaj.
Prindër të tre fëmijëve, Kadriu dhe e shoqja Shukrie, ishin çift bashkëshortor shëmbëlltyrë. Ata bashkë me fëmijët, më 1963 nga Makreshi u shpërngulën në Prishtinë
Kadri Osmani ka mbaruar shkollën e mesme ekonomike, seksioni administrativ, Fakultetin e Filologjisë, dega e Gjuhës dhe studimet pasuniversitare, në Universitetin e Prishtinës.
Ai ka punuar në shumë vende pune ndër më të ndryshmet, duke filluar më 1960 si nëpunës në Entin Higjenik në Gjilan, për të vazhduar më 1963 në kontabilitetin e Komunës së Prishtinës, më 1964 te revista letrare “Jeta e Re”, në vitin shkollor 1965/66 arsimtar në Shkollën Fillore “Rilindja” në Keqekollë, më 1968 përkthyes për gjuhët shqip-serbo-kroatisht, në Fabrikën e Mobileve “Napredak”, në Prishtinë, në Entin krahinor të Statistikës dhe arsimtar në Prishtinë e në Gjimnazin “Boro e Ramizi” në Viti.
Veprimtaria atdhetare e Kadriut zë fill që nga viti 1964/65 kur ka punuar bashkë me kolegun, Idriz Zeqiraj në Kolaj, e pastaj me Binak Ulajn, Zenel Ulajn, Xhafer Shatrin etj. Ishte pjesëmarrës i demonstratave të vitit 1968. Në përvjetorin e parë të këtyre demonstratave Kadriu me bashkëveprimtarët e tij përgatisin dhe shpërndajnë një trakt politik, me ç’rast dënohen për vepër penale.
Gjatë fillimit të viteve shtatëdhjetë të shekullit të kaluar në Kosovë vepronin disa grupime të vogla veprimtarësh, të cilat mbanin lidhje bashkëpunimi. Ato më në fund u bashkuan më 3 mars 1973, duke formuar organizatën çlirimtare Grupi Revolucionar i Kosovës (GRK), themelues të së cilës ishin Kadri Osmani, Mehmet Hajrizi, Xhafer Shatri, Binak Ulaj dhe Feriz Seferaj. Në krye të saj për një vit qëndroi Kadri Osmani, deri më 5 maj të vitit 1974, kur u arrestua nga organet e ndjekjes të pushtetit pushtues në Kosovë.
Viti i dytë i veprimtarisë të shumë organizatave çlirimtare ka qene i mbrapshtë dhe ters, sepse UDB i zbulonte, duke përplasur nëpër burgje shumë anëtarë të tyre për të pamundësuar vazhdimin e veprimtarisë. Dukej sikur ky fat po i ndodhte edhe GRK-së, sepse pjesëtarët e udhëheqjes së tij, Kadri Osmani, Xhafer Shatri, Binak Ulaj, por edhe veprimtarë të tjerë si Jashar Alia e Metë Shatri, u arrestuan dhe u dënuan me shumë vjet burg të rëndë. Ndërkaq për arsye personale anëtari tjetër i udhëheqjes, Feriz Seferaj e kishte pushuar veprimtarinë.
GRK që e kishte hapur një dekadë të re të veprimtarisë çlirimtare në Kosovë dhe viset tjera shqiptare nën Jugosllavi, megjithatë i përballoi rrebeshit udbesk dhe me emërtime të ndryshme e vazhdoi rezistencën, duke u rritur e zhvilluar dymbëdhjetë vjet rresht, deri në bashkimin në një front të përbashkët me organizata të tjera simotra më 1982.
Përndjekjet policore kundër kësaj organizate çlirimtare kanë vazhduar edhe në vitet vijuese, 1975, 1979 dhe 1980-1982, duke dënuar dhe vrarë mizorisht shumë veprimtarë të saj. Nga qindra anëtarë të GRK-OMLK, përveç të dënuarve të shumtë, sakrificë supreme bënë heronjtë dhe dëshmorët: Kadri Zeka, Rexhep Malaj, Nuhi Berisha, Naser Hajrizi, Asllan Pireva, Bajram Bahtiri, Zija Shemsiu, Afrim Zhitia, Xhevë Lladrovci, Isa Kastrati, Abdullah Tahiri, Hafir Shala dhe Avdilgafurr Luma.
GRK që më 1974 kishte formuar Komitetin e Studentëve dhe kishte filluar me komitetet lokale, fillimisht në Dukagjin, kurse më vonë themeloi edhe Komitetin Ekzekutiv. Kjo organizatë shtrihej në të gjitha viset shqiptare nën Jugosllavi dhe në mërgatë.
Që nga themelimi i saj, organizata për herë të parë në Lëvizjen Kombëtare Shqiptare pas Luftës së Dytë Botërore filloi ta botonte edhe shtypin e saj klandestin me organet „Zëri i Kosovës“ (1974), „Pararoja“ (1977), „Liria“ e mirënjohur (1980), pastaj me trakte të shumta politike, komunikata, publikime të veçanta, si „Këngët e Lirisë“ etj. dhe materiale për mbarëvajtjen e radhëve organizative. Me veprimtarinë e saj të pasur, me jetën e brendshme demokratike, me mendimin e ri politik çlirimtar dhe me format e metodat e avancuara profesioniste të organizimit klandestin, kjo organizatë e strukturuar mirë, shtriu binarët e Lëvizjes Kombëtare Shqiptare që shpien drejt luftës finale të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Kadri Osmani bashkëvepronte me shumë veprimtarë që i kishte në lidhje midis të cilëve edhe me të bijën, Hidajeten, kurse bashkëshortja ishte në krah të tij gjatë jetës dhe veprimtarisë.
Pas lirimit nga burgimi i gjatë, më 1983 Kadriu bashkë me Rexhep Malajn që sapo ishte liruar edhe ai nga burgu dhe me Nuhi Berishën e veprimtarë të tjerë, në kuadër të LRSHJ-së, formuan subjektin e përbashkët të quajtur Partia e Luftës e Kosovës (PLK), një organizatë politike-ushtarake, e cila do të kishte një shtab operativ në qendër dhe shtabet operative rajonale. Nga fundi i vitit 1983 dhe fillimi i vitit 1984, u bënë arrestime në masë të veprimtarëve të organizatës, kurse në një qëndresë të armatosur përballë forcave policore të regjimit, më 11 e 12 janar 1984, veprimtarët Rexhep Malaj dhe Nuhi Berisha, ranë në altarin e lirisë.
Në fund të vitit 1991, me disa bashkëveprimtarë Kadri Osmani formoi Organizatën Revolucionare Shqiptare (ORSH), në të cilën zgjidhet kryetar. Organizata nxori revistën “Kushtrimi i lirisë”.
I rrezikuar nga ndjekjet policore, Kadriu kalon në Shqipëri, ku aderoi në Partinë Socialdemokrate të Teodor Laços (1993-1994) dhe më vonë shkoi në Zvicër, ku ishte anëtar i Shoqatës së Intelektualëve Shqiptarë (1996) dhe sekretar i Bashkësisë Shqiptare prej vitit 1998 deri në fund të qëndrimit atje, më 2005.
Në moshën 12-vjeçare Kadriu fëmijë ishte keqtrajtuar nga OZN-a. Për herë të dytë është burgosur dhe dënuar me një muaj burgim për grevat e punëtorëve në Ndërmarrjen e Mobileve “Napredak” në Prishtinë. Së treti u burgos më 27 nëntor 1969, pas shpërndarjes së traktit në Prishtinë, Mitrovicë e Pejë, në njëvjetorin e parë të demonstratave të vitit 1968 dhe dënohet me dhjetë muaj burg. Herën e katërt, në shtëpinë e tij u arrestua në maj të vitit 1974, kur u dënua me 9 vjet burg. Për herë të pestë burgoset më 12 janar 1984, pasi bashkë me dy heronjtë, Rexhep Malajn e Nuhi Berishën, më 1983 kishin themeluar Partinë e Luftës të Kosovës dhe u dënua me 15 vjet burg.
Po të mblidhen vitet e dënimeve me burg, që armiku ia shqiptoi Kadri Osmanit, bëjnë 25, prej të cilave i ka mbajtur 17 vjet.
Kadriu ka botuar: “Shqipja e Lartësive” (kurorë sonetike), 1988; “Falë të qoftë gjaku!” (poemë), 1997; “Nënë Tereza e Shqipërisë” (kurorë sonetike) 1998; “Shqiptarët janë atje!” (Publicistikë) 1999; “Nuset tona” (Roman), 2003 dhe ka lënë mbi dhjetë vepra në dorëshkrim.
Në Konkursin Letrar të revistës „Spektri”, 1998, ka zënë vendin e parë për tregimin „Dyluftimi”. Po ashtu në atë konkurs ka zënë vendin e tretë për poezinë “Nëntori i flamurit shqiptar” dhe i janë marrë për botim “Poemë për Komandant Fehmiun” si dhe eseja “Diaspora dhe Atdheu, arritjet dhe mundësitë”. Në vitin 2003 në Konkursin Letrar të Universiteti Popullor në Gjenevë, ka zënë vendin e parë, me tregimin „Telegrami”. Në përmbledhjen me poetë të mërguar „Metafora e arratisur” (2003), është prezantuar me një cikël vjershash. Ka shkruar te “Jeta e Re”, te “Zëri i Rinisë”, te “Rilindja” etj. Në Shkollën 8-vjeçare “Rilindja” në Keqekollë (1965-1968), me të ndjerin Mehedin Dili, nxori revistën e nxënësve “Ylli i parë”. Në gjimnazin e Vitisë, nxori revistën e gjimnazistëve “Aroma” (1974), më 1995, në Tiranë, revistën “Arbëria”, ku ishte kryetar i pleqësisë. Një kohë të gjatë e udhëhoqi revistën e ilustruar “Shqipëria Etnike”.
Kadri Osmani ka marrë mirënjohje nga Shoqata e Mërgimtarëve Shqiptarë “Avni Rrustemi” dhe Shoqata e Mërgimtarëve Shqiptarë “Bajram Curri” (Buchs), e cila e kishte shpallur anëtar nderi, në shenjë respekti për kontributin e dhënë për çështjen kombëtare. SHKA “Naim Frashëri” në Bernë, i jep mirënjohje për punë dhe angazhim në ruajtjen, rritjen dhe zhvillimin e folklorit burimor shqiptar. Por mirënjohja më e madhe për të është kujtimi dhe respekti i brezave shqiptarë për figurën morale, atdhetare e luftarake që ai përfaqësonte.
Kadri Osmani është ndër veprimtarët e Lëvizjes Kombëtare Shqiptare në Kosovë me stazhin më të gjatë të burgimit. Ai ka lënë gjurmë të thella dhe kontribut madhor, jo vetëm me mbajtjen e burgimit, por mbi të gjitha me veprimtarinë e tij çlirimtare të pareshtur vite me radhë.
Nderi, guximi, atdhedashuria, aftësitë intelektuale dhe drejtuese, fryma e sakrificës dhe vendosmëria e shquanin Kadri Osmanin në veprimtarinë klandestine çlirimtare.
Kadri Osmani trashëgonte trimërinë tradicionale të kapedanëve tanë të lirisë. Atë mund ta vrisnin, por kurrë ta frikësonin e shantazhonin. Po sjell këtu vetëm një rast të karakterit të papërkulshëm të Kadriut. Derisa ishte në burgun e Mitrovicës, drejtori shqipfolës me sjellje arrogante i kishte kërkuar Kadriut të rrinte gatitu para tij dhe t’i raportonte, por ky, pa një pa dy, e kishte goditur me pëllëmbë para gardianëve, të cilët ishin hakmarrë rëndë kundër tij.
Kadriu zë vend të merituar në historinë e Lëvizjes Kombëtare Shqiptare, me veprimtarinë dhe përkushtimin një jetë të tërë.