Lëvizja\UÇK

Mehmet Hajrizi: Burgu i madh i një populli të vogël

Shteti policor jugosllav ndiqte gjithë popullin shqiptar, duke ia degdisur nëpër burgjet e Federatës bijat dhe bijtë më të mirë të tij. Në zyrat e policisë sekrete jugosllave mbaheshin aktive mbi pesëdhjetë mijë dosje për intelektualët, veprimtarët dhe patriotët shqiptarë. Gjatë gjithë periudhës së pas LDB, asnjë çast burgjet jugosllave nuk kanë qenë pa të burgosur politikë shqiptarë, të cilët bënin 80 për qind e të burgosurve të kësaj kategorie të të gjithë popujve jugosllavë. Përplasja në burg në kohëzgjatje më të vogla, ishte e zakonshme, sa mund të thuhet se shqiptari dhe burgu ishin bërë sinonime. E vërteta është që shumë jetë shqiptarësh u shkatërruan në burgjet jugosllave, por jo edhe ideali i veprimtarëve të vërtetë të çështjes së Kosovës. Ata midis dilemës demaçiane “Nëse do trupin, harroje shpirtin, nëse do shpirtin, harroje trupin”, zgjidhnin më me dëshirë këtë të dytën. Nën tortura mizore të OZNA, UDB dhe MUP jugosllav janë mbytur në burgje, intelektuali llapjan, Shaban Shala më 1963 në Prishtinë, poeti dhe veprimtari, Fazli Greiçevci më 1964 në Prishtinë, Afrim Abazi më 1982 në Ferizaj, Ibrahim Krasniqi, Zija Shemsiu më 1985 në Beograd, Xhemail Blakaj, Xhemaili Berisha në Prizren, Besnik Restelica më 1996 në Prishtinë, ushtari i UÇK-së, Rexhep Bislimi më 1998 në Ferizaj etj.

Sistemi i drejtësisë dhe gjyqësisë jugosllave i ka trajtuar gjithë kundërshtarët politikë në mënyrë johumane dhe degraduese, por veçanërisht ndaj të burgosurve politikë shqiptarë është vepruar në format më të vrazhda dhe kriminale, jo vetëm për t’ua ndërruar dhunshëm bindjet politike, por edhe për t’i dëmtuar fizikisht dhe për t’ua shkatërruar familjet e të ardhmen e tyre. Ata mbaheshin në izolim në qeli, pa vendim e procedura gjyqi dhe pa kufizim, duke mos u dhënë asnjë informatë familjeve të tyre, me qëllim të zhvillimit të hetimeve nën tortura çnjerëzore të organeve të sigurimit shtetëror. Kjo formë e hetuesisë, që aplikohej për shumicën e veprimtarëve të arrestuar shqiptarë, përjashtonte mundësinë e udhëheqjes së saj nga organet e gjyqit dhe të drejtën e mbrojtjes juridike. Të gjitha raportet e hetuesisë dhe aktakuzat, të burgosurit politikë shqiptarë i kanë nënshkruar nën kushtet e torturave fizike dhe të kërcënimit psikologjik.Në procedurat hetimore, gjyqtari hetues ua besonte zhvillimin e hetimeve organeve të sigurimit, të cilat kishin trajnuar njerëz pa ndjenja dhe sadistë për të ushtruar dhunë dhe terror mbi viktimat. Ata fillonin nga poshtërimi, duke i sharë e fyer të arrestuarit, duke i mbajtur me orë të tëra lakuriq në këmbë, ose në gjunjë mbi kokrra misri a guralecë, duke i kërcënuar deri në shkatërrim të familjes, shantazhuar e frikësuar, sidomos të rinjtë, duke i mbajtur në presion dhe torturë psikologjike, në pagjumësi disaditëshe dhe në rraskapitje fizike e morale, me qëllim që të rrëzonin përdhe personalitetin dhe krenarinë e tyre. Torturat fizike, që si racion i rregullt përgatiteshin çdo mbrëmje fillonin me rrahje të duarve me kërbaçë, derisa gishtërinjtë të hapeshin nga ënjtja e shuplakat e duarve të përgjakeshin nga pëlcitjet e lëkurës, për të vazhduar njësoj me shputat e këmbëve të zbathura, me shkuljen e flokëve dhe me goditje grushtesh e shqelmash në kokë e trup, me ç’rast thyheshin dhëmbë e nofulla, shurdhoheshin veshët me goditje mbi të dy përnjëherë, përgjakeshin hundët e dëgjoheshin klithma viktimash korridoreve me dyer të hapura e britma xhelatësh, për të krijuar një atmosferë tmerri e ankthi psikologjik te të burgosurit dhe dehje shfrenuese te torturuesit e droguar që garonin me njëri-tjetrin. Punonjës të sigurimit bartnin ujë tërë natën për t’ua hedhur fytyrës të torturuarve të alivanosur, që nuk kishin mundur të përballonin goditjet mbi plagët e mëhershme, futjen me dhunë të ujit për goje ose hunde, apo qëndrimin me kokë poshtë e më këmbë të lidhura si berr i rrjepur.

Mbajtja e të burgosurve shqiptarë në kushtet e rënda të burgut hetues, vazhdonte edhe pas dënimit të formës së prerë, madje edhe në vuajtjen e dënimit mbi dhjetë vjet, duke i detyruar të qëndronin të mbyllur në kthina me kriminelë ordinerë, të sëmurë mendërisht dhe me provokatorë të porositur, të cilët krijonin situata konflikti dhe i rrihnin shqiptarët më keq se në hetuesi. Shumë të dënuar shqiptarë mbaheshin anekënd burgjeve hetuese jugosllave, në të ashtuquajturin “trajtim intensiv riedukues”, në të cilat nuk vinin për vizitë përfaqësues të Kryqit të Kuq Ndërkombëtar, kurse familjet e të burgosurve dënoheshin financiarisht dhe fizikisht, duke udhëtuar me ditë e me net, për të vizituar të afërmit e tyre dhe për t’u dërguar ndërresa e rroba që nuk i siguronte burgu, apo edhe ndonjë ushqim të thatë për plotësim ushqimit të dobët që jepej në këto tipa burgjesh. Shqiptarët ishin të diskriminuar me të burgosurit e tjerë, sepse i mbanin në një mbikëqyrje të sforcuar, i ndëshkonin për hiçgjë, ua ndalonin veprimtarinë intelektuale, madje edhe literaturën dhe komunikimin shqip etj. Shumë prej të burgosurve, herë pas here janë detyruar të insistojnë edhe me grevë urie të realizojnë të drejtën e tyre për t’u larguar nga burgjet hetuese që dënimin ta vuanin në shtëpitë ndëshkuese korrektuese, ose për ta realizuar të drejtën që të flisnin shqip me familjarët në vizitë. Në solidarizim me të burgosurit, një nga parullat e demonstratave të vitit 1981 ka qenë “Ktheni në Kosovë të burgosurit shqiptarë”!

Një formë tjetër e dënimit të familjeve të të burgosurve, ishte e ashtuquajtura lëçitje e tyre, si formë kolektive e dënimit, që do të thoshte izolim dhe ndërprerje e marrëdhënieve e komunikimit të fqinjëve dhe farefisit me to! Të dënuarve politikë shqiptarë u ndalohej për disa vite rresht të ushtronin veprimtari shoqërore edhe pas mbajtjes së burgut. Më 1972, duke u mbështetur në të ashtuquajturën “Letër e Titos” edhe ata ish të dënuar që kishin arritur të punësoheshin në këto veprimtari, u përjashtuan të gjithë nga puna. Në të shumtën e rasteve atyre u ndalohej të vazhdonin shkollimin dhe survejoheshin nga spiunët e merreshin shpesh në burg për t’u testuar bindjet politike, ose për preventivë. Si pasojë e mostrajtimit mjekësor, shumë të dënuar politikë shqiptarë kanë vdekur në burg, ose kanë dalë prej tij më shëndet të shkatërruar. Jeta pas burgut, duke qenë të papunë e të paardhura, të braktisur e të injoruar, për shumë ish të dënuar ishte dhe vazhdon të jetë një skëterrë e dytë, që rrezikon t’i thyejë moralisht e shpirtërisht. Ëndrrat e burgut, si ëndrrat më të bukura të lirisë, siç thotë Shiler, i shoqëruan deri në varr shumë të dënuar shqiptarë.Të burgosurit politikë shqiptarë u nënshtroheshin veprimeve kriminale të hetuesve të sigurimit jugosllav dhe trajtimit çnjerëzor që nga dita e arrestimit dhe deri në përfundim të vuajtjes së dënimit. Ndonëse Jugosllavia ishte nënshkruese e shumë instrumenteve ndërkombëtare për mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive Themelore të Njeriut, si Karta e Kombeve të Bashkuara (1945), Deklarata Universale e të Drejtave të Njeriut (1948), Konventa Evropiane e Mbrojtjes së të Drejtave dhe Lirive Themelore të Njeriut me protokollet e saj (1950), Marrëveshja Ndërkombëtare për të Drejtat Qytetare dhe Politike me protokollet e saj (1966), Konventa kundër Torturës, keqtrajtimit çnjerëzor, poshtërimit, degradimit dhe ndëshkimit (1984) Kodi i sjelljes për përgjegjësit e zbatimit të ligjeve i Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara (1979) etj., autoritetet e saj gjatë trajtimit të burgosurve politikë shqiptarë i shkelnin ato dhe parimet e tyre me të dyja këmbët, pa pasur as më të voglën konsideratë. Për t’u pamundësuar veprimtarinë intelektuale, të burgosurve u ndalohej madje edhe lapsi, fletorja e shënimeve e shpeshherë edhe librat e shtypi. Në disa burgje ofroheshin libra të seleksionuar, sipas “shijes” së regjimit. Nën kushte të shtypjes e të terrorit, të dënuarit politikë shqiptarë përpiqeshin t’i shndërronin kazamatet e tipit mesjetar të Jugosllavisë, në vatra të kontinuitetit të veprimit, të edukimit e të kalitjes, duke u organizuar në rrethe bashkëvuajtësish, duke studiuar kolektivisht apo veç e veç, duke komentuar e shqyrtuar lëndën e lexuar, duke u marrë me krijimtari artistike dhe duke organizuar greva, protesta etj. (Nga libri Histori e një organizate politike dhe demonstratat e vitit 1981)