Histori

Organizata Dëshmorëve: Brigada XV sulmuese një nga simbolet e lirisë

Sado vitet ecin dhe u largohen datave të fillesave të ngjarjeve, aq më të vlefshme dhe të rëndësishme bëhen vetë ngjarjet, e parë kjo si në tërësinë e saj, si në kohën e zhvillimit dhe të rëndësisë, ashtu dhe në pikëpamjen e vlerave që përçon në vazhdimësi historike.

Më 29 qershor 1944, në kulmin e Operacionit të Qershorit dhe të mësymjen së përgjithshme, u pagëzua Brigada XV Sulmuese. Kjo Brigadë lindi në Protopapë të Korçës, me Komandant Teki Kolanecin dhe Komisar Shahin Rukën. Brigada XV-Sulmuese, çliroi nga pushtuesit e tradhtarët rreth 4000 km² territore të uzurpuara. Ishte kjo Brigadë që çliroi përfundimisht qytetet e Pogradecit dhe të Elbasanit, në bashkëpunim me popullin e këtyre qyteteve. Qyteti i Elbasanit qe minuar i tëri nga pushtuesit e tradhtarët, me qëllimin për ta hedhur në erë, por, falë sulmeve të befasishme të partizanëve të kësaj brigade, dhe mbështetjes vetëmohuese të popullit atdhedashës elbasanas, kjo fatkeqësi nuk ndodhi. Gjatë luftimeve që zhvilloi Brigada XV-Sulmuese në qarkun e Elbasanit, dhe në ditët e luftimeve për çlirimin e qytetit, ranë në fushat e betejave të nderit, duke luftuar heroikisht kundër armikut, 24 partizanë, ndër të cilët dy shoqe, një zv/komandant batalioni, dhe dy komandantë kompanie, të cilët janë: Ahmet Shabani, Estref Meka, Xhuzepe Kapuano (italian), Gavril Pavllo, Hamit Harshimi, Kiço Sandri, Kiço Boboshtica, Koli Rapi, Niazi Gribaci, Nevruz Shabani, Pandi Kreshova, Pali Ligori, Rahman Beragozhdi, Rexhep Shahini, Ramadan Aliu, Ramadan Seiti, Fejzulla Hamdiu, Shaniko Starja, Thomaidha Laçka, Vasil Pando, Vangjel Llazi, Xhaferr Ibrahimi, Kosta Tusha dhe Myredin Basholli.

Lavdi rrugës drejt lirisë të Brigadës luftarake të XV-Sulmuese!

Në dalje të qytetit të Elbasanit, tek sheshi i Zaranikës, në nder të kësaj Brigade, është ngritur lapidari simbol i çlirimit të qytetit, që në faqet e historisë ky çlirim, mban vulën e Brigadës së XV-Sulmuese, vend në të cilin, çdo 11 nëntor, përkujtohet me ceremoni zyrtare kjo datë e shenjtë e çlirimit të Elbasanit. Nderim dhe mirënjohje të gjithë ish luftëtarëve të lirisë të kësaj Brigade! Përulemi sot e përgjithmonë para jetës e veprës së luftëtarëve të kësaj Brigade, dhe para heroizmit të njëzet e katër dëshmorëve që ranë për çlirimin e Elbasanit.

Postimet e fundit !