Lëvizja\UÇK

Mehmet Hajrizi: DJALOSHI LUFTËTAR I QYQAVICËS, ENVER TAHIRI

DJALOSHI LUFTËTAR I QYQAVICËS, ENVER TAHIRI
Maleve të Qyqavicës legjendare, atyre fushave e arave, gërxheve e pllajave të Strofcit, u rrit dëshmori, Enver Tahiri. Që i ri ai po i ndiqte dy shkolla të formimit; odën tradicionale shqiptare, ku e mësonte historinë e të parëve të familjes dhe të fshatit të lindjes, të trevës së Artakollit e të gjithë Kosovës, si dhe shkollën e fshatit, ku u edukua dhe u arsimua në frymën kombëtare e të trimërive shekullore shqiptare.
Nënë Afija, e cila ishte njëkohësisht edhe baba, bashkë me qumështin e saj i dha Enverit të vogël dashurinë për Atdheun, për kombin dhe guximin që të luftonte për lirinë.
Bukurinë fizike, djaloshit Enver Tahiri ia dha natyra magjepsëse e vendlindjes dhe ajri i pastër e flladi i Qyqavicës. Tiparet e pamjes, sjelljet në familje e shoqëri, reflektonin karakterin dhe edukatën e të riut, Enver Tahiri.
Si fëmijë, Enveri e kishte provuar në lëkurën e tij të njomë dhunën e kërbaçit në duart e mizorëve pushtues.
Enverit i qeshte fytyra në familje, në shkollë e në luftë, i qeshte fytyra edhe në sakrificën e rënies ballë për ballë armikut. Ajo pamje e bukur e djaloshit të qeshur, vinte thellë nga shpirti i tij optimist për ngadhënjimin e luftës çlirimtare kundër robërisë, vinte nga bindja e tij që, siç thoshte për të gjallë, se nuk ka vdekje më të bukur se ajo për lirinë e Kosovës. Çlirimin e vendit të vet, ai e shihte në grykët e pushkëve, në vendosmërinë për jetë a vdekje të popullit të vet, në idealin e brezave të tërë të dëshmorëve dhe në epopenë e lavdishme dhe luftën finale kundër pushtuesit shekullor.
Enveri ishte shumë i ndërgjegjshëm se do të flijohej kur u doli përpara hordhive armike, por e dinte se rënia e tij dhe e mijëra dëshmorëve, ishte vetë jeta e brezave pas tyre, ishte vetë liria e Atdheut të tyre.
Dëshmori, Enver Tahiri e këputi vullnetarisht jetën e vet, para se ta fillonte atë, që të jetonte Kosova e tij e shtrenjtë, që të kthehej në shëmbëlltyrë edukimi e frymëzimi për bashkëluftëtarët dhe të gjithë të rinjtë e pambarim të kësaj toke.
Fëmijët e Strofcit e të Kosovës lindin dhe rriten të lirë e të buzëqeshur, si Enveri ynë, me shpresë se do ta bëjnë jetën, siç dëshironin e ëndërronin dëshmorët.
Ne të gjallët e vdekshëm, mblidhemi rreth gurëve muranë të Enverit të pavdekshëm, për ta nderuar sakrificën supreme të tij, me përulje dhe respekt të thellë, për të mbajtur të gjallë kujtimin e jetës dhe lavdisë së tij të përjetshme. Por pjesë e pashmangshme e nderimit për dëshmorët është përpjekja e secilit prej nesh për të vënë në vend amanetin e tyre, idealin e lartë që iu priu atyre në luftë dhe në pavdekësi.
I përjetshëm qoftë kujtimi për dëshmorin, Enver Tahiri!