Lëvizja\UÇK

Mehmet Hajrizi: Drejt lirisë

DREJT LIRISË

 Fjalë e plotë në Akademinë e nderimit dhe mirënjohjes për veprimtarin

Mehmet Hajrizi

Prishtinë, më 4 prill 2022

Motra dhe vëllezër

Zonja dhe zotërinj

 

Ju përshëndes përzemërsisht dhe falemnderit për prezencën tuaj që më nderon kaq shumë. Falënderoj gjithashtu organizatorët dhe parafolësit për kontributin e fjalët e zgjedhura që thanë për mua.

1.

Po çfarë t’ju them unë tani nën këto emocione? Kam lindur në fshatin tim të bukur, në Strofcin e Qyqavicës legjendare, aty midis themeleve të një kishe shqiptare dhe një xhamie të një fshati fqinj, jo larg varrezave ku prehen breza të fshatit, me shumë luftëtarë dhe dëshmorë, jam lindur aty midis njerëzve të mirë që më bëjnë krenar. Në shtëpinë tonë, të ndërtuar nga mjeshtër dibranë, prindërit e mi të mrekullueshëm na rritën, neve pesë djemtë dhe motrën tonë. Babait tim ia vranë forcat serbe të vetmin vëlla që kishte, prandaj u kujdes edhe për fëmijët e tij.

Si çdo i ri kisha shumë pasione. Dëshiroja të bëhesha mjek, por profesor Mazllumi i gjuhës shqipe më “mori në qafë”, se i pëlqenin shkrimet e mia në hartimet shkollore, prandaj mbarova studimet për gjuhë dhe letërsi. Sidoqoftë, përcaktimi im politik, i motivuar edhe nga vëllai Zeqiri, i burgosur politik i Goli Otokut, nuk ishte larg mjekësisë shpëtimtare të jetës. Deri tani kam punuar dhjetëra punë, krejt të ndryshme nga njëra-tjetra, por që bëjnë një bilanc të përbashkët.

Të përkushtuar bashkë në një kauzë të madhe dhe fisnike, ne veprimtarët nuk mund as  do të duhej folur për vete në njëjës. Ne ishim shumës dhe rrëfimet janë në shumës. Asnjëri prej nesh nuk do të vlente i papërplotësuar me të tjerë, sepse vetë qëllimi ynë kërkonte angazhim kolektiv, pa rënë në anarkizëm, se trimi është i mirë me shokë shumë.

Ora e historisë na thërriste të ishim në krye të detyrës të çështjes kombëtare. Në përgjigje të saj, ne  plot shend e verë, si zogjtë e rosës u hodhëm në ujin e rrëmbyeshëm, (më shumë nga vrulli rinor sesa nga pjekuria e profesionalizmi i të formuarit); u hodhëm për të mësuar artin e notit revolucionar nacional-çlirimtar. Me përpjekje i zotëruam mësimet fillestare dhe bëmë, jo vetëm teorinë, por edhe praktikën çlirimtare, ashtu siç thoshte Aristoteli se shkenca e politikës përveç njohjes ka për qëllim edhe veprimin. Ne kishim shumë dëshira, por nuk u bëmë skllevër të tyre, sepse historia kërkonte pragmatizëm dhe taktika… I bëmë të gjitha në emër të një dhe vetëm një strategjie; çlirimi dhe bashkimi kombëtar, si kurorë dafine dhe kapak floriri mbi arkivolet e dëshmorëve që ranë në altarin e lirisë.

Si të rinj, gabimisht besonim se dinim gjithçka, por shtigjeve hasnim në shumë të panjohura e të papritura, prandaj mësonim dhe formoheshim si veprimtarë profesionistë. Janë tri shtylla bosht që e mbajnë në këmbë veprimtarin; besimi i patundur në fitoren finale,  besnikëria e pathyeshme ndaj saj dhe vendosmëria. Hasan Prishtina, thellë nga vitet na mësonte: “Në vend të një kolltuku me turp në Stamboll, parapëlqeva kryengritjen me nder në malet e Kosovës.”

3.

Kur nisëm veprimtarinë, në fillim të viteve shtatëdhjetë të shekullit të kaluar, pak njerëz në Kosovë u besonin ideve tona. Një pjesë e tyre mendonin që në Kosovë ishte arritur tashmë ideali i lirisë, sepse satrapi Rankoviq nuk ishte më në skenën politike as pushtetore; sepse të drejtat e mohuara kombëtare e demokratike të shqiptarëve po realizoheshin në jetën politike, ekonomike, arsimore e kulturore; sepse Kosova po emancipohej e përparonte shpejt e gjithanshëm; sepse kishim një autonomi të mjaftueshme në ballë të së cilës ishin shqiptarët, kundër të cilëve nuk duhej rebeluar; sepse edhe vetë Shqipëria po i përmirësonte marrëdhëniet në shumë fusha me Jugosllavinë etj. Me një fjalë, në Kosovë po ngjallej një iluzion i lirisë.

Një shtresë tjetër e shoqërisë ishte e vetëdijshme se të drejtat tona vazhdonin të na mohoheshin, por konsideronin utopizëm të ngriheshim kundër një fuqie policore e ushtarake, siç ishte Jugosllavia.

Klasa më e vogël, por më e rrezikshmja, e akomoduar jo vetëm në sistemin politik jugosllav, por edhe në agjendën e UDB-së, ishte ajo që bënte punën e kolaboracionistit kundrejt një page dhe mirëqenie personale. Ata na quanin “zë i vetmuar në shkretëtirë”, duke pretenduar të na ndanin nga baza jonë mbështetëse – populli.

Në këto rrethana dukej sikur po sulmonim qiellin. Shumë njerëzve me ndjenja kombëtare u dhimbseshim, por kishin frikë dhe ndjenin rrezik të thoshin hapur një fjalë solidariteti me ne.

Nga qarqe të vogla organizatorësh, megjithatë, Lëvizja Kombëtare Shqiptare u rrit dhe u zgjerua, duke u shndërruar në lëvizje të popullit. Në përvojën e lëvizjeve çlirimtare, një momentum i stadit të tyre e përcakton fitoren, në perspektivë të afërt, apo pak më vonë.

“Rebelimi i mendimeve gjithnjë i paraprin rebelimit të armëve”, thotë një fjalë e mençur. Kështu ndodhi edhe në Kosovë, sepse ky ishte programi i gjithë Lëvizjes Kombëtare të Kosovës që nga Lidhja Shqiptare e Prizrenit. Kryengritja e armatosur, e udhëhequr nga Ushtria Çlirimtare e Kosovës, i dha fund pushtimit dhe robërisë së gjatë. Përcaktuese e fitores së shpejtë ishte gjithashtu solidariteti ndërkombëtar me NATO-n në krye.

Rol historik për mbrojtjen e Kosovës dhe mbështetjen e saj kishte edhe Shqipëria. Ndonëse e dërmuar historikisht, ndikimi i saj në lëvizjen çlirimtare të Kosovës ishte i madh, i drejtpërdrejtë dhe i tërthortë. Me dy tela çiftelie Shqipëria i çonte peshë ndjenjat atdhetare të rinisë së Kosovës, të cilat Jugosllavia as me kolona tankesh e me krisma pushkësh nuk mund t’i mbante nën zap. Nënë Shqipëria, si ajo klloçka që mbron zogjtë e saj, madje duke tërhequr zjarrin drejt vetes, e mbronte brenda dhe jashtë Kosovën martire, sepse gjaku nuk bëhet ujë.

4.

Bijtë dhe bijat e Kosovës ndërkaq, nën betimin në tokë e në qiell, me besë e me jetë, dëshmonin atdhedashurinë përballë stuhive e sakrificave supreme. “Më mirë të tradhtohesh dhjetë herë, se të bëhesh tradhtar një herë”, thotë mençuria dhe besnikëria shqiptare.

Veprimtarët e pasuronin shpirtin e tyre luftarak me virtytet e larta njerëzore dhe atdhetare. Prandaj, si në veprimtari, si në luftën çlirimtare ata u përmbaheshin parimeve, normave e rregullave të drejtësisë dhe pastërtisë së rezistencës, pa i hequr kurrë moralin politikës. Sistemi shqiptar i vlerave është kultivuar gjatë shekujve, në luftë e në paqe, me gjak e me fisnikërinë e shpirtit. Ky sistem sot mund të mirëmbahet dhe të pasurohet vetëm me idealet që e kanë krijuar.

Kryengritjet çlirimtare fisnikërojnë popujt dhe pastrojnë e përtërijnë gjakun e tyre, kurse forca e popullit të zgjuar përlanë plehrat e historisë, si ato përmbytjet e rrëmbimshme të cunameve.

5.

Të ngrije kokë kundër Jugosllavisë së Titos, do të thoshte të përballeshe me burgun e gjatë ose me vdekjen. Por, burgjet dhe gjaku janë pjesë e çmimit të  lartë të lirisë. Qindra shekuj burgimi mbajtën shqiptarët e Kosovës pas LDB dhe dhjetëra të burgosur politikë u vranë, ose u mbytën në torturë. Ne e kemi paguar shumë shtrenjtë lirinë, me gjak e sakrifica. Ish-kryetari i Asamblesë Franceze, Edgar Faure, ka thënë: “Që moti kam mësuar një gjë: Nëse njeriu nuk dëshiron të humbasë kurrgjë, atëherë as që meriton të fitojë gjë.” Kthesa e fortë në jetë pas arrestimeve nuk ishte e paparashikuar për veprimtarët. Dënimet dhe vrasjet ishin akte të zakonshme në veprimtarinë e çlirimtarëve kudo në botë, sidomos në Kosovën e robëruar. Do thënë gjithashtu se regjimi pushtues në Kosovë nuk i dënonte vetëm veprimtarët, por edhe familjet e tyre, duke i izoluar, diskriminuar e përndjekur. Kur na arrestuan, mua dhe nipin tim Jahirin, bashkëshortja dhe bashkëveprimtarja ime e përkushtuar Haxherja, i shpëtoi dënimit, por autoritetet e pushtetit nuk i lejuan kohë të gjatë të punonte as të kishte të ardhura jetese. Ajo, si shumë penelopa të tjera shqiptare, vetë nënë dhe vetë baba, i rriti dhe i edukoi me sakrifica tre fëmijët tanë, sot të suksesshëm në karrierën e tyre.

Ne nuk bëmë heroizma, sepse nuk ishim heronj. Disa bashkëveprimtarë tanët, po. Ne vetëm po përpiqeshim ta justifikonim ekzistencën, siç do të thoshte Niçe (Nietzsche). Në këto  çaste emocionante i kujtoj përunjësisht bashkëveprimtarët e mi, të rënë në altarin e lirisë, duke ndjerë thellë boshllëkun në shpirt nga mungesa e tyre në jetën time.

Por, kjo është rruga e lirisë, e kapërcimit dialektik nga errësira në dritë. Si çdo lindje edhe rilindja e popujve arrihet me dhembje e gjak.

6.

Zonja dhe zotërinj

Kosova e vogël, e lirë, sovrane dhe demokratike vazhdon të mbahet në shënjestër të armiqve të saj. Fqinja jonë, Serbia e paradokseve dhe anakronizmit, ndodhet sot në një udhëkryq, midis së kaluarës dhe të ardhmes, midis mitit dhe realitetit, midis Lindjes dhe Perëndimit, midis demokracisë dhe totalitarizmit, midis Evropës dhe Rusisë, midis lakmisë ekspansioniste dhe pamundësisë… Ajo i do favoret evropiane, por syrin e mban drejt mugullit rus, duke qëndruar fort në agjendën doktrinës antishqiptare e pansllaviste, rrënjët e së cilës shkojnë thellë në historinë e saj, pa lavdi.

Ja përse kombi ynë duhet të vigjilojë për ruajtjen dhe fuqizimin e lirisë së tij, duke rritur çdo ditë aftësinë mbrojtëse deri në ekuilibrin midis fuqive të rajonit, në funksion të sigurisë dhe paqes, brenda kufijve të vet dhe përtej tyre. Kombi shqiptar kurrë nuk i ka rënë në qafë askujt, por as nuk do të lejojë që Atdheu i tij i larë në gjak të nxirret në ankand si dikur.

Me Serbinë mund dhe duhet të bisedojmë, ndonëse nuk është e lehtë, siç thoshte Xhon Kenedi “…të bisedosh me njerëzit që nuk lëvizin nga e veta, po duan pjesë nga jotja.” Nëse politika është art i së mundshmes edhe negociatat janë të tilla.

Kombi ynë ka arritur shumë në kapërcyell të shekullit të kaluar dhe në këtë fillimshekull të ri. Janë çliruar rreth 11 mijë kilometra katrorë dhe në vazhdim të bilancit do përmendur formimin evropian të brezit të ri, zhvillimin ekonomik, avancimin e subjektivitetit ndërkombëtar të Shqipërisë dhe të Kosovës etj. Këto të arritura historike brenda një çerek shekulli, gjithsesi  na ngazëllejnë. Por, në anën tjetër kam përjetuar si shumë prej jush edhe hidhërime si dhe zhgënjime nga individë, grupe veprimtarësh e pushtetarësh, me procese e zhvillime.

Në këtë moshë, nuk kam nevojë më të madhe shpirtërore, se të ndjehem krenar çdo ditë me njerëzit tanë dhe rezultatet e tyre në fusha të ndryshme, me Atdheun tim…

Dëshiroj që brenda dhe në mërgim ta mbajmë lart flamurin e identitetit historik, kombëtar, kulturor e moral të shqiptarit dinjitar e të papërkulur.

Po e mbyll këtë fjalë, duke cituar Kadarenë tonë: “Desha t’ju uroja sonte gjithë të mirat Juve të dashurve, Juve të mirëve. T’u uroj maleve pleqëri të mbarë, Fushave dhe deteve – pjellori; Oxhakëve – tym të zi, Nënave – qumësht të bardhë, Rrugëve – zhurmë kalamajsh.  Të rënëve – qetësi.”

Kurse unë, siç urojnë himarjotët, ju them juve të dashurve të mi: U bëfshi plaka dhe pleq të plakur!

Ju falemnderit shumë.